Nga Dashnor Kaloçi
Pjesa e nëntë
Memorie.al / Historia e zgjedhjeve parlamentare në vendin tonë, apo më saktë tentativat për zgjedhje e kanë zanafillën që nga koha e sundimit Osman, kur Shqipëria ishte pjesë e Perandorisë Turke. Një nga deputetët e parë shqiptarë që u zgjodhën për në Parlamentin e parë të Turqisë, i cili hapi punimet në dhjetorin e vitit 1877, ishte Abdyl Frashëri. Por ai parlament nuk pati jetë të gjatë, pasi u prish nga vetë Sulltani, për shkak të fillimit të Luftës Ruso-Turke. Pas prishjes së parlamentit të parë të Turqisë, pati edhe disa tentativa të tjera për zgjedhje, por që të gjitha dështuan për shkaqe të ndryshme. Zgjedhjet e para dhe të rregullta në Shqipëria u mbajtën vetëm në vitin 1908, kur në Turqi erdhën në fuqi xhonturqit. Ato zgjedhje nuk ishin direkte, por me përfaqësim, apo siç janë njohur ndryshe; me zgjedhës të dytë.
Parlamenti i parë i Turqisë u hap më 10 dhjetor të vitit 1908 dhe aty nga 266 deputetë, 27 prej tyre ishin shqiptarë të zgjedhur në katër vilajetet e Shqipërisë. Në atë kohë anëtarët e Komitetit “Bashkim-Përparim”, në Turqi ku bënin pjesë dhe shumë shqiptarë, u ndanë dhe u grupuan në tre grupime politike. Grupimi i parë ishte “Bashkim-Përparim” (partia turko-maqedonase) me 164 deputetë, ku 130 ishin turq, 5 arabë, 1 grek dhe 15 shqiptarë, të cilët kryesoheshin nga Hasan Prishtina, deputet i Kosovës.
Në grupin e dytë që quhej: “Bashkimi-Liberal”, (partia greko-shqiptare) ku bënin pjesë 45 deputetë, kishte 12 shqiptarë të cilët kryesoheshin nga Ismail Qemali. Ndër deputetët e tjerë shqiptarë që kishte asokohe Parlamenti i Turqisë, ishin dhe Esad Pashë Toptani, Nexhip Draga, Rexhep Pashë Mati etj. Pas vitit 1908, pati edhe disa zgjedhje të tjera ku shqiptarët vazhdonin të votonin për përfaqësuesit e tyre në Parlamentin e Turqisë dhe ajo gjë zgjati deri në nëntorin e vitit 1912 kur u shpall Pavarsia dhe Ismail Qemali u zgjodh kryetar i Qeverisë.
Kurse zgjedhjet e para parlamentare në Shqipëri u zhvilluan në pranverën e vitit 1921, pasi deri në atë kohë ato nuk ishin zhvilluar për shkak të Luftës së Parë Botërore, ku ishte përfshirë dhe Shqipëria. Parlamenti i parë Shqiptar u hap më 21 prill të atij viti dhe godina e parë e Parlamentit Shqiptar ka qenë aty ku është sot Akademia e Shkencave dhe në atë parlament morën pjesë 76 deputetë, të cilët u zgjodhën pas një procesi relativisht të rregullt nga nëntë prefekturat e vendit, si: Berati, Durrësi, Elbasani, Gjirokastra, Korça, Kosova, Shkodra, Vlora dhe ajo e kolonisë shqiptare të SHBA-së.
Ashtu si dhe në të kaluarën, ato zgjedhje u bënë me sistem përfaqësimi, apo siç njihen ndryshe me zgjedhës të dytë, ku në bazë të ndarjes territoriale, përfaqësuesit e çdo krahine kishin të drejtë të zgjidhnin deputetin e tyre. Sa më sipër, si dhe një historik të shkurtër të zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri, që nga ajo periudhë e deri në vitin 1991, Memorie.al i ka publikuar në numrat e kaluar, këtu po publikojmë të plotë Statutin Themeltar të Republikës Shqiptare, (Kushtetuta) të vitit 1925, ku pas legjislacionit të zgjedhjeve parlamentare të asaj kohe, si dhe rregullorja e Parlamentit, me të drejtat e detyrat e deputetëve, një vend të veçantë zë edhe Kodi Penal, gjë të cilat janë botuar nga Shtypshkronja “NIKAJ”, në vitin 1925.
Statuti themeltar i Republikës Shqiptare (1925)
(Tiranë, Shtypshkronja “Nikaj” 1925)
Kodi Penal 1928
Libri i Parë
LIBRI I DYTË
Deliktet
KAPTINA V
Deliktet kundra padhunësisë të së mshehtave
NENI 175. – Kushdo që çel pa të drejtë një letër, një telegram ose një plik të mbyllun që nuk i asht drejtue atij, ose pa të drejtë shtjè në dorë një korrespondencë epistolare ose telegrafike të tjetrit, të pa mbyllun, me qëllim që të marrë dijeni mbi përmbajtjen e tyne, ndëshkohet me burgim të randë deri në pesëmbëdhjet ditë, ose me gjoba të randë nga pesëdhjetë, deri në njëmijë e pesëqind fr. ari.
Në qoftë se fajtori, tue përhap përmbajtjen shkakton ndonjë dam, ndëshkimi asht me burgim të randë nga një muej, deri në tre vjet, ose me gjobë të randë nga njëqind deri në tremijë fr. ari.
NENI 176. – Kushdo që pa të drejtë, prish ose çduk një korrespondencë epistolare, ose telegrafike, që nuk i asht drejtue atij, dhe sikur të mos t’a ketë çelun tue qënë e mbyllun, ndëshkohet me burgim të randë deri një vit, ose me gjobë të randë nga njëqind deri në tremijë fr.ari.
Në qoftë se vepra shkakton dam, burgimi i randë asht jo ma pak se tre muej, gjoba e randë jo ma pak se pesëqind fr. ari.
NENI 177. – Kushdo që, tue pasun në dorë një korrespondencë epistolare ose telegrafike të drejtueeme atij ose jo, e cila nuk duhej përhapun, e ban të dijtun përmbajtjen pa të drejtë në rast që vepra mund të shkaktojë ndonjë dam, ndëshkohet me gjobë të randë nga njëqint deri në dymijë fr. ari.
NENI 178. – Kushdo që, tue qënë në shërbim të postavet, të telegrafavet, ose të telefoneve, dhe tue abuzue atë cilësie, ven në dorë një letër, një plik, telegram ose të tjera korrespondenca jo të mbylluna, ose i hap tue qënë të mbylluna, me qëllim që të marrë dijeni mbi përmbajtjen, ose i dorëzon, ose ban të dituna qenjen dhe përmbajtjen e tyne, në persona që nuk janë destinatarët ose përhap fjalime telegrafike ose telefonike, ndëshkohet me burgim të randë, nga një deri në tridhet muej.
Po me këtë ndëshkim, dënohet dhe ay i cili, tue qënë në shërbim të postave, të telegrafëve, telefoneve, dhe tue abuzue atë cilësië, prish ose çduk një korrespondencë epistolare ose telegrafike.
Në qoftë se ndonjana nga veprat e parapame në këtë nen shkakton dam, burgimi i randë asht nga gjashtë muej, deri në katër vjet, tue i u shtue dhe gjoba e randë nga njëqint deri në pesë mijë fr. ari.
NENI 179. – Kushdo që me shkakun e cilësiës, të funksionit, të profesionit, ose të mjeshtriës së tij, tue pasun dijeni mbi një të msheftë, e cila po të përhapet mund të shkaktoj dam, e zbulon atë të msheftë pa ndonjë shkak të arësyeshme, ndeshkohet me burgim, deri në një muej ose, me gjobë të randë nga pesdhet deri në njëmijë fr. ari, dhe në qoftë se dami ngjan, ndeshkimi me gjobë nuk mund t’jetë ma pak se treqint fr. ari.
NENI 180. – Për deliktet e parapame në nenet 175, 176, 177, 179, ndjekjet bahen mbi kërkimin e anës së damtueme, kurdoherë që vepra nuk ka shkaktue një dam publik.
KAPTINA VI
Delikte kundra liriës së punës
NENI 181. – Kushdo që me violencë ose me frikësim, përkufizon ose ndalon me ç’do mënyrë lirin’ e industrisë, ose të tregëtisë, ndeshkohet me burgim deri në njëzet muej dhe me gjobë të randë, nga njëqint, deri në tremijë fr. ari.
NENI 182. – Kushdo që me violencë ose me frikësim shkakton ose ban të vazhdojë një pushim ose pezullim të punës, për m’i u imponue puntorëve ose patronve ose sipërmarrësit paksim ose shtim të mëditjes (salarie), ose lidhje të ndryshme nga ato që janë kontraktuë ma parë midis puntorve dhe patronit ose sipërmarrësit, ndeshkohet me burgim deri në njëzet muej.
NENI 183. – Kur në fajet e parapame në nenet masipërmë ndodhin mbrënda kryetarë ose kryeshkaktarë, ndeshkimi për këta asht burgim, nga tre muej deri në tre vjet, dhe gjoba e randë nga pesqint deri në pesmijë fr. ari.
TITULLI III
Delikte kundra administrasionit publik
KAPTINA I
Spekulimi i nëpunsave
NENI 184. – Nëpunsi i Shtetit i cili, heq, fsheh ose përvetson të holla ose të tjera sende të lujtëshme, të cilave për shkak të nëpunësiës ka administrimin, ruejtjen ose mbledhjen, ndeshkohet me ndalim të përhershëm nga ofiqet publike, me burgim të randë nga një deri në dhjet vjet dhe me gjobë të randë, jo ma pak se treqint fr. ari.
Në qoftë se fajtori çdamton plotësisht të damtuemin para se të dërgohet në gjyq, ose dam i shkaktuem asht i lehtë, ndeshkimi, asht me burgim të randë nga gjashtë muej deri në pesë vjet, me gjobë të randë jo ma pak se dyqint fr. ari dhe me ndalim të përkohëshme nga ofiqet publike.
NENI 185. – Kur fajtori, me qëllim që të mbuloj fajin e parapamë në nenin e masipërmë, ka veprue tuë mbajtun rradhorët e librat postafat pa rregull ose tue ba llogarina e billanqa të rrema, ose tue tregue rradhorë, dokumenta e libra të rrema, ose tue çfaqë gjëndjen e grupave, qeseve ose të pakove me të holla, jashtë së vërtetës ose tue ba dhelpërina dhe dinakërina q’i sigurojnë mos daljen në shesh të fajit tij, ndeshkohet me burgim të randë, nga pesë deri në dhjet vjet, me ndalim të përhershëme nga ofiqet publike, dhe me gjobë të randë baras me shumën e abuzueme.
Në rastin e pikës të masipërme, në qoftë se dami asht i vogël ose fajtori ka shpërblye plotësisht këtë dam, para se të dërgohet në gjyq, ndalimi nga ofiqet publike asht i përkohëshëm, dhe burgimit të randë, i zbritet gjysma deri në dy të tretat.
NENI 186. – Nëpunësi i Shtetit q’asht i detyruem me kontrollimin ose inspektimin e pasunive të lujtëshme të Shtetit, në qoftë se neglizhon në të kryemit e detyrës, dhe shkakton në këtë mënyrë të debitohet Shteti, ose të shtohet debiti, ndeshkohet me gjobë të randë, nga treqint deri në dymijë fr. ari.
NENI 187. – Nëpunësi i Shtetit q’asht i ngarkuem me blè, me shit, ose me i prokuruë Shtetit, ç’do lloj sende, në qoftë se deturnon në shitblemjen, ose në vleftën, ose në sasiën ose në fabrikimin e këtyne, tue përdor dhelpëninat, ndeshkohet me burgim të randë jo ma pak se tre muej dhe jo ma tepër se tre vjet, dhe me ndalim nga nënpunësia për një kohë nga tre deri në dhjet vjet.
NENI 188. – Nëpunësi i Shtetit, që nuk i paguen punëtorëve, të cilët i përdor për llogari të Zyrës, pagat, siç janë caktue për punë ose për transportim, ose i u a paguan të mangët, ose pa të drejt i përdorë për punë vetiake, ndeshkohet me burgim të randë nga një muej deri në dy vjet, dhe me gjobë të randë, baras me dy fishen e shumës që ka përfitue nga ky abuzim.
Veçanërisht detyrohet m’i u paguë t’interesuëmve të drejtat e tyne.
NENI 189. – Nëpunësi i Shtetit, që tue përdor nëpunësa ma pak se numuri i caktuem në kadron e zyrës, merr rrogat ose pagat e numërit që mungon, si dhe ay që heq nënpunësa krejt nga shërbimet origjinale dhe i vën në punërat vetiake tue i tregue mbrënda kuadros t’asaj zyre, ndeshkohet me burgim të randë, nga tre muej, deri në tre vjet dhe gjobë të randë, baras me shumën e marrun, tue u detyrse dhe me kthimin e të hollavet që ka abuzue.
Në qoftë se heqja e nëpunësit origjinal, dhe përdorimi i tij në punërat vetiake asht ba vetëm për një kohë të shkurtë, ndeshkimi asht me burgim deri në tre muej ose me gjobë të randë nga njëqint deri në njëmijë fr. ari.
KAPTINA II
Dhuntim (concussion)
NENI 190. – Nëpunësi i Shtetit i cili, tue abuzue nëpunësinë e vet shtrëngon një tjetër që t’i apë ose t’i zotohet pa qënë i detyruem atij ose një të treti, të holla ose të tjera përfitime, ndeshkohet me burgim të randë, nga dy deri në pesë vjet, dhe me gjobë të randë, jo ma pak se treqint fr. ari, dhe me ndalim nga ofiqet publike, për një kohë nga tre deri në pesë vjet.
Në qoftë se shuma ose përfitimi i dhanun ose i zotuëm pa të drejtë, ka një vleftë të vogël, ndalimi i përkohëshëm dhe burgimi i randë asht nga një deri në tre vjet.
NENI 191. – Nëpunësi i Shtetit që, tue abuzue nëpunësinë e vetë, bindë një tjetër që t’i apë ose t’i zotohet atij, ose një të treti, pa të drejtë, të holla ose të tjera përfitime, ndeshkohet me burgim të randë, nga një deri tre vjet, dhe me gjobë të randë, nga njëqint deri në pesëmijë fr. ari, dhe me ndalim të përkohëshmë nga ofiqet publike.
Në qoftë se nëpunësi, tue përfitue vetëm nga gabimi ose nga pa dijenija e tjetrit, merr një send të cilin ligjërisht nuk duhet t’a marrë, burgimi i randë asht nga gjashtë muej deri në dy vjet, dhe gjoba e randë nga njëqint deri në dymijë fr. ari, tue i u shtue dhe ndalimi i përkohëshëm nga ofiqet publike.
Në qoftë se shuma ose vlera e përfitimit të dhanun ose të zotuem pa të drejtë asht i vogël, ndeshkimi me burgim të randë dhe ay me ndalim nga ofiqet publike asht në rastin e parë, nga tre muej deri në dy vjet, dhe në rastin e dytë, nga një muej deri në një vit.
KAPTINA III
Mitë
NENI 192. – Nëpunësi i Shtetit, që për me ba një vepër të nëpunësisë të tij, q’ishte i detyrumun t’a bajë, ose për me mos ba një vepër po të nëpunësisë së tij, të cilën ishte i detyrumun t’a bajë, ose për me mos ba një vepër po të nëpunësisë së tij, të cilën ishte i detyrumun mos t’a bajë, merr, për vehte, ose për tjetrin, në të holla ose në të tjera përfitime, një darovi (retribution), që nuk ka të drejtë t’a marrë, ose pranon zotime për asilloj darovina, ndeshkohet me burgim të randë deri në një vit, me ndalim të përkohëshme nga ofiqet publike dhe me gjobë të randë nga pesëdhjetë deri në tremijë fr. ari.
NENI 193. – Nëpunësi i Shtetit që merr ose që ban t’i zotohen të holla, ose të tjera tjera përfitime për vehte ose për të tjerët, për me vonue ose për me ometue një vepër të nëpunësisë të tij, ose për me ba një vepër kundra detyrave t’asajë nëpunësie, ndeshkohet me burgim të randë, nga gjashtë muej deri në pesë vjet, me ndalim të përherëshme nga ofiqet publike dhe me gjobë të randë, nga njëqint deri në gjashtë mijë fr. ari.
NENI 194. – Për fajin’ e parapamë në nenin e ma sipërmë, për veç ndalimit të përkohëshëmë nga ofiqet publike dhe gjobës së randë të tregueme n’atë nen, ndeshkimi me burgim të randë asht, tre deri në dhjet vjet, në qoftë se vepra ka pasun për efekt:
Të dhanunit të një nëpunësie, rroge, pensioni, titulli nderi, ose të lidhunit e një kontratoje në të cilat interesohet Zyra nga e cila varet ay;
Favorizimin ose damtimin në një ane ose të të pandehunit në çështje civile ose penale.
Në qoftë se vepra ka pasun për efekt të dhanuit e një vendim dënimi me ndeshkim kundra lirisë personale për ma tepër se një vit, burgimi i randë asht nga pesë deri në pesëmbëdhjet vjet, dhe gjoba e randë mund të zgjatet der në maximumin.
Në rast që efekti i nalt-përmandun asht një dënim me vdekje q’asht eksekutuem, burgim’i randë nuk mund të jetë pak se pesëmbëdhjet vjet.
NENI 195. – Nëpunësi i Shtetit që, passi ka kryem një vepër të nëpunësisë vet dhe pa qënë marrun vesht që ma parë, mer, për atë vepër, qoftë për vehtë, qoftë për tjetër, në të holla ose në të tjera përfitime, një retribusion që nuk ka të drejtë t’a marrë ose pranon po n’atë mënyrë zotime për asilloj darovina, ndeshkohet me burgim deri në tre muej dhe me gjobë të randë nga pesëdhet deri në njëmijë fr. ari, tue u ndalue përkohësisht dhe nga ofiqet publike.
NENI 196. – Kushdo që i ep mite, ose bind një nëpunës të Shtetit për me krye ndonjanin nga deliktet e parapame në nenet e ma sipërmë, si dhe ay që ndërmjetson në një mite, ndeshkohet në rastin e nenit 193, me burgim nga një deri në gjashtë muej, dhe me gjobë të randë, nga pesëdhet, deri në dymijë fr. ari, dhe me ndalim të përkohshëm nga ofiqet publike, dhe në rastet e tjera, ndeshkohet me gjysmën e dënimeve të caktueme për atë qi merr miten.
NENI 197. – Nuk ndeshkohet:
Nëpunësi i Shtetit, i cili për mitën të zotuem ose të marrun prej tij, lajmëron Autoritetin kompetent mbrënda tre ditve ç’prej ditës të zotimit, ose së marrjes së mitës tue dorëzue dhe të hollat ose sendent që ka marrun.
Ay që, tue kthyem nga zotimi ose dhanja e mitës q’i ka ba një nëpunësi të Shtetit, lajmëron Autoritetin kompetent mbrënda tre ditve, ç’prej ditës që ka ba zotimin ose që ka dhanë mitën.
Në të gjitha këto raste për mos ndeshkimin e fajtorit duhet që të mos jetë kryem, qoftë dhe pjesërisht, vepra për të cilën asht marrë ose pranue ose dhanë ose zotue mita, dhe të mos jetë shkakëtue as ndo një dam tjatër publik ose privat.
NENI 198. – Në rastet e parapame në këtë kaptinë, mitë-marrësi që me gjithse e kishte në dorë t’a mbaronte veprën për të cilën ka marrë mitën, ose i asht ba zotimi, me dashjen e vet nuk e kryen atë vepër, ndeshkimit, të caktuem prej ligjës, zbritet një e treta deri në gjysmën.
NENI 199. – Në të gjithë rastet e parapame në nenet e ma sipërmë, konfiskohet sendi i dhanue si mitë.
KAPTINA IV
Abuzim autoriteti dhe shkelje e detyrave të lidhuna me nëpunësiën
NENI 200. – Nëpunësi i Shtetit që tue abuzue nëpunësin e vet, urdhënon ose ban kundra së drejtave të tjetrit, ç’do lloj vepre arbitrare e cila nuk asht parapae prej ndonjë dispozite të posaçme të ligjës si faj, ndeshkohet me burgim, nga pesëmbëdhjet dit, deri në një vit, dhe në qoftë se këto vepra i ka ba me një qëllim privat, ndeshkimit i shtohet një e gjashta, tue u vumë, në vënd të burgimit, burgim i randë.
Po me këtë denim, ndeshkohet dhe ay nëpunës që n’ushtrimin e funksionit të vet, eksiton tjetrin të shkeli ligjën ose masat e marruna prej Autoritetit.
NENI 201. – Nëpunësi i Shtetit që, drejt për së drejtë ose me ndërmjetsin’ e ndonjë tjetri, ose me vepra simulare, i siguron vehtes një interesë private, në ç’do lloj vepër t’administrasionit publik, pranë të cilit ushtron nëpunësiën e vet, në qoftë se vepra e tij nuk formon një faj nga ato të parapame në nenet 187, 188 dhe 189, ndeshkohet me burgim të randë nga një muej deri në pesë vjet dhe me gjobë të randë, nga njëqint, deri në pesëmijë fr. ari.
NENI 202. – Nëpunësi i Shtetit që ban të dijtuna ose përhap dokumenta ose fakte që i ka në dorë ose i din, me shkakun e nëpunsisë, dhe që duhen të mbeten të mshehta, ose me çdo mënyrë lehtëson që këto të merren vesht, në qoftë se dokumentat ose faktet në fjalë nuk janë nga ato që përmbidhen në kaptinën I-rë të Titullit I dhe në kaptinën V të Titullit II, ndeshkohet me burgim deri në tridhjet muej, dhe me gjobë të randë jo ma pak se njëqint fr. ari.
NENI 203. – Nëpunësi i Shtetit që, për ç’do lloj pretekst, qoftë dhe për heshtjen, errësinën, kundrathanjen ose pa mjaftësin’e ligjës, ometon ose refuzon të bajë një vepër të nëpunësisë vet, ndeshkohet me gjobë të randë, nga pesëdhjet, deri në njëmijë e pesqint fr. ari.
Në qoftë se delikti asht ba nga dy ose ma shumë nëpunësa të marruna vesht që ma parë, gjoba e randë asht që nga njëqint deri në tremijë fr. ari.
Në qoftë se nëpunësi i Shtetit, asht i degës së Gjyqsies, për m’u konsiderue si i atillë faj omisioni, ose refuzimi, duhet që t’eksistojnë gjithë konditat që kërkon ligja, për të ngrehur padië civile kundra tij. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm