Nga Halil Laze
Memorie.al / Halil Laze ka lindur në Golëm të Gjirokastrës, më 10 gusht të vitit 1943. Ai është diplomuar në fakultetin Histori-Gjeografi të Universitetit të Tiranës në vitin 1965 dhe për disa vite punoi në shtypin ushtarak në gazetën “Luftëtari” dhe revistën “10 Korriku” organe të Ministrisë së Mbrojtjes Popullore. Ai u arrestua në 1975, (pasi filloi goditja ndaj të ashtuquajturit “Grupi puçist i Beqir Ballukut) dhe u dënua me 8 vjet burg politik, duke u akuzuar për “agjitacion e propaganda”, dënim të cilin e vuajti kryesisht në kampin e Spaçit. Me shembjen e regjimit komunist në fillimin e viteve ’90-të, ai u angazhua përsëri me shtypin e shkruar, duke dhënë një kontribut të madh në shtypin e kohës. Po kështu pas viteve ’90-të ai shkroi edhe disa libra. Halil Laze ndërroi jetë më 31 gusht 2001. Shkrimi që kemi përzgjedhur dhe po publikojmë këtu, është marrë nga kujtimet e tij, ku tregon për periudhën, që ai vuante dënimin në burgun e Spaçit dhe vuajtjet e motrës së vetme, që kishte një vëlla në burg, të dënuar si “armik të popullit”, si dhe misterin e vrasjes së njerkut të tij, Sherif Zeneli, (vëlla i ‘Heroit të Popullit’, Asim Zeneli), ish-Kryetar i Komitetit Ekzekutiv të rrethit të Gjirokastrës), i cili u vra në rrethana misterioze teksa ishte për gjah me shokët e tij.
KORRIDORI 1
Përsëri më zuri gjumi. Aroma e vjetër e ilaçeve gjysmë të skaduara dhe bardhësia e bluzave të bardha, të japin thuajse gjithmonë ndjesinë e gjumit. Ndoshta rikujtimi i ditëve dhe netëve të stërmundishme në birucat e Krujës, më kishin lodhur dhe qepallat e rënduara nga ndjesitë e një kohe të shkurtër, nuk i kishin rezistuar tundimit. Afër kokës kisha motrën të ulur në një stol.
– Ke kohë që ke ardhur? – e pyeta ende i pa zgjuar mirë.
– Kam ca. Nuk të zgjova se bëje një gjumë shumë të rëndë. Mezi mbusheshe me frymë.
– Nuk e kam nga sëmundja se sa nga ato që kujtoj. Gati-gati më dukej se isha përsëri në birucat e Krujës.
– Lëri kujtimet, të keqen motra. Je i sëmurë nga zemra dhe ato kujtime të trishtueshme nuk të bëjnë mirë.
Motra, si zakonisht, fliste qetësisht dhe tepër e vendosur për ato që thoshte…!
Kur më arrestuan, ajo ishte studente në vitin e dytë të Fakultetit Histori-Gjeografi. Arrestimi im, qe një grusht shumë i rëndë për një studente jetime, pa asnjë përkrahje në Tiranë. Fisin e babait e kishim të lidhur me Luftën Nacionalçlirimtare dhe asnjëri nga ata nuk do të “guxonte” të ndihmonte një vajzë të çiltër e të qeshur, por tepër krenare për të kërkuar falje, kur nuk kishte pse të kërkonte për vëllain që e kishin arrestuar pa bërë as edhe një krim.
Vazhdimisht në birucë mendoja për motrën, në se do të kishte forca të vazhdonte fakultetin. Ky ishte një merak i madh dhe i përhershëm. Më qe kthyer në një ankth që më mbante gjithmonë pezull.
Por në jetë nuk ka vetëm njerëz të këqij e shpirtkazmë. Ka edhe njerëz të mirë. Shumë të mirë.
Shokët dhe shoqet e saj student, i qëndruan shumë afër dhe u bënë shkaktarët kryesorë, që ajo të mos trishtohej e të ligështohej, deri në atë shkallë sa të ndërpriste studimet. Edhe pedagogët, e veçanërisht Vasil Naçi, u treguan mjaft të mirë me të dhe ajo arriti të mbarojë fakultetin.
Lajmi që më erdhi në burg, se Luti kishte mbaruar fakultetin, për mua ishte me të vërtetë një ngjarje mjaft e gëzueshme, edhe pse për motrën fill pas mbarimit të studimeve, filloi kalvari i vuajtjeve.
E emëruan mësuese në një fshat të largët të rrethit të Krujës.
Rruga tepër e lodhshme: me këmbë, me karroca, me kamionë, ndonjëherë edhe me ndonjë taksi, ishte sidoqoftë torturë për një vajzë të re, që mbante në shpirt brengën, për çfarë po ndodhte me ne të dy, në një kohë të çmendur, që shkonte drejt absurdit në gjithçka. Por ajo duhej të shkonte. Duhej të përballej me jetën dhe me “Diktaturën e Proletariatit”.
Përndjekja e femrës nga institucionet komuniste, është një nga kapitujt më të errët të Diktaturës, është ana e prapme e një skizofrenie ideologjike të pashembullt në tokën tonë, ndoshta në të gjitha kohët.
Familja jonë kishte derdhur gjak për Shqipërinë dhe ne duhej të qëndronim në këmbë. Ajo duhej të ndeshej me jetën. Të ndeshej ashpërsisht dhe të mbijetonte. Duhej që të punonte, që të më mbante edhe mua në burg me një paketë cigare, me një lugë sheqer. Duhet të mbijetonim.
Tashti rri pranë krevatit tim spitalor dhe me merakun e përjetshëm të motrave për vëllezërit, shqetësohet e brengoset për shëndetin tim, për jetën time…!
Jeta e kishte sjellë që ajo të më kishte vetëm mua. Për atë unë isha edhe vëlla, edhe baba, edhe gjithçka që i mungonte në jetë.
Për fatin e saj të keq, kur ishte në moshë për t’u martuar e për të krijuar familjen e saj, unë isha në kampin e Spaçit dhe ajo nuk mund të gjente dot një bashkëshort, të nivelit të kërkesave të saj.
Në fundin e viteve ’70-të dhe fillimin e viteve ’80-të, lufta e klasave kishte marrë përmasa të llahtarshme dhe tepër kërcënuese. As edhe një djalë me biografi të mirë, nuk mund të bënte një gabim fatal për t’u martuar me motrën e një të dënuari politik. Kjo konsiderohej si një mëkat i madh dhe ndëshkohej nga rojtarët e “virgjërisë” së “klasës”.
Kështu që ajo mbeti në një apartament në Tiranë vetëm me nënën…!
Gjatë gjithë kohës që kishim kaluar bashkë, isha munduar ta trajtoja si shok, si vëlla e si motërz të vogël.
Nga paudhësitë e mia në shkollën e mesme, që mbante emrin e ‘Heroit të Popullit’ Asim Zeneli, xhaxhait të saj (ishim vëllezër me nënë), ajo shpesh, kur më nxirrnin para shkollës për të më tërhequr vërejtjen, apo kur më thyenin notën e sjelljes, qante dhe nganjëherë nuk hante as bukë, por nënës dhe gjyshes nuk i’u tregonte kurrë se çfarë më kishte ndodhur mua.
U rritëm bashkë me mendimin dhe vendimin (e pashkruar) që të ndihmonim njëri-tjetrin deri në fund të jetës sonë.
Unë bëra të pamundurën, për ta larguar nga qyteti i gurtë i Gjirokastrës (edhe pse e doja shumë dhe për të ruaj kujtimet më të mrekullueshme), për t’i krijuar mundësinë motrës, që të vazhdonte universitetin në shtëpi (jeta e konviktit për femrat ka qenë shumë e vështirë, një ferr i vërtetë) dhe të sistemohej përgjithmonë në kryeqytet.
Nuk do të doja kurrë që ajo, në qytetin ku babai i saj kishte qenë Kryetar i Komitetit Ekzekutiv, të merrte vesh, se të atin e kishin vrarë tradhtisht shokët e tij të punës dhe të luftës. Ajo ishte tepër e brishtë për të përballuar një dramë të kësaj përmase.
Isha tepër i ri, kur nëna ime u martua me Sherif Zenelin, vëllain e madh të ‘Heroit të Popullit’ Asim Zeneli. Ai më mori në shtëpi dhe më trajtoi si djalin e tij (deri atëherë nuk kishte fëmijë).
Mbaj mend se një ditë vjeshte apo dimri, në Gjirokastër erdhi Enver Hoxha, “njeriu më i fuqishëm i Shqipërisë”, njeriu që komandonte partinë, shtetin, ushtrinë dhe Sigurimin e Shtetit.
Sherifi ato ditë nuk ishte i qetë. Në shtëpi vinte vonë dhe shumë i mërzitur. Një natë dëgjova një grindje të gjatë, me Komandantin e Divizionit të Gjirokastrës, Riza Veipin, që flinte ngjitur me dhomën time. Rizai ishte një burrë shumë i urtë dhe i dashur. Ai e donte dhe e respektonte shumë Sherifin. Gjatë grindjes së tyre dëgjova të përmendej disa herë fjala KOMANDANTI (Enver Hoxhës i flisnin Komandant).
Rizai përsëriste vazhdimisht:
– “Nuk flitet me Komandantin ashtu si fole ti…”!
Nuk kaluan shumë kohë nga ajo natë dhe Sherifin e vranë, në një ditë kur kishte dalë për gjah (e kishte pasion) me shokët e tij vrasës.
Skena e vrasjes së tij, ishte me të vërtetë një skenë shekspiriane…!
I kishin ngritur një kurth tipik komunist, ata që mund të vrasin edhe nënën e babanë e tyre, pa i’u dridhur dora, veç të zbatonin urdhrin e shefave të tyre, që edhe ata do të vriteshin më vonë, me urdhër të shefave të tjerë e kështu me radhë. Edhe fantazitë më të begata janë piktura të dobëta, në krahasim me atë se çfarë ndodhi në atë kohë të çuditshme,- një kohë e pakohë – do ta quaja. E goditën dhe e braktisën në mes të shiut, pyllit dhe errësirës…!
Është për t’u habitur, por nga fundi i viteve ’70-të, në revistën e Ministrisë së Punëve të Brendshme “Në shërbim të popullit”, u botua një shkrim me titull “Vrasje apo vetëvrasje”, që përshkruante hollësisht vrasjen e Sherifit në gjah, dhe paturpësisht, autori anonim gënjente, duke thënë se e kishte vrarë pa dashje një shoku i tij, dhe pas një ekspertize të kujdesshme dhe pas hetuesisë (askush nuk bëri hetuesi nga vrasësit), u vërtetua që vrasja ishte bërë krejtësisht pa dashje.
Disa ish-kuadro të lartë të Sigurimit të Shtetit, që kryenin edhe ata vuajtjen politike në Spaç, më sqaruan se e gjithë kjo maskaradë, ishte bërë për të çuar në vend një vendim, sipas të cilit, pas publikimit të një vrasjeje, po të mos kishte kundërshtime dhe padi, çështja mbyllej dhe arkivohej.
Shokët e burgut më porositën që të mbyllja gojën, në qoftë se doja të dilja i gjallë nga skëterra e Spaçit.
Aty në galeritë e errëta të Spaçit m’u bënë të qarta, më se të qarta, gjithë ato pengesa, gjithë ai mllef e inat i verbër i pushtetarëve ndaj familjes sonë.
Gjithmonë më kishte bërë përshtypje se si kishte mundësi, që ata servilë të qelbur, që dridheshin edhe para një nëpunësi të thjeshtë të komitetit, të më thyenin notën e sjelljes e të më përjashtonin disa ditë nga shkolla, mua që në shtëpi më vinin për vizitë gjithë udhëheqësit e partisë e të shtetit (me përjashtim të Mehmet Shehut, që Sherifin e kishte shok gjahu dhe vartës direkt).
Përveç fasadës mashtruese të festave dhe ceremonive zyrtare, kudo familjen tonë e priste një ftohtësi akulli; në të gjitha zyrat dhe institucionet shtetërore, ajo ndihej keq, se të tilla rrethana i krijonin mercenarët fanatikë të provincës, sigurisht, me urdhër të posaçëm nga lart.
Nënën e lanë pa punë.
Odiseja, herë shfaqej, herë fshihej pas kuintave të një teatri absurd. Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016