Nga UVIL ZAJMI
Memorie.al / Historia e dinastive, familjeve që i ka bashkuar një vërshëllimë, një profesion, është vërtet e rrallë. Një trashëgimi dhe traditë e krijuar sa farefisnore, aq edhe sportive. Bashkë në shtëpi e në fushë, në një kohë, në një ndeshje, me një xhaketë, atë me ngjyrë të zezë. Vëllezër apo babë e bir, një vazhdimësi në dhjetëvjeçarë që të befason. Të vlerësuar deri edhe nga FIFA, me të njëjtin mbiemër. Nga familja unike Pregja, ajo Dervishi, Kotherja, Kuka, Jareci, Pjetrushi, janë disa. Raportet midis tyre, pesha nga një emër te tjetri, vështirësia për të trashëguar e mbajtur famën e krijuar. Pjesa më e madhe pa asnjë lidhje me futbollin, vetëm pasioni i lindur e kthyer në një edukatë, bashkë me shqetësimet e një bilbili familjar. Për të vijuar më pas edhe si vëzhgues të FSHF-së. Të paktë janë ata ish-futbollistë që vërshëllyen më pas edhe si arbitra.
FAMILJA PREGJA, NJË HISTORI PA RIVALË, JO VETËM NË SHQIPËRI
Të parët e këtij rrëfimi, familja Pregja. Një mbiemër i njohur, veçanërisht i lidhur edhe me arbitrimin. Ramiz Pregja (1931-2015) dhe dy djemtë e tij, Bujar e Arben. Të tre gjyqtarë të FIFA-s, Ramizi dhe Bujari si kryesorë, ndërsa Arbeni si asistent, dhe të Kolegjiumit të Tiranës. Një karrierë e trefishtë, kur në fushë thuajse për një gjysmë shekulli janë vijues protagonistë njëri pas tjetrit. E nisur nga Ramiz Pregja, baba, në 1960 dhe e mbyllur nga djali, Arben më 2010.
Pa asnjë lidhje me futbollin, familja Pregja e ka pasur startin në atletikë, me Ramizin konkurrues në Lajpcig 1958, në 110 e 400 metra me pengesa. Ishte 28 vjeç, në kulmin e moshës, kur nga Ramazan Kuka e Sami Kotherja, në kërkim të talenteve të reja për arbitrim merr propozimin për t’u bërë arbitër futbolli. Me aftësitë fizike të admirueshme, nis të shfaqet në stadiumet e fushat shqiptare. Në moshë të re, viti 1962, ende pa mbushur 31 vjeç, bëhet arbitër ndërkombëtar. Ka qenë dhe mbetet një ikonë e arbitrimit në periudhën e viteve ‘60-’80-të. Për rreth 20 vite në elitë, njeriu i takimeve të famshme derbi të kohës. Arbitër në 25 stadiume europiane, ballkanike, e fundit në Greqi, më 1981, turneu ballkanik “Shpresa” dhe në ceremonitë e lamtumirave të mëdha, ai ajo e Iljaz Çeços 1974 dhe Panajot Panos në vitin 1975. E la në moshën 50-vjeçare, në nëntorin e vitit 1981, kur drejtoi 90 minutat e fundit.
Bujar Pregja, djali i madh, një tjetër vërshëllimë e kësaj familjeje. Edhe ky figurë e rëndësishme, aktiv, ndër më të mirët e periudhës 1980-2000, arbitër i FIFA-s, nga 1990 deri kur e mbylli karrierën. Arbitër në “Parc de Princes”, më 1994, në takimin ‘PSG’-‘Vaduz’, Champions League. Mbi 50 takime ndërkombëtare e 450 në aktivitete kombëtare. Pregja tre, ndryshe nga dy të parët: asistent nga 1990, për ta mbyllur më 2011. Nga viti 2000, deri në fund edhe i FIFA-s. Nga e njëjta familje, të tre me stemën e FIFA-s, ajo që nuk i unifikon është se asnjëherë nuk kanë qenë bashkë në fushë. Ndonëse Ramizi e Bujari, kanë drejtuar një miqësore të zhvilluar në Durrës, në vitin 1981, midis “Lokomotivës” e përfaqësueses Shpresa.
Ndërkohë që Bujari arbitër dhe Arbeni asistent, kanë një takim të vetëm. Ai është regjistruar në Kategorinë e Dytë, midis “Partizanit” e “Minatorit”, kur të kuqtë luanin në inferiore. Më pas në Irlandë, në vitin 2001, në takimin Irlanda Veriut -Bullgari, U-21-vjeçarët. Një kuriozitet i rrallë, nga tri finalet e paharruara për titullin kampion në historinë e kampionateve kombëtare, dy janë arbitruar nga dinastia Pregja: Sezoni 1965-1966, në “Qemal Stafa”, “17 Nëntori”- “Partizani” 2-1, ku arbitër kryesor ishte Ramiz Pregja. Sezoni 2000, finale në Elbasan, Sport-Klub “Tirana” – “Tomori” 1-1, arbitër kryesor Bujar Pregja. Vëllezërit Pregja, sot vijojnë si vëzhgues, por edhe moviolistë. I pari me televizionin e filloi Ramizi në “Rubrikën Sportive” në “TVSH”, për ta vijuar Bujari.
QAZIM DERVISHI, ARBITRI I BALLKANIADËS
Qazim Dervishi, djali Astrit dhe nipi Melis. Të tre nga Shkodra. Qazim Dervishi ndërkombëtar, ndërsa Astriti dhe Melisi, të FIFA-s, por në vite, kohë të ndarë nga njëri-tjetri. Qazim Dervishi (1908-1994) me profesion mësues, figurë poliedrike e sportit, Ish-atlet, në vitin 1930, futbollist me nr. 7, i “Bashkimit Shkodran”, më pas arbitër. Spikat kur drejton “Vllaznia” – “Hajduk” i Splitit 2-1, më 1945 dhe Shqipëri-Mali i Zi, 5-0 në shtator të 1946-ës.
I caktuar si arbitër në Ballkaniadën e vitit 1946 të zhvilluar në Tiranë, drejton ndeshjen Jugosllavi-Bullgari 2-1 dhe më pas si asistent, në sfidën Shqipëri-Rumani 1-0. Më 12 shtator 1947, u arrestua nga qeveria komuniste për shkak të simpatisë që kishte ndaj ish-Mbretit Zog dhe u dënua me 18 vjet burg. Por, për shkak të kushteve shëndetësore, iu dha liria në vitin 1954. Traditën e krijuar nga Qazimi, e vijoi shumë vite më vonë djali, Astriti. Ky i fundit fillimet e tij, i ka në vitet ’80-të, për të pasuar më vonë si asistent deri më 2000, kur edhe përfundon karrierën. Madje, për disa vite edhe flamur i FIFA-s. I treti Dervishi i bilbilit, është Melisi, djali i Astritit dhe nipi i Qazimit. Shumë shpejt evidentohet si talent në rolin e asistentit dhe menjëherë, në moshë shumë të re edhe asistent i FIFA-s. Ende sot është në aktivitet.
KOTHERJA, PROFESORI I ARBITRIMIT
Babë e bir, Sami e Plarent Kotherja, të famshmit e arbitrimit kombëtar. Figura qendrore me kontribut të madh jo vetëm me bilbilin në fushë. Të dy arbitra të njohur të FIFA-s, një trashëgimi e kaluar nga njëri te tjetri. Sami Kotherja (1923- 1999), profesor i matematikës, i sapo kthyer nga studimet nga Sofja në vitin 1954, i nxitur nga Myslym Alla, aktivizohet si arbitër futbolli. Spikat dhe me 17 takime, në sezonin 1955, është në elitë. Arbitër ndërkombëtar nga 1961-1973.
Në vitin 1961, për Kupën Ballkanike, ndeshja “Levski”-“Steaua” 2-0 drejtohet nga Sami Kotherja, B. Hamdiu, Sh. Gruda, një treshe që për herë të parë arbitrojë jashtë shtetit. Samiu u nda me arbitrimin në vitin 1973. Vijoi si drejtues i komisioneve arbitrare në FSHF-ë, shqipërues, interpretues i Rregulloreve të Futbollit, për t’ia lënë bilbilin djalit të tij, Plarentit.
Një karrierë e nisur me 1969, për ta mbyllur më 1995. Shumë potent, autoritar, figurant në fushë, Kotherja i Dytë, ka tjetër vërshëllimë, jo akademike si i ati. Protagonist në vitet ‘80-‘95, ndër më kryesorët në ndeshjet elitare të kohës, kryesisht ato derbi e finale të Kupave. Edhe ky arbitër i FIFA-s, stemën e së cilës e mbajti nga 1980-1995. Mbi 300 ndeshje si kryesor, e 200 të tjera si asistent.
Në 48 takime ndërkombëtare, ndër të cilat U-21 Itali-Spanjë më 1991, Jugosllavi-Holandë, “Omonia”-“Anderleht” për Kupën e Kampioneve, etj. Më pas vëzhgues i FSHF-së dhe i FIFA-s. Sami e Plarent Kotherja, kanë qenë të dy në fushë vetëm në një ndeshje: Kavajë, 16 janar 1971, Kupa e Republikës, “Besa”-“Besëlidhja” 5-1. Arbitër Sami Kotherja, asistent Plarent Kotherja, Priamo Bollano.
FAMILJEN KONÇI, ZYBER E LULZIM I BASHKON EDHE VËRSHËLLIMA
Pak mund ta dinë se ka mjaftuar edhe një vërshëllimë e vetme të lidhë vëllezërit Konçi. Sigurisht që simboli i familjes, ajo pjesë sportive e saj, nis me të mirënjohurin Zyber Konçi, që para karrierës si trajner e drejtues, ka qenë edhe arbitër futbolli. Emrin e tij si arbitër, e lexojmë në kampionatet kombëtare në fillim të viteve ’50-të, në grupin e arbitrave kryesorë me R. Kukën, E. Laçej, I. Doraci, N. Gjini, H. Hysenaj, B. Hamdiu, J. Godari, etj.
U largua më pas për të studiuar në Çekosllovaki e, për t’u rikthyer e lidhur sërish me fushën, futbollin, por këtë herë jo si arbitër, por si trajner, ndër më të spikaturit e stolit me klube dhe me Kombëtaren. Lulzim Konçi, vëllai, arbitër nga sezoni 1965-1985, kur edhe e mbylli karrierën. I Kolegjiumit të Tiranës dhe për shumë vite edhe arbitër Ndërkombëtar, stemë të cilën e mori në vitin 1973. Një ndër vërshëllimat e njohura të atij brezi, të asaj dekade në kampionatet kombëtare.
PETRIT DHE AGIM LIKA
Të dy arbitra kryesorë, madje Agimi, i dyti, edhe i FIFA-s. Petrit Lika (i ati i futbollistit Hasan Lika), një karrierë modeste jo shumë e gjatë edhe për funksionet zyrtare që kishte.
Arbitër i Kategorisë së Parë dhe me një kontribut për shumë vite edhe si anëtar i komisioneve drejtuese të arbitrimit në FSHF në vitet ’80-të. Ndryshe, Agim Lika, arbitër ndërkombëtar, të cilin e gjejmë aktiv në mjaft takime të kampionateve të periudhës së viteve ‘60-’70-të si kryesor, por edhe si asistent në ndeshjet ndërkombëtare, pasi kështu praktikohej asokohe. Me ta edhe Hasan Lika (arbitër kryesor i Kategorisë së Dytë). Kanë vite që janë ndarë nga jeta.
KUKA, NJË MBIEMËR, POR NIPA TË NJË BILBILI
Ramazan, Hyqmet, Orlando Kuka. Një mbiemër në “hit parade” të arbitrimit shqiptar. Tri xhaketa të zeza nga një fis, të tre kryesorë, por të ndarë në mosha e periudha. I pari, Ramazan Kuka, figuron arbitër që në sezonet 1950, madje protagonist në sfidat e kohës, ato “Partizani”-“Dinamo”, kur ishte vetëm 20 vjeç. Shumë shpejt do të jetë në elitën e arbitrimit figurë kryesore. Sa arbitër i mirë, korrekt, aq edhe “gentelman”. Nga 1954, arbitër ndërkombëtar. I qetë, i qartë me një vrapim elegant, kurrë nuk provoi ta protestonin edhe kur akordonte dënimin maksimal.
Një vërshëllimë që ka lënë gjurmë në këtë sektor. Hyqmeti, nipi i Ramazan Kukës, i nxitur nga xhaxhai, e nis arbitrimin në fillim të viteve ’70-të. Kuka i Dytë, shpejt do të afirmohet kur shfaqet në fushë, ndonëse me karakteristika të ndryshme.
Një tjetër “model Kuka” e tip vërshëllime: më potent. Edhe ky arbitër i FIFA-s nga viti 1980-1987. Karrierën si arbitër i elitës do ta mbyllë në 1989. Drejtues i shumë sfidave derbi për 15 vite, por edhe i përballjeve legjendare të kohës. Kuka i Tretë, Orlando, jo i ngjashëm me dy të parët. Tjetër mentalitet, tjetër paraqitje, tjetër figurë e linjë arbitrimi, edhe pse rrjedh e është vijues i “Kuka dinasty”. Është i ri për të përcaktuar karrierën. Dy të parët e kanë shkruar, brilante.
JARECI, NJË TJETËR FIRMË E MADHE E ARBITRIMIT
Një mbiemër shumë i njohur, i lidhur me fushat, stadiumet, mjediset sportive, me vetë historinë e futbollit shqiptar. Namik dhe Sokol Jareci, babë e bir të një xhakete, vërshëllime, kryesorë dhe të FIFA-s. I pari, Namiku (1941-2020), vëllai i të mirënjohurit Skënder Jareci, futbollist, mesfushor i “Dinamos”, deri në mes-vitet ‘60-’70-të.
Në vitin 1968, pasi ka braktisur blutë, por pa u ndarë me futbollin, Jareci i Dytë, papritur shfaqet me tjetër fanellë, me kostumin e zi të arbitrit. Deri në 1991, kur e mbylli si një arbitër elegant, përgatitje e lartë fizike, korrekt, me një arbitrim të veçantë. Futbolli i luajtur e ndihmoi të ishte i tillë edhe në fushë. Dy vite, 1987-1988, arbitër kryesor i FIFA-s dhe më pas vëzhgues. Stafeta do të kalojë te djali, Sokoli. Pa ndikimin nga i ati, por me pasion basketbollin, jeta, karriera e Jarecit Dytë, do të ndryshonte në vitin 1989, vetëm 23 vjeç.
Tek ai zbulohen të dhëna, aftësi dhe shumë shpejt do të afirmohet si arbitër kryesor që në pak kohë kap majat. Një karrierë aktive nga 1995-2010 edhe i FIFA-s nga 2000-2010. Elegant e autoritar, ka drejtuar ndeshjet më të vështira e delikate të vitit 1997 dhe më pas. Arbitër në Champions League, “Panathinaikos”-“Omonia”. Aktualisht drejtues i sektorit të Arbitrimit në FSHF, vëzhgues i FIFA-s. Namiku arbitër dhe Sokoli asistent kanë drejtuar bashkë një takim, atë “Turbina”-“Bylisi”, të vitit 1990, luajtur në Cërrik.
FAMILJA PRELA, NGA TEFA TE LEONARDI, BASHKË NË FUSHË
Dy vëllezër nga Kolegjiumi i Arbitrave të Shkodrës. Të dy bashkëkohës, të dy arbitra kryesorë. Tefa më i madh, kampion në pingpong, një traditë familjare pa asnjë lidhje me futbollin, aq më shumë me bilbilin.
Angazhohet me arbitrimin në 1968 si arbitër i Kategorisë së Parë. Mësues i rusishtes, për herë të parë ka arbitruar më 18 shkurt 1977 në Tiranë, “Shkëndija”-“Lokomotiva” 1-1, për të arritur tek ajo e fundit në mars 1991 po në Tiranë, por këtë herë si asistent. Në sezonin ‘87-‘88, arrin kulmin me numrin 9 të takimeve të arbitruara radhazi. Është asistent në 5 finale Kupe: “Lokomotiva”-“Labinoti”, Tahir Kalaci, A. Halili, Tef Prela; “17 Nëntori”-“Dinamo”, M. Lara, Tef Prela, Tahir Kastrati; “17 Nëntori”-“Dinamo”, Dhori Prifti, K. Peqini –Tef Prela; “17 Nëntori”-“Flamurtari”, Plarent Kotherja, Tef Prela-K. Peqini; “17 Nëntori”-“Flamurtari”, Arsen Hoxha, Tef Prela, Astrit Canaj.
Pas një dekade, i vjen radha vëllait, Leonardit, i diplomuar si inxhinier druri, që merr nxitje dhe në vitet ’80-të. Ai është konsideruar si një arbitër me të ardhme. Pak më ndryshe karriera e Leonardit: Startoi në vitin 1978 dhe u mbyll pas dhjetë vjetësh. Nga 1987-1989, kanë gjykuar bashkë në gjashtë takime, nga të cilat pesë në Kategorinë e Parë dhe një në të Dytën. Ka qëlluar që të dy të kenë qenë edhe arbitra kryesorë në të njëjtën javë të kampionatit të Kategorisë së Parë, por edhe shumë herë bashkë në një ndeshje. Tefa si kryesor, ndërsa Leonardi si asistent. Në vitin 1996, vjen largimi me familjen në SHBA-ës. Tef Prela është i pari arbitër futbolli shqiptar, që ka arbitruar aty si anëtar i Kolegjiumit të Nju Jorkut, kur ishte 54 vjeç.
PJETRUSHËT, NJË DINASTI PA FUND
Vëllezër, nipër, djem deri edhe mbesa nga Lezha, që i bashkon një vërshëllimë e vetme. Nga Prek Pjetrushi, i pari që hapi rrugën, vëllai i tij Engjëll, Aleksandër dhe Brigen, dy djemtë e Prekës, Rigersi djali i Engjëllit, nipi Fiorelo, deri te mbesa Eglantina. Viti 1978, kur Pjetrushi Parë u shfaq në fushë si arbitër kryesor. Djalë i ri, me perspektivë, i tillë deri kur e mbylli në 2002. Vëllai Engjëll, pak më i vogël dhe me të tjera cilësi: asistent nga më të mirët në periudhën 1990-2012, një karrierë edhe si asistent i FIFA-s për dhjetë vite radhazi.
Në mjaft takime të atyre viteve, të dy vëllezërit i gjejmë bashkë me bilbil e flamur. I treti, Aleksandri, i aktivizuar në kategoritë inferiore, për një kohë të shkurtër. Rigersi, djali i Engjëllit, i ri, me perspektivë, vijues absolut i dy të parëve. Në kulmin e moshës, aktivitetit si arbitër kryesor dhe me të ardhme, duke u kthyer nga një ndeshje në Sarandë, viti 2012, në moshën 31-, humb jetën në një aksident automobilistik. Brigeni një tjetër Pjetrush, që e pati të shkurtër aktivizimin si arbitër, më shumë në rolin e asistentit.
Në vijim të dinastisë, sot janë: nipi Fiorelo, ndër të rinjtë shumë premtues dhe i aktivizuar në këto sezone. Mbesa Eglantina, arbitre edhe kjo ndër kryesoret e këtij sektori. Nga 1978, kur Pjetrushi Parë i ra bilbilit për herë të parë, kanë kaluar më shumë se 40 vite, një plejadë pa fund me Pjetrushët, protagonistë të një xhakete, vërshëllime, flamuri. Në sezonin e vitit 2002, në takimin “Veleçiku”-“Vllaznia”, për Kupë, në fushë janë Prek, Engjëll dhe Aleksandër Pjetrushi. Ndërsa Preka dhe Engjëlli kanë drejtuar dhe shumë sfida të tjera bashkë. Sot të dy janë vëzhgues të FSHF-së.
SOKOL DHE REJDI, AVDOT NË ANËSORE ME FLAMURËT E FIFA-S
Babë e bir, që i bashkon një flamur dhe vija anësore. Sokol Avdo i ka fillimet në vitin 1984 si arbitër. Shumë shpejt, në 1986, ka ndeshjen e parë zyrtare si asistent. Ky rol do ta shoqërojë deri në mbyllje: Kategoria e Dytë, “Kastrioti”-“Ylli i Kuq”, 0- 2.
Një karrierë ndër më cilësoret, gjithmonë në ndeshjet më të rëndësishme, vendimtare të kampionateve kombëtare të shtrira në periudhën 1986-2009, me rreth 322 takime, përfshirë edhe 6 finale të Kupës së Shqipërisë. 28 ndeshje si asistent ndërkombëtar i FIFA-s, një stemë që e mbajti nga 1998-2006. Djali i tij, Rejdi, shumë i ri, por shumë i talentuar.
Kemi pra një “Avdo II” që po afirmohet dita-ditës duke ndjekur traditën e përcjellë si asistent nga i ati. Në 2004 starton karrierën. Në 2009 vjen debutimi dhe nga ai sezon e gjejmë në shumë ndeshje, përfshirë dy finale dhe 7 Super-kupa. Nga 2011 është asistent i FIFA-s, me 33 ndeshje ndërkombëtare në arkiv. Vijon karrierën në Kategorinë Superiore.
NGA CASLLI, BILALI, KAIMI, VELÇANI E LATIFI
Janë edhe disa familje, mbiemra, vëllezër, familjarë që i lidh vërshëllima. Shefqet Caslli, arbitri i njohur tiranas, ndërkombëtar për shumë vite. Një ndër arbitrat elitarë të viteve ‘70-’80-të. Me të edhe vëllai Eqerem, por arbitër në nivele më të ulëta dhe më shumë e shohim si asistent. Një tjetër firmë është ajo shkodrane, Skënder dhe Ditmar Bilali. Arbitra të Kategorisë së Parë. Bilali me një karrierë më të gjatë e, më i njohur.
Ndryshe djali, Ditmari, i njohur edhe për letrën që i drejtoi francezit Mishel Vutro. Familja Kaimi, Besniku ndër protagonistët e vërshëllimës në periudhën 1980-1990, i FIFA-s, deri kur u nda me bilbilin në 1995. Djali Besnar, vijues i mbiemrit, kryesor edhe ky, por është pak larg nga i atit. Sazan Velçani, i mirënjohuri arbitër nga Patosi, kryesor, edhe i FIFA-s, në vitet 2000. Bilbil autoritar në mjaft takime të vështira të kohës (u nda pak kohë më parë nga jeta). Djali i tij, Geisi, po përpiqet të ecë në gjurmët e të atit, ndonëse si anësor dhe jo kryesor. Tanush Latifi, kryesor nga Gjirokastra, në Superiore për disa vite. Edhe i biri, Edvin, kryesor, por është shumë i ri dhe karrierën e ka përpara.
FUTBOLLISTË DHE MË PAS ARBITRA TË NJOHUR
Nuk është e thënë që të kesh qenë një futbollist i madh, të bëhesh trajner i tillë dhe aq më shumë arbitër. Historia, të paktën ajo e arbitrimit botëror, por edhe atij në vendin tonë ka treguar se arbritrat e elitës, ata që kanë bërë historinë e madhe të vërshëllimës shqiptare, deri edhe si të FIFA-s, nuk figurojnë si futbollistë të shquar. Të njohur, por edhe e kundërta.
Njerëz me profesione të ndryshme kanë bërë karrierë të shkëlqyer si arbitra dhe asistentë. Nga Anton Mazreku, ish-lojtar i “Skënderbeut”, por edhe arbitër, duke vijuar me Met Myshku, Namik Jareci, Dhori Prifti, F. Bajrami, Tomor Shehu, M. Mina, Pavllo Bukoviku, P. Doko, Ylli Kruja, Naim Allaj, M. Lara, I. Kristo, Petrit Brahja, G. Sheshi, Sh. Cecja, Hajro Leskaj, Besim Vladi, Mihal Konomi, S. Lato, Besnik Kaimi, B. Hyskja, Gj. Qirici, etj. Memorie.al