Nga Maksim Rakipaj
Pjesa e tridhjetë e tre
Memorie.al/ Maksim Rakipaj, me origjinë nga Përmeti, familja e të cilit kishte ndihmuar dhe përkrahur Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, pasi u diplomua në Shkollën e Marinës në Vlorë, në vitin 1972 u emërua oficer në Flotën Detare Tregtare, ku shërbeu me përkushtim deri në vitin 1977, në vaporin “Durrësi”, u arrestua dhe u dënua me 15 vjet burg politik, në përbërje të një “grupi”, ku bënte pjesë edhe kolegu tij, Aladin Kapo, djali i vëllait të Hysni Kapos. Si shkak për dënimin e tij, ishte edhe biografia familjare. Pas mbarimit të Luftës, dy nga xhaxhallarët e tij, u dënuan me burg politik, gjyshi u shpall kulak dhe më 1976, i ati u përjashtua nga partia. Vuajtjen e dënimit, Maksi e filloi në kampin e Ballshit dhe në 1979-ën, u transferua në kampin e Spaçit dhe më pas në atë të Qafë Barit. U lirua më 12 shtator të vitit 1984, duke përfituar ulje dënimi, nga një amnisti. Pasi qëndroi shumë kohë pa punë, me shumë mundime, u sistemua si minator në minierën e Mëzezit, punoi deri në vitin 1991. Pas viteve ’91-të, ai filloi punë në administratën e Bashkisë së Durrësit, shërbeu deri në vitin 1997 dhe më pas, u rikthye përsëri në Marinën Tregtare (kapiteni i fundit i transoqeanikut “Vlora”), deri sa u largua nga Shqipëria për në Itali, (ilegalisht me gomone), ku jeton aktualisht prej shumë vitesh. Që pas viteve ’90-të, krahas punëve të ndryshme, Maksim Rakipaj i është kushtuar edhe shkrimeve, si; poezi, prozë, letërsi artistike apo dokumentare, përkthime etj., duke botuar disa libra, si: ‘Profeti – Khalil Gibran’, (përkthim nga anglishtja ‘Toena’ 2003), ’20 poezi dashurie dhe një këngë trishtimi’, (përkthim nga spanjishtja, ‘Toena’ 2003), ‘Gjallë pas mbytjes së anijes’, (botim i ISKK, 2014), ‘Bukowski – poezi’, (përkthim nga anglishtja, ‘ENEAS’, 2015), ‘Trilusa m’Tironë’, (përkthim nga italishtja, ‘UEGEN’, 2015), ‘Antologji e poezisë arabo-persiane’ (përkthime nga anglishtja, ‘UEGEN’, 2015), ‘Sonetet e plota të Shekspirit’, (përkthim nga anglishtja, ‘ADA’ 2016’), ‘I mbijetuar’ (roman autobiografik, ’2 Lindje, 2 Perëndim’ 2018), ‘Nobelistët – antologji poetike, (UEGEN 2019), ‘Hymni i lumturisë’ (‘JOZEF’ 2023), etj. Nga krijimtaria e z. Rakipaj, Memorie.al po publikon, librin “I mbijetuari”, (botuar në 2022 nga Shtëpia Botuese “JOZEF” në Durrës, e drejtuar nga z. Aurel Kaçulini), ku ai ka përshkruar në mënyrë kronologjike, jetën e tij, ku pjesa kryesore është ajo e vuajtjes së dënimit në kampe dhe burgje, si dhe personazhe të ndryshëm, bashkëvuajtës të tij që njohu në skëterrën komuniste, etj.
Udhëtimi i fundit me “Vlorën”
(Kthim piratesk në Durrës)
I fola edhe unë ambasadorit të jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë, zotit F. D., i cili ma ktheu: – “Pse ore kapiten, budallallëqet tuaja do rregulloj unë, kupton apo jo, domethënë…”?! I shpjegova me durim agronomit që ishte bërë ambasador, se nuk kisha asnjë faj; isha nisur para 6 muajsh nga Durrësi dhe ky dokument, ka vetëm dy muaj që kërkohet.
– “E pastaj, ç’më duhet mua?! Të hënën thashë, bile të shohim edhe të hënën…”!
Kur Ashrafi më pa që u tërbova dhe isha gati ta shaj me rrënjë e degë, më mori telefonin nga dora dhe i foli:
– “Jam Ashraf F., drejtor i agjencisë që i shërben anijes ‘Vlora’. Nëse ju kuptova mirë z. ambasador, shkëlqesia juaj nuk do t’ia dijë, se një anije me flamur shqiptar dhe pronë e shtetit shqiptar, do të bllokohet me vite, derisa shteti juaj të shlyejë borxhet që ka këtu. Ju kuptova mirë? Dhe ju siguroj që do të jetë lajm i bukur për gazetat”.
Deshi s’deshi agronomambasadori, e bëri letrën dhe e nisi me faks menjëherë. Ashrafi më uroi rrugën e mbarë. Të nesërmen në ora 7.00 në mëngjes, u nisëm për në portin e Pireut. Atje na prisnin lojërat dhe pelivanllëqet e grekëve…!
Qëllimi i dërgimit në Pire, u justifikua nga agjencia greke me pretekstin e furnizimit të anijes me karburant, ushqime dhe dhënia e rrogave tona, të prapambetura. Gjatë gjithë kohës, rrogat i kemi marrë gjithnjë me 3, madje, 4 muaj me vonesë. Ekuipazhi qe shumë i stresuar. Më ofruan disa destinacione, i pranova që të gjitha; por qe një lojë e grekëve, për të fituar kohë. Qëllimi i tyre u bë i qartë për mua; donin që Flota të zhytej sa më shumë në borxhe, ekuipazhi të braktiste anijen dhe “Vlora” t’u mbetej atyre falas.
Gati po ia arrinin qëllimit; nga 39 vetë të ekuipazhit, 26 më kërkuan të ktheheshin në Shqipëri, nuk duronin dot më dhe s’kishin faj. Grekët nuk kishin asnjë destinacion për ne, që anija të vazhdonte punën, vullneti im, i oficerëve dhe ekuipazhit, ishte i plotë, të gjithë ishin gati të vazhdonim lundrimin normalisht. Më ofruan një rrugë për një port rus, në Detin e Zi, për të ngarkuar skrap për në Itali. Kur po prisja që të merrja urdhrin për nisje, më thanë që u anullua. Kjo e mbushi kupën. Pas kësaj, ata të 26 që më kërkuan lejë për t’u kthyer, u larguan të gjithë.
Mbeta vetë me 4 oficerët, një kamarier, radisti, dy mekanikë dhe 6 detarë. Këta qëndruan, shumica vetëm për respektin që ushqenin ndaj meje. Nga Durrësi më premtoi drejtori në telefon, se do të më niste sa më parë zëvendësues, për të larguarit. Mora vesh se u nisën vetëm 5 vetë për të ardhur në anije, kur kisha nevojë së paku për 13 të tjerë. Në kontaktet telefonike me drejtorin dhe një përfaqësues nga Ministria e Transporteve, më thanë; “po sikur t’ia mbathësh fshehurazi nga Pireu, ta mban bytha kapiten”?!
Duhet të sqaroj, se kur një anije shkon në çfarëdo porti, kapiteni është i detyruar, të dorëzojë në kapitenerinë përkatëse të portit, të gjitha dokumentet e anijes të regjistruara në regjistrin detar të vendit të cilit i përket, sipas flamurit që mban. Kur dërgohet leja e nisjes prej atij porti, anijes i kthehen dokumentet. Të nisesh pa lejen e kapitanerisë së portit dhe pa dokumenta, trajtohet si akt piraterie. Këtë gjë e dinin mirë në drejtori dhe në ministri, prandaj ma thanë qartë; “Nën përgjegjësinë tënde, ama ne, nuk dimë gjë”?!
– “Po mirë, more zotërinj, në qoftë se mua më kapin dhe më dënojnë grekët për pirateri, ju a do të më lidhni ndonjë pension, për të mbajtur familjen time”?!
– “Prandaj të thashë, a ta mban bytha?! Po s’ta mban, rri aty ku je, ne s’kemi çfarë të bëjmë, do të nis nja 5 marinarë njëherë, pastaj të shohim…”!?
Në agjenci punonte, apo ishte bashkëpronar edhe një shqiptar, një ish-oficer ushtrie në kohën e monizmit. Ai ma tha copë, kur i kërkova rrogat e prapambetura: “Pse more si kujton ti, pse e mora ‘Vlorën’ me qera…?! Ku ka punë për këtë anije, ka kaq vjet që nuk i është bërë asnjë lloj mirëmbajtje, ka nevojë të bëjë dokun, motorin. Me paratë tuaja, unë mbush maunet në Greqi, i zbraz në Gjirokastër…disa herë në muaj, jetë e shtrenjtë këtu vëlla, me ça do jetojmë ne këtej”?!
Të nesërmen në mëngjes, në radën e Pireut, ku ishim në spirancë prej dy muajsh, më vjen me motoskaf një zyrtar grek dhe më dorëzoi një zarf të madh me disa mbishkrime greqisht. E hapa, se greku donte kopjen e tij me firmën time dhe vulën e anijes; ishte gjithçka vetëm në greqisht…. “firmose, firmose, është vendimi i gjykatës detare, për arrestimin e anijes”! I grisa të gjitha dhe i hodha përtokë…
– “Si qenka marrë ky vendim, pa dijeninë time dhe të juristit që kanë dërguar nga Shqipëria?! Pse është vetëm në greqisht ky vendim?! Me kë kujton se mund të tallesh ti?! Zhduku nga anija ime ose të hodha në det…”!- dhe djemtë e anijes, ishin vërtet gati ta hidhnin…!
Më duhej të flisja me drejtorin, nga ndonjë telefon publik. Fola edhe me familjen time, ime shoqe e tronditur, nëna ime ia dha kujes; “e zeza unë, më arrestuan prapë djalin”. Më foli im atë; “Dëgjo mua, lëri gratë të qajnë, ti bëj atë që të takon. Je kapiten i asaj anije, ti e nxore nga porti i Durrësit dhe nderi yt e kërkon, që ta sjellësh ti në Durrës, unë s’marr vesh nga këto punë, ti gjyko vetë dhe vendos çfarë duhet të bësh. Hajt mirë ardhsh”!
Mesazhi i tim eti ishte i qartë. “Mirë, – i thashë, – nuk do ta le ‘Vlorën’ të kalbet në Pire, do ta sjell në Durrës dhe do ta lë detin…”! Me 12 besnikët në anije, bëra planin e arratisjes, por nuk kisha naftë…! “Të paktën 20 ton naftë, – më thanë mekanikët, – se mazut kemi. Kemi edhe ujë, por mirë do të jetë po na sollën edhe ca. Ushqime duhen”!
Nga hetimet që bëra, anija mbikëqyrej nga radarët e kapitanerisë së portit, nëse anija lëvizte nga pozicioni, jepej alarm. Por më parë, duhej nafta. Kërkesën e kisha bërë që para një muaji, por grekët, nuk m’i sillnin të gjitha ç’kërkoja, nga ato që ata gjykonin se mund të më shërbente për arratisje, nuk më sillnin as gjysmën.
Thirra agjencinë në radio; “kam nevojë të bisedojmë urgjentisht”, erdhi motoskafi menjëherë. Në agjenci gjeta edhe Mihalin, grekun përgjegjës për furnizimet. E kërcënova se do ta denoncoja në gjykatën detare të Pireut, që ka rrezikuar jetën e ekuipazhit, të anijes dhe anijeve pranë meje, me mos furnizimin e anijes me karburant; në rast furtune etj., anija nuk mund të lëvizte pa karburant, për këtë kisha bërë disa protesta detare.
Edhe një problem tjetër: prej dy ditësh, pesë detarë ishin bllokuar në aeroport dhe nuk i lejonin të vinin në anije. Flinin nëpër stola dhe hanin sufllaqet që u jepnin policët për mëshirë. Kur e mora vesh këtë, u bëra bishë. U mundova ta mbaja zemërimin dhe me qetësi i thashë Mihalit: “Po ata 5 detarë shqiptarë, pse i keni lënë për turp e faqe të zezë, sikur të ishin kriminelë…”?!
Mihali nënqeshi me mospërfillje, nga lëvizja e buzëve kuptova që tha pa zë; “eee allvanos”…! Nuk pashë më nga sytë, u turra dhe e përfshiva nga fyti… me zor ma hoqën nga duart…duke ulëritur, ia thashë të gjitha sharjet që dija në greqisht, anglisht, por nuk u ngopa dhe fillova ta shaj shqip…! Mihali nuk po qeshte më… kur unë fillova ta shaj shqip, m’u drejtua; “Jo zoti kapiten, nuk është faji im…e kanë fajin këta që nuk më lënë”, – dhe tregoi me gisht pronarët e agjencisë…!
– “Këta thonë se është faji yt Mihali, por dije, nëse për gjysmë ore, nuk shkojnë në anije të gjitha furnizimet që kam kërkuar, do të të rrjep si kec, me duart e mia…”!
– “Ika që tani, të gjitha kur të kthehesh, do t’i gjesh në anije…”!
Pas një ore, ndërsa isha në një kafene, më merr në walky-talky oficeri I-rë: “Erdhën të gjitha në anije”.
– “Vini motorin në nxemje Berti, më prisni se erdha, mos bëni asgjë tjetër pa ardhur unë”.
Problemi kryesor tani ishte largimi nga rada pa u kuptuar. Për fat, një anije rumune që ishte në spirancë fare pranë nesh, njoftoi Kapitenerinë e Portit, se rreth orës 17, do të vironin spirancën për t’u larguar. 2-3 anije të tjera, kërkonin vend për të hedhur spirancën, më mirë nuk bëhej. Në orën 16 e 30 minuta, oficeri I-rë, më bën me shenjë nga bashi, se spiranca ishte e pastër në bord.
– “Gjithë forcën para, në mes timoni!…dhe u nisëm. Fillim dhjetori, koha nuk qe e keqe, frynte pak erë jugu, por jo e fortë, deti 2-3 ballë. Kur na duheshin vetëm 2 orë, për të dalë fare nga gjiri i Pireut, rreth orës 21.00, u fik motori dhe të gjitha dritat në anije. Era ishte forcuar, nga pozicioni aktual, sipas drejtimit të erës, për dy orë do të përplaseshim tek shkëmbejë e bregut, në qoftë se motori nuk do të rindizej…! Zbrita poshtë, pyeta ing. Landin, krye-mekanikun e anijes: “Çfarë ndodhi”?! Ai i dorëzuar më tha: “U dhi me mut kapidon, metëm ktu, as para, as mrapa…”, – dhe u ul në një stol.
– “Fadil, ku je”?! – thirra dhe Fadili, me një qetësi të rrallë tha: “Lene mër atë ti, mos i vej vesh Landit…! Vetëm mjekra qoses, nuk ka dermon” – dhe më tregoi si ishte puna. Ishte çarë thuajse ngjitur me fllanxhën, tubi që sillte ujë deti, për të ftohur motorin ndihmës, ai që mbante motorin kryesor në punë. Shkak, ishte bërë kalbja e tubit prej ndryshkut, ishte një çarje serioze, me diametër rreth 15 cm.
Niveli i ujit po ngrihej me shpejtësi dhe po arrinte te dyshemeja e sallës së makinerisë…! “Prit”, – tha Fadili, – “du nji kafe ma para”. Vrap kush t’ia bënte i pari, ndërsa Niko Kondi, qe futur në ujë deri në brez dhe po shikonte të çarën e, bashkë me Fadilin, më siguruan që do ta bënin gati motorin sa më parë. U ngjita lart në timonieri, duke kontrolluar pozicionin vazhdimisht, dërgova një prej oficerëve poshtë te salla e motorrave…! U dëgjua dridhja e zakonshme dhe motori u ndez, me kolpon e parë. U nisëm.
– “Mos ki merak, – më siguroi Fadili. – E kemi saju me copa gomash dhe me lecka, e kemi lidhur mirë, ka pak rrjedhje, por s’ka problem”.
U gdhi. Kur po mendoja të shtrihesha, u dëgjua një zhurmë avioni mbi ne. U ngjita në timonieri, ishte një tip avioni taxi, që bënte rrathë mbi ne, duke fluturuar fare ulët. Nga radio- telefoni, u dëgjua thirrja e tyre:
– “Vlora’, më dëgjon, përgjigju?! Kthehu sa më parë në vendin e spirancës, në gjirin e Pireut. Nëse nuk bindesh kapiten, do të përballesh me pasoja shumë të rënda…?! Nga avioni që fluturonte fare ulët, dalloheshin njerëz të armatosur.
– “Ju dëgjoj fare mirë, u përgjigja, – por që nga ky çast, mos thërrisni më, sepse radio-telefoni VHF nuk punon”.
I dhashë urdhër radistit të mbyllte lokalin e radios dhe dhashë urdhër: “Kursi i ri, do të jetë gjithmonë rreth 30 milje nga bregu grek, derisa të afrohemi në ujërat shqiptare. Nuk fjeta tre ditë e, tre netë, rresht. Njerëzit punonin duke ndihmuar njeri tjetrin. Fadili çoi dyshekun te salla e motorit. Dhe më në fund u duk Korfuzi dhe konturet e bregut shqiptar.
“Edhe 10 orë jemi në Durrës çuna, po shkoj të fle; edhe zjarr po ra, mos më ngacmoni…..”! Sapo u shtriva, më zuri gjumi, si i vdekur nga lodhja. Pas pak, pas mesit të natës, vjen e më zgjon Gazi, oficeri II-të…! – “Kapiten, më fal, po duhet të çohesh, një anije luftarake, 2 milje larg, nga bordi i djathtë, eja në VHF, kërkojnë t’u flasësh ti”!
– “Folu ti Gazi, ti flet shumë mirë anglisht, të lutem…”!
– “Fola dhe duan të flasin me ju kapiten…”!
– “Erdha…”!
Viti ’95, koha e bllokadës për luftën në Bosnje. Anije të NATO-s, kontrollonin të gjitha anijet, që hynin e dilnin në Adriatik.
Fola në radio:
– “Këtu kapiteni i anijes “VLORA”!
Më kërkuan të gjitha hollësitë për anijen, ngarkesën, nr e ekuipazhit, emrin tim, portin e nisjes dhe portin e mbërritjes. Ia thashë të gjitha, dy herë.
– “Tani kapiten, të urdhërojmë të fikësh motorin dhe të presësh një skuadër prej nesh në bord, për kontroll, sipas konventës së miratuar nga OKB-ja për luftën në Bosnje. Kuptuat”?!
Nga e folura ishte amerikan, por kisha frikë mos ishte luftanije greke…?!
– “Berti, sa larg jemi nga ujërat tona”?!
– “Edhe 10 minuta, hyjmë në ujërat tona kapiten”!
…Anija luftarake që u prezantua me emrin “Watchman 72” po afrohej drejt nesh…!
– “Këtu anija ‘Vlora’, jam kapiteni, jam gati të pres kontrollin tuaj, me kusht që anija juaj, të mos ketë flamurin grek, unë tani jam në ujërat shqiptare dhe si anije me flamur shqiptar, i bindem ligjeve të vendit tim dhe jo urdhrave që më vijnë nga një anije greke; e dyta, motorin nuk mund ta fik, sepse jemi me defekt, po e fika nuk ndizet më dhe detyra ime e parë si kapiten, është të siguroj sigurinë e anijes dhe ekuipazhit tim. Nëse jeni me flamur jo grek, unë dhe ekuipazhi im, jemi në dispozicionin tuaj, mundem vetëm ta ul shpejtësinë, për të lehtësuar hipjen e grupit tuaj të kontrollit, në anijen time. Kaq”.
– “Kapiten, më vjen shumë keq por….”!
Kur befas ndërhyn në bisedë një zë i trashë, autoritar:
– “Kapiteni i ‘Vlorës’?! Jam komandanti i grupit të anijeve ‘Watchman’. Je i lirë të vazhdosh lundrimin, por me një kusht. Keni deklaruar port-mbërritje, Durrësin…! N.q.s., do të bëni ndryshim destinacioni, ju dhe anija juaj, do të përballeni me pasojat e rënda, që do të rrjedhin prej kësaj”.
– “Faleminderit zotëri”!
Në orën nëntë, në mëngjes, më doli gjumi në radën e Durrësit. Berti erdhi të pinte kafen, në kabinën time…! “Nuk na përgjigjet njeri në VHF, Makso, as nga drejtoria, as nga kapiteneria”?!
– “Punon VHF”?!
– “Punon, se i dëgjojmë bisedat e tyre, kemi folur edhe me anije shqiptare, që janë në port, por nga kapiteneria dhe drejtoria, nuk na përgjigjet njeri…”!?
Thirra kapitenerinë e portit. Asnjë përgjigje. Provova ta mbaj inatin dhe me shumë edukatë, u thashë se kisha ndërmend të futem menjëherë në port: – “Kam nji orë që ju thërres dhe ju nuk përgjigjeni”!
Në vend të tyre, m’u përgjigj ‘Watchman 72’:
– “Kapiten, kemi lajmëruar ne për mbërritjen tuaj, mos u shqetësoni”!
Nga kapiteneria, m’u përgjigjën me alarm: – “Mos u fut ‘Vlora’, se po del trageti, pastaj janë edhe 2 tragete’ për të hyrë e për të dalë”!
Nuk iu përgjigja fort me edukatë atij që më foli nga kapiteneria, kur ndërkaq më foli në VHF Pandi Golemi, ish kapiten i “Skënderbeut”, që tani punonte pilot:
– Makso, do të vi unë të fusim Vlorën, por dije se nga drejtoria nuk ka njeri, s’ka kush të mbledhë grupin e praktikës. Më duhet ta bëj vetë këtë punë.
Rreth orës 11 u lidhëm në port; në orën 16 e 30 më erdhi drejtori, shefi i kuadrit, shefi i financës dhe k/ing. i flotës. Nuk mund të them se mbetën të kënaqur nga pritja ime. As unë nga pritja e tyre. Nuk më gënjente mendja që do të më prisnin me flamuj e fjalime dhe me bandë muzikore, as edhe të më dekoronin si Spiro Koten. Veç ajo heshtje që mbuloi gjithçka… Por nuk jam penduar. Do ta bëja përsëri po të kthehesha në ato vite. /Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016