Nga ARISTOTEL MICI
(Duke kujtuar shkrimtarin Jakov Xoxa)
Memorie.al / Për herë të parë emrin e Jakov Xoxës, e kam lexuar tek libri “Gramatika” i Kristaq Cipos, kur isha në klasën e parë unike. Në atë libër profesor Cipo, kishte vënë për ilustrim një fragment të vogël nga novelat e Jakov Xoxës dhe pikërisht në atë, përshkruhej lumi i qytetit tonë Gjanica. Në klasën e tretë unike, që korrespondon me klasën e tretë sot, gjetëm prape emrin e Jakovit në librin e antologjisë, ku qe përfshirë novela “Kurorat e Masar Beut”. Kurse në vitin 1953, pata rastin që ta shikoja personalisht Jakovin dhe ta dëgjoja, kur erdhi në gjimnazin e Shkodrës, tok me shkrimtarin Kolë Jakova. Në atë kohë sapo ishte kthyer nga Bullgaria dhe ishte rektor i “Tribuna e letrarëve të rinj”, si faqe e brendshme e “Zërit të Rinisë”. Në mbledhjen e rrethit letrar, ai shtroi nevojën e bashkëpunimit me këtë faqe letrare.
Si për kënaqësinë time, dy vjet më vonë, Jakovin do ta kisha pedagogun e lëndës “Teoria e letërsisë”, në Institutin Pedagogjik (Atëherë s’qe themeluar ende Universiteti i Tiranës).
Në intervalin e një konsultimi, gjeta momentin ta takoja e të bisedoja sadopak. Jakovit i pëlqente bashkëbisedimi i shkurtër dhe më tha të vazhdonim bisedën edhe mbas konsultimit.
Në mbarim të leksionit, u takuam dhe udhëtuam tok nga Instituti, që (atëherë ndodhej para Maternitetit) e shkuam deri tek “Sheshi Skëndërbej”. Më pyeti për familjen dhe, kur mori vesh për konfliktin e fisit tonë me Vrionasit, u bë shumë kurioz, e më tha se do të vinte për vizitë në fshat, në Shën Pjetër, Fier.
Ishte një mbas dite e gushtit të vitit 1955. Po studioja “Historinë e letërsisë së vjetër shqipe”, të hartuar nga Ziadin Kodra, kur më vijnë në dritaren e dhomës përdhese fëmijë të kushërinjve, e më thanë se ka ardhur një burrë nga Tirana dhe të kërkon. Dola jashtë dhe më vajti në mendje se duhej të ishte Jakovi. Dhe vërtet ai qe. Po më priste, duke mbajtur në dorë një biçikletë.
-Paske gjetur kalë të shpejtë – i thashë unë.
-Është biçikleta e Lili Beles, – m’u përgjigj, – më bëri nder.
Ishte akoma vapë gushti, prandaj nëna ime na nxori dy stola dërrase dhe u ulëm nën hijen e shelgut në oborr. Nëna nxori me një tabaka dy gota me dhallë të freskët tundësi.
Pastaj nëna ndezi zjarrin tek vatra me tulla jashtë shtëpisë, nën hijen e shelgut dhe përgatiti vezë të skuqura, me djathë të bardhë. Më kujtohet se, kur nëna po ziente kafen, Jakovi iu drejtua e i tha: – “Të kujtohet shpërngulja e fisit nga Griza”?
-“Më tepër se shpërngulje, ajo ishte dëbim, na dëboi në mënyrë të pamëshirshme”.
– “Po si ndodhi? Për çfarë arsye”?
– “Oh! Po Çaçi, im shoq, qe i përzjer me fanolistët, e njihte Fan Nolin që në Amerikë. Një më dy përmendte Fan Nolin. U lidh dhe me ata që ishin me ‘Bashkimin’. Po pastaj, kur Fan Noli iku, beu ngriti zërin dhe tha: ‘Më mirë një bujk me pak, se sa një kokëlartë më shumë”.
– “Dhe ju ikët menjëherë”. – “Jo, jo, menjëherë. Qëndruam sa qëndruam, po ça do të bënim. Ishte koha e bejlerëve. Ata e bënin ligjin. Kur pamë se s’potundeshim, beu nisi qehallarët dhe njerëz të tjerë të armatosur. Vunë shkallë, u ngjitën lart dhe na hoqën çatinë. Atëherë ç’të bënim? Ngarkuam qerret dhe shkuam në Fier. Na hapi oborrin dhe shtëpinë një mik i Çaçit, Tonç Bufi”. Kur nëna solli xhezven me kafe dhe nisi të mbushte filxhanët, Jakovi e pyeti përsëri:
– “Po pse erdhët dhe u ngulët pikërisht këtu në Shën Pjetër”?!
“Erdhëm këtu, se Çaçi kishte pasur njohje që në Amerikë, kur qe në kurbet me tre shokë. Ata merreshin me tregti dhe kishin bërë një lloj ortakërie. Ata, ortakët i kishin thënë Çaçit: Ti s’ke fëmijë të rritur, po ke plot nipa që duan punë. Për t’u ndihmuar ju, le të bëjmë një marrëveshje.
Në Shën Pjetër, ne kemi gjetur një shtëpi të madhe dykatëshe. Shtëpia do njerëz, kurse ju doni shtëpi. Vendosuni atje dhe ne do të bëjmë një si fermë, për një bujqësi alla amerikane. Do të rrisim kuaj dhe derra, se i do tregu. Ne do t’u japim mall me hak, përgjysmë. Krerët tona, prodhimi në mes”.
Kjo mendje u pëlqye dhe fisi vendosi të ngulej këtu. Mirëpo kjo përpjekje e tyxharëve ortakë, që të fitonin sa më shumë e të shpenzonin sa më pak, nuk doli për mbarë. Atëherë ata e panë të udhës të prishnin kontratën, të merrnin gjënë e gjallë të tyre dhe ne të mbeteshim me gisht në gojë. Pas nja dy orësh, kur ra vapa, e nxora Jakovin për të njohur sadopak fshatin.
Në fillim e shpura në kishën e Shën Pjetrit, që i ka dhënë emrin fshatit. Po nuk e gjetëm qisharin, që të na hapte derën. Doja që Jakovi ta njihte kishën, se ishte e vjetër, e bërë me gurë të Apolonisë dhe e ngjashme me kishën e Shën Mërisë së Pojanit.
Në auditorium, karshi ajodhimës, kishte afreske shumë artistike, ku figurat e aureolat e shenjtorëve, qenë pikturuar me ngjyrë limoni, si bojë të verdhë veze, e ngjyra bezhë në gri. Të paktën ishte e kohës para turke. Kur erdhën turqit, gjetën 17 çifçinj. Qe një mëkat më vete, prishja e asaj kishe. E njoha Jakovin edhe me varrin e tim eti, qe aty afër mureve të kishës. Ishte i vetmi varr që kishte fotografi në porcelan. Babai atë fotografi, e kishte bërë në Boston, po nëna ia pati dhënë kushëririt të saj të parë, Nas Shtëmbarit, i cili e kishte riprodhuar në Itali në Porcelan.
– “Këtu,- i thashë Jakovit, – më fillojnë kujtimet e fëmijërisë. Isha vetëm 4 vjeç, kur prifti, Papakristua, u tha njerëzve përqark arkivolit, që po tendosnin qefinin: – Le të hedh djali dheun e parë. Dhe unë, i mësuar nga nëna, mora me dorë një copë plis të zi dhe e hodha mbi qefinin e bardhë. Kur unë u përlota, duke shqiptuar ato fjalë me dorën mbi figurën e babait, Jakovi më ngushëlloi me atë shprehjen lapidare: “S’thonë kot, që gurin e rendë të vdekurit ia vënë, po i gjalli e mbanë”.
Prej kishës që shprehte “antikitetin” e fshatit, e nxora Jakovin nga ana romantike e Shën Pjetrës, nga ana e “Lumit të vdekur”.
– “Tani do të dalim anës së Lumit, – i thashë,- po mos prit të shohësh lumë me ujë të valëzuar”. – “Pse”? – “Ky është lumë pa ujë tani në verë. Ky është lumë i çuditshëm. Ai bën të kundërtën e lumenjve të tjerë. Ndërsa të gjithë lumenjtë, e shpjen ujin nga toka në det, ky e sjell ujin nga deti në tokë”.
– “Po kur fillon kjo dukuri, kur ngjet? Në ç’kohë”?
– “Kur ngjallet, – iu përgjigja, – kur ngrihet buza e detit”.
Atëhere Jakovi nxori bllokun nga xhepi dhe duke buzëqeshur më tha: – “Dhe mbase në këtë moment, duke folur për “Lumin e vjetër” që vdes e ngjallet, Jakovit do t’ ketë marrë shkas fantasia, për t’i vënë emrin metaforik romanit “Lumi i vdekur”.
Është për t’u shënuar me këtë rast, se ka një lidhje a po koincidencë të çuditshme, midis këtij lumi dhe “Lumit të vdekur”, që ekzistonte realisht dhe që “ngjallej” e “vdiste” dhe imazhit të Jakovit, për “Legjendën e një lumi të vdekur”. Vetë Jakov Xoxa, ka deklaruar se: “Qysh në vitin 1945, unë kisha shkruar rreth 80 faqe të romanit tim “Legjenda e lumit të vdekur” (shih K. Shtëmbari “Vitet që shkuan”, fq.127)
Po tani është e qartë: prania e një “Lumi” që ngjallej e “vdiste” brenda vitit, siç është realisht Lumi i vjetër, është determinuese në titullin e romanit, që në mënyrë metaforike, nuk u quajt “Legjenda e lumit të vdekur”, por vetëm “Lumi i vdekur”. Aq më tepër kur subjekti i romanit, në pjesën më të madhe, vërtitet rreth këtij lumi.
Nga Lumi i vjetër, që ngjallej në vjeshtë dhe vdiste në muajin maj, tok me Jakovin, dolëm nga ana tjetër e fshatit, nga meraja (kullota) e Marinës, që nga dukej Manastiri i Shën Mërisë së Pojanit dhe rrënojat e Akropolit të qytetit antik të Apolonisë.
Atje u ulëm për t’u çlodhur në trungun e një marine të rrëzuar. Ishim në atë pjesë të kullotës, që quhej toka Trokë. Ishte një sipërfaqe rreth një hektar, e zhveshur nga çdo lloj bime. Një tokë krejt shëllirë.
– “Kjo është toka Trokë dhe është vendi më i pëlqyer i barinjve. Këtu luhet cingël, dokërr dhe bidakthi”. – “Po pse qenka aq e pëlqyer”?- pyeti Jakovi. – “Sepse nuk të humbet as cingla as dokrra edhe kur i jep me aq forcë, sa të ha krahu”. Jakovi i kishte tërhequr vëmendjen mikrotoponimi toka Trokë dhe vazhdoi të më thoshte: – “Po sikur ta quajmë, Vendi Trokth”?! – “Është, mbase e njëjta gjë, – ia ktheva unë, vetëm se ndryshojmë gjininë gramatikore”.
Për këtë detaj, Jakovi se ç’shkroi në bllokun e tij. Sa influencoi emri i këtij vendi në laboratorin krijues të shkrimtarit, nuk dimë gjë. Vetëm se kur u botua romani “Lumi i vdekur”, lexuam se ngjarjet e subjektit, që fillonin në fshatin Grizë, vijnë e shtjellohen në fshatin tjetër, pranë “Lumit të vdekur”, që quhet fshati Trokth.
Kishin kaluar disa orë, duke u endur nëpër fshatin Shën Pjetër. Xhamat e dritareve të Manastirit të Shën Mërisë, po reflektonin rrezet e diellit, që po perëndonte në Adriatik. Atë kohë kur ne morëm të çoheshim për të vajtur në shtëpi, pamë të vinin drejt nesh dy gjahtarë, ishin kushërinjtë e mi: Vllas Mici dhe Sokrat Mici. E njoha Jakovin me ta. Në bisedë e sipër, Jakovi u tha atyre: – “Gëzohem që njoha dy gjahtarë, mjeshtër gjahu. Edhe mua më pëlqen sporti i gjahut. Vitin tjetër, shpresoj se do të mbledh para nga botimet e mia dhe me to, do të blej një çifte”.
Kurse ata me një ndjenjë shumë miqësore ia kthyen aty për aty, me çiltërsi. – “Mos prit, sa të blesh çiften tënde. Hajde me ne, kur të duash dhe të gjuash me armët tona të gjahut”. Dhe ashtu u bë. Sokrati në Shën Pjetër dhe Vllasi me banim në Pojan, qenë “instruktorët” e parë për Jakovin, në sportin e gjahtarisë.
Jakovi mbeti mik i pandarë nga ata, për gjithë jetën. Madje Vllasi, iu gjend Jakovit edhe në ndarjen e fundit. Vllas Mici, tok me mua, ishte i pranishëm në varrimin e Jakovit, kur i dhamë, midis qindra të tjerëve, lamtumirën drejt botës qiellore. Memorie.al
* Shkrimtar dhe studiues
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016