Nga Arben Pustina
Pjesa e gjashtë
– Rrok Gera, një burrë shteti ashtu si duhet –
KTHIMI NË SHQIPËRI DHE AKTIVIZIMI NË ADMINISTRATËN SHTETËRORE
Memorie.al/Ndërkohë, shtypi i kohës, për marrëdhëniet me të cilin Kryeministri kishte premtuar se do të ishin shumë të mira dhe do të kishte shumë liri, filloi menjëherë të pasqyronte nisjen e reformave të premtuara nga “liberalët”, të cilat, pikë së pari, nisën me vendosjen e rregullit në administratën shtetërore. Për shembull, me urdhër të titullarëve të tyre, në ministri të ndryshme u ndalua pirja e kafesë brenda institucionit. Gazeta “Vatra”, më 14 nëntor 1935 shkruante për një qarkore të Ministrisë së Financave lidhur me rregullin e brendshëm:
“…Ministri i Financave z. Rrok Gera, u drejtoi këto ditë një qarkore të gjithë Drejtorive e Zyrave Financiare si dhe Doganave të Ministrisë, mbi orarin e ri të pritjeve prej orës 11-12, të vendosur prej Këshillit Ministruer. Ndër të tjera, në qarkore thuhej tekstualisht kështu: Kur-kush ma mirë se nëpunësi i shtetit, e çmon rendësin që ka koha, sepse nëpunësi e din se sa dame i sjell punës vizita e mikut, ose ndonjë t’interesuemit, ose ankuesit që paraqitet në zyrën e tij jashtë kohës zyrtare (të caktuar për pritje).
Ndërsa në një paragraf tjetër shkruhej: Pa dyshim se nuk dëmtohet vizituesi ose ankuesi, por Shteti dhe bashkë me te, i tanë populli, mbasi shërbimi i keq, ose jo i njëjtë për të gjithë nga ana e nëpunësit, paralizon rezultatin që Shteti ka pasë në sye kur ka sistemue administratën dhe ligjin në fuqi.
Qarkorja përfundon pastaj tue thanë, se po të ndiqet puna tue respektuar dispozitat e sipërme, nëpunësit mund të kenë kohë që të studjojnë ligjet e shtetit, dhe në rasë se nuk do të respektohet orari, do të shkaktohen vërejtje, ndëshkime dhe pushime nga puna, kundër nëpunsave financjar…”. Por kërkesa për disiplinë në punë do të ishte e vazhdueshme në Ministrinë e Financave, në kohën kur në krye të saj ishte Gera. Edhe në qarkoren e datës 7 janar 1936, drejtuar nëpunësve të Ministrisë së Financave, të drejtorive e të zyrave financiare e doganore, ministri Gera kërkonte shfrytëzimin sa më efikas të orarit zyrtar:
“…Sjellet në dijeni të gjith nëpunsave se dalja në zyrë vonë dhe largimi nga zyra gjatë orarit zyrtar, nuk janë të lejueme, përveç ndër rasa të jashtzakonshme që nuk përsëriten, për çka duhet të jetë në korent edhe superiori. Nëpunsëve që nuk plotsojnë dot detyrën e tyne n’orarin zyrtar, u rekomandohet me punue edhe jashtë orarit, mbasi nëpunsia kërkon kryemjen e detyrës që i asht ngarkue gjithëcilit”.
Po për të njëjtën çështje, më 3 shtator 1936, Gera përcjell një tjetër qarkore për të gjithë nëpunësit në varësi të tij, por këtë herë dukej se ai ishte mjaft i zemëruar për shkak se sapo kishte konstatuar personalisht mungesë disipline në punë nga ana e nëpunësve: “…Nga nji shikim qi bani titullari i kësajë Ministrie nëpër dhoma të nëpunsave me 3 të k.m. ora 8, konstatoi me idhnim se në Drejtorin e t’Ardhunave, disa nëpunës në këtë orë lexojshin gazeta, disa të tjerë shëtitnin e disa të tjerë bajshin muhabet. Vetëkuptohet se në këte mënyrë nuk del koha e punës-siç ankohen shum nëpunës kur u kërkohen rezultatet e punimit. Due t’ju kujtoj të gjith nëpunsave se, Ministria asht nji Institut punimi e disipline e jo kafe o kazino…”! Menjëherë pas ardhjes së Rrok Gerës në krye të Ministrisë së Financave, aty u zhvilluan konkurse për vendet vakante.
Një risi në këtë drejtim ishte dhënia e mundësisë që, për vendet në fjalë, të aplikonin edhe femrat. Rezultatet e këtyre konkurseve u bënë publike në Fletoren Zyrtare si dhe në gazetat kryesore të vendit. Në ditët e para të marrjes së detyrës së ministrit, Gera porosiste nëpunësit e dikasterit që të merrnin njohuri për ligjet, rregulloret dhe udhëzimet që kishin të bënin me detyrat e tyre. Po ashtu, gjithmonë nëpërmjet qarkoreve të ministrisë, ai kërkonte madje edhe një lloj stilizimi standard të plotësimit të shkresave nga ana e nëpunësve të Ministrisë, drejtorive përkatëse si dhe zyrave financiare e doganore.
Në një intervistë dhënë gazetës “Arbënia”, në korrik të 1936-ës, pra rreth 10 muaj nga fillimi i detyrës në postin e ministrit të Financave, ndërsa pyetej nga Nebil Çika lidhur me disa emërime e transferime personeli, Rrok Gera theksonte se ai, kërkonte zotësi dhe zell nga nëpunësit e ministrisë që drejtonte, dhe madje ky ishte një kusht që ata të qëndronin në punë.
Ai vërente, gjithashtu, se ishte shumë me rëndësi që nëpunësit të ishin të ndërgjegjësuar për punën dhe detyrat që kishin. Pa këtë, nënvizonte Gera në intervistën e tij, nuk mund të fillohej asnjë reformë serioze. Lidhur me vetë thelbin e reformave, ministri Gera theksonte se, pikërisht meqë vendi kishte humbur shumë kohë në këtë drejtim, nuk duhej të bëheshin eksperimente për të ndërmarrë reforma pa u kryer studime të plota dhe pa qenë të sigurt njëqind për qind se këto reforma do të jepnin përfundime pozitive.
Në këtë kuadër, ai nënvizonte se, në atë korrik të vitit 1936, Ministria që drejtohej prej tij, kishte në studim projekte të mëdha, përfshi projektet për Bankën e Bujqësisë, koncesionin e duhanit, atë të peshkut etj. Në ditët e para të aktivitetit të qeverisë së re, në fokus të punës së dikasterit të financës ishte gjendja financiare për gjashtë muajt e parë të ushtrimit financiar 1935- 1936.
Në raportin justifikues përkatës, hartuar prej tij dhe përcjellë Parlamentit, më 30 nëntor 1935, Gera sqaronte se nxjerrjet e vitit financiar në vijim, të realizuara për atë periudhë kohore, arrinin në fr. ari 9.653.312. Sipas ministrit, në këtë shumë përfshiheshin edhe dy të ardhura krejt të jashtëzakonshme: pjesëmarrja e fitimit prej fr. ari 450.000 pas hedhjes në treg të monedhave të argjendit prej fr. ari si dhe të ardhurat nga shitja e një sasie të madhe pullash poste, jashtë përdorimit, për fr. ari 105.000.
Nisur nga këto të dhëna, ministri Gera parashihte që të dhënat e ushtrimit financiar në vazhdim (1935-1936) të rezultonin me një tepricë mjaft të lartë në fund të vitit financiar, ndaj ai parashtronte disa kërkesa për shtime fondesh, aty ku ai e konsideronte të domosdoshme, duke theksuar se këto shtesa do të përballoheshin nga tepricat në buxhet:
“…nji shqyrtim i imtë i gjendjes së parapamjeve të ndryshme, na ka qitë parasysh, se ashtë nji nevojë e domosdoshme që disa fonde të shtohen për arësye: se fondi disponibël asht pengue tanësisht (dhe ma tepër, ndër disa raste janë ba shpenzime ma të nalta se fondi i caktuem në buxhet, se fondet e caktueme në buxhetin preventiv nuk kanë kenë vleftësue mirë sa me i ba ballë nevojave ma të ngushta), se duhet me i ba ballë shpenzimeve të reja që janë çfaqë ndër këto kohënat e fundit dhe se, ma së fundi, asht nevoja që mos të paralizohet aktiviteti i disa shërbimeve gjatë katër muejve të fundit të këtij ushtrimi financjar…”.
Gjatë debatit parlamentar zhvilluar mbi këtë çështje, një numër deputetësh (ndërmjet tyre dhe ish-ministra financash), ndërsa pohonin se kjo ishte hera e parë që në parlament vinin kërkesa për shtim fondesh që mendohej se do të përballoheshin nga tepricat e të ardhurave, shpreheshin skeptikë për mundësinë e sufiçiteve buxhetore. Duke reaguar para deputetëve, Rrok Gera përsëriti qëndrimin e tij të shprehur në raportin justifikues se “…kur paraqiten nevoja të reja, asht detyrë e Qeverisë këto nevoja me i plotsue dhe nga shqyrtimi i buxhetit, mbas 7 muejsh aktiviteti të qeverisë së mëparshme, këto nevoja dalin në shesh…”.
Ndërsa në këndvështrimin e përgjithshëm të situatës financiare në vend, për vitet 1930-1935, Gera pohonte në Parlament se, megjithëse buxhetet konsumptive të këtyre viteve nuk ishin përgatitur ende, sipas shifrave që dispononte Ministria e Financave, kishte deficite, por gjendja nuk mund të cilësohej alarmante:
“…Kujtoj se gjendja nuk asht aq alarmante, përkundrazi kujtoj se, tue marrë parasysh se kemi përshkue mbrenda këtyne 2-3 vjetëve nji krizë financiare e nji krizë ekonomike mjaft të zorshme, – situata financiare, nuk ka qenë e mundun të jetë ma e mirë. Përsa i përket këtij projekti, lutem të pranohet dhe shtesat qi kërkohen, duhet të mos konsiderohen si shtesa qi çekuilibrojnë gjendjen financiare të Shtetit tonë”. Sikurse shihet nga tabela e mëposhtme, viti financiar 1935-1936, vit në të cilin dikasterin e financave e drejtonte Rrok Gera, është i vetmi nga 1930-ta deri më 1939-ën, që Buxheti i Shtetit dilte sufiçit.
Gjithashtu shikojmë se në këtë vit financiar është realizuar sufiçiti më i lartë, për periudhën 1925-1939. Të ardhura dhe shpenzime të buxhetit për periudhën që prej 1925-1928 deri 1938-1939 (në milionë franga ari). Ndonëse për vitin financiar në fjalë Gera kontribuoi si ministër në gjysmën e dytë të ushtrimit të tij, nuk duhet të harrojmë se ai kishte kontribuar në këtë drejtim edhe si Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Financave.
Ndërkohë, e përditshmja sillte problemet e veta dhe me këto probleme kabineti i ri qeveritar u përball shumë shpejt. Në një raport justifikues, dërguar Parlamentit, ministri i Financave, Gera, shtronte nevojën e blerjes nga shteti të një sasie prej 12 mijë kuintalësh gruri për zona, të tilla si: Dukagjin, Pukë, Mirditë, Nikaj-Mërtur, Kthellë, Skrapar, Kurvelesh dhe Malësia e Lezhës, të cilat, sipas informacioneve të dhëna nga qarqet, ndodheshin në gjendje shumë të vështirë, kryesisht për shkak se nuk kishin prodhuar drithë si dhe për arsye të tjera. Në raportin e hartuar nga ministri Gera, kërkohej që sasia e misrit t’u jepej falas familjeve në vështirësi dhe, në këmbim të saj, personat që do ta merrnin atë, do të kontribuonin me punime botore, kryesisht në mirëmbajtjen e rrugëve.
Duke e menduar se blerja e një sasie kaq të madhe misri mund të shkaktonte në treg rritje të çmimit të këtij produkti, raporti sugjeronte që blerja të bëhej pjesë-pjesë, ose të sillej nga jashtë. Në këtë rast, misri i importuar do të përjashtohej nga taksat doganore. Kostoja e blerjes së misrit, për zonat në fjalë, parashikohej të ishte rreth 150.000 franga ari, të cilat propozohej që të përballoheshin nga fitimi i koniacionit të monedhave të argjendit prej 1 ose 2 fr. ari, si dhe nga shitja e një sasie të madhe pullash poste jashtë përdorimit.
Gjatë diskutimit për këtë çështje në Parlament, një numër deputetësh kundërshtuan, duke pretenduar se projektligji për ndarjen e kësaj sasie misri falas në familjet më të varfra, kishte shenja lokalizmi. Në fjalën e tij në mbrojtje të projektligjit në fjalë, Rrok Gera theksonte para deputetëve se në hartimin e projektligjit qeveria nuk kishte pasur tendenca favorizimi për asnjë zonë. Ndërkohë, ai pranonte se sasia e 12 mijë kuintalëve drithë, ishte shumë e vogël për t’u ndarë edhe në krahina të tjera.
Gjithsesi, ministri premtoi se qeveria do të vazhdonte të studionte gjendjen dhe të përcaktonte nevoja të tjera imediate në zona me situatë të vështirë, për të ndërhyrë edhe atje, po të ishte e nevojshme. Në një rast të blerjes së misrit për popullatën, në janar 1936, Ministria e Financave botoi një shpallje nënshkruar nga vetë titullari. Bëhej fjalë për blerjen nga jashtë të një sasie misri prej 15.000 deri në 20.000 kuintalësh. Mes të tjerash, në atë shpallje tërheq vëmendjen rigoroziteti lidhur me kërkesat për cilësinë e mallit dhe me procedurat që do të ndiqeshin:
“…Tue pa se shum firma shqiptare n’a janë drejtue si të interesueme me ndërmjetsue kët transakcjon, sjellim në dijeni të gjith t’interesuemvet, kondidat në bazë të cilave do të paraqiten ofertat…! “…N’ofertë, duhet me dikjarue provenjencën e misrit dhe llojin e tij, si edhe se malli asht i shndoshë, i thatë, pa erë dhe se nuk përmban landë të huaja jashtë rregullave normale…! Ofertat do të paraqiten në zarfa të mbylluna e të vulosuna…”.
Në fokus të aktivitetit të Rrok Gerës, sa kohë qëndroi në krye të financave shqiptare (ashtu si dhe më parë kur ishte Sekretar i Përgjithshëm), ishte vazhdimisht mbikëqyrja ndaj aktivitetit të Bankës Kombëtare të Shqipërisë me drejtuesit e saj italianë, në varësi të situatës në tregjet valutore dhe të qëndrueshmërisë së lirës italiane në këto tregje, pasi një sasi e konsiderueshme e rezervave të BKSh-së, ishte në këtë monedhë.
Nga mesi i vitit 1935, menaxhimi i Bankës Kombëtare të Shqipërisë, ishte bërë shqetësues për këshilltarët zviceranë, belgë dhe jugosllavë (Në BKSh, përveç italianëve, kishte aksionarë edhe nga vende të tjera), por edhe për qeverinë shqiptare, e cila shqetësohej për zhvlerësimin progresiv të rezervave të kësaj Banke, për shkak të mosmbrojtjes së lirës italiane në tregjet valutore.
Edhe nga zhvlerësimi i ndjeshëm i dollarit, BKSh-ja pësoi humbje, pasi kishte një shumë të konsiderueshme të rezervave të saj në valutën amerikane. Kjo situatë vazhdoi edhe pas krijimit të qeverisë Frashëri, e cila shtoi presionin ndaj drejtuesve italianë të Bankës, në mënyrë që ata të merrnin masa përballë zhvlerësimit të rrufeshëm të monedhës italiane. Madje ministri, Rrok Gera, u kërkoi atyre që rezervat e BKSh-së të mbuloheshin krejtësisht me ar, por kjo kërkesë u refuzua nga autoritetet monetare italiane.
Përballë zgjedhjes për mos të bërë konvertimin e rezervave në ar dhe detyrës që kishin për mbrojtjen e interesave të institucionit, drejtuesit e BKSh-së zgjodhën një rrugë të mesme. Në një memorandum privat drejtuar ministrit italian të Financave, Thaon de Revel, Banka Kombëtare e Shqipërisë, nënvizonte zhvlerësimin e konsiderueshëm të rezervave të shkaktuar nga zhvlerësimi i lirës italiane, ndaj kërkonte me këmbëngulje nga qeveria e Romës, një garanci për 41.2 milion lirat e rezervës se saj.
Ministria e Financave e Italisë pranoi, por problemi u bë edhe më i mprehtë më 5 tetor 1936, kur lira italiane u zhvlerësua në masën 40,94%. Më 6 tetor 1936, gazeta “Arbënia” botoi në faqet e saj, reagimin zyrtar të ministrit Rrok Gera, i cili, në komunikatën e tij të shpërndarë në mbrëmjen e 5 tetorit, qetësonte opinionin shqiptar, duke sqaruar se frangu ar shqiptar, ishte i siguruar: “…Në lidhje me çvleftësimin e frangut francez dhe atij të Svicrës (të përcjellun tani nga çvleftësimi i lirës italiane), ndonji fletore e vendit ka kërkue që të sigurohet publiku shqiptar, se parja shqiptare do ta ruejë stabilitetin e saj.
Ndonëse një deklaratë e tillë asht e tepërme, po sjellim në dijeni të publikut, se frangu ar shqiptar, në bazë t’art 11 të konvencionit bankar, data 15 mars 1925, e t’artikujve 22 e 24 të Ligjës Organike mbi Bankën Kombëtare të Shqipnisë, nuk mundet me pësue asnjë çvleftësim gjatë gjithë konvencionit, cilado monedhë e huaj kjoftë që çvleftësohet. Ata që dijn me këndue bilancat dhe që kanë pasë rasën me pa bilancën e Bankës Kombëtare të Shqipnis, kanë muejtë me konstatue se frangu ar shqiptar, përveç mbrojtjes që ka në bazë të dispozitave të naltcitueme, asht i siguruem edhe në rezervat e nalta që e mbulojnë plotësisht. Ministri i Financave: Rrok Gera d.v.”.
Qëllimisht Gera nuk ishte konsultuar fare me drejtuesit e BKSh-së, Mosconi dhe Gambino, për deklaratën e tij, por më pas ai kontaktoi me ta, duke u kërkuar të deklaronin shkallën e mbulimit me rezerva të monedhës shqiptare. Në letrën e tij rezervate me nr. protokolli 311, datë 07.10.1936, ministri Rrok Gera, njoftonte Selinë Qendrore të Bankës Kombëtare të Shqipërisë, me adresë: Roma, Via Torino nr. 107, lidhur me komunikatën e mësipërme dhe u kërkonte ndërkohë drejtuesve të Bankës ta njoftonin, nëse do të kishte ndryshime të mëtejshme në kurset e këmbimit të valutave të huaja.
Po me një letër rezervate, të datës 14 tetor 1936, drejtuesit italianë të BKSh-së kthejnë përgjigjen e tyre, duke siguruar edhe një herë ministrin e Financave, Gera, se nuk do të kishte asnjë rrezik, çfarëdo që të ndodhte: …“kemi nderin me sigurue veçanërisht se – analogjikisht sikundër u konstatue edhe me rastin e zhvleftësimit të Stërlinës dhe të Dollarit – ndryshimet e intervenueme në këto kohnat e fundit mbi paritetin e arit të disa monedhavet ma kryesore, nuk kanë prekun aspak mbi rezervat e mbulesës të Bankës Kombëtare të Shqipnis – Banka në fakt, ka mbajtun të patundun prinsipin për me përdorun rezervat e mbulesës vetëm në ar efektif, ose në forma të tjera që përjashtojnë çdo rrezik që mundet të rrjedhi prej ndryshimeve në paritetin e monedhavet të Shtetevet të tjera”.
Ndërkohë Mosconi dhe Gambino, e ndjenë të nevojshme të kontaktonin Bankën e Italisë, lidhur me sasinë e arit të caktuar për mbulimin e rezervës në lira të BKSh-së. Nga ana e tij Guvernatori i Bankës së Italisë, Azzolini, e referoi çështjen tek ministri i Financave, Revel, duke theksuar se garancia për BKSh-në, ishte dhënë tanimë nga qeveria italiane, ndaj dhe nuk do të binte si barrë mbi Bankën e Italisë.
Në këto kushte qeverisë së Romës nuk i mbetej tjeter veçse të autorizonte Bankën e Italisë të vendoste mënjanë nga rezervat e saj, sasinë e arit të nevojshme për të mbuluar tërë rezervat në lira, të Bankës Kombëtare të Shqipërisë. Bëhej fjalë për 3,262.6 kilogram ar, por Banka e Italisë e shmangu nxjerrjen e arit jashtë vendit dhe Banka Kombëtare e Shqipërisë, vendosi të mos e kërkonte sasinë e arit. Por ndërkohë ajo kërkoi stokun ekuivalent në lira, që llogaritej në 69.7 milionë.
Asnjë gram ar nuk u fut në BKSh, por sasisë prej 41.2 milionë lirash, të caktuara në 1935-sën për të mbuluar rezervat e kësaj banke nga qeveria italiane, iu shtua edhe shuma prej 28.5 milionë lirash, në bazë të zhvlerësimit drastik të lirës, në tetor 1936. Kështu, rezervat e BKSh-së u rritën ndjeshëm, duke shkuar në 69.7 milionë lira italiane.
Nga të dhënat e ndryshme del se, gjatë viteve ’30-të, sasia e rezervave të arit të BKSh-së erdhi vazhdimisht në rritje, ndërsa në të kundërt, erdhi në rënie të vazhdueshme sasia e rezervave në valuta të huaja. Nëse në 1927-tën kishte vetëm 9,8% të rezervave në ar dhe pjesa tjetër ishte në valuta të huaja, në vitin 1938 rezervat në ar përbënin rreth 40%, ndërsa ato në valuta të huaja ishin në masën 47 për qind (pjesa që mbetej, ishte në bono thesari italiane) Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016