Nga Prof. As. Dr. Gjergj P. Titani
Pjesa e katërt
Memorie.al / Në këtë shkrim po publikojmë një intervistë të gjatë me “Artisten e Popullit” dhe “Mjeshtren e Madhe të Punës”, kompozitoren e shquar Dhora Leka. Biseda me të ka filluar shumë kohë me parë, por nuk është botuar pothuajse asgjë, sepse dëshira e saj ka qenë që të përfundonte kujtimet, duke i përmbledhur në një libër të veçantë me titull; “Çaste dhe mbresa nga jeta ime”. Libri është ripunuar disa herë dhe është ballafaquar si me dokumente arkivore ashtu dhe të arkivin personal të familjes së saj. Sot po botojmë prezantimin e parë me kompozitoren e shquar, e cila do të vazhdojë disa numra.
ARTISTJA E FAMSHME QË U DËNUA ME VDEKJE
Për sa kohë i keni përsëritur vjershat tuaja dhe kur e panë dritën e botimit?
Gjatë gjithë kohës së burgimit mbi shtatë vite, pothuaj çdo natë para se të flija, me fanatizëm përsërisja këtë ritual edhe pse ato shtoheshin e shtoheshin. Dhe vetëm pas daljes sime nga ky “varr”, mund t’u jepja jetë dhe bashkë me vargjet gjatë internimit i kam përmbledhur në vëllimin “Këngë në shtrëngatë”, këto vargje të këtij libri, them me modesti, se janë një motërzë e librit: “Këngët e luftës për liri”, që u thurën gjatë luftës partizane.
Zonja Dhora a i kaluat në burg, të gjitha vitet e dënimit?
Sigurisht, jo. Fati e deshi që të mos i vuaja të gjitha vitet e dënimit që vendosi “dosja”, që kurrë nuk e di se çfarë përmban dhe e kam peng që nuk e kam njohur, sepse ende nuk ka ligj për hapjen e dosjeve. Ç’ka më habit siç u shpreha më lart, se nga i peshkojnë “dosjexhinjtë” këto materiale?! Në ato vite që unë kryeja dënimin, pata fatin të përfitoj një zbritje të madhe të dënimit nga amnistitë e bëra në nëntoret e viteve 1957-1959-dhe 1962.
Kisha fituar veç amnistive edhe një zbritje të dënimit prej 3 vjet e gjashtë muaj nga puna e kryer dhe tejkalimi i normës ditore, pra në total mbeteshin për të kryer edhe 2 – 3 vjet. Mbas një gjykimi për falje dënimi, që nuk e di nga më erdhi peshqesh, sipas vendimit të Gjykatës së Tiranës, lirohem me kusht në nëntorin e vitit 1963. Kushti ishte: “Do të më jepej dënim maksimal në rast përsëritje të fajit”, dhe kjo s’ish gjë tjetër, veçse sërish unë do isha në shënjestër.
Si e përjetuat momentin e daljes nga burgu?
Ndonëse e amnistuar nga kryetari i Gjykatës së Tiranës, komunikimin e vendimit tim me kusht, kur më thanë: “Je liruar”! Sigurisht, që më erdhi e papritur. Ishte një çast i shumëpritur dhe emocional dhe papritur pyeta: “Po, ku të shkoj”? – “Ku të duash”, – tha ai me indiferentizëm. Vrapova nëpër shkallë. Zemra më rrihte fort. Më dukej e habitshme se si nuk më shoqëronte nga pas polici dhe duart nuk i kisha të lidhura.
Mora frymë lirisht. Frymën e mbajta në Punëtorinë Qendrore të Artizanatit. Rojës i kërkova të takoj komandantin e Punëtorisë, Vangjel Rëmbeci, që ishte njëkohësisht edhe përgjegjës për Punëtorinë. Me një frymë i them vendimin e gjykatës. Ai si duket ishte njoftuar për vendimin, më pajisi me një fletë-lirimi dhe më drejtoi në Degën e Brendshme të Tiranës.
Më nxorën ato pak sende personale, një “këndes” plaçka siç i thonë dhe e mbajta frymën në drejtorinë e Brendshme që vazhdonte të ishte tek “Selvia”. Më pajisën edhe atje zyrtarisht me fletën e lirimit. Me fletën e lirimit në dorë shkova tek hotel “Donika”. Aty më kërkuan dokumentin e identitetit dhe i paraqita dokumentin e lirimit nga burgu, por ata më thanë: S’ka vend moj shoqe!
Shkoj përsëri me vrap tek “Selvia”, iu them: – “Në hotel ‘Donika’ ku u paraqita, nuk më pranuan”. Ngriti telefonin, s’di me kë foli dhe prerë më tha: – “Shkoni, shkoni tek ‘Donika’ u gjend një vend”. Pasi u sistemova në një dhomë të hotelit, dëshira që më pushtoi ishte që sa më parë të takoja nënën time. Ajo banonte në pallatet e Lanës, në një hyrje me vëllanë tim të madh Petron. Çaste mallëngjyese. Trokas në portë por s’më përgjigjet njeri, e shtyj, hyj në korridor dhe bërtas: “Nënë, nënë moj”!
Më duket sikur edhe tashti po e përjetoj atë çast: “Nënë, nënë e dashur”, dhe duart u zgjatën e u përqafuan. Si mbaja dot lotët as unë as ajo. Pasi u gëlltit ajo tha: “Shyqyr moj bijë që ia arritëm kësaj dite”! Dhe përsëri u gëlltit dhe së fundi e tronditur më tha: “Këtu ti s’mund të jetosh, nuk mund të flesh. Djali më ka thënë se ai është anëtar Partie dhe duhet ta kuptojmë këtë gjendje. Ti nuk mund të jetosh në këtë shtëpi, prandaj do ta bëjmë zemrën gur”.
“Mos u mërzit nënë”, i thashë dhe u drejtova për në hotel. Mbas disa ditësh “organet kompetente” më komunikuan se isha caktuar të shkoja për të jetuar në Berat. Qëndrimi im në Berat, lejohej me lëvizje të kufizuar brenda Beratit, pra, jo internim, por me lëvizje të kufizuar brenda Beratit! Një variant specifik i internimit. Para se të nisesha në Berat, nëna erdhi e më takoi ne Hotel, i thashë se më kishin caktuar të shkoja në Berat.
Gëzimi ynë ishte i dyfishtë, sepse në Berat jetonte prej korrikut 1955, motra ime Mita Jakova, me katër fëmijët e vegjël të mbetur jetimë. Kur mbërrita në Berat tek stacioni i autobusit shoh një vajzë të vogël, e cila vrapoi drejt meje dhe m’i hodhi duart në qafë: – “Jam Bujana, teta Dhora”! Sa ishte rritur, sa ishte zbukuruar! Gjatë rrugës për në shtëpi përsëriste: “Sa do të gëzohet mami, Gimi, Niku, Vjosa, sa do të gëzohem! Do të rrish me ne! Oh, sa qejf”! dhe unë se përmbaja dot mallëngjimin, gëzimin.
Zonja Dhora, familja e ish-kryeministrit, Tuk Jakova, ende ndodhej në Berat?
Familja e motrës sime, po. Familja e motrës sime vazhdonte të jetonte në po atë shtëpi përdhese, ku i kisha shoqëruar më 23 qershor 1955. Sigurisht kësaj radhe shumë e pastër, paçka se me orendi shumë modeste. Motra kishte bërë gati edhe tavolinën për drekë. U përqafuam përmallshëm, duke e mbajtur me zor ngashërimin. Sa shumë kishim për t’i folur njëra-tjetrës. Për netë me radhë secila përshkroi kalvarin e odisesë së vet të dhimbshme.
Pas disa ditësh erdhi nëna jonë, kish vendosur të jetonte së bashku me ne. Jetesa ishte shumë e vështirë, u bëmë shtatë vetë. Mua më duhej patjetër të filloja një punë dhe puna u gjet: Në Ndërmarrjen e Grumbullimit, të arnoja thasë që ngarkoheshin me grurë. Duke qenë shumë ngushtë, kërkova të më jepej një banesë dhe pas shumë peripecish, më në fund, në një shtëpi të vjetër u gjend një dhomë, ku jetova atje bashkë me nënën.
Por, ëndrra ime ishte, që në ditët e izolimit në qeli dëshiroja, të shkruaja një opera. Më duhej një pianoforte. Duke i shfaqur nënës sime këtë dëshirë, ajo më tha: – “Mirë, moj bijë e blejmë një pianoforte, e di unë s’të rri shpirti. I ka mbledhur nëna si plaga qelbin ca lekë, që i kam ruajtur për shpenzimet e vdekjes. Nuk doja t’i bija barrë askujt. S’do vdes nesër dhe i ka paratë nëna. Merri dhe bli pianon”.
Kështu fillova unë të punoj mbrëmjeve pas punës së rëndë, për të realizuar këtë ëndërr. S’mjaftonte vetëm pianoja për këtë, duhej shkruar më parë libreti. Për këtë më duhej të merrja kontakt me ndonjë poet të më ndihmonte. Po dyert ishin të mbyllura për mua, duke filluar që nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve. Unë vazhdoja të shkruaja vargje, por libretë opere s’kisha provuar ndonjëherë.
Dhe, ishte e pajustifikueshme kjo, të takoheshe me mua ishte sikur të takoje ndonjë lebros. Hija e Sigurimit ishte e pranishme gjithkund. Hije që njerëzit e ndjenin veten të pasigurtë. Sa shpesh përsërisnim në ato vite diktature shprehjen: “Mos i beso as lëkurës tënde”! Kjo i bënte njerëzit të ndrydhur. Dhe unë nuk i mbaj askujt mëri, që s’më erdhi në ndihmë, kur kisha aq shumë nevojë. Çdo njeri vetë e ndien dhe e di se ku i pikon shtëpia.
Çfarë bëtë për të arritur ëndrrën tuaj?
Më rastisi të takoj në Tiranë Ismail Hoxhën, kishim qenë bashkë-studentë në Moskë. Ai ishte drejtor i Kulturës në Ministrinë e Arsimit dhe kur i shpreha dëshirën e pengesat për të realizuar operën “Vjeshtë me stuhi”, sidomos për çështjen e libretit më tha: – “Por ti moj Dhora, pse mundohesh deri në Tiranë? Në Berat ke Ismail Kadarenë, bisedo me të, thuaji edhe nga ana ime që të të ndihmojë”.
Dhe ditët ndiqnin njëra tjetrën. Kam shkruar disa vargje që kanë histori të dhimbshme titullohet “I pamposhturi” (Përmendore), ja dëgjoje: “I PAMPOSHTURI” (Përmendore)
“Me thonj mundohem / një Përmendore/ “I pamposhturi” të skalis…/ E sheh Tirani/ kërbaçin ngre/ Bërtet:/ Jo. Kjo s’mund të ndodhë kurrë/ kurrë/më mirë vdis!/ Por unë:/Tendos kurrizë,/ dhëmbët shtrëngoj/nën kërbaç/ më e vendosur/ Përmendore/ “I pamposhturi”/mundohem/të skalis…/Shanget Tirani i tmerruar/nga “eho-ja” që i përplaset/ sfidë në fytyrë:/ Jo. Kjo s’mund të ndodhë kurrë,/Kurrë më mirë vdis”!
Unë ndërkaq vazhdoja të punoja për të shkruar libretin dhe muzikën. Doja me çdo kusht ta shkruaja. Dhe vendosa t’i kërkoja drejtorit të ndërmarrjes, të më jepte tre ditë leje të shkëputesha nga puna, pa pagesë, me gjithë vështirësitë e mëdha ekonomike. Jetonim me nënën në minimumin e shpenzimeve të jetës vetëm për bukë, ujë e kripë.
Ngjarjet që vazhduan janë të dhimbshme dhe ndodhën krejt papritur, aq sa edhe sot nuk jam në gjendje t’i shpjegoj. U gjenda në një sallë të madhe plot me aktivistë të Frontit Demokratik. Në Presidiumin e mbledhjes, në një tavolinë të mbuluar me një copë të kuqe, që hijerëndë qëndronte Sekretari i I-rë për Beratin, Piro Gusho, që edhe ai më vonë u akuzua me “grupin e sabotimit të naftës” dhe u vetëvra. (Por ai s’e përballoi dot situatën dhe vrau veten.)
Mua më kishte lajmëruar të merrja pjesë patjetër në këtë mbledhje, kryetari i Këshillit të lagjes. Më habiti këmbëngulja e tij. Madje edhe përpara mbledhjes më kujtoi të isha patjetër. Tha e çnuk tha kryetari në atë parashtrim të turpshëm dhe e ndieja se sa ngushtë ndihej Ismaili. Mos e kishin marrë për fasadë?! Mos e kishin detyruar si unë, që të ishte në sallë prezent?!
Vite më vonë ia kam shkruar edhe ish-kryetarit të Presidiumit të Kuvendit Popullor, Ramiz Alia, duke i thënë se: – “Asnjë qytetar i Republikës Popullore të Shqipërisë, nuk i ishte nënshtruar një diskriminimi të tillë masiv”. Ju sjell në kujtesë, ishte koha e Revolucionit Kulturor në Kinë dhe dacibaot kishin filluar të mbushnin edhe fasadat e ndërtesave tona në Shqipëri.
Më vunë para turmës që thërriste në mënyrë histerike: “Në burg, në burg, armike e pandreqshme, tradhtare, e shitur”. Kjo turmë në ekstazë histerike më shoqëroi deri në degën e Brendshme. (Këtë e ka përjetuar me dhimbje edhe populli i qytetit të Beratit, dhe sot e kujton, ka dëshmitarë okularë që ta përshkruajnë.)
Kryetari i Degës Brendshme, që quhej Siri, (mbiemri nuk më kujtohet) dha urdhër dhe më mbyllën në një qeli të errët. Për të protestuar shpalla grevën e urisë. Të nesërmen kërkova shpjegime, për të gjithë këtë skenë të turpshme. – “Të lirojmë, – tha i deleguari, por nuk e di nga kush”. Përsëriti: – “Të lirojmë, por me kusht që ti të pranosh ato ç’ka u thanë në Konferencë”.
– “Kurën e kurës”, – ishte përgjigjja ime e vendosur. Mbas disa orëve më nxjerrin nga biruca, më hipin në “Gaz”-in e Degës Brendshme dhe më çuan në shtëpi. Nëna ime tërë natën e tmerruar më kishte pritur. – “Merr rroba për fjetje”, – më urdhëroi punonjësi i Degës. Kur hyra në dhomë për të marrë ndonjë plaçkë për fjetje, vetëtimthi ngre kapakun e pianos, rrëmbej nga cepi i tastierës vjershat që i mbaja gjithmonë të mbledhura dhe ia fut nënës në gji, duke e përqafuar. Hipa në “Gaz”. Nuk e dija drejtimin që do merrte, për mua ishte enigmë. Ku do më çonin vallë?!….
Zonja Dhora, po më pas çfarë ndodhi me ju?
“Gaz”-i i Degës së Punëve së Brendshme, u nis. Gjatë gjithë rrugës, mundohesha të zbuloja enigmën. Ku po degdisnin vallë?! Territori, ku po shkonte “Gaz”-i, për mua ishte i panjohur. Pas disa orësh udhëtimi, mbërritëm në një qytet të panjohur. Makina ndali. Shoqëruesi doli nga makina dhe më tha: – “Prit pak këtu”.
Tashmë po qartësohesha se ndodhesha te hyrja e Degës së Punëve të Brendshme të Fierit, siç mora vesh pak më vonë kur shoqëruesi u kthye. Ai hipi në makinë, e cila përsëri u nis për rrugë. Përsëri po pyesja veten; “ku po më çojnë vallë”?! Pas një farë kohe, u dukën shtëpitë e para të një fshati fushor, menjëherë më ranë në sy disa baraka përballë një pallati shumëkatësh të pa suvatuar. Kur makina ndali na u shfaq i plotfuqishmi i zonës.
– “Ta solla”, – i tha shoqëruesi im të plotfuqishmit të Degës së Punëve të Brendshme të Fierit. Më pas hymë në një zyrë të vogël, ku ishte i pranishëm edhe përgjegjësi i sektorit. Pikërisht këtu u sqarova plotësisht se ndodhesha në sektorin e fermës bujqësore Seman i Ri, ku m’u komunikua zyrtarisht, se isha dënuar me 5 vjet internim dhe pas kësaj më çuar tek vendi, ku do të jetoja pas kësaj. Kur “Gaz”-i i Degës ndali para barakave prej dërrasash, të cilat ishin rresht disa dhe se nga u shfaqën një mori njerëzish, laramanë e lloj-lloj moshash pa përjashtuar këtu edhe fëmijë të vegjël.
– “O, erdhën, erdhën të rinj, po sjellin prapë të tjerë”. Më pas u mësova edhe me këtë ritual të zakonshëm, sa herë sillnin të internuar të rinj. Këtë lloj rituali të dhimbshëm e përjetova kushedi sa herë, gjatë qëndrimit tim atje në sektor. Më caktuan të banoja me një grua, e cila me dashamirësi më ndihmoi të sistemohesha në atë shkatarraqe përdhese, në mund ta quaj dhomë. Pasi më hodhi duart në qafë më tha: – “Unë quhem Xhina, po ti”? – “Dhora” – i thashë.
– “Mos u shqetëso, – më tha, – sepse në këtë gjendje që je ti sot, kemi ardhur të gjithë. Jemi njerëz të mirë, pa ç’ka se na kanë dënuar. Eh, moj Dhora! Ç’do të të dëgjojnë veshët ty këtu. Prit, prit dhe do ta shohësh”. Kështu ndodhi vërtet, pashë e dëgjova shumë dhimbje e tragjedi, që i kalojnë caqet e kësaj interviste të gjatë.
Cilat janë disa nga mbresat tuaja për këtë vend internimi?
Më ka lënë mbresa të pashlyera, dita e parë e punës. Më caktuan në një brigadë pune me Xhinën. Lloji i punës ishte, rrallimi i grurit të mbirë. Por kjo s’ka rëndësi. Ajo që më la mbresa, ishte hapësira e pa matë e Myzeqesë, blerimi i harlisur, ajri i pastër që më mbushte mushkëritë. Pushimi i parë kur u ulëm të hanim drekën, me atë çka kishte marrë secili në trastën e tij. Bukë misri apo gruri, qepë, hudhra, gjizë, dhallë që lagnim buzët e zhuritura, sepse ai vend nuk kishte ujë të pijshëm.
Sektori i fermës furnizohej me ujë që sillnin e sillnin herë pas here me autobot. Kur vinte makina e ujit, o zot bëhej nami, secili përpiqej të mbushte një enë me ujë të pijshëm. Më takoi të punoja gjithashtu edhe në punë nga më të ndryshmet. Të hapja kanale, të prashisja, të korja, të mblidhja pambuk, fasule, të zhvishja misër, etj. Sa herë kujtoj misrin apo bukën, më binte ndërmend një episod tragjedik.
Ja se si: – Në kaçekët e misrit ku ne merreshim me shkoqjen e tij, gumëzhinin me mijëra flutura të misrit të cilat nuk na ndaheshin për asnjë çast. Ato bashkë me misrin, bluheshin dhe mielli për bukë gatuhej bashkë me to. Këtë bukë tregtonin për ne dhe për fshatarët e sektorit. Dua të theksoj se, ish të dënuarit, pas lirimit, mbeteshin si banorë të përhershëm të këtij sektori, që sa vinte rritej e rritej!/ Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm