Nga Dom Zef Simoni
Pjesa e katërmbëdhjetë
Memorie.al publikon një studim të panjohur të Dom Zef Simonit, me titull “Persekutimi i Kishës Katolike në Shqipni nga 1944 në 1990-ën”, ku kleriku katolik me origjinë nga qyteti i Shkodrës që vuajti për vite me radhë në burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe më 25 prill 1993 u shugurua Ipeshkv nga kreu i Selisë së Shenjtë, Papa Gjon Pali i II-të , pasi ka përshkruar një histori të shkurtër të Klerit Katolik në Shqipëri, është ndalur gjatë në persekutimin që pësoi Kisha Katolike në regjimin komunist, nga viti 1944 deri në vitin 1990. Studimi i plotë i Dom Zef Simonit, duke filluar nga tentativat e qeverisë komuniste të Tiranës menjëherë pas mbarimit të Luftës për ta shkëputur Kishën Katolike nga Vatikani, fillimisht duke i ndaluar kthimin në Shqipëri Delegatit Apostolik, Imzot Leone G.B. Nigris, pas vizitës që ai kishte bërë te Papa në Vatikan në vitin 1945 dhe më pas me presionet e kërcënimet ndaj Monsinjor Frano Gjinit, Gaspër Thaçit e Vinçens Prenushti, të cilët e kundërshtuan prerë “ofertën” e Enver Hoxhës dhe si rezultat u pushkatuan prej tij, si dhe fatin tragjik të shumë klerikëve të tjerë që arrestuan, u torturuan dhe u dënuan me burgime, si: Dom Ndoc Nikaj, Dom Mikel Koliqi, Atë Mark Harapi, Atë Agustin Ashiku, Atë Marjan Prela, Atë Rrok Gurashi, Dom Jak Zekaj, Dom Nikollë Lasku, Dom Rrok Frisku, Dom Ndue Soku, Dom Vlash Muçaj, Dom Pal Gjini, Fra Zef Pllumi, Dom Zef Shtufi, Dom Prenkë Qefalija, Dom Nikoll Shelqeti, Dom Ndré Lufi, Dom Mark Bicaj, Dom Ndoc Sahatçija, Dom Ejëll Deda, Atë Karlo Serreqi, Dom Tomë Laca, Dom Loro Nodaj, Dom Pashko Muzhani, etj.
Në kamp
Gjithçka bahej me një rregull. Në kamp nuk kishte asnjë konfuzion të jashtëm. Në orën pesë të mëngjesit, bahej zgjimi. Ndihej zani i fortë i Dhimos, ish-oficer, e mbas lirimit të tij, gati njëzetë vjetësh në burg, ndigjohej zani i Jorgjit, çoban vlleh. Tellallë të burgosun. Zgjimi ishte fjalë e randë për ne. Të burgosunve iu çilshin sytë e gjatë natës e, kishin pikëllimin e ditës, kur delte një diell i bukur e i shndritshëm, mes atyne maleve të thata, nësa i burgosuni merrte koshiencën e gjendjes së vet. I burgosuni çdo ditë mund të bante një formim, ose një rrënim të jetës së vet, nëpër të cilën kalonte. Ky futej në punë, në galeritë e nëntokës edhe ata që nuk punojshin në minierë, gjindeshin në tunelet e luftave mizore, tue u gjetë në pozicionet ma të tmerrshme që ka toka dhe kontinenti ynë. Dhe ti pyet veten.
Çka baj këtu, ku gjendem, ku jam, pse jam këtu?! Të gjendesh vetëm një ditë e natë, njëzet e katër orëshe, në këtë vend, nuk të duhet vetja asgja. Por me ditë, me javë, me muej, vjete, me të tanë jetën, shumë edhe të vdesin këtu. Gjithçka do të bahej me shpejtësi mbas zgjimit, për të krye nevojat personale. Një torturë antinjerëzore në ato WC pa dyer, gjithsej trembëdhjetë e, me shpejtësi me u la në ato pak çezme me pak ujë, për të gjithë të burgosunit. Aty edhe me la rrobet, tue pasë pak govata. Gjithçka pak, ngusht dhe ngut. Një shkuemje e ardhje, një lëvizje njerëzish, që shumë edhe ngitshin si të tërbuem, se po avitej koha rreth orës 730, kur tellalli lajmonte apelin tjetër.
Për këtë do të mblidheshin të gjithë në tarracë, tue u ngjitë disa kambë shkallë. Tarraca ishte e madhe, ku mund të bahej edhe një shëtitje, që herë herë lejohej e, të shumtën e herës jo, pse që andej shihej diçka ma tepër e, dukej dhe një cep rruge. Apeli bahej rregullisht dy herë në ditë, e nisi të bahej edhe tri here, mbas vdekjes së diktatorit të dytë, kryeministrit Mehmet Shehu. E deri që vinte koha e numërimit, do të rrijshim shpesh herë edhe një orë e ma, në kambë, në shi, në të ftohtë, në ngricë e akull, edhe në pikën e të nxehtit të verës.
Kjo ishte një orë e randë e shtypjes sonë. Kalojshim dy nga dy tue zbritë nëpër shkallë, tue hjekë kapelat e, tue dalë kokat tullace tonat, në prani të oficerit të rojes, të policëve për t’u dhanë nderimin, për t’u hjedhë si kem zotave të rrejshëm. Ata dojshin që të mos kishim asnjë personalitet, por që këtu edhe mblidhej helmi i mallkimit tonë, që do të binte patjetër mbi njerëzit e dhunës, mbi dhunuesit e njeriut. Këtu qëndronte në një anë fitorja e rrejshme e komunizmit, por këtu do të ishte edhe jona, pse në ato orë sinjifikative e të përqendrueme në çdo ditë, ma në shej të shtypjes, nga shkaku i tyne, do të bijë ndëshkimi i Zotit mbi ata që dhunojnë dinjitetin e njeriut.
Dinjiteti i njeriut asht pronë e Perëndisë. Asht fort e randë me të rrahë, me të gandue me goditje shtazarake, me të vra, por ia kalon të gjitha të zezave, me të poshtnue, pse poshtnuesi do me hjekë dinjitetin. Komunizmi nuk ka ba të keqen vetëm tue pushkatue e tue burgosë njerëz, pse këso punësh kanë ndodhë gjatë kohës së historisë të panjehuna, as pse ka prishë karakterin njeriut, që kjo prishje asht konsekuencë e të këqijave, por kryesisht se komunizmi, e ka prishë karakterin, tue dhunue sistematikisht e çast për çast dinjitetin, e njerëzit kanë arritë vetë të mos kenë dinjitet. Pse u thyen nazistët e fashistët gjatë Luftës së Dytë Botnore? Kjo u ngjau atyne, pse dhunuen dinjitetin e anmiqve të vet. Kjo do t’u ngjajë edhe çdo forme të komunizmit. Këtu ishte siguria jonë e, për shumë kohë, edhe morali ynë.
Aty kishte një organizim të tillë, që, po nuk pate vullnet edhe të fortë, mund të rrëzoheshe, shkojsha tue ra. Një pjesë të kohës, mund të shëtitshin rreth njëmijë e pesëqind vetë, në ato dy oborre të vogla, që duhej të kisha kujdes të mos shpëtonte ndonjë fjalë, bisedë, se spiunët të viheshin mbrapa, për ta dëgjue. Fjala burg ndryshon nga hetuesia. Në hetuesi ke luftë të fortë, përpjekje, shumë andrralla. Del e rrallë, mos me dalë. Kurse në burg, ke një jetë me një farë stabiliteti të keq. Ke punë, ke ajër. Por je futë në një diçka të gjatë, me ditë, me vjet dhe të papërcaktueme, pse mund të dënohesh përsëri. Po të ishte e mundun të rrijsha me secilin njeri aty, e po të hyjsha në mbrendinë e atyne qenieve që thirren të burgosun, do të zbulojshe botën e dhimbave të tyne e, do të shihsha se në ata asht mbyllë gjithçka.
Vizitat e motrës në Spaç e Ballsh
Në burg je futë në një errësinë. Ke vetëm realitetin e presionit. Kje nda nga familja, nga të afërmit, nga miqtë. Njerëzit e familjes, pret me aq dashuni. Këta rrinë me ty afër dhjetë minuta. Te vëllau e te unë, vinte motra, aq e sakrifikueme për ne. Mjaft me kujtue për atë vështirësitë që kishte për të ba udhëtime në Ballsh, ku ishte Gjergji e, në Spaç, me rrugë të vështira për të ardhë te unë, që në udhëtim do ta mundonte pshtjellimi që kishte në stomak e, që do ta bante fytyrën e saj si të një kufomë, në çdo udhëtim. E krejt peshën ushqimit që do t’i binte tue ecë kambë në një copë rrugë e, kishte nxjerrë nga gojët e paushqyeme. Në takim u bajshin biseda të shkurta, të shpejta e të kjarta, e takimi mbaronte me përshëndetjet e fundit e lot nanash, motrash, nusesh dhe fëmijësh. Familjet, për të na ndihmue, na dërgojshin pakot edhe me postë.
Të papunët në Spaç
Kishin vuajtje, lodhje, ata që punojshin me tre turne në minierë, dërrmoheshin. Të papunët që ishin rreth pesëqind vetësh, edhe ata bajshin punë të vogla, të mbrendshme. Ishte një kuzhinë që e quejshin private. Për të përgatitë zjarrin, komanda jepte pluhun qymyrit, për të ba topa. Të gjithë të burgosunit e papunësisë, nxirreshin jashtë në një patalok, të ulun ndenjun afër zyrës së komandës, në të ftohtë, ngricë, erë, për të ba topa me dorë. Një punë që zgjat rreth dy orësh, pothuej çdo ditë, tue na ndejë mbi krye brigadieri çoban, i papunësisë. Nuk ishte nevoja të kishe një polic ma të mirë. Ata që punojshin, kishin racionin e bukës, 900 gr. në ditë e, gjellë në mëngjes e drekë. Darka kishte çajin me copën e marmalatës, ose të djathit. Sa herë, kishte asish që nuk hajshin orizin, ose makaronat me mish, për arsye se atyne që nxirshin sidomos piritin, u pritej oreksi e, ua jepshin shokëve të vet, që i kishin në papunësi, ku kishte shumë uri.
Në papunësi kishte 600 gr. bukë në ditë, por edhe kjo nuk jepej e saktë. Kuota e ushqimit, ishte në vlerën e tetë lekëve të vjetra në ditë. Në një javë, mund të binte vetëm voj luledielli, dy lugë gjelle. Ishte racion. Në daç haje gjellën, në daç mos e ha. Çdo mëngjes dimnit, nuk të daheshin disa lloj purrijsh të thatë, ardhë me makina ndër thasë, që nuk haheshin, nuk kapërdiheshin e, na i derdhshim në kazanat e tepricave, për thitë e komandës. “Oh, nuk shtihet në gojë ajo supa e orizit në drekë”. Ngërdhesheshin gojët. Kërkohet kund ndonjë presh o hudër, që hynte në kamp prej komandës. Një pjatë me groshë të hollë e, kjo çdo tri ditësh, e kthente ditën në një festë. Çdo mbramje për darkë, do të merreshe rriskën e bukës dhe gotën e çajës, pothuej pa sheqer. Mes vapës, shiut, borës e akullit, deri në temperaturën minus 10-150 , për sa vjetë, do të ishim të inkuadruem në rreshta, tri orë e ma tepër në ditë, në tri kohët e ngranjes, për të marrë atë ushqim që e kishin përgatitë të tillë, për të na prishë çdo dëshirë për të jetue. Ushqim i përshtatshëm, vetëm për shejtënt e kafshët.
Kur binte shi, nuk u lejonte për të marrë plasmasa për t’u mbrojtë. Kështu lageshin të gjithë e, baheshin qull kapotat e krenat. Dridheshim sidomos, kur shiu binte në të ftohtë. Një roje e pashpirt, pau një të burgosun që kishte vu mbi krye plasmasin. E nxori nga rreshti dhe e vendosi në një pozicion, që mbi qafën e tij të bijshin pikat e shiut, për t’i kalue nëpër shtat. Gjithkah më delte keq. Edhe po të kishem një farë komoditeti, shpirtnisht nuk do të më pëlqente, se më dukej sikur të mendojsha për ndejtjen aty, për një jetë, që bahet jotja, që zgjaste kështu kohën e robnisë. Dispozicioni duhet të ishte i tillë, që mos me jetue me realitetin. Asht një mënyrë për t’i shpëtue ramjes, për të mbajtë nalt moralin tand dhe me mendue përherë, që mos të shkëputesha për asnjë çast nga e ardhmja, nga ajo që nuk e ke prezent.
Ka jetë ma. Edhe mos me pasë, edhe mos me jetue ma, asht vlera se nuk je rrëxue. “Frangar, non flectar”. (“Përkulem, por nuk thehem”). Ç’më duhet atëherë realiteti? Harroje! Mërdhas? Lëviz, për me u nxe! Kam uri! Do të ha. Jam i lodhun, tue ndejë në kambë edhe apel, ma tepër se tri orë, katër, në ditë me shi, në diell. Do të çlodhem dhe jetoj. Ky asht një stoicizëm. Por ka edhe ma për mue. Ka tjetër për atë që i jep vështrimin e naltë jetës. Ajo që shejtnoi vuejtjen, më del gjithherë përpara. Sakrificë me shpërblim. Vuajtjen unë nuk e kërkoj fort, por e pranoj, kur jam në atë. Kam qëllim të naltë. Vuen Krishti në mue. Edhe më duket atëherë, se vuej ma pak. Ajo shkrihet në meritim. Edhe kështu punoj për të ardhmen.
Tash mund ta çmojmë edhe temën e hartimit të Padër Gjonit, që na dha në klasën e gjashtë të liceut: “Gjenitë formohen në vetmi, karakteret në zhurmë”. Vetmi ka pak, aspak. Zhurmë ka shumë. Këtu formohen karakteret. Në çdo çast mund të acarojë dikush. Njerëz shumë të mirë, të sjellshëm, të edukuem, shpirtmirë, me ide dhe ideale, por ka edhe asish që janë mbrapa në mirësitë njerëzore. Ngushtica që asht karakteristikë e kohës dhe e regjimit, i jepshin rast grindjeve, sa zbulimeve që ngjanin ndër ata njerëz intrigantë, spiuj, të veseve që përshkojshin kampin, tue i dhanë asaj grope natyrore të burgut, frikë e ankth.
Në burg natyra jote ishte e pamundun, të mos shfaqeshe me të tanë fuqinë e vet, në thellësinë e veprimeve. Zbuloheshe krejt. Jeta këtu nuk kishte maskë. “Pse, o njeri, o i burgosun i del shoqit tand para në radha, kur je vu në rresht, për të marrë bukën, pa i marrë lejen, pa ndonjë arsye”?! E këtë nuk do ta bajë ndonjë i sëmurë, ndonjë që nuk ka ndihma, por ata që kërkojnë me përfitue në gjithçka. Po pse atëherë ke ra në burg? Plotësova idenë, se drejtësia duhet të jetë karakteristika e parë e njeriut. Njeriu, po nuk qe i drejtë me ty, ai asht bisha jote. Mos vallë janë kushtet, rrethanat, gjithçka mbi njeriun. Jo. Këta ndikojnë. Por nuk janë. Personaliteti i njeriut, asht i njajtë, në çdo rast. Unë kisha vendosë për veti shpesh here, që bukën ta merrshe ndër të fundit në radhë, pa shikjue a më delte kush përpara. Ruejsha qetësinë.
Vetëm një herë e pyeta një të burgosun, i cili për tri ditë rresht, vinte para meje në radhë, më delte para. Hynte dhe nuk me përshëndette. Nuk më flitte asnjë fjalë. M’u zgjue një kureshtje e, tue pasë një zemërim të mbrendshem, e pyeta në të tretën ditë, me një farë toni: “Përse o djalë më del para, tue qënë unë fort ma i madh se ti në moshë, edhe i sëmurë? Unë i gjykoj keq këto veprime”! i tham. “Vij, – më tha, – para teje, se nuk më thue gja, pse ju priftënt jeni njerëz të mirë. Ju duroni. Ke shumë arsye. – Më tha, e tue më lypë të falun, vazhdoi: – Jam i ri, e nuk dij çka baj nga vuejtjet. Jam djalë i vetëm dhe prindët i kam në vështirësi, si edhe të sëmurë”. I kërkova edhe unë të falun:
“Rri para meje, kur të duesh.” Por ai nuk erdhi ma, por më jepte një përshëndetje në kamp. Ky fakt gati si i ngjashëm me atë ngjarjen, kur protestova në kishë për mos me ia dhanë kemin atij shoqit tim. E përshkonte veten time një dell shekullar. Kishte shumë të rinj që preokupoheshin për dije, sidomos për gjuhët e huaja. Gjatë vjetëve të burgut po të zbulohej kush se merrrej me ato, ia merrshin fletoret, shënimet dhe ato t’i izolojshin për tridhjetë ditë. Kështu u dënuen herë mbas herë, edhe njeni për tridhjetë fjalë të gjuhës italishte. Për një fjalë, një ditë burg. Për tridhjetë, shumëzim aritmetik. Ndej tue mërdhitë se ishte dimen. Duel në krye të muejit. I ndejën gati shokët me ushqime për ta marrë veten në dorë, ajo fytyrë që ishte ba si kufomë.
Birucat e vdekjes
Me u futë në birucë, donte të thonte, sidomos dimnit, me hy në një dhomë torture, e gjatë gati dy metër, ku nëpër bira hynte erë e akull e, le të imagjinohen pasojat e randa fizike, në këto dhoma të quejtuna “birucat e vdekjes…”! Arsyet e hymjes ishin ma të ndryshmet e, për disa persona që komanda i quante kokëfortë e të rrezikshëm, për pikëpamjet e tyne, pritshin shkakun ma të voglin, për t’i shti në birucë. Më këtë persona atëherë organizojshin edhe rrahjet me skuadra policësh, që arrinin deri në 13 veta.
Po të gjente roja shkakun ma të voglin e shkeljes së rregullores: se nuk asht rregullue mirë shtrati, o tue hangër ndonjë send sado të vogël, në dhomën e fjetjes, aty e kishe vendin. Birucat ishin vendosun mbi përrue e dimnit frynte era e ftohtë. Ishte këtu pika e akullt në Shqipni. Përroni përfund ishte krejt akull e për plasat e birucave hynte era e pamëshirshme si katileshë. Mbrendë nuk hynte asnjë ushqim tjetër veç atij të komandës. I dënuemi do të rrinte tanë ditën në kambë, me një veshje të hollë, pse të hiqshin edhe ndonjë xhup që kishe. Në mbramje do të hyjshin dy batanije të leckosuna.
Çdo natë në torturën e fortë të dimnit, të akulluem me borë në tokë e ngricë në zemër. Kamp e tmerr. Kampi i Riedukimit 303 Spaç, i kishin vu emnin. Baheshin mbledhje të shpeshta e, i kryesonte komanda me komandantin, ose ma shpesh komisari politik. Ato ishin mbledhje të idhta, që zakonisht baheshin ditë të dielle paradite. Lëshohej në ato zeheri komunist, me rrebtësi ushtarake e, ishin paralajmëruese arrestimesh të reja në kamp. Kishte raste që bisedohej për të drejtat e të burgosunve, por ma tepër për detyrat. Flitej për rregullimin e brendshëm, pastërti, ushqimin që nuk ndërronte aspak. Ushqimi kontrollohej çdo ditë nga oficeri i rojes dhe mjeku i kampit. Ishin dy mjekë; mjeku ushtarak i komandës dhe mjeku i burgosun i kampit.
Mjeku i burgosun, në infermieri bante vizitat, jepte mjekimet dhe lejet e pushimit të kufizueme, mos me dalë në punë për ata të minierës e, për të papunët me pushue në shtrat, kur ishin me temperaturë. Komanda porositte në çdo mbledhje, që të rrijshim urtë e të mos flitshim kundër pushtetit: “se na ju presim gjuhën. Gjuhën tuaj gjarpën. Prej kësaj gjuhe, keni ra këtu. Ky asht pushteti ideal”. Thonte nënkomisari, Nikolla, prej Puke. “Hi, hi”, qeshte kah fundi i sallës, ndonje grup i të burgosunve. Pa e dijtë shkakun e zhurmës, nënkomisari merrte zemër e ndezej flakë në fytyrë, tue marrë një ngjyrë të keqe të fortë. “Mos hidhni vner kundër pushtetit, Riedukohuni. Për këtë kemi vu edhe leximin e shtypit”.
Çdo ditë, veç ditës së dielle, që kishte pushim, bahej leximi i artë i veprave të shokut Enver, tri orë në ditë e, në vjetët e fundit, dy orë, deri kah ora 1030 të paradites. Pastaj na mbërthejshin në shtrat, për mos t’i ba zhurmë na të papunësisë, atyne që flejshin për të dalë në punë, në turnin e dytë. Do të mbretnonte një heshti vorri, në sa bota në këtë orë asht në lëvizjen e ditës e të jetës. E nësa ishim të shtrimë, kontrolloheshim vazhdimisht nga policia, që përshkonte dhomat me një ecje të ngadalë e, tue na lëshue sytë mbi secilin. Për dymbëdhjetë vjetë, unë ndijsha leximin.
Lektori ishte i burgosun. Do të rrijshim të gjithë me vëmendje. Ishte prezent brigadieri i rrebtë e papunësisë, Jorgji. E kur hynte roja në sallën e leximit, të gjithë rregullojshin pozicionet e veta. Një roje në repartin e Përparimit, afër Sarandës, ku gjindeshe në vjetin e fundit të burgimit, pau një të burgosun të moshuem që kishte ulë kokën mbi tavolinë. Roja me qetësinë ma të madhe, kërkoi një kovë ujë, për t’ia hjedhë në fytyrë e, tue i lëshue një britme shkyese, i tha: “Kështu i dëgjon ti veprat e mëdha të shokut Enver”?! dhe e nxuer jashtë, për ta çue në komandë. Me shkue në komandë, donte me thanë me hy në torturë.
Ishte dimën, shumë të ftohtë. Kishte ngricë. Malet përreth të zbardhueme prej bore. Ishte ditë me pak diell, diell i marrtë, 7°C. Do të bahej kontroll në kamp, siç bahej një herë në muej. Kontrolli zgjati gati pesë orë. Lektorit i thanë të lexonte. Çka? Veprat e shokut Enver. Na nxeheshim. Na nxejshin veprat. Urrejtje, nxehtësi zemrimi. Kamp e tmerr. Në Spaç shtojshin telat me gjemba, rrethime. Ishin katër. U shtue edhe një. U banë pesë. Rojet ushtarake që ishin ditë e natë në kontroll, na zgjojshin kuriozitetin. Ata vejshin helmeta. Herë i hiqshin, herë i vejshin edhe mbrenda dite. Na bajshim interpretime politikë brenda burgut. Çdo ditë jetojshim me frikë, kishim presionin e madh psikologjik.
Formoheshin bindje, se vështirë të delej ma prej aty: nga kampi i shfarosjes. Një i burgosun që kishte qenë në kampin e Mat’hauzen, thonte se ky i Spaçit, ia kalonte atij për mundimin dhe terrorin. Hyjshin fjalë: “Këto ditë do të ketë arrestime”. E hidhte fjalën ndonjë agjent i tyne. Ka arrestime. Arrestime mbas arrestimesh, në burg. Pa pritë pa kujtue apel. “Apeli”, thirrte zani i trishtueshem. Ora 11°°. Leni leximin. Asht apeli. Të gjithë rrijnë pa za, heshtje vdekjeje. Të gjithë të radhitun. U nxinte për ne qielli, erreshin zemrat. Secili thonte me veti; mos jam unë? Mos jemi shumë? Përsëri nana, fëmijë që do të vuejnë. Përsëri me strajca për të marrë mbrapa me lot ndër sy, me kambë të këputuna, njerëzit e tyne. Çka janë këto ngjarje kështu?!
Fadil Kokomani dhe Vangjel Lezho (23 shkurt 1979)
Hynte në kamp komisari politik, komandanti, operativi, oficera dhe shumë roje. Arrestohen si anmiq të popullit. Rojet u futshin mes të burgosunve. U vejshin hekura ndër duer. Të arrestuemit çojshin krenat përpjetë, shej papërulje. Heshtje e krejt kampit gjat asaj dite. Ditë zije. Kështu veprojshin sa herë. Edhe katërdhjetë vetë pëmjëherë. Por këtë arrestim, e banë pa apel, por tue i marrë nëpër dhoma. Përsëri shtijshin fjalë se do të arrestohen edhe tjerë. U arrestuen përnjëherë edhe njëzet e shtatë. Edhe grupi i Fadil Kokomanit dhe i Vangjel Lezhos, me 23 shkurt 1979.
Të dy ishin me pikëpamje të forta komuniste. Këta të dy, i kishin dërgue nga burgu një letër Komitetit Qendror, tue i kërkue të ndërronte vija e Enverit, me e hjekë Enverin. Këta dojshin me u rivendosë marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik. Atje kishin mbarue edhe studimet. Komunizmi nuk xen vend. Ai ka diktaturë e totalitarizëm. Për Fadilin, Vangjelin e shokët e tyne, duhet me marrë frymë gjithçka, nëpër birën e Moskës. Komunizmi me dhunë e merr pushtetin, me dhunë e gjak e mban. Dhuna e gjaku, asht binom i komunizmit. U ishte mbushë mendja atyne, se ishin në të mbarën.
Po Bashkimi Sovjetik kje shembull i përsosun i tmerrit e, për gjashtëmbëdhjetë vjetët, i nxorën sytë e ujtë Shqipnisë. Çka i duheshin lidhjet me këtë vend e, me këto ide e parime?! Po të jeshë komunist, të hiqet koka edhe prej tuejve, edhe po të bajsh ndonjë kritikë. Fadili ishte stoik, gazetar e letrar. Vangjeli ishte gazetar, letrar edhe besimtar kristian. Ishin njerëz me guxim dhe të ndershëm nga karakteri. Kishin ra shumë persona që i përkitshin rrymës së revizionizmit, djemtë e sa kuadrove të partisë dhe të pushtetit, si të Beqir Ballukut, Teme Sejkos, Fatos Lubonja, Spartak Ngjela, me tendenca demokratike e, sa të tjerë. Të gjithë kishin pikëpamje socialiste, por nga karakteri të ndershëm e, mund të rrijshe pa asnjë frikë me ata, mund të flitsha lirisht, pse ishin vërtetë besnikë. Memorie.al