Nga Ahmet Xhavit Delvina
Pjesa e tretë
Memorie.al / Po e shkruaj këtë ngjarje që e kam trajtuar unë si “dirigjent” dhe më ka lënë mbresa të paharruara sepse, është një pjesëz e jetës së njerëzve tanë, në atë periudhë të keqe të sundimit komunist. Ishte viti 1954, u nisa për në Tiranë nga Burreli në orën 4 të mëngjesit, isha ushtar në Repartin 7620, me detyrë në ofiçinë si automekanik, në këtë rast po çoja një makinë – kamion ushtarak tip GMC (“Xhems”) Made in USA, për remont – kapital, në Ofiçinën Qendrore të Ushtrisë. Kjo lloj makine luftarake, mund të them se ishte krejtësisht e papërshtatshme për transport civil sepse, si konstruksion kabinën e shoferit e kishte krejtësisht të hapur me tendë, por faktikisht tek kjo mungonte tenda dhe xhami përpara, nuk ekzistonte se kishte kaluar një përplasje dikur, karrocerinë e kishte totalisht metalike, me sponde të ulëta 25 cm. lartësi dhe kjo e zbuluar pa tendë, apo dhe pa ndonjë mbajtëse anësore. Ishte muaji shkurt, kulmi i atij dimri të egër.
Sa për të qarë po aq edhe për të qeshur ishte kur ata hynë në studion e babait e cila ishte vendosur në dhomën më të madhe e më me diell të apartamentit. Kjo dhomë ishte e veshur e gjitha me rafte druri të rimesuara deri në tavan, ishte biblioteka personale e babait me libra, enciklopeditë e përmasave të mëdha, revista etj. Babai kishte bërë edhe një shkallë dyshe me një sedilje sipër, ajo shkallë ishte shumë praktike hapej e mbyllej sipas nevojës, e përdorte kur librat e sipërm do t’i lexonte për një kohë të shkurtër, ose sa për të parë ndonjë gjë pa u ulur poshtë, rrinte për bukuri ulur në atë sedilje.
Komisioni u befasua kur pa atë mori librash, megjithatë sipas urdhrit që kishin marrë ato, duhet të regjistroheshin një për një. Por çe do, ata menjëherë sapo filluan regjistrimin ngecën, sepse në rafte nuk kishte pothuajse fare libra shqip, ato të tëra ishin në turqishten e vjetër (osmanisht), persisht, frëngjisht, anglisht dhe biles një raft të tërë në gjuhën esperanto.
Atëherë ata ju drejtuan Sokratit për ndihmë “si më i dituri” në atë ambient, por ja që edhe ai nuk i dha dot zgjidhje këtij problemi apo halli që i zuri. Kështu pas konsultimeve me njëri – tjetrin se ku pyetën edhe në telefon, vendosën një mënyrë shumë origjinale regjistrimi, që ju përgjigj dhe nivelit të tyre kulturor. Filluan regjistrimin duke i ndarë librat në tre grupe, në libra të hollë, në libra gjysëm të trashë, dhe në libra të trashë, për siguri shkruanin edhe ngjyrën e kapakëve.
Por përsëri ngecën kur hasën në një kategori librash që kryetari i komisionit i kategorizoi si libra “veç alemit” si nga madhësia edhe nga pasha, si p.sh.; “Enciklopedia e Trekanit” në shumë volume, “Enejda e Virgjilit” etj. Këto libra që i quajtën “speciale”, i paketuan në gazeta që i gjetën aty nga ato që ruante babai si më interesantet në kohëra, i lidhën në grupe dhe i vulosën me dyll të kuq, këtë gjë nuk e morëm vesh se pse e bënë.
Pasi mbaruan së regjistruari të gjithë plaçkat e shtëpisë, dalluan një radio me korpus metalik me dorezë, me bateri dhe me kufje veshi. Kjo ishte një radio ushtarake gjermane, e kohëve të fundit. Kur e panë këtë shejtan budallenjtë, brofën nga gëzimi se menduan që gjetën një radio – transmetuese ushtarake, apo s’kishte dhe ngjyrë me njolla ushtarake, si çantat e tyre të parashutuara nga anglezët.
Prandaj menjëherë njoftuan Komandën e Përgjithshme, nuk vonoi dhe erdhën dy triçikla gjermanë, trofe lufte të tipit “Zundap” me specialistë të radiofonisë ushtarake, por për fat të keq “zhgënjimi” qe i menjëhershëm. Krye-specialisti dalloi që ajo nuk ishte bazë transmetimi, por një kompleks radio – marrës ushtarak special gjerman. Krye-specialisti u bë kurioz se si qe e mundur që ai kompleks radio ishte tek ne, se deri atëherë përbënte sekret ushtarak, ajo ishte një radio e tipit “Radian”, shumë e rrallë dhe shumë e sofistikuar për kohën e vet, ishte bërë tek ne një instalim perfekt nga një njeri shumë i specializuar, dukej puna, biles e kishin vulosur me një vulë speciale, e cila mesa dukej, na autorizonte ne që ta përdornim, me siguri për t’i dalë përpara ndonjë kontrolli eventual të forcave gjermane.
Nëna shpjegoi se si ajo radio dhe letra e Ibrahim Biçakut për radion ndodhej tek ne, duke i sqaruar se na e kishte dhuruar kryeministri i asaj kohe, djali i dajës saj, Ibrahim Biçaku, i cili një muaj para se të “çlirohej” Tirana, për arsye sigurie u transferua pranë Hotel “Dajtit” që aso kohe ishte shndërruar në Spital Ushtarak. Këtë dhuratë ia bëri babait që të dëgjonte edhe natën me kufje për të mos bezdisur njeri dhe ta përdorte me baterinë e saj, kur mungonte korrenti.
Ata tregimin e nënës e mbajtën shënim, u shtirën sikur e besuan dhe na thanë që pohimin tonë do ta raportonin lart në Komandë për sqarim dhe u nisën së bashku me kompleksin radiofonik. Në kohën që ata po largoheshin, Sokrat Bufi me egërsi ju drejtua nënës: “A nuk ju vjen turp e të turpëroheni që mbanit në shtëpi tërë këtë luks, kur populli vuante të zitë e ullirit dhe nuk kishte as bukë të hante?! Pu… pu… sa turp, por ja më në fund e gjetët edhe ju, keq e më keq do shkoni, në esfel vafshi”!
Pas të gjithë këtyre peripecive ata e detyruan nënën të firmoste ashtu si deshën ata, “mos firmos po deshe”! Ajo, për hirë të atij burri që ishte në dorë të tyre, si edhe për ne të tre fëmijët, firmosi pa asnjë diskutim dhe duke mos ditur se çfarë firmosi. Ata vodhën aq sa deshën dhe në sy tonë biles dhe në fund e detyruan të firmoste, ç’ka i vunë përpara ata. Përsëri ju drejtua Sokrat Bufi nënës: “Mos u mërzitni se pas nja dy ditësh, do t’ju sikterisim në një pallat më të mirë se ki dhe do t’ju japim plaçka aq sa meritojnë kokat tuaja, dhe sakën se lëvizni ndonjë plaçkë tashmë të regjistruar, në burg do të shkosh edhe ti pranë atij, trimit tënd”.
Shyqyr po atë ditë ata u larguan e i hoqëm qafe, por çe do që të nesërmen në orën 7:00, erdhën rishtazi të gjithë si ekip bashkë me një kamion “Fiat” tip 626 dhe duke dhënë vetë “shembullin personal”, punonin si punëtorë ngarkim– shkarkimi, ngarkuan në kamion së pari pakot me libra, pastaj morën për habi me shumë kujdes dy pikturat që thamë më lart, gjithashtu ngarkuan dy sixhade persiane të paqethura, 6 – karrige me gdhendje të veshura me lëkurë dhe u nisën për kushedi se ku! Na bëri përshtypje të gjithëve dhe se morëm vesh asnjëherë, që ata farë injorantësh të arrinin të përzgjidhnin gjëra nga më të mira të plaçkave tona, duke patur plaçka të tjera me më shumë pamje e volum!
Të gjitha këto që tregova më sipër në konceptin demokratik perëndimor, quhen veprime të paligjshme e çnjerëzore dhe që shkelin të drejtat e njeriut etj., por në sistemin komunist që jetonim, ato quheshin veprime krejt normale, biles nga përmasat e zbatimit quheshin të privilegjuara dhe të buta, sidomos tek familja jonë edhe pse nëna jonë ishte e motra e “shokut Esat”. Në fakt, pavarësisht se babai ynë akoma nuk kishte dalë në gjyq dhe nuk dihej a do të shpallej fajtor apo ishte i pafajshëm, persekutimi i planifikuar ndaj nesh si pjesë e familjes së mbetur pa babanë, vazhdonte normalisht, duke na trajtuar tamam si familje e një krimineli të deklaruar me gjyq.
Apartamenti që ne banonim përbëhej nga 5 dhoma, 1 kuzhinë, 2 banjo (njëra lavanteri), 1 depo, korridor i madh dhe 2 bodrume. Këto ambiente ishin të mbushura e të mobiluara për një jetë normale për gjithë familjen, por për çudi pas dy – tre ditësh që mbaroi inventari, na flakën jashtë duke na vënë në dispozicion të familjes një karrocë me dy rrota të mëdha e me kal, për të ngarkuar pajisjet shtëpiake që na takonin sipas ligjit komunist të atëhershëm. Proçesi i flakjes tonë nga shtëpia, u krye nën kontrollin e rreptë të banorit të ri që do të hynte në apartamentin tonë, i cili ishte mostra komuniste Mihal Bisha po nga Delvina, shumë na përcollën duke na tallur edhe banorët e rinj komshinj por komunistë si ajo e Zija Shapllos, Dalan Shapllos, Emine Mezinit etj.
Shumë e rëndë për ne dhe e paharruar do të mbetet në kujtimin tonë fyerja që na bëri i ati i Mihal Bishës, i cili në momentin e nisjes së karrocës bërtiste, me deklamim: “Sikter o haletë e mutit, në esfel vafshi”, etj. sharje të këtij niveli. Imagjinoni një grua e re me tre fëmijë të parritur mirë, t’i hipësh në mes të dimrit me shi në një karrocë transporti të tillë të pambuluar, vetëm me dy dyshekë, dy jorganë, dy batanije dhe ca tasa e tenxhere së bashku me dy këllëf jastëku të mbushura me ca plaçka për veshje. Kjo qe e gjithë pasuria që na u dha nga Partia për të filluar “jetën e re”, por shumë e çuditshme ishte se u nisëm me karrocë, po ku do shkonim? Këtë vetëm ne nuk e dinim, atë e dinin vetëm persekutorët tanë, që kishin në dorë fatin tonë.
Reprezaljet komuniste pas të ashtuquajturit “çlirim i vendit” ishin me të vërtetë të paimagjinueshme. Ato konsistonin në perfeksionimin e po atyre metodave që u përdorën nga bolshevikët në vitin 1917 në Rusi. Klasat dhe kategoritë shoqërore të përcaktuara që do të kalonin në proçesin e deklasimit nën trysnin e diktaturës së egër dhe çnjerëzore komuniste, duhet patjetër ti nënshtroheshin me plotë kuptimin e fjalës; gjenocidit të vërtetë. Arrestimet, pushkatimet e menjëhershme ekspresë, zhdukjet e njerëzve me vendime të marra në këmbë, në formë bisedash pesë minutshe, nga gjykatat territoriale partizane për ekzekutime në grupe masive, u bënë të zakonshme.
Të gjitha këto bëma u shpeshtuan dhe morën formë definitive në prag të “çlirimit” të vendit dhe vazhduan intensivisht me të njëjtin ritëm, derisa zhdukën çdo gjë të vjetër apo të gjitha klasat apo kategoritë shoqërore, që nuk përputheshin me ta. Të gjitha këto reprezalje shoqëroheshin me nxjerrjen dhe dëbimin nga shtëpitë të grave, pleqve, fëmijëve të pa rritur etj., duke ju sekuestruar në emër të revolucionit dhe duke ju vjedhur çdo gjë që ata dispononin dhe pastaj i çonin për të banuar nëpër depo të braktisura, stalla apo edhe në ndonjë qoshe të pa banueshme të ndonjë ambienti apo shtëpie private në periferi të qytetit, që të ishin lehtë për t’u kontrolluar.
Këta fakir-fukarenj me rekomandim nga lart, duhet të lëviznin në befasi brenda 2 – 3 orëve dhe kjo bëhej me qëllim që të kapeshin në situatë ekonomike të atilla, që të kishin edhe xhepat bosh, d.m.th., të mos kishin para as për bukën e gojës, pa llogaritur për problemet e tjera që lindnin nga këto lëvizje të imponuara në çast e, me dhunë. Ata me të tilla metoda donin që të çorientoheshin, demoralizoheshin dhe shpresonin që këto apo këta viktima të kalonin në ndonjë pozicion të degjenerimit moral, apo të kalonin në pozita depresive dhe të hynin në rrugën e të çmendurve.
Në rrjedhim të këtij programi kriminal, edhe familjes tonë i takoi pjesa e vet. Kështu që gjatë këtyre ditëve të mallkuara edhe familjes tonë i vunë në dispozicion një karrocë me dy rrota dhe me kal të “bardhë”, për të na çuar në një dhomë që do ta përshkruaj më pas në rrugën e “Shëngjergjit”, sot rruga “Ali Demi”! Sulmi “Blitz” që iu bë familjes tonë, me siguri, mendojmë ne, ishte me porosi të veçantë nga “miku” ynë Enver Hoxha, sepse ai veç dobësive të tjera të njohura, kishte edhe shpirt sadisti, me vlera mjaft të konsiderueshme.
Lakmia për para, flori, xhevahire, siç thamë më lart për të, i kishte nxitur një dëshirë maniake për shkatërrimin total të familjeve të vjetra me traditë apo të pasura dhe ai nuk pyeste se cilin godiste, shokun, mikun, të afërm apo kushdo që të ishte, mjafton që ai të arrinte qëllimin e tij të mbrapsht e të poshtër. Ndërsa për problemin tonë, informacionin për sasinë ekzakte të monedhave të arit të Hiqmet Bej Delvinës, që babai i pati në ruajtje, ai e pati marrë nga informacione brenda familjes, por mesa duket tani ai kishte vendosur t’i merrte me dhunë, “rruga miqësore” nuk kishte funksionuar, pasi mjaft ishte “munduar” si njeri apo si mik me atë rrugë, që në 1940–1941! Ky operacion terroristo – policor ndaj familjes sonë, ishte mjaft i lexueshëm se kush ishte urdhër-dhënësi, por ç’t’i bëje?!
Ndërhyrja e Andrea Memës tek valixhja e babait, u krye personalisht nga ai, vetëm ai dhe babai. Andrea veproi me shumë kujdes, sepse nënkuptohet që po ia kryente porosinë “Zeusit”. Por fatkeqësisht nga kontrolli i imët që ai i bëri valixhes, i bie në dorë edhe ajo e mallkuara dëftesë që Dragush Delvina, i biri i Hiqmet Beut dhe Inajet Delvina (e shoqja e Hiqmet Beut), i kishin lëshuar babait tonë që në vitin 1945, pasi kishin marrë tërë arin që Hiqmet Beu ia kishte dorëzuar në ruajtje babait tonë.
Kjo gjetje ishte për të zi të të dy palëve, babai i sëmurë dhe Doktor Dragushi me gradën major, Doktor në Divizionin e Gjirokastrës. “Ai kriminel Andrea sikur u qetësua kur gjeti ‘aktin e dorëzimit”, – thoshte babai. Në tërë këtë histori vetëm “Përbindëshi” Enver Hoxha, doli i fituar.
Por edhe Andrea Memës kjo gjetje i shkoi për mbarë, u lavdërua si specialist në hetuesinë kriminale, por edhe babain tonë përkohësisht sikur e lehtësuan nga torturat e “3 mosketjerve”, Andrea Mema & Naum Bezhani & Ymer Kaçani. Pas kësaj ishte projektuar dhe një bela tjetër për baban tonë nga sadisti Enver Hoxha. Atë e brente edhe një kuriozitet tjetër, të cilën mendonte ta zgjidhte me babain, prandaj urdhëroi fillimin e hetimit për këtë çështje të re.
Në vitet 1940 – 1941, Enveri si me shaka e pyeste babain tonë shumë shpesh; “more Neki Bej, ai Riaz Bej Vlora, miku dhe kushëriri yt, djalë xhaxhai apo vëlla i Nuredin Bej Vlorës, kushedi në ç’hall është, se besoj se atij ja kanë besuar ruajtjen e parave të sojit të tij, ai nuk më duket njeri i zgjuar, lëre pastaj se sa i vështirë është një mision i tillë sot në këto kohëra të vështira”?! –“Ik ore, – i thoshte babai: – ç’të ha meraku ty për pasuritë e pashallarëve, ato i dinë vet ata, pse më pyet mua?! Kujdestar apo roja i tyre jam unë”?!
Mirëpo për çudi në ato rrethana shumë të vështira për babain në ato birucat e Degës së Brendshme, të “3 mosketjerët”, Andrea Mema & Naum Bezhani & Ymer Kaçani, filluan hetuesinë për të zbuluar se, në rast se babai ynë duke përfituar nga kushërirllëku dhe miqësia e ngushtë që kishte me Riazin, mund të jepte ndonjë informacion për vend-ndodhjen e thesarit të familjes Vlora këtu në Shqipëri. Këtë bindje sadisti Enver e bazonte se e shihte që Riazi i shkretë si beqar dhe i moshuar që ishte, vetëm tek ne gjente ngrohtësi familjare, drekonte shpesh dhe biles kur e zinin orët e vona tek ne, rrinte dhe flinte, me babain iu shkonte shumë muhabeti, duke i thënë se; “ti je njeriu më i dashur për mua”, dhe këto gjëra i dinte mirë Enveri.
“E kuptova menjëherë – thoshte babai, – sepse ky hetim kaq i përpiktë i atyre hetuesve aq injorantë, nuk ishte profesionalizmi i tyre, ata shfrytëzonin të dhënat e atij krimineli sadist e të pa – skrupullt, që nuk u ngop kurrë me të vjedhura. Kjo i detyroi ata palo hetues, të më kalonin në një cikël të ri torturash, për këtë çështje krejtësisht absurde. Kështu që nga 16 – 17 muaj arrest që bëri, gati një vit e kaloi i izoluar, në Seksionin e Punëve të Brendshme. Ju mbeti pishman që Riaz Beu ju iku nga dora, sepse ai qyqar gjeti një rrugë shumë “origjinale” për të fituar “lirinë”.
Kur po e hetonin në katin e tretë të godinës, të lidhur, ai i sugjeroi hetuesit se do të fliste, por kërkoi t’i zgjidhnin duart dhe trupin që e kishin lidhur në një karrige fikse se ishte vapë dhe nuk përqendrohej dot, hetuesi e pranoi kushtin, por pas pak ai u turr tek dritarja që ishte e hapur dhe u hodh me kokë e mbeti i vdekur në vend, kështu ai e mori misterin e vendndodhjes së parave të sojit me vete në atë botë dhe pas kësaj e “hëngri” hetuesi për pakujdesi në detyrë dhe babai ynë, në vend të Riazit.
Dalja e babait nga burgu pas një kohe kaq të gjatë, la në trupin dhe shëndetin e tij gjurmë të pariparueshme. Ai ishte me peshë trupore të madhe mbi 100 kg. dhe vuante nga diabeti kronik në fazë të avancuar. Torturat nga më çnjerëzoret që i ishin bërë atij mbi trup, nga “regjisorët” kriminelë Andrea Mema, Naum Bezhani, Ymer Kaçani etj., i kishin hapur edhe një proces të rëndë tuberkular. Varja me kokë poshtë i lidhur në të dy këmbët, me një litar që kalonte në një karukëll të fiksuar në tavan, mbi një vaskë të mbushur me ujërat që rridhnin nga lavamanët e instaluara nëpër nevojtoret e katit, ishte vendi ku hetuesia zhvillonte proçesin, por njëkohësisht kënaqnin edhe epshet e tyre kriminale. – “Këta palo hetues,- thoshte babai – na zhytnin kokën në ujin e vaskës deri në qafë dhe pas pak na ngrinin dhe na pyesnin: E, e, a do flasësh, apo do ngordhësh aty ku je”?
-“Nuk e di, hetuesi kam bërë dhe unë, por nuk kam arritur të mendoja se mund të punohej si ata. Gjithashtu e rëndë ishte edhe tortura e ushqimit, atë supë apo lëng që na jepnin, e bënin me super dozë kripe, për të na nxitur etje dhe pastaj na linin për ditë të tëra pa ujë. Mua ma praktikuan shumë këtë variant, sepse e dinin që unë vuaja nga diabeti dhe se diabetikët kanë etje të madhe”. Kështu pas një kohe të gjatë me këto regjime gangsterësh e shkatërruan fizikisht, por kurrë moralisht. Ne familjarisht, duke e ditur se si zhvillohej hetuesia aty brenda, ngushëlloheshim kur merrnim vesh se ai ishte akoma gjallë.
Shumë e rëndë sidomos për babanë e, pastaj për ne, ishte dalja e tij përpara gjyqit në Tiranë. Kur u njohëm me akt – akuzën qesharake që i atribuohej atij, na erdhi për të qarë dhe njëkohësisht për të qeshur. “Ju lumtë atyre” sepse ata çdo punë që kishin me të, i realizuan siç e shpjegova më sipër më së miri, të dy shumat e parave i morën, të Hiqmet Beut edhe tonat njëkohësisht, u bindën edhe për çështjen e Riaz Vlorës, se babai ynë nuk kishte asnjë farë dijenie për vendndodhjen e parave të tij, atëherë sipas praktikës së tyre të atëhershme, vendosën t’i bëjnë një gjyq fars e qesharak dhe ta dënojnë me kohën e paraburgimit, për 18 – muaj dhe ta lirojnë në sallë.
Akuza që iu bë ishte shumë komike, pretendohej se në dhjetor 1945, ai kishte thyer te këpucari i tij, Adem Borova, katër sterlina angleze në lek dhe se ky veprim ndalohej sipas tyre me ligj, gjë që u vërtetua po në atë gjyq, sepse në atë kohë që akuzohej babai për këtë veprim, akoma nuk kishte dalë ligji që e dënonte këtë veprim qesharak! Kështu që kjo akuzë vlejti për të na sekuestruar pasurinë e tundshme e të patundshme, si edhe kalimin nga të gjithë ne, të vuajtjeve që përshkrova më lart. Megjithatë, situata na detyronte të heshtnim dhe kurrë të mos ankoheshim për ç’ka ndodhi me ne, se përndryshe dhe ankimin tonë, e kanalizonin në nenin “55”, për “Axhitacion e propagandë kundër pushtetit popullor” dhe dënoheshim ne më rëndë, sepse konsiderohej “Faj politik”!/ Memorie.al















