Nga Zyba Hysen Hysa
Memorie.al / Studimi i jetës dhe i veprës së gazetarit, Fiqiri Llagami, në kuadër të një libri biografik, i cili kishte mbaruar në “Ecole des hautes – etudes, rue de la sorbonne – paris, ecole de journalisme” në vitin 1935 dhe në “Universiteti de Paris, faculte de droit, crtificat d’etudes administratives et financieres” në vitin 1940, më nxiti të bëj këtë shkrim modest, për t’i paraprirë këtij libri, në të cilin, nuk bëhet thjesht biografi personale, por skaner i kushteve historiko – politike të kohës. Fiqir Llagami ishte një intelektual me përmasa evropiane, se që në fillesat e tij, ka shoqëruar në konferencë shkencore: “Mbi Shqipërinë”, profesorin Leon Rey dhe ka marrë intervista personaliteteve të larta të Francës së asaj kohe, si: senatorin z. Justin Godart, të cilën e ka botuar në gazetën “Besa” me titull; “Ç’thotë për Shqipërinë Justin Godard”, në nr. 859, 28 maj 1934.
Me z. E. V. Letzgus, drejtor i Odës Tregtare franko-shqiptare, me titull: “Për zhvillimin e tregtisë franko-shqiptare”, botuar në gazetën “Besa”, nr. 783, 21 shkurt 1934 etj., i cili, pas Luftës së Dytë Botërore, do të shpallej nga Gjyqin Special të 13 prillit 1945, si “Kriminel lufte” dhe do të dënohej me 20 vjet burg!
Për të vijuar më pas me kalvarin e tmerrit psikologjik që të shkaktonte emërtimi “Armik i popullit”, emërtim që të diskreditonte, para shoqërisë, para familjes, para vetes dhe me arrestimin për së dyti, në vitin 1975 dhe dënimi me 8 vjet burg, por pas tri vitesh burg, do ndërronte jetë në spitalin Nr. 2 të Tiranës, më 17.02.1978, pa e ditur kurrë se pse ishte emërtuar; “Armik i Popullit” dhe pse duhej dënuar e masakruar kështu!
Aq sa herë vijnë pushtuesit, apo qeveritë e vendosur prej tyre, flitet për “Një frymë të re” që për fat të keq, s’ka asgjë të re, përveçse ndërrimit të “kukllave” për të belbëzuar fjalët e “aktorëve”, sipas rastit që kërkohet; herë me zë engjëlli, herë më zë djalli. E është pikërisht ai moment që shqiptarët mbushen me frymë, se besojnë që diçka do të ndryshojë për të mirën e tyre, ishin ato kohë, kur vërtet shqiptarët morën rrugët e botës, jo si emigrantë ekonomikë, por si studentë, të përgatiteshin për të sjellë vërtet frymën e re në trojet tona.
Është për t’u theksuar, se në kohën e Ahmet Zogut, shkuan shumë shqiptarë për studime dhe kishte plot që financoheshin edhe nga qeveria, por ajo që më ka bërë përshtypje, ka qenë ligji, që në rast se mbeteshe në klasë, apo mbaroje studimet e nuk ktheheshe në atdhe, i detyroheshe shtetin të gjithë lekët e shpenzuar, por kjo e mirë, do të thosha, kishte të keqen brenda.
Duke u përqendruar vetëm në faktin sesi është tentuar të përdoret Fiqiri Llagami nga qeveria e pas luftës, pa u futur në detaje tjera të jetës dhe veprës së këtij intelektuali, dua të përmend, se tentative të tilla ka pasur edhe nga qeveritë e para luftës. Në vitin 1931, kur Fiqiriu vazhdonte studimet në gjimnazin e Tiranës, krijohet një organizatë e re, shoqëria “Fryma e Re”, që sipas deponimeve të Fiqiriut, kryetar i asaj ishte zgjedhur vetë ai dhe po sipas deponimeve të tija, ai qysh në vitin 1929, ka filluar të shkruajë artikuj letrarë, të cilat janë botuar në gazeta dhe revista të asaj kohe si në: “Gazeta e re”, revistat “Vatra”, “Ora” etj…!
Në vitin 1931, kishte shkruar një artikull me pseudonimin “Amikus” në gazetën “Shqipëria e Re” të Konstancës, Rumani, ku kritikohet pushteti zogist, arrestohet prej dy policëve, njëri prej tyre ka qenë Besim Pazari dhe pas tri javëve në burg, lirohet…! – Thuhet ndër të tjera në proces-verbalin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, dega e I-rë, Nr. 8, mbi “Materialet që disponohen për Fiqiri Llagamin, Tiranë, më 06.10.1957.
Në periudhën kohore, kur Fiqiri Llagami ishte nxënës ekselent në gjimnazin e Tiranës dhe kur vendi ynë ende nuk kishte një Universitet, sigurisht çdo kush do të drejtonte kërkesën për ndihmë ekonomike, për të mundësuar studimin jashtë vendit, ndaj kërkesa e Fiqiriut që i bën ministrit të Arsimit të asaj kohe, Mirash Ivanajt, nuk mund ta quajë Fiqiriun mbështetës, ose jo të Mbretit Zog, megjithëse ai i kishte shpallur publikisht idetë e tia, të cilat dënoheshin si; “Mendime përparimtare për kohën”.
Kjo e drejtë i takon çdo shtetasi shqiptar, ashtu siç kemi bërë edhe ne në kohën e diktaturës komuniste, pavarësisht se qemë ose s’qemë me bindje komuniste, na jepnin, ose jo bursë. Mendoj, se ishte kjo arsyeja që pasi bëri kërkesën për bursë, e sorollatën nga Ministria e Arsimit, në Ministrinë e Punëve të Brendshme për t’i vënë kushte, nëse do të bëhej bashkëpunëtor i Sigurimit të shtetit.
Ashtu siç shkruhet në relacionin “Tepër sekret”, që përmenda pak më lart, se: “Në vitin 1933, mbasi kryen gjimnazin, i drejton një lutje ish-ministrit të Arsimit, Mirash Ivanajt, për të siguruar një bursë, por ky, pse Ministria e Arsimit “nuk dispononte fonde”, e ka rekomanduar tek ish-ministri i Punëve të Brendshme, Musa Juka, i cili e thirri vetë në shtator 1933, dhe i komunikoi se ishte aprovuar një gjysëm burse me 120 franga në muaj…!
Disa nga detyrat që i kishte caktuar Musaj atij, janë: të fliste gjithmonë mirë në ambientin e huaj, sa herë do të konstatonte ndonjë gjë për të arratisurit e asaj kohe… të njoftonte menjëherë Musanë…”, por gjatë viteve të studimit, e pse thuhet se ai ka raportuar vazhdimisht, por asnjë dokument nuk e fakton këtë, për sa i përket spiunimit të arratisurve, ndërsa në propagandimin e Shqipërisë, ka marrë pjesë aktive dhe jo vetëm kaq, por ka punuar për propagandimin e njohjes së Shqipërisë në Francë, si në Konferencën me Profesorin Rey, si udhëheqës i kërkimeve arkeologjike në Shqipëri për rreth 10 vjet, të cilat vërtetohen me dokumente, por këto do t’i bënte çdo shqiptar i ndershëm.
Por mënyra se si e presin Fiqiriun pasi kthehet nga studimet, bën të mendosh, se ai; “nuk i ka kryer mirë detyrat” e ministrit të Punëve të Brendshme, Musa Juka…! Problem i riatdhesimit të Fiqiriut, pasi mbaron studimet në Sorbonë të Francës, sigurisht do kishte të bënte me njerëzit e pushtetit të at’hershëm, të cilët i premtuan se do ta vendosnin në institucione të rëndësishme, por ndodhi ajo që s’pritej, sapo zbriti në tokën italiane, u arrestua në vitin 1942, nga karabinieria italiane, në kohën kur ky po kthehej nga Franca për në Shqipëri, ku është mbajtur në izolim gati për tre muaj…”
Fakt tjetër është, se pasi lirohet e kthehet në Shqipëri, por as nënkryetar Bashkie nuk e emëruan e, pse ai vend pune ishte jashtë politikës. Në proces-verbalin e mbajtur në datën 11.05.1961, Fiqiriu deklaron para komisionit hetimor të formuar prej: Sino Zhupës, Frederik Nosit, Delo Balilit, Jahja Hatibit se:
“Deri në vitin 1942, kam qenë në Paris, ku shtatë vjet më para pata mbarue Fakultetin e Gazetarisë. Për t’ardhur në Shqipëri, kam shkruar një letër Mustafa Krujës si dhe Kolë Bib Mirakajt, tue u bamë natyrisht oportunitetet e rastit duke premtue. Megjithëse ekonomikisht nuk kam qëndruar mirë, nuk kam pranuar ofiqe politike, as bashkëpunime me organet e okupatorit, megjithëse janë kërkuar herë pas here, se do të punoja me pronë në Shqipni me premtimin se do të kisha përkrahjen e tyre.
Gjatë kohës që Kolë Bib Mirakaj ka qenë ministër i Punëve të Brendshme, i kam parashtrue me gojë lutjen time, që të emërohesha si nënkryetar i Bashkisë së Tiranës, pse ndodhesha në gjendje të vështirë ekonomike dhe nga ana tjetër, ai ishte një ofiq pa përgjegjësi politike dhe adapt për mua që isha diplomuar edhe me studime administrative. Definitivisht ai ofiq nuk m’u dha, se n’atë vend u muer Nikolla Kotte, që ishte më i përkrahur.
Për të përballue nevojat familjare, kam pranue me dhanë mësim të gjuhës frëngjishte në fillim dhe më vonë të gjuhës shqipe dhe histori në Institutin Femëror të Tiranës dhe mbas mbylljes së këtij Instituti, unë mbeta pa punë, sepse punojsha me orë dhe u detyrova të nipsha mësime private të gjuhës frëngjishte dhe me të ardhurat e këtyre mësimeve, kam jetue deri në kohën, kur qeveria e Mitrovicës, deklaroi se lihesh i lirë shtypi.
Vendosa atëherë me nxjerrë një gazetë opozitare, natyrisht brenda kufijve që lejonte situata e atëhershme, me qëllim që të predikojë bashkimin e rinisë, rreth idealit të Atdheut, denigrimin e vëllavrasjes dhe gjithë atyre që ishin banë shkaktar për ardhjen e Italisë në Shqipëri dhe demaskimi i gjithë personave që kishin shërbyer Fashizmit, si për shembull: Mustafa Krujën, Hilmi Lekën, Kolë Bibën, Maliq Bushatin, Qazim Mulletin, e të tjerë.
Në numrin 3 të kësaj gazete kam botuar një artikull në të cilin kam ekzaltuar rininë dhe u shfaqa kundra çdo lidhjeje me çdo okupator, në konsekuencë të këtij artikulli m’u komunikua urdhri i Prefekturës, të më ndalonte vazhdimin e botimit të gazetës dhe u informova se do merreshin masa burgimi kundër meje.
Me këtë rast kam bërë një manovër oportuniste, duke shkue në Tufinë për të takue Abas Kupin dhe për të kërkue ndihmën e tij, i kam marrë një intervistë në të cilën shfaqte idetë e tija përsa i përket çështjes së Kosovës…! Këtë intervistë duket se organet e Qeverisë Mitrovica, e kanë gjetur të shkruar jo në kundërshtim me interesat e tyre dhe me ndërmjetësinë dhe të Abas Kupit, më lejuan ta vazhdoja botimin…”!
Kjo gazetë ishte në opozitë me pushtuesin dhe bashkëpunëtorët e tij, ndaj pas 2 muaj e gjysëm, merret urdhri për mbylljen e saj nga Prefektura në kohën e pushtimit, akuzohet si komunist dhe në kohën e komunizmit, akuzohet si tradhtar dhe “Kriminel Lufte”, kjo lojë e rrezikshme e politikës të ashtuquajtur shqiptare duket qartë, se pavarësisht në je legalist, ballist, komunist, ose i pa organizuar, siç ishte dhe Fiqiriu, nëse shfaqte shenja patriotike në shërbim të popullit, atdheut, kombit, ishte i destinuar të vritej, burgosej, internohej, persekutohej moralisht derisa të bëhej njeri i padëshiruar për shoqërinë, familjen dhe fëmijët e tij.
Ishte e qartë, që një njeri si Fiqiri Llagami, i biri Myslym Llagamit, i cili ka qenë njeri shumë i zoti, një avokat me famë në Tiranën e fillim shekullit të kaluar, por vuajti për një arsye të vetme; kërkonte lirinë për kombin e tij dhe u burgos nga turqit, serbët dhe nga shqiptarët, ku për bashkëshorte kishte të bijën e patriotit Hasan Sharra, i cili e ktheu shtëpinë e tij në seli të ministrive të qeverisë së Ismail Qemalit, një njeri që mbante në shtëpinë e tij hartën e Shqipërisë Etnike, do të kishte fatin e gjithë patriotëve dhe intelektualëve shqiptarë të asaj kohe, se shkrimet e gazetës “Shqipnia”, ishin jo vetëm në kundërshtim me qeverinë, por edhe me Partinë Komuniste, e cila përfaqësonte pushuesin e radhës; Jugosllavët.
Prandaj përpos ndalimit përfundimtar të botimit të saj, pas dy muaj e gjysëm aktivitet patriotik, pas çlirimit dhe ripushtimit nga sllavizmi, do vazhdohej të merreshin me botuesin e saj, për ta quajtur; “Kriminel Lufte” dhe në gjyqin e posaçëm 13 prill 1945, do të gjykohej dhe dënohej me 20 vjet heqje lirie, konfiskim pasurie dhe heqja e të drejtave civile. Në këtë gjyq famëkeq, ku u gjykuan rreth 60 veta, ku disa u pushkatuan, disa u dënuan me 30 vjet burg, disa me 20 vjet burg, me 5 vjet dhe vetën 2 persona dalin të pafajshëm…!
Akuza absurde ndaj tij ishte: “Ka qenë vegël e propagandës armike si propagandist e gazetar”, (sidomos në gazetën “Shqipnia”), akuzë të cilës ai i përgjigjet para trupit gjykues: “Unë që vullnetarisht qëndrova larg aktivitetit politik, qysh prej vjetit 1935 (datë e kryerjes së studimeve të mija universitare, në degën e gazetarisë dhe administratë) dhe deri në botimin e shkurtër të ‘Shqipnisë’ (mars-prill 1944) Unë, që nuk botova asnjë gazetë politike, për gjatë një periudhe 10 vjeçare, s’ka dyshim se nuk isha aq budalla e injorant, sa që, tamam kur okupatori dhe regjimi ishin n’agoni. të bëhesha avokati tyne! Dhe avokat pa shpërblime!
Faktorët që determinuen vendosjen e botimit, i kam shfaqë sinqerisht në ‘Pro – Memorja’; shokët e maleve, qysh para botimit, kanë qenë lajmërues mbi programin e fletores, program që ja kam pasur dhanë Nexhmedin Shehit, i cili, natyrisht e ka komunikue aty ku duhesh. ‘Shqipnia’ porsa doli, u pritë me enthuziazmë dhe në të bashkëpunuen shumë shokë në ilegalitet, si Demir Godelli, etj…
Sot s’është vështirë të kritikosh okupatorin dhe njerëzit e tij, “Shqipnija” ka luftue mu në kohën që ata kishin pushkën në dorë dhe ne vetëm pendën dhe flakën e dashurisë për Atdhe…”!
Kështu, në dëshmisë e penalitetit, në dokumentin e datës 26.11.1975, thuhet: “Me vendim të gjykatës speciale, me Nr. (s’ka) datë.14.04.1945, është dënuar për krime lufte me 20 vjet heqje të lirisë…”, por më vonë i falen 10 vjet me rastin e 28 nëntorit dhe në vitin 1954, lirohet nga burgu, për të provuar më vonë burgun më të rëndë, atë të terrorit psikologjik, duke e dërguar në internim në Lushnjë, për një vit, por kthehet në Tiranë pas 6 vitesh, për të nisur kalvari i papunësisë, varfërisë së tejskajshme dhe përndjekjes nga “operatorët” e Sigurimit të Shtetit, të cilët i shfaqeshin miq…!
Nuk kam prekur me dorë një dosje kaq voluminoze sesa të Fiqiri Llagamit, e në të njëjtën kohë, një dosje e mbushur me: “Më tha, i thashë”, apo “doli nga shtëpia, kaloi rrugën, u takua me… u nda pastaj…”?! O zot i madh, çfarë është bërë me shqiptarët vetëm e vetëm për t’i pasur nën kontroll, për t’i robëruar e masakruar deri në palcë!
Kështu pasi shkruhej përralla – “telenovela”, bëhej arrestimi me akuzën “Armik i popullit” dhe në vitin 1975, arrestohet dhe më datën 30.11.1975, dënohet me 8 vjet burg, “Për agjitacion dhe propagandë”, akuzë që Fiqiri Llagami e kundërshtoi me forcë dhe nuk e pranoi, por siç e thashë edhe në fillim, i erdhi në “ndihmë” vdekja e parakohshme, për ta shpëtuar nga ferri komunist, se më 17.02.1978, ndërroi jetë në spitalin Nr. 2, të Tiranës.
Rrugëtimi i jetës së Fiqiri Llagamit, është si e shumë intelektualëve shqiptarë të asaj kohe, por për fatin e keq, edhe të kësaj kohe pa kohë të mirë për shqiptarët, por të shkruash për jetën dhe veprën e tyre, është detyrë e çdo intelektuali, shkrimtari, studiuesi, për të kuptuar ku ishim, ku jemi dhe ku duhet të shkojmë!
E kam thënë shpesh, e përsëris deri në monotoni, se shtresa e intelektualëve të viteve ’40-të, as ka qenë ndonjëherë, as ka për të ardhur kurrë për Shqipërinë dhe kombin tonë, vrasja, burgosja, internimi, diskriminimi i tyre nga sistemi komunist, ka qenë fatkeqësia më e madhe e kohërave. Humbjen e parakohshme të këtyre intelektualëve, e ndjeu jo vetëm Shqipëria e atëhershme, Shqipëria e diktaturën komuniste, Shqipëria e sotme, por do e ndjejë edhe Shqipëria e nesërme…! / Memorie.al