Nga Belinda Budini
-Dëshmia e rrallë e Zhozef Makanga, kongolezit që erdhi në moshën 8 vjeçare në Shqipëri, dhe pasi u sistemua në Shtëpinë e Fëmijës, së bashku me bashkatdhetarët e tij, u dërguan në Vlorë, ku vuajti gjatë, duke mos e mbushur kurrë barkun me bukë dhe kur shkonte atje kryeministri Mehmet Shehu, ata i mbanin mbyllur, si “fëmijë me ngjyrë”!
Memorie.al / Është rritur në Shqipëri, por kurrë nuk e kanë thirrur shqiptar. Ka patur shokë shqiptarë, shtëpi, punë dhe grua në Tiranë, por as kjo nuk ka mjaftuar për t’u ndjerë shqiptar. Gjuha që njeh më mirë është shqipja, shkruan poezi dhe këndon këngë popullore shqiptare, vdes për raki Skrapari dhe më mirë se në shqip, nuk di të shajë në asnjë gjuhë tjetër. Jo vetëm këto, por as 27 vjet të jetuara në Shqipëri, nuk kanë mjaftuar që, Joseph Makanga, të fitonte statusin e shqiptarit. Ashtu sikurse nuk mjaftuan as për dhjetëra fëmijë të tjerë me ngjyrë, që në vitet ’60-të erdhën në Shqipëri nga vendet komuniste të Afrikës dhe që tashmë enden nëpër botë pa identitet.
Drama e tij është që kurrë nuk arriti të ndihej “si gjithë të tjerët” në Shqipëri, edhe pse si gjithë të tjerët nuk ngopej me bukë në atë kohë, pinte çaj me klor dhe i kishte ardhur në majë të hundës, marmelata e krimbur e mollës. Edhe pas përfundimit të studimeve të larta për Mjekësi dhe gjatë punës si kirurg në Spitalin nr.2 në Tiranë, ai mbeti thjesht “kongolezi” apo më keq akoma “zezaku”, për të mos përmendur ndonjë zhargon vlonjat, që Zhozefi e thotë me auto-ironi.
I emigruar më pas nga Shqipëria në vitin 1992, sikurse të gjithë të tjerët si ai, që erdhën në të njëjtën mënyrë në Shqipëri, Zhozefi, në rikthimin e tij të pare, ka gjetur një vend edhe më të huaj, edhe më ftohtë, që megjithatë mbetet atdheu i tij i dytë pas Kongos, ku ka lindur dhe ka jetuar deri në moshën 8 vjeçare. Shqipëria është për të një atdhe kontradiktor, që e deshi por edhe e përçmoi, ku ra për herë të parë në dashuri, por ku për herë të parë ia penguan dashurinë, me të gjitha mënyrat.
Ishte vendi ku nisi të kuptonte botën, por ku u ndërgjegjësua se kjo botë ishte jo vetëm e egër dhe e vështirë, siç është për të gjithë, por veçanërisht e padrejtë me të. E kuptoi këtë për herë të parë, kur nuk ia vunë shallin e pionierit si gjithë fëmijëve të tjerë shqiptarë, kur mbushnin moshën, megjithëse veshët i kishte plot me tallash propagande për partinë që e donte shumë, por që Zhozefi ende i vogël, habitej si nuk mund ta shihte dhe aq më tepër që nuk e ndiente aspak dashurinë e saj për të.
Do t’i duhej të rritej edhe ca për të kuptuar se e keqja më e madhe i vinte nga ngjyra e lëkurës, por edhe nga një regjim që funksiononte në mënyrë të çuditshme, si me hënë, që në vitet gjashtëdhjetë e deshi, e rriti dhe e shkolloi, ndërsa pas viteve shtatëdhjetë e përbuzte, e shihte si agjent të mundshëm dhe e mbante larg. Aq sa thotë se, në 13 vjet që jetoi në Tiranë, fillimisht si student dhe më vonë si mjek, nuk zuri asnjë shok.
Dhe nuk ka sesi të mos i duket e huaj Tirana pas kaq vitesh, në rikthimin e tij të parë.
Megjithatë thotë se e ka ndjekur ndryshimin e saj si edhe të Shqipërisë gjatë këtyre viteve që ka qenë në emigracion, nëpërmjet televizorit satelitor. “Unë shoh vetëm televizionet shqiptare, dëgjoj radiot shqiptare dhe lexoj gazetat shqiptare në internet”, – thotë Zhozefi, i cili që nga viti 1992 jeton në Bruksel, ku tanimë ka krijuar një familje të re dhe ka një vajzë të bukur katër vjeçe, me gruan e tij të dytë, Elizabetën.
Ka mësuar një gjuhë tjetër, frëngjishten, është martuar me një belge, ka bërë studime të tjera plotësuese dhe tanimë punon si dentist në Bruksel dhe nëse nuk e mori kurrë nënshtetësinë shqiptare, tanimë ka atë belge. Kjo sigurisht nuk e ka bërë të ndihet belg, ashtu si nuk ndihet as plotësisht kongolez, megjithëse atje ka ri gjetur nënën e tij dhe motrën.
Në moshën 47 vjeçare, Zhozef Makanga, ndihet një njeri pa identitet të vërtetë, ashtu sikurse edhe shokët e tij me ngjyrë të Shqipërisë komuniste që, në Kongo tani i quajnë shqiptarë dhe në Shqipëri, i kanë quajtur gjithmonë kongolezë.
Rrëfimi
Historia e panjohur e ardhjes në Shqipëri të fëmijëve me ngjyrë gjatë regjimit komunist, sipas rrëfimit të njërit prej tyre, Zhozef Makangës. Si erdhën dhe u larguan nga Shqipëria pa marrë kurrë statusin e shqiptarit?! Si i fshihnin kur shkonte Mehmet Shehu në Vlorë, paragjykimet e njerëzve dhe damkosja si agjentë…?!
Fëmijët e Afrikës në Shqipërinë komuniste
Ishte vetëm tetë vjeç kur la Kongon, vendlindjen e tij. Bëhet fjalë për vitet gjashtëdhjetë kur, Kongoja bënte përpjekje për të dalë nga kolonizimi. “Kongo kishte qenë koloni belge për rreth tetëdhjetë vjet dhe në vitet gjashtëdhjetë, nisën lëvizjet për pavarësi. Babai im u vra gjatë këtij rebelimi”, – kujtonte Zhozefi, i cili fill pas vrasjes së të atit, që ishte kundër regjimit, u zhvendos në një shtet tjetër afrikan për dy vjet, derisa në fund të vitit 1965, erdhi në Shqipëri së bashku me fëmijë të tjerë, kryesisht nga vendet afrikane.
“Kishte nga ata që i çuan në Poloni, në Çekosllovaki e vende të tjera. Mua më sollën në Shqipëri”, – shprehet ai, duke shtuar se një pjesë e mirë e këtyre fëmijëve, kishin patur prindër në poste të larta shtetërore dhe që për shkak të ndërrimit të regjimit, ishin në rrezik në vendin e tyre. “Kishte shumë fëmijë ministrash e nëpunësish të lartë shtetërorë. Madje thuhej se edhe fëmijët e Kabilës, kanë qenë në Shqipëri”, – rrëfente Zhozefi, duke shtuar se një pjesë e fëmijëve të ardhur, ishin fare të vegjël, ndërsa ai ishte tetë vjeç, kur mbërriti në Shqipëri.
“Na sollën fillimisht në Tiranë dhe na thanë se Shqipëria ishte vendi që do të na shpëtonte nga rreziqet që na kanoseshin në vendet nga vinim. Na premtuan se do të ishim fëmijë të privilegjuar dhe se Partia na donte shumë e, do të na mbronte”, – kujtonte Zhozefi, duke shtuar se nuk ndodhi aspak kështu.
“Një pjesë prej nesh i çuan në Lezhë dhe një pjesë tjetër në Vlorë. Për shkak të klimës së ftohtë, na larguan menjëherë nga Tirana ku, për pak kohë qëndruam në Shtëpinë e Fëmijëve. Unë shkova në Vlorë, ku do të kaloja rreth 18 vjet. Atje na çuan në Shkollën Mjekësore, ‘Jani Minga”, – vazhdonte rrëfimin e tij Zhozefi, duke shtuar se pikërisht në këtë shkollë, ka kaluar edhe vështirësitë më të mëdha, që i vuanin edhe shqiptarët e tjerë, në fakt si varfërinë ekstreme.
“Nuk më harrohet kur vinte karroca e bukës dhe turreshim me vrap si të babëzitur dhe nuk e hanim normalisht bukën, por e shqyenim me dhëmbë atë. Këto nuk janë kujtime të bukura. Për 18 vjet, menyja e mëngjesit dhe e darkës nuk ndryshoi kurrë. Hanim çaj dhe djathë në mëngjes dhe çaj e marmelatë në darkë, aq sa edhe tani kur më kujtohet, më vjen për të vjellë”, – shprehet Zhozefi.
Ai kujton se lumturia më e madhe për ta ishte kur vinin pushtetarët e lartë në Vlorë, sepse vetëm atëherë hanin makarona me salcë dhe djathë kaçkavall. Por tregon se nuk i shqitet nga mendja një rast kur, i fshehën të gjithë fëmijët me ngjyrë që të mos dilnin në rrugë bashkë me fëmijët shqiptarë, për të përshëndetur Mehmet Shehun që shkonte për vizitë në Vlorë.
“Edhe më vonë kur u rritëm, nuk i patëm ato privilegjet që na premtuam. Njerëzit na shikonin si të ishim mostra, ndërsa nga regjimi, nisëm të konsideroheshim si agjentë pa asnjë shkak. Shumë prej nesh përjetuan drama të vërteta dashurie dhe një pjesë i transferonin, sapo binin në dashuri me një shqiptare. Dhe histori dashurie lindën plot. Unë vetë rashë në dashuri me një shqiptare dhe asaj ju desh të vuante shumë për ta kurorëzuar dashurinë e saj me mua”, – tregonte Zhozefi.
Por problemi më i madh dhe borxhi më i madh që i ka shteti shqiptar këtyre njerëzve sipas Zhozefit, është mohimi i nënshtetësisë shqiptare, gjë që ka bërë që edhe sot e kësaj dite ata njerëz të vërtiten nëpër botë as si afrikanë, as si shqiptarë!
Peripecia, pa dokumenta dhe Vital Pakasa, i vetmi që kërkon të kthehet në Shqipëri…!
Ai ka të njëjtën moshë me Zhozefin dhe kur u largua nga Shqipëria për në Kongo, nuk mendonte se do të pendohej kaq shpejt. “Atje të gjithë e thërrasin shqiptari dhe nuk ka arritur të integrohet dot me vendasit, pasi ka patur vështirësi edhe me mësimin e gjuhës. Kënaqet vetëm kur mblidheshim dy a tre shokë të Shqipërisë për të folur shqip. Dhe ne vetëm shqip flasim me njëri-tjetrin”, tregonte Zhozefi, duke shtuar se Vital Pakasa, është i vetmi ndër shokët e tij të Shqipërisë, që dëshiron të kthehet në Shqipëri për të jetuar, pasi të tjerët janë rregulluar në vende të tjera.
Por atij i mungon nënshtetësia shqiptare, ndërkohë që jeton pa dokumenta, ende si refugjat, në vendlindjen e tij. Zhozefi përmend edhe rastin e një shoku tjetër, Jean Matte, që vdiq në Kongo dhe nuk arriti kurrë t’i bënte dokumentet si shqiptar, megjithëse e dëshironte shumë një gjë të tillë. Ndër shokët e Zhozefit në Shqipëri, ka mbetur vetëm një mjek që quhet Yrben Massena.
Tragjedia
“Si ma vranë fëmijën dhe dashurinë në Tiranë”?!
Tragjedia më e madhe e jetës së Zhozefit, erdhi së bashku me gjënë më të bukur që i ndodhi në Shqipëri, njohjes me një vajzë shqiptare, me të cilën ra në dashuri. “Ajo ishte vajza e një drejtuesi të lartë në Ministrinë e Mbrojtjes dhe iu desh të përballonte fatkeqësi të mëdha, për shkak të kësaj dashurie me mua. Madje i hoqën edhe mitrën, për të mos mbajtur fëmijën e një zezaku në bark”, – tregonte Zhozefi, i mbytur nga emocioni.
Nuk e ka të lehtë të flasë për këtë histori, por shton se ajo u bë shkak edhe për vdekjen e babait të vajzës, me një aksident të inskenuar, por që sipas tij, ka lidhje me dashurinë e vajzës së tij. Historia e Zhozefit me vajzën shqiptare, zgjati deri në vitin 1998 dhe tani ajo jeton në Amerikë, ndërsa Zhozefi ka krijuar një familje të re, me një prezantuese radiofonike belge, me të cilën ka një vajzë, që quhet Elyorissa. Memorie.al