Nga Njazi Nelaj & Petrit Bebeçi
Pjesa e parë
Fati, atë mëngjes, nuk ishte me komisarin! –
Memorie.al / Luto Refat Sadikaj futet në aradhën e pilotëve “elitë” të aviacionit shqiptar të të gjitha kohëve. Ai ishte njëri nga pilotët e grupit të parë që u përgatit, që nga fillimi, në shkollën tonë të aviacionit, në Vlorë. Pra, Luto Sadikaj është “prodhim vendi”, njëqind për qind. Jo vetëm kaq. Luto Sadikaj, “u gatua” e u perfeksionua deri në avionët e sofistikuar të kohës, Mig-21, në aerodromet shqiptarë, me instruktorë vendas, sipas kursit të përgatitjes luftarake dhe rregulloreve shqiptare të aviacionit, në kushtet kur limitet pakësoheshin vazhdimisht dhe pa patur avionë dyvendësh. Ndoshta kemi të bëjmë me një rast unikal, në historinë botërore të aviacionit luftarak.
Luto u lind në fshatin Çorrush të Mallakastrës, më 1 shkurt të vitit 1944. Kur u lind Luto, ishte palcë dimri e vendi ndodhej nën pushtimin e egër të nazistëve gjermanë. Fshati Çorrush, si çerdhe e luftës për liri, kishte pësuar mjaft dëme e shkatërrim nga hakmarrja e pushtuesve. Familja e Seit Sadikaj, luftëtar i çetave shqiptare që luftuan në Vlorë, në vitin 1920, si mjaft familje të tjera, kishte përjetuar presione e terror, për shkak se katër djem të saj ishin partizanë.
Familja e origjinës të Lutos i përkiste shtresës së varfër të fshatarëve të Çorrushit e të Mallakastrës. Ajo kullandrisej me atë pak mall e gjë (dhen, dhi e një lopë), të cilat i kishin shpëtuar babëzisë të pushtuesve të huaj e, bashkëpunëtorëve të tyre, në atë operacion rrënues kundër asaj treve atdhetare. Nën përkundjet në djepin prej druri, djali i mitur i xha Refatit, së bashku me ninullat që i këndonte nënë Bejlerja, të cilat ishin me tone e theks luftarak, dëgjoi dhe krismat e armëve që i prishnin gjumin. Ai u rrit e u burrërua, u bë një “asllan” i vërtetë, siç ka dhe emrin mëhalla ku kaloi fëmijërinë e hershme. Sapo u ngrit në këmbë, qysh në hapat e parë, Luto topolak, u veçua si një djalë i shëndetshëm, i pashëm, i fuqishëm, i dashur, i sjellshëm, i dashur e me zemër të mirë.
Fëmijërinë, deri sa mbushi moshën 5 vjeç, Luto Sadikaj e kaloi në fshatin e tij të lindjes, në Çorrush të Mallakastrës. Trualli ku ai u rrit ishte tejet atdhetar e liridashës. Shtëpitë dhe kasollet e fshatarëve të varfër ishin shndërruar në “kështjella” të luftës për liri. Banorët kishin bërë të tyren parullën e luftës Nacionalçlirimtare: ”Vdekje fashizmit; liri popullit”. Ky mjedis, e rriti djalin e dytë të xha Refatit, jo me pekule, por mes vështirësive të kohës. Luto i vogël, i kapur pas cepit të fustanit prej santine të nënë Bejleres, priste e përcillte bagëtitë e imëta dhe lopën e vetme të shtëpisë, me qumështin e të cilave, ushqehej familja e tyre.
Luton e kaliti era e freskët e “Bregut” të lagjes “Asllane” dhe e gjithë kurrizit, që të çonte nga Maja e Dokes, Çaushajt, Hadërajt, Asllanajt, Varfajt e Shullëjasit, e cila frynte nga ana e anës dhe ngrinte përpjetë, sikur donte t’i shkulte dërrasat e çative e tufat e kashtës, me të cilat ishin thurur kulmet e kasolleve të banimit e të bagëtive. Meratë ku kullosnin bagëtitë e Asllanajve, ishin në të dyja anët e kurrizit, sidomos në anën Lindore, ku ndodhet Margëlliçi, ku ishin arat e Sadikajve. Edhe miqësitë e krushqitë, Asllanajt dhe Sadikajt, i bënin me fshatarët e Kalivaçit fqinjë, me të cilët u puqeshin “telat”.
Shtëpia me katua e Seit Sadikaj, në katin e sipërm, çdo natë, kthehej në një çerdhe që gumëzhinte, si koshere bletësh, ku hynin e dilnin dhe furnizoheshin me ushqime e municione partizanë, nga Çorrushi e nga fshatrat përqark, e ku ziente fjala atdhetare. Me dashurinë për ata troje e me respektin për më të rriturit e familjes e të fisit dhe më gjerë, u mëkua qysh në vegjëli, djali topolak i Sadikajve i cili, trashëgoi nga të parët veti e virtyte të spikatura atdhetarie dhe u formua me një fizik të zhvilluar e të mbarë, e me ndjenja njerëzore, dashamirësie.
Luto ishte djali i dytë i familjes, pas vëllait të madh, Sadikut. Pas tij lindën: Uljanova; Sofia; Agroni; Tatjana e më i vogli, Astriti. Familja e xha Refatit, pas përfundimit të Luftës Nacional çlirimtare e çlirimit të vendit, në prag të viteve ’50-të të shekullit të XX-të, me shtatë fëmijë u vendos në Tiranë. Ajo u sistemua, në një banesë të thjeshtë, në Rrugën e “Kavajës”. Ishin vite të vështirë, pas shkatërrimeve që solli lufta dhe familja i përballoi vështirësitë e jetës në kryeqytet, me vështirësi. Viti 1951, e çoi xha Refatin dhe familjen e tij, në Burrel.
Një mjedis tjetër, të tjera tradita e zakone, vështirësitë ekonomike dhe ngushtësia në familje u shtuan. Familja e shtuar me anëtarë të rinj, i përballoi vështirësitë e jetës, me pagën e xha Refatit si oficer dhe me nikoqirllëkun e nënë Bejleres, e cila ishte një grua e nënë mjaft e përkushtuar, për fëmijët, familjen dhe burrin e saj. Në Burrel, Luto Sadikaj, kreu mësimet e shkollës fillore dhe pjesërisht të asaj shtatë vjeçare. Në çdo klasë ishte i dalluar e, në fund të vitit, drejtoria e shpërblente me fletë-lavdërimi. Shikonte prindërit që rropateshin në punë, për të përballuar jetën dhe Luto, akoma i parritur, meqenëse ishte djali i dytë i familjes, si njeri me shpirt të mirë, ndjente përgjegjësinë, për të kontribuar sadopak që të lehtësonte barrën e prindërve të tij.
Siç më rrëfeu i vëllai, Sadiku: “akoma i parritur, bazuar në fizikun e tij të zhvilluar, i cili buiste çdo ditë, Luto Sadikaj, vullnetarisht mori përsipër detyrën e druvarit të familjes. Ai gjeti e sistemoi të gjitha veglat e punës që i duhen një druvari, për të kryer detyrat e tij. Në shtëpinë tonë, gjeje vare prej hekuri, sëpatë, sharrë, pyka metalike etj., për të çarë drutë e zjarrit. Ai çante, çdo ditë rreth një metër kub dru e, nuk na linte të merrnim asnjë copë. Synonte të çante, gjithë stivën druve, prej lisi, që kishte familja jonë. Veglat e tij të punës, ai, gjithashtu i mbante vazhdimisht të pastruara e të vajosura, gati për punë. Si drutë, Luto nuk na lejonte as të preknim me dorë, veglat e punës”!
Në vitin 1957, kur familja e Refat Sadikaj u transferua nga Burreli në Tiranë, Luto ishte 13 vjeç. Ai kreu dy vite të shkollës shtatëvjeçare dhe, në vitin 1969, në jetën e tij ndodhi një ndryshim cilësor. Në vjeshtën e atij viti, djali me trup të zhvilluar e të ngjeshur u fut në shkollën e mesme ushtarake “Skënderbej”, në Tiranë. Nuk thonë më kot: ”tek ka rrjedhur, do të pikojë”! Djali i dytë i xha Refatit, do të bëhej oficer. Ajo familje luftëtarësh atdhetarë, nuk mund të kuptohej pa një mbrojtës të këtyre trojeve, me shkollë e kulturë ushtarake. E kishte në kokë një projekt, luftëtari i regjur Refat Seit Sadikaj, për të siguruar vazhdimin e traditës të familjes e fisit të tij.
Planin që kishte zënë vend në kokën e tij, e mbante të fshehtë; atë e dinte vetëm Belerja, e cila, siç kishte emrin, ishte dhe në shpirt. Njërin nga djemtë, Sadikun, ai do ta bënte pilot. I vinin në mend ish partizanit ato situata, kur ai dhe shokët e tij, i drejtonin pushkët e vjetra, kundër aeroplanëve fashistë, të cilët qarkullonin lirisht mbi pozicionet e partizanëve dhe largoheshin për në bazat e tyre, të pa ndëshkuar. Sadiku ishte djali i madh i familjes, ose, siç thuhet rëndom në Çorrush e rrethina, ai ishte “buka e parë”. Ai u dërgua në shkollën sovjetike të aviacionit, për të mësuar teorinë dhe praktikën e fluturimeve.
Për fat të keq, një ditë, kur Sadiku dhe shokët e tij të grupit kishin dalë në start (aerodrom), për të fluturuar, një aeroplan, i cili devijoi nga drejtimi i uljes, goditi në këmbë dhe aksidentoi Sadikun, deri në atë shkallë, sa ai u deklarua i paaftë për t’u bërë pilot e, kaloi në një profil tjetër, i lidhur ngushtë me fluturimin. ”Dështoi”, plani oficerit Refat Sadikaj, por ai nuk u iu dorëzua fatit; e kishte menduar variantin rezervë. Por i duhej të priste e të bënte durim sa të rritej djali i dytë i familjes, Lutua, i cili kishte të dhëna të mira, për t’u bërë pilot.
Në muajin gusht të vitit 1959, djali i dytë i xha Refatit, Luto Sadikaj, u ul në bankat e shkollës së mesme ushtarake “Skënderbej”, në Tiranë. Iu bë zemra mal e i ndritën sytë partizanit të regjur, kur pa të birin të veshur me uniformën e bukur të skënderbegasit dhe me kapelën me yll të kuq, në ballë. Me padurim ai priste ta shikonte të birin mbi aeroplan. Një zë i brendshëm i pëshpëriste: “Duro, or burrë se ëndrra jote nuk është fikur. Prit sa të rritet e të burrërohet Luto e, pilotin do ta kesh në familje”! Kështu mendonte xha Refati dhe shpresonte se një ditë do ta shikonte të birin, në ajër, shaluar mbi kalin prej duralumini, zot i hapësirave qiellore të Shqipërisë. Dhe nuk u zhgënjye. Ja si e dëfton ndodhinë, Petrit Bebeçi, shoku i afërt i Lutos, që nga shkolla ushtarake “Skënderbej”, deri sa Luto ra heroikisht, në krye të detyrës:
“Me Luton u njoha më 15 gusht të vitit 1959, në Tiranë. Atë vit, pritej të vinin në shkollën e mesme ushtarake “Skënderbej”, 350 nxënës. Nga qyteti i Tiranës ishim 10 vetë. Të gjithë vinim nga familje ushtarakësh, që kishin marrë pjesë në Luftën Nacionalçlirimtare, partizanë. Dita e parë, e paraqitjes në shkollë, ishte tejet e lodhshme. Të dhjetë duhet të përgatitnim fjetinat për 350 nxënës. Ishim 13-14 vjeçar. Shikonim, me vëmendje njëri-tjetrin, të veshur me uniformën e bukur të “skënderbegasit” dhe shoku që kishim përballë, çuditërisht, na dukej më i vogël se vetja. Më datën 1 shtator të atij viti, nisëm ditën e parë të shkollës. Ishim një vit më të rritur e kishim hyrë në gjimnaz. Kjo na gëzonte e ndiheshim të përkëdhelur. Na duhej të familjarizoheshim me jetën e përbashkët dhe me regjimin e kazermës.
Ishim në një shkollë ushtarake ku çdo veprim kryhej, me rregull e me orar. Regjimi ditor ishte: 6 orë mësim, në klasë. Në orën 14.00 hanim drekën. Pas drekës kishim 2 orë kohë të lirë. Në orët 16.00-20.00, bënim studim, të detyruar, për t’u përgatitur për mësimet e të nesërmes. Në orën 21.00 shtriheshim, për të fjetur. Edhe kjo ishte e detyrueshme, mbasi, të nesërmen do të çoheshim në orën: 05.30 dhe ishim të detyruar të dilnim nga fjetina brenda 3 minutave. Derisa e bëmë tonin këtë veprim dhe e kryenim sipas kërkesave, kujdestari na prapësonte, disa herë, radhazi. Në territorin e shkollës, të gjitha lëvizjet duhet t’i bënim me hap rreshtor e me këngë. Ishim ende të parritur dhe ky regjim jetese, na lodhte e na mërziste. Na shkoi në mendje, jo një herë, ta braktisnim shkollën por, prapësoheshim nga vendimi, për hir të krenarisë vetjake dhe respektit që kishim për prindërit tanë.
Me Luton u afrova dhe e forcuam miqësinë, kur ai nisi të merrej me futboll e, unë bëja pjesë në ekipin e gjimnasteve të shkollës. Luto Sadikaj, shpejt u bë pjesëtar i ekipit të futbollit të të rinjve të ‘Partizanit’. Që në fillim më ra në sy vullneti i tij i rrallë. Në mbrëmje, kur bëheshim gati për t’u shtrirë, Luto kryente nga 100 ulje-ngritje, në çdo këmbë. Ky veprim i forcoi muskujt e kombeve dhe i shtoi forcën goditëse të topit të futbollit. Në mesditë, në kohën e ‘lirë’, Luto Sadikaj ushtrohej në vegla gjimnastikore. Kësisoj ai formoi një trup tërë muskuj, të fortë e të shkathët e u bë sulmuesi i majtë, potent i ekipit të futbollit të të rinjve të ‘Partizanit’, me një goditje fantastike të topit.
Me mësime dhe me sport, i kaluam, jo keq katër vitet e shkollës ‘Skënderbej’, e cila, në atë kohë ishte ndër gjimnazet më në zë të vendit. Shkolla na shërbeu për të rritur aftësitë si sportistë cilësorë dhe na pajisi me dije, në disa fusha. Veç lëndëve të përgjithshme, aty mësuam nga letërsia botërore, psikologjia, astronomia, u njohëm me shprehitë mbi automobilizmin, punën me dru e me metal dhe kalitëm fizikun, nëpërmjet përgatitjes ushtarake. Mësuesit tanë ishin nga më të përgatiturit e më kompetentët e vendit. ‘Filtrat’, në çdo klasë ishin të fortë; kalonin klasën ata që e meritonin. Mjafton të përmendim se nga 350 nxënës që nisën mësimet në vitin e parë, u liruan, me dëftesë mature 170 ‘Skënderbegas’. Të tjerët ‘shteruan’ udhës.
Dhamë provimet e maturës dhe kaluam nëpër disa teste, me qëllim që të përcaktohej ardhmëria e secilit. Nga këto analiza, ku vendin e parë e zinin analizat mjekësore e ato psiko-fizike, 10 nxënës u piketuan për të shkuar në Shkollën e Aviacionit, në Vlorë, ku do të përgatiteshin për pilotë. Luto Sadikaj dhe unë përfshiheshim në këtë grup. Një autobus ushtarak, na priste tek dera e shkollës. Nga Vlora kishte ardhur për të na shoqëruar një pilot i vjetër, i cili kishte studiuar në Bashkimin Sovjetik dhe kishte qenë partizan. Piloti që do të na shoqëronte, ishte i pashëm, i shkathët dhe uniforma që kishte veshur, i shkonte për bukuri.
Kishim zënë vend në autobus e prisnim të niseshim. Shoqëruesi ynë, nuk di përse na lexoi një citat të Josif V. Stalinit, sipas të cilit: ‘Pilot do të thotë: koncentrim vullneti, karakteri dhe aftësie, për të shkuar në rrezik…! Mbasi na tha citatin, piloti na u drejtua me fjalët: ‘Kush e pranon këtë alternativë, le të vijë; ai që nuk e pranon, mund të zbresë nga autobusi’! Me Luton isha ulur pranë; pamë njëri-tjetrin, në sy. ‘Unë po zbres, – tha Luto, – se më ka kërkuar ekipi i të rriturve të ‘Partizanit’! Më tej, ai shtoi: ‘Nga familja ime, asnjeri nuk e di që unë do të shkoj për t’u bërë pilot’! Si të duash, i thashë; por ja, do të luash futboll 10-15 vjet, po pastaj? Edhe unë që ushtrohem në gjimnastikë, do ta le atë. Atje ku do të shkojmë, nuk ka vend të përshtatshëm për t’u stërvitur. Lutos, nga fjala ime iu kthye mendja e ne u nisëm, për t’u bërë pilotë gjuajtës.
Kushtet e jetesës e të mësimit, në Shkollën e Aviacionit ishin më të vështira. Nëse ne i përballuam ato me sukses, kjo falë kalitjes që kishim bërë në shkollën ‘Skënderbej’. Na bënte mjaft përshtypje fakti që qysh në fillim, sapo nisëm mësimet, në shkollë e jashtë saj, flitej vetëm për vështirësi e rreziqe. Dëgjonim të flitej e përflitej për braktisje të aeroplanit me parashutë, për raketa, topa e bomba, etj., etj. elementë me rrezikshmëri të lartë. Pas përgatitjes teorike tetë mujore, ku mësuam lëndë të ndryshme, të cilat synonin njohjen e anës konstruktive dhe shfrytëzimin në tokë e në ajër të aeroplanit mësimor, fillestar, me helikë ‘Jak’-18A, pastaj kaluam, nga auditorët në startet e fluturimit.
Ishim kursi i parë që do ta nisnim e do ta përfundonim shkollën e aviacionit, në profilin e pilotit, këtu, në vendin tonë. Deri atëherë pilotët ishin përgatitur e ishin specializuar në shkollën sovjetike e, në atë kineze të aviacionit. Të gjithë ishim adoleshentë. Instruktorët tanë, të teorisë e të fluturimit, sidomos këta të fundit, ishin në moshë të re, si ne. Në grupin e studentëve që fluturuan në aeroplanin me helikë, fillimisht ishim 25 vetë; pesë nga të cilët, nuk e fituan të drejtën për të vazhduar më tej. Në vitin 1965, kaluam në aeroplanin reaktiv ‘Mig’-15 Bis. Ishte një aeroplan i bukur, serioz e me të dhëna taktiko-teknike të kohës.
Edhe ne ishim rritur e nuk ishim më fillestarë. Si në mësimet teorike, në kabinete dhe në fushën e blertë ku kryem praktikën fluturuese dëftuam, si grup, tregues të mirë cilësorë. Luto Sadikaj, ishte në grupin e përparuar të studentëve për pilotë. Ai ‘zhytej’ në literaturë, studionte me vullnet e këmbëngulje dhe në mënyrë të thelluar. Ngrihej nga librat vetëm kur dikush prej nesh e thërriste për të luajtur me top, nga ullishta. Shkonim në ullishtë e luanim futboll, fshehurazi, mbasi në shkollë nuk na lejonin, nga droja se mos dëmtoheshim, pa dashje-fizikisht.
Në vitin e fundit të shkollës së aviacionit, që përkon me vitin kalendarik 1966, Luto u shqua mes nesh, në elementët e përdorimit luftarak të aeroplanit ‘Mig’-15 Bis. Vlerat e tij si pilot cilësor, qenë kriteri bazë për emërimin e tij pilot gjuajtës-bombardues, në Regjimentin e Aviacionit, në Rinas. Aty Luto, fillimisht fluturoi në aeroplanët reaktivë para-zanorë ‘Mig’-17 F, me parashikim që, shpejt të kalonte në ata mbi-zanorë ‘Mig’-19 S.
Luto Refat Sadikaj, ishte nga ata djem këmbëngulës në aviacion, me vullnet të rrallë që synonte progresin e shpejtë në profesionin e pilotit. Fiziku i zhvilluar ishte në anën e tij. Ai u përball e fitoi me kalimin, në të njëjtën kohë, në dy aeroplanë reaktivë: Në ‘Mig’-17 F dhe në mbi-zanorin ‘Mig’-19 S. Kjo ishte e pangjarë dhe e paparë në vendin tonë. Ndodhia në fjalë i përket vitit 1968, kur Luto Sadikaj dhe tre të tjerë, u përzgjodhën e u shquan mes tetë pilotëve të grupit të tij.
Në vitin 1969, në vendin tonë nisën të qarkullonin fjalë se aviacioni shqiptar, do të pajisej me aeroplanë të sofistikuar të tipit ‘Mig’-21. Frynte era e modernizimit të mëtejshëm të flotës ushtarake-ajrore të vendit, me aeroplanë të kohës. Aeroplanët në fjalë do të merreshin në Kinën e largët. Me qëllim që të përvetësohej ky tip i ri aeroplani, me veçori shfrytëzimi, u dërguan në vendin aziatik një grup pilotësh, nga më të përparuarit dhe një grup teknikësh e specialistësh, gjithashtu me të dhëna e kualitete të përshtatshme.
Në grupin e pilotëve, tre vetë ishin më të rinj në moshë e, me më pak orë fluturimi nga pjesa kryesore e shokëve. Mes tyre bënte pjesë dhe Luto Sadikaj. Çuditërisht, në çastet e fundit, para nisjes, një urdhër nga lart, e spostoi Luton nga lista e, në vend të tij u caktua një pilot me përvojë më të gjatë fluturuese. Ky spostim nuk kishte të bënte në aftësitë fluturuese të Lutos, të cilat ishin në nivele nga më të lartat por, ashtu u gjykua nga ata që e kishin në kompetencë.
Të përzgjedhurit nga grupi ynë (Vangjel Koroveshi, Luto Sadikaj, Petrit Bebeçi) qëndronin, krahasimesh më lartë nga disa më me përvojë, sa u takon shprehive në ajër. Në muajin janar të vitit 1971, në qiellin shqiptar, u panë, për herë të parë siluetat e aeroplanëve mbi-zanorë ‘Mig’-21, të cilët, dita-ditës fituan statusin e ‘Zotëve të qiellit tonë’ e u bënë krenaria e forcave ajrore të vendit tonë. Më 1 maj të atij viti (1971), mbi tribunën e festës, në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’, në Tiranë, parakaluan nga ajri 5 shigjeta, në formacion parade. Ishin migët 21, të pilotuar nga pilotë shqiptarë. Ata që i vrojtuan, përjetuan një bukuri të paparë dhe ndjemë një krenari e kënaqësi të ligjshme. Memorie.al