• Rreth Nesh
  • Kontakt
  • Albanian
Thursday, June 19, 2025
Memorie.al
No Result
View All Result
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
No Result
View All Result
Memorie.al
No Result
View All Result
Home Dossier

“Ne shqiptarët habitemi se si në Shqipëri, nuk u bë kurrë një gjyq serioz dhe i vërtetë ndaj komunizmit, ndaj enverizmit, përveçse…”?! / Refleksionet e ish-të dënuarit që vuajti 22 vite burg politik

“Ju tregoj jugosllavët që njoha në kampet dhe burgjet e Enver Hoxhës deri në fundin e viteve ’80-të…”/ Dëshmia e ish-të burgosurit politik që u dënua me vdekje dhe vuajti 21 vjet në Burrel
“Kur pa se në sallë ndodhej dikush që i kishte shkaktuar 23 vite burg, ai iu drejtua ambasadorit amerikan: Shkëlqesi, më keni nderuar shumë sot, por…”/ Historia tronditëse e të riatdhesuarit nga SHBA-ja
“I dënuemi me burgim të përjetëshëm, që ban një delikt tjetër, ndëshkohet me një mbyllje vazhduese të re në qelië, për një kohë nga gjashtë muej, deri në…”/  Ç’farë parashikonte Kodi Penal i vitit 1928?
“Ju tregoj jugosllavët që njoha në kampet dhe burgjet e Enver Hoxhës deri në fundin e viteve ’80-të…”/ Dëshmia e ish-të burgosurit politik që u dënua me vdekje dhe vuajti 21 vjet në Burrel
“Pas vrasjes së Alush Lleshanakut me tradhti dhe kreut të ‘Grupit të kosovarëve’, Ali Rizaja, më 5 maj ’52, na rrethuan afër Mamurrasit, ku…”/ Dëshmia e rrallë e “diversantit” nga SHBA-ës
“Në Baldushk, rrinim edhe nga tre ditë pa ngrënë, por motra, pastruese të një lokal në ‘Brrakë’, mblidhte mbeturinat e…”! /Kujtimet e Ylli Tabakut, që vuajti 27 vite burg

Nga Uran Kalakulla

Pjesa e tretë

                                                    Nazizmi dhe komunizmi

Memorie.al / Nazizmi zgjati 12 vjet, ndërsa stalinizmi 2 herë më shumë. Krahas shumë karakteristikave të përbashkëta, në mes tyre ka shumë ndryshime. Hipokrizia dhe demagogjia e stalinizmit, ishte e një natyre më të stërhollë, e cila nuk mbështetej në një program që ishte sheshit barbar, si ai i Hitlerit, por mbi një ideologji socialiste, përparimtare, shkencore e popullore, në sy e punonjësve; një ideologji që ishte si një perde e volitshme dhe komode për të gënjyer klasën punëtore, për të përgjumur mprehtësinë e intelektualëve dhe të rivalëve në luftën për pushtet.

Gjithashtu mund të lexoni

“Nga të dhënat që kemi në organet tona, kjo masë izraelitësh, nën kryesinë e Isak Kohenit në Vlorë dhe Zhak Vitulit në Tiranë,..”/ Dokumentet e Sigurimit për survejimin e 237 izraelitëve, që ndodheshin në Shqipëri

“Ndryshe nga rregullat që kishim vendosur në grupin tonë, unë pranova të takohesha me Pjetër Arbnorin, që na e solli Tanush Kaso, por ai ishte dhe me një…”/ Kujtimet e ish-kreut të “Grupit Social-Demokrat”

Një nga pasojat e kësaj veçantie të stalinizmit, është ajo që mbarë populli sovjetik, përfaqësuesit e tij më të mirë, të aftë, punëtorë e të ndershëm, pësuan goditjen më të tmerrshme. Së paku 10-15 milionë sovjetikë, humbën jetën në dhomat e torturave të KGB-së, të martirizuar apo të ekzekutuar, si dhe në kampet e gulakëve e të të tjerëve si ata, kampe ku ishte e ndaluar të korrespondoje (në fakt ato ishin prototipe të kampeve naziste të vdekjes); në minierat nëpër akujt e Norilskut dhe të Vorkutes, ku njerëzit vdisnin nga e ftohta, nga uria, nga puna dërrmuese nëpër kantieret e panumërt, në shfrytëzimin e pyjeve, në hapjen e kanaleve dhe gjatë transportimit nëpër vagonë të plumbosur, apo në hambarët e përmbytur të anijeve të vdekjes.

                                                     Vijon nga numri i kaluar

Autorët e librit të sipërpërmendur kanë nxjerrë se viktimat e atij sistemi të urryer, janë llogaritur në 86 milionë viktima. Pra, më shumë se viktimat e hitlerizmit dhe të dy luftërave të mëdha te shekullit XX-të të marra së bashku. Dhe ndërsa, po e përsëris, kundër nazizmit e degëzave të tij u bë dhe bëhet sot e kësaj dite gjyq në frymën e Nurembergut, kundër komunizmit ende nuk ka një gjyq ndërkombëtar! Ç’është kjo çudi e madhe? Si e duron bota e sotme demokratike një padrejtësi të tillë?

Dhe ne shqiptarët habitemi pastaj se si në Shqipëri nuk u bë kurrë një gjyq serioz dhe i vërtetë ndaj komunizmit, ndaj enverizmit, përveçse me fjalë që, sa venë e po shuhen edhe këto. Mos vallë ia kanë lënë vetëm Zotit t’i ndëshkojë sigurimsat kur t’u vijë dita të shkojnë te Lenini, Stalini dhe Enver Hoxha? O Zot, jo fali, por dënoi fajtorët që dinë e, jo s’dinë çka bëjnë!

Bisedë me kritizerët

Si në shumë fusha të jetës, edhe për hallet tona të kaluara e të sotme, gjenden në vendin tonë ca kritizerë, të cilët ose i mohojnë gati tërësisht vuajtjet tona të burgut, ose përpiqen t’i minimizojnë ato deri në skajshmëri. Nuk di se sa mund të jenë këta lloj njerëzish, por di me siguri që për ne, tek ata mbretëron prija mohuese që nganjëherë shkon deri në denigrim. Duket se ata, qoftë të nisur nga keqdashja, edhe pa qenë fare pjesëtare të bandës së xhelatëve tanë, meqë kanë dëgjuar se mes nesh, ish-të burgosurve politikë, ka patur elementë që nuk e meritojnë këtë emërtim, flasin keq, pa përgjegjësi, sikur ne të mos ishim thjeshtë armiq të pushtetit komunist, por bash armiq të të dënuarve nga pushteti komunist!

Nuk dua të hyj me thellë në shpirtin e tyre të deformuar, se do të ishte njëlloj sikur të kërkoja të futesha në një shteg plot me ferra, të korkolepsur gjer në atë shkallë sa nuk i çan dot as derri i egër pa u gjakosur keqas. Ka të tjerë njerëz që thonë, nga ana tjetër, se internimi ka qene edhe më i rëndë se burgu, pa i pas provuar, për fatin e tyre të mirë, as njërën e as tjetrin. Ç’t’u thuash këtyre njerëzve, që përpiqen të përshkruajnë polin e veriut apo të jugut, vetëm duke u nisur nga ndonjë sekuence filmike? Kjo është njëlloj sikur të flasin për xhunglën, duke parë vetëm filmin e Tarzanit!

Shumë nga ne, ish-ët e burgut dhe të internimit, kemi patur fatin e keq t’i jetojmë të dyja këto shëmtira të krijuara nga mendja djallëzore e qoftëlargut të kuq. E, që të flas me një mënyrë të butë ndaj kritizerëve tanë, do të përdor atë shprehjen fort të njohur popullore që thotë: “Hajde baba, të të tregoj arat”! Por, meqë rrugët e qoftëlargut janë të pambarimta në fushën e mbrapshtive (si ato të Perëndisë në fushën e së mirës), një lloj tjetër kritizerësh thonë se, në komunizëm, i gjithë vendi ynë ishte një burg i madh. Kështu, i gjithë populli ka hequr të zitë e ullirit, njëlloj si ata të burgjeve e internimeve. Pse, a nuk ishte internim të kishe familjen në Tiranë dhe ty si inxhinier a mjek, të te çonin në Koman, në Vermosh, apo në Bënçë. E nuk di ku tjetër! E jo një vit a dy, por pesë, gjashtë, dhjetë vite me radhë!

Këta kritizerë, të themi të kategorisë se tretë, sikur janë, sipas mendjes sime, diçka më të butë dhe sikur i afrohen diçka realitetit të asaj kohe mizerabël. Se vërtete nuk ishte aspak e lehtë të lije bulevardin e Tiranës e të merrje shtigjet e maleve të Veriut. Por ama, këta teknike a specialiste, një herë në dy-tre muaj, ktheheshin te shtëpia e tyre, rrinin ca ditë me familjen, takoheshin me të dashurit e zemrës, merrnin ndonjë rrogë diçka më të mirë se të tjerët, për “vështirësitë e terrenit dhe distancës se largët”.

Por dhe aty ku punonin e jetonin gjatë punës zakonisht, e kishin një dhomë të tyre gjithsesi, dhe kryesorja ishin në ajër të pastër, pa polic pas bythe edhe në hale, pa folur për të tjerat. Unë që po shkruaj këto radhë, i kam provuar në kurrizin tim të gjitha këto mbrapshti. Kam provuar të punoj larg shtëpisë, kam provuar burgun, kam provuar edhe internimin. E këtë të fundit me gjithë familjen. Por ka një ndryshim shumë të madh mes burgut e gjithë të tjerave, të nderuar zotërinj.

Po, internimi në kampin e Tepelenës, deri në vitin 1954 që vërtet një ferr i vërtetë. Ai i afrohet shumë kamp-burgjeve të punës së detyruar, që bënë shume prej nesh. Veçse, që të jem i drejtë, edhe në kampin famëkeq të Tepelenës, ishe me pjesëtarët e familjes. Dhe kjo nuk është aspak diçka e vogël. Kurse në kamp-burg ishe i vetëm, i bashkuar me njerëz që, në një jetë normale, nuk do t’i kishe takuar ndoshta kurrë! Dhe kjo, zotërinj, ka telashet e veta. Ashtu si i ngrëni s’ia di të pangrënit, si i pasuri s’ia di të varfrit, si kalorësi s’ia di këmbësorit, ashtu edhe ai që s’e ka provuar burgun asnjë ditë, nuk mundet kurrë t’ia dijë tamam atij që i ka shkuar pjesa më e madhe dhe më e rëndësishme e jetës mes hekurave të zymtë të burgut!

Do te tregoj më poshtë një ngjarje te vërtetë, që i ka ndodhur një mikut tim të ngushtë, njeri i ndershëm, serioz dhe intelektual i vërtetë, gjithë jetën e tij i përndjekur. Andej nga vitet ’94-’95, në mos gaboj, atij i ndodhi një ngatërresë me një shofer te SHIK-ut të Tiranës, për çështje prone të një dyqani. Në fjalë e sipër, shikasi kapadai nxori pistoletën ta qëllonte, por dikush aty pranë ia ngriti dorën përpjetë “trimit” dhe e shpëtoi shokun tim.

Por meqë karikatori i pistoletës ka shumë fishekë, agresori qëlloi përsëri dhe plagosi një djalë të pranishëm, në një vend delikat. Kështu miku im, pas mbarimit të sherrit, bashkë me dëshmitare të tjerë e paditën në prokurori shoferin shikas, dhe në fund, pas shumë këmbënguljeve dhe shumë dëshmitarësh, agresorin e arrestuan, Por kur erdhi puna që hetuesia e thirri shokun tim vetë i dytë, për të dëshmuar, si palë e lënduar, e futën te priste në një nga birucat e hetuesisë, ku e mbajtën nja tetë orë të mira, para se ta merrnin në pyetje.

Kur e takova shokun tim pas kësaj ngjarjeje, ditë më pas, ai më tregoi se sa kishte hequr në atë biruce. Dhe më tha, me sinqeritetin dhe naivitetin më të madh:

– “Atëherë ta kam qarë tamam hallin, se sa ke vuajtur ti”!

Unë qesha dhe iu drejtova:

– “Më duket se ishte gusht, apo jo”?

– “Po”.

– “Sa orë ndenje në atë birucë”?

– “Tetë orë të mira”!

– “T’i zhveshën gjë teshat”?

– “Jo xhanëm, isha i veshur sikur del për shëtitje në bulevard”.

– “E pra, mik i dashur, unë isha me mbathje e kanotjere, në çimento, zbathur dhe jo vetëm tete orë…”!

Besoj se fjalët e tjera, janë të tepërta…! Megjithatë, në përpjekjen time të fundit për t’i drejtuar në udhën e saktë këta kritizerët tanë, e sidomos ata që nuk janë armiq gjenetikë e të vendosur tanët, do t’u lutesha që të bënin vetëm një prove fare të thjeshtë, pa asnjë pasojë për mirëqenien e shëndetin e tyre .

Pa provoni një herë, zotërinj kritizerë, të mbylleni në një nga dhomat e shtëpisë suaj 24 deri 48 orë, pa dalë fare, me dritare të mbyllura me perde, me një dritë nate vetëm, me derën me çelës, që të mos e komandoni ju, por dikush tjetër, me të drejtën për të vajtur në WC vetëm tri herë në ditë, jo më shumë se tre-katër minuta çdo herë, me pak bukë dhe me një languriq si ai yni, vetëm dy herë në ditë, të shtrirë jo në shtratin tuaj të butë por në dysheme, në dërrasa, një batanije të hollë poshtë dhe një tjetër sipër. Dhe sigurisht pa zjarr fare në dimër. Dhe kuptohet, pa gazeta, pa libra, pa radio e televizor, pa takim fare me të shtëpisë, pa dalë fare as në dritare. Ja vetëm kaq! Dhe ejani pastaj të bisedojmë bashkë se si ju është dukur kjo lloj prove, e cila, tek e fundit, s’është veçse një provë, e bërë me vullnetin tuaj të lirë, kur e dini se e keni vetë në dorë ta ndërprisni kur të doni.

E tashti, pasi ta keni bërë një provë të tillë, shumëfishojeni atë në mendjen tuaj, kur koha s’është dy ditë e dy netë, por qindra e qindra ditë e netë, kur nuk është dhoma juaj, por një birucë e ndyrë dhe e ftohtë si frigorifer, kur derën nuk ta hap as shoku dhe as familjari juaj, por një derro polic, i cili jo vetëm të vështron me urrejtje, por të fyen e të leh si qen e, kur i mbushet mendja, ta këput edhe me grusht a me shkelm, kur t’i dojë qejfi. Dhe atëherë ndoshta do të mund t’i afroheshit, zotërinj kritizerë, jo realitetit por, disi, idesë së vuajtjeve tona…!

Ne, opozitarët

Gjatë kohës së burgimit, kur qëllonte të bisedoja me ndonjë bashkëvuajtës, sidomos kur ai sapo kishte nisur udhën e vet të mundimshme, dëgjoja shpesh se e kishin dënuar kot, se nuk kishte bërë asgjë. Dukej qartë se ai i shkretë ishte ende nën trysninë e frikës që kishte pësuar në hetuesi. Por kishte edhe njerëz që vërtetë nuk kishin bërë gjë, ose së paku nuk kishin bërë ndonjë veprim të madh, të rëndësishëm, por shumë-shumë kishin thënë vetëm ndonjë fjalë pakënaqësie, si për shembull, se nuk ka djathë, nuk ka mish, pse nuk na japin vaj ulliri por vaj soje, kur vendi ynë ka plot ullishta, etj.

Dhe një shprehje e këtillë hynte në nenin 73/1 të Kodit Penal të agjitacion e propagandës dhe dënohej, nga 3-10 vjet burgim. Kështu, kur kërkoje djathë, mish, vaj ulliri, donte të thoshte se ishe kundër regjimit, se nuk e doje Enver Hoxhën, se e urreje partinë, se kërkoje të përmbysje regjimin e pushtetit popullor, se ishe lidhur me imperializmin amerikan e plot kësi bishtash të tjerë pa fund, me një lloj “logjike” që të kujton atë të inkuizicionit mesjetar, që i çonte “mëkatarët” në turrën e druve, për t’i djegur të gjallë, vetëm se paskësh thënë një gjysmë fjale, që gjoja tregonte se fatkeqi ia kishte shitur shpirtin djallit.

Sikur të mund të bëja atëherë një lloj statistike për masën e të dënuarve, dilte se një pjesë e madhe qe dënuar për kësi lloj agjitacioni e propagande, por akoma më shumë për tentativë arratisjeje, çka kishte një dënim më të rëndë, sepse hynte në nenin 64, të tradhtisë, me plot paragrafë dhe me dënim, nga 10-25 vjet heqje lirie, ose me vdekje. Dhe ky i fundit nuk përcaktohej nëse ishte me pushkatim apo, me varje në litar.

Them se në këtë plan statistikor, persona të dënuar për kundërshtim të vërtetë, të drejtpërdrejte ndaj partisë dhe pushtetit të saj, nuk ishin shumë. Madje edhe ndër ata që ishin të dënuar për kësi pune, si fjala vjen ata që quheshin “bishtat” e procesit të Teme Sejkos, njerëz zakonisht të thjeshtë, fshatarë, barinj, vlleh dhe minoritarë, shumica, ishin krejt të pafajshëm, se nuk kishin haber fare nga ajo punë, por kishin pranuar qorrazi, të frikësuar apo të paditur nga njëri- tjetri. Kështu, në përfundim të kësaj tevatyre, të them të drejtën, pak njerëz kishin rënë në burg, gjatë kohës së burgimit tim, që kishin bërë me të vërtetë një veprimtari të mirëfilltë politike apo rezistencë me armë, ndaj pushtetit në fuqi.

Këto veprimtari ishin zhvilluar më fort në dhjetëvjeçarin e parë të pushtetit komunist, si kryengritja e Postribës (Shkodër), ajo e Zhapokikës (në Jug), puna e diversantëve dhe bashkëpunimi me ta, në pjesë të ndryshme të vendit, ‘Grupi i deputetëve’, ‘Grupi i Musine Kokalarit dhe Qenan Dibrës’, ndonjë grup politik i të rinjve gjimnazistë në Shkodër e Tiranë, mes viteve ‘45-‘46-’47-të dhe ajo e Konferencës së Partisë së Tiranës (1956) e, mundet, ndonjë tjetër veprimtari që unë ose nuk e di, ose nuk më kujtohet. E për këtë të fundit i kërkoj falje lexuesit.

Pushteti komunist, me etjen e pashuar për gjak e viktima, gjatë afër pesë dhjetëvjeçarëve të sundimit të tij absolut kërkonte shpesh, si thotë populli, “mana për trahana”. Ai sajonte vetë grupe dhe organizata armiqësore dhe pastaj i grinte në plumb ata që nuk donte t’i shihte më gjallë. Kështu që puna e futjes së armëve nga vetë Sigurimi në kishën e Shkodrës, për të eliminuar Klerin Katolik, atëherë e në vazhdim, ashtu si edhe përfaqësuesit e të dy besimeve të tjera në vendin tonë, sidomos kur u shpall me bujë, çka nuk ka ndodhur në asnjë vend tjetër të botës, likuidimi i institucionit të fesë dhe shpallja me bujë e Shqipërisë së vogël e të varfër si i vetmi vend ateist në botë. Këtë gjë nuk pati guximin dhe marrëzinë ta bënte as vetë Stalini, me të gjithë pasuesit e vet kudo në perandorinë e tij.

Kur kaluan sidomos dy dhjetëvjeçarët e parë të sundimit hoxhist, në vendin tonë sistemi i terrorit, i dhunës dhe i spiunimit preku masivisht deri fëmijët dhe pleqtë e regjur. Për një të burgosur politik vuanin jo vetëm familja, por një rreth i tërë familjar. Kështu shqiptarët e ndjenë veten të braktisur nga Perëndimi, të dënuar në fatin e tyre të keq. Kuptohet që edhe hovi i kundërshtimit aktiv, i veprimtarisë aktive antipushtet nisi të bjerë gjithnjë e më shumë dhe njerëzit, fshatarë, punëtorë, intelektualë ulën kokën dhe padashur iu nënshtruan realitetit mizerabël shtetëror, ekonomik dhe kulturor. Prandaj qenë fort të rralla rastet e organizimeve të vërteta politike antikomuniste.

Shumica e njerëzve që nuk e duronin dot dhunën dhe shtypjen, tentonin të çanin kufirin drejt botës së lirë. Ai që ia arrinte kësaj, lumturohej për vete sigurisht, por linte prapa për familjen e rrethin e afërt familjar, një vazhdë të gjatë persekutimi të pafund, që nga internimi, në mos edhe burgimi, e deri lënia pa punë, ose nga puna e profesioni, drejt e në kazmë. Por jo të gjithë arrinin të kalonin kufirin; ata ose vriteshin aty, ose kapeshin dhe atëherë burgoseshin apo dënoheshin edhe me vdekje, në bazë të nenit famëkeq 64, të “tradhtisë ndaj Atdheut”!

Grupi ynë, për shkak të të cilit ne ramë në burg, lindi në kapërcyellin e dy etapave të lartpërmendura, asaj të rezistencës aktive dhe asaj të rezistencës pasive. Sigurisht edhe më pas u ngritën grupe politike, ndoshta më të vegjël si numër, për shembull për shpërndarje traktesh, si; “Grupi tresh i Nazim Seitit” në Shkodër, andej nga vitet shtatëdhjetë. Kurse burgosjet vazhdonin pa ndërprerje, sepse ishte vetë regjimi, e konkretisht Enver Hoxha, që sajonte grupe armiqësore deri afër këmbëve oborrtarëve më të lartë, të ashtuquajturit anëtare të Byrosë Politike.

Kishte ardhur koha që “revolucioni” të hante bijtë e vet, domethënë që ky revolucion kishte degjeneruar tamam në thelbin e vet, si indi nervor i mbytur nga metastazat e kancerit. Janë të kësaj natyre të gjithë grupet “antiparti” nga ‘46-ta e, deri në ‘81-shin, domethënë që nga “disidenca” e Sejfulla Malëshovës dhe Ymer Dishnicës, te “komploti” i Koçi Xoxes; vetëvrasja e Nako Spiros, Njazi Islamit e me radhë; te likuidimi i Tuk Jakovës e Bedri Spahiut, Liri Belishovës dhe Koço Tashkos, Dali Ndreut e Liri Gegës, Fadil Paçramit e Todi Lubonjës, Teme Sejkos e pasuesit e tij; i Beqir Ballukut me ushtarakët e tjerë të larte; Koço Theodosit dhe Abdyl Këllezit; “sabotatorët” e naftës, dhe më pas Mehmet Shehun, Kadri Hazbiun e çka pasuan deri ne prag të vdekjes së vetë diktatorit.

Të gjitha këto të ashtuquajtura grupe antiparti, nuk ishin aspak të tilla. Shumë-shumë ato mund të ishin ose sajesë e mendjes diabolike të Hoxhës, ose ndonjë karkërimë mendimi a varianti diversiv, por jo, kurrë diversionist, dhe gjithmonë vetëm pasojë e pashmangshme e doktrinës dhe praktikës staliniste që bazohej në logjikën sipas së cilës, sa me shumë armiq në oborrin e perandorit, aq më tepër hyjnizohej froni i tij! Kështu, për mua, domethënë për këndvështrimin demokrat, grupe të vërteta antikomuniste, qenë ato të rezistencës së armatosur apo të organizimit politik që përmenda më parë. Në këtë vazhdë hyn edhe grupi ynë, për të cilin do të flas më poshtë.

Por më parë dua të theksoj se pas burgosjes dhe eliminimit fizik të kundërshtarëve aktivë politike, të çfarëdo prirjeje që të ishin këta, regjimi komunist nisi të fuste në burg edhe njerëz krejt të thjeshtë, të cilët nuk kishin zhvilluar asnjë veprimtari politike konkrete. Ata nuk shiheshin me sy të mirë nga regjimi ose si klasë, ose pse nuk ishin në repartet e angazhuara si shërbëtorë besnike të regjimit, edhe pa qenë në parti, (aktivistë të frontit nëpër lagje e fshatra, agjentë të Sigurimit, servilë dhe dallkaukë të regjimit, të çdo natyre e veprimtarie etj). Kështu burgu nisi të thithe edhe njerëz të thjeshtë, të cilët, sipas një plani të paracaktuar, i duheshin regjimit si krahë pune të papaguar, në hapjen e kanaleve, në tharjen e kënetave, në ndërtimin e rrugëve dhe veprave të tjera urbanistike dhe industriale. Pra si skllevër të rinj të kohës së sotme.

Megjithatë, regjimi komunist, e në mënyrë të veçantë Sigurimi i Shtetit, me qëllimin e studiuar që ta ndynte sa më shumë burgun, gradualisht nisi të fuste në burgun politik edhe radhë të tjera elementësh ordinerë, të cilët ose i merrte nga rruga dhe i rraste në burg, me akuzën kryesore si ordinerë, duke i shtuar vetëm ndonjë nen anësor armiqësor, ose i transferonte drejtpërdrejtë nga burgu ordiner në atë politik, kur ata shfaqnin ndonjë shenjë pakënaqësie haptazi ndaj dhunës dhe lëshonin ndonjë sharje çasti ndaj regjimit komunist. Kështu, Sigurimi gjente te këta elemente informatorë të gatshëm, pa pagesë, brenda burgut, për të kontrolluar dhe spiunuar politikët e vërtetë dhe për t’ua bërë, këtyre të fundit, të padurueshme jetën në burg, edhe pa dhunën e vetë rojave të veshura me uniformë.

Këtë proces degjenerimi, a “prishjeje” të burgut, e arrita edhe unë deri në një fare mase, por ky proces negativ u shtua më tepër sidomos në dhjetëvjeçarin e fundit të ekzistencës së sistemit komunist, pra mes viteve ’80-’90-të, deri në prag të përmbysjes së këtij sistemi. Kjo është e dhimbshme, sigurisht, por ama është e vërtetë. Dhe e vërteta duhet thënë. I nxitur nga miq e shokë, pasi heshta për një kohë të gjatë, më në fund e shkrova historikun e shkurtër të grupit tonë, për të cilin ramë në burg unë dhe shokët e mi. E shkrova dhe ia lexova dy ish-anëtarëve të grupit të Tiranës (grupit të vërtetë).

Ata e gjetën këtë historik të saktë (në thelbin e tij, pa shtesa e mungesa). Dhe vetëm pas këtij veprimi e çova në shtyp, ku u botua në revistën “Spektër” “, (nr.24/1/ date 29 maj 1999, f. 26-29). Ky historik mban titullin “Ne, social-demokratët e viteve ’60-të” dhe është pajisur me fotot e pjesëmarrësve, si të grupit të Tiranës, ashtu dhe të kandidatëve të diskutueshëm për t’u pranuar ose jo në te. Renditjen e këtyre fotove e bëra unë, sipas rolit të secilit në grup, kurse kryeredaktori i atëhershëm i kësaj reviste, i bëri paçaris, sipas mendjes se tij, duke shkaktuar indinjatën time. Por s’ke ç’i bën, materiali tashmë ishte botuar dhe kryeredaktori nuk bëri të paktën as ndonjë njoftim në numrin pasues, ku të kërkonte falje për lajthitjen e tij, nuk di, të qëllimshme ose jo. Memorie.al

                                                       Vijon numrin e ardhshëm

ShareTweetPinSendShareSend
Previous Post

“Gazetari serb Mifi L., publikoi dëshmi mbi djegin e kufomave të shqiptarëve në shkritoren e aluminit të Surdulicës, por edhe të tjera në Serbi e Kosovë, ku...”/ Libri i politikanit të njohur, që akuzon Serbinë.

Next Post

“Fishta, Mjeda, Gurakuqi e Logoreci, i dërguen një telegram jezuitëve, për vendimin e alfabetit, madje Fishta, i shprehu konsullit austriak për Mjedën...”/ Refleksionet e studiuesit të njohur

Artikuj të ngjashëm

“Poshtërimi dhe tortura ishin kënaqësitë më të mëdha që ndjenin toger Hakiu, aspirant Syrjai, kapterët Selfo, Tomi, Ismaili, etj., ndaj të internuarve në Tepelenë…”! / Dëshmitë dhimbshme të Eugjen Merlikës
Dossier

“Nga të dhënat që kemi në organet tona, kjo masë izraelitësh, nën kryesinë e Isak Kohenit në Vlorë dhe Zhak Vitulit në Tiranë,..”/ Dokumentet e Sigurimit për survejimin e 237 izraelitëve, që ndodheshin në Shqipëri

June 19, 2025
“I dënuemi me burgim të përjetëshëm, që ban një delikt tjetër, ndëshkohet me një mbyllje vazhduese të re në qelië, për një kohë nga gjashtë muej, deri në…”/  Ç’farë parashikonte Kodi Penal i vitit 1928?
Dossier

“Ndryshe nga rregullat që kishim vendosur në grupin tonë, unë pranova të takohesha me Pjetër Arbnorin, që na e solli Tanush Kaso, por ai ishte dhe me një…”/ Kujtimet e ish-kreut të “Grupit Social-Demokrat”

June 18, 2025
“Pasi kemi ecur orë të tëra në këmbë, të lodhur e të dërmuar, forcat serbe na ndalën te stacioni trenit në Prishtinë, ku u ulëm në tokë dhe ata filluan të…”/ Historia tragjike e familjes shqiptare nga Prishtina
Dossier

“Gazetari serb Mifi L., publikoi dëshmi mbi djegin e kufomave të shqiptarëve në shkritoren e aluminit të Surdulicës, por edhe të tjera në Serbi e Kosovë, ku…”/ Libri i politikanit të njohur, që akuzon Serbinë.

June 16, 2025
“Ganimete Avni Fratari (Gjilani), e datlindjes 1907, lindur në Kosovë të Jugosllavisë, me banim në Tiranë, shtresë e pasur, e ëma e Hajredinit…”/ Vendimi i Komisionit Internim-Dëbimeve, viti 1967
Dossier

“Lenini i internuar në Siberi nga Cari, me gruan dilte për gjah me çifte dhe qentë e gjuetisë, Qemal Stafa u la nga Mbreti Zog te varrimi vëllait, kurse mua më vdiqën…”/ Refleksionet e ish-të dënuarit, me 22 vite burg  

June 16, 2025
“Kur sekretari partisë më tha; Pse shkon në qytet, shokët e tu, po korrin grurin në aksion, ku i thërret partia dhe shoku Enver, ti bredh, ata luftojnë në Veitnam’, unë…”/ Refleksionet e shkrimtarit nga Vlora
Dossier

“Kur sekretari partisë më tha; Pse shkon në qytet, shokët e tu, po korrin grurin në aksion, ku i thërret partia dhe shoku Enver, ti bredh, ata luftojnë në Veitnam’, unë…”/ Refleksionet e shkrimtarit nga Vlora

June 16, 2025
“Kur mbi trupin e saj ranë breshëritë e para të skuadrës së pushkatimit, Ramize Ggjebrea, tha…”/ Dëshmitë e panjohura për ekzekutimin e partizanes, të akuzuar për “dashuri të ndaluar”…!
Dossier

“Sjelljet e partizanëve nga Shqipëria në Kosovë, janë brutale, merren pleq peng, tue i shtrëngue, ja të bien djemtë, ja nuk i lëshojnë, kërkohet ushqim me imponim, mishra dhe…”! / Historia e panjohur e “Luftës Antifshatiste”

June 15, 2025
Next Post
“Fishta, Mjeda, Gurakuqi e Logoreci, i dërguen një telegram jezuitëve, për vendimin e alfabetit, madje Fishta, i shprehu konsullit austriak për Mjedën…”/ Refleksionet e studiuesit të njohur

“Fishta, Mjeda, Gurakuqi e Logoreci, i dërguen një telegram jezuitëve, për vendimin e alfabetit, madje Fishta, i shprehu konsullit austriak për Mjedën...”/ Refleksionet e studiuesit të njohur

“Historia është versioni i ngjarjeve të kaluara për të cilat njerëzit kanë vendosur të bien dakord”
Napoleon Bonaparti

Publikimi ose shpërndarja e përmbajtjes së artikujve nga burime të tjera është e ndaluar reptësisht pa pëlqimin paraprak me shkrim nga Portali MEMORIE. Për të marrë dhe publikuar materialet e Portalit MEMORIE, dërgoni kërkesën tuaj tek [email protected]
NIPT: L92013011M

Na ndiqni

  • Rreth Nesh
  • Privacy

© Memorie.al 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.

No Result
View All Result
  • Albanian
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme