Nga BESNIK DIZDARI
Pjesa e parë
Memorie.al / Për ndokënd ndoshta mund të duket si diçka e habitshme: një martir që është edhe rekordmeni i parë i sportit të një kombi! Në të vërtetë, në këtë titull të këtij shkrimi apo në këto tetë fjalë të tij, gjithçka është sa e natyrshme, po aq dhe e vërtetë. Ndonëse ajo sapo vërtetohet përmes këtij tregimi të herës së parë të këtij viti 2018. E çuditshme është se si ka qenë e mundur që deri më sot, më 2018 pra, kjo e vërtetë ka mbetur e panjohur, e pa ditur, e pa fiksuar. E prapë nuk duhet të çuditemi. Historia në Shqipëri, ajo e sporteve në veçanti, ende ecën tejet ngadalë, si diçka e dorës së dytë, me të pavërteta të pafund, me tregime naive, me shpërndarje afirmimesh, të pamerituara madje. Deri aty, sa një historiani profesionist të ndershëm, i duhet veç të ndreqë pa ndalë sjelljet brutale të shkruesve të pandërgjegjshëm, të cilët për çudi vazhdojnë të mbushin faqet e gazetave.
E ndiej edhe veten disi fajtor që vetëm sot, më 2018, zbulohet se një martir është dhe rekordmeni i parë i sportit shqiptar. Në të vërtetë, ai është rekordmeni i parë i vetëm një sporti, atletikës së lehtë shqiptare. Mirëpo, ky është njëkohësisht edhe rekordi i parë i dokumentuar, që ne kemi për të gjitha llojet e sporteve tona. Emri i tij është Pjetër Guraziu.
Një intelektual i shquar i Shqipërisë, i pushkatuar pa asnjë faj prej regjimit komunist së bashku me 21 martirët e tjerë. për shkak të të ashtuquajturit atentat përmes bombës së lëshuar mbi Ambasadën e Bashkimit Sovjetik në Tiranë, më 1951. Ngjarje kjo, e njohur fort mirë prej popullit shqiptar, të cilën historianë profesionistë e kanë përimtuar deri në detaje.
Pjetër Guraziu është njeri prej këtyre martirëve. Ai është babai i një shoku tim të hershëm, të fillimit prej brezit tonë të gjimnazit të Shkodrës, Filip Guraziu – gjithashtu një nga sportistët më të mëdhenj të Shqipërisë. Mban emrin e babës së Pjetër Guraziut, pra gjyshit të tij, Filip Guraziut, që po e quajmë të parë. E nëse Filipi i sotëm quhet Filip Pjetër Guraziu dhe babai i tij quhet Pjetër Filip Guraziu, kjo është një bashkësi trashëguese fisnike përkujtimore emrash familjarë – çka Shkodra qytetare e ka pasë stil kujtese të një nobiliteti.
E, vetvetiu, më duket se, si të thuash, edhe në përmbajtjen gjenetike, kjo dyshe babë e bir – ka një lloj afërsie krejt origjinale. Afërsia tjetër mandej është se shoku im, Filip Guraziu, ka edhe ai një jetë krejt të pazakontë. Përveç profesionit të tij universitar si mësues i matematikës, falë talentit të tij të spikatur si basketbollist, përmes trazimeve e dënimeve të rënda – të cilat ai diti t’i përballonte me stoicizmin e tij – ia arriti të mbijetonte. Për t’u ngjitur, madje, si në një përmbysje të historisë deri në kryetar i Bashkisë së Shkodrës…!
Vitin që shkoi më kanë ikur disa përvjetorë të mëdhenj të sportit shqiptar. Më ka ikur 50- vjetori i fitimit të titullit të parë Kampion i Shqipërisë (1967-2017) i “Vllaznisë” së Shkodrës. Nuk ka qenë një ngjarje asisoj e thjeshtë. Ajo ka qenë një ngjarje krejt e jashtëzakonshme, ndër më të rrallat e historisë së sportit shqiptar. Më në fund, mbas mbi një dhjetëvjeçari të rrallë të tij, me “tituj” të Kupës e të nënkampionit të Shqipërisë, basketbolli i Shkodrës ia arriti që më 1967, përmes “Vllaznisë” së tij, të fitonte titullin e tij të parë të Kampionit.
Çuditërisht, një Më të mëdhenjtë: Ata që bënë historinë e sportit shqiptar, Martiri PJETËR GURAZIU – Rekordmeni i parë i Shqipërisë, titull i fituar, si të thuash, “në natyrë”, jashtë pra, në të ashtuquajturin, Këndi Sportiv “Spartak” i Shkodrës, që mbante në tribunat e tij të brishta e në radhët mbrapa kufirit të metaltë, deri edhe në 4000 spektatorë! Njeri prej protagonistëve më të spikatur të kësaj ngjarjeje, e ka emrin Filip Guraziu.
Ka qenë një dhjetëvjeçar i rrallë (1957-1967), prej të cilit edhe autori i këtushëm si nxënës i gjimnazit të Shkodrës (1956-‘60), ndërtesa e të cilit përbënte kufirin e lartë të pjesës perëndimore të këndit “Spartak”, kujton me nostalgji ngjarje të pashlyeshme sportive. Nuk mund të përshkruhet sot se çka kanë qenë të dielat e këndit “Spartak”, aty, m’u në mes të Shkodrës. Një Shkodër tejet e drobitur, e lodhur, e lënë mbas dore, por duke qenë se ishin vetëm pak vite nga Shkodra e paraluftës, ajo e ruante ende qytetarinë e saj dhe “xhiro” e Piazza-s nuk mund të ndalohej.
Treshja e madhe e 17 Nëntorit të Tiranës dhe e basketbollit shqiptar, nga e majta: Bujar Shehu, Vaso Shaka, Filip Guraziu
E po ashtu, nuk mund të ndaloheshin as 4000 spektatorët në këndin “Spartak”. Ishte një çlodhje e rrallë, e papërshkrueshme. Një harrim i halleve të mëdha të një qyteti, ashtu si edhe të një populli të tërë. Të dukej se varfëria dhe izolimi shndërroheshin në pasuri dhe në liri vetëm në ato tri orë të këndit “Spartak. Sepse tri orë ishin. Më parë, ndeshja e basketbollisteve femra, mandej ajo e meshkujve. Kohët e fundit, Federata Shqiptare e Basketbollit ka botuar një album të mrekullueshëm kushtuar basketbollit, çka është për t’u marrë shembull dhe për t’u përgëzuar. Sidomos presidenti i saj, Avni Ponari, por dhe sekretari i përgjithshëm i saj, Korab Llazani.
Në të gjendet një foto historike. Është pesëshja e basketbollit të “Vllaznisë” të viteve ’50: Esat Haxhi, Muhamet Sokoli, Vehbi Ademi, Luan Shatku, Skënder Osmani. Them se historia e basketbollit shqiptar, pesëshe më monolite, më të pandryshueshme, më të harmonizuar se kjo, nuk ka pasur. Natyrisht, mbas saj kanë ardhur pesëshe shumë më të mira, sidomos të “Partizanit” e të “17 Nëntorit” (Sport-Klub “Tirana” e sotme), por edhe te vetë “Vllaznia” e mbas-tejme. E megjithatë, veçanësia e këtyre pesë sportistëve të mëdhenj të Shqipërisë, të pestë kombëtares si lojtarë e trajnerë, meriton piedestalin.
Sidomos për sa i përket origjinalitetit të lojës të një kompaktësie. që meriton të studiohet edhe sot. Mjafton të them vetëm një dukuri, që mund të jetë edhe një rast botëror: ndodhte që për 40 minutat e lojës, ata të fitonin një ndeshje pa u ndërruar gati asnjëherë! Madje, të duartrokiteshin fort edhe nga bashkëlojtarët e tyre të mirë “të stolit”, si; Ali Quku e Beqir Sekuj, Sandër Laca, Malo Zhabjaku e Ndrekë Gjini, teksa po mbërrinte talenti i Valter Kalasë. Me një mungesë shembullore: i afërti i pesëshes së parë, Qemal Tafilica, i cili kishte marrë arratinë me ikjen e tij të guximshme jashtë kufijve të Shqipërisë.
Në krye të tyre ishte pedagogu ynë i gjimnazit, kapiteni- trajner Esat Haxhi. Mandej kombëtarasi i një teknike fine, Muhamet Sokoli, një shkodran “doc”, siç thonë latinët, por i cili vinte prej ngjyrave të “Punës” (“17 Nëntorit”) të Tiranës e të “Partizanit”. Kur mbërrij mandej te kombëtarasi tjetër Vehbi Ademi, gjej universalin elegant – volejbollist e basketbollist i rrallë.
Dhe e mbyll me dyshen e më të rinjve, në fakt dy kolosëve, sepse 1.88 apo 1.90 metra shtatlartë- si, çka ishin ata, asokohe quheshin kolosë. E kam fjalën për Luan Shatkun e madh – ndoshta modeli i parë i një qendre të basketbollit në Shqipëri dhe Skënder Osmanin – shtatlartit shënues krejt origjinal dhe përherë bllokues unikal i lojtarit më të mirë kundërshtar. Këta dy të mëdhenj janë themeluesit e lojës me dy qendra të basketbollit në Shqipëri, që çarmatoste dhe habiste të gjitha skuadrat e asokohe.
Nuk ka dyshim se fundi i viteve ’50-të ka sanksionuar themelet moderne të basketbollit shqiptar, sado modest që ai të ketë qenë. Emrat anekënd qyteteve kryesorë janë të paharrueshëm. Dhe tregimi ynë, kësisoj, pak si ngadalë, po shkon për të mbërritur për te Filip Guraziu, në të vërtetë te Pjetër Guraziu, të cilët nuk po mund t’i ndajë assesi. Babë e bir, që natyrisht u përkasin epokave krejt të ndryshme…
Për titullin e Shkodrës së basketbollit – Kampione e Shqipërisë, do të duhej të prisnim vitin 1967…! Ajo është një histori sa e bukur, por po aq edhe “kapricioze”. E me rastin e Filip Guraziut, ajo shkon përtej dramatikes!… “Vllaznia” e basketbollit 1967, do të ishte një kampione shkodrane, e cila si në asnjë sport tjetër, Shkodrës do t’i mbërrinte prej basketbollit të kryeqytetit. E gjitha kjo mund të themi se është rrëmbimi i parë dhe i vetëm sportiv i Shkodrës ndaj Tiranës, në një kohë që kryeqyteti ynë “pa mëshirë”, rrëmbente për vit talentet e Shkodrës, madje thuajse në të gjitha llojet e sporteve.
Kjo histori basketbolli është një histori që ka një prolog. Pesëshja për ne mitike, e mësipërme, në fillimet viteve ’60 do të jetë në largim e sipër. Por ndikimi i saj kishte mëkuar brezin tjetër. Emrat që vijnë janë edhe ata thuajse të gjithë kombëtaras të Shqipërisë. Valter Kalaja – i pari që rridhte falë asaj pesëshe. Do të lidhej me shokun tim të fëmijërisë, të gjimnazit e përtej, me Petrit Osmanin pra, i cili do të bëhej trajneri më fitimtar i “Vllaznisë” – vëlla i Skënderit të madh. Dhe me radhë; Zyhdi Çoba, Asllan Gjyrezi, Angjelin Shiroka, Nikolin Pali, Nikolin Kovaçi…!
Do të ishin e ardhme e siguruar. Ishin shokët tonë, të brezit tim – çka për ta, ne përbënim “tifozët” më besnikë. E unë, që tashmë e kisha lënë Shkodrën, natyrisht si sa e sa të tjerë, në Tiranën e Stadiumit zâmadh “Studenti”, do të kënaqesha me bashkëqytetarët e mi, Renato Radojën, Bujar Golemin, Filip Guraziun apo dhe me Vladimir Gjurbën, që i kishte “blerë” “17 Nëntori” i Tiranës, së sendërtuar prej mjeshtrit të mjeshtërve Feti Borova. Të dukej se basketbolli shqiptar kishte dy Shkodra: një në Shkodër e, një në Tiranë.
Unikale për historinë e basketbollit shqiptar, basketboll që në modernen e tij niste me një Fatmir Mekë – më moderni prej të gjithëve e, që do të mbërrinte deri te një Vaso Shaka, te një Bujar Shehu e një Kosta Papa, të prirë prej të fundit të “Mohikanëve”, kapiteni i paharrueshëm Dhimitër Papa – po ashtu mik i madh i imi. Këtij kryeqyteti të jashtëzakonshëm basketbollistik, pak më vonë vulën do t’ia vinte i madhi i të mëdhenjve, me emrin Agim Fagu. Por jemi në vitin 1967 dhe vitet e më pasme të fuqishme të një brezi të jashtëzakonshëm, ende nuk kishin mbërritur.
Vitet ’60-të po merrnin udhë vrullshëm, megjithatë. Kur papritmas, prapë kryeqyteti – shkollë më vete e basketbollit shqiptar – që nuk kënaqej me kaq. Sa në futboll, po aq dhe në basketboll. Edhe këtu “brutaliteti” i “Partizanit”, i cili “rrëmben” Luan Shatkun e Petrit Osmanin, me të cilët më 1964 shpallet kampion i Shqipërisë. Kur sapo i teket edhe “Dinamos” të bëjë basketboll, duke pasë pjesë të saj shkodranin tjetër të përvojës së madhe të “Vllaznisë”, Skënder Osmanin, tashmâ veteran, dhe i cili i jep kësaj “Dinamoje” të re, atë që i mungonte: pjekurinë. Papritmas edhe Shkodra kërkon të sajtë.
Kthehet ing. Bujar Golemi i “17 Nëntorit”, i cili përveçse si lojtar, do të jetë trajneri historik i “Vllaznisë”. Dhe do t’i “ri rrëmbehet” “Partizanit” “mbreti” i basketbollit, Renato Radoja, por dhe befasia e befasive: protagonisti ynë, Filip Guraziu. Kthimi i kësaj tresheje kampione nëntorase: Golemi – Radoja – Guraziu, në Shkodër, është një nga çuditë më të vetme dhe më befasuese në sportin shqiptar madje. Kështu, kur askush nuk e mendonte, “Vllaznia” po kthehej nga “e rrëmbyer” në “rrëmbyese”. Më 7 mars 1965, në Tiranë duket se zhvillohet ndeshja më alarmuese se kurrnjiherë: Vllaznia fiton 79-75 me Partizanin. Vështroni pesëshet se cilat janë:
“PARTIZANI”: M.Përmeti, L.Shatku, P.Osmani, K.Papa, J.Baho.
VLLAZNIA: B.Golemi, R.Radoja, F.Guraziu, A.Gjyrezi, N.Pali.
Nga 10 lojtarë, plot 7 janë shkodranë, sepse janë të tillë edhe dy prej tyre të “Partizanit”: “ushtarët e popullit” Luan Shatku e Petrit Osmani. E, “Vllaznia” e ka skuadrën për titull më pranë se kurrnjiherë. Ndonëse i mungojnë pra, dy “partizanasit” e saj, Shatku e P.Osmani. E edhe pa to titulli është tejet afër. Dramaticiteti i kampionatit mbërrin kulmin e tij me “17 Nëntorin” kryesues. Mirëpo, më 6 qershor “Vllaznia” fiton ndaj kryesueses në Shkodër, 58-56. Pesëshet janë këto:
“VLLAZNIA”: Radoja, Pali, Gjurba, Guraziu, Gjyrezi.
“17 NENTORI”: Shaka, Bumçi, Shehu, Kasmi, Topalli
“Vllaznia” 33 pikë, “17 Nëntori” 33, “Partizani” 31, “Dinamo” 30. Kishte vite që në basketbollin shqiptar nuk qe parë kjo baraspeshë. Skuadrat e Shkodrës dhe të Tiranës, barazohen në 33 pikë secila, kryesuar prej “Vllaznisë” falë një koshavarazhi më të mirë. Nuk ka rrugë tjetër Federata e Shqiptare e Basketbollit. Dhe vendos: ndeshje e tretë për titullin. Për fatin e keq me një anësi të pa pame. Më 1957, “Vllaznia” dhe “17 Nëntori” kishin përfunduar po kështu, me pikë të barabarta, por ndeshja për titullin qe zhvilluar në qytet asnjanës, në Durrës, në Parkun Sportiv “Nako Spiru”.
Kishte fituar “17 Nëntori”. Por tash, Federata bën një nga padrejtësitë më të mëdha që njihte sporti shqiptar: vendos njëanshmërisht që finalja të zhvillohej në Tiranë. Ngjarja ka vend më 13 qershor 1965 dhe 17 Nëntori, që dihej, kishte një skuadër mjaft të denjë, në fushën e vet, para publikut të vet, nuk e ka të vështirë të fitojë ndeshjen 74-63 dhe titullin e Kampiones së Shqipërisë. Titulli shkodran do të vononte ende…!
Aventura e këtij titulli do të niste vetëm mbas një viti, më 1966-ën. Ndërkaq, Shatku e P. Osmani të “Partizanit” priten të kthehen. E me ta edhe Çoba i “Universitetit”. Gjithçka nis më 25 shtator 1966. Fitoret shkodrane nuk ndalin: “Vllaznia” – “Luftëtari” 84-42, “Dajti” – “Vllaznia” 47- 106, “Vllaznia” – “Universiteti” 67-57, “Dinamo” – “Vllaznia” 61-64, “Labinoti” – “Vllaznia” 41-64, Mbi të gjitha “Vllaznia” – “17 Nëntori” 76-59!
Pesëshja shkodrane është e rrallë: Radoja, Shatku, Lahi, P.Osmani, Guraziu. Të gjithë shkodranë, por me një ndryshim: Tre prej tyre të tre të Kombëtares së Shqipërisë, Renato Radoja, Agim Lahi dhe Filip Guraziu ishin rritur, formuar dhe ishin bërë me kohë Kampionë të Shqipërisë nën fanellën “17 Nëntorit”./ Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm













