Dashnor Kaloçi
Memorie.al/ publikon historinë e panjohur të Imzot Zef Simonit nga qyteti i Shkodrës, i cili pasi u shkollua në Shkollën ‘Foshnjore’, pranë Qelës së Kishës dhe drejtohej prej motrave Servite qytetin e Shkodrës, ndoqi mësimet në në Liceun “Ilirikum” të Kuvendit Françeskan.Ai nuk arriti t’i përfundonte, për shkak se regjimi komunist i Enver Hoxhës mbylli shkollat fetare në vitin 1946. Diplomimi i Zefit në Institutin e Lartë Pedagogjik në Tiranë në degën Gjuhë – Letërsi dhe puna e tij si mësues në Shkollën Tregtare të qytetit të Shkodrës. Krahas mësimdhënies, ai gjente kohë për t’ju përkushtuara meshtarisë, duke studiuar mësime teologjike dhe filozofike në Argjipeshkvinë e Shkodrës. Në vitin 1961 u shugurua fshehurazi si meshtar. U arrestua në vitin 1976 pasi Sigurimi i Shtetit i gjeti të groposura në kopshtin e shtëpisë së tij, shumë materiale dhe dokumente me përmbajtje fetare, duke u dënuar me 15 vjet burg politik, nga të cilat vuajti 12 vjet në kampet e Spaçit, Zejmenit dhe Sarandës, u liruar në vitin 1988. Pasioni i Imzot Simonit për letërsinë dhe historinë, ku në pak vite ai arriti të botojë mbi dhjetë libra, si: “Jeta e Zojës”, “Jeta e Shën Jozefit”, “Drita në errësirë”, “Persekutimi i Kishës Katolike në Shqipëri, viti 1944”, (vepër është shkruar prej tij dhe në gjuhët italisht e frëngjisht, në vitet 1996 – 1998), “Një barkë në histori”, “Atdheu ynë”, “Ngjarje në tokë”, “Portrete Klerikësh Katolik”. etj., dhe shugurimi i tij si Ipeshkvi nga Papa Gjon Pali i Dytë më 25 prill 1993 në qytetin e Shkodrës.
Ngjarja e veçantë në familjen e Kol Simonit!
“Një natë, pak orë pas ditës së Shën Andreut, më 1 dhjetor të vitit 1928, në familjen e Kol Simon Monit në qytetin e Shkodrës, pati një gëzim të veçantë nga lindja e fëmijës, që do të pagëzohej me emrin Zef. Ky gëzim i madh në këtë familje dhe në tërë fisin e Kol Simon Monit, ishte për arsyen se dy vite më parë, nënës se re Gjystina, i kishin lindur dhe dy fëmijë të tjerë (Toma dhe Rozina), por që nuk kishin pasur fatin të jetonin pas ishin bashkuar me engjëjt. Dy ditë pas asaj ngjarje të madhe, bashkëshortët Kola dhe Gjystina, të ndjekur nga dy fëmijët e vegjël, Çiljeta dhe Gjergji, do të shkonin në famullinë e përvuajtur të qytetit të Shkodrës, për pagëzimin e djalit të porsalindur, nga nuni i tij, Luigj Pjetër Toni.
Fëmijëria dhe shkollimi në kolegjet fetare
Falë dhe kulturës fetare të trashëguara nga familja e tij, Zefi që i vogël do të rritej më shumë në ambientet e Kishës, ku që në moshën 4 vjeçare, ai do të hynte në Shkollën Foshnjore, që ishte pranë Qelës së Kishës dhe që drejtohej prej motrave, Servite, të qytetit që siç kujton Zefi, “ishin mësuese të vërteta”. Zef Simoni, shkollën fillore do ta ndiqte në vendlindjen e tij në qytetin e Shkodrës, në lagjen “Skënderbeg”, kurse mësimet në shkollën e mesme do t’i ndiqte në Liceun “Ilirikum” të Kuvendit Françeskan të atij qyteti. Pasioni dhe dëshira e madhe me të cilën Zefi vazhdonte shkollën fetare, nuk do të vazhdonte shumë gjatë, për arsyen e mbylljes së atyre shkollave në vitin 1946 nga regjimi komunist i Enver Hoxhës i sapoardhur në fuqi dhe për këtë arsye, mësimet e shkollës së mesme Zefi do t’i përfundonte në liceun e shtetit, “At Gjergj Fishta”. Siç kujtonte Zefi, “Shkolla ‘Skënderbeg’, ishte shumë e varfër dhe me pak mjete mësimore, por me një punë shumë të madhe të ekipit mësimdhënës që bënte të rrezatohej një dije e madhe te nxënësit që e ndiqnin këtë shkollë”. Në kujtesën e Zefit, për vitet e kaluara aty do t’i linin mbresa sjellja dhe kultura e mësuesve, dhe në veçanti drejtori i asaj shkolle, njeriu më korrekt në jetë, Pjetër Troshani. Lidhur me periudhën kur mësoi në atë shkollë, në mes të tjerash Zefi kujtonte: “Ne nxënësit ishim tepër krenar që studionim aty, për vetë emrin që ajo mbante (“Gjergj Kastrioti Skënderbeu”), ku çdo 28 Nëntor, Ditën e Festës së madhe të Flamurit, bënim të gjitha përgatitjet për festimin e saj. Aty ne zgjeruam dijet dhe kulturën tonë, duke hapur horizonte të reja, jo vetëm në kulturën fetare kristiane, por dhe në pedagogjinë moderne të Pestalocit zvicerian dhe të shkollave më të mira të Europës Perëndimore”. Në këtë ambient, që me kalimin e viteve duke marrë me vete dhe gëzimet e dëshirat e moshës fëmijërore, lutjet në kishë, të cilat nisi t’i marrë që fëmijë e t’i ndiqte rregullisht dhe nga edukata familjare që kishin trashëguar, Zefi tregonte: “Ne ishim krenar që ishim bijë të atyre prindërve të urtë”. Kjo familje njihej nga të gjithë shkodranët për përkushtimin ndaj fesë dhe kremtimit, sidomos të festave fetare. Një nostalgji e madhe buronte nga shpirti i Zefit, kur ai kujtonte pedagogët e mësuesit e tij, që kishte në gjimnaz, si: Zef Kurti (pedagog i Gjuhës Shqipe), që ishte dhe drejtues i bandës muzikore të qytetit dhe profesorit të Matematikës, siç i pëlqente ta quante Zefi, zotin Kol Margjini, mësuesin dhe qytetarin e nderuar. Për kohën që kaloi në atë shkollë, Zefi kujtonte: “Unë prisja me padurim ditën e Diellë për të shkue në Kishë, me u gjetë tek kryqëzata ime, me u pa me shokët e mi, që aq fort i ç’mojshe. Por kjo ishte një ditë vetëm një herë në javë, e kjo ditë kalonte shpejt. Me vuajtjet të brendshme, jetojshe në një botë që kurrsesi, nuk bënte për mue”. Në atë kohë, duke pasur një zë të bukur e timbër melodioz me ndjesi të hollë, Zef Simoni, që herët do të merrte pjesë në Korin e Kishës Françeskane. Mrekulli për Zefin, në kor do të ishte dhe shoqërimi i këngës së përbotshme “Schtille Nacht” (natë e Qetë) me rastin e Krishtlindjeve, ku dirigjonte profesor, Sandër Filip Mazreku. Po kështu me shumë kënaqësi hyri Zefi edhe në “Shoqninë Antonjane”, mjaft e njohur në ato vite, e cila përbëhej prej rreth 700 anëtarësh, nën drejtimin e At Gjon Shllakut dhe At Mëhill Mirajt, ku organizoheshin krahas festimit të festave fetare dhe aktivitete të ndryshme kulturore- sportive dhe artistike.
Imzot Zef Simoni: Ardhja e komunistëve në Shkodër e goditja e Klerit
“Me triumfin e komunistëve dhe ardhjen e tyre në pushtet në fundin e vitit 1944 dhe në fillimin e ’45-ës, në qytetin e Shkodrës filloi vërtetë një goditje e madhe për Klerin, sidomos atë Katolik, e cila menjëherë pas një strategjie të gatuar në gazhinat e sadizmit sllavo-komunist dhe anti katolik, ndërmori menjëherë reprezaljet”, kujtonte Zef Simoni, duke u shprehur: “Në këtë situatë tmerri vazhdonte kur netët erreshin të rënda kudo në Shqypni e në qytetin e Shkodrës, të zbardhurit e dritës, niste herë pas here me krismat e mitralozave, që shtijshin përdhe burrat mbas mureve të varrezave katolike, që e bajshin agimin të trishtueshëm e ditën me vaj e dhimbje. Kështu qyteti, kujton Dom Ndre Zadejën, nacionalistin e melodramave të “Rozafës” të “Rrethimit të Shkodrës”, qe e fortë se duke pikuar gjaku i “Rubes së kuqe”, pritshin kohët e kobit rreth kalave tona. Pushkatohet kështu martiri i pare, Dom Ndre Zadej, Dom Lazër Shantoja dhe me radhë u arrestuan Padër Xhiovani Fausti, e Padër Daniel Dajani, së bashku me seminaristin, Mark Çuni, civilë e katolikë, së bashku me 11 vetë të tjerë. Pas këtij terrori të komunistëve, pasoi me ngjarje të tjera tepër të dhimbshme, me arrestime e tortura dhe shpifje, se janë gjetë armët në Kishën Françeskane të Gjuhadolit të Elteri i Shëna Ndout, ku u arrestuan françeskanët, Padër Donat Kurti, Padër Aleks Baqli, Padër Pal Doda e At Zef Pllumbi”.
Meshtaria dhe letërsia, pasionet e Imzot Zef Simonit
Pas mbarimit të Gjimnazit të Shtetit “At Gjergj Fishta”, Zef Simoni u emëruan mësues në shkollat fillore dhe më vonë në ato shtatëvjeçare. Përveç meshtarisë, një tjetër pasion i madh për Zefin do të ishte letërsia dhe përkthimet e ndryshme, me të cilat ai do të merrej gjatë kur vazhdoi dhe mbaroi Institutin e Lartë Pedagogjik në Tiranë, në degën e Gjuhë – Letërsisë. Pas mbarimit me rezultate të larta të atij Instituti, Zefi, u caktua të japë lëndën e Gjuhës e Letërsisë, pranë shkollës së mesme Tregtare në qytetin e Shkodrës. Paralel me këto studime, Zefi do t’i dedikohej dhe mësimeve të meshtarisë, vullnetit të tij të hershëm, duke bërë studime teologjike e filozofike, për pesë vite, pranë Argjipeshkvisë së Shkodrës dhe arriti të shugurohej, meshtar në mënyrë të fshehtë në fillimin e vitit 1961. Pasionin për shkrimet Zefi do ta shfaqet që në fëmijërinë e tij, me shkrime të ndryshme jo vetëm me përmbajtjen fetare, por dhe më gjerë.
Viti 1976, arrestimi dhe dënimi me 15 vite burg
Gjatë kohës së prishjes së Kishave dhe më pas deri ditën e arrestimit, Zefi do të vazhdonte pasionin e tij, shkrimet e ndryshme dhe veçanërisht prozën e shkurtër, që e kishte shumë për zemër dhe që e kishte filluar që në moshë të re. Këto shkrime e përkthime të ndryshme, që ai kishte shkruar do t’i groposte në oborrin e shtëpisë së tij, duke e para ndjerë si të afërt arrestimin e tij. Dhe ashtu ndodhi, pasi dhjetë vite më vonë nga koha kur regjimi komunist kishte mbyllur dhe më të fundmet institucionet fetare, do t’i vinte ‘radha’ për t’u arrestuar dhe dënuar me 15 vite burg politik, edhe At Zef Simonit. Pas arrestimit të tij, Sigurimi i Shtetit do të bënte një kontroll të rreptë në banesën e tij aty në qytetin e Shkodrës diku afër “Arrës së madhe”, duke gërmuar në kopshtin përreth shtëpisë, deri sa ra në gjurmët e atyre shkrimeve që u sekuestruan dhe nuk i’u kthyen më kurrë autorit. Pasionin e shkrimeve, Zefi, do ta ruante dhe gjatë gjithë kohës së vuajtjes së dënimit, ku veprat e tij i ruante në kujtesë, duke mos pasur mundësi për t’i shkruar e për t’i botuar. Nga dënimi prej 15 vitesh, At Zefi, vuajti 12 vite në kampet e Spaçit, Zejmenit e Sarandës dhe u lirua vetëm në vitin 1988.
Shugurimi i Zef Simonit si Arqipeshkv nga Papa Gjon Pali i Dytë
Me shembjen e regjimit komunist të Enver Hoxhës, Zef Simoni së bashku me vëllanë Gjergjin, i’u rikthye shërbesave fetare dhe nisur nga kontributi i madh që ai dha në fillimin e viteve ’90-të për rimëkëmbjen e objekteve të kultit dhe gjallërimin e jetës fetare, më 25 prill të vitit 1993, ai ishte një nga katër klerikët katolikë që u shuguruan në Katedralen e Shkodrës nga Papa Gjon Pali i Dytë, në vizitën e parë që kreu i Selisë së Shenjtë të Vatikanit bëri në Shqipëri asokohe. Krahas kësaj detyre të lartë të hierarkisë fetare, At Zef Simoni, përsëri do të vazhdonte pasionin e tij të hershëm, në fushën e letrave me një prodhimtari të madhe, duke arritur të botojë në pak vite 10 vepra të shkruara në prozë, si: “Jeta e Zojës”, “Jeta e Shën Jozefit”, “Drita në errësirë”, “Persekutimi i Kishës Katolike në Shqipëri, viti 1944”. (Kjo vepër është shkruar prej tij dhe në gjuhët italisht e frëngjisht, në vitet 1996 – 1998). “Një barkë në histori”, “Atdheu ynë”, “Ngjarje në tokë”, “Portrete Klerikësh Katolik”. Këto janë disa nga librat që janë botuar nga Zef Simoni në këto vite dhe përveç këtyre, ai ka botuar dhe shumë shkrime të ndryshme në revistën fetare “Kumbora e së Diellës”, e cila ka qenë themeluar nga Kardinali Mikel Koliqi, që në vitin 1942. Në këtë revistë, Zef Simoni, pati nisur të botojë shkrimet e para të tij, që patën për redaktor vetë Mikel Koliqin.
Vepra e Zef Simonit “Portrete klerikësh katolik”
Një nga librat e botuar të Imzot Zef Simonit, është dhe vepra “Portret Klerikësh Katolik”. Në këtë libër që At Zefi e ka botuar në frëngjisht dhe italisht, ai portretizon 50 klerik katolik, ish-kolegë të tij, që siç shprehet ai vetë: “Na paraqet një hapësirë pothuaj njëqindvjeçare të historisë sonë, burrash njëmend të shquem, që kanë punue në jetën e tyne në tre drejtime: fe, atdhe, dhe në fushën e letrave shqipe. Asht fjala për Klerin Katolik, i cili në ato kohë të trazueme e të errëta, robnie përherë të vështira, tue pasë formim e organizim, derdhi mundin e djersën dhe dha jetën, për lulëzimin e fesë dhe lumturinë e atdheut tonë. Kleri Katolik, ka hapë dyert e qytetërimit perëndimor dhe asht ngulë aty rreptësisht. Klerikët katolikë, kanë punue shumë në këtë drejtim e ku ma shumë e ku ma pak, ashtë kristianizmi, që ka të vetën edhe kulturën siç thotë dhe at Gjergj Fishta, në një artikull të vetin, të titulluar “Kisha Katolike, ka formuar kulturën oksidentale”. Por në këtë libër, kemi paraqitë disa figura të shqueme, tue mbetë drita të gjalla, për t’i dhanë bukuri e përtëritje të vërtetës e krejt kombit. Nuk mundemi këtu të mos marrim në konsideratë njerëz të punës e të penës, që i kanë dhanë drejtim pozitiv jetës shqiptare. Feja dhe atdheu, janë motivet ma interesante nga rrjedhin virtytet e idealet dhe përpjekjet e tilla, sjellin rezultatet e gjithë të mirave që vijnë. Të gjithë këta njerëz kanë punue pa mburrje, këta bij malesh dhe fushash nga qyteti historik i Shkodrës, janë radhitë njani pas tjetrit, tue pasë ndjesinë, idealet dhe formimin e krishtërimit, tue fillue me zanafillën e vet, Shën Palin, apostull i lidhur me Kishën nanë Romake, e me qendrën e kulturës europiane, për me goditë pozitivisht Shqipninë, për fe e atdhe. Lëshue si vigajt, për me i dhanë vendit, konstruksionin e një veshjeje moderne, pa rrëshqitë askund, në ecjen e tyre. Kanë përpunue gjuhën shqipe e kanë dhanë në këtë perlat e poezive shqipe. Nga ky kontingjent, dolën shkrimtarët në vijën e parë të letërsisë shqipe. Dom Ndre Mjeda, Imzot Vincens Prendushi, Padër Gjergj Fishta e shumë të tjerë. Të dhanun për shkolla e tue pasë dhe licetë e tyre, në nivelet europiane, ndër djem e vajza e me revista të shqueme e fort të zgjedhuna si “Hylli i Dritës” e “Leka”, marrin pjesë në jetën shqiptare tue dhanë dritë. Këta persona, që janë një bllok i madh e i vazhdueshëm, i njeh historia shqiptare, i njohin kohët tona. Klerin Katolik, nuk mund ta dëmtojmë lehtë në asnjë pikëpamje. Mund të gjenden edhe mungesa e gabime, ndër persona, por Kleri Katolik, ka randsinë e vet, në historinë e kombit tonë”. Lidhur me këtë vepër të Dom Simonit, studiuesi i njohur, Kolec Çefa, që ka bërë dhe hyrjen e librit, shprehet “Ipeshkv, Zef Simoni, që ka bërë këtë libër, po na jep në duer, jo studime, as jetëshkrime, as kritika, por mendime të sakta e kujtime me të dhëna të sakta, e vlerësime të drejta, që na ndihmojnë ti njohim e na shtyjnë ti duem, na edukojnë t’u ngjajmë me shembullin e tyre fort folës. Merita e klerit ishte se punoi për Shqipërinë, pa u largue territorit të huej e vendas, pa i ikë shtypjes ekonomike e kushteve të këqija të jetës. Kleri nuk mendoi e punoi, tue qenë nënpunës i lartë i Sulltanit, si patriotët Ismail Qemali e Pashko Vasa, por në Mirditë, si Abat Doçi, e në Lurë si Dom Nikoll Kaçorri, e Lezhë si Imzot Bumçi. Ai nuk shkroi në kryeqytetet e huaja, si të mëdhenjtë Çajupi, Frashëri, Shiroka, Asdreni, por në fshatrat e Shqipërisë, si: Nikaj, Palaj, Sirdani, Prendushi, etj. Kleri Katolik nuk jetoi në mërgim, si Noli e Konica, por punoi në Kukël si Mjeda, e Troshan si Fishta.
Libri “Atdheu ynë” i At Zef Simonit
Një tjetër vepër e Imzot Zef Simonit, është libri i botuar në vitin 1996, i titulluar “Atdheu ynë” (Panoramë e letërsisë shqipe), ku në hyrje të kësaj vepre, shprehet “Edhe këto punime të shkurtra që i mblodha në këtë libër, i shkrova në burg, pa përdorur as laps as letër, por vetëm cope: “Një vështrim rreth arsimit në Shqipni” dhe të parathënies, që e kam shkrue pasi dola nga burgu. Krahas mërzisë dhe dhimbjes që kalova në burg, të cilat më rrinin mbi trup, si vitet që u dënova për “agjitacion e propagandë”, ose dhe nene të tjera me ma shumë dënime, ose dënim me vdekje, në burgun e Spaçit në Mirditë, ku kishte 5 rrethime me klon, me repartin ushtarak me roje të shumta, me helmeta mbi krye, pa na shkue ndërmend, me e pa derën ku me dalë i burgosuni, sidomos të rinjtë që mburreshin me idetë, të cilat kërkojshin për t’i pasë si mbështetje, për t’i bërë ballë luftës së përditshme, në atë gropë të mjerimit njerëzor, pse ishte me të vërtetë një gropë mes malesh, ku nga miniera nxirrej pirit. I mbushur shumë herë me fantazi njerëzore njeriu, bënte dhe reflekse që në fantazinë e më optimistëve, ishin përgatitje për të ardhmen. Përveçse me mendime e shkrime fetare, me të cilat kalojash jetën, gjatë 12 viteve të burgut, tue pasë parasysh binomin “Fe e Atdhe”, më shkonte në mëndje të paraqes diçka të qartë për atdheun. Ai, më delte gjithkund me histori fatkeqësish pushtimesh, fajesh e heroizmash, por pa mungue drita e shpresës dhe përpjekjet e vullnetmirëve. Shkrova 5 copa në burg, që i titullova “Atdheu ynë”, “Shkodra”, “Liria” “Përparimi i kombit tonë” dhe “Pak fjalë për letërsinë tonë”. Tash po shkruej të gjashtën: “Arsimi në Shqipni”. Parathënien e punova jashtë burgut. Jam mundue me paraqitë figura atdhetarësh, dëshmorësh, shkrimtarësh dhe intelektualësh, duke dhanë një analizë shoqërore, rreth rreziqeve, plagëve dhe rrymave tona. Edhe idetë e revolucionit francez, flisnin për këto liri dhe ide të iluminizmit, që i hapën rrugë materializmit dhe komunizmit, sidomos në Shqipëri, tue shkaktue vuajtje e rrënim. Këto ide, i kam përshkrue tek “Liria” dhe “Përparimi i kombit”. Tek “Liria” shkrova me optimizëm, se vdekja e diktatorit, na jepte shpresë dhe optimizëm, se do vinte ndryshimi në qoftë se nuk delshin rrethana të reja, ishe e vështirë me shpëtue nga komunizmi. Këtë ja kam kushtue qytetit tim të lindjes, Shkodrës, qytet i vjetër e me randsi në Shqipni e Ballkan. Një punim që e shkruejta me shumë dhimbje, ishte se ky qytet, me njëfarë kulture e arti, me tradita të bukura, e me prijës të mendimit të mirë, arriti që të ketë një ndalim të aktivitetit të tij, në kohën e komunizmit e që i vuri këmbën, për qëllime politike dhe e persekutoi me planifikim, krejt qytetin e sidomos Klerin Katolik”. Pas gjithë këtyre botimeve, edhe pse në moshë të thyer, Monsinjor Zef Simon, vazhdoi të punonte me një përkushtim të madh, si në aktivitetin e tij meshtar si Ipeshkv dhe gjithashtu edhe në fushën e letrave, si për të rikuperuar kohën e humbur. Falë kulturës së gjerë, ai ka përfaqësuar ngjyrat e kombit shqiptar dhe të Kishës Katolike të martirizuar nga regjimi komunist, në shumë takime e simpoziume fetare e kulturore, duke mbajtur shumë kumtesa, mbi krishtërimin në Shqipëri, dhe një sërë temash të organizuara nga Selia e Shenjtë. Të gjitha këto, Monsinjor Zef Simoni i vazhdoi deri sa mbylli sytë përgjithmonë në shtëpinë e tij në qytetin e Shkodrës dhe u nda nga kjo jetë më 21 shkurt të vitit 2009. /Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016