Nga Dodë Progni
Pjesa e dytë
-Masakra e Herecit – vepër kriminale e udhëheqjes komuniste jugosllave dhe asaj shqiptare-
I – LËVIZJA “KRYEZIU”
Memorie.al / “Lëvizja Kryeziu” ishte emërtimi i Lëvizjes Nacionaliste Antifashiste, në Kosovë e Shqipërinë e Veriut, gjatë viteve 1940 – 1944, në krye të cilës ishin vëllezërit nga Gjakova, Gani, Said dhe Hasan Kryeziu. Qëllimi strategjik i saj, ishte organizimi i Lëvizjes Antifashiste në Kosovë, çlirimi i saj nga nazifashistët, shkëputja nga Serbia dhe bashkimi me shtetin amë, Shqipërinë. Vëllezërit Kryeziu, si rrallëkush tjetër në Shqipërinë e asaj kohe, kishin kuptuar që në fillim të Luftës së Dytë Botërore, se rruga më e mundshme, për zgjidhjen e problemit kombëtar shqiptar, ishte sigurimi i mbështetjes nga një fuqi e madhe perëndimore, siç ishte Britania e Madhe, dhe se një gjë e tillë, mund të arrihej vetëm duke luftuar kundër nazifashistëve.
Gjatë vitit 1944,kur lëvizja Kryeziu qe bërë forcë serioze e Luftës Antifashiste, në Shqipërinë e Veriut, udhëheqja e Partisë Komuniste e Jugosllavisë dhe ajo e Partisë Komuniste Shqiptare, bënë ҫ’ishte e mundur për ta eliminuar. Jugosllavët, nuk mund të pranonin ekzistencën e një force të tillë, jashtë kontrollit të tyre, e cila paraqiste rrezik real, për shpërthimin e një kryengritje nacionaliste në Kosovë, për rrjedhojë dhe rrezikun e shkëputjes së Kosovës nga Serbia.
As pala shqiptare, nuk pajtohej me një forcë të tillë nacionaliste, që gëzonte simpatinë dhe mbështetjen e aleatëve britanikë. Zgjerimi dhe fuqizimi i saj në Shqipëri dhe Kosovë, do të rrezikonte vendosjen e pushtetit komunist në Shqipëri, që për udhëheqjen e PKSh-së ishte “Thembra e Akilit”, gjatë tërë periudhës së Luftës. Lidhur me këtë, Peter Kemp, sqaron se: ”Njerëz të tillë, u etiketuan për t’u shkatërruar nga regjimi i ri, pasi veprimtaria e tyre luftarake, përgënjeshtronte pretendimet e komunistëve se; vetëm Partia Komuniste, përfaqësonte popullin shqiptar në luftë për pavarësi”.
Ishin këto arsyet që, “Enver Hoxha dhe Tito-ja, siҫ pohon Reginald Hibbert, kishin vendosur se do të ishte më mirë të mos kishte rezistencë antifashiste në Kosovë se sa të kishte një lëvizje të udhëhequr nga Gani Kryeziu me mbështetjen anglo – amerikane”.
Udhëheqja komuniste shqiptare, punoi taktikën e eliminimeve gradual të Kryezinjve, me qenë se ata ishin pjesëmarrës aktiv të Luftës Antifashiste e, nuk mund të llogariteshin si bashkëpunëtor të gjermanëve, për t’i shtypur me forcën e armëve. Sipas kësaj taktike, shtabet e forcave partizane që vepronin në Malësinë e Gjakovës, batalioni “Bajram Curri” e “Perlat Rexhepi”,shtabi i Kosmetit etj., u kërkuan Kryezinjve, shkrirjen e forcave nacionaliste, me ato partizane, unifikimin e tyre nën komandën komuniste. Pranimi i kësaj kërkese, do të thoshte që forcat nacionaliste, të eliminonin vetveten, ndaj Kryezinjtë, nuk e pranuan asnjëherë. Ata ishin kundër lidhjeve të ngushta, që komunistët shqiptar mbanin me serbo – sllavët, të cilat do të ishin pengesë për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Nga ana tjetër, futja e Kryezinjve nën komandën komuniste, do të thoshte; pranimi i një Shqipërie komuniste, kur të vinte paqja. Kryezinjtë, ishin për një republikë demokratike, të tipit perëndimor.
Në të vërtetë, përpjekjet e komunistëve për unifikim, megjithëse bëheshin në emër të parimeve të “Konferencës së Pezës”, nuk ishin aspak të sinqerta. Kundërvënia e tyre, ndaj ‘Marrëveshjes së Mukjes’, gusht 1943, kishin bërë të qartë për cilindo, qëndrimin negativ të udhëheqjes komuniste shqiptare dhe asaj jugosllave, ndaj nacionalizmit shqiptar dhe problemit të Kosovës. Ata, nuk kishin qellim unifikimin, në të mirë të Luftës Antifashiste, por eliminimin e forcave nacionaliste të Kryeziut. Një gjë të tillë e pohon Reginald Hibbert, në librin “Fitore e Hidhur”, kur thotë: “Gani Kryeziu, gjente pengesa nga partizanët, të cilët nuk mundë të çanin për vete, për shkak të lidhjeve me sllavët. Në rast se partizanët nuk kishin sukses, -thotë ai, – ata nuk i lejonin askujt, që të arrinin sukses në vend të tyre. Që këtej, vinin sabotimi i pafytyrë i kontakteve të Kempit, me vëllezërit Kryeziu, në dhjetor 1943 e janar 1944”.
Në këto rrethana, Kryezinjtë zgjodhën rrugën e mesme: atë të bashkëveprimit kundër pushtuesve, të zhvillimit të aksioneve luftarake, të kombinuara me forcat partizane, por pa hyrë nën komandën komuniste. Është meritë e të dy palëve që, as konflikti më i vogël i armatosur, nuk ndodhi asnjëherë, midis forcave të Kryeziut me ato partizane. Në fakt, tek udhëheqësit komunistë, ҫdo ditë e më shumë kristalizohej e vihej në jetë postulati: “O me ne, o kundër nesh”!
Me gjithë përpjekjet e dështuara, për unifikimin e forcave partizane – komuniste, me ato nacionaliste të Kryeziut, siç ishin bisedimet dypalëshe në fshatin Markaj të Tropojës, me 16 qershor 1944, etj., bashkëpunimi midis tyre mundë të konsiderohet i frytshëm deri në mbledhjen e Valbonës, me 10-15 korrik 1944, ku muarën pjesë rreth 400 vetë, përfaqësues të të gjitha grupimeve politike e luftarake, që vepronin aso kohe në Malësinë e Gjakovës. Këtu, drejtuesit komunistë u kërkuan në mënyrë ultimative Kryezinjve, që së bashku me partizanet, të sulmonin krahinën e Plavës, ku forcat nacionaliste shqiptare, kishin rrokur armët, për të mos lejuar hyrjen e forcave partizane sllavo-komuniste, në krahinë.
Më saktë, u kërkohej Kryezinjve, bashkëpunim me partizanët jugosllavë, për të shtypur nacionalistët shqiptarë, të Plavës. Kjo kërkesë ultimative dhe arrogante e komunistëve, që i vuri Kryezinjtë përpara alternativës: “Unifikim ose ndarje përfundimtare”!, nuk u pranua nga Gani Kryeziu. Ai, jo vetëm e hodhi poshtë me indinjate këtë kërkesë antikombëtare, por, deklaroi hapur e prerazi se: “do t’u shkonte në ndihmë qëndrestarëve shqiptarë të Plavës, nëse ata do t’ja kërkonin një gjë të tillë”.
Ultimatumi i komunistëve, ish – rrjedhojë e vendimeve të Kongresit të Përmetit, 24 maj 1944, që kishte shpallur komunistët në pushtet, ende pa mbaruar Lufta. Këto vendime, inkurajuan komunistët, për të ushtruar diktat ndaj kundërshtarëve politik, siç ishin edhe Kryezinjtë. Vetëm një ditë pas mbledhjes së Valbonës, me 16 korrik 1944, komunistët, ekzekutuan pabesisht Padër Lekë Lulin, ish – përfaqësues i Partisë së Legalitetit në Mbledhjen e Valbonës, sepse kish kundërshtuar me forcë, qëndrimin pro sllavë të komunistëve, duke i akuzuar ata për tradhti Kombëtare. Ky akt i pabesë, kriminal e tepër i shëmtuar, që u realizua nga komunistët të cilët kishin marr përsipër ta përcillnin P.Lekë Lulin nga Valbona për ne Theth të Dukagjinit,tregoi se në shënjestrën komuniste për tu asgjësuar tashmë ishin vënë të gjithë kundërshtarët e tyre politik, përfshirë edhe Kryezinjtë, bashkë me lëvizjen e tyre.
Edhe pse të ballafaquar, me kundërshtarë të egër këtej dhe andej kufirit, Kryezinjtë, nuk hoqën dorë nga lufta antifashiste dhe përpjekjet për organizimin e kryengritjes antifashiste në Kosovë. Madje, në fillim të gushtit 1944, ata, në bashkëpunim me majorin britanik, Toni Simkoks, hartuan edhe një plan tjetër të detajuar, për fillimin e kryengritjes në Kosovë. Të udhëhequr nga ky objektiv i rëndësishëm, në gusht-shtator 1944, forcat e Kryeziut, arritën nivelin më të lartë të organizimit dhe të veprimit luftarak, duke nxjerr akoma më mirë në pah, talentin dhe aftësitë drejtuese ushtarake, të komandantit Gani Kryeziu, nivelin e lartë politik dhe organizativ të Saidit, mendjen e ndritur dhe objektive të Fundos, trimëritë dhe aftësitë e Hasan Kryeziut, Ali Brahim Zherkës, Selim Malë Dulës, Mehmet Ali Bajraktarit, etj., që komanduan këto forca, në fushë-betejat kundër nazi-fashistëve. Gjatë kësaj periudhe, intensiteti i luftimeve, erdhi duke u rritur nga dita në ditë.
Duke ju referua dokumenteve të asaj kohe, del se, me 13 gusht 1944, në katundin Çorraj e Leniç, të Bytyçit, çetat e Gani Kryeziut, zhvilluan luftime të ashpra, kundër një detashmenti të ushtrisë gjermane, i cili qe detyruar të tërhiqej në drejtim të zonës minerale, pasi kish lënë disa ushtarë të vrarë e të plagosur. Një ditë më pas, me 14.08.1944, forcat e Kryeziut, zhvilluan luftime edhe në katundin Zogaj, kundër një kompanie SS-e, të ardhur nga Gjakova. Edhe këtu, kishte disa persona të vrarë e të plagosur. Midis tyre, dy gra të vrara dhe disa burra të fshatit të arrestuar nga gjermanët, në katundin Çorraj të Bytyçit. Përmasat dhe intensiteti i luftimeve, midis forcave të Kryeziut dhe atyre gjermane, në gjysmën e dytë të gushtit 1944, pasqyrohen edhe më mire në një raport që, Komanda e Xhandarmërie së Kukësit, dërguar eprorëve në Shkodër, Tiranë e Kosovë, me 21.08.1944, ku midis tjerash thuhej: “Në mbrëmjen e datës 19 gusht, janë bë këto veprime:
- – Çeta e kryesueme nga Hasan Kryeziu e Mehmet Bajraktari, të për-bame prej 100 vetash, ka sulmue “Minierën e Zogajt”. -Ali Brahimi, me partizanët e Nikaj – Merturit, si dhe ata të Shalës, të përbam prej 120 vetash, kanë sulmue “Minierat” që ndodhen në katundin Kam. 3. – Selim Bajraktari e Bajram Uka me çetën e tyre, kanë sulmue “Minierën e Kepenekut”. 4. – Gani Kryeziu me çetën e tij të përbame aproksimativisht prej 400 vetash, u ndodhka në “Dobrej”, i cili pranë vetit ka dhe një oficer anglez, si dhe Llazar Fundon, gjithashtu edhe radio transmetuese…! Çetat janë të armatosura mirë, me armë automatike e mitraloza te rëndë…! Asht urdhnue rrethi që, me fuqinë që disponon, me vullnetarë e me fuqinë gjermanë, që ndodhet në rajonin e tij, të marrin çdo masë për shpartallimin e kapjen e atyre çetave”.
Përball forcave të Kryeziut, komanda gjermane dhe qeveritarët kuisling, qenë detyruar të veprojnë me disa detashmente gjindarmërie dhe njësi kolaboracioniste, të ashtuquajtura “vullnetarë”, batalione SS-e dhe regjimente speciale të Korparmatës së XXI-të malore gjermane, të cilat ishin pajisur me armatim të lehtë e të rendë,përfshirë autoblinda, artileri dhe aviacion luftarak.
Forcat nacionaliste të Kryeziut, u shquan për trimëri e heroizëm në përpjekjet e armatosura kundër nazifashistëve. Në ndeshjet ballë për ballë me armikun dhanë jetën trimat: Rrustem Avdyl Mulosmani, Selim Bardhec Gjyriqi, Selim Ramë Mustafaj,Sokol Shpend Hoxhaj, Bajram Sylë Pepnikaj, Xhemal Sadri Abazi, Hazir Rrustem Osmani, Maxhun Zog Brahaj, Ibrahim Sylë Mustafaj, Mehmet Ali Mehmetaj etj. Këta, me gjakun e jetën e tyre, shkruan faqet më të ndritura të historisë së Lëvizjes Kryeziu. Këto luftime dhe gjaku i derdhur në përpjekjet me nazifashistët, hedhin poshtë katërcipërisht, si të pa vërtetë, pohimin e Enver Hoxhës se, gjoja forcat e Kryeziut, nuk paskan luftuar, por siҫ shprehet ai, “zbraznin ndonjë pushkë kodrave, sa për të thënë se po luftojmë”.
Në shtator 1944, zona minerale Bytyç – Gjakovë, vazhdoi të jetë arenë e luftimeve të ashpra midis forcave të Kryeziut dhe atyre gjermane, të cilat ishin detyruar të tërhiqeshin në drejtim të Kosovës. Me 7 shtator 1944, forcat e Kryeziut sulmuan minierën e Babajt dhe çliruan 500 robër malazezë, të cilët më pas ju bashkuan forcave antifashiste. Po këtë ditë Prefektura e Prizrenit njoftonte Ministrinë e Punëve të Brendshme, në Tiranë se: “Gani Kryeziu, ka qellim të bashkohet me çetat e Hasit dhe të Lumës, me i ra Kukësit e, me pre komunikacionin Prizren-Shkodër”.
Nga një raport i Komandës së Divizionit SS-ë me qendër në Gjakovë, del se: ”…forcat e Kryeziut, kishin nën kontroll lartësitë e Qafës së Prushit, prej nga kërcënonin Gjakovën dhe kishin bllokuar lidhjet me minierat e Kromit”. Ndërsa, me 14.09.’44, po kjo komandë, pohonte se, ”…forcat e Kryeziut kishin sulmuar qytetin e Gjakovës”. Edhe Komanda e Xhandarmërisë së Kukësit, pohonte se, me 10 e 11 shtator, “Gani Kryeziu ka sulmue minierat e Zogajt dhe ka marr drejtimin për Gjakovë, me qellim sulmi…! Linja telefonike, Krumë – Qafë Prushi, asht këput nga forcat e tij, të cilat kanë djeg edhe lokalin e postë komandës së Qafë Prushit, personeli i të cilës, asht bashkue me forcat e Kryeziut”.
Vrulli i forcave të Kryeziut, nga 19 gushti deri me 19 shtator 1944, me luftime të ashpra e të suksesshme kundër gjermanëve në Kam, Kepenek, Zogaj, afër Prushi, Babaj të Bokës, Vogovë, Devë e Qerret, si dhe goditjet e para kundër garnizoneve gjermane në Gjakovë, çuan në çlirimin e Bytyçit e krejt Tropojës, si dhe shënuan pragun e kryengritjes së përgjithshme në Kosovë.
Se si do të përfundonte kryengritja nacionaliste, e udhëhequr nga Kryezinjtë në Kosovë, është vështirë të thuhet. Por mundë të pohojmë me bindje se, kryengritësit nacionalistë kosovarë, pas fitores mbi fashizmin, nuk do t’i hidhnin armët, pa ju bërë të ditur nënshkruesve të Kartës së Atlantikut, se Kosova ishte e vendosur të fitonte qofte edhe me gjak, të drejtën e sajë për vetëvendosje. Më saktë, çështja e Kosovës do të ndërkombëtarizohej qysh në atë kohë, duke vënë në pikëpyetje sundimin serb mbi Kosovën.
Pikërisht, në këtë moment kritik, mjaft të rëndësishëm, për fatet e Kosovës dhe të kombit shqiptar, godet rreptas dora e udhëheqjes komuniste shqiptare, e cila nuk mundë të duronte më gjatë, një forcë nacionaliste të suksesshme në Luftën Antifashiste, që gëzonte simpatinë e mbështetjen britanike, siç ishte Lëvizja Kryeziu. Veçanërisht, shqetësuese për udhëheqjen komuniste shqiptare, ishte porosia e ministrit te Jashtëm Britanik, Anton Iden, dhënë ministrit rezident të Anglisë në Kozerta të Italisë, ku midis tjerash thuhej: “Enver Hoxhës, t’ja bëjmë të ditur se, kur te vijë koha për njohjen e qeverisë së tij, duhet të këshillohet që të pranojë në Frontin Nacional-Çlirimtar, persona të tillë, si vëllezërit Kryeziu, të cilët kanë dhënë prova të luftës antifashiste dhe të patriotizmit”.
Në fakt kjo porosi, ishte një presion i drejtpërdrejtë mbi Enver Hoxhën, për të kufizuar pushtetin absolut të komunistëve, që po vendosej në Shqipëri. Ajo tregonte haptas se, një qeveri moniste, vetëm me komunistë, që kish projektuar Enver Hoxha, nuk pëlqehej dhe nuk do të përkrahej asnjëherë nga britanikët dhe aleatët tjerë Perëndimore. Enver Hoxha, i alarmuar, por gjithnjë në bashkëpunim me jugosllavët, vraponte për të qenë i pari në asgjësimin e Kryezinjve dhe forcave nacionaliste, që ata komandonin. Në radiogramin dërguar Liri Gegës, datë 8.08,1944 Enver Hoxha udhëzonte: “Pranë Kryeziut, është Zai Fundo. Para një muaji, ka biseduar Fadil Hoxha me shokët e Kosmetit. Ka dijeni edhe Dushani e Rade…! I thashë Fadilit që ta vrasë (Zai Fundon – D.P), pa marr parasysh asnjë rrethanë”.
Ndërsa, me 10 shtator 1944, Enver Hoxha, i dërgon një letër “tepër konspirative”, Shtabit të Korparmatës së Parë të UNÇL, ku ndër të tjera theksonte: “Anglezët po bëhen kumbar për bashkimin e reaksionit të Kosovës, me tradhtarët tanë nën flamurin e ndonjë Gani Kryeziu,ose të ndonjë qeverie që eventualisht mundë të formojnë…! Detyra jonë është me e shkatërrua reaksionin ushtarakisht…! Mos kërkoni më nga Gani të dorëzohet, por me çdo kusht dhe me ashpërsi, të sulmohet dhe të vritet. Duhet të veproni sa më parë, se mundë t’i vijnë në ndihmë kosovarët – shtonte ai”.
Gjithashtu sekretari i komitetit të Partisë Komuniste Jugosllave për Kosovën dhe anëtar i Shtabit Operativ të UNJ, Pavle Joviçeviçi (“Rade”) udhëzonte Fadil Hoxhën, që të verifikonte tepër fshehtas informacionin se; ku ndodhej saktësisht Gani Begu, sa forca kishte, ku ndodheshin batalionet, a ruhej rruga etj. “Kjo është rigorozisht konspirative. Lajmërohu në 5.30 dhe 10”- Pavle”.
Me 19 shtator 1944, Enver Hoxha, dërgon në Bytyç, Shefqet Peçin me Brigadën e tij, të cilët pasi u ngjitën në malin e Dobrejt, ku ishte shtabi i Kryezinjve, arrestojnë Said Kryeziun, Zoi Fundon dhe majorin anglez, Toni Simkoks, të cilët i nisin për në qytetin e Beratit, ku ishte vendosur Shtabi i Përgjithshëm i UNÇLSH dhe Enver Hoxha. Majorin Simkoks dhe Said Kryeziun, pas ndërhyrjes së vendosur të anglezëve, i lejuan të largohen për në Itali. Ndërsa Llazar Fundon, pasi e arrestuan, e torturuan për vdekje dhe i kërkuan t’u përgjigjej pyetjeve që kishte dërguar Enver Hoxha me radiogram:
“Zai Fundon ta torturoni deri në vdekje dhe pastaj ta pushkatoni andej. T’i kërkohet të japë përgjigje për këto pyetje: Pse ka ardhur në Kosovë, kush e ka dërguar, dhe me ç’direktiva? Cilat janë qëllimet e Ganiut dhe të anglezëve? Të japë sqarime për aktivitetin e mëparshëm dhe për tradhtinë e tij.Deponimet e Zait na i dërgoni këtej, Zain e vrisni andej…”! Kështu, nga të gjithë pjesëmarrësit në ‘Lëvizjen Kryeziu’, i pari që u ekzekutua, madje ne mënyrë shtazarake dhe me porosi të posaҫme të Enver Hoxhës, ishte Zai Fundo”,
Vrasja brutale e Fundos, siҫ ka theksuar R. Hibbert, në librin “Fitore e Hidhur” – ishte dëshmi e natyrës së papranueshme të pushtetit partizan… ishte një rast i komunizmit që, gllabëron të vetët: ky ishte një likuidim midis shokëve, ose në këtë rast,ish shokëve”. Ngjarjet e 19 shtatorit 1944, ishin provokimi me i rendë e me flagrant, që udhëheqja komuniste shqiptare, u kish bërë forcave të Kryeziut deri atëherë. Ajo, me urdhër personal të Enver Hoxhës, siç kish vepruar me grupimet tjera nacionaliste, i u imponua me forcën e armëve edhe ‘Lëvizjes Kryeziu’, duke i eliminuar asaj shtabin drejtues politik dhe mbështetjen britanike. Në fakt, ky veprim brutal, i pabesë dhe antikombëtar, ishte grushti shkatërrues,jo vetëm për Lëvizjen Kryeziu, po edhe për kryengritjen nacionaliste antifashiste në Kosovë. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm