Nga Armand Jonuzi
Memorie.al / Gjatë 50 viteve të regjimit komunist, Shqipëria ka pasur 22 ambasada në të gjitha kontinentet. Por disa herë më i madh është numri i vendeve me të cilat kishim marrëdhënie diplomatike. Sipas diplomatit shqiptar Lisen Bashkurti, gjatë sistemit komunist Shqipëria ka pasur marrëdhënie diplomatike me 72 vende në të gjithë botën. Por diplomatët thonë, se numri i vogël i ambasadave në krahasim me relatat zyrtare midis shtetit tonë dhe të tjerëve, shpjegohet me faktin se një ambasador, mund të mbulonte shtete të tëra në një kontinent.
Pjesa më e madhe e shteteve me të cilat Shqipëria vendosi marrëdhënie diplomatike në atë periudhë, ishin vende të Bllokut Komunist. Por njëkohësisht nuk mungonin marrëdhëniet edhe me vende shumë të zhvilluara Perëndimore.
Ambasadat e para
Vendi i parë me të cilin qeveria komuniste vendosi marrëdhëniet pas çlirimit të vendit, ishte fqinja e saj, Jugosllavia. Krerët komunistë të qeverisë jugosllave, i kishin dhënë një ndihmë të konsiderueshme komunistëve shqiptarë gjatë Luftës. Marrëdhëniet midis dy vendeve u lidhën në fillim të vitit 1945 dhe ambasadori i parë në Jugosllavi, u emërua Hysni Kapo, një nga drejtuesit më të lartë të Partisë Komuniste.
Menjëherë pas lidhjes së marrëdhënieve diplomatike, Jugosllavia dhe Shqipëria nënshkruan disa marrëveshje ekonomike, si dhe Traktatin e Miqësisë dhe Ndihmës së Përbashkët. Gjithashtu nga viti 1945 deri në vitin 1947, sipas diplomatit të njohur Lisen Bashkurti, politika jugosllave ishte shtrirë në Shqipëri në të gjitha fushat, si tek ato ekonomike e deri te ajo arsimore.
“Në shkollat shqiptare jugosllavët arritën të fusin si gjuhë e dytë edhe serbo-kroatishten”, tregon diplomati i njohur Bashkurti. Madje, sipas historianëve, në atë periudhë lideri komunist i Jugosllavisë, Josif Broz Tito, në atë periudhë dëshironte të krijonte Federatën Komuniste Ballkanike, në të cilën bënte pjesë Shqipëria dhe Bullgaria.
Por nëse Jugosllavia ishte vendi i parë me të cilën vendosëm marrëdhënie diplomatike, ajo ishte e para edhe me të cilën i shkëputëm ato. Në vitin 1948, pas përplasjes së Titos me Stalinin, Shqipëria i ndërpret marrëdhëniet me Jugosllavinë. Në fakt ftohja e marrëdhënieve midis dy vendeve kishte filluar që në vitin 1947. Kjo periudhë shënon edhe nisjen e marrëdhënieve të ngushta të Shqipërisë me Bashkimin Sovjetik. Pasi megjithëse marrëdhëniet midis dy vendeve ishin vendosur që në dhjetor të vitit 1945, ato gjithmonë kalonin nëpërmjet Jugosllavisë.
Ambasadori i parë në Bashkimin Sovjetik u emërua Koço Tashko. Menjëherë pas shkëputjes nga varësia diplomatike e Jugosllavisë, Shqipëria vendosi marrëdhënie me shumë vende të Evropës Lindore. Marrëdhëniet e ngushta me Bashkimin Sovjetik zgjatën deri në vitin 1960, kur Moska zyrtare i ndërpret marrëdhëniet me vendin tonë, në mënyrë të njëanshme.
Kjo erdhi pas përkrahjes që Enver Hoxha i bëri Kinës, duke dalë kundër linjës së Bashkimit Sovjetik. Kjo gjë çoi deri në shkëputjen e dyanshme të marrëdhënieve në vitin 1961. Por nëse me Jugosllavinë Shqipëria i vendosi përsëri marrëdhëniet në fundin e viteve ’50-të, me Bashkimin Sovjetik ato u rilidhën përsëri pas 30 vjetësh, në vitin 1991. Por Shqipëria gjatë regjimit komunist, nuk pati marrëdhënie vetëm me vendet komuniste, por edhe me shumë vende perëndimore.
Marrëdhëniet me Perëndimin
Vendi i vetëm me të cilën marrëdhëniet diplomatike të Shqipërisë nuk u ndërprenë pothuajse asnjëherë, ishte Franca. Vendi perëndimor ishte nga të paktat vende të fuqishme demokratike që njohu qeverinë komuniste të Tiranës, të krijuar në vitin 1946. Kjo bëri që marrëdhëniet midis dy vendeve të lidheshin menjëherë dhe të vazhdonin pa ndërprerje.
Vendi i dytë perëndimor me të cilin Shqipëria vendosi marrëdhënie, ishte fqinja i saj, Italia. Megjithëse Italia e kishte pushtuar Shqipërinë gjatë Luftës së Dytë Botërore, në vitin 1946, ajo do ta njihte qeverinë komuniste të sapokrijuar. Gjithashtu, në vitin 1946, Shqipëria dhe Italia nënshkruan Traktatin e Paqes, gjë që u hapi rrugën lidhjes së marrëdhënieve midis dy vendeve.
Nënshkrimi i Italisë së këtij traktati, i solli Shqipërisë edhe përfitimin e një shume prej 5 milionësh dollarë. Kjo sasi parash ishte vendosur si dëmshpërblim për dëmet që Italia i shkaktoi Shqipërisë gjatë luftës. Pas kësaj marrëdhëniet diplomatike midis dy vendeve u lidhën menjëherë. Por në vitin 1957, Shqipëria lidhi marrëdhënie diplomatike edhe me Austrinë, pasi kjo ishte deklaruar si vend neutral, gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë.
Bumin më të madh të vendosjeve të marrëdhënieve diplomatike gjatë regjimit komunist, sipas diplomatit të njohur Lisen Bashkurti, Shqipëria e pati në vitet ’70-të. Ku sipas diplomatit, nga 24 vende me të cilat Shqipëria kishte marrëdhënie në vitet ’50-të, në vitet ’70-të ajo do kishte marrëdhënie me gati 72 vende në të gjithë botën.
Dy vendet me të cilët regjimi komunist lidhi marrëdhënie në vitet e fundit të rënies së tij, ishin dy vendet perëndimore, Gjermania Perëndimore dhe Spanja. Ato u vendosën përafërsisht në vitet u 1987 dhe 1988. / Memorie.al
Ambasadat e Shqipërisë nëpër botë para viteve ’90-të
Bullgaria
Çekosllovakia
Algjeria
Austria
Kina
Rumania
Bashkimi Sovjetik
Polonia
Vietnami
Italia
Hungaria
Republika Demokratike Gjermane
Jugosllavia
Greqia
Republika Popullore e Korese
Franca
Egjipti
Turqia
Kuba
Suedi
Argjentina
Republika Federale Gjermane
Tanzani
Meksikë
Zvicër