Nga Dr. Nikoll Loka
Pjesa e njëzet
“PRENGË BIBË DODA, DRITËHIJET E NJË BURRËSHTETASI”
Memorie.al / Libri më i ri “Prengë Bibë Doda, një fenomen në jetën politike shqiptare”, i studiuesit Nikollë Loka, jo vetëm zgjeron fushën e studimeve historike mbi Mirditën, Derën e Gjonmarkajve dhe figurën e Princit mirditor, Prengë Bibë Doda, por është edhe një kontribut, në historiografinë kombëtare. Lënda shumë e pasur arkivore, literatura e shfrytëzuar apo e konsultuar, gojëdhënat etj, e bëjnë këtë libër, një thesar të vërtetë studimor, duke i dhënë shkencës së historisë një monografi shkencore, që pasuron njohuritë tona mbi Mirditën, kapedanët e saj, traditën, historinë etj. Të studiosh një figurë sa të rëndësishme dhe komplekse, siç është figura e Prengë Bibë Dodës, është përgjegjësi e lartë shkencore që, jo çdokush e merr përsipër. Nikollë Loka, ka bërë një punë të madhe hulumtuese dhe trajtim prej studiuesi profesionist, duke na e dhënë portretin e Princit dhe gjeneralit mirditor, me konturet e vërteta. Dr. Loka, i është përmbajtur fund e krye hapësirës dhe kohës, në të cilën janë zhvilluar ngjarjet shumëdimensionale dhe protagonistët e tyre.
MONOGRAFIA “PRENGË BIBË DODA, NJË FENOMEN NË JETËN POLITIKE SHQIPTARE”, NJË STUDIM SHKENCOR ME VLERË QË PASURON FONDIN E STUDIMEVE TONA HISTORIKE
(Nga Mr. Sc. Murat Ajvazi, mars 2017, Zvicër)
Në Trieste, Prenga kishte takuar politikanin e njohur shqiptar Ismail Qemal Beu. Ai kishte ardhur posaçërisht prej Zvicre për këtë qëllim, pasi e shihte Prengën, si përfaqësuesin e fiseve katolike të Shqipërisë së Veriut. Në këtë kohë, Prengë Pasha ishte thirrur urgjentisht nga udhëheqësi i mirditorëve, Mark Gjoni, për të shkuar në Shkup, që të ushtronte influencën e tij në bisedimet që po zhvilloheshin midis shqiptarëve dhe autoriteteve osmane, pas pushtimit të qytetit nga shqiptarët. Ishte thirrur dhe Ismail Qemali, por për të njëjtën arsye, si dhe ai, nuk kishte marrë pjesë. Princi i Mirditës, kishte dërguar në Shkup zëvendësin e tij, Marka Gjonin. Në qoftë se zhvillimi i mëtejshëm i ngjarjeve në Shqipëri e pengonte udhëtimin e tij për në Shkup në atë moment, Prenga kishte ndërmend të shkonte atje, në të ardhmen. (402)
Prenga kishte qenë aktiv nëpërmes dy ndihmësve më të afërt, sekretarit të tij, Ibrahim Kumanova dhe dhëndërrit të tij, Doktor Sadedinit, të cilët mund të lëviznin lirisht. Kur konsulli francez në Shkodër, kishte kaluar në Trieste, kishte takuar Ibrahim Efendiun, në relacionin që kishte bërë në lidhje me atë takim ai shkruan: “… Kam shpresuar që këshillat e mia, do të ishin frytdhënëse dhe më vjen keq që po vërej se nuk janë respektuar…! Që nga nisja e Prengë Bibë Dodës nga Shkodra, duke harruar rezervën që ia imponon kombësia e tij dhe grada e Gjeneralit në armatën osmane, ai ka bërë shumë udhëtime në Itali, duke u ofruar kështu autoriteteve osmane arsye të mjaftueshme, për ta akuzuar se po ndihmon mirditasit për të mirën e italianëve. Qëndrimi i Ibrahim Efendiut në Podgoricë, prania e tij e mëvonshme në Orosh dhe në Kallmet, vetëm do të ashpërsojnë akuzën, ndaj të cilës do të jetë vështirë që, në rastin e duhur, të paraqiten argumente të vlefshme kundërshtimi”.
Konsulli francez harron në këtë rast, se ishte ende në fuqi urdhri për paraqitjen e Prengës në Stamboll. Duke qenë i detyruar të largohet për arsye të sigurisë së tij, Prenga megjithatë, e ndjen përgjegjësinë e funksionit që mbante, prandaj kishte shfrytëzuar çdo rast, për të mbetur në lidhje me zhvillimet në Shqipëri dhe në Mirditë. Motivet e Prengës për nevojën e ruajtjes së lidhjeve me Mirditën, i pohon edhe konsulli francez: “I informuar për rolin që po luan tani kushëriri i tij dhe i frikësuar që ai do t’i marrë vendin, ky Princ i Mirditës, ka menduar me vete që dërgimi i sekretarit të tij në Mirditë, do t’u dëshmonte bashkatdhetarëve se ai interesohet gjithnjë për ta dhe do ta vendoste autoritetin e tij të kërcënuar. Ky është një përfundim personal, që mbështetet fare mirë në karakterin e Prengë Pashës”. (403)
Për udhëtimin e sekretarit të Prengë Pashës, po ai konsull, dërgon në Paris një relacion të hollësishëm, pasi ai e kishte ndjekur me vëmendje: “Me njoftimin tim nr. 96, pata nderin t’Ju sinjalizoja, Shkëlqesi, praninë në Malin e Zi të Ibrahim Efendiut, sekretar i Prengë Pashës. I pata thënë se prania e tij në mesin e kryengritësve, do të zgjonte me siguri dyshimin e autoriteteve, e kjo do të kishte pasoja mjaft të rënda për të dhe zotërinë e tij. Parashikimet e mia po realizohen. Disa lajmërime të afishuara në qytet, i japin Ibrahim Efendiut një afat prej tetë ditësh, për t’u paraqitur para autoriteteve dhe, në rast mungese, do të dënohet nga një gjykatë ushtarake. Ky dënim, duke marrë parasysh propagandën për kryengritje që ia veshin atij, si dhe gjendjen e shtetrrethimit, nuk mund të jetë veçse dënim me vdekje.
Nga ana tjetër, Prengë Pasha, ka marrë në Trieste ku gjendet tani, urdhrin e Ministrit të Luftës, që të shkojë menjëherë në Kostandinopojë, ku me siguri do të duhet të japë llogari për mungesën e tij të paligjshme nga Komanda e Divizionit të Redifeve të Shkodrës, për udhëtimet e tij të shpeshta në Itali, për qëndrimin e fundit në Vjenë, ku ka shkuar me pretekstin se do të asistonte në festimet e Kongresit Eukaristik. Nuk e di nëse ai do t’i bindet kësaj thirrjeje, por shpresoj të heqë dorë nga ky qëndrim armiqësor, që asgjë nuk e përligj. Nëna e tij, me të drejtë është e shqetësuar nga këto masa dhe ka frikë se mos do të ketë pasoja. Kjo gjendje rëndohet edhe më shumë, nga ikja e doktor Sadedinit, mjek ushtarak, që thuhet se është fejuar me njëfarë Marta, që jeton me Princeshën. Ky oficer, ishte njeri i zakonshëm i tryezës së shtëpisë dhe ikja e tij klandestine për në Trieste, me siguri që do të interpretohet, jo vetëm kundër tij, por edhe kundër Prengë Pashës, duke ia veshur këtë veprim nxitjeve të tij”. (404)
Me 8 shtator, Prengë Bibë Doda ishte nisur për në Vjenë. (405) Me këtë rast, nëpërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme të Austro-Hungarisë, kishte kërkuar që t’i bëhet ky lajmërim nënës së tij: “Ministri i Luftës Nezim Pasha, e ka ftuar Prengën rishtazi, për të shkuar në Kostandinopojë. Ai lyp këshillën e nënës së tij, duke pasur parasysh përshtypjen që do të bëjë te mirditorët, a duhet që t’i përgjigjet pozitivisht kësaj ftese apo jo”? Përgjigja e Margjela Bib Dodës, të transmetohet telegrafisht. Berchtold (406)
Siç duket, përgjigja e Princeshës kishte qenë negative, pasi nga Vjena Prenga, në vend të Stambollit, kishte shkuar në Paris. Sipas një njoftimi të Legatës së Serbisë në Cetinë, “një ndër qëllimet e udhëtimit të Bibë Dodës në Paris, është dhe takimi me ambasadorin turk, për t’u mbrojtur nga akuzat e Valiut të Shkodrës”. (407) Konsulli francez Krajevski, njofton me këtë rast Ministrinë e Jashtme: “Përkundër telegramit qetësues të Ambasadës që ia kam dërguar, përkundër këshillave për pjekuri që ia kam dhënë, Prengë Pasha, nuk ka dashur të heqë dorë nga vendimi i vet për të shkuar në Paris, para se të shkojë në Stamboll, për të paraqitur informimet që priten prej tij.
Ai e ndjen veten të kërcënuar nga bastisja që i është bërë shtëpisë së tij në Kallmet dhe shpreson të ketë garanci sigurimi, për të ruajtur gjendjen e natyrshme të gjërave. Po, sikur ankimet që mund të bëhen kundër tij nuk i mjaftojnë, ai shton dhe një tjetër më të rëndë, që këtë herë do ta komprometonte. Bibë Doda më ka thënë që udhëtimin në Paris, ia kishte këshilluar Valiu vetë. E kam të vështirë ta besoj këtë, por vetëm nëse kjo këshillë fsheh dëshirën për ta kompromentuar përfundimisht, pranë Qeverisë Osmane. Këtë unë ia kam shpjeguar, por pa ia dal ta bind.
Shpresoj që mendimi i tij i pavendosur, do ta bëjë që të ndërrojë rrugë dhe të shkojë drejt e në Stamboll, pa kaluar nëpër Paris…! Ai është nisur dje me një anije austriake, i shoqëruar nga shumë njerëz dhe oficeri i vet, i cili i është bashkangjitur nga Komiteti, padyshim për të mbikëqyrur sjelljet e tij dhe për ta spiunuar. (408)
Prengë Bibë Doda, u largua nga vendi sepse nuk desh t’i bindej ftesës së Portës së Lartë, për të vajtur në Stamboll. Në këtë periudhë në Shqipëri, ndodhën ngjarje të vrullshme politike, por më kryesorja, ai me qëndrimet e tij jashtë vendit që kishin qenë nën vëzhgimin e rreptë të diplomatëve të shteteve të interesuara, kishte mbajtur qëndrime kundër interesave austro-hungareze dhe për këtë qëllim, nuk ishte parashikuar që të kryente funksione politike të nivelit të lartë në shtetin e ri shqiptar. Pas plot 14 muaj qëndrimi në Evropë, Prengë Pasha, me datë 6 gusht 1913, me torpedinierin italian “Iscari”, arrin në portin e Shëngjinit. (409)
Për të gjithë periudhën nga qershori i vitit 1912 dhe deri në gusht të vitit 1913, për plot 14 muaj, Prengë Bibë Doda, qëndroi jashtë vendit, fillimisht për arsye sigurie dhe pastaj për shumë arsye të tjera, që kanë të bëjnë me përcaktimin e rolit të tij në zhvillimet e ardhshme politike në Shqipëri, apo me angazhimet për problemet ekonomike të familjes.
Largimi jashtë atdheut, bashkë me mungesën e dëshirës nga ana e Vjenës që Prenga të jetë protagonist me rëndësi në shtetin e ri shqiptar, janë faktorë që shpjegojnë mungesën e tij në Kuvendin historik për shpalljen e Pavarësisë Kombëtare dhe në proceset e para shtetformuese. Prengë Bibë Doda, mbeti në raporte konfliktuale me Portën edhe pse pati përpjekje të dyanshme për t’i lehtësuar marrëdhëniet. Ndryshe nga politikanët e tjerë shqiptarë, për arsye që nuk vareshin krejtësisht prej tij, nuk mund të hiqte dorë nga funksioni i Kreut tradicional të Mirditës. Edhe po të pranohej qeverisja e Prengës mbi të dymbëdhjetë bajrakët, përsëri Mirdita, do të ngrinte krye për privilegjet e tjera të vetëqeverisjes, që binin në kundërshtim me programin qeverisës të xhonturqve, që do të thotë se konflikti midis Mirditës dhe Portës së Lartë, ishte i pashmangshëm.
Hijet e një burrështetasi
Në periudhën 1908-1912, Kapidani prijës i Mirditës, veproi në përbërje të Lëvizjes Kombëtare, duke qenë i detyruar të merrte pjesë në strukturat qeverisëse dhe luajti rol ndërmjetësues, midis mirditasve dhe zyrtarëve osmanë të Vilajetit të Shkodrës. Prenga, veproi në situata të vështira dhe është dashur të ndërtojë e të prishë aleanca në varësi të zhvillimit të ngjarjeve. Ai ka vepruar në prapaskenë, prandaj për shumë ngjarje historike me vlerë, nuk përmendet drejt për së drejti dhe duhet një shqyrtim i kujdesshëm i fakteve, për të vajtur te kontributi i tij. Kreu mirditas, ishte sipas Kanunit që zbatohej në Mirditë, udhëheqësi i lëvizjes, (asgjë nuk mund të bëhej pa lejen e tij), Marka Gjoni, drejtonte në emër të tij, ndërsa komandant ushtarak, ishte Prengë Marka Prenga, Bajraktari i Oroshit.
Në kushtet kur nuk iu lejua ushtrimi i funksionit të Kreut të Mirditës, Prenga, u lidh me të gjithë ata që mund ta ndihmonin sado pak kauzën e tij, në qarqet atdhetare arbëreshe dhe intelektuale shkodrane. Kur nuk iu dha një rol në përgatitjet për shpalljen e Pavarësisë, ai frekuentoi mjediset politike dhe diplomatike të vendeve të ndryshme, disa me qëndrim armiqësor ndaj çështjes shqiptare. Si politikan, Prenga hidhte ide dhe propozime, të cilat pastaj i analizonte me qetësi. Duke ndjekur veprimtarinë politike të Prengës, vërejmë një mungesë përputhje midis ideve dhe veprimeve të tij. Si politikan, ishte disi i nxituar në hedhjen e ideve dhe propozimeve, ndërsa si burrështetas, tregohej i matur në veprime. Sidoqoftë edhe Prengë Biba Doda, ka hijet e tij, që dëshmojnë për kompleksitetin e situatave në të cilat jetoi e veproi, si dhe raportin e vështirë që ai kishte, me mjedisin politik shqiptar.
Kreu mirditas nuk ishte pjesëmarrës i dy ngjarjeve madhore të historisë sonë kombëtare. U anashkalua nga këto ngjarje, apo nuk preferoi të merrte pjesë? “Pjestar me zor, nuk bahesh”- thotë mirditasi. Mesa duket, në të dy rastet kanë vepruar një sërë faktorësh jashtë vullnetit të tij, që e kanë lënë Kapidanin, jashtë rrjedhës politike të ngjarjeve, që është dashur medoemos të merrte pjesë. Në prag të themelimit të Lidhjes së Prizrenit, Prenga e pati të ndaluar fillimisht që të lëvizte lirisht dhe qëndroi vetëm në Shkodër, ndërsa pas udhëheqjes së kryengritjes së Mirditës, deri në maj të vitit 1880, nuk i doli falja, e gjashtë muaj më vonë, në dhjetor të atij viti, u internua në Turqi. Por nëse nuk ishte delegat në sallën e Kuvendit të Lidhjes, ai u bë komandant i shquar ushtarak, në betejat e saj.
Prengë Bibë Doda pati një bashkëpunim të gjatë me malazezët, pavarësisht qëndrimeve të tyre ndaj çështjes shqiptare. Vetë Mirdita, kishte vetëm forcat luftarake, por i mungonte gjithçka tjetër për të zhvilluar një kryengritje. Në atë situatë, Kreu i Mirditës, u qe drejtuar të gjithë faktorëve që mund ta ndihmonin. Ambasadori austro-hungarez në Cetinë, Giesi, u shkruan eprorëve në Vjenë, lidhur me qëndrimin e Malit të Zi ndaj organizimit të kryengritjes së shqiptarëve: “Mbreti pa dashje më pohoi se pardje, kishte folur në Rjekë me një përfaqësues fuqiplotë të Prengë Bibë Dodës dhe me krerë të Pukës e të Shalës, të cilët i kishin thënë si qëndrojnë punët. Sipas fjalëve të tyre, mirditasit paskan vendosur të ngrenë krye, kurse Bibë Doda, që gjoja mban anën e qeverisë, luan një rol të dyfishtë. Po presim të vijnë disa mijëra pushkë “Maliherë”, pra armë austro-hungareze”. (410)
Por Austro-Hungaria, mbështeste akoma status quo-në dhe Konsulli austro-hungarez në Shkodër, Zambaur, u paska thënë emisarëve të Prengës: “E dimë se tani keni të holla, mirëpo atyre që do ta shtypin kryengritjen, ne do t’u vëmë në dispozicion shumë më tepër”. (411)
Prenga hyri në marrëdhënie me zyrtarë të disa shteteve që kishin interesa konkurruese në Shqipëri dhe u premtoi të gjithëve. Ai lidhet me austro-hungarezët, italianët, malazezët, etj., madje e bën rrugën vajtje-ardhje, nga Mali i Zi në Itali, për në Austro-Hungari dhe anasjelltas, duke u përcjellë me vëmendje në udhëtimet e tij, jo vetëm nga diplomatë të këtyre shteteve, por edhe nga zyrtarë e diplomatë të shteteve të tjera të interesuara.
Gjatë qëndrimit të Bibë Dodës në Trieste, policia e qytetit kishte informuar organet eprore: “Prengë Pashë Bibë Doda, një nga krerët shqiptar, për të cilën flet raporti im i datës 22 gusht 1912, Nr. 140/8, u kthye pardje përsëri nga Italia në Trieste. Ai kishte udhëtuar për çështje private, deri në Venedik dhe Milano.
Pretendon se atje ka marrë ftesën e qeverisë italiane, për të shkuar në Romë dhe se, gjatë gjithë kohës tjetër të qëndrimit të tij në Itali, kishte qenë pastaj mysafiri i saj. Siç më tregoi dje Bibdoda, me të cilin kam shumë vjet që jam mik, qeveria italiane, është tani mjaft e interesuar që të bëjë për vete fiset e krishtera të Shqipërisë së Veriut. Unë nuk munda që ta kuptoj nga fjalët e tij, se çfarë qëndrimi dëshiron të marrë kundrejt këtyre synimeve të qeverisë italiane. E sigurt është vetëm se konfidenca e shfaqur në Itali ndaj tij, e ka bërë tepër italofil. Se çfarë ishin këto aspirata, Bibdoda nuk donte që t’i shfaqte direkt, por indirekt, ato mund të nxirreshin prej programit, për të cilën, sipas mendimit të tij, duhet të luftojnë tani shqiptarët.
Ky program është projekti i elaboruar në vitin 1880, prej Komisionit të Rumelisë Lindore, në lidhje me Shqipërinë e Veriut, i pranuar dhe prej të gjitha Fuqive të Mëdha europiane, me përjashtim të Rusisë. Ai program synon, krijimin e vikariateve të krishtera, program për të cilin Bibdoda, flet vetëm pasi është kthyer nga Roma. Prandaj supozimi është tepër i mundshëm që për këtë përpjekje, ai të jetë ftuar tani në Romë. (412)
Por më tepër se kjo gjë, meriton konsideratë edhe fakti tjetër se Bibdoda, është kthyer përsëri në Trieste, me qëllim që të takohet këtu me të dërguarin e Mbretit të Malit të Zi, me të birin e agjitatorit të njohur shqiptar, Sokol Bacit, Nikollë Bacin. Ky i fundit, i solli Bibdodës ftesën e mbretit Nikolla, për të shkuar në Cetinë. Sipas të dhënave të Nikollë Bacit, “Mbreti, do t’i bëjë Bibë Dodë Pashës propozimin, që ai ta ndihmojë për pushtimin e Shkodrës dhe të krahinës deri në Drin, me angazhimin e fiseve katolike shqiptarë dhe, në këmbim, Mali i Zi, do ta ndihmojë atë që të realizojë aspiratat e tij, në lidhje me fiset katolike”. (413)
Për qeverinë serbe, “Prengë Bibë Doda, është në shërbimin turk këmbë e krye. Detyra e tij nuk është e lehtë, ngaqë shumë kush e paraqet si tradhtar. Por, meqë mirditasit ushqejnë ndaj tij një respekt të jashtëzakonshëm prej shenjti, duke qenë pasardhës i familjes princërore të zbritur nga zoti, me të cilën lidhen kujtimet më të mira fisnore, ai ia del t’i përballojë, të gjitha vështirësitë”. (414)
Ndërkohë që Kapidani Gjonmarkaj, ndodhej në Malin e Zi, në Mirditë kishte filluar një lëvizje anti malazeze. “Siç flitet ndërmjet shqiptarëve që jetojnë këtu, udhëtimi i Bibë Dodës, paska lidhje me një lëvizje që paska ndodhur gjoja tani afër ndër mirditas dhe që drejtohet si kundër qëndrimit nën sundimin turk, ashtu dhe kundër një përparimi të mëtejshëm të malazezëve, duke pasur si qëllim, pavarësinë e krahinës së tyre”. (415)
Ajo lëvizje duhet të jetë fryt i propagandës atdhetare të bërë nga klerikët. Pasha i Mirditës, nuk u bë lider i lëvizjes për pavarësi, siç ishte Hasan Prishtina, e ndonjë personalitet tjetër historik i shquar. Për mungesën e pjesëmarrjes aktive në kryengritjen e Shqipërisë së Mesme, të dy pashallarëve, Esad Pasha dhe Prengë Pasha, ajo kryengritje nuk pati pjesëmarrje aq të gjerë dhe nuk u arritën rezultatet që kërkoheshin.
Për aq kohë sa Prenga qe i përjashtuar nga pjesëmarrja në qeverisje, ai zhvilloi idenë e tij të kantonizimit të vendit, duke patur parasysh ndikimin e tij në Mirditë dhe në trevat e tjera katolike. Prenga këtë propagandë e kishte bërë edhe pranë anëtarëve anglez dhe francez të Komisionit Ndërkombëtar. Sipas
tij, “Shqipëria e ardhshme duhet të ndahej në tri provinca, krejtësisht autonome, me nga një guvernator të përvetshëm, të lidhur ndërmjet tyre nëpërmjet personit të Princit. Në krye të Shqipërisë së Jugut, mendon të jetë Myfit Beu, të Shqipërisë së Mesme, Hamit Beu dhe të Shqipërisë së Veriut, Prengë Pasha.
Ideja e kantonizimit ishte trajtuar vite më parë nga Abat Doçi, edhe atëherë për llogari të Princit të Mirditës. Të njëjtin qëndrim, mbante Doçi edhe në fillimet e shtetit shqiptar. Ngjashmëria në pikëpamje midis Dodës dhe Doçit, u kishte bërë përshtypje edhe të huajve. Kundëradmirali Barry, njoftoi se “Prengë Pasha dhe Imzot Doçi, i kishin bërë këtij problemi një trajtim krejtësisht të njëllojtë”. (416)
Në një variant tjetër të kantonizimit, Prenga e pakësonte numrin e njësive të vetëqeverisura shqiptare, nga tri në dy, për drejtimin e të cilave, në njërën ka parasysh veten. Sipas Prengë Bibë Dodës; “qenka e domosdoshme që me rastin e krijimit të një Shqipërie autonome, duhet të parashikohet një ndarje administrative në dy pjesë të vendit. Kështu rajoni i fiseve malore katolike, që vlerësohen prej tij deri afërsisht 300 mijë frymë, të formojnë njërin unitet administrativ, ndërsa ai i shqiptarëve myslimanë dhe ortodoksë, të cilët së bashku përbëjnë afërsisht 300 mijë frymë, të formonin unitetin tjetër. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
- Ramiz Abdyli, Lëvizja Kombëtare Shqiptare 1911-1912, Libri 2, Institute i Historisë Prishtinë, 2004, f.158
- Telegram i drejtorisë së policisë në Trieste, drejtuar guvernatorit të Triestes, mbi veprimtarinë e I. Qemalit, etj, Tel. Nr. 666, Trieste, gusht 1912, Shqipëria në dokumentet Austro-Hungareze 1912, vëlli. II, f.105-106
- Relacion i Konsullit të Francës në Shkodër, për Shkëlqesinë e tij, Zotin Poincare, Kryeministër dhe Ministër i Punëve të Jashtme, lidhur me lëvizjen e Prengë Bibë Dodës nëpër Itali, Nr. 96, Shkodër e Shqipërisë, më 29 gusht 1912, Dokumente Franceze për Shqipërinë dhe shqiptarët më 1912, vëllimi II, Muhamet Shatri, botimet Toena, Tiranë, 2012, f.85-87
- Konsulli i Francës në Shkodër, Shkëlqesisë së tij, Z. R. Puankare, Kryetar i Këshillit të Ministrave, Ministër i Punëve të Jashtme të Republikës Nr. 127, Shkodër, 23 shtator 1912, Dokumente Franceze për Shqipërinë dhe shqiptarët më 1912, Instituti i Historisë Prishtinë, zgjodhi, përgatiti dhe redaktoi Muhamet Shatri, Prishtinë, 2004, f.284
- Njoftim i Drejtorisë së Policisë austro-hungarezve në Trieste mbi lëvizjet e Prengë Bibë Dodës si dhe lidhjet e tij me Italinë dhe Malin e Zi, Nr. 9177, Trieste, më 8 shtator 1912, në Shqipëria në dokumentet Austro-Hungareze 1912, vëlli. V, Qenrda Studime, Albanologjike Instituti i Historisë, përgatiti Beqir Meta, Muharrem Dezhgiu, Fatmira Musaj, botimet Albanologjike, 2012, f. 164-165
- Porosi e kontit Berchtold drejtuar konsullit të përgjithshëm austro-hungarez në Shkodër, Zambaur, për të pyetur nënën e Prengë Bibë Dodës nëse e shihte të arsyeshme që ai të bënte një vizitë në Stamboll sipas ftesës së qeverisë osmane, Nr. 71, Vjenë, më 21 shtator 1912, në Shqipëria në dokumentet Austro-Hungareze 1912, vëlli. V, Qendra Studime, Albanologjike Instituti i Historisë, përgatiti Beqir Meta , Muharrem Dezhgiu, Fatmira Musaj, botimet Albanologjike, 2012, f. 345
- Legata e Mbretërisë së Serbisë në Cetiën, Kryeministrit dhe Ministrit të Jashtëm të Mbretërië së Serbisë, Millovan Millovanoviq në Beograd, Cetinë 3 qershor 1912, Kryengritja shqiptare e vitit 1912 në dokumentet serbe, Instituti Albanologjik Prishtinë 2008, f.258
- Dokumente franceze për Shqipërinë dhe shqiptarët më 1912, zgjodhi përgatiti dhe redaktoi Muhamet Shatri, botim i Qendrës së Studimeve Albanologjike, Toena, Tiranë 2012,f.85-87
- HHStA-PA-VJ-23-11-1291. Nr. 218. Kastalnuovo-Shkodër, datë 7 gusht 1913. Telegram shifror i Z. Zambaur dërguar Bertold, Vjenë
- Raport i ministrit Fuqiplotë Giesi Cetina, drejtuar eprorëve në Vjenë, lidhur me qëndrimin e Malit të Zi ndaj organizimit të kryengritjes së shqiptarëve dhe emigrimit të tyre në këtë shtet, Nr. 3247, Nr. 8/ Tepër sekret, Cetinë, më 25 janar 1912, Shqipëria në dokumentet Austro-Hungareze (1912), Vëllimi I, përgatitja dhe redaktimi Beqir Meta dhe Sokol Gjermeni, Botimet Albanologjike, 2014, Qendra e Studimeve Albanologjike, Istituti i Historisë, f.132-133
- Raport i ministrit Fuqiplotë Giesi Cetina, drejtuar eprorëve në Vjenë, lidhur me qëndrimin e Malit të Zi ndaj organizimit të kryengritjes së shqiptarëve dhe emigrimit të tyre në këtë shtet, Nr. 3247, Nr. 8/ Tepër sekret, Cetinë, më 25 janar 1912, Shqipëria në dokumentet Austro-Hungareze (1912), Vëllimi I, përgatitja dhe redaktimi Beqir Meta dhe Sokol Gjermeni, Botimet Albanologjike, 2014, Qendra e Studimeve Albanologjike, Instituti i Historisë, f.132-133
- Njoftim i Drejtorisë së Policisë austro-hungarezëve në Trieste mbi lëvizjet e Prengë Bibë Dodës si dhe lidhjet e tij me Italinë dhe Malin e Zi, Nr. 9177, Trieste, më 8 shtator 1912, në Shqipëria në dokumentet Austro-Hungareze 1912, vëlli. II, Qenrda Studime, Albanologjike Instituti i Historisë, përgatiti Beqir Meta, Muharrem Dezhgiu, Fatmira Musaj, botimet Albanologjike, 2012, f. 164-165
- Njoftim i Drejtorisë së Policisë austro-hungarezëve në Trieste mbi lëvizjet e Prengë Bibë Dodës si dhe lidhjet e tij me Italinë dhe Malin e Zi, Nr. 9177, Trieste, më 8 shtator 1912, në Shqipëria në dokumentet Austro-Hungareze 1912, vëlli. V, Qendra Studime, Albanologjike Instituti i Historisë, përgatiti Beqir Meta, Muharrem Dezhgiu, Fatmira Musaj, botimet Albanologjike, 2012, f. 164-165
- ACG, MID. F-163, Legata e Mbretërisë së Serbisë në Malin e Zi” Kryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Serbisë, Millovan Millovanoviq në Beograd, Cetinë, 25 nëntor 1912, Kryengritja shqiptare e vitit 1912 në dokumentet serbe, përgatitur nga Zekeria Cana, Instituti Albanologjik Prishtinë 2002008, f.90
- Përfaqësuesi diplomatik i Austro-Hungarisë në Bari njofton ambasadorin në Romë dhe kontin Berchtold në Vjenë, rreth lëvizjeve të Prengë Bibë Dodës dhe synimin e tij për të shkuar në Shqipëri Tel. Nr. 19/pol, Bari, më 13 nëntor 1912, Shqipëria në Dokumentet Austro-Hngareze (1912) Vëllimi VI, përgatiti: Marenglen Verli, Ledia Dushku, Botimet Albanologjike, 2012, Qendra e Studimeve Albanologjike Instituti i Historisë, Tiranë, f.177-178
- HHStA-PA-Vj. 23-15-1596, Kastelnuovo-Shkodër 28 gusht 1913
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016