Nga Dashnor Kaloçi
Pjesa e katër
Memorie.al/ publikon disa dokumente arkivore, të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSh-së), ku ndodhet edhe arkivi personal i ish-udhëheqësit të Shqipërisë komuniste, Enver Hoxha, i cili në ditarin e tij politik, që i përket një periudhe të gjatë kohe, duke filluar nga maji i vitit 1967, e deri në dhjetorin e 1983-it, ai ka mbajtur shënime për ngjarjet e Lindjes së Mesme, si; konflikti i gjatë Izrael-Palestinë, luftërat e vazhdueshme ndërmjet Izraelit dhe vendeve arabe, luftën gjashtë ditore në vitin 1967, ku Izraeli mposhti Egjiptin dhe koalicionin e vendeve arabe, e pushtoi lartësitë Golan, luftën e Yom Kippurit në vitin 1973, ku sërish Izraeli, pasi mposhti koalicionin e vendeve arabe, (Egjipti, Algjeria, Siria, Iraku, Jordania, Jemeni, Libani, Maroku, etj.) pushtoi gadishullin e Sinait, të cilin e dorëzoi në vitin 1979, bllokimin e mbylljen e Kanalit të Suezit, (ku Shqipëria kishte interesa jetike, për shkak të ndihmave që i vinin nga Kina në rrugë detare), e deri luftën civile në Liban, në fillimin e viteve ’80-të, etj. Çfarë shkruante diktatori i Shqipërisë komuniste, Enver Hoxha, në ditarin e tij politik ku ka bërë analiza, dhe cili ishte qëndrimi i Tiranës zyrtare, për konfliktin ndërmjet Izraelit dhe vendeve arabe, si dhe shteteve të ndryshme që i mbështesin ata, si; Bashkimi Sovjetik, SHBA-ës, Britania e Madhe, Republika Popullore e Kinës, Republika Federative e Jugosllavisë, etj.?! A ishte i vërtetë informacioni që kishte Enver Hoxha në qershorin e vitit 1967, sipas të cilit, Moska zyrtare, do i ofronte ndihmë Egjiptit, duke sjellë Flotën e saj Ushtarake Detare në Mesdhe, në rast se Tirana zyrtare, do pranonte që anijet sovjetike, të ankoroheshin në portet e Durrësit, Vlorës, Shëngjinit etj., apo ajo ishte një paranojë e Hoxhës, gjë e cila bëri që Ushtria Shqiptare, të kalonte në gatishmëri luftarake nr. 1, madje duke mobilizuar edhe forcat rezerviste e ato të çetave vullnetare?! Lidhur me këtë, etj., na njeh ditari politik i ish-udhëheqësit kryesor të Shqipërisë komuniste, i cili do publikohet në disa numra nga Memorie.al
E MËRKURE, 29 KORRIK 1970
NE KEMI SIMPATI DHE RESPEKT PËR POPULLIN ARAB TË PALESTINES
Këto ditë vjen te ne për vizitë zyrtare, një delegacion i Lëvizjes për çlirimin kombëtar të Palestinës, “Al Fatah”. Dërgimin e këtij delegacioni, e kërkoi në ambasadën tonë të Kajros, vetë Jaser Arafati. Ne kemi simpati dhe respekt për popullin arab të Palestinës, pse është një popull i mjeruar dhe trim. Ai është i vetmi popull arab, që lufton aktualisht në të katër anët e kufijve të Izraelit, kurse udhëheqësit arabë, që nga ata të Egjiptit dhe deri tek ata të Libanit, bëjnë llafe, mbajnë konferenca, përgatiten…për kompromise etj. Palestinezët, të dëbuar nga tokat e tyre, nga qeveria kolonialiste angleze, nga OKB-ja, në favor të Izraelit, rrojnë në çadra e në mjerim të madh në kampe, në Jordani, në Liban, në Siri e gjetkë.
Agresioni i fundit izraelit, bëri që refugjatët palestinezë të shtohen. Atëherë rruga e vetme e shpëtimit për ta, mbeti ajo e luftës partizane. Dhe ia filluan asaj, duke goditur izraelitët agresorë, si nga jashtë, nga Jordania, nga Siria, nga Libani dhe brenda, në territorin e pushtuar nga Izraeli. Kështu që çështja palestineze, në sajë të luftës së palestinezëve, u bë një problem i rëndësishëm kombëtar dhe ndërkombëtar, problem që miqtë dhe armiqtë e popullit palestinez, duhet ta kenë parasysh dhe nuk mund të mos e llogaritin. Organizata “Al Fatah” me gjithë prirjet nacionaliste, është demokrate përparimtare dhe më e madhja e më e fuqishmja organizatë, që ka një vijë të drejtë, të luftës revolucionare, për çlirimin e Palestinës, për shkatërrimin e shtetit të Izraelit, të alambikuar nga sionizmi ndërkombëtar dhe të mbështetur nga imperialistët.
Kjo organizatë, nuk është kundër masave të popullsisë çifute, të cilat ajo në programin e saj, i pranon si qytetarë të shtetit të ri të Palestinës, këtë herë arab, që duhet të zëvendësojë shtetin e Izraelit. Por klikat në fuqi, në vendet arabe, edhe pse e heqin veten pro luftës së palestinezëve, nuk e shohin me sy të mirë këtë lëvizje të rezistencës dhe, në pamundësi ta likuidojnë, dëshirojnë ta kenë nën kontroll. Rezistenca e palestinezëve, është bërë për këto klika, një pengesë serioze politike dhe ushtarake. Këto klika, janë të detyruara ta llogaritin atë. Mbreti i Jordanisë, spiun i anglezëve, dy-tri herë u orvat t’i likuidonte partizanët palestinezë, të cilët janë më të fortë nga ky Mbret i shitur. Në këto momente të rrezikshme për gueriljet palestineze, këto duhet ta rrëzojnë atë dhe të marrin fuqinë në Jordani, për të vazhduar luftën kundër Izraelit dhe imperializmit amerikan.
Sovjetikët dhe amerikanët, po bëjnë ligjin në Lindjen e Mesme. Naseri është bërë shërbëtor i sovjetikëve dhe bën si i diktojnë ata. Hysejni i Jordanisë, e ka në gjak vetë tradhtinë, sirianët bëjnë sikur janë ca “të shqetësuar”, kurse libanezët, shiten çdo ditë për dollarë. Naseri në vija të trasha, pranoi të diskutojë “Planin Roxhers”, që do të thotë të hyjë në bisedime, në kompromise dhe, më në fund, “të bëhet paqja”, aq shumë e dëshiruar nga Izraeli, në favorin e tij dhe të padronit amerikan dhe në disfavor të popujve arabë, e veçanërisht të popullit palestinez, kundër të cilit do të fillojnë më vonë, goditjet e egra të xhandarëve të klikave që janë në fuqi, të shitura te të huajt. Me nënshkrimin e “paqes”, sovjetikët do ta kthejnë këtë në një “fitore kolosale”, për veten e tyre. Ata do të qëndrojnë dhe do të dominojnë në Egjipt. Naseri, do të vazhdojë të jetë njeriu i tyre. Portet egjiptiane, do të bëhen portet e tyre për flotën sovjetike të Mesdheut, të cilën e nxorën me këtë rast nga Deti i Zi.
Që nga Mesdheu, revizionistët sovjetikë, mendojnë të zgjerojnë, në “mënyrë paqësore”, kolonitë e tyre në Afrikë, për të kaluar detet dhe për të arritur këndej në Indi. Ata ëndërrojnë të realizojnë kështu perandorinë e Aleksandrit të Madh, duke zaptuar popujt, nga toka dhe nga deti, me kërcënimin e armëve, me rubla dhe me demagogjinë e një socializmi të falsifikuar. “Paqja sovjeto-amerikane”, në Lindjen e Mesme, është një disfatë për popujt arabë, në përgjithësi, dhe një pengesë e madhe për popullin palestinez, në veçanti. Kjo lloj “paqeje”, është një fitore për imperialistët sovjeto-amerikanë në përgjithësi dhe për Izraelin në veçanti. Për popullin palestinez do të ngjasë, siç ngjau para Luftës së Parë Botërore, me Shqipërinë.
Siç dihet atëherë, pjesë të mëdha të Shqipërisë, u ndanë nga imperialistët e Evropës, në mes Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë dhe, mbasi e copëtuan atdheun tonë, mirë e mire, në Konferencën e Londrës dhe me traktate të fshehta, Sazanovi, ministri i Carit, për të kënaqur më tej oreksin e Car Nikollës së Malit të Zi, kërkoi që t’i akordohej këtij edhe qyteti i Shkodrës. Me këtë rast, një nga ujqit e tjerë, përfaqësuesi i imperializmit francez, tha një fjalë, që mbeti në histori: “Sazanovi kërkon t’i vërë zjarrin Evropës, për të pjekur një omëletë për Malin e Zi”. Kështu do të veprojnë e do të thonë edhe qentë imperialistë amerikanë dhe revizionistë sovjetikë, kur të vijë çështja e të drejtave territoriale të popullit heroik palestinez. Vetëm lufta me armë, deri në fitore, i qëron hesapet me ujqit që u turren popujve.
VLORË, E HENE 3 GUSHT 1970
TAKIM ME DELEGACIONIN E –“AL FATAHUT”
Prita sot këtu delegacionin e lëvizjes për çlirimin kombëtar të Palestinës, “Al Fatah”.
E HENE, 21 SHTATOR 1970
KOMPLOT I MADH KUNDËR POPULLIT PALESTINEZ DHE REVOLUCIONIT TE POPUJVE ARABË
Ngjarjet në Lindjen e Afërt, ngjasin dhe zhvillohen ashtu siç bisedova me delegacionin e “Al Fatahut” kur e prita në Vlorë. Mbreti Hysejn i Jordanisë, agjent i amerikano-anglezëve, po përgatit grushtin dhe po godet partizanët palestinezë. Ai është i njohur si këlysh i anglezëve, i sjellë tok me babën e tij, Abdullahun dhe me vëllezërit e tjerë, nga fundi i fiseve të Gadishullit Arabik, nga Lavrensi dhe Alenbia dhe i vënë në krye të mbretërive arabike, për t’i pasur çifligje të tyre. Është e qartë se sovjetikët, Naseri, Hysejni, kanë qenë dakord që të pushohej lufta me Izraelin, ishin dakord me amerikanët dhe me “Planin Roxhers”, se duhej vënë në fre dhe duhej shtypur rezistenca e palestinezëve. Shtypjen e palestinezëve, e morën përsipër Naseri, Hysejni dhe sovjetikët. Burgjet dhe fushat e përqendrimit të Naserit, u mbushën me palestinezë, Hysejni u orvat disa here, për çarmatimin e tyre, por më kot.
Sovjetikët, bënin presion të fortë mbi ta, mbi algjerianët, sirianët, irakianët. Atëherë u kurdis provokacioni i kthimit piratesk, të disa avionëve, nga njerëzit e Habashit, fraksioni i rezistencës palestineze. Ky ishte një provokacion i kurdisur nga CIA dhe nga agjentura e amerikano-anglezëve, për t’i dhënë gjoja një atu në dorë, agjentit të tyre Hysejn, që të godiste. Dhe ai goditi forcat e rezistencës palestineze, në Aman dhe kudo ku ato janë përqendruar, në Jordani. Mbreti i poshtër, lëshoi tanket mbi palestinezët. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, lëvizën Flotën e 6-të, drejt brigjeve të Sirisë dhe kërcënojnë për ndërhyrje të armatosur, në mbrojtje të mbretit Hysejn, në rast se sirianët, vazhdojnë të ndihmojnë vëllezërit palestinezë, që mbrohen. Xhandari ndërkombëtar, i bëri gjithashtu thirrje, zjarrfikësit të Kremlinit, që të shuanin rezistencën e palestinezëve dhe ndihmën e sirianëve. Revizionistët sovjetikë, lëshuan komunikata të njëpasnjëshme në këtë drejtim, me të cilat nuk linin asnjë dyshim, se janë në përkrahje të mbretit Hysejn, të klikës së tij reaksionare dhe të “Planit Roxhers”.
Komploti është i madh dhe i qartë. Çështja është të mos dorëzojnë armët palestinezët, të vazhdojnë luftën në dy fronte. Në frontin e brendshëm, kundër reaksionit të armatosur arab dhe në plan të jashtëm, kundër armiqve të betuar të popujve arabë, imperialistëve amerikanë, social imperialistëve sovjetikë dhe sionizmit izraelit, etj. Çështja është, gjithashtu, nëse Siria, Iraku, Algjeria, sidomos, do të qëndrojnë deri në fund, në mbrojtje të kauzës së përbashkët arabe, apo do të tërhiqen?! Në rast se do të qëndrojnë, ndërgjegjja e popujve arabë, do të shkojë drejt revolucionit, në qoftë se do të tërhiqen, do të përçahen, atëherë lëvizja dhe revolucioni i popujve arabë, do të pësojnë një tronditje të rëndë dhe veçanërisht rezistenca palestineze.
Bisedova me shokët e Ministrisë së Jashtme, që në fjalimin tonë në OKB, t’i shtjellojmë këto mendime dhe të mbrojmë me zjarr, çështjen arabe dhe palestineze, të demaskojmë komplotin amerikano-sovjetik dhe të reaksionit arab, duke përmendur me emër, Mbretin Hysejn. Bisedova me Ramizin, që propaganda jonë me anën e shtypit dhe të radios, të bëjë po këtë punë, kështu ne i përgjigjemi edhe kërkesës, që na drejton vetë Jaser Arafati.
E HENE, 28 SHTATOR 1970
VDIQ NASERI
Radio Kajroja, lajmëroi sonte vdekjen e presidentit të RA të Bashkuar, Gamal Abdel Naserit, nga një krizë zemre.
E MËRKURE, 30 SHTATOR 1970
VDEKJA E NASERIT
Gamal Abdel Naseri, ishte një personalitet me rëndësi i borgjezisë egjiptiane dhe i botës arabe. Ai fitoi popullaritet, me puçin për likuidimin e Monarkisë së Farukut dhe likuidimin e kolonializmit anglez në Egjipt dhe në Kanalin e Suezit. Naseri, ishte një nacionalist egjiptian, që u propagandua, u pompua dhe veproi, për nxitjen e nacionalizmit arab dhe për vënien e personit të tij, në vendin e udhëheqësit të popullit egjiptian. Ai pësoi disfatë, në përpjekjet për bashkimin e Egjiptit me Sirinë. Politika e tij e brendshme, ishte e rëndë mbi popullin, të cilit nuk i solli ndonjë përmirësim ekonomik. Përkundrazi, borgjezia egjiptiane, me Naserin në krye, e keqësoi edhe më tepër gjendjen e varfër të vendit, duke e futur atë në borxhe të rënda tek imperialistët e ndryshëm. Forca e tij e armatosur, bëri skifo të turpshme, në sulmin e fundit të Izraelit dhe disfata që pësoi, ia uli prestigjin.
Por Naseri, gjatë asaj kohe, diti të manovronte në mes amerikanëve dhe sovjetikëve dhe ta ngrinte autoritetin e tij, në udhëheqjet e zbehta e të paqëndrueshme, të vendeve të tjera arabe. Disfata në luftën me Izraelin, e hodhi në prehrin e sovjetikëve dhe vdiq, në përgjithësi, njeriu i tyre, po jo pa manovruar nën rrogoz me synimin që, në momentet e volitshme, t’ua kthente fletën. Sidoqoftë, vdekja e tij lë një boshllëk të konsiderueshëm dhe me plot të papritura, në Lindjen e Mesme, e cila është krejt në krizë të rëndë. Sovjetikët, humbën një mbështetje të tyre. Zëvendësi, që do të pasojë Naserin, i kujt do të jetë? Sigurisht i popullit jo, as i revolucionit, por i borgjezisë, i reaksionit arab, i shitur te njëra, ose te tjetra fuqi imperialiste. Gjithë reaksioni arab, do të jetë në lëvizje për të shtypur kryengritjen, për të vendosur “paqen Roxhers-Gromiko” dhe padronët e këtyre të dyve, të forcojnë pozitat strategjike në këtë zonë.
Ç’mund të kishte “revolucionare”, në nacionalizmin arab, do të hajë një grusht të rëndë, me vdekjen e Naserit, jo se ky ishte një revolucionar, por në qoftë se mund të diktoje një fije të tillë, në thonjëza, tek ai, te mbretërit arabë, ose tek udhëheqësit kozmopolitë të Libanit dhe të Tunizisë, nuk ekziston fare. Udhëheqësit algjerianë…Bumedieni, kanë bërë luftën çlirimtare, ata janë më revolucionarë se Naseri, por nëse këta do t’i imponohen botës arabe, do t’i frymëzojnë masat arabe, në luftën kundër imperializmit, kjo është një çështje që do të shihet. Këtë do ta tregojnë puna, lufta, qëndrimet.
Palestinezët janë në pozita të vështira, jo pse Naseri mbronte kauzën e tyre, por ai ishte i detyruar t’i llogariste, në rast se nuk pranonte të demaskohej fare. Tash, me vdekjen e Naserit, kuptohet se forcohet pozita e Izraelit, ndërsa pozita e arabëve dhe veçanërisht e palestinezëve, dobësohet. Mrekulli imediate në këto koniunktura të rënda, mund të bëjnë vetëm kryengritja popullore në vendet arabe dhe qëndresa e patundur dhe luftarake e palestinezëve, e sirianëve dhe e algjerianëve, në radhë të parë dhe, në shembullin e tyre, edhe e popujve të tjerë.
E ENJTE, 1 TETOR 1970
REAKSIONI BOTËROR PUNON PËR LIKUIDIMIN E LËVIZJES PALESTINEZE
Sulmi barbar i Mbretit të vogël dhe agjentit të imperializmit, Hysejnit të Jordanisë, ishte pa dyshim i organizuar nga CIA dhe nga Izraeli. Me siguri agjentura sovjetike ishte në dijeni, siç mund të ishte deri në njëfarë shkalle, edhe Naseri. Gjithë kjo bandë, ishte e interesuar që luftëtarët palestinezë, të pushonin rezistencën e tyre të armatosur. Për t’ia arritur qëllimit, natyrisht, mjetet dhe mënyrat, sipas rrethanave dhe interesave që kishte secila nga këto palë, ishin të ndryshme, por objektivi ishte i njëjtë, shuarja e rezistencës palestineze, e cila kundërshtonte politikisht dhe me armë “Planin Roxhers”, e agresorin izraelito-amerikan dhe mbante gjallë e frymëzonte kryengritjen arabe, zgjimin e ndërgjegjes arabe.
Imperializmi amerikan, do të rrezikonte pozitat e tij në Lindjen e Mesme, në rast se nuk i jepej fund kësaj situate revolucionare, kurse Izraeli, jo vetëm rrezikonte të humbiste luftën, në qoftë se kjo do të vazhdonte, për shumë kohë me arabët, por rrezikonte edhe ekzistencën e tij, si shtet. Mbreti Hysejn dhe reaksioni jordanez, rrezikonin fronin, jetën dhe fuqinë. Prandaj i tërë ky grup zgjodhi “rrugën e likuidimit të plotë fizikisht”, dhe në mënyrë barbare, të gjithë rezistencës palestineze.
Hysejni sulmoi me artileri, me tanke e me këmbësori, qendrat e partizanëve në Aman dhe në veri të tij. Lufta vazhdoi e egër me ditë të tëra, u vranë e gjakosën, pa dallim, me mijëra njerëz, partizanë, gra, dhe ushtarë të Hysejnit. Megjithëkëtë, palestinezët fituan, luftuan burrërisht në Aman dhe në zonat e në veri të kryeqytetit jordanez, në kufi me Sirinë. I erdhi në ndihmë palestinezëve, Iraku, i cili kishte edhe forca ushtarake të tij në Jordani, mbajti një qëndrim shumë të dyshimtë dhe më shumë pro Hysejnit.
Opinioni arab dhe ai botëror, u ngritën në këmbë. Mbreti reaksionar dhe vrasës Hysejn, u demaskua. Qëllimit nuk iu arrit dot. Bile, me zgjatjen e konfliktit, humbitnin shpresat e rimarrjes në bisedim të “Planit Roxhers”, rrezikohej të prishej “armëpushimi” dhe të fillohej lufta, Hysejnit rrezikohej t’i hidhej froni në erë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kërcënuan me shantazhe e me ndërhyrje me armë në ndihmë të Hysejnit. Kjo i tmerroi sovjetikët dhe Naserin.
Që të dyja këto fuqi, ishin për likuidimin e rezistencës palestineze, me nuanca të ndryshme. Sovjetikët ishin për çarmatosjen e plotë dhe nënshtrimin e tyre, por duke e ditur se kjo s’po arrihej, ata, në heshtje dhe që e provuan më vonë, ishin dakord me veprimin e Hysejnit. Kurse Naseri, donte t’i kishte palestinezët nën drejtimin e tij dhe si një mjet shantazhi veprues kundër Izraelit e, si një mjet pazarllëku me amerikanët. Likuidimi i plotë i palestinezëve nga Hysejni, nuk i leverdiste Naserit, edhe për prestigjin e tij personal, në botën arabe.
Ai do të kalonte si vrasës i arabëve, ndihmës i Hysejnit, i amerikanëve dhe i Izraelit. Të gjitha këto dhe, në radhë të parë, dështimi i planit të CIA-Hysejnit dhe shantazhi amerikan për ndërhyrje, i detyruan sovjetikët dhe Naserin, të bënin presione te palestinezët. te Hysejni dhe te sirianët, që të ndalonin luftën në Jordani dhe të bëhej mbledhja e Kajros, ku u nënshkrua “armëpushimi” në mes fedainjve të “Al Fatahut” dhe Hysejnit.
Naseri dhe sovjetikët kërcënuan Sirinë dhe e detyruan të pushonte “ndërhyrjen e armatosur” në favor të “Al Fatahut”, ndërhyrje që sirianët publikisht, nuk e njihnin si të vërtetë. Naseri u është përgjigjur sirianëve, se nuk do të përzihet në ngatërresat që do të ngjasin, në rast se do të ndërhynin amerikanët në Jordani. Është e qartë se borgjezia nacionale arabe, është e mundshme, e frikshme dhe e gatshme për kompromise. Reaksioni arab, i mbështetur nga sovjeto-amerikanët, me forcë, po lëvizja revolucionare arabe, nuk i ka hedhur armët. Prova është e gjallë: palestinezët po luftojnë, rezistojnë dhe janë në pararojë të luftës.
“Marrëveshja e armëpushimit”, me Hysejnin, i gjeti ata në vështirësi, por, si duket, nuk do të respektohet prej tyre. Ata, në fakt, vazhdojnë goditjet kundër Izraelit. Lufta e tyre vazhdon. Natyrisht, kjo do t’i acarojë konfliktet me reaksionin arab dhe goditjet me të do të jenë të pashmangshme. Fakt është se masat arabe, janë revolucionare dhe të guximshme, po janë të përçara, jo të ngritura politikisht dhe të paorganizuara për luftë, pse mungon udhëheqja progresiste, revolucionare, e cila do të dalë patjetër nga lufta revolucionare. Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016