• Rreth Nesh
  • Kontakt
  • Albanian
Wednesday, August 27, 2025
Memorie.al
No Result
View All Result
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
No Result
View All Result
Memorie.al
No Result
View All Result
Home Dossier

“Në vitet e fundit të lëngatës së regjimit komunist, qytetarët e Tiranës përflisnin gjithnjë për brumatriçet që punonin 24 orë në bodrumet e MPB-së, por…”/Refleksionet e ish-kryeministrit të Shqipërisë

Letra e 1960-ës për Hysni Kapon / “Besniku”, “Lisi”, “Rubiku”, “Mali” etj., gjenerali i Sigurimit nxjerr pseudonimet e  Peshkopisë….
“Vetëm një gjë do jua them, mos ma merrni për keq, pasi nuk më erdhi mirë që ju…”/ Ramiz Alia në takimin me studentët në ‘Pallatin e Brigadave’, 11 dhjetor 1990
“Gjatë bisedave armiqësore me Feçorin, diskutonim edhe mbi romanin e Kadaresë, ‘Dimri i vetmisë së madhe’, ai thoshte se; ashtu si te ‘Broduej’, duhet…”/ Akuzat në hetuesi, ndaj ish-ministrit të Brendshëm
“Materialet e dërguara nga ju, u studjuan nga zv.ministri Feçor Shehu, i cili miratoi asgjesimin e dokumentëve për antarët dhe kandidatët e partisë, si Ismail Kadare dhe…”! / Dokumenti sekret i janarit 1979
Letra e 1960-ës për Hysni Kapon / “Besniku”, “Lisi”, “Rubiku”, “Mali” etj., gjenerali i Sigurimit nxjerr pseudonimet e  Peshkopisë….
Letra për Enverin: “Në Drejtorinë e Sigurimit të Udhëheqjes, është ish-oficeri i shoqërimit të Mehmetit, që disa herë ka shkuar në shtëpinë e tij me…”/ Raporti ‘Tepër sekret’

Nga Prof. Dr. Aleksandër MEKSI

Pjesa e dytë

Memorie.al / Në historinë shqiptare të këtyre 25-30 viteve të fundit, ka mjaft ndodhi, veprimtari e krime të së kaluarës, të cilat ngaqë mbesin të pasqaruara, dalin herë pas here përpara opinionit publik, i cili për nga interesi për to ndahet në dy grupe, veç indiferentëve dhe atyre që janë të zënë me “punë” më të mëdha, ata që kërkojnë të vërtetat, sido që jenë, vetëm të vërtetat dhe gjithë të vërtetën, dhe ata që nuk e dëshirojnë këtë, që kërkojnë ta fundosin procesin apo kërkojnë të ndriçohen vetëm aspekte të favorshme për ta (ose së pakut jo të disfavorshme). Për mua personalisht, kufiri ndërmjet atyre që kërkojnë këto të vërteta dhe atyre që nuk e duan apo, dhe pengojnë një gjë të tillë, është vija e demarkacionit ndërmjet demokratëve dhe nostalgjikëve të së djeshmes, së turpshmes komuniste. Njësimi i propozimeve të tyre do të thotë; që nuk ka sot për sot një vijë të tillë.

                                                           Vijon nga numri i kaluar

Gjithashtu mund të lexoni

“Agjentët britanikë e dërguar në Shqipëri e Ukrainë për të organizuar kryengritje anti-komuniste pas luftës, u kapën të gjithë, pasi Kim Filbi…”! / Libri më i ri për agjentin e famshëm në shërbim të Moskës

“Takimet e Operativit të Sigurimit me agjenturën, bëheshin vetëm në shtëpitë konspirative, ose në pyll, por kur agjenti ishte femër…”/ Refleksionet e ish-kryeministrit të Shqipërisë

Survejimi dhe vërtetimi bëhej si rregull mbi personat të cilët ishin miratuar për përpunim paraprak. Ai nuk vazhdonte më shumë se pesë ditë pa ndërprerje dhe kryhej me anë të punëtorëve operativë ilegalë të Sigurimit të Shtetit, sipas rregullave të posaçme, për këtë punë. Me anë të vërtetimit mblidheshin materiale mbi biografinë, qëndrimin politik të personit, të farefisit dhe të personave të tjerë të lidhur me të. Informatat merreshin nga punëtorët operativë legalë e ilegalë, si dhe bashkëpunëtorët sekretë të rekrutuar mbi baza vullnetare ose anëtarë partie.

Në platforma trajtohen dhe aspekte të tjera të punës së MPB-së si: burgjet dhe kampet, shifra shtetërore, marrëdhëniet prokurori-gjykatë, konspiracioni, të cilat, sigurisht, që paraqesin interes për të njohur punët e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Një vend të veçantë në platforma ka Kolegji Special i Ministrisë së Punëve të Brendshme, i cili ishte formuar me vendim të Presidiumit të Kuvendit Popullor dhe gjykonte gjithë krimet kundër shtetit, që bënin punëtorët operativë ose bashkëpunëtorët sekretë të organeve të Sigurimit të Shtetit, policisë dhe zbulimit të ushtrisë, vetëm kur këto krime kundër shtetit lidheshin me punën agjenturiale dhe operative të tyre.

Studimi i platformave që kanë dalë e janë miratuar në vite të ndryshme, të cilat nuk hedhin poshtë mënyrën e punës, por e saktësojnë atë sipas kohës kur miratohen, na tregojnë dhe elementë të veçantë që hedhin dritë më të plotë për mënyrën e punës së Sigurimit të Shtetit. Kështu për shembull: cilësohet që informatorët veprojnë jashtë grupeve armike dhe japin vetëm të dhëna, ndërsa agjenti vepron brenda tyre dhe përdoret për përpunimin e elementëve armiq.

Me interes është dhe përdorimi i bashkëpunëtorëve personalë të operativit, apo dhe të shefave të cilët nuk bëjnë pjesë në rrjetin e agjenturës, por mbajnë lidhje vetëm me ta. Vlen të themi se rekrutimet e agjenturës, kanë vazhduar deri në mars të vitit 1991.

Studimi i mënyrës së punës së Sigurimit të Shtetit, tregon se organet e Diktaturës së Proletariatit (lexo të dhunës komuniste), formonin një piramidë në majë të së cilës ishte PPSH-ja, sekretari i parë i Komitetit Qendror, Byroja Politike, Sektori përkatës për Sigurimin e Shtetit dhe vijonte me Ministrinë e Punëve të Brendshme, degët e Sigurimit në terren, punonjësit operativë dhe rrjetin agjentural të bashkëpunëtorëve. Krahas tyre, dhe paralelisht me ta, vepronin si një “detyrim patriotik” komunistët, aktivistët e frontit, AGBV-të (Antarët e Grupeve të Bashkëpunimit Vullnetar), etj., që denonconin e kallëzonin fatkeqit në organet e Sigurimit të Shtetit, për veprimtari që ata “i gjykonin”, se ishin kundër shtetit dhe Partisë.

Ja vlen të kujtojmë këtu pikën e tretë të rendit të ditës së mbledhjeve të organizatave bazë të PPSH-së të ndryshme, në të cilat komunistët vigjilentë, flisnin për veprimet e “armikut të kllasës”. Për këto, dhe mjaft arsye të tjera, duhet të shihen krahas dosjeve dhe arkivat e partisë, regjistrat e denoncimeve e deri karakteristikat e kuadrit mbi bazën e të cilave bëhej vlerësimi për qëndrimin politik të njerëzve. Ajo çka paraqitëm më lart, mbi bazën e dokumentacionit zyrtar dhe njohjes me faktet dhe veprimtari konkrete, tregon pa asnjë diskutim për ne, se janë njëlloj të përgjegjshëm dhe të dëmshëm në ndërtimin dhe përparimin e Shqipërisë demokratike sot, të gjithë përbërësit e kësaj ngrehine, madje më tepër ideatorët dhe urdhëruesit, sesa zbatuesit e fundit.

Veçimi, që gjatë këtyre viteve lexojmë e dëgjojmë, madje dhe këto ditët e fundit, nga kjo piramidë vetëm i rrjetit agjenturor, i rekrutuar me detyrim, sepse të tjerët i quanin “heronj të heshtur”, tregon se mbartësit e këtij mendimi apo opinioni janë ende me parimet e marksizëm-leninizmit, të nevojës për Diktaturën e Proletariatit, për luftën e klasës dhe praninë e armikut të klasës e të partisë.

Kjo ishte ngrehina e dhunës ndaj armikut të partisë dhe pushtetit komunist, e cila mbante nën presion edhe të gjithë shqiptarët e ndershëm në ato vite. Njerëzit ruheshin nga kushdo që u afrohej, pëshpëritnin me ndonjë mik intim kur flisnin kundër regjimit, qoftë dhe për ndonjë pakënaqësi, duartrokisnin dhe brohorisnin me zor në mbledhjet, parakalimet dhe mitingjet, shkonin në aksionet e punët vullnetare pa kundërshtuar.

Kjo ishte fytyra e vërtetë e komunizmit shqiptar dhe e Sigurimit famëkeq të Shtetit. Megjithatë, viktimat reale ishin në radhë të parë ata që e pësuan për veprime e rrethana që i përmendëm më lart, që u vranë me gjyq e pa gjyq, që u burgosën, internuan e u dëbuan, “u futën në kazmë” dhe punë të detyruar (duke fyer vetë punën), u detyruan të arratisen apo të divorcojnë, iu ndalua shkollimi etj., etj.

Shifrat e derisotme flasin për 5.557 burra dhe 450 gra të vrarë, 26.768 të burgosur, 998 të vdekur burgjeve, 308 të çmendur nga torturat, mbi 32.000 të internuar dhe dëbuar, 7.002 të vdekur në kampet e punës, mbi 15.000 të arratisur etj. Të gjithë ata duhen respektuar, ndihmuar e mbështetur për t‘u përfshirë në jetën e sotme. Për këto krime duhet kërkuar ndjesë e bërë pendesë, por komunistët shqiptarë, nuk e kanë gjetur ende kohën për një akt të tillë human. Mbase më mirë kështu, dhe nuk ka pse duhet që t‘ua kërkojmë, kur nuk e ndiejnë.

Gjithë kjo veprimtari ka qenë me përgjegjësi, deri dhe me pasoja në raste gabimesh, mossuksesesh, nevojë për justifikim (rasti i Koçi Xoxes) dhe për vetë punonjësit e Sigurimit dhe hartuesit e politikave, zbatuesit e saj dhe urdhërdhënësit.

ARKIVAT

Pranë ministrisë dhe degëve të Sigurimit funksionin arkivat, në të cilat, me një rregullore mjaft të detajuar dhe strikte arkivimi (ruajtje dhe asgjësimi), mbahej gjithë dokumentacioni i Sigurimit të Shtetit. Duke qenë se sot flitet e spekulohet nga mosnjohja e problemit, apo dëshira për dizinformim dhe devijim të debatit të padëshirueshëm, është e dobishme të shprehim e të japim disa të dhëna për këtë çështje. Arkivi i ish-MPB-së, është sot i shpërndarë në disa institucione. Mendoj se do të ishte në të mirë të studimit dhe dokumentimit të historisë së atyre viteve, që të krijohej Arkivi Shtetëror Historik i ish-MPB.

Arkivi i Sigurimit të Shtetit (sot pranë SHIK-it dhe Ministrisë Jashtme), përbëhej nga Fondi i Zbulimit dhe Fondi i Kundërzbulimit, për të cilat janë dhe regjistrat përkatës. Në Fondin e Zbulimit përfshiheshin Fondi i të arratisurve, Fondi i Kosovës, Fondi ekonomik (emigrantët ekonomik të paraçlirimit) dhe Fondi i të huajve. Me rëndësi për çështjen që diskutohet sot është Fondi i Kundërzbulimit, i ndarë sipas degëve dhe në Drejtorinë e Katërt (kartoteka e MPB-së). Ai përbëhej kryesisht nga:

Regjistrat e agjenturës, përpunimeve, dosjeve të arkivuara, kontingjenteve, personave të këshilluar e demaskuar, të internuarve dhe dëbuarve, denoncimeve dhe kallëzimeve, informatave (për personat jo kontingjente e në përpunim), kontrollit postar (të brendshëm e të jashtëm), objekteve dhe veprimeve tekniko-operative (TO), Fondit të veçantë, të riatdhesuarve, të personave në kërkim, të shkelësve të kufirit, si dhe regjistrave e dokumentimit të punës arkivore.

Veç tyre kishte dhe një sërë kategori Dosjesh si:

Dosje personale e punës, dosje përpunimi, dosje drejtimi (për ekonominë, për elementin antiparti, për zbulimet e huaja, për të huajt, për të arratisurit, për kanalet legale), dosje të objekteve të rëndësisë së veçantë, dosje kërkimi, dosje zbulim autori, dosje agjenturore, libri i punës të operativëve, si dhe dosje të tjera (për të riatdhesuarit, për të dënuarit, për të internuarit, për veprimtarinë e bandave e të zbulimeve të huaja). Kuptohet se veç tyre, arkivi, si çdo arkiv shtetëror, ka të dhëna statistikore, dosje me proces-verbale asgjësimi të dokumentacionit dhe materiale të rëndësisë së veçantë për kohë të veçantë lufte e, të dhëna të tjera të krijuara gjatë viteve të aktivitetit të MPB.

Merreni me mend sesa shqiptarë brenda dhe jashtë vendit, të gjallë e të vdekur, ndodheshin në gjithë këto fonde, regjistra e dosje. Mesa më kujtohet, në fillim të vitit 1992, në bazë të një urdhri të Ministrisë së Rendit Publik dhe SHIK-ut të qeverisë teknike) arkivat e rretheve, të cilat i kemi përmendur më lart, u dorëzuan në Ministrinë e Rendit Publik dhe më vonë, gjatë vitit 1993, u dorëzuan në arkivin e SHIK-ut.

Sipas një urdhri të qeverisë u inventarizuan si dosjet, ashtu dhe regjistrat. Në mos më gabon kujtesa, në regjistrat e agjenturës ishin fshirë 542 emra, për interesa të mbrapshta (prandaj m’u ngulit shifra) në mënyra të ndryshme (gërvishtje, zhgaravitje, me bojë të bardhë). Rreth 30% e tyre mund të lexohej me ekspertizë të thjeshtë, për të tjerat duheshin laboratorë më të specializuar.

Grupi që i mori në dorëzim dhe bëri inventarizimin, vërejti se asgjësimi i dosjeve, nuk ishte bërë në përputhje me të gjitha normat në fuqi për arkivat shtetërore dhe me rregulloren e posaçme të arkivit të MPB-së, çka përbënte shkelje flagrante dhe të qëllimshme të tyre. Për këtë, urdhërdhënësit iu dhanë drejtësisë.

Me këto urdhra të jashtëligjshme, që unë jam i sigurt se ruhen, u zhduk një pjesë e arkivave të MPB-së, sigurisht në interes të fshehjes së krimeve të komunizmit, në interes të mbrojtjes së njerëzve të tyre, në interes të përdorimit të disa njerëzve të dobët, për t‘i futur në opozitën antikomuniste, si dhe të atyre nga radhët e shkollëlartërve që u “shquan” me kërkesa e artikuj të porositur për pseudo-pluralizëm ramizian e, kritika me zë të çjerrë ndaj udhëheqësve komunistë, ata që deri dje komunistët i kishin në listat e atyre për t‘u ngritur në poste, dhe mbas dhjetorit ‘90-të, për të drejtuar opozitën ndaj PPSH-së.

Mesa mbaj mend, gjatë dhjetëvjeçarit të fundit të regjimit komunist, janë asgjësuar rreth 40 mijë (dyzet mijë) dosje, shumica dërrmuese e të cilëve në tre vitet e fundit. Sido që të jetë, këto shifra mbeten për t‘u kontrolluar.

Që nga momenti që individë të caktuar akuzojnë kundërshtarin për këto veprime të jashtëligjshme, përpara jo vetëm politikanëve, por dhe përpara publikut të gjerë të interesuar, shtrohen pyetjet: Çfarë kishte në këto arkiva (PPSH-së dhe MPB-së) lidhur me krimet e komunizmit dhe Sigurimin e Shtetit? Si duhet të ruhej ky dokumentacion, dhe për sa kohë? Çfarë është asgjësuar dhe çfarë ka mbetur? Kush i ka bërë këto veprime dhe në ç‘kohë? Cilët janë përgjegjësitë dhe a duhet të veprojë ligji mbi këtë krim të vetëdijshëm ndaj historisë tonë të dhimbshme dhe të turpshme?

Në vitet e fundit të lëngatës së regjimit komunist shqiptar, qytetarët e Tiranës përflisnin gjithnjë punën e brumatriçeve që punonin 24 orë në bodrumet e MPB-së. Kjo u bë në mënyrë intensive dhe sheshit pas mesit të vitit 1990, kur, krahas fshehjes së gjurmëve për të cilën folëm më lart, PPSH-ja dhe Sigurimi Shtetit, mundësuan largimin nga vendi të njerëzve të tyre dhe të të komprometuarve, që siç vërente me të drejt Izet Shehu, ikën si minjtë dhe u kthyen pas 1997-‘98. Vetëm komunistët dhe Sigurimi ishin të interesuar për këto veprime, jo ata që me votën e lirë të popullit erdhën në pushtet në vitin 1992. Ata nuk kishin pse të fshihnin krimet e të tjerëve, përkundrazi.

Në të tilla rrethana mendoj se duhet të bëhet një hetim apo studim, për të përcaktuar problemet që lidhen me gjendjen e Arkivit të ish-MPB, madje dhe për Zbulimin e Ushtrisë, për t‘iu përgjigjur të gjitha pikëpyetjeve që u shtruan më lart dhe që nuk janë vetëm tonat. Sidoqoftë, për të mbrojtur rendin demokratik, siç vërejti dhe Fatos Klosi, ruhen regjistrat e rrjetit agjenturor dhe çka mungon mund të kërkohet më tej në këto arkiva.

Po kështu, në zyrat e kuadrit apo gjetkë, ruhen listat e plota të oficerëve të Sigurimit të Shtetit, drejtuesve dhe operativëve (legalë e ilegalë), të burgjeve dhe kampeve, atyre që kanë mbaruar shkollën e sigurimit (rreth 4000) e të tjerëve si ta në strukturat e dhunës, ku, po e përsërisim për të satën herë, bashkëpunëtorët janë shkalla e fundit e atyre që duhet të përgjigjen dhe shumica janë të rekrutuar me dhunë. Mos bëni sikur nuk e dini, mos bëni sikur e harroni këtë gjë, Ju, deputetë të të gjitha bojërave, që për këtë çështje flisni thuajse njësoj.

Kam gjithashtu bindjen se, po të studiohet gjithçka që ruhet, praktikat dhe rregullat e arkivit të ish-PPSH-së dhe ish-MPB, gjithnjë me kritere rigorozisht shkencore dhe nga njerëz të aftë e të predispozuar (pa lidhje me Sigurimin dhe PPSH-në, si dhe me strukturat e tyre përgjegjëse për dhunën ose në “konflikt interesi”), mund të arrihen rezultate pozitive për njohjen dhe ri-konstituimin e arkivit. Po kështu, unë kam bindjen se ruhen dublikate.

Për të dhënë një përgjigje të shpejtë për shkallën e ruajtjes së dokumentacionit arkivor, si dhe kur dhe nga kush janë bërë dëmtimet, mund të ngarkohet një grup i ngushtë pune, nga ata që kanë pasur ose kanë të drejtë të kenë vizion të këtij arkivi, nga të dy krahët e politikës shqiptare, që ka administruar këtë arkiv. Një përgjigje në afat të shkurtër, mund të mënjanojë debatet (nga disa jo të paqëllimshëm) për këtë çështje.

Duam të paraqesim dhe një problem të fundit, që lidhet me krijimin e Arkivit Historik të ish-MPB-së. Pas sistemimit dhe konstituimit të mundshëm të tij, shtrohet nevoja urgjente për de-klasifikimin e materialeve që lidhen me politikat e Sigurimit të Shtetit, ato të PPSH-së, për Diktaturën e Proletariatit, luftën e klasave dhe gjithçka që lidhet me dhunën dhe terrorin komunist, si dhe të proceseve gjyqësore, të cilat ruhen sot si pjesë e veçantë në arkivin e MPB-së.

Po kështu, duhet të lejohet menjëherë aksesi në të gjitha këto arkiva për materialet me vlerë njohëse dhe studimore, që lidhen me punën kriminale të dy ish-institucioneve, ose për të qenë më të saktë; ato që kanë kaluar një afat të caktuar, megjithëse, sot, pas kaq vitesh, nuk duhet të ketë afat për materialet që nuk trajtojnë probleme të marrëdhënieve me shtete të tjera dhe që për këtë mund të duhet të jenë ende sekret, si dhe kur nuk prekin privacin e personave të veçantë. Megjithëse, në mjaft prej këtyre dy rasteve që veçuam më lart, arkivat japin dhe kopje, ku pjesët që nuk lejohen për këdo, fshihen, sepse vetëm ato janë sekret.

Vetëm në këtë mënyrë ky Arkiv do të jetë i hapur dhe materialet e tij në duart e kujtdo për studime dhe jo vetëm për shkencëtarë dhe analistë rrogëtarë. E vërteta duhet të jetë pronë e të gjithëve. Vetëm atëherë historia dhe e vërteta, që flet për çka ka ndodhur realisht, do të mund të shkruhet dhe kush është i ndershëm, paskëtaj, do mundohet të mos përsërisë gabimet.

U përpoqëm që në këtë shkrim të trajtojmë problemet të cilat paraqiten qysh në titull, domethënë: Çfarë është, mbi ç’platformë dhe si punonte Sigurimi i Shtetit dhe çfarë janë dhe në ç‘gjendje ruhen arkivat e ish-MPB-së? Për masat e dhunës totalitare, nevojën e dënimit të saj, për masat që janë marrë gjatë viteve ‘92-‘96, e që duhet të ndërmerren edhe sot për ruajtjen e rendit demokratik, për mënjanimin e gjithë piramidës së dhunës nga pushteti, përfshirë këtu dhe çështjen “Dosjet”, sigurisht duke i përmirësuar me përvojën tonë dhe atë të vendeve të tjera lindore, pas kaq vitesh nga rrëzimi i diktaturës, do të flasim në shkrimin pasues: “Çështja është dhuna komuniste, apo vetëm Dosjet”? / Memorie.al

ShareTweetPinSendShareSend
Previous Post

“Agjentët britanikë e dërguar në Shqipëri e Ukrainë për të organizuar kryengritje anti-komuniste pas luftës, u kapën të gjithë, pasi Kim Filbi...”! / Libri më i ri për agjentin e famshëm në shërbim të Moskës

Artikuj të ngjashëm

“Agjentët britanikë e dërguar në Shqipëri e Ukrainë për të organizuar kryengritje anti-komuniste pas luftës, u kapën të gjithë, pasi Kim Filbi…”! / Libri më i ri për agjentin e famshëm në shërbim të Moskës
Dossier

“Agjentët britanikë e dërguar në Shqipëri e Ukrainë për të organizuar kryengritje anti-komuniste pas luftës, u kapën të gjithë, pasi Kim Filbi…”! / Libri më i ri për agjentin e famshëm në shërbim të Moskës

August 26, 2025
“Refat Karamani, zv/komandant batalioni, toger, 5 muaj përgjegjësi në Brigadën VII-të Mbrojtjes së Popullit, s’ka shkollë, është nga Kurveleshi…”/ Lista me 70 emrat e komandantëve dhe komisarëve, në ’45-ën
Dossier

“Takimet e Operativit të Sigurimit me agjenturën, bëheshin vetëm në shtëpitë konspirative, ose në pyll, por kur agjenti ishte femër…”/ Refleksionet e ish-kryeministrit të Shqipërisë

August 25, 2025
“Për të forcuar kontaktet me botën, Ramiz Alia ka sjellë në udhëheqje disa të rinj pragmatistë, por në Byro, ka vetëm katër mbështetës dhe…”/ Shkrimi i panjohur i revistës amerikane, ‘TIME’, 1 dhjetor 1986
Dossier

“Për të forcuar kontaktet me botën, Ramiz Alia ka sjellë në udhëheqje disa të rinj pragmatistë, por në Byro, ka vetëm katër mbështetës dhe…”/ Shkrimi i panjohur i revistës amerikane, ‘TIME’, 1 dhjetor 1986

August 24, 2025
“Autori i vërtetë i romanit ‘Tradhtia’, është Haki Limani, ndërsa Kapllan Resulbegoviq, ka përvetësuar autorësinë, i ndihmuar nga rrjete të UDB-së, të cilave…”/ Refleksionet e publicistit të njohur nga Shkupi
Dossier

“Autori i vërtetë i romanit ‘Tradhtia’, është Haki Limani, ndërsa Kapllan Resulbegoviq, ka përvetësuar autorësinë, i ndihmuar nga rrjete të UDB-së, të cilave…”/ Refleksionet e publicistit të njohur nga Shkupi

August 24, 2025
“Naim Frashëri i shkruan ndër të tjera Vasil Tërpos: ‘Mos epni të holla për fjaloret’ të Kristoforidhit, se nuk ësht’ i vërtetë, e pamë ne dhe…”!/Ana e panjohur e rilindasit dhe gjuhëtarit të famshëm
Dossier

“Naim Frashëri i shkruan ndër të tjera Vasil Tërpos: ‘Mos epni të holla për fjaloret’ të Kristoforidhit, se nuk ësht’ i vërtetë, e pamë ne dhe…”!/Ana e panjohur e rilindasit dhe gjuhëtarit të famshëm

August 24, 2025
“Në një pritjen e dhënë nga komunistët rumunë, kur Hrushovi i mori shokët e tij të vjetër për krahu, për të bërë një bisedë me ta, u afrua dhe Mehmet Shehu, por atij…”/ Incidenti i panjohur në OKB, në vitin 1960
Dossier

“Në një pritjen e dhënë nga komunistët rumunë, kur Hrushovi i mori shokët e tij të vjetër për krahu, për të bërë një bisedë me ta, u afrua dhe Mehmet Shehu, por atij…”/ Incidenti i panjohur në OKB, në vitin 1960

August 23, 2025

“Historia është versioni i ngjarjeve të kaluara për të cilat njerëzit kanë vendosur të bien dakord”
Napoleon Bonaparti

Publikimi ose shpërndarja e përmbajtjes së artikujve nga burime të tjera është e ndaluar reptësisht pa pëlqimin paraprak me shkrim nga Portali MEMORIE. Për të marrë dhe publikuar materialet e Portalit MEMORIE, dërgoni kërkesën tuaj tek [email protected]
NIPT: L92013011M

Na ndiqni

  • Rreth Nesh
  • Privacy

© Memorie.al 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.

No Result
View All Result
  • Albanian
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme