• Rreth Nesh
  • Kontakt
  • Albanian
Saturday, June 28, 2025
Memorie.al
No Result
View All Result
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
No Result
View All Result
Memorie.al
No Result
View All Result
Home Dossier

“Nga Jonuzi, Veloja, Hasani e Rustemi, kapterë injorantë që na hanin ushqimet, te Irakliu e Llambi, hetuesit që kishin mësuar shkrim e këndim, partizanë…”! / Dëshmia e Uran Kalakullës, për Degën e Durrësit

“Pasi më shau nga nëna dhe më tha; ‘qen’, Mihallaq Ziçishti u ngrit nga karrigia dhe më ra më grusht në nofull, sa që më theu dhëmballën e, më lau në gjak…”/ Kujtimet e ish-të burgosurit politik, Uran Kalakulla
“Kur u’a shpjegova gjëndjen në Kosovë dhe Jugosllavi oficerëve të Ministrisë së Brendëshme, ata…”/ Dëshmia e rrallë e ish-deputetit dhe diplomatit, Esat Myftari
“Dy oficerët e Sigurimit në Degën e Krujës, më mashtruan dhe firmosa dokumentin sikur isha i dërguari i UDB-së për…”/ Dëshmia e rrallë e kosovarit që u arratis në 1960-ën
“Si i arrestuam grupet ‘Gargarelët’, ‘Sirena e fitores’ dhe ‘Fafajc’, me 50 anëtarë, që hidhnin trakte në Lezhë, Vlorë, Durrës, Tiranë…”/Dokumenti sekret i ’74-ës
“Në kampin e Spaçit, kushtet nuk ndryshonin shumë, vepronte rregullorja e Repsit, po ato mizori kriminale, madje më të tmerrshme, po ato ushtarë të armatosur, që thirrjen; ‘ndal se do të qëlloj’, e…”/ Dëshmia e rrallë e ish-të burgosurit politik
“Dom Mark Hasi, si një orakull i vërtetë, që në vitin 1969, kur ishim në një qeli kampin e Repsit, më tha se; këta komunistët, edhe 20 vite do rrinë në pushtet, por…”/ Kujtimet e ish-të dënuarit politik, Shkëlqim Abazi   

Nga Uran Kalakulla

Pjesa e dymbëdhjetë

                                                                     Nazizmi dhe komunizmi

Memorie.al / Nazizmi zgjati 12 vjet, ndërsa stalinizmi 2 herë më shumë. Krahas shumë karakteristikave të përbashkëta, në mes tyre ka shumë ndryshime. Hipokrizia dhe demagogjia e stalinizmit, ishte e një natyre më të sterhollë, e cila nuk mbështetej në një program që ishte sheshit barbar, si ai i Hitlerit, por mbi një ideologji socialiste, përparimtare, shkencore e popullore, në sy e punonjësve; një ideologji që ishte si një perde e volitshme dhe komode për të gënjyer klasën punëtore, për të përgjumur mprehtësinë e intelektualëve dhe të rivalëve në luftën për pushtet.

Gjithashtu mund të lexoni

Plot 23 vite më parë, u kthye në atdhe Familja Mbretërore Shqiptare

“Pasi Hajri Pashai, debatoi ashpër me zv.ministrin e Brendshëm, Feçor Shehu, në fund, Feçori hoqi nga lista Gjet Kadelin dhe në vënd të tij, për pushkatim, futi Hajriun…”! / Ana e panjohur e Revoltës së Spaçit, maj ‘73

Një nga pasojat e kësaj veçantie të stalinizmit, është ajo që mbarë populli sovjetik, përfaqësuesit e tij më të mirë, të aftë, punëtorë e të ndershëm, pësuan goditjen më të tmerrshme. Së paku 10-15 milionë sovjetikë, humbën jetën në dhomat e torturave të KGB-së, të martirizuar apo të ekzekutuar, si dhe në kampet e gulakëve e të të tjerëve si ata, kampe ku ishte e ndaluar të korrespondoje (në fakt ato ishin prototipe të kampeve naziste të vdekjes); në minierat nëpër akujt e Norilskut dhe të Vorkutes, ku njerëzit vdisnin nga e ftohta, nga uria, nga puna dërrmuese nëpër kantieret e panumërt, në shfrytëzimin e pyjeve, në hapjen e kanaleve dhe gjatë transportimit nëpër vagonë të plumbosur, apo në hambarët e përmbytur të anijeve të vdekjes.

                                                          Vijon nga numri i kaluar      

Krenari? Jo, aspak. Por një shqetësim logjik, një përllogaritje e saktë e ecurisë së mëtejshme të procesit tonë hetimor dhe gjyqësor. Unë nuk besoj se në këtë proces intuitive, mund të gjente vend ndjenja e heroikes. Edhe te njerëzit që ishin trima të lindur e të sprovuar në beteja të vërteta lufte. Për më tepër, të tilla heroizma, më duket se janë vetëm në poezi, në prozën letrare, në ekranet kinematografike, pra në një botë imagjinare, shtirjeje, joreale. Ishalla qofsha i gabuar në këtë drejtim! Se, besoj, askujt nuk ia ka qejfi ta ulë kokën vetë nën thikën e kasapit, madje, as bagëtia! Kapja pas jetës është shumë më e fortë se ndjenja e heroizmit romantik. Dhe kam bindjen se frika ekziston, pavarësisht se ajo, te njeriu serioz, shtypet nën vete nga një ndjenjë tjetër më e fuqishme, nga ndjenja që quhet dinjitet!

Mes kapterëve dhe minjve të gjirizit

Duke shkruar titullin e kësaj pjese të librit, nuk di pse m’u kujtua, si një lloj shoqërizimi idesh, titulli i një romani të njohur të shkrimtarit të madh amerikan, të gjysmës së parë të shekullit XX-të, John Steinbeck, roman mjaft i ndryshëm nga ata më të famshmit si “Beteja”, “Tërbimi” etj. Ky roman me titullin “Njerëz dhe minj” është, sipas mendimit tim, një vepër me një përzierje ideore mes ekzistencializmit dhe surealizmit. Kështu, mes këtij kapitullit tim dhe romanit steinbekian, ka vetëm një lloj tingëllimi të përafërt, por asgjë thelbësore, ideore. Sepse skenat e mia, në këtë lloj tregimi, janë krejtësisht reale, edhe pse sarkazma në to, është krejt e pashmangshme, tek e fundit, si në vetë thelbin e këtij libri, për vetë detyrën që ka një vepër e këtillë.

Tek kujtoj kohën e shkuar në birucat e Koçit, më krijohet edhe një dyzim tjetër letrar: ai i poemës satirike të lashtësisë helenike me titull “Batrakomiomahia”, që shqip do të thotë “lufta mes minjve dhe bretkosave”, por ama, në rastin tim, këtu nuk kemi luftë, por një lloj shoqërizimi mes minjve dhe kapterëve, një lloj, jo vetëm bashkëjetese, por edhe kameratizmi, në një oponencë të hapur, të deklaruar ndaj nesh, banorëve të detyruar të birucave. Është e vërtetë se nga një herë edhe mes dy “kameratëve”, ndodhte ndonjë ndeshje spektakolare në korridorin e birucave, mes dy kapterëve të shërbimit dhe një ekipi “shokësh të gjirizit”. Por, asnjëherë nuk pati viktima. Ishte më fort ndeshje miqësore, sportive. Lojtarët me çizme deri në gju, bënin sikur ndiqnin vizitorët e paftuar të kortidorit të gjatë.

Këta të fundit, turreshin nëpër këmbët e çizmexhinjve dhe ishin kapterët, pastaj, që hidheshin përpjetë, ca nga frika e ca nga qejfi, duke u gajasur si gomerë. Me një fjalë, ishte një lloj spektakli, sipas një skeme regjisoriale: dy palë aktorë me role të përafërta, gjoja armiq mes tyre, që ndesheshin për jetë a vdekje, por, që në të vërtetë, ishin shokë e miq të pandarë, se pjesën më të madhe të kohës, e shkonin në shoqëri të përbashkët.

Dhe të dy palët, e kjo është kryesorja, ishin armiq të vendosur vetëm kundër nesh, banorëve të detyruar të birucave, duke na luftuar me konsekuencë, secili në mënyrën e vet. Por ama, edhe në këtë “luftë klasash” të përbashkët, minjtë e gjirizit dhe kapterët e shërbimit të birucave, kishin edhe një front, ku të dy palët bënin garë se kush të ishte më i zellshëm. E kjo ishte lufta në frontin ekonomik, domethënë për të na përlarë edhe ato pak ushqime që i kishim lënë nga halli në korridor, mbi dengjet e teshave tona të fjetjes.

Minjtë preferonin biskotat (bukë po se po), djathin, sidomos atë kaçkavallin, ndonjë copë byreku. Kapterët nuk para e preknin bukën, por biskotat, djathin e sidomos po të gjenin në kërkimet e tyre, ndopak mjaltë apo reçel, po. Po cigaret? E sidomos cigaret. Kurse grabitja e shkrepëseve, ishte diçka e ligjëruar, se shkrepëset i linin të hynin deri aty e, pastaj, ato se ku zhdukeshin, pa nam e nishan dhe cigaret, kapterët na i ndiznin te biruca e sportelit, me një lloj fitili prej leckeje, që qelbej ose, kapter Jonuzi me çakmakun e vet, duke na e përfolur sa herë që vinte të na e ndizte: se çakmakun e kishte blerë kaq lekë, se guri që i kish ndërruar bënte kaq, se mezi gjente benzinë e, ku di unë sa kësi përrallash të tjera.

Përgjegjësi i birucave, ai që na merrte e na çonte për në hetuesi, quhej Rustem. Ishte nga fshati Kërçukje i Ndroqit. Nuk kam parë deri më sot njeri që t’i ngjajë shimpanzesë, më fort se ai. Edhe kur ecte, tek i tërhiqte këmbët zvarrë, dukej tamam si majmun. Por nuk e kam parë asnjëherë pa cigare, o në gisht ose në gojë. Dhe pinte cigare nga ato më të shtrenjtat e kohës: “Lux-blu”. Kisha dëgjuar, duke përgjuar bisedat e tij me shokët e vet, se kishte një tufë kalamaj, gruan pa punë, pra ishte vetëm me një rrogë. Ku i dilte atij të pinte ato lloj cigaresh, ndez e shuaj, kushedi sa paketa në ditë? Veçse nëse kalamajve u jepte bar, vetë ushqehej vetëm me duhan!

Ky Rustemi, dukej i urtë. Nuk e kam dëgjuar kurrë të bërtiste. Mos vallë se ishte lodhur, tashmë, apo se s’ ia kishte takatin me atë fizikun e vet të drobitur? Apo ndoshta nuk i duhej edhe shumë kohë për të dalë në pension dhe ai thoshte me vete, në dialektin e vet tiranas, “ne me lazëm” tashmë? Por, ndoshta, edhe sepse i cyste palloshët e tjerë, si vartës të tij, të çirreshin, të kërcënonin e të kapnin hurin dhe vetë hidhte gurin e fshihte dorën? Ku ta dish?

Këta të tjerët, me sa më kujtohen ishin: Hasani i gjatë apo (si e quaja unë), Hasan Shuli, Ramazani (tjetër katundar tiranas), Garip “tokmaku” (se ishte tamam si tokmak), që ishte një qen bir qeni i vërtetë, me një shpirt prej bishe. Gjithashtu, ishte Remzi Skënderi, lab puro, ca i gjatë e ca i thatë, i zgjuar dhe dinak, që kur të kapte në dorë ai, si të zinte murtaja. Ishte Jonuzi i çakmakut, që “pata nderin” ta paraqes pak më parë. Ishte dhe Velo shkarravina (si i thonë shkodranët) se nuk dije ku ta qaje më parë. Sigurisht, ishin dhe të tjerët, po kush dreqin i mban mend të gjithë maluketërit, me të cilët na zuri halli?

Do të mjaftohem të përshkruaj vetëm dy prej kësaj galerie kapterësh: Galon (alias Garipin) dhe shokun Velo. Në mos gaboj, Galoja ishte nga Kolonja, të paktën me sa merrja vesh unë nga të folurit dhe këngët e tij të zgjedhura popullore. Trupin e kishte si një thes me mut, që lëvizte nga një palë këmbë të shkurtra, si të xhuxhëve të kartonave apo, më mirë, si këmbët e iriqit që, veçse kur dalin në shesh, ecën me vrap që të habit. Kurse kokën e kishte si ata kungujt rrumbullakë, për byrek. Kishte dhe një shpirt të zi, si bytha e kusisë. Galoja, veç të të gjente sebepin, se kënaqej të të merrte shpirtin, me një inat dhe egërsi, sikur t’i kishe bërë nënën.

Te dielave, kur zakonisht nuk kishte punë hetuesia, Galoja ia merrte këngës me një zvargje që të kallte vrerin. Se ku i gjente ca këngë të shëmtuara, si mos o zot, ose i shëmtonte vetë ai, se mbase vetë këngët s’ishin ashtu. Dhe jo pak, por shumicën e turnit të vet prej tetë orësh, e kalonte me këngë ose me të bërtitura, si britma çakalli, kur ndonjë derë biruce trokiste, sepse ai që ishte mbyllur brenda, kishte hall të madh të vinte në nevojtore. Galoja prekej në lezetin e vet e, atëherë, mjerë ai që i binte derës, se çdo të hiqte! S’kam parë “tenor” që të tërbohej aq shumë sa Galoja, kur a prisin hovin e këngës së tij.

Një ditë të diel pasdreke, një komshiu im i birucës, ia kishte marrë edhe ai këngës, ashtu lehtë-lehtë, duket i frymëzuar nga Garipi, me një lloj refreni që m’u duk si grekë: “kajmeni, kajmeni”. Galoja e pikasi, hapi derën, i vuri prangat gjermane dhe tund e shkund sa kajmenxhiu ulërinte si lopë, ndërsa Garipi gajasej me vete, nga kënaqësia. Të kishte takat Garipi dhe t’i jepnin urdhër ata të hetuesisë, eh ç’të punonte ai shkurtabiq mizor, me i egër se derri i egër vetë!

Kurse Veloja ishte tamam si ata dordolecët e kopshteve, kur i shtrembëron e i përçudnon, edhe më shumë se ç’janë vetë, era e fushës. Po, Veloja ishte tamam një lloj “qenie shkarravinë”. Veloja ishte lab, por kam bindjen se ishte më shumë prodhim i haleve të Labërisë, ashtu si Remziu e, shokë të tjerë të tyre. Nëse Garipi ishte zemërkeq, të paktën dukej se kishte njëfarë dinakërie, siç e kanë bishat e pyllit. Kurse Veloja ishte edhe budalla. Dhe nuk ka gjë më të mbrapshtë sa budallai zemërqen. Se ai të kafshon vend e pa vend, kohë e pa kohë, shkak e pa shkak. Kështu që ti nuk di si, nga dhe kur t’i ruhesh.

Po, Veloja ishte një tërësi e plotë shkallafate: në trup, në fytyrë, në mendje, në shpirt e, madje, edhe në zë. Atë sikur e kishte përçudnuar keqas Perëndia, në çdo element përbërës të tij. Kështu, kishte një kokë shtrembanike, si ata kungujt që nuk kanë fare formë të përcaktuar, me fryrje tamam aty ku nuk duhej të ishin. Flokët i kishte si ai leshi i postiqeve të vjetra, që duke qenë shtruar për disa breza rrëzë vatrës, u kanë rënë vende – vende qimet dhe u ka dalë lëkura e ronitur. Por, edhe aty ku kanë mundur të mbeten, janë korkolepsur aq shumë, sa nuk ka krehër në botë, që i bie prapë për fije. Edhe lëkurën e çaçkës, e kishte si ajo e një kufome.

Kishte një fytyrë trekëndëshe, në dukjen e parë, por, po ta shihje me kujdes, vije re se përvijimet e saj, i ngjanin më shumë parregullsisë së një gjetheje spinaqi dhe jo spinaqi i njomë e i freskët, por ai i fishkuri, mbetur pa shitur në tezgat e matrapazëve në prag të verës, gjysmë i verdhë e gjysmë ngjyrë gështenjë, nga kalbja. Dhe, në mes të kësaj fytyre, një hundë me majë dhe ajo e shtrembër, si mos o zot. Kurse nën të një gojë që, në përvijimet e saj, të dukej si ajo e një oktapodi, brenda së cilës ka një si shkumë që e vjell hera-herës jashtë, nuk e di përse.

Ja, kështu i dilnin jargët Velos, kur gjoja niste të fliste, duke u mekur si gagaç që ishte, sa të kallte të pështirë, duke patur edhe rrezikun të të lagte me piklat e tij të neveritshme. Po sytë? O Perëndi! Asnjeri në vendin e duhur, asnjeri në të njëjtën vijë horizontale, të asaj pseudo fytyre. Ata sy dukeshin si të atyre portreteve surrealiste, apo moderniste, kur njeri sy sheh (si thotë populli ynë), në Shan e tjetri në Bagdad. Siç duket, ata ishin nisur të bëheshin të kaltër, por kishin ndërruar dhe ishin marrë ngjyrën e hirrës së djathit, me përvijime të kuqe dhe dukeshin tamam si sy lugatë, siç i paraqesin gravuristët e përrallave të frikshme.

Këmbët e Velos ishin si rrotat e qerreve që janë lirar nga boshti dhe secila luhatet për qejfin e vet, duke lënë prapa jo vija të drejta, por lakadredha të shumëllojshme. Në tjetër shëmtim i Velos, ishte edhe ai i të qenit gagaç: Kur të fliste, duhej të kishe durimin të mblidhje në fund gjithë copat e këputura të fjalëve, për të arritur të rikrijoje në mendjen tënde fjalinë dhe të merrje vesh se ç’dreqin kërkonte prej teje ai farë “eprori” yt, në atë dreq vendi.

Një herë e pikasa zotërinë e tij, duke parë nga një e çarë e hollë në kapakun e sportelit të derës së birucës sime. Fuste gishtat në enën time, atje mbi dengun jashtë në korridor. Aty ku kisha ca mjaltë, që ma kishte sjellë familja ime e shkretë. Nuk m’u durua dhe e padita hajdutin te hetuesi i fundit, Vaska. Vaska i paska tërhequr vëmendjen dhe hajduti hapi me tërsëllëm derën dhe m’u drejtua me gjithë inatin, mes piklave të pështymës dhe çerek fjalëve të tij:

– ““Pppssse pppeeer attto mutttrat e ttua kkkam mmmbetttur unë”?

Unë e mora rrezikun në sy dhe ia ktheva po në të njëjtën mënyrë:

– “Po, tamam për ato mutra paske mbetur, se të pashë vetë kur fute gishtat në tas dhe u lëpive”! Veloja u tërbua edhe më keq, por duket që Vaska e kishte porositur, të mos më ngiste me dorë, e mbylli derën me vrull, më keq se ç’e kishte hapur dhe theu qafën andej sipër korridorit të gjatë. Kështu, armiqësia ime me Velon, u “sanksionua me ligj”! Para këtij episodi, kishte ndodhur dhe një tjetër, jo vetëm me Velon, por me çiftin Velo-Jonuz.

Ndërsa prisja të më vinte radha për të dalë në nevojë, dëgjova se, në korridor, mes çiftit në fjalë, kishte plasur një debat i madh “akademik”, me subjekt nga e drejta administrative. Jonuz “Çakmaku” thoshte, se katundi është më i madh se fshati, madje se një katund, përmbledh disa fshatra. Kurse “Akademiku” Velo, mbronte tezën e kundërt. Jep e merr e, s’po e gjenin dot fjalën, aq sa aty tek dera e halesë, diskutimi arriti kulmin. Dhe, në atë çast, me kapi veshi se Jonuzi i tha Velos, nëse duhej të më pyesnin mua. Dhe duket e kishin vendosur kështu. Kur unë hyra në birucë, ata e mbajtën derën hapur dhe i pari më pyeti Jonuzi:

– “More, duam të të pyesim një gjë”.

– “Urdhëro, zoti kapter”! – fola unë duke e mbajtur gazin me vështirësi.

– “Arsimtar ke qenë ti”?

– “Si urdhëron! – More, kush është më i madh, fshati apo katundi, e di ti”?

– “Nga jeni ju të dy, dua të them, nga ç’krahinë”?

– “E çççtttë ddduuuhet ty”? – ndërhyri Veloja.

– “Epo, po s’më thatë nga jeni, s’ju jap dot përgjigje”! – ia ktheva unë. Këtë herë me vendosmëri.

Ata u panë një copë herë sy me sy dhe atëherë qe Jonuzi i pari që foli:

– “Unë jam andej nga Skrapari, kurse Veloja, është nga Labëria”.

– “Atëherë, meqë më thatë nga ç’anë jeni, po ju them se nga Shkumbini e poshtë, i thonë fshat, kurse ç’merr mbi të, pra, nga veriu, i thonë katund. Me një fjalë, fshati e katundi, janë po e njëjta gjë”. Ata të dy mbetën të habitur dhe e shikonin njëri-tjetrin, tamam si idiotë. Por, ai që e mblodhi i pari veten, qe pikërisht Veloja që, duke u skuqur në fytyrë, m’u kthye gjithë inat, me atë belbëzimin e tij të zakonshëm: -Ikkk oor ikk, se sss’dittke gjgigjë dhe ti”!…

Foli kështu zotëria e tij Velo dhe gati më përplasi derën në fytyrë, tek e mbylli me forcë. Por, edhe unë s’ia lashë mangët, se ia shkrepa një të qeshure, sa besoj e dëgjuan jo vetëm ata të dy, por edhe komshinjtë e mi, të afërt e të largët. Por puna me Velon, nuk mbaroi me kaq. Ai më ruajti inatin deri në fund dhe, kur unë u dënova (m’u fal jeta dhe pas kësaj prapë më lanë në birucë) apo në “dhomën e vdekjes”, edhe dy muaj të tjerë), Veloja e gjeti rastin kur, unë, duke dalë nga biruca, paskam trokitur me thembër disi fort pragun e saj dhe u kapëm me fjalë. Tani ne të dënuarit nuk ishin nën juridiksionin e hetuesisë, por të komandës së burgut apo, më saktë, nën atë të Drejtorisë së Kampe-burgjeve, të Ministrisë së Brendshme.

Ishte ditë e diel, një e dielë terse për mua. Po se mos ishin të ndara të dielat apo ditët e tjera, që kaloja aty. I shqetësuar, duket, nga trokitja e këmbës sime të zbathur, ai më shau: “kafshë”. Dhe unë ia ktheva: “kafshë, je ti dhe jo unë”. Veloja thirri oficerin e rojës dhe ai i tha të më lidhte me pranga. E Veloja aq deshi. M’i ktheu duar prapa dhe me vuri prangat, të cilat, kur m’u njoftua falja e jetës, m’i kishin hequr. Pra nuk kisha shumë ditë. Dhe m’i shtrëngoi me cepin e kapotës, deri në zero. Mbylli derën e theu qafën.

Kush i ka provuar (ndër të burgosurit), prangat gjermane, apo si u thirrnim shkurt: “gjermaneshat”. Dhe nuk janë pak! E di fort mirë se ç’do të thotë t’i shtrëngonin deri në zero, domethënë deri në vjaskën e fundit të tyre. Duart të nxiheshin e të bëheshin si qymyr, nga mos qarkullimi fare në to i gjakut. Dhe kjo punë nuk ishte lojë! Kishte rrezik të të paralizoheshin fare ato të shkreta duar. Eh, sa vetave u ka ndodhur një fatkeqësi e tillë! Duart më dhembnin gjer në shpirt, por unë as lebetitja as, bëra “oh”.

Shtrëngova fort dhëmbët dhe durova, që të mos i bëhej aspak qejfi qenit Velo. Oficeri i rojës i paskësh dhënë leje të më mbante të prangosur vetëm dy orë, kurse Veloja, më la ashtu plot tetë orë, pra gjithë turnin e tij. Prangat m’u hoqën nga kapteri tjetër, që e zëvendësoi atë qen. Ja kështu ma shpërbleu kapter Veloja, shpjegimin tim; “mbi të drejtën administrative”!

Kur u largova nga birucat për në burg, një nga gëzimet (gëzime i thënçin), qe edhe ai se nuk do t’ia shihja më surratin asaj shkarravine mizore, me emrin Velo! Pavarësisht se aty ku do të vija (nëpër burgje e kampe), do të gjeja plot Velo të tjerë, edhe më të zinj, por ama asnjë nuk ishte shkarravinë, si ai!

Treshja e fundit e vargut të hetuesve

Major Llambi Titanin e kisha takuar qysh në Durrës, pas nja dy a tre muajsh, që nuk më kishin thirrur fare në hetuesi, siç kam treguar më parë. Kur i dola para, vura re se nga ana fizike, ai ishte krejt e kundërta me “gorillën korrozi”, nënkolonel Irakli Kocanin. Llambi ishte nga Korça, por dukej se ishte rritur, si thotë shprehja popullore shqipe “me bukë të vakëfeve”, domethënë se kishte qenë që në fëmijërinë e parë, me zorrë të thatë. Ndryshe, si ta shpjegoje pamjen e tij thatiqe, shkurtabiqe!

Kishte një fytyrë (sigurisht si trupi), si një gjethe në vjeshtë: gjysmë të verdhë e, gjysmë të jeshiltë. Kishte dy sy të vajtueshëm, gjithmonë disi të lëngëzuar, sikur sapo kishte reshtur së lotuari; me qepalla të skuqura, prej alkoolisti, gjithnjë me sklepa (si një kornizë qelbi), rreth tyre dhe një dritësim, që nuk kishte shkëlqimin e jetës, por atë të refleksit të netëve të qarta të vjeshtës, nëpër varre. Qafa, e rrudhur nga fishkja, i ngjante më shumë njërës nga ato qeset e lëkurta të malësorëve, ku mbajnë duhanin, strallin, masatin dhe eshkën.

Po çka më binte më fort në sy në atë fytyrë, pos syve pa vetulla, ishte goja e tij që më shëmbëllente me një plagë (edhe kjo e qelbosur), nga dilnin ca dhëmbë të gjatë prej kali, të verdhë si ngjyra e fytyrës së tij. Zëri i Llambit, ishte diçka mes atij të një qoseje dhe të një gruaje, rrallë me ndonjë nuancë të qartë mashkullore, në atë të folmen e tij të dukshme korçare. Dhe, si për të plotësuar kuadrin defektoz të qenies së tij, mbi ballë kishte një lloj ballukeje, në ngjyrë e verdhë, që më shumë i ngjante lules së kungullit e, që në shumicën e rasteve, të ngjallte neveri.

Për të plotësuar këtë shëmtim, ai vishej mirë: me rroba të shtrenjta, të rralla për atë kohë, me një pallto të madhe me gëzof te qafa, por mua edhe kompleksi i fizikut dhe i veshjes së tij, sepse me kujtonte (shto këtu edhe detyrën që kryente), atë shpendin grabitës, qafërrjepur që, në mos gaboj, jeton diku në Andet. Një tjetër mospërputhje ekzistonte në qenien e tij. E ky ishte mbiemri, Titani.

Titanët, këto qenie mitologjike të lashtësisë, ishin me përmasa gjigante, kurse Llambi, ishte për t’i qarë hallin. Po nga pamja e brendshme, pra, nga shpirti? E ç’të them për këtë? A nuk ishte ai oficer Sigurimi, kushedi prej sa vitesh? A nuk mjafton ky fakt? Kurse, për sa i përket anës mendore, mjaftonte të shihje shkrimin e tij, kaligrafinë dhe atëherë bindeshe se ai s’kishte shumë, që e kishte kryer kursin e analfabetizmit partizan.

Llambi nuk bërtiste, nuk shante, aq më pak godiste. A keni parë ndonjëherë të bëjë zhurmë gjarpri? Në familjen e këtyre gjarpinjve, vetëm “Pitoni”, një gjarpër i madh, kam dëgjuar se e godet viktimën fort me turi. Por llambushka s’ishte “Piton”. Shumë-shumë ai ishte një nepërkë apo, një gjarpër me zile. Hetuesi tjetër që pasoi Llambin, ishte një kapiten i parë, që vishej gjithmonë civil, por keqas, si zhargaman. E quanin Vangjel Kote, nga Jugu, por nuk di se nga cila anë. Memorie.al

                                                               Vijon numrin e ardhshëm

ShareTweetPinSendShareSend
Previous Post

“Zyrtarë të Departamentit të Shtetit, janë në pritje për heshtjen tuaj të gjatë, në lidhje me çështjet midis SHBA-ve, dhe...”/ Letrat e panjohura të Nolit me Enverin, për anëtarësimin Shqipërisë në OKB, në ’46-ën

Next Post

“Kur operativi Sigurimit të kampit, vlonjati Fejzi Liço, iu drejtua Pal Zefit; ‘i dënuar, zbrit poshtë, hidhe levën dhe hajde në birucë’ Pali i tha...”! / Historia e panjohur e Revoltës së Spaçit, maj 1973

Artikuj të ngjashëm

Plot 23 vite më parë, u kthye në atdhe Familja Mbretërore Shqiptare
Dossier

Plot 23 vite më parë, u kthye në atdhe Familja Mbretërore Shqiptare

June 28, 2025
“Kur Pal Zefi, tha; ‘a ka mbet ndonjë shqiptar gjallë, që të mbrojë nderin e shqiptarit’, Pavllo Popa dhe Paulin Vata…”/ Refleksionet e gazetarit, në përvjetorin e Revoltës së Spaçit
Dossier

“Pasi Hajri Pashai, debatoi ashpër me zv.ministrin e Brendshëm, Feçor Shehu, në fund, Feçori hoqi nga lista Gjet Kadelin dhe në vënd të tij, për pushkatim, futi Hajriun…”! / Ana e panjohur e Revoltës së Spaçit, maj ‘73

June 27, 2025
“Kurrë në jetën time nuk jam dëshpëruar aq, sa kur e pashë këtë përfaqësonjës të Shqipërisë së Re, kollonelin tuaj, i cili…”!/  Letrat e Nolit për Enverin, pas takimit me Tuk Jakovën në New York, më ’46-ën
Dossier

“Kurrë në jetën time nuk jam dëshpëruar aq, sa kur e pashë këtë përfaqësonjës të Shqipërisë së Re, kollonelin tuaj, i cili…”!/ Letrat e Nolit për Enverin, pas takimit me Tuk Jakovën në New York, më ’46-ën

June 27, 2025
“Pas reagimit të shkrimtarit, komisari Shahin Skura na u hakërrye: ‘Ç’a me i ba Partisë dhe shokut Enver, pa ta tregoj unë të drejtën universale! Ju ballistët, s’meritoni asnjë të drejtë, pasi….”! Dëshmia e ish-të burgosurit të Spaçit
Dossier

“Vaskë Panariti nga Korça, një djalë simpatik, ndryshe nga hetuesit e tjerë, jo vetëm që u soll shumë mirë me mua, por njëherë më çuditi, kur më tha se…”! / Dëshmia e rrallë e Uran Kalakullës

June 27, 2025
“Kur Koli Rrodhe vdiq në burgun e Burrelit në 1947-ën, gazeta ‘Dielli’ e Shoqërisë ‘Vatra’ në SHBA-ës, shkroi se…”/ Historia e trishtë e patriotit të shquar korçar, ish-deputet i Parlamentit të parë, në 1921-in
Dossier

“John Nasse dhe gangsterët e tij, të Komitetit “Shqipëria e Lirë”, kanë bashkëpunim me reaksionarët dhe me fashistët, për përmbysjen e regjimit t’uaj demokratik…”/ Letrat e Nolit për Enverin

June 27, 2025
“Edisoni tha se jam i mërzitur dhe nuk po gjej qetësi, pasi…”/ Zbulohen dokumentet e Sigurimit, me spiunët që fundosën piktorin Gjergo, nga “Bufeja e madhe” te “Artisti”, “Gjethja e mollës”, etj.
Dossier

“Kur operativi Sigurimit të kampit, vlonjati Fejzi Liço, iu drejtua Pal Zefit; ‘i dënuar, zbrit poshtë, hidhe levën dhe hajde në birucë’ Pali i tha…”! / Historia e panjohur e Revoltës së Spaçit, maj 1973

June 27, 2025
Next Post
“Edisoni tha se jam i mërzitur dhe nuk po gjej qetësi, pasi…”/ Zbulohen dokumentet e Sigurimit, me spiunët që fundosën piktorin Gjergo, nga “Bufeja e madhe” te “Artisti”, “Gjethja e mollës”, etj.

“Kur operativi Sigurimit të kampit, vlonjati Fejzi Liço, iu drejtua Pal Zefit; ‘i dënuar, zbrit poshtë, hidhe levën dhe hajde në birucë’ Pali i tha...”! / Historia e panjohur e Revoltës së Spaçit, maj 1973

“Historia është versioni i ngjarjeve të kaluara për të cilat njerëzit kanë vendosur të bien dakord”
Napoleon Bonaparti

Publikimi ose shpërndarja e përmbajtjes së artikujve nga burime të tjera është e ndaluar reptësisht pa pëlqimin paraprak me shkrim nga Portali MEMORIE. Për të marrë dhe publikuar materialet e Portalit MEMORIE, dërgoni kërkesën tuaj tek [email protected]
NIPT: L92013011M

Na ndiqni

  • Rreth Nesh
  • Privacy

© Memorie.al 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.

No Result
View All Result
  • Albanian
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme