• Rreth Nesh
  • Kontakt
  • Albanian
  • English
Thursday, June 5, 2025
Memorie.al
No Result
View All Result
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
No Result
View All Result
Memorie.al
No Result
View All Result
Home Dossier

“Në tetor ‘89, me rënien e Murit të Berlinit, Ramiz Alia, iu drejtua Byrosë Politike se, dy vjet më parë, ishin takuar me shokun Gorbaçov në Poloni dhe…”/ Dëshmia nga SHBA-ës, e djalit të ish-ministrit të Zogut

Memorie.al
“Kam 40 vjet punë dhe s’kam asnjë lekë në bankë, të ble mobiliet, frigoriferin, lavatriçen, etj., pasi e dorzova vilën e shtetit, por të paktën, t’i paguaj me…”/ Fjala e Hekuran Isait, në Byro, mars ‘91
“Në 1990-ën Gorbachev u bë milioner, me çmimin ‘Nobel’ për Paqen, por ai i’a dhuroi të gjitha qeverisë dhe në ’94-ën ai merrte vetëm dy dollar në muaj…”/ Historia e panjohur e ‘babait’ të Perestrojkës
“Në 1966-ën kur u suprimua Ministria e Drejtësisë, që sipas Mehmet Shehut, ishte e panevojshme, Aranit Çela, porosiste gjyqtarët; kodet futini në sirtar dhe nxirrni …”/ Refleksionet e ish-të dënuarit politik
“Kadri, komploti i Teme Sejkos, ka qenë i kurdisur nga Mehmeti dhe Beqiri, për të na thënë ne, të mos bënim shakara me sovjetikët, se… / Akuzat e Enverit në Byronë Politike, 8 tetor ‘82

Nga Genc Korça 

Pjesa e dytë

Memorie.al / Shekulli i XX-të hyri i zjarrtë në optimizëm. Mendimtarët politikë në gjithë Europën, panë radhët e punëtorëve industrialë, të grumbulloheshin rreth flamujve të socializmit në gjithë kontinentin. Kështu, ishte mjaft e qartë të konkludohej se asnjë nga punëtorët socialistë, qofshin ata në Francë, Gjermani apo diku gjetkë në radhët e kombeve të industrializuara, mund të ngrinte pushkën kundër socialistëve të tjerë, pavarësisht në cilën anë të kufirit, ata mund të ishin. Por në këtë kohë, Duka Ferdinand i Austrisë, u qëllua për vdekje në Sarajevë dhe Lufta e Parë Botërore, e la mënjanë utopinë pacifiste. Para përfundimit të luftës, sovjetikët mund të fillonin ndërtimin e parajsës së punëtorëve, duke mbytur në gjak regjimin carist, si dhe çdo kundërshtim ndaj marksizëm-leninizmit. Përveç kësaj, Gjermania mundi të flakë skamjen dhe trazirat e pasojave të Luftës së Parë Botërore dhe të zgjidhte Adolf Hitlerin, si kancelar. Gjermania mundi të bashkojë ngushtë radhët nën flamurin e Partisë Nacional-Socialiste dhe të ngrihej në nivelin e një fuqie botërore, vetëm në gjashtë vjet.

                                                      Vijon nga numri i kaluar

Gjithashtu mund të lexoni

“Kur Mao në Kinë udhëhiqte ‘Revolucionin Kulturor’, sipas parullës; ‘Të sulmojmë shtabet’, Enveri, korrespondentëve vullnetarë të shtypit të fshatit Fier-Shegan, u thoshte…”/ Refleksionet e akademikut të njohur  

“Simbas vendimit të marrë prej të burgosunve politikë, ishin ‘piketue’ të gjithë spiunët e kampit të Shtyllasit, që u dojshin rrahë ose there dhe një pasdreke…”! / Dëshmia e rrallë e Ahmet Bushatit

Kështu, një mëngjes, ëndrra e miliona njerëzve të shtypur pas perdes së hekurt, u bë realitet. Muri i Berlinit, simboli i ndarjes dhe tiranisë, u rrëzua. Gjermania perëndimore dhe lindore u bënë një. Satelitët sovjetikë, një nga një, flakën tej prangat e tyre. Dukej se liria triumfoi. Radhë të gjata të burgosurish filluan të dalin nga burgjet e errët dhe të lagësht, plot me tmerrin e torturave të së kaluarës, po ktheheshin në shtëpitë e tyre e po merrnin frymë lirisht. Për fat të keq, gjithsesi, shumë prej tyre nuk e arritën këtë. Megjithatë, me kalimin e viteve, kambanat e fitores filluan të binin kumbueshëm…!

Çausheskët, burrë dhe grua, u ekzekutuan që në fillim dhe mizoritë e pothuajse gjysëm shekulli të komunizmit rumun, u deklaruan të shpaguara plotësisht. Kur Gjermania Perëndimore dhe ajo Lindore u ribashkuan, nuk u morën hapa të rëndësishëm dënimi ndaj anëtarëve të elitës së kuqe, në shumë raste, “për shkak të moshës së tyre të thyer”.(!) Ndaj udhëheqësve të kuq, u kërkua dhembshuri, sikur ata të kishin vepruar në të njëjtën mënyrë me kundërshtarët e tyre. (!) Herë pas here, u kërkua nevoja për unitet kombëtar dhe falje, për të shmangur rëndimin e plagëve të shkaktuara nga regjimi i kuq.

Në lidhje me këtë, vlen për t’u përmendur se, pas një vizite jashtë shtetit, Presidenti Berisha theksoi se Gjermania kishte ofruar asistencë materiale dhe financiare, me kusht që Shqipëria të shmangte zhvillimin e gjyqeve politike, që mund të acaronin tensionet e brendshme. Sot, zërat brenda Bashkimit Europian po vënë në dyshim dobinë e një arritjeje të tillë. Ndodhitë e mësipërme treguan një paralelizëm të sigurt, në mos identitet të ngjarjeve që u zhvilluan pas rënies së komunizmit, në disa ish-vende satelite.

Ja ç’ndodhi në Shqipëri: Në tetor të vitit 1989, me rënien e Murit të Berlinit dhe plot dy vjet para heqjes dorë nga frenat e pushtetit, Ramiz Alia, sekretari i parë i Partisë së Punës (Komuniste) të Shqipërisë, iu drejtua Byrosë Politike, trupa qeverisëse e Partisë. Këtu po mundohemi të japim pikat më të rëndësishme të fjalës së tij. Ai u tha kolegëve se, dy vjet më parë, disa krerë komunistë të shtetit, ishin takuar me shokun Gorbaçov në Poloni. Shqipëria nuk e kishte ndjekur këtë, por kishte marrë komunikatë me shkrim, nga shoku Mihail Gorbaçov.

Sipas këtij mesazhi, sistemi komunist kishte dështuar në luftën kundër kapitalizmit dhe komunistët, duhej të përfshiheshin në klasën e re kapitaliste, nëse ata donin të mbijetonin dhe të mbanin supremacinë e tyre politike. Para së gjithash, duhet të tregonin respekt për të drejtat e njeriut. E dyta, duhet të krijonin një sistem shumë partish, gjithmonë duke u siguruar se gjithë partitë, kishin rënë nën kontrollin dhe lidershipin komunist. Ish-të përndjekurit, duhej të merrnin disa kompensime, por nga ata nuk duhej patur frikë. Ata ishin shumë të vjetër, për të shkaktuar dëme.

Fëmijëve të tyre duhej t’u ofroheshin pasaporta dhe të inkurajoheshin të fillonin tjetër jetë, jashtë vendit. Përveç mbështetjes nga aleatët e tyre ideologjikë në gjithë botën, komunistët gjithashtu, duhej të gëzonin mbështetjen e demokracive perëndimore, me të cilat, Enver Hoxha dhe Ramiz Alia, kishin mbajtur lidhje sekrete dhe efektive, për shkak të interesave të rëndësishme (të përbashkëta).

“Shoku Enver Hoxha dhe ai, Ramiz Alia, i kishin kultivuar këto lidhje të domosdoshme e vitale që, në fund të fundit, kishin garantuar mbijetesën e Republikës Popullore të Shqipërisë”. (e çuditshme!) Ju lutem, kini parasysh se në vitin 1991, shoku Gorbaçov, mori çmimin “Nobël” për Paqe, për përpjekjet e tij në emër të paqes, Perestrojka (rikonstruksioni ekonomik dhe politik), dhe Gllasnosti (hapja)!

Në vitin 1989, shumë veta mund të kenë menduar se fjalimi i Ramiz Alisë, kumbonte më tepër si një mendim i dëshiruar, sesa si plan realist veprimi. Në retrospektivë, rezultoi se ai ishte një parashikim i saktë, i ngjarjeve që u zhvilluan në Shqipëri dhe vendet satelite të Bashkimit Sovjetik. Pas rënies së komunizmit në Shqipëri, disa anëtarë partie, i kuptuan mëkatet e Partisë, por shumë pak prej tyre i pranuan ato. Shumë komunistë, nuk e mohonin se ishin bërë gabime, por nxitonin të shtonin se këto, ishin të një rëndësie të vogël.

Praktikisht, gjithë eksponentët madhorë të regjimit të kaluar (komunist) gjakpirës, si Adil Çarçani, kaluan pa u dënuar dhe bënë një jetë normale e të rehatshme në Tiranë. Si një person i rëndësishëm komunist, Çarçani kishte punuar në formulimin dhe zbatimin e disa prej niciativave më të këqija të regjimit. Ai kishte qëndruar në majat e pushtetit për vite me radhë, duke u endur si një “mole” rreth flakës së qiririt, edhe pse digjej prej saj. Qëndrimi i tij pas viteve ’90-ë, vinte se ai, nuk kishte pse të ndjente keqardhje, “sepse vetëm ka zbatuar ligjet e kohës”(!)

Sipas zotit Çarçani, arrestimet në masë, torturat dhe terrori në gjithë vendin, ishin të ligjshme e si rrjedhojë të justifikuara. Sipas arsyetimit të tij, krimet monstruoze të Stalinit dhe ato të Gjermanisë naziste, ishin njëlloj të justifikuara, për shkak të legjitimitetit të tyre, edhe pse dhunuan çdo aspekt të drejtësisë dhe të drejtat e njeriut. Megjithatë, sipas zotit Çarçani dhe atyre që ndajnë të njëjtat pikëpamje, ajo që është legale, është gjithashtu e justifikuar, pavarësisht sa të pandershme, barbare e të urryera janë aksionet e ndërmarra në emër të ligjit.

Ja disa viktima të torturës, që kam takuar në Spitalin Ushtarak të Tiranës, gjatë viteve 1945-1948. Gjatë dimrit 1944-‘45, rojet tërhoqën zvarrë një të burgosur në qelinë tonë, meqë nuk ishte në gjendje të ecte. E njoha menjëherë. Ishte At Lazër Shantoja, prift jezuit, te të pesëdhjetat, mik i familjes sime. At Shantoja ishte trupmadh, burrë me njohuri të gjera dhe shkrimtar i shquar. Ai ishte gjithashtu i fortë në besimin e tij dhe kishte qenë armik i hapur i ateizmit komunist. Tani, ai shtrihej mbi dysheme, zbathur. Shkova të shihja në mund ta ndihmoja. Këmba e djathtë i ishte dëmtuar, por i dukej mirë.

Këmba e majtë ishte në gjendje të keqe, zbathur, me gishtin e vogël të thyer dhe që i varej nga lëkura. Ia preva gishtin dhe i fashova plagën. Ndërsa po punoja me këmbën e tij, At Lazri, më tregoi ç’kishte ndodhur. Ai ishte arrestuar në Shkodër. Ndërsa po qëndronte në një dhomë të vogël, një burrë, pa shenja dalluese në uniformën e tij, por padyshim një autoritet shtetëror, kishte hyrë dhe At Lazri kishte qëndruar. – “A e di se kush jam”, e kishte pyetur burri. – “Jo, nuk e di”, ishte përgjigjur prifti. – “Unë jam Mehmet Shehu”! – “Jam i kënaqur që të takoj”. – “Do ta shohim nëse ti je i kënaqur”!?

Duke thënë këto fjalë ogurzeza, burri ishte larguar nga dhoma. Shumë shpejt pas kësaj, rojet e burgut kishin nisur ta torturonin të burgosurin. At Shantoja qëndroi me ne, më pak se një orë. Doli, se e kishin sjellë, jo në burgun e duhur. Rojet e tërhoqën zvarrë. Pastaj dëgjuam një makinë që u largua.

At Lazrin e pushkatuan, pak kohë pasi ai ishte larguar, më 5 mars 1945. Ishte prifti i parë katolik, që nisi rrugën e kalvarit, në gjurmët e mësuesit të tij. Në muajt dhe vitet që pasuan, shumë priftërinj të tjerë, mundën ta ngjisin “Rrugën e Dhimbjes” (“Via Dolorosa”). Në verën e vitit 1945, unë kalova 42 ditë në izolim, bashkë me babain tim e, dhjetë burra të tjerë, në Burgun e Ri në Tiranë.

Kur hymë në qelinë e izolimit, pamë Padër Anton Harapin që qëndronte në shtratin e tij të marinarit e, na shikonte. E njoha nga fotografitë dhe ato që babai më kishte treguar për të. Ishte nga mesi i të pesëdhjetave, i shkurtër, i thatë, me veshë të mëdhenj. Dy pala të mëdha të lëkurës, i binin nga hunda, në mjekër.

Ndërsa po e shikoja, ajo që më goditi më shumë, ishin sytë e tij penetrues. Shumicën e kohës, ata ishin të qetë, sytë e njeriut në paqe me veten e tij dhe botën. Si pjesë e rutinës së përditshme, Padër Antoni, zakonisht e festonte meshën ditore, me bukën dhe verën që i sillnin motrat (vera vinte nga sallata e frutave).

Një ditë, Padër Harapi e pyeti Shuk Gurakuqin, një katolik nga Shkodra se, pse nuk e ndiqte meshën dhe Shuku iu përgjigj, se ai nuk mund të rrinte shpatull më shpatull, me dy ish-nënoficerë të xhandarmërisë, të cilët ishin spiunë të drejtorit të burgut! Atë ditë, unë pashë që sytë e Padër Antonit shkreptinë, ndërsa qortonte dy nënoficerët e pafat, para tij. Padri nuk u përpoq ta ulte zërin. Për sa kohë ata kishin shërbyer si spiunë, ai i ndalonte absolutisht, të ndiqnin meshën.

Ndërsa koha kalonte, vura re se, dy herë në ditë, ai përpiqej të taposte veshët e vet. I thashë të mos e bënte këtë punë, derisa një ditë, ndërsa po i tërhiqja një nga veshët e tij, për t’i drejtuar kanalin e dëgjimit, çiltërsisht e pyeta: “Padër, a kishe menduar ndonjëherë, se do të vinte dita, që unë të të tërhiqja dy herë në ditë nga veshët”?!

Ai nuk qeshi kur u përgjigj: “Pse nuk më pyet, pse më duhen këto tapa”?! Vazhdoi të më shpjegonte se torturuesit, i kishin futur një tel në daullen e veshit dhe kishin mbështjellë një tjetër tel, rreth organeve të tij gjenitale. Që të dy telat ishin lidhur me një burim elektrik.

Kur ata lëshonin korrentin, elektriciteti kalonte nëpër trupin e priftit, nga një tel në tjetrin. Kur daullja e veshit u shkatërrua, ata futën telin e sipërm në veshin tjetër, derisa daullja e veshit, gjithashtu shpërtheu. Padër Harapi, ishte i njohur, si një prej njerëzve më të mësuar dhe më të poshtëruar nga komunistët, mes bashkëkohësve të vet. Pas disa muajsh, ai u ekzekutua nga një skuadër pushkatimi.

Ndërsa punoja si ndihmës kirurg në Spitalin Ushtarak të Tiranës, grupi ynë, thirrej herë pas here të kujdesej për të burgosurit. Një ditë, ata sollën në dhomën e operacionit një të burgosur, me kyçet e duarve të prera. E njoha menjëherë. Ai ishte doktor Ahmed Sadedini, mik i babait tim, i cili ishte kujdesur për mua. Për njëfarë kohe, kishte drejtuar Kryqin e Kuq Shqiptar.

Doktor Sadedini, ishte i gjatë, i shëndetshëm; një njeri që gëzonte jetën, ushqimin dhe pijen; një njeri që jetonte mirë. Por kur erdhi aty, ishte kockë e lëkurë. I arrestuar dhe i torturuar, kishte tentuar vetëvrasjen duke prerë kyçet e duarve me një lugë të vogël, që zakonisht e përdorte për të pastruar llullën.

Kur ishim nga fundi i fashosjes së plagëve, major Augi, kryekirurgu ynë, më kërkoi të përdornim pluhur sulfuri, mbi plagët. Doktor Sadedini, foli për herë të parë. “Pse përpiqeni të më shpëtoni jetën?! Që ata të më torturojnë përsëri”?! Në një tjetër rast, ekipi ynë u thirr në burgun e spitalit, për të trajtuar major Neshat Hashon.

E kisha njohur majorin, kur drejtonte garnizonin ushtarak në Pejë. Ai ishte i gjatë, i thatë dhe i fortë, me një profil të mprehtë, i kontrolluar në fjalët dhe lëvizjet e tij. Një ushtarak i vërtetë. Herën e dytë, rrugët tona u takuan në burg, në Tiranë.

Ai ishte liruar pas disa muajsh, sepse ishte oficer artilerie dhe komunistëve, u duhej për të stërvitur kuadrot e ardhshëm. Kur e sollën në spital, pas tre vjetësh, që të dyja këmbët ia kishin thyer në mes, ndërmjet gjunjëve dhe kyçeve. Plaga ishte lënë pas dore dhe ishte mbushur me krimba.

Kur hyra në qeli, ai shtrihej në shpinë, me duart të lidhura anëve të shtratit. Ndërsa ia pastruam dhe i bëmë ndërhyrjet me medikamente në plagë e, ia futëm këmbët në kllapa, – me rreshterin që e ruante, – ai shkëmbente fjalë gjithë inat.

Kur u larguam, rojet filluan ta rrahin dhe ndaluan vetëm kur oficerët nga pavioni aty pranë, u ankuan për thirrjet me zë të lartë të të burgosurit. Nga mënyra se si ishte lidhur në shpinën e tij, dhe me të dy këmbët në kllapa, ishte për t’u çuditur, se ku po e godisnin! Pas një ore, një oficer i Sigurimit, erdhi në zyrën tonë dhe pyeti doktor Augin, sa kohë duhej që pacienti të shërohej. “Gjashtë muaj, që t’i mbyllen komplikacionet”, ishte përgjigja e kirurgut. Të nesërmen, unë vajta për të trajtuar të burgosurin. Shtrati ishte bosh.

Rreshteri i burgut, më tha se pasditen e djeshme, ata e kishin çuar të burgosurin në oborr, për ta ekzekutuar. Ishin përpjekur ta ngrinin mbi këmbët e tij të thyera, por, sipas rreshterit, i burgosuri nuk kishte qenë aq burrë, sa të rrinte mbi këmbët e veta dhe të vdiste si burrë! Kështu, ata e kishin kthyer përsëri në shtrat, e kishin ngritur shtratin në gjysëm lartësi dhe e kishin qëlluar nga pas.

I burgosuri, i përfshirë në rastin e pestë që do tregoj, ishte i panjohur për mua. Dukej se ishte në të pesëdhjetat dhe e kishin përplasur në shtrat. Kishte një plagë saktësisht të rrumbullakët, mes shpatullave. Plaga kishte diametrin 4-5 inç dhe ishte e thellë rreth një inç. Ishte e pastër, por kishte një erë të qelbur, të tmerrshme. Doktor Augi, në fillim ndezi një cigare dhe pastaj u largua nga dhoma, duke më thënë mua, që t’ia fashoja plagën.

Para se ta bëja, ata i sollën të burgosurit drekën, një tas me supë fasulesh. Atë mbrëmje, para se të shkoja në shtëpi, hyra në qeli për t’ia fashuar edhe një herë plagën. E gjeta të vdekur, me fytyrën e zhytur në tasin e fasuleve. Episodet e mëposhtme, kanë të bëjnë me babain tim. Ai ishte arrestuar më 17 nëntor 1944 dhe dënuar me vdekje nga ‘Gjyqi Special’, pas disa muajsh. E njëjta gjykatë, e kaloi dënimin e tij, në burgim të përjetshëm.

Gjatë muajve të verës, të burgosurit dërgoheshin në kampet e punës, ku bënin punë të rënda fizike. Ne e dinim kur vinte kjo kohë, sepse babai gjithmonë, kërkonte medikamente që ta bënin kaps, meqë rojet nuk i lejonin të burgosurit të zbrisnin nga makina, për ditë të tëra, madje as të shkonin në banjë. Një ditë, babai kishte ethe, prandaj ishte përjashtuar nga puna. Kur të burgosurit e tjerë u çuan në punë, dëgjuam se babain e kishin lidhur tek rulat e telave me gjemba që rrethonin kampin dhe se e kishin lënë aty, derisa u kthyen punëtorët, në darkë.

Nuk u besova fjalëve, kur i dëgjova për herë të parë. Sidoqoftë, kur ai dërgoi rrobat për t’i larë, ato kishin njolla gjaku që tregonin qartë formën e telit me gjemba. Tani, ne e mësuam se…! Pas disa vitesh, babai u sëmur nga ‘TB’ pulmonare. Autoritetet e burgut në Burrel, refuzuan ta shtronin në spital. Ne i dërguam shishe të vogla me streptomicina, që i kishim marrë nga Italia. Autoritetet e burgut refuzuan antibiotikun, sepse duhej dhënë me injeksion. Ata na kthyen të njëjtën sasi të shisheve e vogla me streptomicinë.

Por shishet që morëm nga ta, nuk ishin ato që i kishim dërguar babait. Shisheve që morëm, u kishte skaduar afati, shumë kohë më parë. Cila është ajo qeveri që mund të mohojë kujdesin shëndetësor për një të burgosur dhe, në këtë proces, të vjedhë disa shishe streptomicine?! Më në fund, duke protestuar, babai kaloi në grevë urie. Pas disa javësh, Kadri Hazbiu, ministri i Brendshëm, erdhi për ta parë babain e për ta bindur të fillonte të hante përsëri.

Kur babai refuzoi, Hazbiu filloi të bërtiste me të madhe. Babai i tha se ishte ai që po vdiste dhe se Enver Hoxha, kreu i Partisë Komuniste, nuk ishte asgjë për të. Dhe ai, Kadri Hazbiu, do bënte mirë të ruhej, sepse, herët a vonë, Enveri do ta ekzekutonte edhe vetë atë! Babai vdiq si rezultat i grevës së tij të urisë Memorie.al         

                                            Vijon numrin e ardhshëm         

ShareTweetPinSendShareSend
Previous Post

Kalendari Historik 26 Dhjetor 2022

Next Post

“Para se të më thërriste Sotir Peci të bënim gazetën ‘Kombi’, unë punoja në fabrikë dërrasash, kurse Konica, kishte xhaxhanë shumë të pasur, në oborrin e Sulltanit...”/ Fjalimi i panjohur i Fan Nolit

Artikuj të ngjashëm

“Biseda me Agim Popën, ku më tregoi të vërtetën rreth akuzës së Enverit për takimin e Mehmet Shehut me Titon në ‘Queen Elizabeth’…”/ Kujtimet e panjohura të ish-gazetarit të Radio-Tiranës dhe ‘RD’-së
Dossier

“Kur Mao në Kinë udhëhiqte ‘Revolucionin Kulturor’, sipas parullës; ‘Të sulmojmë shtabet’, Enveri, korrespondentëve vullnetarë të shtypit të fshatit Fier-Shegan, u thoshte…”/ Refleksionet e akademikut të njohur  

June 5, 2025
“Simbas vendimit të marrë prej të burgosunve politikë, ishin ‘piketue’ të gjithë spiunët e kampit të Shtyllasit, që u dojshin rrahë ose there dhe një pasdreke…”! / Dëshmia e rrallë e Ahmet Bushatit
Dossier

“Simbas vendimit të marrë prej të burgosunve politikë, ishin ‘piketue’ të gjithë spiunët e kampit të Shtyllasit, që u dojshin rrahë ose there dhe një pasdreke…”! / Dëshmia e rrallë e Ahmet Bushatit

June 3, 2025
“Jorgo, i burgosun si ne, kur të binte fjala për luftimet e 1949-ës, na thoshte: Ne grekërit, luftonim në këmbë dhe jo shtrirë si ju shqiptarët, që i kemi vënë para…”! / Dëshmia e rrallë e Ahmet Bushatit
Dossier

“Jorgo, i burgosun si ne, kur të binte fjala për luftimet e 1949-ës, na thoshte: Ne grekërit, luftonim në këmbë dhe jo shtrirë si ju shqiptarët, që i kemi vënë para…”! / Dëshmia e rrallë e Ahmet Bushatit

June 2, 2025
“Çfarë bisedoi ime gjyshe me Musine Kokalarin, për ato 14 ditë, në një dhomë spitali të Rrëshenit, ku spiunët me pseudonimet…”?! / Dëshmia e pinjollit të Bajraktarit të Kthellës, emigrant në Itali
Dossier

“Çfarë bisedoi ime gjyshe me Musine Kokalarin, për ato 14 ditë, në një dhomë spitali të Rrëshenit, ku spiunët me pseudonimet…”?! / Dëshmia e pinjollit të Bajraktarit të Kthellës, emigrant në Itali

June 1, 2025
“Komandant kampi të Bonos, kishim togerin Tasi Marko, vëlla i Rita Markos, që me ne do të sillej mirë, por emni i tij u lidhte me tmerret e kampit të Vloçishtit, ku ai…”/ Kujtimet e ish-të burgosurit politik
Dossier

“Profesor Foto Bala na tregonte, se Enver Hoxha, ishte i vetmi shqiptar, që për orë e orë të tëra, do të pozonte pa turp, në nji bar të Parisit, në pritje të ndonji…”/ Dëshmia e rrallë e Ahmet Bushatit

June 1, 2025
“Në vjeshtën e 1988-ës, në Durrës pati një reprezalje policore në port dhe jashtë tij, ku gjatë natës, shumë persona përfunduan në Degën e Brendshme, pasi…”/ Historia e panjohur e kontrabandës me marinarët e huaj
Dossier

“Në vjeshtën e 1988-ës, në Durrës pati një reprezalje policore në port dhe jashtë tij, ku gjatë natës, shumë persona përfunduan në Degën e Brendshme, pasi…”/ Historia e panjohur e kontrabandës me marinarët e huaj

May 31, 2025
Next Post
“Para se të më thërriste Sotir Peci të bënim gazetën ‘Kombi’, unë punoja në fabrikë dërrasash, kurse Konica, kishte xhaxhanë shumë të pasur, në oborrin e Sulltanit…”/ Fjalimi i panjohur i Fan Nolit

“Para se të më thërriste Sotir Peci të bënim gazetën ‘Kombi’, unë punoja në fabrikë dërrasash, kurse Konica, kishte xhaxhanë shumë të pasur, në oborrin e Sulltanit...”/ Fjalimi i panjohur i Fan Nolit

“Historia është versioni i ngjarjeve të kaluara për të cilat njerëzit kanë vendosur të bien dakord”
Napoleon Bonaparti

Publikimi ose shpërndarja e përmbajtjes së artikujve nga burime të tjera është e ndaluar reptësisht pa pëlqimin paraprak me shkrim nga Portali MEMORIE. Për të marrë dhe publikuar materialet e Portalit MEMORIE, dërgoni kërkesën tuaj tek [email protected]
NIPT: L92013011M

Na ndiqni

  • Rreth Nesh
  • Privacy

© Memorie.al 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.

No Result
View All Result
  • Albanian
  • English
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
error: Content is protected !!