Nga Isuf Bajrami
Pjesa e dytë
Memorie.al/“N’emër të popullatës sonë ne protestojmë edhe një herë për të gjithë këto, ne i parashtrojmë Komisionit Hetimor të Këshillit të Sigurimit t’UNO-s tragjedin e luajtur në Çamëri dhe heqim vërejtjen për një akt barbar të kryer me qëllim shfarosje të popullatës sonë. Ne theksojmë nevojën e përfundimit të shpejt të problemit Çam dhe kemi bindje se do të gjejnë zgjidhje kërkesat tona që janë…”! Kështu thuhej në mes të tjerave në memorandumin e Komitetit Antifashist të Emigrantëve Çamë që jetonin në Shqipëri, dërguar Komisionit Hetimor pranë Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve Bashkuara në vitin 1947, i firmosur nga Taho Sejho, Kasem Demi, Rexhep Çami, Tahir Demi, Vehip Demi, Dervish Dojaka, Hilmi Seiti.
Në vazhdim të protestave dhe kërkesave tona drejtuar Aleatëve të Mëdhenj dhe Kombeve të Bashkuara, ne kërkojmë drejtësi për sa parashtrojmë….
MEMORANDUM
I KOMITETIT ANTIFASHIST TË EMIGRANTËVE ÇAMË NË SHQIPËRI
KOMISIONIT HETIMOR TË KËSHILLIT TË SIGURIMIT TË U.N.O.
RRETH TRAJTIMIT DHE MASAKRAVE NË MINORITETIN SHQIPTAR ÇAM NË GREQI
Ne Komiteti Antifashist i Emigrantëve Çamë në Shqipëri, me besim në parimet demokratike dhe humanitare të U.N.O.-s, n’emër të emigrantëve Çamë në Shqipëri, parashtrojmë para Komisionit hetimor të drejtat tona të humbura, shtypjet, persekutimet dhe masakrat që kryen fashistët Grekë për të shfarosur Minoritetin Shqiptar në Greqi. Në vazhdim të protestave dhe kërkesave tona drejtuar Aleatëve të Mëdhenj dhe Kombeve të Bashkuara, ne kërkojmë drejtësi për sa parashtrojmë:
Dërvish Sulo nga katundi Spatar i Filiatit i përshkruan në këtë mënyrë në Spatar: Në mëngjesin e një të Shtune të Shtatorit 1944 gjithë popullata u grumbullua përpara xhamisë së fshatit Spatar. Ushtarët filluan grabitjet dhe çnderimet ndër gra, vajza e deri në plaka. Paçe Çulani 50 vjeçare, u çnderua, u grabit, iu prenë flokët mandej veshët dhe më në fund u vra në bahçen e saj n’afërsi të grurit të Miços.
Në shtëpinë t’onë ishte vendosur familja e Sako Banushit nga Skopjona prej tetë vetash, gra, burra dhe fëmijë. Pasi u çnderuan gratë të cilave iu shpuan gjiret me thika, të gjithë u masakruan. Në shtëpi të Damin Muhametit u vranë 5 gra dhe 3 fëmijë. Në shtëpi të Fetin Muhametit u torturua dhe mandej u çnderua Hane Isufi së bashku me një grua tjetër. Në shtëpinë e Dul Sherifit iu pre koka plakut 80 vjeçar Sulejman Dhrimicës dhe së shoqes së tij.
Në shtëpinë e Mete Brahos u dogjën të gjallë 20 persona, gra, fëmijë dhe burra. Kije Nurqi 76 vjeçare u ther me thikë. Në vreshtin e Zulës dhe në kopshtin e Avdyl Nurçes pashë 30 persona të masakruar. Në shtëpinë e Haxhi Latifit u çnderuan vajzat e Haxhi Culanit kurse në banesën e Mejdi Metës u çnderua Hava Ajshe dhe Nazo Arapi mandej kjo e fundit u masakrua.
Viktimat dhe humbjet si mbas statistikave të deritanishme gjatë masakrave të 1944 dhe 1945 në kurriz të Shqiptareve në Greqi arrin numrin 2877, të ndarë si vijon: Filati dhe rrethi 1286, Gumenica dhe rrethi 192, Paramithi dhe rrethi 673 dhe Mërgëlliçi dhe Parga 620. Ky qe fati i gjithë atyre që nuk mundën të largohen nga Çamërija me përjashtim të disa pak grave që janë sot dëshmitare të gjalla të kësaj masakre ngjethëse në Paramithi në Prag, Spatar dhe Filat.
Përmes gojës së tyre del qartë dhe lakuriq kriminaliteti i akteve barbare t’organizuara nga reaksioni monarko-fashist grek në Çamëri. Kjo kasaphane që u frymëzua prej ndjenjave më të ulta të urrejtjes shovene dhe fetare përfundoi me shpërnguljen me forcë të afro 28000 Çamëve që erdhën dhe u strehuan në Shqipëri me konditat më të vajtueshme.
68 katunde me 5800 shtëpi u grabitën, u shkatërruan dhe u dogjën. Nga llogaritja e dëmeve rezulton të kenë mbetur në Çamëri dhe grabitur nga forcat monarko-fashiste të Zervës 17000 kokë bagëti të holla, 1200 të trasha, 21000 kv bereqet dhe 80000 kv vaj, gjithashtu dhe produkti i vjetit 1944-45 që arrin në 11000000 kg bereqet dhe 3000000 kg. vaj. Gjatë emigracionit 110000 kokë bagëti e hollë dhe 2400 bagëti e trashë ngordhën dhe humbën.
Nga gjithë kjo del e qartë katastrofa e madhe ekonomike që pësoj popullata jonë duke mbetur nëpër rrugët e emigracionit vetëm me rrobat e trupit. Çamëria në luftën e madhe antifashiste dha materialisht dhe moralisht. Popullata e Çamërisë u hodh pa rezerva në një luftë totale kundër pushtuesit dhe formoi batalionin IV të regjimentit XV-të të ELAS-it .Nga popullsia e vogël e Çamërisë dolën më tepër se 500 luftëtarë që luftuan vendosmërisht kundër pushtuesve nazifashistë dhe tradhtarëve zervistë.
Gjaku i dëshmorëve Muharrem Myrtezai, Ibrahim Hallumi, Hysen Vejseli, etj., që u derdh së bashku me atë të partizanëve grekë në Qafat e Qeramicës, dëshmojnë konkretisht këtë fakt. Në përfundim të luftës dhe në çlirimin e vendit nga pushtuesi trupat e komanduara nga Gjenerali Napoleon Zervos operonin në krahinat dhe fshatrat tona jo si çlirimtarë, por si xhelatë dhe armiq të betuar të elementit Shqiptar në Çamëri.
Në marrëveshjen e Casertas (Zarafi-Zervas) Gusht 1944, trupat e rezistencës viheshin në fronte të përbashkëta kundër ushtrisë naziste, nën një komandë të përbashkët dhe në zona të caktuara operative. Kjo marrëveshje u shkel në Çamëri. Trupat Zerviste ranë në kompromis me Gjermanët dhe duke qëlluar forcat tona penguan veprimtarinë e Batalionit IV-të Regj. XV-të në zonën e caktuar të Filatit.
Operacionet dhe masakrat në krahinën e Filatit lidhen direkt me këtë situatë dha janë në kundërshtim të hapët me besimin dhe frymën e bashkëpunimit të vendosura në Caserta. Akoma dhe fshati i fundit i Çamërisë, Koska, një nga baza e organizimit të forcave të rezistencës së Frontit Nacional Çlirimtar në Çamëri, u shkatërrua dhe u dogj si përfundim i aktit për shkatërrimin e Çamërisë.
Një komision i Këshillit Antifashist Çam u dërgua më 30-X-1944 n’Athinë pranë qeverisë greke të z. Papandreu me një votim proteste kundër masakrave në Çamëri duke kërkuar njëkohësisht frenimin e tyre. Qeveria e Papandreut nuk deshi të merrte asnjë masë dhe angazhim për sa iu parashtrua.
Mbas operacioneve të Dhjetorit 1944, me çlirimin e Çamërisë nga pushtuesi zervist, një pjesë e popullatës sonë u riatdhesua përsëri dhe u vendos në krahinën e Filatit. Më 12 Mars 19445 forcat qeveritare të garnizonit të Korfuzit duke e shkelur marrëveshjen e Varkizës ne Shkurt 1945 organizuan dhe kryen pabesisht masakrat e shëmtuara të Vanrës (Filatit), të cilat nxorën në shesh edhe një herë lakuriq qëndrimin dhe politikën e autoriteteve përgjegjës të qeverisë greke në lidhje me shfarosjen e popullatës Shqiptare të Çamërisë.
Në mbështetje të kësaj situate të konstatuar, Misioni UNRRA-s në Shqipëri pati aprovimin nga qendra e Washingtonit për akordinim në favor të emigrantëve 1450000 dollarë si ndihmë e menjëhershme ndaj gjendjes sonë të vështirë. Edhe në këto kondita emigrantët Çamër vazhduan të kontribuojnë gjithnjë më tepër për Frontin. Në konferencën e Shalësit (Konispol) mbajtur në fund të Shtatorit 1944 zëri i Çamëve n’emigrim u ngrit më i fortë për bashkëpunim kundër pushtuesit dhe padrejtësive të monarko-fashistëve Grekë.
Më 23 Shtator 1945 në Kongresin e Vlorës delegatët Çamër që përfaqësonin të gjitha grupet e emigrantëve Çam në Shqipëri u shprehën kundër masakrave të monarko-fashistëve grekë të kryera mbi ta dhe kërkuan me anë memorandumesh drejtuar Konferencës së Londrës shqyrtimin e problemit të tyre dhe dënimin e shkaktarëve të gjakderdhjes së kotë në Çamëri dhe të vuajtjeve të pakufi. Kongresi përfundoi me një rezolutë ku përmblidhen të gjithë punimet e tij.
Gjatë emigracionit për shumë herë ne i jemi drejtuar botës për të drejtat t’ona të mohuara dhe kemi kërkuar riatdhesimin. Më 30 Tetor 1944 Këshilli Antifashist Çam i dërgonte një votim proteste Qeverisë së Bashkimit Kombëtar Grek, Shtabit të Përgjithshëm të Mesdheut, Qeverive Aleate, Komitetit Qendror t’EAM-it ku flitet për barbarizmat e fashistëve Grek në Çamëri.
Më 9 Maj 1945 Këshilli Antifashist Çam iu dërgon Misioneve Ushtarake Aleate kopjen e telegramit drejtuar Kryetarit të Konferencës San Franciskos mbi të drejtat e Çamëve në bazë të kartës s’Atlantikut. Më 27 Qeshor 1945 telegrame proteste kundra masakrave në Çamëri janë drejtuar nga Këshilli Antifashist Çam Qeverisë Demokratike të Shqipërisë, Misioneve Aleate Ushtarake Sovjetike, Angleze, Amerikane, Franceze, Çekosllovake, Legatës Jugosllave, Shqiptarëve t’Amerikës, Italisë dhe Bullgarisë.
Promemorja drejtuar z. Hutxhinson deputet Laburist i Britanisesë Madhe ë 26-XI-1945. Telegram drejtuar Drejtorisë së Përgjithshme të UNRRA-s nga Komiteti Antifashist Çam (25-9-1945) ku kërkohen ndihma. Memorandum drejtuar kryesisë së Konferencës së Ministrave të Jashtëm Aleat në Londër nga Delegatet e Kongresit Çam me 3-4-9-1945.
Memorandum drejtuar Asamblesë së Kombeve të Bashkuar në Londër prej Komitetit Antifashist Çam më 11 Janar 1946 ku rivlerësohen masakrat dhe kërkohen të drejtat. Memorandum drejtuar Asamblesë së Kombeve të Bashkuara në New-York nga Komiteti Antifashist Çam më 25 Tetor 1946, etj.
Ne jemi viktimë e regjimit monarkist që sot sundon në Greqi. Së bashku me popullin vëlla grek ne vuajmë pasojat e terrorit të zi të shpërthyer prej tyre në gjithë Greqinë. Për dy vjet e gjysmë ne po vërvitemi Shqipërisë në mizerje larg Atdheut ndërsa vendet tona të pasura shfrytëzohen pa të drejte nga agjentët e Monarko-Fashistëve në Çamëri. Vuajtjet tona gjatë emigracionit kanë qenë dhe janë pa kufi.
Me mijëra kanë vdekur nga kjo situatë e krijuar. Megjithatë protestat e bëra dhe të drejta që na përkasin ne vazhdojmë të qëndrojmë akoma n’emigracion ndërsa Qeveria Greke merr masa dhe vendos në Çamërinë t’onë pa asnjë të drejtë banorë të huaj për të penguar kthimin tonë.
N’emër të popullatës sonë ne protestojmë edhe një herë për të gjithë këto ne i parashtrojmë Komisionit Hetimor të Këshillit të Sigurimit t’UNO-s tragjedinë e luajtur në Çamëri dhe heqim vërejtjen për një akt barbar të kryer me qëllim shfarosje të popullatës sonë. Ne theksojmë nevojën e përfundimit të shpejt të problemit Çam dhe kemi bindje se do të gjejnë zgjidhje kërkesat tona që janë:
- Marrja e masave i imediate për pengimin e vendosjes së elementeve të hua në vatrat tona.
- Riatdhesimi i të gjithë çamëve.
- Kthimin e pasurisë, shpërblimin e dëmeve tona shkaktuar në pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme.
- Ndihmë për rindërtimin e vatrave dhe vendosjen tonë.
- Sigurimin dhe garancinë që rrjedhin prej traktateve dhe mandateve ndërkombëtare, si sigurimi i të drejtave civile, politike, kulturale dhe sigurimi personal.
- Gjykimi dhe dënimi i të gjithë përgjegjësve të krimeve të kryera.
Duke ju shprehur konsideracjone tona më të shquara,
Komiteti Antifashist i Emigrantëve Çamë
Taho Sejho, Kasem Demi, Rexhep Çami, Tahir Demi, Vehip Demi, Dervish Dojaka, Hilmi Seiti. Memorie.al
Tiranë 1947