Nga Qatip Mara
Pjesa e dytë
Memorie.al / Në diasporën shqiptare në New York, atdhetari përkushtuar me shpirt të lartë atdhedashurie, intelektuali talentuar Abdyl Ali Koprencka, është integruar denjësisht me jetën amerikane. Në këtë foto që shoqëron shkrimin, jam në zyrën e tij që drejton agjensinë “SKRAPARI TRAVEL”, (Tickets – Insurance – Immigration Forms – Motor Vehicles – Translation – Ëelfare – Income – Tax – All Social Services). Performanca e tij cilësore dashamirëse, për emigrantët e familjet e tyre në Neë Jork, rrezaton kulturën e shpirtin e tij atdhedashës. Edhe pse ka lindur jashtë atdheut, në Romë, Shqipërinë e mbartë me shumë dashuri në zemrën e tij atdhedashëse. Me shumë modesti, me thjeshtësi, komunikon duke të respektuar me sinqeritet e dashuri atdhetare. Puna e tij me sjelljen shembullore, e ka bërë shumë të njohur, të nderuar dhe shumë të kërkuar nga bashkatdhetarët emigrantë, që me hallet e shumta larg atdheut, gjejnë një “Shqipëri të vogël”, në zyrën e tij në: 61-01B Catalpa Avenue Ridgeëood Queens, New York.
Abdyl Ali Koprencka, kishte vazhduar shkollën 7-vjeçare, duke u ndjerë i gëzuar midis nxënësve shkodran, të cilët e kishin shoqëruar me respekte e ngrohtësi njerëzore. Sapo kishte mbaruar klasën e shtatë, ishte tronditur nga arrestimi i djalit të xhaxhait, Xhelal Sami Koprencka, (‘Martiri Demokracisë’) që është pushkatuar në vitin 1979. E kujton me dhimbje ditën e gjyqit, ku midis të tjerave thekson: “Djali xhaxhait, Xhelal Koprencka, ishte shumë popullor dhe u bënte shumë ndere njerëzve. Në vitin 1956, arrestohet dhe dënohet me dhjet vjet burg. Akuza ishte; tentativë për arratisje. Ishte vera e vitit 1956, unë isha me pantallona të shkurtra. Gjyqi bëhej në shtëpinë e Rrojve, e kthyer në gjykatë. Dera kryesore me dy kanatat, ishte plotësisht e hapur dhe sa hyje në krahun e majtë, ishte dhoma ku po zhvillohesh seanca gjyqësore. Xhelali ndodhej në një sektor të rrethuar me parmak druri.
Dy policë ishin në këmbë, jashtë parmakëve. Duart i kishte të zgjidhura nga prangat gjermane, të cilat shtrëngoheshin me vidë, si mbas dëshirës të xhelatit. Dëgjohej zëri i lartë i prokurorit. Akoma edhe sot mbas gjashtëdhjetë e një vjetëve, e kam parasysh atë skenë: I pandehur, ju donit të tradhtoni atdheun dhe të shkonit te xhaxhai juaj, në SHBA-ës, etj., etj. Xhelali kishte një zë të fortë dhe të mprehtë dhe ishte shumë i vendosur. Mohoi çdo gjë. Bëri gjashtë vjet burg. Kur doli nga burgu, familja e tij ishte vendosur në një shtëpi tjetër, pranë parkut të qytetit dhe pranë Institutit Pedagogjik, dy vjeçar. Si ndenji ca kohë pa punë, filloi si punëtor krahu në Fabrikën e Fermentimit të Duhanit. Punën e kishte të lodhshme. Transportonte dengjet e lidhura, të fletëve të duhanit. Krahu i djathtë, e mundonte shumë. Në fëmijëri, kishte kaluar sëmundjen e melengjitit dhe krahu i djathtë, nuk e kishte pjesën e muskulit. Me dorën e majtë, çonte karrigen, deri në tavan. Kishte një forcë të jashtëzakonshme dhe me sa kujtoj, nuk ja thyente kush dot.
Gjatë viteve 1962, deri 1965, kemi qenë shumë afër me njëri tjetrin. Nëpërmjet tij, mësova për torturat dhe jetën nëpër burgjet e kohës inkuizicionit shqiptar. Sigurimi Shtetit, e ndiqte hap pas hapi dhe ai ndjente kënaqësi të veçantë. Në disa raste, kam qenë dëshmitarë. Mundohej shpesh t’i ngatërronte. Fshihej sa në një rrugë e, rrugë tjetër. Isha ushtar dhe po më përcillte tek Stacioni Hekurudhor i Tiranës. Agjentët e Sigurimit, ishin mbrapa duke na ndjekur. ‘Po më ndjekin – më tha. – Do shohësh çfarë do t’i bëj’. U ndamë. Ai filloi të vrapojë dhe ju drejtua drejt vagonëve të mallrave. Kur u takova përsëri, më tha se; ‘I bëra çorap. U mësheha nëpër vagonë dhe ju zhduka”. Në mars 1967, arrestohet përsëri dhe dënohet me njëzet vjet burg. U dënua disa here, duke qenë i burgosur.
Dërgohet në Spaç dhe atje i shkruan diktatorit (Enver Hoxha), letër, kur Shqipëria u divorcua nga Kina motër! Me kurajo dhe vetëmohim, shkoi drejt vdekjes. Mbrojti të gjithë shokët, nuk nxori asgjë, gjithçka e mori përsipër vetë. E dënuan me vdekje. Procesi zgjati nga 5 maj, deri 8 maj 1979. U pushkatua bashkë me Fadil Kokomanin dhe Vangjel Lezhon. Eshtrat nuk i tregohen se ku janë, megjithëse prokurori i tij është gjallë dhe e di mirë vendin se ku janë. Në aktin final, nuk pranoi t’i lidheshin sytë dhe thirri: RROFTË SHQIPËRIA. POSHTË KOMUNIZMI”. (Presidenti Nishani, e dekoroi me “Medaljen e Trimërisë”, të klasit parë, në dhjetor të vitit 2015”).
Pasi kishte mbaruar shkollën 7-vjeçare, ish-nxënësi Abdyl Koprencka, kishte nisur mësimet në gjimnazin e Shkodrës. Ishte miqësuar me gjimnazistët shkodranë dhe ecte shumë mirë me mësime. Kishte mbaruar gjimnazin me nota shumë të mira, por nuk ju dha e drejta e studimit, për në shkollën e lartë. Me ndihmën e tezes së tij, ishte regjistruar në Institutin Pedagogjik dy vjeçar, në degën Matematikë-Fizikë, por për motive politike, nuk i dhanë diplomë. Ishte caktuar mësues në lokalitetin Lekbibaj, Tropojë, në fshatin e largët Palc. Mes vështirësive të terrenit malor, pa rrugë automobilistike, kishte ecur mbi 10 orë në këmbë, nga “Bajram Curri”, për në shkollën që bënte mësim. Pas katër muaj, e kishin mobilizuar ushtarë, në repartin e xhenios (të punës), në tunelet e Elbasanit. Lufta e klasave e shoqëronte edhe në ushtri, duke mos e pajisur me armë zjarri, por me kazëm e lopatë për punë, duke punuar në sektorë të vështirë, në periudhën 1965-1967.
Kishte treguar kujdes e vëmendje, për t’u ruajtur nga aksidentet në tunele. Pasi kreu shërbimin e detyrueshëm ushtarak, nuk kishte dëshirë të punonte në arsim, ndoshta e ndjente se lufta e klasave, do ta pengonte në ato vite të acarimit të saj, kryesisht, në frontin e brendshëm e të jashtëm. Kishte kërkuar punë në zyrat e punës, për të punuar në ndërmarrjet e qytetit Shkodër, si në Uzinën e Telave, por ja kishin mohuar të drejtën për të punuar në uzinë, duke argumentuar se; “babai është arratisur dhe lufton kundër pushtetit popullor”! Kryetari Komitetit Ekzekutiv, i asaj kohe, e kishte akuzuar për; “parazit të shoqërisë Socialiste”, duke i thënë se; “punë ka vetëm në fermën bujqësore”. Me ndihmën e një shokut të tij, Qemal Tabaku, nga Elbasani, kishte filluar punë në Drejtorinë e Ujërave, por spiunët e kishin raportuar dhe e kishin larguar, duke e dërguar punëtorë krahu në Zallin e Kirit, ku kishte punuar deri në vitin 1970 dhe me ndihmën e tezes së tij, kishte filluar punë si gjeometër, në Hidrocentralin e Vaut të Dejës.
Duke kujtuar kohën e punës në hidrocentral, theksoi me respekt ndihmën e dhënë nga drejtori hidrocentralit, Emin Musliu dhe në vazhdim tregoi, se e kishin ndihmuar edhe shefat e kuadrit, si Musa Pulti dhe mbi të gjitha, Xhemal Elezi, i cili e kishte shpëtuar nga burgu. Në hidrocentral ishte krijuar mundësia të vazhdonte shkollën e natës, në degën Mekanike. Kishte fituar diplomën “Teknik Mekanik i Mesëm”. Në qershor të vitit 1972, e kishte thirrur kuadri Xhemal Elezi dhe drejtori i kantierit, për të vazhduar shkollën e lartë, në degën e Inxhinierisë së Ndërtimit. Nuk kishte pranuar, se lufta e klasave ishte ashpërsuar. Në hidrocentral, kishte filluar punë në profesionin e mekanikut në kompresorët e kantierit. Me ndihmën e sekretarit Partisë, Ndue Gjoni, në shtatorin e vitit 1973, kishte nisur studimet e larta në filialin e Inxhinierisë, por lufta e klasave, në 16 mars 1975, e kishte përjashtuar nga shkolla e lartë. Duke qëndruar optimist për jetën në luftë vazhdueshme klasore, kishte vazhduar punën si punëtor krahu në kantierin e mbrojtjes civile, dhe me ndihmën e Xhemal Elezit, kishte kaluar hekurkthyes – saldator.
Edhe këtu e goditi thika e luftës së klasave, duke i thënë se ishte element i pa përshtatshëm, në këtë kantier. Xhemal Elezi, e kishte transferuar në kantierin e prodhimit të Ndërmarrjes Ndërtimit (N.Sh.N.) Shkodër, si saldator. Në këtë ndërmarrje, kishte punuar midis ish-të burgosurve politikë dhe ordiner. Në Shkurt të vitit 1976, ishte pushuar nga puna pa arsye. Vazhdonte të punonte natën, duke e bërë rrugën në këmbë, sepse nuk kishte automjete transporti. Distanca ishte, që nga Perashi, deri tek Fabrika e Fermentimit Duhanit. Atje ishte vendosur kantieri prodhimit, ku saldonte hekurat për bunkerët që montoheshin në Malësi. Me ndihmën e drejtorit grumbullimit, Xhemal Selimi, në mars 1976, kishte filluar punën si mekanik, në këtë ndërmarrje. Kishte punuar në Bërdicë, deri në vitin 1989.
Në vazhdim, kishte punuar në Fabrikën e Makaronave, deri ditën që ishte larguar nga Shqipëria, më 14 nëntor 1990. Duke përballuar sfidat me diktaturën komuniste, atdhetari Abdyl Ali Koprencka, mbijetoi dhe kishte krijuar familje në vitin 1980 në Shkodër, me bashkëshorten Vivan Herri, me të cilën ka lindur, rritur e arsimuar, tre fëmijë, dy vajza e një djalë, të cilët vitet e para të fëmijërisë, i kaluan në qytetin e bukur të Shkodrës, me banorë human e të dashur. Familja Abyl Koprencka, në 14 maj 1981, kishte pritur me gëzim lindjen e fëmijës së parë. Vajza, Nevila Abdyl Koprencka, kishte lumturuar prindërit, me belbëzimet e ëmbla fëmijërore. Në 15 janar 1983, kishte lindur vajza Belma, e cila së bashku me motrën, Nevila, kishin zbukuruar mjedisin e shtëpisë në Lagjen “Ndocaj”.
Kishin filluar të ecnin të gëzuara në rrugën e Uruçëve, duke u rrethuar me dashamirësinë e banorëve shkodran, të cilët janë qytetarë me koncepte demokratike perëndimore, sepse Shkodra me shekuj, ka qenë porta e kulturës europiane-perëndimore, një vitrinë e qytetërimit perëndimor. Familja Avdul Ali Koprencka, kishte përjetuar me shumë dhimbje ditët e fundit të jetës të mjekut Ali Xhelal Koprencka, në javën e dytë të korrikut 1983, i cili shpresonte të shkonte në Shkodër, të takonte djalin e tij, mbesat e tij, Nevila e Belma, por sëmundja e rëndë, i kishte ndërprerë jetën, në 16 korrik 1983. Ishte hidhërim i shumëfishtë me lot pikëlluese, të shkaktuara, jo nga Zoti, por nga murtaja komuniste, që i ndau njerëzit për së gjalli. Djali tij, Abdyl Koprencka, i rritur jetim në rrebeshet e luftës së klasave, ishte hidhëruar me helmin e përhershëm, që nuk ishte pranë babait të shtrenjtë, kur kishte mbyllur sytë përjetësisht jashtë atdheut, që e kishte dashur më shumë se vetveten.
Në largësi pa u parë me sy, djali tij Abdyl Koprencka, kishte imagjinuar me hidhërim ceremoninë mortore të babait të shtrenjtë. Një vdekje e trishtë që të copëton e djegë shpirtin, por shpirti mjekut atdhetar Ali Xhela Koprencka, jetoj në pavdekësi. Aliu është larguar vetëm fizikisht. Nuk mundet të vdesin ata që e shndërrojnë jetën në dritë lirie. Mjeku Ali Xhelal Koprencka, prodhoi vlera morale demokratike. Nuk mundet të vdesë mjeku Ali Koprencka, ai që e përjetësoj veten me veprën e tij humane e, me dashurinë e përjetshme për atdhueun. Ai mbeti i pavdekshëm në zemrën e të birit, Abdyl Koprencka, të zemrave të fisit Koprencka dhe të gjithë nacionalistëve të ndershëm, që duan një Shqipëri demokratike me standardet euro-atlantike.
Pas tre vjet të hidhërimit të largimit nga jeta të babait, Abdyl Koprencka, priti me emocione lumturie lindjen djalit të tij. Në 3 shtator 1986, pak muaj pas vdekjes së diktatorit komunist Enver Hoxha, që ishte persekutori i mjekut Ali Xhelal Koprencka, Zoti solli rilindjen e mjekut Ali Koprencka, me lindjen e nipit të tij, Ali Abdyl Koprencka. Me krenari për babain e tij të shtrenjtë, Abdyl Koprencka, i kishte vendosur djalit të tij emrin; Ali Koprencka i Dytë, në përkujtim të babait të tij. Ashtu si kishte vepruar xhaxhai tij, Sami Xhelal Koprencka, që kishte i vendosur djalit të tij, emrin; Xhelal Koprencka i Dytë. Janë dy trashëgimtarë të firmëtarit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, të Xhelal Dalip Koprencka, por që kishin fate të ndryshme. Xhelal Koprencka i dytë, jetoj në diktaturën komuniste dhe flijoji jetën për atdheun, për liri e demokraci perëndimore, duke hyrë në altarin e martirëve të lirisë.
Ai mbeti në pavdekësi, si simbol i guximit e trimërisë shqiptare. E pushkatuan në mënyrë mizore dhe pak ditë më vonë, i kishin ekspozuar fotot e trupit të tij me plumba, në kampin e Spaçit. Ali Koprencka i Dytë, lindi në vitet e grahmave të fundit së diktaturës komuniste dhe në moshën katër vjeç, u largua nga vendlindja, duke lulëzuar në vendin e bekuar të Lirisë, të sigurisë, SHBA-ës, që është Dielli Demokracisë në Botë. Kishte kryer me rezultate të larta, ciklet e arsimit parauniversitar. Kishte vazhduar kolegjin Psikologji-Kriminalistikë. Sot punon FINANCIAL ADVISER në First Investiment Bank, në Time Square Manhattan. Vajzat që mësuan gjuhën shqipe në shkollën fillore Shkodër, kanë kryer me suksese universitetin dhe janë integruar me aftësi intelektuale në ekonominë amerikane. Megjithëse në Shkodër ishin në moshë të vogël dhe nuk e kuptonin luftën e klasave, por e kishin ndjerë diskriminimin e mësuesve e drejtuesve të shkollës. Ishin nxënëse të shkëlqyera, por asnjëherë nuk i kishin lavdëruar. Ato ruajnë shumë kujtime me dashuri për Shkodrën e, shokët e shkollës.
Duke vazhduar bisedën me intelektualin, atdhetarin Abdyl Koprencka, ai më tregoi për pengesat e vështirësitë e ardhjes në Amerikë, me azil politik. Kishte drejtuar kërkesë për azil politik, në ambasadën amerikanë në Romë, në qytetin ku kishte lindur, në 16 mars 1943. Ma familjen e tre fëmijët, ishte strehuar tek të afërmit e tij. Më 28 dhjetor 1990, ishte pranuar kërkesa për azil politik në SHBA-ës. Procedurat do të zgjasnin deri në qershor 1991. Gjatë kësaj kohe, kishte punuar në punëra të ndryshme. Më 5 qershor 1991, kishte udhëtuar me familjen drejt vendit të lirisë. Më 29 korrik ‘91, ishte vendosur me banim në New York. Me vullnet të hekurt, kishte nisur të punonte, për t’u integruar me punë me ekonominë e tregut amerikan.
Kishte kapërcyer vështirësi burokratike, për të përfituar pjesë të testamentit të babait të tij, për të cilat thekson: “Babai im në testament, pasurinë ja la të birit, ose fisit të tij. Kushti kryesor i trashëgimit, ishte i biri, nipi ose mbesa, duheshin të ishin me dokumenta të rregullta amerikane, ose duhej të pritej të ndërrohej qeveria komuniste e Tiranës. Kjo pengoi shumë Komisionaren e Tiranës, për të rrëmbyer mundin dhe djersën e tij në mërgim. Rrjeti i spiunazhit të kuq, ishte shumë i organizuar këtu në New York dhe ata bënin ligjin, për të gjitha problemet që kishin Shqiptarët e asaj periudhe. Për tu përmendur këtu, është se kur erdhi Prof. Dr. Sali Berisha, për herë të parë në New York, u mblodhën po ai rrjetë merimangash, që i kishin shërbyer me vetëmohim klikës të Tiranës.
Shtoj se, kur erdhëm këtu dhe kudo që shkuam, nuk gjetëm asnjë ndihmë dhe asnjë përkrahje. Komuniteti shqiptar, komplet i pa organizuar dhe me komente se ne duhet të ktheheshim në Shqipëri, se këtu është rreziku i drogës për fëmijët e, shumë gjepura të këtij lloji. Nji pjesë e këtyre agjentëve ju pre burimi, ku sigurisht financoheshin nga “kuqalashët” e Tiranës. Populli Shqiptar vuante nën thundrën e kuqe dhe diskutonte bukën e gojës, këtu agjentura komuniste e Tiranës, merrte rrogë të rregullt, plus punërave që kishin në Amerikë. Klika antishqiptare e pro-sllave e Tiranës, ishte në gjendje dhe ja arriti qëllimit, që me agjentët e saj, që kalonin kufirin shqiptar, gjoja si të pa kënaqur, të shkatërroi ‘Ballin Kombëtar’, ‘Legalitetin’ dhe ‘Grupin Indipendent’. Koha bëri të sajën. Të vjetrit ndërronin jetë, të porsaardhurit vinin si anti komunistë, për të mbrojtur komunizmin dhe hordhitë e tyre antishqiptare.
Këta elementë mbillnin përçarjen, e cila ishte shumë e kollajtë, se ne na ka përçarë vetë natyra e jonë. Një fakt konkret asht, se një pjesë e pasurisë e babait tim, fluturoi dhe u shpërdorua nga njerëzit që e rrethonin dhe që ai i deshi dhe i mbajti afër. Vila që kishte u hodh në hava, me gjithë materialet, shumë të vlefshme brenda saj. Im atë, arriti deri ku arriti, vdekja ja prehu krahët dhe vazhduesit e tij, nuk e respektuan përkundrazi treguan mos kënaqësi për dëshirën e tij të fundit. Ne Shqiptarët jemi xheloz për njëri tjetrin dhe nuk e lëmë individualin të zhvillohet dhe të punoj, në mënyrë që t’i shërbej vetes, familjes dhe atdheut. Këto karakteristika negative, kanë shfrytëzuar armiqtë shekullorë, sllavo-grekët, që ne arritëm aty ku kemi arritur. Fatkeqësi kombëtare!.
Fatkeqësi akoma më e madhe, se ne nuk po dimë të dalim nga bataku ku kemi rënë. Vetë shqiptarët në mërgim, nuk gjetën formulën e bashkimit. Pika themelore e mundësisë, për të rrëzuar klikën terroriste të Tiranës. U pushkatuan, u hodhën në një gropë të lidhur me një tel me gjemba, legalisti, ballisti, indipendenti. Shqiptarët kakarisnin nëpër klubet e Romës, Parisit, Londrës etj., se do rrëzonin komunizmin shqiptar. Gjepura. Iluzione të humbura në hirin e atij populli të vuajtur dhe të pa shpresë. Njeriu u kthye në një kafshë dhe skllav modern, ku ai lindi për t’i shërbyer mjeteve primitive të punës. Gjithkund revolucionarizimi i mjeteve të punës, duke i shërbyer shoqërisë, e përparon atë. Në vendin tonë të uzurpuar nga klika komuniste, shërbëtore te sllavët, u zbatua një absurditet imagjinar, i pakapshëm nga truri njerëzor!
Dikur thoshnja me vete dhe i lutesha Zotit: “Oh Zot, le të vijë një ditë, ku të paktën të merret vesh çfarë ndodhi në këtë vend. Dita erdhi, por askush nuk na besoi? Ironia e fatit! Ky rruzull, jeton në botën e çudirave. Nga liria e tepruar, në inkuizicion dhe obskurantizëm mesjetar, të pa parë. Për egoizmin e një njeriu, skllavëri totale e mbuluar me një propagandë fallco të shfrenuar. Për egoizmin e një familje, arrihet krimi më i madh, ndryshimi i historisë të një kombi. U zhdukën familje, u zhdukën emra, u zhdukën vepra. Përse? Dhe përse? Kjo pyetje s’ka përgjigje. Demoni hodhi farën dhe plehun e gjeti, nuk u lodh aspak për ta gjetur. Këta kriminelë shkatërruan kombin, për të mbijetuar mbi këtë pleh që i prodhoi”!
Duke përfunduar bisedën me intelektualin e atdhetarin e përkushtuar, Abdyl Ali Koprencka, mësova shumë fakte të jetës së tij, që mundet të shkruhet një monografi e pemës gjenealogjike, të firmëtarit të Shpalljes së Pavarësisë, Xhelal Koprencnka, por në përfundim të këtij shkrimi, dua të shprehë vlerësimet për karakterin e fortë të intelektualit atdhetarë, Abdyl Ali Koprencka, i cili me punë, e vetëm me punë, ka realizuar integrimin dinjitoz me jetën amerikane, duke sfiduar çdo vështirësi, me optimizëm për jetën. Kishte punuar pa u lodhur, nga çasti që preku token e bekuar amerikane, dhe si intelektual me talentin e tij të komunikimit, me sjelljen korrekte, me moralin e lartë të atdhedashurisë, kishte kërkuar të hapte një agjenci shërbimesh.
Në 15 janar 1998, kishte hapur zyrën agjenci udhëtimesh “SKRAPARI TRAVEL”, të cilën e administron për afër 20 vjet, me shumë rregullsi ligjore, duke u shërbyer të gjithë bashkatdhetarëve emigrantë në New York. Në vitin 1999, e kishin thirrur institucionet shtetërore amerikane, si përkthyes. Kishte qëndruar midis shqiptarëve me përkushtim, duke i ndihmuar në kërkesat e tyre. Sot punon në tre punë. Punon 16 orë, në ditët e shtuna e të diela, në agjensinë e shërbimeve “SKRAPARI TRAVEL”. Mbas dite, punon në New York LifeInsurance Bulding, ku babai tij, kishte investuar pjesën më të madhe financiare. Megjithëse ka mbingarkesë pune, është i papërtuar për të ndihmuar shqiptarët. Ai është zhgënjyer me grabitjen që i është bërë shtëpisë së tij në Shkodër, në vitin e zi 1997.
Disa hajdutë e kriminelë, e kanë pronësuar dhe kishin shkatërruar çdo gjë brenda shtëpisë. Ai vazhdon të jetë në procese gjyqësore, por atje ligji nuk funksionon. Ashtu si babai tij, mjeku Ali Xhelal Koprencka, që ishte simboli humanizmit dhe dashurisë për atdheun, edhe biri tij, Abdyl Ali Koprencka, është me zemër të gjerë, humane, atdhedashëse. Zemra e tij është Shkodra, që krijoji familjen, duke e vlerësuar Shkodrën, si krenari të kombit tonë, është Skrapari që është krenari e origjinës së tij, Tirana, Shqipëria, e mbi të gjitha, ndjenja e Shqiptarizmit pa dallime fetare, krahinore, të bashkuar rreth përmendores të emrit të ndritur të heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Memorie.al