Nga Armand Plaka
Memorie.al / Dy gazeta të njohura gjermane të kohës, skanojnë në thellësi veprimtarinë e spiunit më profesionist të Anglisë gjatë shekullit të shkuar, viktimë e të cilit ranë shqiptarët. Parë nga perspektiva e tyre në atë kohë, tashmë shumë vite pas dështimit të aksionit, rezulton se katastrofa më e madhe, të cilën duhet ta llogarisim në konton e bëmave të Kim Philbyt, është pa dyshim, “fiaskoja shqiptare”. Operacioni “Shqipëria” – siç e cilëson (asokohe) gjermano perëndimorja “Der Spiegel” në një numër të sajin në vitin 1968, çështje së cilës i bashkëngjitet duke e plotësuar me fakte e dëshmi të tjera, një vit më vonë, edhe “Die Zeit” në vitin 1969 – ndodhi në një kohë kur Lufta e Ftohtë, kishte arritur tashmë kulmin e vet.
Në këtë pikë të zhvillimeve, Foreign Office dhe State Department, po ravijëzonin të njëjtën ide, duke arritur në një qëndrim unik: Pse s’mund ta luftojmë dot ndikimin rus në atë vend, duke luftuar së bashku me “nacionalistët shqiptarë”? – Por gjithçka, siç dihet, rezultoi edhe sipas artikullit, një “katastrofë” e vërtetë, në planin njerëzor, e cila hëngri kësisoj jetët e qindra shqiptarëve, që shkuan në atë botë, pa e ditur se fajtori e kishte emrin Kim Philby.
Ndërkohë, në terma profesionalë, për shërbimet e fshehta anglo-amerikane, por edhe për politikanët e të dyjave vendeve, artikulli na përcjell idenë se; e gjitha kjo përpjekje e pafat, ishte një “fiasko” e vërtetë. Parë nga perspektiva e tyre në atë kohë, tashmë shumë vite pas dështimit të aksionit, s’kishte më dyshim se; “dëmi që Philby shkaktoi gjatë veprimtarisë së tij dyvjeçare në Uashington, nuk duhet nënvlerësuar” dhe se; “politika e të ashtuquajturës ‘përzierja pozitive në punët e brendshme’ në vendet e Evropës Lindore, kishte rënë në një mosbesim të thellë”.
Thelbi i artikujve në të dyja rastet, është veprimtaria e Philbyt dhe botimet që kishin zënë rrënjë për të, si në gazeta e revista, ashtu dhe në letërsi tashmë (deri në atë kohë – sipas tyre – mësojmë se ishin botuar tashmë tre libra për veprimtarinë e tij). Pjesa që neve na intereson, pra ajo ku flitet për Shqipërinë, është vetëm një pjesë e vogël, në volumin që zënë në total të dy artikujt e lartpërmendur, të cilët duhet thënë se janë relativisht voluminozë, në terma të mirëfilltë gazetareskë.
Interesant dhe i pazbuluar më parë, duket të jetë edhe fati i pjesës së mbijetuar të shqiptarëve nga këto aksione të dështuara, për të cilët do të duhej të kujdeseshin organet kompetente britanike, për t’u siguruar punësim e strehim.
Ndërkohë, shumëçka mësojmë nga artikujt, në lidhje me atë se kush e frymëzoi nisjen e kësaj ndërmarrjeje, cilat ishin qëllimet, kush e përkrahu dhe kush e pengoi, si duhej realizuar dhe ku mbështetej realizimi i tij, deri në zbulimin e Kim Philbyt. Fakti i fundit, përbën një moment më vete, të cilin e mësojmë duke lexuar artikullin e gazetës gjermane, “Die Zeit”, në vitin 1969.
Po kështu, në të njëjtin artikull, na bëhet me dije edhe mënyra e jetesës dhe shtrati në të cilin u përgatit terreni për të rekrutuar dy kolegët e Philbyt, Burgess dhe McLean, të cilët gjithashtu i paraprinë arratisjes së Philbyt, duke ndërmarrë të njëjtin hap. Aty aludohet qartazi se ata ishin homoseksualë dhe se bënin dukshëm një jetë të shthurur, të cilën do të mund ta vazhdonin pa iu prekur qimja e flokut, nëse amerikanët nuk do t’i zbulonin.
Operacioni “Shqipëria” dhe gjithë ndërmarrja që lidhej me të, siç thekson edhe vetë artikulli (dhe siç e dimë të gjithë tashmë), gjithsesi përfundoi në një katastrofë të vërtetë, zhytur në një bilanc tragjik. Brenda një muaji, ishin rreth 150 luftëtarë guerilas (apo diversantë, siç i quante propaganda shtetërore asokohe) – thuajse gjyma e gjithë trupës – të vrarë apo të kapur rob e po, kështu një numër i madh shqiptarësh vendas, të cilët u treguan të gatshëm e nuk treguan kujdes, ndërsa prisnin e strehonin guerilasit antikomunistë, duke besuar se kauza e tyre do të fitonte.
Në kuadër të ciklit; “Shqipëria moniste në mediat perëndimore, 1945-1990”, të gjitha sa më sipër, më shtynë t’i rikthehem nga një këndvështrim tjetër, sërish temës “Kim Philby”, veprimtarisë së të cilit dikur, ish-kryeministri karizmatik britanik, Tony Blair, iu kishte referuar, duke theksuar se: “Dështimi i aksioneve britanike në Shqipërinë e viteve ’50-të, renditet si njëri ndër dështimet më emblematike të shërbimeve të fshehta britanike të shekullit të shkuar”. Më poshtë artikulli i plotë:
“Dëmi që Philby shkaktoi gjatë veprimtarisë së tij dyvjeçare në Uashington, nuk duhet nënvlerësuar. Katastrofa më e madhe, të cilën duhet ta llogarisim në konton e bëmave të Philbyt, është pa dyshim, fiaskoja shqiptare. Çështja “Volkov” në vitin 1945 mundi të korrigjohej me masa të shpejta, gjakftohtësi e me një “operim kirurgjikal”. “Fiaskoja shqiptare” – e cila do të niste të gatuhej pesë vjet më vonë – përkundrazi, ishte në tërësi një çështje që kushtoi shumë më tepër viktima e hëngri shumë kohë përgatitjeje.
Operacioni “Shqipëria”, ndodhi në një kohë kur Lufta e Ftohtë kishte arritur tashmë kulmin e vet. Ajo ishte një përpjekje e Anglisë dhe e Amerikës, për të penguar ndikimin sovjetik në Shqipëri, me ndihmën e një kryengritjeje popullore me luftë guerile. Për 17 vjet me radhë, ky aksion i pafat, mbeti si njëri ndër sekretet më të mirë ruajtura nga të dyja palët, në konfliktin që ka sjellë Lufta e Ftohtë. Për Perëndimin, kjo ndërmarrje do të thoshte një katastrofë, e cila u kushtoi jetën rreth 150 njerëzve. Për rusët, ishte një shfaqje triumfi mbi fenomene, të cilat mund të përsëriteshin gjetkë, në kufijtë e perandorisë së tyre.
Zona e pasigurt e kontrollit sovjetik në vitin 1949, tashmë e kishte emrin “Ballkan”. Në Greqi, rebelët komunistë ndodheshin në prag të greminës, Jugosllavia ishte prishur ndërkohë me Rusinë. Madje, edhe Shqipëria vlerësohej si jo fort e besueshme në lëvizjet e saj prej tyre. Qysh nga fundi i luftës në Shqipëri, rolin udhëheqës e kishin luajtur komunistët jugosllavë; tashmë ishin rusët, ata të cilët, për shkak të prishjes së Titos me Stalinin, nisën të dërgonin këshilltarët e vet në Tiranë.
Në këtë pikë të zhvillimeve, Foreign Office dhe State Department, erdhën në të njëjtin përfundim: Pse s’mund ta luftonim dot së bashku – me ndihmën e nacionalizmit shqiptar – ndikimin rus në atë vend? – Ministri i Jashtëm britanik, Ernest Bevin, fillimisht ishte i vendosur kundër propozimeve të tilla. Por në Foreign Office, kishte edhe një grup “të pabindurish” këmbëngulës, që rrihnin në të njëjtën pikë: organizimin e lëvizjeve kryengritëse antisovjetike, praktikisht në të gjitha vendet e Lindjes evropiane, të marra nga sovjetikët. Kjo ide u përkrah veçanërisht nga njerëzit e ndjeshëm të 515-ës, para së gjithash, nga specialistët e moçëm të sabotazhit në rajonin e Evropës Juglindore, duke ndjekur devizën: “Politika është vazhdimi i luftës, me mjete të tjera – apo ndoshta edhe me mjete të njëjta”.
Me ç’duket, grupi i përbërë nga njerëz e nëpunës të Foreign Office dhe specialistë të SIS-it, ranë shpejt dakord të vepronin së bashku me “shqiponjat” në Departamentin Amerikan të Shtetit. Bevin arriti të bindej për të lejuar ndërmarrjen e një “eksperimenti të nëndheshëm”; grupet e guerilasve antikomunistë duhej të depërtonin në Shqipëri, për të nxitur kryengritjet antisovjetike dhe për të mbështetur elementët që mund të luftonin nga brenda. Përgjegjës për koordinimin e aksioneve të fshehta britanike dhe amerikane, ishte natyrisht njeriu ndërlidhës britanik në Uashington, Kim Philby. Ngaqë ai më parë kishte mbuluar në detyrë Turqinë, duke mbledhur kësisoj shumë përvojë, këshillat e tij u vlerësuan tej mase në planifikimin e aksioneve të fshehta.
Operacioni në fakt u përgatit shumë mirë. Qysh në verë të vitit 1949, u themelua një i ashtuquajtur “Komiteti për Shqipërinë e Lirë”, i cili bazën mbështetëse operative, e kishte në Itali e që në atë moment, nuk ishte gjë tjetër, veçse një organizatë e ngritur me synimin për të rekrutuar luftëtarë guerilas. Në pranverë të vitit 1950, këta guerilas ishin tashmë gati për aksion. Në grupe të vogla, fillimisht, e pastaj të mëdha, ata u futën nëpër zona malore dhe kaluan në mënyrë ilegale kufirin shqiptar. Depërtuan fillimisht në vendet e tyre të njohura më parë dhe u përpoqën të provokonin edhe trazira atje. Nëse afrohej rreziku, ata tërhiqeshin sërish në male.
Ndërmarrja në fjalë, gjithsesi, përfundoi në një katastrofë të vërtetë. Rusët dukej se dinin çdo gjë qysh më parë, me saktësi, duke pritur që guerilasit të parashutonin apo të zbarkonin në vendet e paracaktuara. Brenda një muaji, ishin rreth 150 luftëtarë guerilas – thuajse gjyma e gjithë trupës – të vrarë apo të kapur rob, e po kështu, një numër i madh shqiptarësh vendas, të cilët u treguan të gatshëm e të pakujdesshëm për të pritur e strehuar guerilasit.
150 të mbijetuarit u larguan drejt Greqisë – duke u bërë kësisoj edhe sikleti i radhës për qeverinë greke. Në Londër SIS-i u desh ta fuste në presion Ministrinë e Brendshme, për t’u siguruar 150 shqiptarëve (që mbartnin plot sekrete) udhëtimin drejt Anglisë. Ministria për Punët Publike, mori përsipër edhe detyrën për të sistemuar shqiptarët me punë. E kësisoj, madje, sektori pyjor atje u dha nga një xhup lëkure e, i punësoi si sharrëtarë kryesisht, kurse pjesa tjetër, u sistemua në një fabrikë municionesh.
Hetimi i kësaj katastrofe u shty, duke marrë shumë kohë për t’u trajtuar e arritur në përfundime. Amerikanët ishin të bindur vetëm përgjysmë, se e gjitha kjo mund të vinte nga një tradhti. Dyshimet dhe evidencat e pakta, tek të cilat ata mund të mbaheshin, shkonin gjithsesi në drejtim të Kim Philbyt. SIS-i në Angli, ndërkohë e përjashtonte në masën më të madhe, versionin “tradhti”, si shkaktarin e katastrofës.
Sot është më se e qartë se përgatitja e “ndërmarrjes shqiptare”, ashtu sikurse edhe shumë informacione të tjera, të cilat ndërkohë u ishin përcjellë nga disa burime shërbimit amerikan e atij britanik, kishin rrjedhur drejt rusëve. Dhe kështu që në Angli, politika e të ashtuquajturës “përzierja pozitive në punët e brendshme”, në vendet e Evropës Lindore, kishte rënë në një mosbesim të thellë dhe gjithashtu edhe në Amerikë, ky lloj politike nuk u mbështet më fare për disa kohë dhe doli nga axhenda. (Revista “Der Spiegel”, 29.1.1968).
Kim Philby, në 1967: “Humba diplomën, por ruajta bindjen”
Kim Philby, lindi në vitin 1912 në Indi, si i biri i një nëpunësi civil dhe gjeologu, John Philby, i cili më vonë u bë i njohur si një studiues i famshëm i botës arabe, duke u konvertuar madje edhe në Islam. Të dy, babai dhe i biri, mund të cilësohen si “rebelë socialë”, të dalë nga Cambridge, universiteti i famshëm britanik. Philby (i vjetri), përpunoi madje një koncept ku ai dëshmonte qartë, se mund të jetonte pa pasur nevojë për shoqërinë humane.
Ndërsa Philby tjetër (i riu) e konvertoi besimin e tij politik në komunizëm, në vitin 1931 dhe jetoi në Moskë, përgjatë gjithë 25 viteve të fundit të jetës së vet, nën shoqërinë e çmuar e të zgjedhur, përtej bashkëjetesës me gruan e tij të ligjshme, rusen Rufina. Në autobiografinë e tij, me titull; “My Silent War” (Lufta ime e heshtur), Kim Philby thotë se ai e braktisi Cambridge-n në vitin 1933: “Me një diplomë në xhep, me besimin se jeta ime duhet t’i përkushtohej plotësisht komunizmit. Qysh prej asaj kohe, unë e humba diplomën (në fakt, mendoj se ajo ndodhet në duart e MI5). Por unë ruajta bindjen time”. Kjo u shkrua në vitin 1967 prej tij, pesë vjet pasi ia doli të arratisej drejt Moskës, për t’i shpëtuar persekutimit e ndëshkimit nga autoritetet britanike, të cilët tashmë e akuzonin atë me prova, për spiunazh.
“Die Zeit”, 1969: Si u zbulua “i treti”, Kim Philby?
Nëse s’do të kishte qenë ai, Shqipëria, që sot partnere e NATO-s. Për Kim Philbyn, janë shkruar ndërkohë dhjetëra artikuj gazete e, shtypur tre libra. E për këtë ka pasur arsye të mjaftueshme: Kim Philby, ishte spiuni më profesionist i Anglisë. Ai ishte më i miri, në një kuptim tragjik për anglezët. Si një nëpunës lider në shërbimin e fshehtë britanik, ai ishte në fakt një agjent i sovjetikëve; dhe ky njeri i Kremlinit, ishte caktuar kokë e këmbë të drejtonte, pra, edhe seksionin e mbrojtjes kundër spiunazhit.
Pra, kjo ndodhi kështu: Aty ishte Kim Philby dhe ai sillej aq idiotësisht, saqë biondja Patricia, sekretarja e oficerit ndërlidhës të mbrojtjes britanike në Stamboll, tashmë kishte arritur ta pikaste dhe e dinte se ai qenkësh një tradhtar! Aty gjendeshin shpesh edhe “burra me mustaqe”, nga vendi i “skipetarëve”, të Karl May-it, dhe nëse ata nuk do të ishin dorëzuar nga Kim Philby para togave të mitralozave, për t’u korrur një nga një, si gruri para draprit, atëherë edhe Shqipëria me siguri, që sot do të ishte një partner i NATO-s.
Dhe ishin para së gjithash Guy Burgess dhe Donald McLean, ata që pinin më shumë uiski sesa Kim Philby dhe kurvëronin, e mos mendoni se e bënin këtë normalisht, me vajza, dhe spiunonin, për kurrkënd tjetër, veçse për rusët; vetëkuptohet, duke rrezikuar ndëshkimin maksimal. Të gjitha këto i bënin, duke qenë të atashuar si diplomatë anglezë. Nëse s’do të kishte qenë vetë Allen Dulles, bosi i shërbimit të fshehtë amerikan, në krye të tij, këta tipa sot e kësaj dite, kushedi se ku do të ishin duke dëfryer në ndonjë cep prostitutash të Londrës Perëndimore, pa iu prekur qimja. Por ngaqë u hezitua për një kohë të gjatë, për t’i arrestuar, ata ia dolën të arratiseshin për në Rusi.
Dhe aty ishte sërish biondja Patricia; ajo ishte këmbyer ndërkohë me ta në një paradhomë të sallonit ku organizoheshin festa luksoze dhe për fat, ishte martuar me një oficer besnik britanik. Për të nuk kishte më asnjë dyshim: Kim Philby ishte “i treti”! Vetëm ai mund t’u kishte siguruar mbrojtje, e ndihmuar në përmbushjen e planit të tyre, Burgessit dhe McLeanit. Në mënyrë të ngjashme, u kishin lindur dyshimet edhe njerëzve të tjerë në Foreign Office, por tashmë ishte vonë. S’kaloi shumë dhe vetë Kim Philby, u dërgoi të fala spiunësh ish-kolegëve të vet nga selia moskovite e shërbimit të fshehtë. Ai tashmë jeton atje si një agjent në pension, ndërsa ka mbushur 57 vjeç. (Gazeta “Die Zeit”, 11.7.1969).
Gazeta “Die Zeit”, 1969: Philby dhe shokët e tij, gjemb nga trëndafili
Në një fragment nga shkrimi i gazetës gjermane, “Die Zeit”, botuar në vitin 1969, hasim edhe në një tjetër vlerësim interesant, rreth asaj çka duhej trajtuar si vërtetë kritike e serioze, në të gjithë këtë histori, përtej faktit se Kim Philby, kishte bërë të dështonte plani “Shqipëria”. “Që Kim Philby paskësh qenë qysh nga viti 1934, agjent i rusëve, që ai ia ka dalë të pengojë një kryengritje antikomuniste në Shqipëri dhe që ai i mbulonte krahët spiunazhit sovjetik në çështjet atomike – në Uashington, kjo e gjitha është e qartë, si drita e diellit”, – shkruhet në artikull, duke vijuar më pas: “…Por jo që të ishte kësisoj edhe fara e një fruti joproduktiv”!
Aludimi është i qartë, për shërbimin e fshehtë britanik e produktet që ai nxirrte, ndërkohë që kishte e ka edhe sot naming, e njërit prej shërbimeve inteligjente më të mira në botë. “Por kjo lidhet edhe me produktin, që mund të sillte në treg, Universiteti po aq i famshëm, Cambridge. Kjo është çështja”, – shkruan “Die Zeit”. Më tej, artikulli thekson: “Tema e vërtetë është këtu, verbëria e një shoqërie të mbyllur, e një klubi të mirëfilltë, për të cilin nuk mund të jetë, ajo çka nuk duhet të jetë. Kim Philby, Guy Burgess dhe Donald McLean, i përkisnin asaj që në tërë kuptimin e fjalës, ia vlen të cilësohet si “Establishment”.
Ata ishin nxënës të Westminster apo të Etonit dhe studentë të Cambridge-it dhe veçanërisht gëzonin namin e të ashtuquajturave “familje të mira angleze”, le të themi, të prera apo të paracaktuara për të punuar në shërbimin e fshehtë apo të shërbenin në diplomaci. Ata nuk i frikësoheshin asnjë testi, apo të bëheshin pre e ndonjë ndëshkimi disiplinor. Madje, dhe vetë ministri i Jashtëm, betohej për Kim Philbyn”. (Gazeta “Die Zeit”, 11.7.1969). Memorie.al