Prof. Dr. Albert Frashëri
Humbja e njeriut, vdekja e tij, ashtë një ngjarje pa kthim e që shpesh herë na fton të meditojmë mbi kuptimin e vërtetë të jetës. Ndër vite kemi mjaft raste të tilla, por jo të gjitha na futin në mendime mbi çfarë ashtë e mirë dhe çfarë ashtë e keqe në këtë kalim vetëtimthi, sa hap e mbyll sytë, që quhet jetë. Disa prej tyre lënë gjurmë të pashlyeshme për mesazhet që jeta e tyre ka shprehur. Një nga këta njerëz të rallë ishte miku ynë Nevruz Çela, që ndrroi jetë në të hyrë të këtij nëntori të brishtë e të trazuar nga pandemia e një virusi tinzar. Jeta e tij, nga një pikëpamje thelbësore, ashtë një monument i një plejade njerëzish që vuajtën, heshtën të nënshtruar fizikisht, por pa tjetërsuar atë që ishte e vyer në ekzistencën e tyre: integritetin moral, botëkuptimin për jetën dhe shoqërinë. Vuajtja fizike nuk arriti ta ndryshojë karakterin, qartësinë dhe idetë e tyre për jetën dhe shoqërinë.
Jeta e Nevruz Çelës sintetizon mrekullisht një përvojë që meriton vëmendjen e atyre, si edhe unë, që kemi përjetuar me Nevruzin të mirën dhe të keqen. Por asnjëri prej miqve të tij nuk e ka vuajtur atë regjim totalitar në masën që njohu miku ynë… por pavarësisht nga kjo ai mbeti i pastër akull, i kthiellët dhe i duruar si askush.
Nevruz Çela lindi ne gusht 1945, nga dy prindër të arsimuar mirë dhe që e deshën demokracinë. I jati, Beqir Çela, u arrestua me grupin e deputetëve që ngritën zërin për rreziqet që po cënonin demokracinë. I pushkatuan të gjithë në 1947. Nëna e tij, Ervehe, dhe motra, Mimika, bashkë me Nevruzin mbetën në një gjëndje të vajtueshme: e jëma, një grua fisnike e jashtëzakonëshme, e humbi punën si mësuese dhe përfundoi në punëra krahu të rënda deri sa doli në pension në vitet ’70. Nevruzi ishte ndër nxënësit më të dalluar të gjimnazit në Durrës. Disa prej tyre erdhën në Fakultetin e Shkencave Natyrore, në degën e matematikës. Në atë kohë të gjithë studentët e degëve matematikë dhe fizikë merrnin një bursë të mjaftueshme për të përballuar studimet. Por disa prej tyre mbetën me gisht në gojë. Mua, Nevruzit dhe pak të tjerëve nuk na u dha bursa. Nuk di, me tha me një sinqeritet të dhimbshëm, nëse do të mund të vazhdoj. E jëma e tij, përkundrazi, e bindi të mos i ndahet studimeve.
Katër vite me sakrificat e mëdha të së jëmës, Vuçi, sikundër e quanim ne miqtë e tij, përfundoi me sukses të plotë dhe u dipllomua në maj të vitit 1967. Në ato vite ai u dashurua me shoqen tonë, studente në matematikë si edhe ne, Vera Juka. Një dashuri e ndaluar si ato mollët e Lulit të vocërr të Migjenit. Por ata të dy i mbikaluan ato vështirësi me arsyen e dashurisë që i bashkoi. Mbarimi i studimeve u solli të papritura të hidhura Nevruzit dhe Verës, që prisnin të fillonin së bashku një jetë mes punës dhe familjes. E papritura ishte aq hidhur për të dy: Nevruzi u përjashtua nga e drejta për të ushtruar profesionin e mësuesit. Vera mësuese ndërsa Nevruzi mekanik në një uzinë të Durrësit, një punë fizikikisht e vështirë me makineri të rënda, që ai e përballoi me dinjtet për 22 vite. Formuan një familje që meritoi respektin e miqve dhe të mbarë qytetit. Ajo familje ishte një shprehje jo vetëm e familjeve Juka dhe Çela, por sidomos e virtyteve vetiake që karakterizonin atë çift. Tre fëmijët e tyre përfunduan me sukses studimet e larta dhe sot punojnë në Shqipëri, Francë dhe Austri. Gjthëçka të mirë që kishin Vera dhe Nevruzi, talente dhe integritet moral, ua trashëguan fëmijëve të tyre. Kjo, ndoshta, mbetet arritja më fisnike e jetës së atij çifti që e jetuan dashurinë e përbashkët për gati 55 vite. Një rast i rallë i koherencës, i afeksionit dhe i virtytit njerëzor.
Në ato vite Nevruzi nuk e humbi interesin për leximet e vazhdueshme dhe nuk e ndau shpresën që një ditë ai regjim do të gremisej. Dhe ashtu ndodhi: një regjim i kalbur që, pa i vënë dorën njeri nga jashtë, u vetëshkatërrua me turp.
Në zgjedhjet e vitit 1992, Durrësi e zgjodhi si Kryetar të Bashkisë e më vonë ai u bë deputet në Kuvendin Popullor. Kjo gjëndja e re, më thoshte ai, më ka krijuar veshtirësi të mëdha: duhet të mbyll sytë përpara veprimeve që, në pikëpamje politike dhe shoqënore nuk i pranoj ose të heq dorë përfundimisht nga jeta aktive e partive. Shumë gabime të politikës së atyre viteve, sollën si pasojë ngjarjet e hidhura e dramatke të vitit 1997. Kjo ishte një nga bindjet e Nevruzit, njeriut që kish njohur mizorinë e një regjimi totalitar, por edhe ecejaket absurde e të gabuara të klasës politike të pas viteve ‘90. Sot politika, më thoshte Nevruzi, pretendon të krijojë një realitet demokratik me metoda që nuk ndritin për aftësi dialogu dhe as për respekt reciprok mes partive të shumta. Partitë, ishte kjo bindja e tij, le të kenë differenca, por po të mos kenë ide të përbashkëta për problemet themelore të kombit, nuk mund ta drejtojnë shtetin kah e ardhmja e tij.
Në ato dhjetë vitet e para të një demokracie me zigzake të vazhdueshme e të çuditëshme, Nevruz Çela ka qënë nga figurat më të rëndësishme të asaj demokracie të re që qytetarët e Durrësit mbështetën dhe që prej saj edhe u zhgënjyen. Në një mënyrë apo në një tjetër, partia demokratike largoi nga radhët e saja njerëzit patriotë e me integritet të lartë moral si Nevruz Çela apo doktori Isan Çabej. Figura të tilla shprehin pamjen më fisnike të kombit tonë. Udhëheqësit e viteve ‘90 vazhdojnë të vegjetojnë kaluar kalit, sikundër pati ndodhur me ofiqarët e Enver Hoxhës. Zhgënjimi i Nevruzit ishe një shprehje domethanëse e pesimizmit të mbarë shqiptarëve.
Nuk ashtë e lehtë të gjesh figura njerëzore që, me jetën e tyre, të dëshmojnë mizorinë e totalitarizmit komunist dhe, nga ana tjetër, të shprehin po ashtu me përvojën pesonale një demokratizim thuajse të komprometuar që ka pak gjasa të arrijë në atë që përbën idealin e kombit. Ky ashtë një pohim i vështirë, por e vërteta na lyp që ta pranojmë.
Thelbi njerëzor dhe filli demokratik i ideve të Nevruz Çelës nuk u tjetërsuan nga dhuna e komunizmit dhe as u gënjyen me këto përpjekje të demokratizimit që nuk u ngrohin zemrën shqiptarëve. Sot, më thoshte Nevruzi, nevoja për të dialoguar, dialektika e ideve në politikën dhe në ekonominë e vendit, i kanë lënë vendin grindjeve pa bereqet mes partive dhe prijsave të tyre. Nevruz Çela kishte shumë nevojë të shihte një horizont drite, një shpresë për të ardhmen e kombit dhe ringjalljen e potencialeve njerëzore të tij. Ai, me siguri, e ka marrë me vete këtë zhgënjim që ua besoi vetëm miqve më të afërt të tij. Mendoj, që kjo figurë e njeriut të ekuilibruar e të ndershëm, të aftë për familjen në krah të shoqes së tij, Vera Juka, të dobishëm për shoqërinë dhe model i thjeshtësisë, përbën një ideal të qytetarit të një realiteti demokratik që ky komb i lashtë do të meritonte./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016