Nga Qerim LITA dhe Halim PURELLKU
Memorie.al / Më 6 prill të vitit 1941 trupat gjermane sulmuan Jugosllavinë dhe, më 17 prill 1941, në Beograd, Jugosllavia nënshkroi kapitullimin pa kushte. Në këtë kuadër, po më 6 prill 1941, Armata e XII-të gjermane e cila ishte e stacionuar në Bullgari, krahas sulmit ajror mbi Jugosllavinë, marshoi në territorin e baltovinës së Vardarit, nga tri drejtime. Pas pushtimit të Shkupit, më 7 prill 1941, trupat gjermane të Divizionit të IX-të, pushtuan pa luftë Tetovën më 8 prill, më 9 prill, pushtuan Gostivarin dhe më 10 prill, morën dhe Hanet e Mavrovës, duke vazhduar marshimin Grykës së Radikës, drejt Dibrës. Të nesërmen, më 11 prill, njësitë e blinduara gjermane, pasi iu afruan qytetit të Dibrës, sulmuan nga prapashpina trupat jugosllave të regjimentit 46, të Divizionit të Vardarit, të cilat luftonin me trupat italiane në “Frontin e Dibrës”.
Pas luftimeve të shkurtra, atë ditë trupat gjermane shpartalluan forcat jugosllave dhe pushtuan Dibrën. Të nesërmen, më 12 prill, në Dibër hynë dhe trupat italiane. Pas shpartallimit të trupave jugosllave në “Frontin e Dibrës“, një pjesë e efektivave, shumë oficerë dhe komandanti i Divizionit të Vardarit, u zunë rob nga trupat gjermane. Një pjesë tjetër e efektivave të këtij Divizioni, u shpërndanë dhe disa prej tyre depërtuan deri në Kërçovë. Ndërkohë, më 10 prill 1941, trupat gjermane hynë në Ohër dhe në Strugë, duke vendosur atje kontaktin me trupat italiane.
Në një gjendje kaosi, kur trupat jugosllave tashmë ishin shpartalluar dhe ishin grumbulluar rreth Kërçovës, gjenerali jugosllav, Naumoviq, mori vendim për kapitullim e tyre, kurse më 12-13 prill 1941, trupat gjermane, pushtuan edhe Kërçovën.
Ndërkohë, pas vendosjes së kufijve ushtarakë në Jugosllavi, sipas interesave gjermane, Hitleri i kërkoi Bullgarisë, që të okuponte pjesën e Jugosllavisë, deri në vijën kufitare ushtarake, që shtrihej në: Pirot-Vrajë-Shkup dhe, në vazhdim, përgjatë luginës së Vardarit, deri në kufirin grek.
Invadimi i ushtrisë bullgare në territorin e Jugosllavisë, filloi më 18 prill 1941. Gjithashtu, në përputhje me marrëveshjen e 26 prillit të vitit 1941, mbi ndarjen e sferave midis Gjermanisë dhe Italisë, trupat pushtuese italiane të Divizionit “Firenze“, me Shtabin në Dibër, gjatë natës së 9-10 maj 1941 hynë në Strugë, Gostivar, Kërçovë dhe Tetovë me rrethina, duke zëvendësuar kështu trupat pushtuese gjermane.
Menjëherë pas pushtimit gjermano-italian, në Dibër qe formuar “Komiteti Shqiptar”, anëtarë të të cilit ishin; Sherif Langu, Osman Piperku, Daut Imami, Nuri Shehu, Osman Rusi, Ali Maliqi, Hysni Dine, Sabri Maqellara, Uke Saliu, Uke Cami etj.
Ky Komitet shtroi disa objektiva para vetes: bashkimin e viseve shqiptare me shtetin shqiptar; krijimin e organeve të pushtetit shqiptar; civil e gjyqësor, në viset e “çliruara“; hapjen e shkollave shqipe në Dibër e rrethinë; forcimin e vetëdijes shqiptare ndër shqiptarët e këtij krahu, etj. Komitete të këtilla shqiptare, do të formoheshin për të njëjtat qëllime edhe në qytetet tjera, si në; Gostivar, Tetovë, Kërçovë, etj. Për realizimin e objektivave të përbashkëta, këto komitete ishin orientuar për një bashkëpunim dhe bashkëveprim të ndërsjellë.
Sipas marrëveshjes midis ministrit të Punëve të Jashtme të Italisë, Ciano dhe ministrit të Punëve të Jashtme të Gjermanisë, fon Ribentrop, (që u arrit në Vjenë më 21-22 prill 1941), mbi ndarjen e sferave të interesit në Ballkan, pesë qytete me rrethina, ose gjashtë rrethe/nënprefektura, konkretisht: qytetet Tetovë, Gostivar, Kërçovë, Dibër, Strugë me rrethina dhe zona e Rekës së Dibrës, si dhe disa fshatra të Prespës, u përfshinë në zonën e pushtimit italian.
Vija e përkohshme e demarkacionit, midis Italisë dhe Bullgarisë, në Trevat Lindore shqiptare, ishte si vijon: në perëndim të Kaçanikut-drejt fshatrave Leshok e Zhillçe-në lindje të fshatit Zhelezna Reka (Gostivar) dhe Novoselë e Kërçovës-drejt fshatit Mafmute (Kërçovë), pastaj nga fshatrat Dolenca e Epërme dhe e Poshtme (Kërçovë)-në fshatrat Staroec (fshat i zhdukur-Kërçovë)-Belicë-Vellmej dhe Mesheishtë (Ohër), duke dalë në fshatin Podmolje, midis Ohrit e Strugës, pastaj vazhdonte përmes Liqenit të Ohrit dhe dilte pesë kilometra në jug të qytetit të Ohrit, duke vazhduar përgjatë malit Galiçicë, dilte tek fshati Evla i Prespës, nga aty vazhdonte në lindje të fshatit Kozjak dhe majave të malit Baba në kufirin jugosllavo-grek. Por kjo vijë kufitare gjatë kohës do të pësonte edhe disa modifikime, kryesisht në favor të Bullgarisë.
Ç ORGANIZIMI I PUSHTETIT USHTARAK ITALIAN
Trupat pushtuese gjermane në qytetet Dibër, Strugë, Kërçovë, Gostivar, Tetovë me rrethina, u zëvendësuan në natën midis 9-10 maj 1941, nga trupat pushtuese italiane të divizionit “Firence”, me Shtabin në Dibër. Më 17 maji 1941, pasoi Dekreti i Mussolinit, në bazë të të cilit komandat ushtarake të vendit filluan të organizonin dhe të vendosnin pushtetin italian në zonat: Dibër, Strugë, Kërçovë, Gostivar dhe Tetovë. Pushteti italian në këto zona u vendos në dy faza:
Në fazën e parë, nga ana e komandave ushtarake të vendit të divizionit “Firence”, krahas pushtetit ushtarak, u organizua edhe pushteti policor, nëpërmjet ngritjes së xhandarmerisë-karabinierisë në pesë qytetet e përmendura dhe në rrethinat e tyre. Në fazën e dytë, u organizua administrata shtetërore. Konkretisht, nga komandat italiane ushtarake të vendit, organizohej dhe vendosej pushteti civil dhe gjyqësor nëpër rrethe dhe komuna. Në krye të pushtetit civil, qëndronin komisarët civil, të emëruar nga Komanda Supreme.
Komisarët civil kujdeseshin për ruajtjen e rendit dhe të qetësisë, si dhe për aktivitetet e pushtetit italian. Procesi i organizimit të pushtetit ushtarako-policor italian në zonat e përmendura (Dibër, Strugë, Kërçovë, Gostivar dhe Tetovë), zgjati disa muaj; nga prilli e deri në korrik të vitit 1941, ndaj kjo ishte dhe një “periudhë pa pushtet”, sepse administrata e gjeratëhershme jugosllave e larguar nuk po zëvendësohej me administratë të re.
ORGANIZIMI I PUSHTETIT CIVIL SHQIPTAR
Në korrik të vitit 1941, me Shpalljen e Duçes më 29 qershor 1941, trevat e Dibrës, Strugës, Rekës së Dibrës, Kërçovës, Gostivarit dhe Tetovës iu aneksuan (bashkuan) Shqipërisë. Pas aneksimit, në këto treva pushuan së funksionuari organet administrative dhe pushteti gjyqësor i deriatëhershëm dhe u organizua pushteti shqiptar me strukturë drejtuese, Komisariatin e Naltë Civil për Kosovë, Dibër e Strugë, me seli në Prizren. Drejtues i parë i komisariatit u caktua Fejzi Alizoti, me kompetenca të barabarta të një ministri.
Në gusht të vitit 1941, trevat e Dibrës, Strugës, Rekës së Dibrës, Kërçovës, Gostivarit dhe Tetovës, në aspektin administrativo-territorial civil, u organizuan në kuadër të prefekturës (qarkut) të Dibrës, me seli në qytetin e Dibrës.
Pra, prefektura (qarku) e Dibrës përbëhej nga nënprefekturat (rrethet) e Dibrës, Strugës, Rekës (Radastushit), Kërçovës, Gostivarit dhe Tetovës. Prefektura e Dibrës kishte një sipërfaqe prej 4070 km, me rreth 260.000 banorë.
Ndërkaq, çdo rreth ishte i ndarë në më shumë njësi administrativo territoriale, që në vendet urbane njiheshin si bashki, ndërsa në ato rurale, komuna. Në krye të administratës vendore të prefekturës qëndronte prefekti, kurse të nënprefekturës qëndronte nënprefekti dhe të bashkisë e komunës qëndronte, përkatësisht, kryetari i bashkisë dhe i komunës. Prefekti dhe nënprefektët propozoheshin nga Ministria e Punëve të Brendshme, ndërsa dekretoheshin nga mëkëmbësi Françesko Jacomoni. Përveç kësaj, prefekturës së Korçës iu bashkuan pesë vendbanime shqiptare në rrethin e Prespës që përbënin komunën e Carev Dvorit.
Organet administrative të Prefekturës së Dibrës filluan punën nga fundi i gushtit dhe fillimi i shtatorit të vitit 1941 por, në përgjithësi, ata ishin ende të pa konsoliduara plotësisht. Kështu p.sh. gjyqet jugosllave ishin suspenduar përfundimisht me urdhrin e 28 tetorit të vitit 1941, kurse gjyqet zyrtare shqiptare filluan punën nga 4 maji i vitit 1942. Organet e rendit ishin xhandarmeria (karabinierët) dhe policia (kuesturat). Xhandarmeria komandohej nga italianë, kurse policia komandohej nga shqiptarë. Ndërkaq, gjuhë zyrtare në administratë ishte gjuha shqipe.
Në territorin e prefekturës së Dibrës u vendosën rreth 1500 forca të xhandarmerisë. Selia e formacionit policor (kuesturave) të kësaj prefekture ishte në Dibër, kurse degët ishin nëpër selitë e nënprefekturave. Efektiva të xhandarmerisë ishin sistemuar në të gjithë territorin e kësaj prefekture, nëpër bashkitë e qyteteve nga 20-30 xhandarë, kurse nëpër fshatra qarkullonin nga 4-5 xhandarë.
Efektivat e xhandarmerisë përbëheshin vetëm nga italianët, kurse vetëm në prag të kapitullimit të Italisë filluan të pranoheshin edhe shqiptarë. Gjatë pushtimit ushtarak gjerman ashtu edhe gjatë atij italian, shqiptarët e këtyre trevave nuk mbështetën Lëvizjen Nacionalçlirimtare të Jugosllavisë, për faktin se ata nën pushtimin italian gëzonin në një nivel të lartë të drejtat kombëtare.
Gjatë viteve 1941-1944, shqiptarët e këtyre trevave, për herë të parë në historinë moderne të tyre, qeveriseshin nga një administratë shqiptare, ndonëse në nivelin e administratës së ulët. Asokohe u krijua një bazë e gjerë dhe u hapën perspektiva për një evolucion të pandalshëm kulturor e kombëtar për ta, proces të cilin nuk qe në gjendje ta ndalonte tërësisht më vonë as pushteti komunist jugosllav.
SHKOLLAT KOMBËTARE SHQIPTARE NË PREFEKTURËN E DIBRËS
Në vjeshtën e vitit 1941 në këto treva u hapën shkollat e para kombëtare shqipe. Në fakt, parapërgatitjet ishin bërë shumë më herët, që nga mesi i qershorit, kur ministri i arsimit, Ernest Koliqi, emëroi “Misionin e Jashtëzakonshëm Shkolluer”, në krye të së cilit u caktua profesori i Liceut të Shkodrës, Fadil Repishti. Misioni në fjalë, si detyrë parësore pati të studionte gjendjen faktike të arsimit fillor e të mesëm në ato treva.
Përveç kësaj, Misioni duhej që, në një afat sa më të shkurtër, të bënte organizimin e kurseve verore për mësimin e gjuhës shqipe si për të miturit ashtu edhe me të moshuarit. Për këtë qëllim, Ministria e Arsimit, me 19 qershor lëshoi një qarkore, në të cilën kërkohej që, në baza vullnetare, të hartohej një listë e arsimtarëve të cilët, “shfaqin dëshirën e tyne me u transferue në vendet e çlirueme.”.
Duke u mbështetë në raportet e inspektorëve, shihet qartë se një numër i madh i arsimtarëve, pranuan me kënaqësi të punonin si mësues në tokat e çliruara. Brenda një afati të shkurtër, numri i tyre arriti mbi 150. Kurset e para verore në gjuhën shqipe në territorin e kësaj prefekture patën një jehonë të madhe në popullsinë shqiptare e cila këmbëngulte që mësuesit të vazhdonin misionin e tyre të shenjtë kombëtar, duke hapur shkolla të rregullta fillore në gjuhën shqipe.
Ministrisë së Arsimit ju dërguan shumë letra e telegrame falënderimi. Është e rëndësishme të vihet në pah se, “Misioni i Jashtëzakonshëm Shkolluer” për Dibrën e çliruar, në raportin dërguar Ministrisë së Arsimit me 11 gusht 1941, përveç të tjerave, kishte kërkuar që për vitin shkollor 1941/42, të hapeshin së paku 55 shkolla fillore shqiptare në të cilat do të punonin 100 mësues.
Këshilli i Administratës pranë Ministrisë së Arsimit, me 1 tetor 1941 mori vendimin për “hapjen e shkollave fillore kombëtare në viset e Kosovës e të Dibrës”. Më 14 tetor 1941, Ministria e Arsimit emëroi Beqir Haçin si Inspektor të arsimit fillor në Dibër, i cili më tej do të përfshinte edhe qarkun e Tetovës si dhe rrethet e Gostivarit, Kërçovës dhe të Strugës.
Njëkohësisht u caktuan edhe dy drejtorë didaktikë: Edip Tërshana për Dibër e Strugë, ndërsa Mexhit Bekteshi për Tetovë, Gostivar e Kërçovë. Sipas burimeve arkivore rezulton se shkollat e para në gjuhën shqipe u hapën në fillim të nëntorit. Në telegramin qarkor drejtuar inspektorive të arsimit fillor, Ernest Koliqi shprehej në mënyrë të qartë e të prerë se “personelit t’Arsimit Filluer të transferuem në Kosovë e Dibër nuk i merret asnji arsye parasysh për mos-paraqitje në detyrën e re. Lutjet qi kanë parashtrue mbeten pa veprim.
Me 10 Nënduer nisja e tyne duhet të ketë marrë fund. Në këtë ditë lajmëroni se cilët nuk kanë dashë me u nisë, gja që do të konsiderohet si kundërvajtje urdhrit të dhanë”. Mësuesit e parë, të cilët arritën në Dibrën e Madhe, në mbarim të muajt tetor, ishin kryesisht nga rrethi i Peshkopisë. Ata menjëherë u emëruan mësues në vendbanimet e ndryshme.
Deri me datën e paraparë arritën edhe mësuesit e rretheve tjera. Krahas shkollave fillore, në Tetovë u hap Liceu “Hoxhë Tahsini”, në Gostivar shkolla e mesme e Zejtarisë, në Kërçovë shkolla e punës “Muhamet Çami” dhe në Strugë shkolla e mesme industriale. Hapja e shkollave të para kombëtare shqiptare, në historiografinë më të re shqiptare konsiderohet si Rilindja e dytë për shqiptarët e këtyre trojeve.
Për këtë, meritë të madhe patën mësuesit shqiptarë të cilët, me kërkesë të Ministrit të Arsimit, Koliqi, kontribuan me kënaqësi në procesin e hapjes së shkollave në viset e liruara, duke i lënë të gjitha privilegjet që i gëzonin në vendbanimet e tyre, vetëm e vetëm që tu vinin në ndihmë vëllezërve të tyre, të cilët posa ishin çliruar nga robëria tridhjetëvjeçare serbe.
Gjatë punës së tyre trevjeçare, ata krahas kontributit të tyre edukativo-arsimor, ndihmuan edhe vetëdijesimin nacional të popullsisë shqiptare të këtyre trevave, duke krijuar një plejadë të brezit të ri i cili pas mbarimit të Luftës së Dystë Botërore, i rezistoi dhunës dhe terrorit komunist jugosllav dhe arriti ta mbajë gjallë “Lëvizjen Kombëtare Shqiptare”. /Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Marrë nga koha.mk
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016