Nga Luan Rexha
Pjesa e tretë
– Kujtimet e një gazetari të regjur –
Memorie.al / Luan Rexha është një gazetar i mirënjohur në stafin e gazetës “Giornale di Sicilia” dhe “Ansa” në Itali. Pavarësisht formimit të tij italian, në zemrën e tij ka shumë mall për Shqipërinë. Libri që po i paraqitet lexuesit përmban një përmbledhje me artikuj që pasqyrojnë periudhën komuniste, në Shqipëri në vitin 1967. Siç e pohon vetë autori, ai ka qenë gazetari i parë perëndimor, që iu dha një vizë për të vizituar Shqipërinë dhe për të bërë një panoramë të vendit, lidhur me raportet e marrëdhëniet e Shqipërisë komuniste të Enver Hoxhës, me Republikën Popullore të Kinës së udhëhequr nga Mao Ce Duni. Në këto artikuj, nuk mungojnë elementet autobiografikë, që e pasurojnë edhe më tepër kuadrin e ngjarjeve. Ato shfaqen gjithashtu edhe në romanin e tij të njohur për lexuesin shqiptar: “Vdekja i ka sytë e kaltër”, nën petkun e gazetarit Michele Sermonti, në rolin e personazhit kryesor. Autori është larguar nga Shqipëria në krahët e nënës, kur ishte vetëm dhjetë muajsh, për të filluar një jetë të re në Siçili dhe vetëm në vitin 1967, i’u dha mundësia për t’u kthyer në Tiranë, për të takuar gjyshen dhe të afërmit e tij, që nuk i kishte parë kurrë më parë. Karriera e tij është e shumë anshme: Në fillim si gazetar pranë “Giornale di Sicilia”, atij i duhet të përshkruaj Siçilinë në periudhën e Mafias, tërmetin e vitit 1967 dhe eksperiencën shqiptare. Njëkohësisht, kontributi i tij shtrihet edhe në fushën e teatrit si, autor i disa pjesëve dhe muzikaleve e të kinotekës. Kjo i krijon atij mundësinë që të jetë në kontakt me njerëz të letrave dhe të artit. Këto ambiente janë me orientim të majtë, por, ndikimi tek ai i komunizmit italian, që është në thelb perëndimor dhe nuk mund të pajtohet me totalitarizmin e real socializmit, është i dukshëm. Me këtë i duhet të përballet gjatë qëndrimit të tij në Shqipëri. Ai përshkruan realitetin e një vendi të indoktrinuar, ku media ishte e censuruar. Në fakt, ai vëren se Shqipëria kishte kaluar nga feudalizmi në komunizëm, pa e njohur zhvillimin borgjez. Një vend të veçantë zënë dhe analizat e mënyrës së perceptimit të komunizmit nga kinezët dhe shqiptarët. Para syve të tij shfaqet realiteti i jetës së përditshme. Ai admiron punën e njerëzve, që edhe pse vullnetare, me vështirësi dhe sakrifica, kishin ndërtuar hekurudha etj. Edhe në raportet me njerëzit që e rrethojnë, autorit i duhet të ndeshet me slloganet e regjimit, që nuk i përgjigjeshin të vërtetës si në rastin e fletë-rrufeve. Gjithashtu, një nga gjërat që i ka bërë përshtypje autorit, është fizkultura e mëngjesit, mënyra qesharake e formimit të rreshtave dhe e lëvizjeve në harmoni me drejtuesit. Luani nuk mund të pajtohet as me qëndrimin e ngurtë të komunizmit shqiptar, ndaj lirisë fetare, objekteve të kultit e besimeve që shprehet në mbylljen e tyre dhe në pamundësinë e praktikimit të fesë. Pra, tablloja e Shqipërisë, përshkruhet me ngjyra të gjalla nga autori që ka ndarë për një periudhë disa vjeçare jetën me bashkëkombësit e tij në Shqipëri.
Kush flet për futbollin, është tradhtar…!
Për një akuzë morale një ministri i është dhënë shqelmi!
Një kishë katolike e mbyllur!
Një mbrëmje borgjeze në “gjurmët” e Galeazzo Ciano-s.
Tiranë, 4 mars
Merrni një perëndimor të zakonshëm, të integruar në qytetërimin e konsumit, një njeri që është plot me kambiale për të arritur nirvanën elektro-tranzistore të komoditetit, zgjojeni në orën gjashtë të mëngjesit dhe silleni në oborr për të bërë gjysmë ore ushtrime të lira të trupit në një të ftohtë që t’i ngrin në gojë edhe mallkimet dhe pastaj shkoni dhe flitini për marksizëm-leninizmin.
Në Shqipëri, bashkë me ëndrrat vdesin sapo lind dielli edhe mundësitë e fundit dhe të largëta për të gjetur një gjuhë të përbashkët. Jemi dy botë: nuk kemi ç’të bëjmë. Nga pikëpamja e pastërtisë ideologjike, ndonjë pikë e përbashkët ndoshta mund të tentohet për t’u gjetur, por me dogmën e fizkulturës së detyruar nuk jemi dakord fare. Për ne që kemi utopi të pamundura si, revolucionarët e kino-klubeve, një “tru i krijuar” që urdhëron një-dy-tre, nuk e kalon provën.
“Degradim fizik dhe moral”, thonë ata, por gabohen. Kyçet e mpira nuk kanë të bëjnë me këtë. Në fakt, këto “mobilizime” të muskujve të ngjallin dyshime dhe të sjellin ndër mend imazhe të të kaluarës: sfidat në Berlin të rinisë hitleriane, debati mbi racën e lartë, krerët, njerëz perfektë në rrathët e ferrit me kanotierë nën këmishën e zezë.
Pastaj dhe sensi qesharak. Po t’i shohësh nga afër rreshtat, të kuq si speca nga përpjekjet për të sjellë në ekuilibër një gjoks të bëshëm dhe të venitur prej pesëdhjetë vjeçareje, marshimin e pandalshëm të proletariatit, është me të vërtetë e vështirë. Sidoqoftë, jam orvatur dhe tani do t’iu tregoj se si është dita e një italiani në marsin e vitit 1967, viti i parë i Revolucionit Kulturor nga mrekullia në Tiranë, kryeqyteti “kinez” i Ballkanit”.
Në orën 6:00, të gjithë në këmbë. Burri që më ofron mikpritje, u zu ngushtë. Nuk dinte si të ma shpjegonte arsyen për zgjimin e ankthshëm. I bie pak rrethe-qark muhabetit, pastaj fjala fizkulturë hyn në trurin tim akoma të mjegulluar, ashtu si lamtumira e një gruaje, që ka vendosur të mos qëndrojë më gjatë. Nuk mundem as ta besoj, por gjysmë ore më pas, zbres poshtë me të tjerët për të bërë pompa dhe rrotullime të pazakonta të shpinës.
Ata që si unë, kanë fatin që t’i mbushin mushkëritë me ajër polar për partinë, janë të moshuar. Nga një kërcim tek tjetri, i kërkoj ndonjë mendim zotit të shtëpisë.
“Vetëm pensionistët e bëjnë stërvitjen trupore në oborrin e shtëpisë, u përgjigj me gjysmë zëri se i merrej fryma, të tjerët duhet t’i bëjnë ushtrimet në vendin e punës, përpara zyrës ose në fabrikë, nëpër rrugë ose në sheshe, në dritën e diellit, pa përjashtim, sepse shokët e dinë se nuk ekzistojnë trajtime të veçanta për askënd”.
Më zunë ngërçet e parë dhe më doli përpara syve imazhi i përçudnuar i disa parlamentarëve italianë me pantallona të shkurtra, përpara Montecitorio-s.
Më në fund, “truri i krijuar” dha shenjën “e prishjes së rreshtave”. Vetëm një dush i nxehtë mund të më sjellë në vete, por në apartamentet e ndërtuara nga partia, nuk ka ngrohës për dushe dhe as dushe. Më ngushëllon kur mendoj se i njëjti problem shfaqet edhe përpara shokut Sekretar (Enver Hoxha). Shtëpitë janë ndërtuar me kritere ekonomike shumë strikte dhe ndryshojnë vetëm nga numri i dhomave.
Dhe kushtojnë shumë pak (dy mijë lireta në muaj, baras me një të tridhjetën e pagës-bazë të një punëtori) dhe askush nuk është i detyruar të jetojë me mynxyrën e banesës së përbashkët. Nuk janë sigurisht banesa të Hollywood-it dhe ja pra që shqiptarët janë të kënaqur. “Më parë jetonim shumë keq. Shtëpitë me gurë janë tradicionale përpara syve të turistëve, por gjërat ndryshojnë kur duhet të banosh brenda tyre. Sot pastaj kemi dhe dritë elektrike”.
Nisemi nga pozita tepër të ndryshme: ajo që ne na duket prova e një dështimi, është për ta prova e progresit dhe arsyeja është me të dy palët. Një analizë krahasuese është e pamundur. Janë dy realitete që duhet të analizohen të ndara, duke zgjedhur parametrat e duhur historiko-ekonomikë.
Më vonë përfitova nga mungesa e Zafit për t’i parë gjërat me sytë e mi. Eca. Gjëja e parë që zbulova me njëfarë emocioni, është zhurma e hapave të mi. Këtu, gumëzhima metalike e motorëve, nuk e venit praninë fizike të njerëzve. Ajri duket sikur ka mbetur në vend, ta ka ënda të bisedosh, por ata që takoj…!
Është mëkat, do të kishim shumë gjëra për të thënë. Kërkoj gazeta të huaja në një kioskë. Nuk ka në shitje. Ka vetëm ndonjë revistë kineze. Blej “Zërin e Popullit”, të përditshmen zyrtare, zërin e Enver Hoxhës dhe të partisë. Në faqen e parë ka një letër të botuar të punëtorëve që punojnë në Kantierin Detar të Durrësit.
Është një deklaratë bashkimi me Revolucionin Kulturor “… do të bashkojmë forcat me ato të të rinjve për të çrrënjosur ndikimet e dëmshme të të kaluarës… kemi vendosur që të diskutojmë në mbledhjen plenare, për të gjitha gabimet dhe paragjykimet që na mbajnë akoma larg nga e vërteta marksiste-leniniste…”/! Mjafton.
Në sallën e ekspozitave të Pallatit të Kulturës takova dy italianë. Shpejt kuptuam që kemi në xhep të njëjtën pasaportë me të njëjtën ngjyrë. Vijnë nga Fieri. Janë inxhinierë dhe punojnë në fabrikën e Montecatini-t, (Azotikut) e ndërtuar me porosi të kinezëve. U përshëndetëm dhe bëmë të njëjtat shaka në lidhje me gratë.
Pasi dëgjova ankesa për elementin “siçilian” të policëve shqiptare (“S’bëhet fjalë për dashuri të lirë! Ato kërkojnë bashkëshort”), mora vesh se disa ditë më parë “rojet e kuqe” kishin mbyllur një kishë katolike. Tre priftërinjtë që prej vitesh i kishin bërë qëndresë kërcënimeve të regjimit komunist, ishin internuar në një zonë bujqësore.
“I kanë vënë zjarrin orendive të shenjta dhe kanë thënë që kisha do të shndërrohet në një institut teknik. Nuk kanë mëshirë për askënd. A e di se si e kanë justifikuar? Duke pohuar se në një vend ku të gjithë punojnë, është e pamoralshme që të ekzistojnë profesionistë të lutjeve. Edhe Zoti juaj, shtojnë ata, urdhëroi që ta fitoni bukën me djersën e ballit. A e merr vesh? Gjëra absurde. Një besimtare e moshuar që kishte tentuar që të shpëtonte një figurë të Shën Mërisë, kishte patur dje shumë probleme. U zemëruan edhe me të birin: ka humbur vendin e punës në fabrikë dhe e kanë dërguar kushedi se ku. Për të nuk dihet më asgjë”.
Është fytyra tjetër e regjimit, e ashpër: nuk ka kohë që ta diskutojmë. Forca bindëse është zëvendësuar me urdhrin e prerë, dialektika demokratike e pikëpamjeve të kundërta me eliminimin e vazhdueshëm të të “pakorrigjueshmve”. Në orën 12:00, leksione ideologjike në komitet. Është Misto Treska, kryetari, që na priti. I ngjan Carlo Ponti-t dhe ka dy dhëmbë ari: një dobësi prej kapitalisti, që mund t’i kushtojë dhe vënien para censurës.
Flet për progreset e mëdha që ka bërë Shqipëria në rrugën e industrializimit: “Pas disa vitesh do të arrijmë pavarësinë ekonomike. Vendi është i pasur me lëndë të para dhe ne shqiptarët jemi të paktë në numër, as dhe dy milionë banorë”.
Duke bërë një listë të sukseseve të regjimit, Treska entuziazmohet, buzëqesh dhe nxjerr në pah një dhëmb tjetër prej ari. Në çastin e entuziazmit, bëra që të më rrëshqiste fjala “liri”. Ai pa e prishur gjakun, ndezi një cigare me duhan me aromë të fortë, vuri këmbën mbi këmbë dhe m’u përgjigj me një pyetje tjetër.
“Më thoni, ju perëndimorët besoni se jeni të lirë”? “Mundohemi që të jemi”. “Ju besoni, por ngatërroni…një funksionar i lartë vjedh? Ju e denonconi ndër gazeta; shpërthen skandali; mblidhet Parlamenti dhe pastaj? Çfarë ndodh? Asgjë. Gjithçka mbetet si më parë. Pushteti është i mbajtur fort në duart e padronëve tuaj dhe juve ju lënë vetëm autonominë, që i lihet një qeni, të mbajtur nga një zinxhir i ngushtë: i cili leh”.
Fletë-rrufetë
“Tek ju, përveç zinxhirit, i keni vënë qenit edhe gojëzën”. “Këtë e mendoni ju”. “A e dini se çfarë janë fletë- rrufetë”? Jo? “Mirë, po ua shpjegoj me një shembull. Nëse një punëtor në fabrikë është trajtuar keq nga drejtori i tij. Një herë, dy herë, tre herë. Kur është i sigurt, që arroganca e drejtorit nuk ka ardhur si pasojë e një gjendjeje emocionale të veçantë, por është rezultat i një vetëbesimi të tepërt, punëtori e shkruan akuzën e tij dhe e afishon aty, ku mund ta shohin të gjithë. Të nesërmen në mëngjes, debatohet në publik. Kur punëtorët e tjerë i mendojnë të vlefshme kritikat, që përmbahen në fletën e afishuar, informohet partia, e cila merr masa të menjëhershme”.
“Çfarë lloj masash?” “Mos kujto: se vrasim ndokënd. Në një rast si ky, drejtori i marrë si shembull, transferohet në një zonë bujqësore. Do të lodhet për disa muaj duke punuar tokën dhe do të heqë dorë nga kryelartësia ndaj klasës punëtore. Nga ana tjetër, nuk është një ndëshkim shumë i rëndë. Në Shqipëri, të gjithë një muaj në vit, duhet të bëjnë punë fizike. Edhe shoku Enver Hoxha dhe të tjerët që kanë përgjegjësinë që të na qeverisin.
Madje, kryesisht ata. Sepse dëgjo, duhet ta jetojmë jetën e masave për t’i kuptuar problemet dhe nevojat dhe pastaj për shkak të barazisë: nuk mund të pranojmë hierarki ndërmjet intelektualëve, punëtorëve dhe fshatarëve. Duke u kthyer tek fjala “liri”, dua t’ju tregoj një fakt që në Perëndim, shumë nuk do ta besonin, por që ka ndodhur pak ditë më parë këtu në Tiranë.
Një ministër, është akuzuar nga një qytetar se ka përdorur një makinë të shtetit, për qëllimet e tija personale. Partia ka bërë hetime dhe ka zbuluar se shpesh ministri në fjalë, bënte xhiro të gjata me makinë, për të takuar djalin e tij me shpenzimet e Shtetit. U vendos menjëherë që t’i hiqet makina dhe sot shkon në punë në këmbë. Për ne kjo është liri dhe aq më tepër drejtësi”.
Një orë më vonë, përpara Bar “Krimesë”, më erdhi ndërmend diskutimi i Treskës për ministrin. Ka një fletë- rrufe. Njëfarë Ali Madhi, ka shkruar me germa të kuqe: “Sportistët që frekuentojnë këtë lokal, janë tradhtar të rrezikshëm të marksizëm-ieninizmit: humbasin kohë duke folur për futbollin në vend që të punojnë e prodhojnë për Shtetin. Partia duhet të ndërhyjë. Duhet t’i ndalim këta bastardë që korruptojnë të rinjtë tanë”.
Dua ta pyes kryetarin e Komitetit (Misto Treska), nëse kjo është liri, se a është e drejtë që ta shohin herezinë kudo, edhe tek një sferë të padëmshme prej lëkure. Kushedi se a ka dëgjuar ndonjëherë të flitet për një frat domenikan, që quhej Torquemada dhe që nxori në shekullin e XVI-të një lojë tronditëse kolektive: gjuetinë e shtrigave. Në mbrëmje më përgatitën një surprizë: pas darke do të shkoj në “tavernën” e Hotel “Dajti”-t, i vetmi hotel i madh në Tiranë dhe i vetmi argëtim borgjez, që ofron sheshi.
I ulur në një sallon plot me pasqyra dhe drita të bardha nuk mrekullohem kur mësoj se hoteli është ndërtuar nën drejtimin e Galeazzo Ciano-s. Tani mbi bordin e ndritshëm ka tre çifte. Janë njerëzit e qejfit të marksizëm-leninizmit. Mbi një tavolinë plot me shishe vere nga bregdeti, një grup diplomatësh jugosllavë, bën komente me zë të lartë për linjën e hijshme, të zonjave të pranishme. Ata që vallëzojnë kanë sipas rrethanave, pamje me prirje që të jetë e trishtë.
Mos është ndoshta keqardhja që po i heqin minuta të çmuar nevojave të partisë? Dhe ja pra që nuk duhet të ndjeheshin me faj. Në fund të fundit, partia ishte e pranishme atje, ndër tapiceritë e praruara, në flokët plot xhel të tenorit të modës së viteve ’40-të, në të apasionuarit pas “solos” për violinë, në vështrimin e shqetësuar të bateristit, që e di se ka në dorë një instrument që është më mirë nëse përdoret me kujdes, sepse është tepër amerikan. Edhe pjesëtarët e kompleksit janë zyrtarë të Shtetit.
Një nga kërcimtarët tenton t’i afrohet, e shtrëngon partneren e tij dhe i ngre xhaketën e kostumit të stilit ushtarak. Interpretojnë një vallëzim “slow” me një ritëm të çuditshëm prej tarantela-e deri në lëvizje të ngadalta. Gruaja është e fuqishme, s’ka ndonjë dyshim që s’ka make up dhe sigurisht një vajzë e shkëlqyer e Shqipërisë së re, por krejtësisht e privuar nga të qenët sexy.
Paguaj pa lënë bakshish, përndryshe do të ishte një fyerje shumë e rëndë. Jashtë ka ngrirë dhe sigurisht, nuk duket as hija e ndonjë taksie. Fillova të ecja. Era që vjen nga mali pështyn flokë dëbore mbi Pallatin e Qeverisë, mbi banesat pa emër ku flenë specialistët kinezë, mbi tabelat që i thurin himne revolucionit, mbi fletë-rrufetë e rojeve të kuqe, mbi pemët që ishin mbjell nga ndonjë fshatar nga Lercara Friddi, i shndërruar në legjionar.
Rrugëve nuk ka njerëz, as policë. Sheshi i Republikës, të cilit i mungojnë dritat e Pallatit të Kulturës, duket i shkretë. Tani edhe era ka një zë të fortë. Struktura delikate e minares dridhet. Edhe hëna ka të ftohtë. Vetëm fytyra e diktatorit gjeorgjian qëndron e qetë: në bronzin e tij gjithmonë të shkëlqyer, shoku Stalin vazhdon të buzëqeshë.
Euros. Pamje e përgjithshme nga jeta europiane. Ishte një zë i tillë, prej të cilit kuptohej se gryka e njeriut dhe gryka e malit për një kohë të gjatë, qenë marrë vesh për të zhdukur dallimet midis tyre.
Dhe pas kësaj qenë marrë vesh edhe me zëra të tjerë gjithmonë më të largët, duke mbërritur gjer në rënkimet e yjeve. Veç kësaj, zëri bashkë me fjalët ishin të tilla, që dukej se mund të përdoreshin njëlloj si prej të gjallëve, dhe prej të vdekurve…! Memorie.al
(Përktheu dhe përgatiti: Alvin Saraçi)
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016