Nga Shkëlqim Abazi
Pjesa e njëzetenjë
Memorie.al / Kam lindur më 23. 12. 1951, në muajin e zi, të kohës së zisë, nën regjimin më të zi komunist. Më 23 shtator të vitit 1968, krye-hetuesi sadist, Llambi Gegeni, hetuesi xhahil Shyqyri Çoku dhe prokurori mizor, Thoma Tutulani, më sakatuan në Degën e Punëve të Brendshme në Shkodër, më çanë kokën, më qorruan njërin sy, më shurdhuan njërin vesh, mbasi më thyen disa brinjë, gjysmat e dhëmballëve dhe gishtin e madh të dorës së majtë, më 23 tetor 1968, më çuan në gjykatë, ku mjerani Faik Minarolli, më dha një dhjetëshe burg politik. Pasi më prenë gjysmën e dënimit, sepse isha ende minoren, gjashtëmbëdhjetëvjeçar, më 23 nëntor 1968, më shpunë në kampin politik të Repsit dhe prej atje, më 23 shtator 1970, në kampin e Spaçit, ku më 23 maj të vitit 1973, në revoltën e të dënuarve politikë, u dënuan me vdekje dhe u ekzekutuan me pushkatim, katër martirë; Pal Zefi, Skënder Daja, Hajri Pashaj dhe Dervish Bejko.
Më 23 qershor 2013, humbi zgjedhjet Partia Demokratike, proces më se normal në demokracinë që mëtojmë. Por më 23 tetor 2013, Drejtori i Përgjithshëm i Qeverisë rilindase, dërgoi urdhrin Nr. 2203, datë 23.10.2013, për; Lirimin nga detyra të një punonjësi policie. Pra Providenca Hyjnore, u pleks me Providencën rilindase neokomuniste dhe, pikërisht më 23 më zëvendësuan, as më pak e as më shumë, po me ish-operativin e Sigurimit të Burgut të Burrelit. Ku do kishte më domethënëse se kaq?! Ish-i burgosuri politik, zëvendësohet nga ish-persekutori!
Autori
SHKËLQIM ABAZI
R E P S I
(Kampi i punës së detyruar)
Memuaristikë
E falenderova me shpirt hoxhën Sabri Koçi, për atë mësim vërtetësie, që shumë shpejt do pasohej me leksione të tjerë më të ndërlikuar të filozofisë islame. Fal tij, do takohesha me perlat e letërsisë arabe, do njihesha me kulturën e pothuaj gjysmës së botës, por kjo mbase do i përkas një teme të veçantë. Qysh asohere, flisnim shpesh dhe më shpesh. Ai njeri shpirtmirë, induktonte në atë ambient qetësinë e munguar. Me Hafizin u miqësova shpejt, do ishim bashkë edhe në Spaç, deri ditën e lirimit. Miqësia do zgjaste, deri sa ky burrë shpirtmadh, i drobitur fizikisht nga mbi dy dekada vuajtje e stërmundime në burgjet e diktaturës, përhapi tejendanë Shqipërisë dritën e shenjtë të diturisë islame dhe u nda nga kjo botë.
Një ditë bishti i varesë, i mbeti në dorë Maqos, kur godiste mbi një bllok betoni. Ajo shkau mënjanë dhe bishti u thye. Meqë na nevojitej patjetër, ustai më nisi te zdrukthëtari, dhjetë hapa larg derës sonë: “Ik, bre Çim, te prifti, vëri një bisht të ri! Thuaji më dërgoi Gaqka, e jepi të falat e mia”. Ish hera e parë që shkelja atje. Ne vërtetë ishim komshinj, por secili futej brenda derës së ve, as puna dhe as njeriu që zotëronte zdrukthëtarinë, s’më tërhiqnin. Për aq kohë sa kisha aty, s’pata rast të këmbenim as mirëmëngjesi, pa le të flisnim më gjatë.
Pa e njohur fare, ky person seç më ngjallte një ndjenjë antipatie, që s’arrija ta shpjegoja dot. Sa herë kryqëzonim shikimet, sytë e tij lëshonin ca shkëndija përcëlluese, që ma shtonin dozën e antipatisë. I përkiste sojit nursëzve. Përfundimisht, s’më dukej tip i afrueshëm dhe s’më nxiste dëshirën për ta pasur në rrethin e miqve të afërm. Marangozi zeshkan, truppakët e i dobët, kalonte para derës sonë i krusur dhe hijerëndë, serioz dhe i heshtur, pa i qeshur njëherë buza. Ecte turivarur, me duart të bashkuara mbi pëqi si ato plakat besimtare dhe çmërmëriste nën zë, sikur lutej.
Kur më tha Gaqka: shko te prifti, menjëherë m’u për-shfaqën duart e shkuara dhe pëshpërimat e pareshtura, që s’i shqiteshin nga buzët, ndaj mendova se edhe nofkën “prift”, për këtë shkak do t’ia kishin ngjitur. Po kurrë s’e mendoja, se mund të ishte prift i vërtet. Me varenë në dorë, hyra në derë. Marangozin e gjeta të palosur më shumë mbi tavolinën përballë. Diçka zdrugonte. Prita ca çaste te pragu, mos kthente kryet, po ai vazhdoi punën. Duket i shqetësoi aspak prezenca ime, madje, as dera që më gërrici veshët e lëvizi mbi çiçive, as pizgu i erës që të priste brisk, s’ia tërhoqën mendjen. Vazhdoi vara-vingat e zdrugut, pa e prishur terezinë.
Qëndrimi në pritje më mërziti, me këmbë shtyva një copë dërrasë që u përplas me zhurmë përdhe. Ai çoi kryet, ktheu fytyrën e zeshkët, me tërë ashpërsinë që e tipizonte. Dy sy të thellë zhbirues, me një dritë hipnotizuese, spikasnin në çehren zeshkane. Ata sy sikur pyesnin: “Përse më shqetëson”? “Zoti Zef, më ka dërguar Gaqka, për t’i vënë bisht varesë”! – shpejtova flisja, me shpresë mos i zbusja ato sy thëthitës. Në formë ndjese për shqetësimin që po i shkaktoja; e theksova fortë emrin e ustait.
“Lëne nj’aty, te stoli! – urdhëroi ai dhe vazhdoi vara-vingat me zdrukth. Mbeta në këmbë i pa vendosur, të rrija apo t’ja mbathja. Por ustai priste varenë. Nga ana tjetër, ajo fytyrë e vrerosur dhe toni i ashpër i të folurit, s’më ngrohnin. “Fundja, po tentoj edhe njëherë, i dhashë zemër vetes. “Se mos do ta bëj mik”! dhe ia ktheva: “Zoti prift, erdha këtu, se më dërguan, jo se më mori malli të shihja” – të paktën, me këto fjalë, kujtova se shfreva dufin dhe iu bëja sfidë atyre syve të ftohtë depërtues.
Ai la zdrukthin mënjanë dhe u soll nga unë: “Si the? S’e s’para dëgjoj mirë nga veshët”? “Thashë, erdha ngaqë më dërgoi usta Gaqka, që njëkohësisht të bën të fala dhe sepse vareja na duhet për punë”! – e zbuta paksa tonin. – “Më fal të quajta prift, po s’doja të të ofendoja, kështu më thane”! – u shfajësova. – “Jo, or burrë, s’jam ofendu aspak! E pse m’u fye, un prift jam”! -“Si”?! “Po, besa! Kisha m’u ofendu, po t’më qujshe diç tjetër”! – dhe m’i fiksoi sytë zhbirues më me ngulm. – Tash kam n’dorë do pun tjera, dojsha me i mbyll këto! Meqë t’ka dërgue Gaqka, po ta kryj njitash fill”.
Mori varenë dhe me shkathtësi që s’përkonte me atë pamje ngatharake, me një goditje të shpejtë, nxori copën e drunjtë që kishte mbetur e shtrënguar në folenë e metaltë. Seç kërkoi mbas ca fije kompensatosh në këndin fundor, ku duket gjeti atë që i nevojitej. “Ky asht ahit, s’asht mjaft i fortë, për me thy beton. Po pate nji fije durim, ta po t’baj një bisht frashnit, mirëpo don nja dhetë minuta, m’u krye”. – m’u drejtua. “S’ka problem, do pres, mjafton të jetë i saktë”! – ia ktheva. Ai u rikthye sërishmi, atje ku kishte marrë copën e parë, po këtë herë erdhi me një dajak, me lëkurë të zbardhëlleme.
“Ky asht adapt, për kët alet”! – e mori nga një raft sqeparin dhe me goditje të sakta e të shpejta, i dha formën e duhur. E shihja me admirim këtë njeri të ashpër; sa mjeshtërisht e përdorte sqeparin! “Ç’të jetë me këta fetarë vallë, të gjithë zanatçinjtë të mbaruar”! – po më mundonte kjo dilemë. “Njerëz të çuditshëm, fjalëpakë, të palodhur, të talentuar, të ndryrë në modesti! Më parë një hoxhë mjeshtër në hidraulikë, tani një prift, po mjeshtër në zdrukthëtari”!
Këta shembuj, më detyruan të revizionoja opinionin e deriatëhershëm. Mitet e vjetra po shembeshin me radhë; ra miti i fetarit dembel e qylaxhi, që prej kohësh përpiqeshin t’i servirnin brezit të ri, në programet mësimore; ra edhe miti i turkoshakëve me brekushe haxhiqamilçe, që paraqisnin gravurat satirike në revistat “Hosteni”, etj. M’u ndërmendën fjalët e thjeshta të xha Esherefit të zgjuar; “Këtu janë të tan profesorë, or mec”! Dhe vërtetë të tillë ishin! Zhytur në këto përsiatje, as e vura re priftin, kur kish futur bishtin në folenë e metaltë dhe më zgjaste varenë:
“Tash e ke gati, veç para se me fillue punë, jepi nji t’krrueme me xham e kridhe n’uj”! – kapi përsëri zdrukthin që kishte lënë mbi tavolinë. Para se t’i ktheja krahët, mendova ta falenderoja për nderin që më bëri por, ngaqë s’po gjeja dot fjalët e duhura, ngela shtang te pragu i derës: “Zoti Zef… jo, zoti prift, desha t’ju them, ju falem…”! “S’a nevoja, or burr, thjeshtë Patër! E kuptove, Patër”! “Po, zoti Patër, ju fal…”! “Jo, or jo, fare shkurt, Patër”! – theksoi dhe më nguli sytë e zjarrtë.
Për një moment, ca muskuj i luajtën mbi fytyrën e ngurosur, diçka një si nënqeshje e fshehur pas velit të vrazhdësisë. I hutuar, u largova me atë gjysëm falenderimi të belbët. Gjithë pasditen e kalova duke sjell e përsjell takimin me priftin Zef; S’mundja t’i jepja dum, ku duhej ta klasifikoje këtë rob; te pozitivët?! S’ma mbushte mendjen mënyra e të sjellurit: i vrenjtur, i ftohtë, i egër; as mikpritës, as dashamirës; ama i gjindshëm. Te negativët? Sërish ndihesha në mëdyshje; ai të mbaronte punë, madje shumë shpejt dhe me saktësi, pa pritur as ta falenderoje, përjashto begenisjen pa ceremoni, pak të ashpër e brutale. “Hajde merri vesh këta tipa, o të kam rixha”!
Kur iu tregova pleqve përshtypjet nga takimi me Zefin, mënyrën si më priti dhe fjalët që këmbyem, xha Eshrefi u gajas së qeshuri: “Bravo, cullo, a s’të pata than, se ktu jan t’tan profesorë! Tash po t’i siell fati me i taku, nji për nji! Pasha Pejgamerin, sot paske takue krye-profesorin, Patër Zefin! Asht burr i naltë aj, i ditun e serioz! Ama, asht fjalë-kursyet, s’i beson kujt, pa e njoft mirë! E ai, s’të njef”! Kur i thashë se s’më pëlqeu fytyra e tij vramuze e nursëze, pastaj ajo mënyra si më përcolli, pa pritur ta falenderoja, ai ma ktheu:
“Mos shif setrën, po veprën, cullo! E ç’ka prisje ti, mos dojshe me pa ndonjë karagjoz, tuj u zgërdhi! Ai asht burr i vjetën, ala asht i shokuem nga hetuesia. Ka hjek tepër, ai prift! Tash e ka për së dytën n’burg e, i ka shpëtue dënimit me dekje! Asht i tmerruem nga spiujt e birucave, nji Zot e din se ç’ka hjek, nga ky xhins rodi! Kur ka me t’njoht nga afër, ka me t’dasht fort, ene ti do ndryshosh opinion”!
Kurse Vaska foli më qartë: “Për sa i njoh unë priftërinjtë katolikë dhe natyrisht, kam vite me ta, s’flas thjesht si kolegë, po ata janë ku e ku më lartë nga ne klerikët e tjerë. Kanë kryer shkolla të plota, por kanë shumë probleme me luftën dhe me eliminimin fizik. Pothuaj pjesën më të madhe të tyre, sistemi komunist e eliminoi apo, e futi ndër burgje. Me kohë do t’i mësosh të gjitha. Përsa i përket Patër Zefit, do t’i bëjmë një vizitë bashkë”. Me kaq u mbyll ky muhabet. Tri-katër ditë më pas, një të dielë aty nga dreka, prifti, xha Esherefi dhe unë, zbritëm në kapanonin e poshtëm, ku na prisnin Sulua dha xha Dauti.
Pleqtë duket ishin marrë vesh mes tyre dhe e kishin kurdisur këtë vizitë, që do më hapte shtigje të reja. Njëri pas tjetrit, hymë në derën e fjetinës, morëm në të majtë dhe në skaj pranë paretit prej pupuliti, sërish në të majtë, u gjendëm para jatakut të Patër Zefit. Prifti, mbështetur mbi një jastëk dhe me një batanie të vjetër hedhur krahëve, lexonte pranë dritës së dobët të penxheresë. “O patër Zef, a pret miq”? – iu drejtua xha Dauti, si më i vjetri.
“Hajde bujrum, o Daut labi, shtëpia asht e miqve dhe e Zotit, po njitu s’kena as shtëpi as katandi”! – ia ktheu buzagaz prifti. Kjo buzëqeshje e çiltër, qe e papritura e parë për mua, atij i ndërroi çehreja aty për aty. Tashmë, kisha para një person diametralisht të kundërt, me atë marangozin nursëz të ca ditëve më herët. “O Zef Pllumi, kena ardh me t’pa e me këmbye dy llafe muhabet”! – plotësoi xha Esherefi hokatar. “Mir se ju pruni Zoti”! – dhe mëgjunjaz, u mblodh mbi shtratin e ngushtë. Në jatakun pranë, një burr shtatvigan me një turban me lulurina mbledhur përrreth kokës së madhe, ku spikasnin mustaqet e përdredhura vesh më vesh, luajti vendit.
“Mblidhu nji fije, or Çun! – iu drejtua prifti. – Na kanë sajdisë miq të mirë, he burr”! “Paj pasha Zotin, mir se ju pruni ora, or miq t’mikut tem, po dhe t’mitë”! – na ftoi mustaqemadhi dhe u hodh prej shtratit, që t’iu hapte vend të moshuarve, po edhe mua. “Si jeni, o burra”! – na u drejtua Zefi e na zgjati dorën me radhë. – Ma keni ba qefin! Rahatohuni n’kët pak prone, që na ka falë qeveria”! U ulën si mundën. Unë përfundi, me këmbët varur jashtë në koridor.
Mbaruan përshëndetjet dhe pyetjet rutinë, për shëndetin e njeri tjetrin dhe për haberet e fundit nga familjet, folën pak edhe për motin e egër të Mirditës, pastaj muhabetet sikur shterën. Ndërkohë xha Esherefi, si më praktiku, e çoi fjalën te pasioni i priftit, gdhendjet në dru: “Patër Zef, si po të venë hallet, a ke mujt me ba ndonji gja t’hajrit”? “Sa për halle, sejcilit i mjaftojnë dhe i teprojnë t’vetat e, s’kam n’mend ngarkue ene t’mijat. Kurse për punën, ku t’lajn kta me ba gja o Sheref! Or, po s’kanë t’ngime! Na kan mbyt krejt, tash dojn me marrë ene shpirtin”!
“Bash, ke t’drejtë! Sa për t’tjerat, nji ashtu asht, ama shpirtin, s’e kanë t’hajrit, në dorë kta, por Zoti me Hirin e Vet”! – pohoj xha Eshrefi. “Para do ditësh, m’ka porosit komisar Sela, aj korçari, m’i punue një komodin prej druni t’kuq kinez, me arka amballazhit dhe nji fush shahit, me do copa shqopet. Don me i pas kujtim kah Repsi, se ka m’u transferue. Kam tash nji javë e, s’i kam mbyll ala”! “S’na ke begenisë fare, o Zef, po dil o, të pimë nga një kafe”! – ndërhyri xha Dauti.
“Jena të lodhun e të rraskapitun, or mik! Tan ditën punë, kur kthej njitu, m’ka shterë fuqia, marr kah nji libër me e lexue, sa m’u qetsue. Mandej, ti e din, un jam prift, kam dhe do detyrime t’tjera”. “Të kuptoj, po kemi edhe detyra shoqërore, se s’do mbajmë dynjanë me, xhano”! “Koha, Daut, koha, e kena mjaft t’kufizueme! Po, ky djali”? – hodhi sytë mbi mua. “M’u kujtua ngjarja e paradoditshme, u ndjeva i turpëruar. “Një miku ynë, i ri”! – më paraqiti Sulua. “Po besa, tash po m’vjen n’hatër, ka ardh njiher me i vue bisht nji vareje, e s’kam mujt me këmbye dy fjalë”, – heshti pak, mandej sikur të donte të shfajësohej, shtoi: – “Qyre pra, kaq i zan jam ken”!
“Or Zef, njitu ku na kan shti, na kan lan boll kohë, me i kry t’tana porositë”. “Asha Zotin, na kanë dënue aq gjatë, sa me krye punët e kësaj dynjaje dhe të tjetrës”! – xha Sherefi shpërtheu në një qeshje sarkastike. “Mirëpo, duhet m’e racionue nji fije, ene me rujt shoqnin e vjetën e, mu shmall me njani tjetrin”! – shtoi me buzagazin e paprerë; pastaj pak si me diplomaci: – “Po, kena nevoj m’u njoht ene me rishtarët, se kena detyrim m’i drejtue, n’kjofshin të hajrit! Ndaj t’a kena pru kët djalin tonë, me t’a paraqit”.
“Ditën që m’ka ardh n’zdruktari, s’kam dit kurrgja për kët e, s’ja kam zgjat”! – prifti vuri dorën mbi zemër, si të kërkonte ndjesë. – Po kush asht ky bre, se un s’e njohi e, s’di nga asht e nga mban”? – u mendua pak dhe plotësoi: – “Tash që po e shohi me ju, besoj se duhet t’jet prej brumit t’amël”! “Sa për fisin, dalë unë garant”,- ndërhyri Sulua. – “E njoh mirë me rrënjë e degë.
Ky është i mitur, po dardha bie nën dardhë, themi ne në anët tona. Ne kemi detyrë ta drejtojmë, pastaj le ta zgjedhë vet rrugën. Po, meqë edhe katër muaj më kan ngelur, në arritça të dal gjallë, ma do nderi të bëj atë që do kish bërë ati i këtij, për tim bir, po të gjendej në pozicionin tim. Kështu pra, dua të ndihem i qetë, para mikut tim, po edhe para ndërgjegjes sime, dua ta lë mes miqsh e në duar të sigurta! – e mbylli ai.
Ato çaste u ndjeva si të isha një mall shkëmbimi në pazarin e gjësë gjallë, ku ca xhambazë të paskrupuj lëvdojnë vetitë dhe trashëgiminë e kafshës që kanë nxjerrë në treg. Këto batuta, më kujtuan shkuesit mashtrues që vlerësojnë para njerëzve të nuses, anët pozitive të dhëndërit e familjes së tij, për t’iu mbushur mendjen të bëhet ilakaja.
Këto bluaja atëkohë, po e ardhmja do m’i flakte në harresë, sepse frutet e përvojës së këtyre burrave të zgjuar do më shërbenin si një mësim, rezultatet e të cilit do t’i shijoja më prapa. Kur iu erdhi rradha përplasjeve pas shkëmbinjve thërmues të presioneve e prapaskenave të sajuara nga Sigurimi Shtetit dhe bashkëpuntorët e tij, e kuptova se sa rëndësi kishte mbështetja e grupit që të rrethonte; pak a shumë efektin e gomës jastëk-shpëtimi, që mbron varkat e brishta nga thërrmimi, mbi paretet e molit.
Të siguroje një brez të tillë, ishte më se domosdoshmëri mbas telave me gjemba. Ndarjet me klane e grupazhe të organizmit shtetëror, ishin trampjantuar edhe brenda atyre ambjenteve, madje në shkallën më sipërore. Me rrjedhën e viteve, ishin krijuar ca organizma imune, që përcaktonin ecurinë e mëpasshme për secilin të dënuar të ri. Në burgje ekzistonte një lloj hierarkie, që e kish zanafillën qysh me të dënuarët e parë të dyzetepesës dhe më pas nëpërmjet, tyre u trashëgua brez pas brezi te më të rinjtë.
Brezi i të dënuarve të hershëm që përfituan nga politikë penale, ngaqë dënimet e gjata që nisnin me njëqindenjë, si rrjedhojë e frymës së ligjeve të tejkaluara në kohë, me aprovimin e kushtetutës dhe legjislacionit të ri u abroguan dhe maksimumi i dënimit, zbriti në njëzetepesë. Tashmë iu duhej të vuanin dënime jo më shumë se njëzetepesë vjet, veçse me një hyckël “të vogël fare”, njëzetepesë vjet, konvertohej pa asnjë ekuivok, në njëzetepesë vjet heqje lirije të vërtetë dhe jo në dënim “in folio”, ku mjaftonte t i shpëtoje ekzekutimit dhe më pas, ka Zoti; falje pas falje, bën pesë vjet e del! Kjo s’përputhej me politikën penale të Shqipërisë Socialiste.
Njëzetepesë, i thonë njëzetepesë vjet burg, e pikë! Rrjedhimisht, dënim i përjetshëm”! Kjo edhe për shkak të moshës dhe trajtimit mizor! Kështu, të dënuarët e brezit të parë, bashkëjetonin gjatë me brezin e dytë dhe kur liroheshin mbas njëzetë e kusur vjetesh, ia linin stafetën këtij brezi, kështu me radhë. “Aristokracia” e burgjeve, respektonte vazhdimësinë hierarkike edhe për një arsye shtojcë, shumë ish të dënuar ose i ridënonin aty në burg, ose edhe nëse dilnin ca kohë, i ridënonin sërishmi në vend internimet dhe pastaj i rikthenin në gjirin e grupit të tyre shoqëror, ku rifitonin pozitat nga i kishin shkëputur ca kohë më parë.
Këtë temë do ta trajtoj më poshtë, mbase në një kapitull të veçantë. Në vizitën që i bëmë At Zefit, mësova një fakt vërtetë origjinal; aftësinë e përshtatjes që konsistonte në sistemimin në të njëjtën fjetinë, të përfaqësuesve të të katër besimeve fetare. Kjo mënyrë organizimi, padyshim me kast, më la mbresa të rralla. Jatakët e atyre, që mbas njëzetedy-vjetësh, do rimëkëmbnin konstitucionin shpirtëror të kombit shqiptar, ishin sistemuar në largësi shtatëdhjetë centimetër, njeri nga tjetri. Në krahun e majtë, ishin sëritur me radhë; At Zef Pllumi, ai që do udhëhiqte katolikët shqiptarë, në udhën e vështirë të ringjalljes shirtërore, Çun Çamluk Mhilli, mustaqemadhi katolik i devotshëm nga Iballa e Pukës.
Pas tij, Dom Ernest Troshani, edhe ky një prift i shquar, përballë tyre në hapësirën e një krahu të shtrirë, ishin me radhë, Hafëz Sabri Koçi, që do bëhej udhëheqësi legjendar i myslimanëve shqiptarë, hoxh Faik Hoxha, edhe ky mbas viteve nëntëdhjetë, do udhëhiqte kryemyftinj e Shkodrës, dhe vazhdonte me Shefqet Allën, nga fshatrat e Librazhdit, një fetar mjaft simpatik, më tej Sulejman Begovija, Rruzhdi Boriçi, Hodo Sokoli, etj.
Në katin e dytë, në të dy krahët, radhiteshin: në të djathtë, At Aleksi nga fshatrat e Lunxherisë, me Irakli Sirmon, nga Dropulli dhe Stavri Pilafin, besimtarë brilantë, dhe më tej, Kosta Mitre me një tufë shulesh të minoritetit maqedonas, nga pellgu i Prespës. Përkarshi tyre, një grup bektashinjësh, të kryesuar nga udhëheqësi i tyre shpirtëror, Baba Bajram Mahmutaj, ndjekur nga Meleq Hasa, Hebib Bodurri, Rustem Gojka, etj., besimtarë nga nahija e Skraparit, për të cilët do flas sipas rastit.
Mbase sot duket e pabesueshme por vërtetësinë e këtij fakti, mund ta dëshmojnë disa të mbijetuar të asaj kohe, që rrojnë ende. Tri muaj më vonë, mbas një riorganizimit sipas brigatave, do të ishim edhe unë dhe At Vaska, rezident në këtë kapanon. Madje, mua do më qëllonte shansi, të isha veç dy shtretër larg Patër Zefit, në mes do na ndante iballasi kreshnik, Çun Mhill mustaqemadhi dhe prifti, Dom Ernest Trashani. Dua të theksoj ndërkaq, se mbas këtij takimi, sidomos mbas muajit të provës në birucë me Dom Mark Hasin, me patër Zefin do lidhnim nje miqësi të ngushtë, të sinqertë e të gjatë, deri në largimin e tij nga kjo jallane.
Te ai individ ish mpleksur harmonishëm inteligjenca natyrale e malsorit fisnik e të ndershëm, por pak të ashpër, si pasojë e kushteve ku ishte rritur, me kulturën dhe edukatën e marrë në kolegjet françeskane. Ai ndihej krenar për të parët e tij malsorë, në të njëjtën masë si për mësuesit e tij, françeskanët e mëdhenjë, që kishin përçuar te ai dhe brezi i tij, kulturën më të avancuar botërore dhe atdhedashurinë më të zjarrtë për vatanin.
Sytë i shkëndijonin, sa herë përmendëte këta burra të shquar që sipas fjalëve të patër Zefit: “Kan ken, janë dhe kan me ken, KRENARIA E KOMBIT! Sado me i përdhos e me i lan pa vorr, vepra e tyne ka me rrnue gjatë! Të garantoj, s’ka me ken e largët dita, kur kan me i salvue, me i lartue si martirë, që jan sakrifikue për Fe e Atdhe! Ari edhe n’gjirriz m’u gjet, e run t’patjetërsueshme vlerën! Mbi arrat gjuhet me gurë, plepat veç push kanë”!
Kur binte fjala për fakte dhe ngjarje të shkuara, më tregonte për vepra dhe dokumenta me vlera të rralla historike, që kish kaluar nëpër duar në rininë e vet, në arkivin e Kuvendit Françeskan. Ai shprehte dyshim, se këto dokumenta unikale, i kishin grabitur dhe zhdukur pa gjurmë, U.D.B-ja Jugosllave, në bashkëpunim me Sigurimin e Shtetit dhe larot e tij pseudo-historianë.
Ai gjykonte se arkivat që janë historia e një kombi, duhet t’iu lihen trashëgim brezave, si pikë referimi, për të skicuar të ardhmen. Ndaj në çdo bisedë me të rinjtë, që mendonte se ia vlente t’i hapte këto tema, s’linte t’i shpëtonte rasti, pa i përmendur. Por, gjithsesi ruhej shumë, nga provokimet dhe provokatorët. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016