Dashnor Kaloçi
Pjesa e tretë
Memorie.al publikon disa dokumenta arkivore të nxjerra nga Arkivi Qëndror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qëndror të PPSH-së), ku ndodhet ditari politik i Enver Hoxhës në periudhën mars-prill 1981, kohë kur filluan demonstratat dhe protestat masive të popullit të Kosovës, i cili u ngrit për të kërkuar të drejtat dhe liritë e tij legjitime, ashtu siç i kishin dhe i gëzonin edhe kombësitë dhe kombet e tjera që përbënin Republikën Federative të Jugosllavisë. I gjithë ditari politik i udhëheqësit kryesorë të Shqipërisë komuniste, ku ai dhe Tirana zyrtare e asaj kohe, i ndoqën me vëmendje ngjarjet e Kosovës dhe u prononcuan hapur publikisht, duke dalë hapur në mbrojtje të vëllezërve tanë kosovarë përtej kufirit që jetonin prej shekujsh në trojet e tyre etnike, të cilët u ngritën për të kërkuar të drejtat dhe liritë e tyre legjitime ashtu siç i kishin dhe gëzonin edhe kombësitë dhe kombet e tjera të Jugosllavisë së asaj kohe, dhe duke akuzuar Beogradin zyrtar për politikën diskriminuese që kishte ndjekur regjimi titist deri në atë kohë ndaj Kosovës dhe gjithë popullsisë shqiptare që jetonte nën Jugosllavi, dhe gjithashtu duke akuzuar edhe udhëheqjen e Kosovës si “pro-titiste”, dhe “të shitur tek udhëheqja e Beogradit”.
“Siç bëjnë të ditur agjencitë e lajmeve, në Prishtinë e në Podujevë, dje dhe sot, studentët, me të cilët janë bashkuar edhe punëtorë, shpërthyen në demonstrata dhe, përleshje të tjera, më të furishme se të parat. Situata është bërë shumë e nderë. Autoritetet jugosllave Prishtinën e kanë rrethuar me tanke. Në Kosovë kanë ardhur nga Beogradi forca të mëdha policie dhe të milicisë serbe. Është shpallur gjendja e shtetrrethimit, është ndaluar qarkullimi me grupe dhe filluan llogjet e lakenjve titistë, që nga Fadil Hoxha, Xhavit Nimani, Asllan Fazllija e të tjerë. Ç’nuk thanë ata kundër demonstruesve, përdorën të gjitha fjalët që përmban fjalori titist, bënë akuzat më të ndyra: “Nacionalistë shqiptarë”, “irredentistë”, “informbyroistë”, “agjentë të imperializmit”, “ballistë” etj. Pas të sharave dhe akuzave kundër studentëve shqiptarë, hosanara për Titon, për titizmin, për vetadministrimin dhe për “fitoret e Kosovës”. Pas hosanarave për titizmin, premtime mashtruese “do të bëjmë këtë”, “do të bëjmë atë”, “ka vështirësi, po fajin e ka kriza botërore” etj. Më në fund arrestimet e shumta dhe kërcënime për raprezalje akoma më të mëdha. Është e qartë, kosovarët janë të shtypur, të mjeruar, janë gjakosur nga serbomëdhenjtë dhe nga titizmi”.
Kështu shkruan në mes të tjerash ish-udhëheqësi kryesor i Shqipërisë komuniste, Enver Hoxha, në ditarin e tij të datës 3 prill të vitit 1981, duke u fokusuar në ngjarjet e Kosovës, e cila asokohe ishte Krahinë Autonome në përbërje të Republikës Federative të Jugosllavisë, ku vetëm disa muaj pas vdekjes së Marshallit Josof Broz Tito (4 maj 1980), që e qeverisi atë vend për gati 35 vite me rradhë që nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore, në Jugosllavinë që ai la pas, do të fillonin trazirat e brendshme, siç ishin demonstratat e protestat masive të popullit të Kosovës, i cili u ngrit për të kërkuar të drejtat dhe liritë e tij legjitime, ashtu siç i kishin dhe i gëzonin edhe kombësitë dhe kombet e tjera që përbënin Republikën Federative të Jugosllavisë, për të kaluar deri në thirrjet “Kosova Republikë”.
Ashtu siç dihet tashmë, gjë të cilat do t’i shikojmë edhe nga këto dokumenta arkivore ku ndodhet ditari politik i Enver Hoxhës, udhëheqësi kryesorë i Shqipërisë komuniste dhe Tirana zyrtare, i ndoqën me vëmendje ngjarjet e Kosovës dhe u pronocuan publikisht, duke dalë hapur në mbrojtje të vëllezërve tanë kosovarë përtej kufirit që jetonin prej shekujsh në trojet e tyre etnike dhe duke akuzuar Beogradin zyrtar për politikën diskriminuese që kishte ndjekur deri në atë kohë ndaj Kosovës dhe gjithë popullsisë shqiptare që jetonte nën Jugosllavi, dhe gjithashtu duke akuzuar edhe udhëheqjen e Kosovës si “pro-titiste”, dhe “të shitur tek udhëheqja e Beogradit”.
Por ndryshe nga sa thoshte me fjalë, nuk e bëri kurrë me vepra dhe qëndrimi që mbajti Tirana zyrtare ndaj ngjarjeve të Kosovës në pranverën e ’81-it, duket se ishin thjesht sa për fasadë dhe vetëm për konsum publik në arendën ndërkombëtare, pasi regjimi komunist i Enver Hoxhës që nga viti 1949 kur Tirana zyrtare i prishi marrëdhëniet me Jugosllavinë e Marshallit Tito, e deri në fundin e viteve ’80-të, ndaj kosovarëve që vinin në Shqipëri për t’i shpëtuar përndjekjeve të regjimit titist, ndoqi një politikë edhe më të egër ndaj tyre, duke i burgosur, torturuar dhe internuar, me akuzat shabllone “agjentë të UDB-së”! Po kështu, edhe pse në ngjarjet e pranverës së vitit 1981 e në vijim, Tirana zyrtare në dukje i përkrahu demonstratat e popullit të Kosovës dhe kërkesat e tyre “Kosova Republikë”, Enver Hoxha kurrsesi nuk do të donte që ajo gjë të bëhej realitet, pasi në një farë mënyre, do krijoheshin dy shtete shqiptare, ku Kosova do bëhej faktor dhe Shqipëria nën udhëheqjen e tij, do defaktorizohej në arenën ndërkombëtare. Në këtë kontekst, menjëherë pas atyre ngjarjeve, Tirana zyrtare intesifikoj përndjekjen dhe dhunën ndaj kosovarëve që ishin në Shqipëri, duke arrestuar dhe dënuar me burgime të gjata disa intelektualë kosovarë, si p.sh.: Selim Kelmendin, Estref Kelmendin, Shefqet Kelmendin, Naimk Lucin, etj., të cilët u arrestuan në vitin 1983, duke u akuzuar se “kishin tentuar t’i bënin atentat udhëheqësit kryesor, Enver Hoxhës, gjatë vizitës që ai kishte bërë në Muzeun “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Krujë në vitin 1980”.
Dhe të gjitha këto, bëheshin për të ulur reputacionin e kosovarëve dhe Kosovës në sytë e shqiptarëve të atdheut amë. Gjithsesi këto mbeten objekt analizash që nuk janë objekt I këtij shkrimi, ku po publikojmë vetëm ditarin politik të Enver Hoxhës, që ai ka mbajtur në atë periudhë kohe, të cilin Memorie.al boton për herë të parë dhe të plotë, duke filluar nga numri i djeshëm.
Ditari politik i Enver Hoxhës për ngjarjet e demonstratave dhe protestave të popullit të Kosovës në pranverën e 1981-it
Për qeverinë jugosllave qenka normale që jugosllavët mbrojnë minoritetet e tyre jashtë republikës dhe që popullata ku jetojnë këto minoritete as grihet nga plumbat e mitralozave, as shtypet nga tanket, kurse për Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë qenka “shovinizëm, irredentizëm, kundërrevolucionare”. Nga vjen, ku e ka vallë burimin kjo “alergji” e madhe antishqiptare e jugosllavëve?! Gabohet udhëheqja jugosllave se gënjen njeri, e sidomos opinionin botëror, se Shqipëria socialiste kërkon ose bën lojën e atyre që duan minimin e Federatës.
Federatën e ka minuar vetë titizmi, kjo rrymë armiqësore e marksizëm-leninizmit, e ka minuar sistemi antisocialist i vetadministrimit, e kanë minuar borxhet e mëdha që kanë mbuluar popullin dhe kanë shkaktuar inflacionin, papunësinë e madhe, ngritjen e çmimeve, pabarazinë e zhvillimit, varfërinë. Kush thellohet në këto probleme kyç, do të dalë menjëherë në përfundimin se Shqipëria socialiste nuk është për minimin e Federatës, siç e shprehu Dolanci. Dolanci gabohet rëndë kur mendon të frenojë lakmitë serbe për hegjemoni përballë hegjemonisë kroato-sllovene, duke prerë me thikë se “Kosova nuk do të bëhet kurrë republikë”.
Haraç i këtij antagonizmi nuk duhet të bëhet Kosova. Jugosllavët hiqen “politikanë të zgjuar”, por tregohen jo vetëm naivë, por edhe të hutuar. Plaga dhe përçarja nuk qëndron në demonstratat e Prishtinës. Ato duhen kërkuar në udhëheqjen jugosllave, në shovinizmat e mëdhenj e të vjetër që ka krijuar sistemi i vjetër jugosllav dhe ai i riu i tyre antisocialist. Nuk mbahet shtëpia me miell hua. Këndej vjen ajo përçarje, e keqe të cilën ne nuk ia duam aspak popujve vëllezër të Jugosllavisë. Politika pa parime e udhëheqjes jugosllave nuk të nxjerr në asnjë rrugë të drejtë. Ne jemi zotër në shtëpinë tonë dhe bëjmë politikën që e gjejmë më të mirë e më të drejtë. Populli ynë na shikon, na gjykon, e mbron këtë politikë ose e dënon, në qoftë se është e gabuar.
Por faktet, jeta, puna tregojnë se populli shqiptar e mbështet me të gjitha forcat vijën e drejtë të Partisë dhe të pushtetit të tij. Revizionistët jugosllavë ne na quajnë stalinistë, dogmatistë, informbyroistë e me të tjera epitete. Malet tona më të larta! Jemi stalinistë, marksistë-leninistë. Edhe popujt e Jugosllavisë bëjnë politikën e tyre. Udhëheqësit jugosllavë, po ashtu, bëjnë politikën e tyre. Dhe ne kemi të drejtë të gjykojmë e të dënojmë ideologjinë e tyre, të gjykojmë politikën e tyre. Por ne nuk mund të lëmë pa u thënë popujve të Jugosllavisë dhe gjithë atyre udhëheqësve jugosllavë që arsyetojnë se “Është populli shqiptar që jeton në Jugosllavi ai që mund të prishë stabilitetin dhe ekuilibrin e Federatës, pse kërkon t’i njihet statusi i republikës brenda Federatës”, se nuk duhet të sillen keq ndaj shqiptarëve që jetojnë në Jugosllavi.
Shqiptarët janë luftëtarë trima që kanë të drejtë të luftojnë për lirinë e tyre dhe për atë të popujve vëllezër jugosllavë, në rast se këta sulmohen nga revizionistët agresorë sovjeto-bullgarë. Janë këta të fundit dhe të tjerë si këta që rrezikojnë Jugosllavinë. Nga shqiptarët as i ka ardhur, as do t’i vijë ndonjë e keqe Jugosllavisë. Prandaj udhëheqja jugosllave të tregohet shumë gjakftohtë dhe shumë e drejtë ndaj shqiptarëve. T’u vërë fre akteve barbare kundër tyre, të dënojë rreptë ata që dhanë urdhra dhe qëlluan mbi masat e shqiptarëve, të stabilizojë gjendjen shpirtërore, politike dhe të ndalojë kasnecët serbo-kroato-sllovenë dhe lakenjtë e tyre shqiptarë në Kosovë që të shpifin dhe të sulmojnë Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë dhe popullin shqiptar.
Në qoftë se vazhdohet kështu, siç po veprohet nga ju, asgjë e mirë nuk do të dalë. Ata udhëheqës shqiptarë në Kosovë, që sulmuan popullin, le t’i gjykojë ky vetë. Populli shqiptar, që jeton në trojet e veta në Jugosllavi, di të dallojë shërbëtorët nga djemtë dhe bijtë e tij të ndershëm dhe janë të kota përpjekjet që bëhen për t’i komprometuar, duke i detyruar të flasin e të dërgojnë telegrame për konsum, të përgatitura në ofiçinat e UDB-së, që përgjojnë deri nëpër shtëpi e nëpër familje. “Liri” dhe “demokraci” e bukur “vetadministruese”! Ne duam që çdo gjë të normalizohet dhe i themi kasnecit ustash të Radio Zagrebit që “është e vërtetë se historia do të gjykojë se kush ka të drejtë”, ju apo ne, shqiptarët.
Sa për frikë s’janë shqiptarët që e njohin atë dhe nuk gjen në historinë e tyre barbarizma si të ustashëve, të vjetër e të rinj. Në Beograd kanë filluar të dalin libra me tituj bombastikë, që bien erë megalomani dhe shovinizëm të pafrenuar me hapësira panballkanike, si “Lufta për Ballkanin” e Svetozar Vukmanoviç Tempos, “Aspekte të çështjes maqedonase” dhe një libër “Mbi realitetin në Ballkan”, i Llazar Kolishevskit. Në Bullgarinë revizioniste, koloni e vërtetë e revizionistëve sovjetikë, po shkruhen artikuj të gjatë, bëhen festime e mbahen fjalime “për Bullgarinë e madhe të Shën Stefanit”, që i çon kufijtë e saj deri në Shqipëri! Këta njerëz asgjë s’kanë mësuar dhe asgjë s’kanë harruar nga historia! Vetëm shqiptarët, që janë bërë preja e tyre, na qenkan “kundërrevolucionarë, shovinistë dhe irredentistë”.
Po le të lëmë të flasë me gojën e tij zoti Kolishevski, ish-kryetar i Presidencës së Jugosllavisë, në librin në fjalë. Ai shkruan pikërisht (sipas agjencisë ‘Tanjug’ nga Beogradi, më 15 prill 1981): “Eshtë fakt se ne ekzistojmë, se Republika Socialiste e Maqedonisë dhe kombi maqedonas po zhvillohen dhe riafirmohen vazhdimisht dhe se ndjenja që ushqen çdo maqedonas, se është një pjesë e kombit të tij, po bëhet gjithnjë e më e fortë pavarësisht se ku jeton. Ky është një proces që askush nuk mund ta ndalë”. (Nënvizuar prej meje.) Si t’i cilësojmë këto mendime, zotërinj Dolanc, Dragosavac, Vidiç e të tjerë, që akuzoni shqiptarët e Kosovës dhe Shqipërinë socialiste si “shoviniste, kundërrevolucionare dhe irredentiste”?
“Ky proces i zhvillimit dhe i afirmimit, që askush nuk mund ta ndalojë” na qenka një e drejtë vetëm për popullin maqedonas të Maqedonisë (ku jetojnë në tokat e tyre më tepër se 400 mijë shqiptarë)? Po në Kosovë dhe në vise të tjera të Jugosllavisë, ku jetojnë më tepër se 1.800.000 shqiptarë, a nuk zhvillohet ky proces? A nuk është një fakt se edhe atje ekziston një komb, që nuk kërkon veçse të drejtën të shpallet republikë brenda Federatës? Atëherë ky proces, “të cilin nuk mund ta ndalë askush për maqedonasit”, pse ndalohet për shqiptarët? I akordoni të paktën me njëri-tjetrin mendimet, por jo në kurriz veçanërisht të popullit shqiptar që jeton në Jugosllavi! Shumë flasin udhëheqësit jugosllavë për luftën nacionalçlirimtare “që krijoi unitetin e Federatës”, por të mos harrojnë se edhe populli shqiptar nuk luftoi më pak për çlirimin dhe unitetin e kombit të tij. Bile ai derdhi gjakun e bijve të tij edhe për çlirimin e popujve të Jugosllavisë.
Këtë jo vetëm që nuk e pohoni me plot gojën, por na akuzoni si “shovinistë dhe irredentistë”, që s’kemi qenë dhe as do të jemi kurrë! Shqiptari historikisht ka vendosur dhe vendos vetë për fatet e tij. Të tjerë janë përzier dhe janë borxhlinj ndaj shqiptarëve. Shqiptarët s’i kanë borxh kurrkujt, as borxhe morale, as borxhe politike, as borxhe materiale. Sistemin tonë të vërtetë socialist, të ndërtuar në bazat e marksizëm-leninizmit, nuk keni pushuar kurrë, s’e keni mbyllur gojën kurrë së sulmuari me epitete përçmuese si “Stalinist”, “etatist-burokratik”, e të tjera si këto. Një pseudoteori të tërë keni ndërtuar ju për këtë mision. Ju e mbroni dhe e propagandoni “sistemin tuaj vetadministrues” si një “nga format më të përsosura të socializmit” dhe, për të mbrojtur njërën, sulmoni tjetrën. Bile sistemin tuaj e reklamoni me të madhe ku të mundni dhe te kushdo që e ha. Kjo është puna juaj. Por është edhe puna jonë të mbrojmë teorinë marksiste-leniniste, socializmin shkencor dhe ndërtimin e socializmit me sukses në Shqipëri në bazë të mësimeve të Marksit, Engelsit, Leninit dhe Stalinit.
Ne luftojmë dhe do të luftojmë pa u lëkundur kundër kapitalizmit botëror, kundër imperializmit dhe revizionizmit modern, qoftë ky sovjetik, kinez, jugosllav apo eurokomunist, si dhe kundër çfarëdo reformizmi, që predikon shuarjen e luftës së klasave, që shtyp revolucionin, që degjeneron klasën punëtore, unitetin e saj luftarak dhe gënjen e mban nën zgjedhën e kapitalit popujt e botës që luftojnë për çlirim nga çfarëdo zgjedhe. Ne jemi dhe luftojmë ideologjikisht kundër “vetadministrimit” tuaj, i cili është për ne një sistem kapitalist, pseudosocialist, kundërrevolucionar. Këtë e bëjmë dhe do ta bëjmë pa lëkundje.
Është e qartë se ideologjikisht dhe politikisht ne as puqemi, as nuk do të puqemi kurrë. Këtë të vërtetë e dimë edhe ne, e dini mirë edhe ju. Këtë e di gjithë bota. Por, pavarësisht se ideologjikisht dhe politikisht nuk pajtohemi kurrë, ne mendojmë dhe kemi konstatuar që edhe ju keni ardhur në mendimin tonë ose keni arritur në një mendim të përbashkët që konsiston në këtë:
Në mes dy shteteve tona fqinje, për hir të fqinjësisë së mirë në mes dy vendeve dhe për stabilitetin e paqen në rajonin e Ballkanit, duhet të zhvillohen marrëdhënie tregtare dhe kulturore. Duhet të pohojmë se nga të dyja palët në këtë rrugë është gjendur mirëkuptim. Tregtia në mes nesh, në interesin jo vetëm tonin, siç dëshiron ta cilësojë borgjezia kapitaliste botërore, por edhe në interesin tuaj, është zhvilluar dhe po zhvillohet. Ana e marrëdhënieve kulturore dhe veçanërisht tonat me Kosovën, me Maqedoninë dhe me Malin e Zi, kanë ecur mirë, me sukses, me asnjë incident dhe në një mirëkuptim që jep fryte. As nga ana jonë, as nga ana jugosllave nuk është hasur në asnjë pengesë serioze. Këtë, si edhe marrëdhënie tregtare ne i konsiderojmë si gjëra të mira që duhet të vazhdohen dhe të mos ndërpriten. As shenja më e vogël e “shovinizmit shqiptar, e irredentizmit shqiptar”, siç po pretendohet tani nga udhëheqja jugosllave dhe shtypi i saj, nuk është shfaqur dhe nuk mund të shfaqej nga asnjë prej nënshtetasve tanë që kanë vizituar Kosovën, që nga ministrja jonë e Arsimit dhe e Kulturës, deri te profesorët dhe turisti më i thjeshtë shqiptar.
Ne mund të themi se edhe nga shtetasit jugosllavë e njëjta gjë ka ndodhur, nuk është parë asnjë shfaqje e tillë që ta prishë këtë rrjedhë. Si miq të ambasadës jugosllave në Tiranë, ne kemi pritur kryeministrin e Malit të Zi, kryeministrin e Maqedonisë dhe i kemi pritur me bujarinë tradicionale shqiptare. Ata kanë shkuar ku kanë dashur, kanë parë vendin dhe kanë biseduar me njerëzit. Të dyja palët e kemi gjetur normale këtë praktikë. Anormale ne kemi gjetur vetëm atë që kryeministri i Kosovës, nuk gjeti një herë kohë të vizitonte Shqipërinë. Ne nuk e dimë përse s’e ka bërë këtë, siç e bënë edhe dy kryeministrat fqinjë jugosllavë. Këtë mund ta dijë vetëm Federata, udhëheqja e Republikës Federative të Serbisë dhe udhëheqja e krahinës së Kosovës.
Neve nuk na intereson arsyeja, vetëm konstatojmë, pse po të kishte ardhur, do ta pritnim edhe atë si dy të parët. Çka është e drejtë ne e mbrojmë dhe e pohojmë, çka është e padrejtë, e denoncojmë dhe e dënojmë. Ne kemi afirmuar dhe afirmojmë se në këtë dekadë të fundit arsimi dhe kultura shqiptare në Kosovë (më pak në Maqedoni e në Mal të Zi) kanë marrë një hov të lavdërueshëm. Hapja e shkollave shqipe, e Universitetit të rëndësishëm të Prishtinës, unifikimi i gjuhës shqipe, zhvillimi i këngëve, i valleve, i folklorit shqiptar, muzika e përpunuar, literatura shqipe etj., brenda caqeve të Federatës dhe përkrah kulturës së popujve të tjerë të Jugosllavisë, kanë marrë një hov që nuk ishte parë kohë më parë dhe arsyet dihen dhe nuk duam të zgjatemi këtu. Pra, ne e shohim dhe e barazojmë të kaluarën me aktualitetin, i shohim ndryshimet pozitive të bëra në këto fusha.
Një zhvillim të tillë ata që e pengonin dje, nuk e pengojnë dot sot dhe është në kundërshtim me kushtetutën e Federatës dhe me interesin e Jugosllavisë që të ndalohet e të pengohet. Por një gjë të tillë ne nuk kemi si ta pohojmë për zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe të viseve të tjera ku banojnë shqiptarë. Diferencat ekonomike dhe të nivelit të jetesës në mes Krahinës Autonome të Kosovës dhe republikave të tjera të Jugosllavisë janë kolosale. Këto diferenca nuk shpjegohen dot, siç bëjnë udhëheqësit jugosllavë, me arsyen e “krizës botërore”. Diferencat në nivelin e jetesës në mes republikave dhe krahinave duhet të kërkohen edhe në arsye të tjera shumë të mëdha dhe të vjetra, politike, ideologjike dhe ekonomike. Për zhvillimin e ulët të ekonomisë në Kosovë flet edhe numri i madh i emigrantëve ekonomikë. Emigracioni ekonomik i shqiptarëve që jetojnë në Jugosllavi numërohet me qindra mijë. Vetëm në Turqi kanë emigruar rreth 250 000 veta, përveç dhjetëra e dhjetëra mijëve në vende të tjera të Evropës, Amerikës, Australisë, Afrikës. Kudo gjen emigrantë shqiptarë të larguar nga JugosIlavia “socialiste vetadministruese” dhe asnjë emigrant ekonomik nuk është larguar nga “Shqipëria staliniste, etatiste-burokratike”.
Rinia e Kosovës s’gjen punë, ajo vuan për bukë në Jugosllavinë e Titos dhe të pas Titos. Këtyre problemeve u duhen gjetur arsyet, t’u bëhet diagnoza dhe të shërohet sëmundja sa më parë dhe sa më drejt. Të flasësh kundër Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë dhe popullit të saj, për gjoja faje të paqena, ky problem nuk zgjidhet me tanke e me terror policesk rankoviçian. S’gënjen dot njeri shtypi jugosllav kur thotë se “Shqipëria socialiste i thotë këto se ka smirë për përparimin ekonomik të Kosovës”. Kjo është qesharake. Cilat janë arsyet që bëhen këto barazime të paqena në mes Kosovës dhe Shqipërisë socialiste dhe nuk bëhen barazime të qena në mes krahinës së Kosovës dhe pjesëve të tjera të Jugosllavisë?
Ka një arsye politike që tenton të bindë dikë dhe të fshehë realitetin, si në Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë, si në Krahinën Autonome të Kosovës dhe në republikat socialiste të federuara të Jugosllavisë. Për sa u përket “të drejtave politike”, ndryshime statusi nga krahina në republikë etj., as kanë qenë dhe as janë preokupime për Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë. Këto janë çështje të brendshme të popujve të Jugosllavisë, janë çështje të vetë popullit shqiptar që jeton në trojet e veta në Jugosllavi, i cili, në bazë të ligjeve në fuqi, që rrjedhin nga kushtetuta e Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, ka të drejtë t’i kërkojë. Jo vetëm që askush në Federatë s’ka të drejtë t’ua ndalojë shqiptarëve që jetojnë në Jugosllavi këto kërkesa, por ca më pak t’i sulmojë ata, t’i plagosë, t’i vrasë dhe t’i burgosë. Për këtë të vërtetë që themi, jugosllavët na akuzojnë se ndërhyjmë në punët e brendshme të tyre.
Ne nuk kemi ndërhyrë dhe nuk ndërhyjmë në këto punë të brendshme të tyre, të cilat mendojmë se zgjidhen drejt vetëm me vetëvendosje, në mirëkuptim, me bisedime të sinqerta dhe me gjakftohtësi nga të gjitha palët. Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë as më të voglën ndërhyrje nuk bëri në Kosovë, as tanke, as helikopterë, as policë nuk dërgoi, as shtoi kufitarët, as bateri topash nuk nxori në kufijtë e saj dhe as protestë zyrtare nuk bëri, por një artikull të drejtë, të matur dhe të argumentuar politikisht, ideologjikisht e historikisht, dhe të tillë e cilësoi gjithë shtypi botëror, shkroi për tragjedinë që u shkaktua në Kosovë. Përgjegjësi për çka ngjau në Kosovë nuk ka Shqipëria, përgjegjës janë ata që përdorën dhunën dhe jo gjaftohtësinë dhe arsyen. Shqipëria socialiste e ka deklaruar se, në qoftë se ndonjë fuqi e huaj agresore prek kufijtë e Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, atëherë ajo dhe populli shqiptar do të ngrihen dhe do të luftojnë përkrah popujve të Jugosllavisë.
Çka themi është e qartë dhe premtimet që bëjmë i mbajmë, i themi ne ustashit që foli nga Radio Zagrebi. Asgjë s’i bashkon shqiptarët me ustashët, me çetnikë e ballistë, përkundrazi shqiptarët, kudo që janë, luftojnë kundër tyre, pse ata kanë qenë dhe janë armiq të popujve tanë, janë mercenarë dhe gjakatarë në shërbim të imperializmit amerikan, të. socialimperializmit sovjetik etj., që punojnë me çdo mjet të hedhin në erë Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë dhe Republikën Socialiste Federative të Jugosllavisë. Që kur shkruam artikullin në “Zërin e popullit”, e deri tani ne kemi ruajtur gjakftohtësinë, kurse udhëheqja jugosllave dhe deri fletushka më e fundit jugosllave kanë vjellë vrer e kanë bërë sulme kundër Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë.
E gjithë kjo fushatë e tërbuar u kthye kundër tyre. Zotërinjtë zyrtarë jugosllavë na akuzuan ne për “nacionalistë, shovinistë” etj. Gati sa s’na akuzuan dhe për “pansllavistë”. Të gjitha këto ideologji, e të tjera si këto, janë teori antimarksiste, teori të borgjezisë. Shovinizmi është një nga tiparet e saj dhe s’ka të bëjë aspak me patriotizmin dhe me marksizëm-leninizmin. Mund ta bësh revolucionin, siç flasin për të e teorizojnë përditë udhëheqësit jugosllavë, por mund edhe ta devijosh e ta tradhtosh atë. Revizionizmi modern, i çdo ngjyre dhe nën çdo maskë që të fshihet, është pjellë e borgjezisë kapitaliste që lufton revolucionin, që e deformon dhe e mbyt atë në gjak. Borgjezia çan e sundon, revizionizmi modern, po ashtu, nuk i bashkon popujt, por i përçan.
Ç’po ngjet në Bashkimin Sovjetik revizionist? Atje u bë Revolucioni i madh proletar, atje u vendos dhe u konsolidua socializmi, u themelua BRSS, që do të thotë «Bashkimi i Republikave Socialiste Sovjetike», dhe çështjet nacionale u• zgjidhën drejt nga Lenini dhe Stalini. Hrushovizmi dhe revizionizmi modern e devijuan veprën e madhe të revolucionit. Ata vendosën kapitalizmin. Shovinizmi rusomadh dominon atje egërsisht, por njëkohësisht kanë ngritur veshët dhe shovinizmi ukrainas, ai gjeorgjian, azerbajxhanas etj. Mbi to dominon pansllavizmi dhe Bashkimi Sovjetik nga një vend’ socialist u kthye në një vend socialimperialist agresiv dhe luftënxitës. Teoria e Brezhnjevit e “sovranitetit të kufizuar” i ka zënë nga gryka të gjitha vendet e Traktatit të Varshavës, pjesëtare të KNER-it dhe të “Bashkësisë socialiste”, që forca e armëve sovjetike i bën të qeshin verdhë për të mos qarë dhe lebetitur. /Memorie.al
Vijon në numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016