Nga Agim Musta
Pjesa e njëzetekatër
Memorie.al / Në përvjetorin e katërt të ikjes nga jeta të historianit, studiuesit, shkrimtarit dhe publicistit të njohur Agim Musta, (24 Korrik 2019), ish – i burgosur politik, vajzat e tij Elizabeta dhe Suela, i dhanë të drejtën e ekskluzivitetin për botim, medias online Memorie.al, të një prej botimeve më të spikatura të autorit, siç është ‘Libri i zi i Komunizmit Shqiptar’. Kjo vepër, mban të dhëna, dëshmi, fakte, statistika dhe argumente të shumta e të panjohura për publikun e gjerë, mbi krimet dhe terrorin komunist në Shqipëri, veçanërisht ndaj intelektualëve, në periudhën 1945-1991. Botimi për herët të parë të pjesëve të këtij libri, është dhe realizimi i një prej amaneteve të historianit Agim Musta, i cili, që nga fillimi i vitit 1991 e deri sa ndërroi jetë, për afro tre dekada u angazhua me të gjitha fuqitë e tij, duke punuar për ngritjen e kujtesës kolektive, përmes botimeve me libra dhe publikimeve në shtypin e përditshëm. E gjithë ajo punë voluminoze e z. Agim Musta, e konkretizuar në disa libra, është një kontribut me vlera të mëdha, për zbardhjen e krimeve të regjimit komunistë të Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij, Ramiz Alia. Një pjesë e mirë e botimeve të z. Agim Musta, është e përkthyer dhe në anglisht. Duke falenderuar dy vajzat e të ndjerit Musta, që zgjodhën Memorie.al, për të përkujtuar babanë e tyre, nga sot po fillojmë publikimin pjesë pjesë, të ‘Libri i zi i Komunizmit Shqiptar’.
-Portrete bashkëvuajtësish-
(1945-1991)
- Persekutimi fetar
Në vitin 1967, Shqipëria komuniste, u deklarua i vetmi shtet ateist në botë. Duke zbatuar porositë e leninizmit, se feja është opium për popullin, shteti komunist shqiptar, në vitin 1967 vendosi t’iu jepte grushtin e fundit të gjitha besimeve fetare, që kishin mundur të mbijetonin deri në atë kohë. Duhet theksuar, se që në ditët e para të vendosjes së diktaturës komuniste në Shqipëri, në dhjetor të vitit 1944, filloi persekutimi i klerikëve dhe propaganda shtetërore kundër çdo besimi fetar. U morën masa shtrënguese administrative, ekonomike të të gjitha llojeve, deri në dëbimin e klerikëve të huaj, që kishin shërbyer vite dhe që jetonin e punonin në Shqipëri. Kleri katolik ishte ai, që u godit më tepër nga të tria besimet fetare që ekzistonin në Shqipëri dhe u vendos në qendrën e ciklonit komunist. Nga 260 klerikë katolike, që kanë qenë në Shqipëri gjatë sundimit të diktaturës komuniste, 240 prej tyre, u internuan, u arrestuan, u torturuan, u ekzekutuan dhe vuajtën me mijëra vite burgu. Kuvendet dhe shkollat fetare u konfiskuan dhe u kthyen në burgje hetuesie, në magazina dhe ambiente sportive. Një persekutim i tillë ndaj klerit katolik, nuk kishte ndodhur as në kohën e pushtimit pesë-shekullor otoman. Ky duf urrejtje ndaj katolicizmit, kishte filluar që në vitin 1919, me krijimin e Kominternit. Vatikani shikohej nga komunizmi botëror, si një pengesë për triumfin e komunizmit dhe si qendra agjenturiale e imperializmit botëror. Nga ana tjetër, disa nga klerikët katolikë si: Pater Anton Harapi, dom Lazër Shantoja etj., ishin vlera kombëtare dhe komunizmi zhdukte vlerat dhe jo ordinerët.
Diktatura enveriane, arriti deri atje, sa të urdhërojë prishjen e varrit dhe hedhjen në lumin Buna, të eshtrave të klerikut të lartë katolik dhe poetit epik më të spikatur të kombit shqiptar, At Gjergj Fishtës. Kleri mysliman Suni, nga prapambetja e tij teologjike dhe kulturore, nuk kishte ndonjë ndikim të mjaftueshëm në besimtarët e tij. Me përjashtime të rralla si; Hafiz Ali Korça, Hafiz Ali Kraja, Hafiz Ibrahim Dalliu e ndonjë tjetër kanë qenë shquar jo vetëm si klerikë por edhe si patriotë e si shkrimtarë, përkthyes dhe veprimtarë politike. Kleri bektashian ka qenë historikisht shërbyer si çerdhe e çetave atdhetare. Pikërisht për këtë, komunistët i goditën klerikët bektashianë, shumë kohë përpara se të merrnin pushtetin. Në tetor të vitit 1943, një bandë komuniste sulmoi në mes të natës teqenë e Turanit, në qarkun e Korçës dhe masakroi barbarisht Baba Zylfon së bashku me 3 besimtarë të tjerë. Baba Zylfua, ishte një atdhetar i shquar dhe pjesëmarrës në Kongresin e Manastirit në vitin 1908, për vendosjen e alfabetit shqip. Udhëheqësit e kulturuar të kishës ortodokse shqiptare, që i njihnin mirë krimet e komunizmit botëror, propaganduan kundër lëvizjes komuniste. Pikërisht për këtë në vitin 1943 u vranë në atentat nga terroristë komunistë, imzot Idhomen Kosturi dhe pas vendosjes së diktaturës u burgosën përjetësisht kryepeshkopi i kishës autoqefale shqiptare, Visarion Xhuvani dhe imzot Irine Banushi.
Ja disa nga klerikët kryesorë të tre besimeve fetare që u ekzekutuan, u burgosën dhe u internuan gjatë sundimit të diktaturës komuniste.
Patër Gjon Fausti
Vjeç 46, lindur në Breshia të Italisë. Diplomuar për teologji e filozofi. Dënohet me vdekje, pushkatim 1946.
Patër Daniel Dajani
43 vjeç, nga Blinishti i Zadrimës. Diplomohet në Itali për letërsi e filozofi. Dënohet me vdekje, pushkatim, në vitin 1946.
Patër Gjon Shllaku
38 vjeç, nga Shkodra. Diplomohet për letërsi e filozofi në Holandë. Pushkatohet në vitin 1946.
Patër Anton Harapi
Lindur në Shirokë 1888. Kreu studimet e larta në Vjenë (Austri), poet, orator dhe publicist. Drejtor i Kolegjit Françeskan në Shkodër. Në shtator 1943 emërohet anëtar i Këshillit të Lartë. Në shkurt 1946 dënohet me vdekje, pushkatim.
Patër Ciprjan Nika
46 vjeç nga Shkodra. Diplomohet për teologji në Austri. Pushkatohet në vitin 1946. Fjala e fundit ishte “Rroftë Krishti Mbret, Rroftë Shqipëria edhe pa ne”.
Patër Mati Prendushi
66 vjeç. Lindur në Shkodër. Kryen studimet e larta në Grac të Austrisë. Dënohet me vdekje nga serbet më 1911, por ju fal jeta. Dënohet përsëri nga regjimi komunist me pushkatim më 1946.
Imzot Frano Gjini
Lindur në Shkodër 1886. Studimet e larta i kreu në Romë. Arrestohet në vitin 1945 me motivacionin si agjenti i Vatikanit. Dënohet me vdekje. Pushkatohet në vitin 1946.
Imzot Gjergj Volaj
Lindur në Shirokë (Shkodër) 1905. Studimet e larta i kreu në Itali. Arrestohet dhe torturohet në mënyrën më çnjerëzore. Ekzekutohet në vitin 1947.
Mons. Nikollë Deda
Lindur në Shkodër 1892. Studimet e larta i kreu në Itali e Austri. Arrestohet në vitin 1946 dhe dënohet me vdekje në vitin 1948 për krime politike.
Dom Zef Bici
Lindur në Shkodër 1920. Studio në Seminarin e Jezuitëve në Shkodër. Arrestohet në vitin 1965, por mbas një viti lirohet. Arrestohet përsëri në vitin 1967 dhe pushkatohet në maj të vitit 1968.
Dom Mark Dushi
Lindur në Shkodër 1922. Studio në Seminarin Jezuit në Shkodër. Arrestohet në vitin 1967. Dënohet në maj të vitit 1968 me pushkatim.
Dom Dedë Malaj
Lindur në fshatin Mali i Jushit 1918. Mësimet e larta i kreu në Romë. Në janar 1947 thirret ushtar. Arrestohet me akuzën “spiun i Vatikanit”. Nxirret para regjimentit dhe pushkatohet para ushtarëve në moshën 29 vjeçare.
Dom Luigi Pici
Lindur në Ulqin 1907. Studimet e para i kreu në Saverenë, ndërsa të lartën në Padova (Italia). Më 10 nëntor 1946 u vra pa gjyq nga komunistët.
Dom Luigj Prendushi
Lindur në Shkodër 1896. Mësimet e para i kreu në Piemont në Kolegjin me Sarvanos. Arrestohet në vitin 1946 si “spiun i Vatikanit”. Pushkatohet më 1947.
Dom Lazër Shantoja
Lindur në Shkodër 1892. Mësimet e larta i kreu në Insburg (Austri). Shkrimtar, përkthyes dhe publicist. Arrestohet në vitin 1945. Mbasi torturohet egërsisht, pushkatohet në moshën 54-vjeçare.
Dom Anton Zogaj
Lindur në Kthellë të Mirditës 1902. Kreu seminarin Papnuer (Shkodër) për filozofi. U diploma në Trauning Austri. Në dhjetor 1946 e pushkatuan në Porto Romano.
Dom Ndre Zadeja
Lindur në Shkodër 1891. Studimet e larta i kreu në Insburg (Austri), poet, përkthyes dhe publicist. Arrestohet në vitin 1945 dhe pushkatohet në mars të vitit 1945.
Seminarist Mark Cuni
26 vjeç nga Bushati. Kryen shkollën e mesme në Shkodër. Vazhdon në Kolegjin Papnuer Jezuit. Antifashist anti antikomunist i vendosur. Dënohet me vdekje, pushkatohet më 1946.
Hafiz Ali Korça
Lindur në Korçë 1890. Pedagog në Medresenë e Tiranës dhe patriot i madh. Shkrimtar dhe përkthyes. Burgoset në vitin 1945 dhe dënohet 6 vjet burgim si kundërshtar i ideve komuniste. Lirohet në vitin 1950 dhe internohet përjetësisht.
Sheh Ibrahim Karbunara
Lindur në Karbunarë, Lushnje 1892. Deputet në vitin 1945. Burgoset në vitin 1947 dhe dënohet me vdekje si pjesëmarrës në grupin e deputetëve.
Hafiz Ismet Dibra
Lindur në Dibër 1870. Kreu studimet e larta për teologji n Stamboll. Drejtor i shkollës “Medrese” Tiranë. Arrestohet në vitin 1946 dhe dënohet 10 vjet burgim për agjitacion e propagandë për rrëzimin e pushtetit. Lirohet në vitin 1951.
Hafiz Ali Kraja
Lindur në Shkodër 1886. Mbaron për teologji në Kajro. Deputet i Parlamentit të parë shqiptar. Burgoset në vitin 1945 dhe dënohet 20 vjet burg si armik i pushtetit. Lirohet në vitin 1964.
Hafiz Ibrahim Dalliu
Lindur në Tiranë 1878. Mbaron studimet për teologji në Arabinë Saudite. Arrestohet në vitin 1947 dhe dënohet 8 vjet burgim për agjitacion e propagandë. Lirohet në vitin 1951 dhe internohet për shumë vjet.
Hafiz Sherif Lëngu
Lindur në Dibër 1877. Kryetar i Komunitetit Mysliman 1943. Burgoset në vitin 1945 dhe dënohet 10 vjet burg si antikomunist. Lirohet në vitin 1952.
Hafiz Sabri Koçi
Lindur në Librazhd në vitin 1921. Burgosur në vitin 1966 dhe dënuar me 20 vjet burgim si armik i pushtetit. Lirohet në vitin 1981. Në vitin 1992 emërohet kryetar i Komunitetit Mysliman Shqiptar.
Hafiz Bakalli
Lindur në Tiranë 1892. Burgoset në vitin 1946 dhe dënohet 10 vjet burgim për agjitacion e propagandë. Lirohet në vitin 1953.
Hafiz Varoshi
Lindur në Shkodër 1892. Burgosur në vitin 1945 dhe dënuar 5 vjet si kundërshtar i regjimit komunist. Vdes në burg.
Sheh Ali Pazari
Lindur në Tiranë 1893. Burgoset në vitin 1946 dhe dënohet 15 vjet burgim si armik i regjimit komunist. Lirohet në vitin 1958.
Vexhi Buharaja
Lindur në 1903. Mbaron studimet për teologji. Zotërues i 10 gjuhëve të huaja dhe pedagog në Medrese. Arrestohet në vitin 1947 dhe dënohet 8 vjet burgim për agjitacion e propagandë. Lirohet në vitin 1952.
Sali Niazi Dede
Lindur në Kolonjë në vitin 1880. Kryegjysh Botëror; 1916-1923. Themelues i Kryegjyshatës botërore në Shqipëri 1930-1941. Vritet nga bandat komuniste të Shqipërisë, më 28 nëntor të vitit 1941.
Dervish Ali Koçia
Lindur në Mallakastër 1903. Teqeja ku ai shërbente ishte qendra e nacionalistëve. Pikërisht për këtë, kryekrimineli Mehmet Shehu e pushkatoi në gusht 1943 për pikëpamjet e tij antikomuniste.
Baba Ali Tomorri
Lindur në Tepelenë 1892. Klerik me kulturë të gjerë. Një nga protagonistët e Autoqefalisë Bektashiane. Organizator i disa kongreseve duke kryer detyrën e sekretarit. Shërben me devotshmëri që nga viti 1921. Komunistët ateistë me gjyq të montuar e pushkatojnë në janar të vitit 1948. Ishte atdhetar dhe antikomunist i vendosur.
Baba Shefqet Koshtani
Lindur në Tepelenë 1889. Klerik i Teqesë së Koshtanit. Për motive politike si antikomunist, dënohet me pushkatim në janar të vitit 1948.
Baba Qamil Gllava
Lindur në Tepelenë 1882. Shërben me besnikëri në disa teqe. Me ardhjen në pushtet të komunistëve e arrestojnë për pikëpamjet e tij nacionaliste, duke e akuzuar “armik i popullit”. Në gusht të vitit 1945 dënohet nga gjykata e Gjirokastrës, me pushkatim.
Baba Zylfo Turani
Lindur në Devoll 1883. Pjesëmarrës i Kongresit të Manastirit më 1908. Në tetor 1943 terroristët komunistë futen në teqenë e Turanit (Kore). Vrasin Baba Zylfon dhe tre besimtarë për pikëpamjet e tyre nacionaliste. Teqja e Turanit u gjakos në mënyrën më barbare.
Baba Myrteza Kruja
Lindur në Krujë 1897. Gjatë 23 vjetëve ka shërbyer në teqenë “Shemimise” Fushë-Krujë. Klerik me reputacion të madh në popull. Për pikëpamjet e tij antikomuniste arrestohet në vitin 1947. Torturohet në qelitë e Sigurimit të Shtetit Tiranë, ku vdes nga torturat.
Dede Kamber Prishta
Lindur në Pagri (Përmet) më 1885. Kryegjysh i tretë i Selisë së Shenjtë 1943-1944, për motive politike antikomuniste, arrestohet në dhjetor të vitit 1944 dhe dënohet 15 vjet burgim. Si pasojë e vuajtjeve fizike dhe shpirtërore, në vitin 1951, jep shpirt në infermierinë e burgut (spitali nr.1 Tiranë)
Baba Bajram Mahmutaj
Lindur ne Levan, Tepelenè 1913. Arrestohet në vitin 1946 dhe dënohet 20 vjet burgim. Akuza “armik i pushtetit dhe i popullit”. Ishte një nga klerikët më në zë si fetar e atdhetar. Teqeja e tij ishte qendra e nacionalizmit. Mbas 12 vjet burgim, lirohet dhe internohet deri në vitin 1991.
Baba Islam Leskoviku
Lindur në Leskovik 1892. Arrestohet në vitin 1946 si antikomunist. Lirohet më 1948. Arrestohet përsëri në vitin 1950 dhe dënohet 12 vjet burgim. Gëzonte dashurinë e besimtarëve për qëndrimin e tij fetar e atdhetar. Ndërroi jetë në burg 1956.
Haxhi Dede Reshat Bardhi
Lindur në Kukës 1935. Shërben si dervish në Selinë e Shenjtë që në moshën 17-vjeçare. Në vitin 1958 internohet së bashku me Dede Ahmetin. Përballon presionet e Sigurimit të Shtetit ateist. Në korrik 1993 emërohet Kryegjysh në Kryegjyshatën Botërore në Tiranë.
Imzot Kristofor Kisi
Lindur në Berat 1881. Diplomuar për teologji. Në vitin 1937. Emërohet Kryepeshkop deri në vitin 1948. Vdekja e tij mbeti një mister. U gjet i helmuar.
At Gjergj Suli
Lindur në Lekël të Tepelenës 1893. Arsimin e mesëm e përfundoi në Janinë. Emigroi në SHBA, Boston, 12 vjet. At Gjergji ishte veprimtar i shquar i shoqërisë “Vatra”. Zotërues i disa gjuhëve. Në 1934 kthehet në Shqipëri. Shërbeu si klerik në disa fshatra të Jugut gjer në fund të jetës së tij. Arrestohet në vitin 1946 si bashkëpunëtor i anglo- amerikanëve. Pushkatohet në janar 1947.
At Sifi Papamihali
Lindur në Përmet 1901. Diplomohet për teologji në Romë, Itali. Arrestohet në vitin 1946 dhe dënohet 10 vjet burgim. E varrosin të gjallë në Kënetën e Maliqit në vitin 1948.
Imzot Visarion Xhuvani
Lindur në Elbasan në vitin 1887. Kreu studimet e larta për teologji. Më 1920, Kongresi i Lushnjës e zgjedh anëtar të Këshillit të Lartë. Në vitin 1922 bëhet deputet. Në vitin 1925 emërohet Kryepeshkop i Kishës Ortodokse Autoqefale. Arrestohet në vitin 1948 dhe dënohet me 20 vjet burgim. Lirohet në vitin 1963. Vdes në Manastirin e Shën Gjonit të Elbasanit.
Imzot Irine Banushi
Lindur në Shkodër 1906. Studimet e larta teologjike i kreu në Beograd. Burgoset dy herë. Nga 1945 deri në vitin 1948 dhe nga viti 1956 deri në vitin 1960. Mandej internohet deri në fund të jetës së tij.
Episkop Kozma Qirjo
Lindur në Vlorë 1922. U hirësua prift nga Visarion Xhuvani. Internohet disa herë por me guxim vazhdon predikimet fetare deri në fund të jetës së tij. Populli i Vlorës e kujton me respekt.
Bilanci tragjik i persekutimit fetar në Shqipëri gjatë Diktaturës Komuniste ishte: 154 klerikë të vdekur nga torturat, nëpër burgje dhe të pushkatuar. 178 klerikë të burgosur, që vuajtën afërsisht 2000 vjet burgim. 41 klerikë të internuar.
Objekte kulti si: Kisha, xhamia, teqe, tyrbe të rrafshuara 340
Konfiskime të pasurive të kulteve fetare, të luajtshme dhe të paluajtshme me një vlerë monetare të konvertuar në dollarë amerikanë të sotëm, prej 85.000.000 dollarësh.
V.O! Një vit më parë se të eliminohej besimi fetar, në shtator të vitit 1966, në Shqipëri, u suprimua Ministria e Drejtësisë, që si mbas Kryeministrit Mehmet Shehu, ishte e pa nevojshme, pasi drejtësia, ishte bërë çështje e gjithë popullit! Kryetari i Gjykatës së Lartës; Aranit Cela, porosiste gjyqtarët: “Kodet futni në zyrtar! Veprat e Enver Hoxhës, mbi tavolinë!”
Shqipëria në vitin 1967, ishte i vetmi shtet ateist në botë dhe pa Ministri të Drejtësisë. /Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016