Nga Dr. Laurant BICA
Pjesa e parë
Memorie.al / Të thuash Dibër nuk mund ta përmendësh pa apelativin e Madhe, jo me kuptimin e qytetit të Dibrës së Madhe, të Sheherit por për ndihmesën që ka dhënë në lëvizjen kombëtare shqiptare në shekuj. “Të thuash Dibër = Shqipëri. Të thuash Dibër = Komb Shqiptar. Të thuash Dibër = Shqiptari. Të thuash Dibër = Maqedoni, është zemra, nukli i saj”. Ndihmesa e Dibrës është e madhe për Ballkanin , Perandorinë Osmane e për mbarë Botën. Dibra është nga ato krahina që flasin e shkruajnë pak por bëjnë shumë. Vepra e tyre është e madhe. Të thuash Dibër do të thotë Histori. Dibra bëri histori, shkroi histori dhe mbeti në histori. Me të drejtë patrioti Ismail Strazimiri që është në thelb sinonim i shqiptarizmit shkruan se “Historia është baras : Dje, Sot dhe Nesër”.
Dibra për shembull ka nxjerrë një figurë të madhe të rangut botëror, si Riza Tefik Bylykbashi, i njohur ndryshe si Riza Tefik Dibrani, shok dhe mik i Ismail Qemalit, deputet në parlamentin turk në vitet 1909 – 1912, i njohur edhe si Filozofi Riza Tefik apo “Volteri” i Turqisë. Emrin e tij e kam gjetur në një histori të filozofisë botërore, me pesë vëllime. Dibra është jo vetëm trevë e mençurisë po edhe e trimërisë. “Djemtë e Dibrës djemtë e malit, të luajnë kapakun e ballit”! Sa keq që brenda kufijve të Shqipërisë shtetërore, mbeti 1/3 e tokave shqiptare dhe 2/3 mbetën jashtë saj; qytetet më të mira e qendrat më të mëdha si Shkupi, Manastiri, Selaniku e Janina etj., u lanë jashtë shtetit amë në përbërje të shteteve shoviniste fqinje.
Krimi më i madh u bë në Kosovë me mbetjen e Gjakovës, në Mal të Zi të Ulqinit dhe në Maqedoni me lënien e Dibrës së Madhe jashtë kufijve të shtetit shqiptar të 1913-ës. Dibra nga ish kryeqendër Sanxhaku në shekujt osmanë, mbeti një zonë periferike e Maqedonisë së sotme dhe deri në ditët e tona erdhi e rrudhur, e zhvilluar ekonomikisht dobët dhe si një qytet i lënë pas dore me qëllim, i mbetur prapa, i margjinalizuar. Por Dibra mbetet Dibër, Dibër e Madhe me tërë kuptimin e plotë të kësaj fjale, një Dibër fisnike e papërkulur nga sfidat e kohërave dhe një qendër shpirtërore e atdhetarizmit te pamort.
1 – Kur nisa të shkruaja këtë shkrim, pata disa frikëra:
Së pari kohën e shkurtër që pata në dispozicion. Së dyti Ismail Strazimirin si figurë e njihja fare pak, të mos them aspak. Së treti a do t`i justifikoja ato fjalë që m’i tha një miku im pasi fola për “Fisnikërinë dibrane” në një sesion shkencor për Dibrën, si “stërnip Dibre”; Së katërti a do të arrija ta jepja në nivelin e figurave të tjera, si Iljaz Pashë Dibra, Vehbi Dibra, Dom Nikoll Kaçorri, Elez Isufi etj., për të cilat në të kaluarën po edhe sot është shkruar gjerë e gjatë. Për Ismail Strazimirin diçka kisha dëgjuar nga dibranë të moçëm, si një figurë e shquar e Dibrës. Në një botim të muzeut të Dibrës 3 – 4 dekada më parë më dilte emri i këtij atdhetari, veçanërisht citoheshin “kujtimet” e tij.
Në kërkimet e mija në Arkivin e Institutit të Historisë, prapë nëpër skedat e tij më dilte ky njeri. Para disa kohësh më ra në ne dorë një Histori e Dibrës, e Prof. Dr. Kristo Frashërit. Nga mbi 600 faqe që ka libri rreth ¼, sidomos kapitujt për fundin e Rilindjes dhe periudhën e Pavarësisë, i referohen vazhdimisht personalitetit të Ismail Strazimirit. Nga 34 kapituj që ka libri, në 12 prej tyre, duke filluar prej kapitullit të XXIII e, deri në fund, historiani ynë më i madh, i referohet Ismail Strazimirit. Në mbyllje duke folur për një sërë figurash të ndritura të kësaj treve, ai bën një përcaktim lakonik të kësaj figure. Ai shkruan: “Tjetër figurë e respektuar dibrane që jetonte në vitet e Monarkisë, ishte Ismail Strazimiri (1868 – 1943).
Ai ishte veprimtar i lëvizjes kombëtare dhe demokratike. Mori pjesë në mënyrë aktive në lëvizjen e Rilindjes Kombëtare në vitet e fundit të sundimit osman. Mori pjesë gjithashtu në Lëvizjen Kombëtare për çlirimin e vendit nga zgjedha turke dhe më pas kundër synimeve të shovinistëve serbë. Përkrahës i Revolucionit të Qershorit. Më 1931 botoi librin e tij ‘Kujtime Historike mbi Lëvizjen Kombëtare në Qarkun e Dibrës’. Qëllimi i botimit ishte të shpaloste kontributin që dha populli dibran në luftën për pavarësi, demokraci e përparim. Është dëshmor i Luftës Nacional Çlirimtare”. Ai vendoset nga historiani ynë, krahas figurave të mëdha të Fuat Dibrës, Ramiz Dibrës (Çoku), Haki Stërmillit, Ramiz Varvaricës, Urfi Agollit etj. Nga kjo periudhë e gjatë e kontakteve edhe me literaturën për Dibrën, emri i Ismail Strazimirit më dilte kudo i pranishëm.
Në mënyrë spontane për të kisha një përfytyrim të mjegulluar. Duhej të më vinte ky rast që unë të ulesha dhe me librin e kujtimeve të tij në dorë, botuar në 2010, të kthjellohesha se kush ishte atdhetari Ismail Strazimiri apo, të them më mirë, fisniku patriot Ismail Strazimiri. Përpara se të flas për të, më duhet të them dy fjalë për trevën e Dibrës që e nxori këtë burrë të fisëm. Si jehonë nga shekujt osmanë, na vjen thënia për Dibrën që ka marrë gati – gati vlerën e një proverbi: “Të prishej Stambolli, e bënte Dibra, por të prishej Dibra, nuk e bënte Stambolli”. Dikur sheheri i Dibrës ka qenë shumë më i madh se ç’është sot dhe me një zhvillim shumë të lartë ekonomik, tregtar, kulturor e politik. Ka qenë një qendër e madhe jo vetëm në kuadrin e tokave shqiptare por, edhe në Ballkan dhe në kuadrin e Perandorisë Osmane. Ka qenë e famshme Dibra edhe për mjeshtrit e mëdhenj të ndërtimeve që punonin an’e kënd perandorisë e jashtë saj.
Kishte aq shumë prej tyre, sa ata mund të ribënin nga e para edhe kryeqytetin e Perandorisë Osmane, po të prishej. Por e kundërta nuk mund të ndodhte kurrsesi. Pra për nga rëndësia, e tillë qe Dibra e Madhe, në periudhën e Osmanllinjve. Dibra ka edhe një dimension tjetër, që s’e ka pasur asnjë krahinë tjetër në luftërat për liri e pavarësi. Dibra ka luftuar dhe ka dhënë ndihmesën e saj dhe ka paguar haraçe gjaku për çlirimin e të gjitha krahinave shqiptare. Ajo ka luftuar edhe për Nishin edhe për Selanikun, edhe për Thesalinë, edhe për Janinën, edhe për Shkupin, Kosovën, për Podgoricën e Shkodrën, si dhe për Sanxhakun e Tregut të Ri. Vetë Ismail Strazimiri e vë në dukje në kujtimet e tij, kontributin e jashtëzakonshëm të dibranëve për krejt kombin shqiptar.
Ishte Iljaz Pashë Dibra ai, që me Halit Frashërin e, djalin e tij, Abdylin, luftuan me forcat vullnetare shqiptare edhe për Selanikun, për Thesalinë e për Çamërinë. Varre të dibranëve ka në tërë krahinat e Shqipërisë, por varre të të tjerëve për çlirimin e Dibrës në trevën e saj, nuk gjen. Kulti i armëvë që ndizej dhe zhvillohej te fëmijët që në moshë të vogël, nuk ishte shprehje e instinktit të luftës, por pjesë e edukatës dhe e vetëdijes etnike për të mbrojtur trojet, jetën dhe lirinë. Duke vënë në dukje heroizmin e dibranëve në luftime, përfaqësuesi francez në Janinë shkruante, më 14 dhjetor 1844 “Është luftuar pëllëmbë për pëllëmbë dhe me një vendosmëri të tillë, sa që edhe gratë e fëmijët qenë rreshtuar me luftëtarët”.
Ja ç’thotë një këngë e vjetër dibrane për ngjarjet e 1877 – 1878 me titull “Lufta e Nishit”
“Dervejsh Pasha ku ka mbetë?
Në Manasterj në vilajet
Hipi pamporit për Mitrovejcë,
Ximca (gjysma) e asqerit mbet në Nejsh,
Dervejsh Pasha çel tefterin ,
Shtat takame e xhet (gjeti) asqerin
Nji takam qi ishin dibranë
Ata hajshin çelik me dhamë
Kishe poushk (pushkë) en Tetova,
gjem (djem) të mejr kishte Gjakova ,
bajshin irish (sulm) hipshin mbi topa.
N’ato kodra, n’ato gropa
n’ato kodra, n’ato grika
bajshin shiqir çi erdhi Dibra”.
Kjo ishte Dibra që nxori burra si Ismail Strazimiri. Vetë atdhetarët në fjalë e kishin merak kontributin e dhënë prej Dibrës, në lëvizjen tonë kombëtare. Madje, kujtimet e veta ai i fillon me ndihmesën e Dibrës e të dibranëve në Rilindje.
“Si fryt të atij shërbimi që dëshirova por nuk munda me i ba Atdheut e Kombit aq sa desha, po e la këtë vepër, ku kam provue se dibranët i kanë shërbyer çështjes shqiptare prej kohësh, duke bashkëpunue me këta që vinin themelet e indipendencës sonë. Dihet se gati gjashtëdhjetë e sa vjet më parë, Fuqitë e Mëdha, sipas vendimeve të Traktatit të Berlinit patën pjestue tokën shqiptare ndër shtetet e Ballkanit. N’atë kohë në Dibër pikë së pari u bënë bisedimet paraprake dhe u morën vendimet themelore të Lidhjes së Prizrenit; t’atij kongresi të famshëm që i bëri Fuqitë e Mëdha të mendohen dhe i shtrëngoi me i ndërrue vendimet e dhanuna më parë për copëzimin e Shqipërisë së Rumelisë.
Vetë Abdyl Frashëri i pat shkrue Iljaz Pashë Dibrës, tue thanë se vendimet e marra në Dibër u pritën me gëzim e kënaqësi të madhe prej parisë së Jugut;porse Mustafa Pashë Vlora, delegatët e Prevezës, të Gjirokastrës dhe viseve të tjera deklarojshin se nuk mund të shkojshin në Stamboll, po të mos shkonte edhe Iljaz Pasha. Prandaj kërkonte që dhe ai të nisej me shkue në Stamboll”.
Të flasësh në një kumtesë për figurën e Ismail Strazimirit, pasi je njohur me kujtimet e tij, të duket sikur ke veshur një kostum që të rri tepër i ngushtë. Ne do të përpiqemi të flasim shkurt, shumë shkurt, për tre momente që e nxjerrin në pah figurën e shquar të këtij mendimtari e veprimtari të madh, sa të Rilindjes sonë Kombëtare, aq të shpalljes, të ruajtjes e të konsolidimit të Pavarësisë e të mëkëmbjes së shtetit të ri shqiptar, aq edhe të Luftës Nacional Çlirimtare. Së pari: Origjina fisnike e tij dhe vendi i tij në rilindjen shqiptare, duke parë dhe inkuadrimin e tij në lëvizjet përparimtare në rang perandorie.
Së dyti Shpallja e pavarësisë dhe raportet e tij me figurat si Ismail Qemali, delegatët e Dibrës, Ohrit e, të ndonjë krahine tjetër me origjinë dibrane, si Nikoll Kaçorri apo jo dibrane, si Hajdar Blloshmi nga Starova e Pogradecit etj.
Së treti Ndihmesa e tij në krye të dibranëve qoftë në kryengritjen e 1910, 1912, të 1913, gjatë luftërave ballkanike, më 1915, kur ushtria serbe kaloi nëpër territorin shqiptar e mundur nga austro-hungarezët, të lëvizjeve kryengritëse dibrane të 1920 e të 1922, që çuan në dëbimin e okupatorëve serbë nga Dibra (territore që u përfshinë në shtetin shqiptar, Dibra e Vogël) si dhe kontributi i tij i jashtëzakonshëm për ruajtjen e tërësisë së tokave të Shqipërisë, bashkë me mikun e tij të pandarë, Elez Isufin. Pushkën Ismail Strazimiri, si një roje besnike e atdheut të vet, ai nuk do ta hiqte nga supet e veta, deri sa ra me armë në krah për liri në vitin 1943, gati shtatëdhjetë vjet më parë, nga dita që po flasim sot. Ai ishte njeriu që e deshi shumë Shqipërinë, e deshi deri në dhimbje dhe nuk arriti “ta shihte zonjë” si shumë e shumë idealistë të tjerë.
Le t`i marrim me radhë. Nga materialet e paraqitura në librin “Ismail Strazimiri – Kujtime historike – Lufta kundër Pavarësimit të Shqipërisë”, (Tiranë 2010, Shtëpia Botuese “Naim”) del se Ismaili e te parët e tij Strazimirë, i kishin rrënjët nga dinastia princore shqiptare e mesjetës, nga Balshajt. Mbiemri i tyre lidhet me emrin e djalit të madh të princit shqiptar, Balsha I-rë, Strazimir, ose siç thuhet në një vend, lidhet me emrin e një gjenerali të Skënderbeut, Pjetër Strazimiri, i cili rridhte nga Balshajt. Me djalin e Balshës I-rë, Strazimirin, principata balshiane siç na bën me dijeni Fan Noli, arriti kulmin e kufijve të saj, të zotërimeve të tyre. E theksojmë këtë moment të origjinës së tyre sepse kalohet lehtazi. Fisnikët shqiptarë, familjet e mëdha, ishin ato që e bënë Shqipërinë, duke pasur popullin përkrah që i ka ndjekur pas e i ka respektuar në shekuj. Iljaz Pashë Dibra (Çoku) është nga dinastia princore Gropaj.
Në krye të Lidhjes së Prizrenit, si kryetar i saj ka qenë një pinjoll, i kësaj dinastie fisnike, me një fjalë të tij ngriheshin në këmbë deri në 15.000 veta. Ose të marrim kush qe në krye të Pavarësisë Shqiptare, Ismail Qemali, një pinjoll i myslimanizuar i princërve Aranitas. Pra në Lidhjen e Prizrenit, në krye kemi një Gropaj, në Pavarësi në krye kemi një Arianitas, Ismail Strazimiri ishte një burrë i mençur, pasardhës Balshaj dhe nuk ka rastësi, qoftë në personalitetin e tij, qoftë në rolin që ka luajtur si me mendjen e tij dhe veprimtarinë e tij. Ai ka qenë “truri” i lëvizjes kombëtare në trevën e Dibrës, siç ka qenë dhe me detyra të nënprefektit pas shpalljes së Pavarësisë për Dibrën, si dhe gjatë pushtimit austro–bullgar, i cili përballë okupacionit e barbarisë serbe, u përjetua si një lloj “çlirimi” në vitet e rënda të Luftës së Parë Botërore.
Duhet ta kishe në gen “fisnikërinë”, ta kishe “instikt” mbrojtjen e interesave të Atdheut, që të ambientoheshe me “imbroglio-n” (rrëmujën)që krijoi Lufta e Parë Botërore, siç u orientua Ismail Strazimiri. Fisniku pati në krahë fisnikët. Nuk është e rastit që ai flet me respekt për Iljaz Pashë Dibrën, apo që bashkëpunoi me pasardhësit e tij, si Shyqyri Dibra (Çoku), Ramiz Dibra (Çoku), Irfan Ohri (Çoku) po dhe Hamdi Ohri (Çoku) për të cilin shkruan në kujtimet e tij shprehimisht: “Iljaz Pasha asht gjyshi i Hamdi Bej Ohrit; ky i dyti i vuajtun e i përbluejtun nëpër burgje të Anadollit, pse e kërkonte Shqipnin e i akuzuem me tradhëti politike nga disa t’ashtuqujtur besnikë të qeverisë, kundër të cilëve ra grushti drejtësisë”. Me Hamdi Bej Ohrin kanë jetuar për dy dekada e më tepër në Tiranë dhe njiheshin shumë mirë me njëri tjetrin.
Kurse me familjen tjetër fisnike të Elez Isufit, Ismail Strazimiri përbënte një binom të pandarë gjatë tërë jetës së vet. Edhe kjo familje kishte rrënjë të thella që nga mesjeta. Mbiemri i saj Ndreu të kujton një emër shenjtori. Personalisht me djalin e Hamdi Ohrit, Mentor Çokun, jam njohur dhe kam pasur një miqësi tepër të ngushtë, me Remzi Ndreun, djalin e Isuf Elezit, që erdhi nga Australia e largët, kam bashkëpunuar kur nxirrte gazetën “Patrioti” në Tiranë, në fillim të viteve ’90-të. Kurse Strazimirët paraardhës, nuk kam pasur rastin t`i njoh personalisht. (Shpresoj t`i njoh, siç i takova p.sh. një prej tyre, Xhetan Strazimiri). Pra nën këtë këndvështrim, na rezulton se Ismail Strazimiri (Balshaj), ka qenë në bashkëpunim, si në Rilindje e në Pavarësi, me Hamdi Ohrin (Gropaj) dhe me fisnikët Elez Isufi, Suf Xhelili e pasardhësit e tyre që regjimi komunist u përpoq t`i zhbëjë nga faqja e dheut.
Por fisniku, sado baltë te hedhësh mbi të, ai prapë mbetet fisnik. Floriri edhe po të zhytet në baltë, prapë flori mbetet…! Ismail Strazimiri mori pjesë në lëvizjet përparimtare që ndodhën në Perandori, siç ishte lëvizja “Bashkim e Përparim” (Itihat ve Terakki). Në këto lëvizje në krye ka qenë edhe plaku Ismail Qemali dhe dibrani tjetër, filozofi me emër në Perandori, Riza Tefiku. Kjo lëvizje synonte reformat përparimtare borgjeze. Në të në degët për Dibrën e Madhe, u bë anëtar edhe Ismail Strazimiri, por gjithmonë duke i parë në funksion të lëvizjes shqiptare. Në këtë lëvizje ishte themeluesi dhe drejtuesi faktik i saj, matjani Ibrahim Temo Struga dhe shoku i tij i pandarë, Ibrahim Naxhiu (Dervish Hima) nga Ohri.
Një pjesëtar tjetër ka qenë pas shpalljes së kushtetutës osmane në 1908 ,“Hyrrietit”, miku i Strazimirit, Hasan Basri Beg Dukagjini, që ndonëse s’ishte dibran, po me punë në Dibër, drejtor i postës në Shehër. Këta kur xhonturqit i shkelën premtimet e bëra popujve të perandorisë, përfshi dhe shqiptarët më 1911 nën udhëheqjen e Ismail Qemalit, krijuan partine e re “Hyrriet e Itilaf” (Liri e Marrëveshje) që synonte decentralizimin e perandorisë. Edhe këtu Ismail Strazimiri mori pjese krahas Riza Tefik Dibranit, Hasan Basriut, etj. Kur edhe kjo parti ju shmang kursit të lëvizjes kombëtare shqiptare, Ismail Strazimiri me atë nuhatjen e tij të hollë politike, i ktheu shpinën. Si një hallkë tjetër lidhëse midis tij dhe Ismail Qemalit po përmend Said Islam Najdenin (Hoxhë Voka). / Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm















