• Rreth Nesh
  • Kontakt
  • Albanian
Wednesday, June 25, 2025
Memorie.al
No Result
View All Result
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
No Result
View All Result
Memorie.al
No Result
View All Result
Home Dossier

“Në qelitë e Durrësit, më sollën një hetues të ri, nënkolonel Irakli Kocani, një ‘gorrillë’ që më merrte në pyetje pas mesit të natës dhe me një dërrasë që mbante mbi tavolinë…”/ Dëshmia e Uran Kalakullës

“Ju tregoj jugosllavët që njoha në kampet dhe burgjet e Enver Hoxhës deri në fundin e viteve ’80-të…”/ Dëshmia e ish-të burgosurit politik që u dënua me vdekje dhe vuajti 21 vjet në Burrel
“Kur s’pranova ta firmosja akt-akuzën, nënkryetari i Degës së Brendshme të Durrësit, Kapllan Sako, u ngrit të më godiste me grusht në fytyrë, por…”/ Dëshmia e ish-të burgosurit politik
“Kur ‘Gazi’ dhe ‘Ifa’ lanë xhadenë dhe u futën në rrugën e baltosur të Ardenicës, më kapi makthi: mos sjellja e butë e shefit të Degës Brendshme, ishte kurth, pasi…”!/ Kujtimet e shkrimtarit Sokrat Shyti
“Nga ‘Historia e Sigurimit të Shtetit’, e botuar në vitin 1974, nxirren mjaft të dhëna rreth diktaturës, si… “/ Ana e panjohur e krimeve të regjimit komunist, shqiptaro-jugosllav
“Myrtezai tha se: po më riatdhesuan në Jugosllavi, do kërkoj të shkoj në Gjermaninë Perëndimore dhe atje do shkruaj një libër kundër…”!/ Raporti i “Besniku”-t  nga Kampi  i Semanit
“Si i vrau vëllai im me granata, 15 oficerë të Garnizonit të Përmetit në ’47-ën, për hakmarrje ndaj…”/ Dëshmia e malsorit nga Dukagjini, që ç’varrosi natën eshtrat

Nga Uran Kalakulla

Pjesa e nëntë

                                                     Nazizmi dhe komunizmi

Memorie.al / Nazizmi zgjati 12 vjet, ndërsa stalinizmi 2 herë më shumë. Krahas shumë karakteristikave të përbashkëta, në mes tyre ka shumë ndryshime. Hipokrizia dhe demagogjia e stalinizmit, ishte e një natyre më të stërhollë, e cila nuk mbështetej në një program që ishte sheshit barbar, si ai i Hitlerit, por mbi një ideologji socialiste, përparimtare, shkencore e popullore, në sy e punonjësve; një ideologji që ishte si një perde e volitshme dhe komode për të gënjyer klasën punëtore, për të përgjumur mprehtësinë e intelektualëve dhe të rivalëve në luftën për pushtet. 

Gjithashtu mund të lexoni

“Në Zejmen, ku na dërguan pas revoltës, na torturuan barbarisht. Pasi na bënë nga një kryq në kokë, me makinën e qethjes, polici Anton L., më futi këpucën në gojë, e më tha…”! / Dëshmia e të dënuarit të Qafë-Barit

“Gjatë 22 vite në burgje, kam parë tmerre me vetëvrasje, po si dibranin Maliq Skuka në kampin e Rubikut, që u mbulua me batanije e, me thonj nxori sytë e tij…”! / Tmerret e diktaturës së Enver Hoxhës

Një nga pasojat e kësaj veçantie të stalinizmit, është ajo që mbarë populli sovjetik, përfaqësuesit e tij më të mirë, të aftë, punëtorë e të ndershëm, pësuan goditjen më të tmerrshme. Së paku 10-15 milionë sovjetikë, humbën jetën në dhomat e torturave të KGB-së, të martirizuar apo të ekzekutuar, si dhe në kampet e gulakëve e të të tjerëve si ata, kampe ku ishte e ndaluar të korrespondoje (në fakt ato ishin prototipe të kampeve naziste të vdekjes); në minierat nëpër akujt e Norilskut dhe të Vorkutes, ku njerëzit vdisnin nga e ftohta, nga uria, nga puna dërrmuese nëpër kantieret e panumërt, në shfrytëzimin e pyjeve, në hapjen e kanaleve dhe gjatë transportimit nëpër vagonë të plumbosur, apo në hambarët e përmbytur të anijeve të vdekjes.

                                                           Vijon nga numri i kaluar                                        

Siç duket, Metoja shkonte mirë me komandant Yzedinin, sepse dëgjoja që, shpesh, ngacmoheshin mes tyre për epërsinë e krahinës së vet. Kështu, niste dueli Skrapar-Labëri: ne kemi qenë më trima, rakinë e kemi më të mirë, konakët, bulmetin, mishin, mikpritjen e kemi, gjithashtu, më të mirë e kështu me radhë. Se, domosdo, fshatarë e malësorë, siç ishin në thelb, nuk prisja të bisedonin për Emanuel Kantin, pasi, edhe në e kishin mbaruar shtatëvjeçaren, programi i saj nuk e përmbante këtë filozof.

Metoja, veç, kishte një taksirat: kur dilnim në nevojë, të rrinte përballë (meqë dera duhej të rrinte gjithnjë hapur), dhe nuk të linte fare rehat, të kryeje atë të shkretë nevojë. Nuk e merrja dot me mend se si nuk i vinte për të vjellë e, si mund t’i hahej buka më pas. Mos vallë, kjo punë ishte specialiteti i tij?! Duket, prandaj dhe nuk vinte mish fare, se ngopej me erën e halesë sonë të përbashkët, të të gjithë vargut të birucave. Edhe aty, të ngacmonte që të dilje sa më parë: -“Hë, ngrihu tani, se bëre trembëdhjetë okë mut; do të të bie në kokë trembëdhjetë herë me nallane, që të kërcesh trembëdhjetë metra përpjetë”!

Sigurisht, më shumë se nxitje a kërcënim, kjo ishte një ndër ato shakatë e tij të rëndomta. Këtë herë jo për trimëritë, por për apoteozën e halesë, saqë të vinte t’i vije një nofkë: jo “Meto Labi”, por “Meto Haleja” apo, më saktë, “Meto Muti”! Megjithëse ishte i dobët, Metoja, po t’i jepnin urdhër hetuesit, të shkrinte në dajak e, të merrte shpirtin. A mund të ishe i butë dhe i mirë në atë farë vendi?! A nuk ishin të zgjedhur ata, për punëra të tilla, nga vetë “specialistët” e Degës, domethënë nga krye-kasapët?

Një kapter tjetër, që më bie ndërmend, ishte një farë “rinoceronti” me mbiemrin Troplini. Të paktën nga mbiemri, duhej të ishte nga ndonjë fshat i rrethit të Durrësit apo Krujës. Ishte një trupshkurtër e bullafiq, me një kokë tullace dhe me një hundë si një kastravec, nga ata kastravecët vjeshtukë, ku jeshilja përzihet me të verdhën. Por, tek Troplini, ajo hundë, që më dukej si noçkë, mes faqeve laburece, sikur kishte edhe nuanca të blusë dhe të së kuqes. Kështu, nxora përfundimin se ky Troplin, ishte alkoolist i thekur.

Por, më i poshtri, ishte Karafili. Edhe ky ishte një hollak, verdhacuk, me një hundë të hollë, të gjatë, të shtypur anash e me majë të mprehtë, e cila i jepte fytyrës së tij pamjen e dhelprës apo të çakallit. Kishte dy sy të errët, me një dritë të keqe, ogurzezë, vështrimi i të cilëve nuk premtonte kurrë një mendim të mirë. Ai ishte prototipi i spiunit sepse, siç duket, edhe natyra e kishte sajuar me atë fizik e fytyrë, pikërisht, për një punë të tillë, të ndyrë.

Gjatë gjithë turnit të tij, kurdo që t’i qëllonte, ditën a natën, ai vente e vinte, gjithë kohën, nëpër korridor dhe përgjonte pas sporteleve të birucave, se ç’bisedohej a ç’bëhej brenda tyre, sidomos kur atje kishte më shumë se dy nga ne. Donte të dinte gjithçka, të shihte gjithçka, të dëgjonte gjithçka. Dhe, kur i tekej, e hapte sportelin dhe na bërtiste duke na kërcënuar se do të na e merrte shpirtin fare.

Kisha vënë re se shokët e tij të shërbimit, nuk e donin. Veshi më kishte kapur fjalë, ku shokët shprehnin ndaj tij herë ironinë, herë përbuzjen. Për shembull, komandant Yzedini, gati nuk ia hidhte sytë fare. Me sa dukej, do ta kishte raportuar edhe atë atje në zyrat e katit të dytë, të ndërtesës pranë birucave. Kisha vënë re se Karafili, megjithatë, i sillej me një servilizëm të pështirë, por ai as ia hidhte sytë dhe, kur spiuni i fliste, kthente kokën menjëherë, gjoja se nuk e kishte dëgjuar fare. Një shok i tij i denjë, por shumë më cinik e mizor, ishte jo më një polic, por një oficer me gradën e kapitenit të parë, që quhej Muharrem Vasjari.

Ai vinte shpesh ndër birucat tona, hapte sportelin dhe, kur i ankoheshe për diçka, sipas rastit, nuk të kthente fare përgjigje. Të vështronte me ata sytë e tij prej ujku dhe buzëqeshte me një ligësi bishe e me ironi e, kur ti ishe në hall, sytë e tij shkëlqenin nga ligësia. Kishte një fytyrë të përskuqur, si në ngjyrë bakri, por, gjithmonë, me po atë nuancë jeshile të ndryshkut helmues. Nuk di saktë se cila ishte detyra që kryente. Ndoshta ishte krye-hetues i Degës, ndoshta xhelati që i çonte të dënuarit në tortura, në pushkatim a varje.

Se dukej qartë që kënaqësia e tij më e madhe ishte, pikërisht, kryerja e kësi lloj punësh. Në gjithë personelin e Degës së atij qyteti a rrethi, si ai i Durrësit (personel që, sigurisht, nuk pata “kënaqësinë” ta njihja të tërin), them se shoku ideal i këtij farë Muharremi, mund të ishte vetë kryetar i Degës Brendshme, Kopi Niku e, pse jo, edhe ndihmësi i tij i parë, nënkryetari i atëhershëm, Kapllan Sako, për të cilin, vite më vonë, dëgjova se ishte bërë edhe kryetar i hetuesisë së Drejtorisë së Sigurimit.

Mua në birucat e Durrësit, as nuk më rrahën, as më torturuan!

Nuk dua të shtoj gjëra të paqena. Se, së pari, unë rrija urtë e më shumë kujdes. Si në të folur, ashtu edhe në punë të tjera, mundohesha të isha i kujdesshëm, në çdo drejtim. Por kam dëgjuar se disa të tjerë, i patën rrahur dhe torturuar aq keq, saqë klithmat e tyre të ngjethnin mishtë. Edhe pse s’më rrahën e torturuan, mos vallë duhet ta quaj atë të mallkuar birucë, vend rehati, qejfi?!

Takimi me “Gorillën” dhe shefin e tij

Ndërkohë, hetuesia kishte hyrë në hullinë e vet. Tashmë jo një, por më tepër se një nga ne të arrestuarit, e kishte hapur gojën. Asnjëherë nuk e mora vesh se kush kishte qenë i pari, sepse, kur ndodhesha në birucat e Kocit (siç i quanin), në Tiranë, hetuesi i asaj kohe, major Llambi Titani, nuk ma la ta shihja dosjen hetimore. Atë unë vetëm sa e preka me duar dhe vura firmën, sepse doja të mbaronte sa më shpejt ajo dreq pune, e cila ma kishte prurë në majë të hundës dhe të shkonim, tashmë në gjyq. Të dilte, ku të dilte.

Në Durrës, pas dy seancave të para (asaj me kryetarin e degës së Tiranës, Jonuz Mersinin dhe të Degës së Durrësit, Kopi Nikon, si dhe asaj të ditës tjetër me Kapllan Sakon dhe prokurorin ushtarak me mbiemrin Skënderi), më thirri një farë hetuesi tjetër, me emrin Sotir Xega. Tashmë, vetëm për vetëm. Edhe pse civil ai, siç më tha, mbante gradën e kapitenit të parë. Ishte një shkatërrime e gjallë, si nga trupi, ashtu edhe nga fytyra. Kishte një fytyrë të fishkur, të hollë e të rrudhosur, si spec turshi. Ca sy të shpëlarë, një shprehje fytyre, që nuk ishte në gjendje të tregonte as egërsinë apo, të paktën, zemërkeqësinë.

Dhe, kur fliste, të dukej se më shumë belbëzonte. Madje, shpesh, bashkë me gjysmë-fjalët, i dilnin nga goja edhe jargë. Pra, ishte një qenie e pështirë. Edhe shkrimin e kishte siç ishte vetë. Këmbët e pulave, ndoshta, kishin më bukuri se shkrimi i tij. Dukej sheshit se sapo e kishte kaluar kursin e analfabetizmit, pasi injoranca i dilte si zift i zi, nga poret e lëkurës së tij të flashkur e, gjithë rrudha të fytyrës. Për dreq edhe zërin e kishte si një gërrimë: diçka mes ngjirjes dhe zhurmës që bën llamarina, tek mpreh thonjtë macja.

Sotiri e mori shtruar. Atë s’e pashë kurrë as të nxehej dhe as të hakërrohej e të shante. Le për të qëlluar, jo se jo. Ndoshta, kjo e fundit nuk ndodhi, sepse fizikisht unë e haja atë me gjithë kocka. Dhe unë nuk isha aspak ndonjë trup i bëshëm, përkundrazi. Por ai ishte edhe shumë më keq se unë. Ku dreqin e kishin psonisur, një hetues të tillë?!

Nga epërsia ime, pse jo dhe fizike, isha unë që nganjëherë merrja zjarr. Dhe atëherë Sotiri tërhiqej, zbutej a squllej më shumë dhe pranonte të shkruante vetëm ato që i thoja unë, çka, në të vërtetë, nuk ishte aspak deponim, por llafologji që s’kishte asnjë kuptim e, që më shumë, tingëllonte si tallje më vete, procesin hetimor. Gati-gati hetimi me Sotirin, sikur më fyente, sepse më dukej sikur mua, s’ma kishin varur fare e, më kishin quajtur vrima e fundit e kavallit. Nuk di nëse edhe të tjerët kishin po atë Sotir hetues, sikurse unë.

Por, tek mendoja më tutje, sigurisht që më vinte fort mirë, që s’më kishin “begenisur”, se më leverdiste. Kjo, shqip, për mua, donte të thonte: ata ende nuk dinin asgjë për Grupin e Tiranës dhe se ne ndodheshim aty (unë dhe Tanushi), vetëm si bishta të Pjetrit e Zeqirit. Dhe, vërtetë, sikur të vazhdonte kjo punë deri në fund, unë do të isha dënuar më pak se të gjithë; Tanushi diçka më shumë se unë e, dënimin më të madh do ta merrte Pjetri me Zeqirin, për hartimin dhe kapjen në dorë të të mallkuarit “program”.

Ah, sikur të kishte vazhduar kështu! Të gjithë ne, domethënë ne të katër që ishim arrestuar të parët, do të kishte qenë fare më lehtë, që tre nga shokët e grupit të Tiranës, ndoshta, do të kishin shpëtuar fare pa lagur. Me Sotir Xegën, si hetues, edhe ne të arrestuarit, do ta kishim pasur shumë më të lehtë.

Por, mjerisht, nuk ndodhi kështu, sepse një ditë prej ditësh, kur më thirrën në hetuesi, u gjenda para një surrati të ri. Ky ishte një burrë i ri, shtathedhur, me fytyrë të kuqe e gjithë shëndet, flokëverdhë e të valëzuar. E quanin Koço Kostandini, që për mua donte të thoshte: Koço në fuqinë e dytë, sepse “Koço” a nuk është shkurtim i emrit të plotë Kostandin? Pra, shkurt: ose Kostandin Kostandini, ose Koço Koçoja.

Ky Koço Koçoja, m’u paraqit si hetues i Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit. Pra, vinte nga Tirana. Kjo donte të thonte për mua se kishte ndodhur diçka fort e keqe, se puna s’ishte hiç mirë dhe se Dega Brendshme e Durrësit, tashmë, me Sotir Xegën e shokët e tij, i kishin larë duart me ne dhe se na kishin dorëzuar te kasapë më të stërvitur apo krye-kasapë, sido që, në fund të fundit, të gjithë kasapët e Sigurimit, njësoj ishin, gjersa merrin më qafë, shpirtëra dhe jetë njerëzish.

Ky gjiatosh, flokë e fytyrë-kuq, sapo më çuan para tij, pas fjalëve të para, nisi të më thoshte se, hetuesia e vërtetë, ajo tamam “profesioniste”, niste tani, me të. Sipas tij, ata që kisha patur gjer atëherë, s’ishin juristë, por vetëm Punëtorë Operativë, pra, aspak të zanatit. Kështu, ai pandehte se ky “ndryshim cilësie”, do të kuptohej si diçka e mirë, e favorshme për mua; a thua se unë vdisja për “profesionalizmin” e tij! Pandehte, budallai, se kështu do të fitonte pikë tek unë dhe se do t’ia zbrazja barkun.

Për mua, ai lloj “profesionalizmi”, edhe sikur të ishte i vërtetë, do të ishte një hanxhar disi më i mprehtë, një bisturi që do të kërkonte të depërtonte, deri në indet më të holla të qenies sime. Në fakt, siç konstatova, edhe ky Koço Koçoja, s’ishte tjetër, veçse një nallban, si të gjithë ata që kisha pasur deri në atë kohë. Çudi e madhe! Kam kaluar përmbi dhjetë hetues, që nuk e di përse m’i ndërronin.

Dhe secili prej tyre, fliste keq, me përçmim, për paraardhësin e tij dhe, madje, për të gjithë të tjerët. Vallë, kjo ishte një lloj taktike e tyre, për të fituar besimin e të pandehurve? Ndoshta! Por unë mendoj se, në këtë mes, kishte një të vërtetë të madhe, që me jepte të kuptoja qartë, se edhe ata, mes tyre, nuk e donin dhe nuk e respektonin fare njeri-tjetrin.

Me një fjalë, kjo për mua ishte shenja se kishte nisur kalbja, degjenerimi shpirtëror dhe moral i kalasë që, së jashtmi, dukej diçka fort solide, e pathyeshme, e pavdekshme. Para se të bija në burg, unë kisha nxjerrë përfundimin, se i vetmi organ i pushtetit dhe partisë së kuqe, që dukej si më i përkryeri e punonte si sahat, ishte Sigurimi i Shtetit. Por, kontakti i drejtpërdrejtë me të, qysh në orët e para të arrestimit, me dha të kuptoja se, kjo s’ishte aspak e vërtetë.

Shumica e njerëzve të Sigurimit, me të cilët pata taksiratin të përballem, herë drejtpërdrejt e herë tërthorazi (ngaqë s’kisha si u shmangesha), për njëzet e një vjet burg që kalova, ishin të trashë, injorantë. Ata kishin vetëm në emërues të përbashkët: ishin katilë, mizorë, të pabesë dhe kapadainj, deri në neveri dhe urrejtje. Dikush prej tyre, mund të ishte edhe dinak, por deri këtu. Dhe dihet që dinakëria, nuk është kurrë e barabartë me inteligjencien.

Seancat hetimore me Koço Kostandinin, nuk vazhduan gjatë dhe, një ditë prej ditësh, ulur në tavolinë, u përballa me një surrat tjetër. A thua “profesionalizmi” i Koços nuk kishte mjaftuar dhe tani kishte ardhur një “profesionalist” më i lartë, me “gradë shkencore”, sigurimsë?! Në fakt, ky surrat i ri kishte gradën e nënkolonelit, edhe pse vinte gjithnjë i veshur civil.

Ai quhej Irakli Kocani. Ishte nga bregdeti i Jugut, por nuk e di nga ç’fshat! Nga e folura, dukej si minoritar. Ishte një korrozi si evgjit, por me trup të bëshëm, si të ariut apo, më mirë, të gorillës. Fytyra e tij e ënjtur nga dhjamosja e pështirë, aty-këtu, mes poreve të zeza (si të mekanikëve që futen poshtë makinave e, bëhen gjithë naftë e graso), krijonte një laryshi të pështirë, si ajo e gëlbazës se një veremliu. Pa kishte edhe një zë të trashë, tamam si hungërimë gorille.

Kështu, “profesionalizmi” i këtij subjekti, qëndronte (siç provova më pas), vetëm në të sharat, ulërimat dhe dhunën fizike. Gjeta belanë me të. Gjer atëherë, për të qenë i saktë, nuk më kishin rrahur e torturuar. Me këtë “gorillë”, nisi edhe kjo punë. Para tij, unë dukesha si një kleçkë. Ai me një grusht, mund të më hidhte në tokë pa ndjenja. Por, shyqyr Zotit, puna nuk arriti gjer këtu, se, ndoshta, mund edhe t’i kisha mbetur në dorë. Edhe ata nuk e donin këtë gjë, jo se u dhimbseshin ne, por sepse donin të na nxirrnin në gjyq, të na thyenin e të pranonim ato që u donte qejfi atyre.

Shpesh më merrte në hetuesi, pas mesit të natës. Kapterët e birucave dhe ata të shoqërimit, e hapnin derën e unë nuk ndieja fare, se isha në gjumë të thellë. Më tundnin me çizme që të çohesha dhe, duke më kapërthyer si ujku delen, më merrnin gati gjysmë të zhveshur dhe më shpinin lart, para tavolinës së surratit të zi, i cili një copë herë më shikonte pa folur, si ujk dhe, pastaj, kur unë, që mezi e kisha mbledhur veten, nuk pranoja ato që thoshte ai, më ulërinte, më turrej, më binte me grushte në kokë, ose me një dërrasë që e mbante mbi tavolinë, sa gati të më thyente rrashtën e kresë.

Unë, sa të mundja, i shmangesha, për të zbutur disi goditjen ose për ta bërë që t’i dilte huq. Kështu, ky duel, që nuk di sa zgjaste, merrte fund me kërcënime dhe sharje nga më të ndyrat. Tashmë, sharja e parë e Mihallaq Ziçishtit ishte harruar. Para sharjeve të kësaj “gorille”, ato kishin qenë “komplimente”! Dhe, kur unë i kthehesha me fjalë, atëherë “gorilla” tërbohej, më kapte për fyti, sa gati më merrte frymën dhe më plaste për tokë.

Dukej qartë: në punë të fjalorit, ai kishte bërë “Akademinë e Brrakës”, në Tiranë. Si e pësova kështu mjaft herë, vrava mendjen dhe ia gjeta mënyrën atij qeni, për ta penguar të më afrohej. Se, kur s’të mjafton forca fizike, dredhia është e vetmja armë që të mbetet. Kështu, sa më shpinin para tij, unë nisja të kollitesha, tamam siç bëjnë tuberkulozët e një shkalle të avancuar. Një herë, ai më pa nga larg dhe më pyeti:

– “Ç’ke që kollitesh si qeni, kur i mbetet kocka në grykë”?

– “Jam tuberkuloz dhe kam nisur të vjell gjak”. Ja ktheva unë hazër xhevap!

Domosdo, nuk vura re tek ajo bishë as ndjenjën më të vogël të keqardhjes që, fundja, as e prisja një gjë të tillë. Por, në atë fytyrë të neveritshme, vura re mirë shenjat e dukshme të frikës, sigurisht, jo për mua, por për veten e tij, frikë se mos i ngjisja “sëmundjen” time. Dhe, kështu, ky marifet më shpëtoi nga afrimi i tij fizik, por i padëshiruar në të gjitha drejtimet. (Se mos është ndonjë kënaqësi e madhe, të të afrohet një “gorillë” e xhunglës, apo ndonjë ari i egër i pyllit! Le që bien erë të qelbur, por thonjtë e dhembët e tyre, s’premtojnë asgjë të mirë.) Ja, kështu qe puna edhe me këtë egërsirë të hetuesisë. Memorie.al

                                                               Vijon numrin e ardhshëm

ShareTweetPinSendShareSend
Previous Post

“Vënd-strehimin e kohës së diktaturës, që do na mbronte nga armiku imagjinar, unë e ktheva në një kantinë, ku prodhoj verë, raki e pije të tjera, pasi...”!/ Historia e rrallë e mjekut të njohur sportiv

Next Post

“Ministria e Brendshme, kishte të dhëna se në kampin e Qafë-Barit, po përgatitej një arratisje masive dhe ajo e inskenoj vetë ngjarjen e 22 majit ’84, pasi...”/ Refleksionet e ish-protagonistëve kryesorë të revoltës

Artikuj të ngjashëm

“Në Zejmen, ku na dërguan pas revoltës, na torturuan barbarisht. Pasi na bënë nga një kryq në kokë, me makinën e qethjes, polici Anton L., më futi këpucën në gojë, e më tha…”! / Dëshmia e të dënuarit të Qafë-Barit
Dossier

“Në Zejmen, ku na dërguan pas revoltës, na torturuan barbarisht. Pasi na bënë nga një kryq në kokë, me makinën e qethjes, polici Anton L., më futi këpucën në gojë, e më tha…”! / Dëshmia e të dënuarit të Qafë-Barit

June 25, 2025
“Në kampin e Spaçit, kushtet nuk ndryshonin shumë, vepronte rregullorja e Repsit, po ato mizori kriminale, madje më të tmerrshme, po ato ushtarë të armatosur, që thirrjen; ‘ndal se do të qëlloj’, e…”/ Dëshmia e rrallë e ish-të burgosurit politik
Dossier

“Gjatë 22 vite në burgje, kam parë tmerre me vetëvrasje, po si dibranin Maliq Skuka në kampin e Rubikut, që u mbulua me batanije e, me thonj nxori sytë e tij…”! / Tmerret e diktaturës së Enver Hoxhës

June 24, 2025
“Ditën që shpërtheu revolta, oficer i rojes ishte një matjan, Asllan Kurti, ai e qëlloj Kosta Gjordenin, pasi…”/ Ana e panjohur e revoltës Qafë-Barit, sipas organizatorëve kryesorë të saj, ish-të burgosurve politikë
Dossier

“Ministria e Brendshme, kishte të dhëna se në kampin e Qafë-Barit, po përgatitej një arratisje masive dhe ajo e inskenoj vetë ngjarjen e 22 majit ’84, pasi…”/ Refleksionet e ish-protagonistëve kryesorë të revoltës

June 23, 2025
“Ditën që shpërtheu revolta, oficer i rojes ishte një matjan, Asllan Kurti, ai e qëlloj Kosta Gjordenin, pasi…”/ Ana e panjohur e revoltës Qafë-Barit, sipas organizatorëve kryesorë të saj, ish-të burgosurve politikë
Dossier

“Ditën që shpërtheu revolta, oficer i rojes ishte një matjan, Asllan Kurti, ai e qëlloj Kosta Gjordenin, pasi…”/ Ana e panjohur e revoltës Qafë-Barit, sipas organizatorëve kryesorë të saj, ish-të burgosurve politikë

June 22, 2025
“Kur s’pranova ta firmosja akt-akuzën, nënkryetari i Degës së Brendshme të Durrësit, Kapllan Sako, u ngrit të më godiste me grusht në fytyrë, por…”/ Dëshmia e ish-të burgosurit politik
Dossier

“Kur s’pranova ta firmosja akt-akuzën, nënkryetari i Degës së Brendshme të Durrësit, Kapllan Sako, u ngrit të më godiste me grusht në fytyrë, por…”/ Dëshmia e ish-të burgosurit politik

June 22, 2025
“Kur Kosta Gjordeni i plagosur bërtiste; ‘më qëllun komunistat, kriminelat, të dënuarit H. Tabaku, L. Shkëmbi e N. Skrapari afrohen, por breshëria e armëve…”/ Kujtimet e ish-të burgosurve të Qafë-Barit
Dossier

“Kur Kosta Gjordeni i plagosur bërtiste; ‘më qëllun komunistat, kriminelat, të dënuarit H. Tabaku, L. Shkëmbi e N. Skrapari afrohen, por breshëria e armëve…”/ Kujtimet e ish-të burgosurve të Qafë-Barit

June 21, 2025
Next Post
“Ditën që shpërtheu revolta, oficer i rojes ishte një matjan, Asllan Kurti, ai e qëlloj Kosta Gjordenin, pasi…”/ Ana e panjohur e revoltës Qafë-Barit, sipas organizatorëve kryesorë të saj, ish-të burgosurve politikë

“Ministria e Brendshme, kishte të dhëna se në kampin e Qafë-Barit, po përgatitej një arratisje masive dhe ajo e inskenoj vetë ngjarjen e 22 majit ’84, pasi...”/ Refleksionet e ish-protagonistëve kryesorë të revoltës

“Historia është versioni i ngjarjeve të kaluara për të cilat njerëzit kanë vendosur të bien dakord”
Napoleon Bonaparti

Publikimi ose shpërndarja e përmbajtjes së artikujve nga burime të tjera është e ndaluar reptësisht pa pëlqimin paraprak me shkrim nga Portali MEMORIE. Për të marrë dhe publikuar materialet e Portalit MEMORIE, dërgoni kërkesën tuaj tek [email protected]
NIPT: L92013011M

Na ndiqni

  • Rreth Nesh
  • Privacy

© Memorie.al 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.

No Result
View All Result
  • Albanian
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme