Nga Lek Pervizi
Pjesa e pesëmbëdhjetë
ODISEJA E PAFAJSISË
Vёllait tim Valentin, qё pёrballoi
47 vjet rresht stuhitё ideologjike tё
komunizmit, pёr ma tepёr i ndarё
nga grueja, njё Odise e vёrtetё
mes shekullit njёzet.
Memorie.al / Kur merr me hy në Skuraj dhe e kapërcen përruen e Urdhazës, fillon ngjitja malore, nëpër kodrën që quhet e Lekbibajve. Kalon me radhë tre mullinjt që njihen si të Gjin Pjetrit, që ngrihen njeni pas tjetrit. Kalon dhe kullën dykatëshe të Ndrec Pjetrit, vëllai ma vogël i Gjinit e pastaj, ndesh në një brez shkëmbor mbi të cilin ngrihet një kompleks prej tri ndërtesash gurore, kullat historike që njihen si kullat e Gjin Pjetër Pervizit të Skurajve, udhëheqës i kryengritjes së Kurbinit. Këto ndërtesa dominojnë krejt luginën, që formohet nga bashkimi lumenjve Mat e Fan (degë e Matit), deri në Milot. Pothuaj një kala, që ruen e mbron vendin nga ekspeditat e ushtrive pushtuese të huaja, që mund të depërtonin nga ajo grykë, deri sa të ndesheshin në murin e maleve të Skurajt, ku, ngriheshin kullat që përmendëm.
Nga “tigani“, nё zjarr…!
Kur na pllakosën në kalanë-burg të Porto-Palermos, aty gjetëm të mbyllura në atë kala mesjetare, disa nga familjet ma të rëndësishme të veriut, si; Gjomarkaj, Pervizi, Bajraktari, Dine, Dema, Ndreaj, Topalli, Mirakaj, Kolaj, Spahia, Sinaj, Shehaj, etj., familje bajraktarësh nga Mirdita, Malësia e Madhe, Puka, Lezha, etj., e gra e fëmijë, pleq e plaka. Aty gjetëm mamën tonë dhe kushërirën, Bardha Gjomarkaj, e cila ishte njohun me Valentinin, po atë ditë kur ai kishte mbërrit nga Italia në Shkodër. Nuk kaloi një javë dhe të gjithë familjet i larguan e i çuan në kampin e Tepelenës. Kalaja e Porto-Palermos u kthye në burg vetëm për burra.
Jo me dënime nga ndonjë gjykatë por, të përplasun brenda saj nga Sigurimi i Shtetit. Aty mbretëronte vetëm errësira e lagështia. Mue me Valentinin, na kishin caktue në një kthinë të madhe, 10 x 5 metra dhe e lartë 6-7 metra. Drita mëzi hynte nga një përzore në fund të një tuneli, prej tre e ma shumë metrash, sa ç‘ishte trashësia e murit. Në atë kthinë si shpellë e ciklopit Polifem, na caktuen vendin në fund të saj, nga ana e lindjes, drej mbi rrasa guri. Aty ishin shtri nga të dy anët, me një shteg kalim në mes, 20 vetë rresht, njeni pas tjetrit, me kokë nga muri dhe këmbët karshi njeni-tjetrit. U njohëm menjëherë me ta.
Përballë kishim Vasil Kokalin, një djal i ri nga Saranda, e Shpend Sherifin, ish-toger nga Tropoja, që kishte qenë në burgun e Shkodrës me Valentinin. Pastaj vinin me radhë; Luigj Marku, Luigj Hila, Avni Agolli, dy vllaznit Çullhaj, Bajram Xhaferri, Sherif Tafani, e të tjerë që nuk me kujtohen, e kam fjalën për dhomën tonë. Nga të tjerë në atë kala, ishin; Haziz Kurjani, Kujtim Velmishi, Piro Mavromati, Xhevit Matjani, Bexhet e Haziz Ndreu, Zef Gjoka, Seit Ukaj, Cen Golja, vllaznit Dushi, ku ma i madhi Deda, ishte bukëpjekësi ynë, sepse buka piqej në furrën e kalasë.
Ne ishim në kushte të një izolimi të plotë. A kalonte a s’kalonte, një kamion në muaj, në rrugën Vlorë Sarandë. Mua dhe Valentinin, kur na sollën këndej, makina na la në Himarë, te posta e policisë, ku fjetëm atë natë nën yjet. Të nesërmen, dengun e teshave mbi kurriz e, në këmbë, deri të Kalaja, të shoqnuem nga një oficer i Sigurimit i armatosur. Me mbylljen në Kalanë e Porto-Palermos, Valentinit iu pre çdo lidhje me të shoqen. Jo vetëm kaq, por dhe me dashtë me shkrue, nuk kishte as letër, as zarf, as kartolina, fjala vjen. Pa asnjë t’ardhun e ndihmë tjetër, ne jetonim vetëm me spirilëngun e kazanit, që na ndahej një lugicë në ditë dhe copën e bukës të qulltë, prej thekni.
Sa që u ba problem dhe u vendos që ta zbrisnin racionin, nga 650, në 400 gram, por të pjekun në tullë. Së pakut të hanim bukë dhe jo pelte. Njerëzit ishin dobësue, nga mungesa e ushqimit. Gjysma të dënuemve, ishin verbue nga mungesa e vitaminave, si; Ndue Dushi, Mark Dushi, Tomorr Dine, Kujtim Velmishi, etj., që ecnin këmba doras e, duheshin mbajt për krahu. U sëmur për vdekje i riu, Musa Sina. Kur e pa rreshter Qaniu, që zëvendësoi komandantin, kapter Ahmetin, u tha atyne që e ruanin: “Merreni kët kërmë e, hidheni në det”!
Përmendëm kapter Ahmetin, nga Kuçi i Kurveleshit, i cili kishte qen roje në burgun e Kalasë së Gjirokastrës, që mbahej i tmerrshëm. Kur e sollën komandant në Porto-Palermo, mbeti pa mend nga kushtet tepër të këqija dhe u shpreh haptas, se; Kalasë së Gjirokastrës, i paskej dalë nami për keq kot, sepse kjo e Palermos, qenka për t’i qa hallin, shumë më për-dreqe!
Nuk vonoi dhe filluan të sjellin ish-të burgosur që kishin plotësue dënimin pesëvjeçar, si; Viktor Dostin, Fatbardh Kupin, një far Kalenja, nga Mallakastra, ish-shok i Mehmet Shehut, që na tregonte për krimet e tij. Pastaj kalaja u mbush me nja 20 vetë, nga Devolli e Korça, të familjeve; Bylykbashi, Kollçinaku, Merolli, Kadiu, Barolli, Kulla, etj. Sollën edhe disa nga Mirdita e Puka, që ishin arrestue për vrasjen e Bardhok Bibës.
Kështu u pa se ajo kala do të mbushej mirë, me të burgosun politikë me një qëllim shumë djallëzor e, pervers. Atë të zhdukjes fizike, me anë të mungesës ushqimore, me një trajtim tepër të keq. Përveç të tjerave, nuk kishte asnjë strukturë higjienike. As ilaçe e, mjekime. Për mjek, as që flitej. Siç thamë, nga dobësia, njerëzit filluan të verbohen nga sytë. Filloj të shfaqej dizenteria. Policia na çoj disave në Himarë, për të marrë disa pako që kishin ardhë aty, nga familjet e të dënuemve.
Mua me kishte zanë dhimbja e një dhëmballe dhe kishte disa net, qe nuk flija. Me atë rast, ma hoqi dhëmballën berberi që kryente edhe detyrën e dentistit, për të shkul dhëmbë e dhëmballë, pa asnjë mjekim, me një palë dara, të zeza sterr. Dhëmballa u shkul me sukses e, shpëtova. Se si mu dha me kërkue një mjek, dhe polici më lejoi. Mjekut puro himarjot, i besova dhe i tregova për verbimin, dizenterinë, ushqimin e keq dhe mungesën e ilaçeve. Njeri i mirë siç ishte, me tha troç: «E keni pisk, në ato kondita pa shpresë…»! Ç’të thoshte tjetër, i kishte thanë të gjitha.
Fatmirësisht qëndrimi në ketë kala, nuk shkoi gjatë, se do të kishim vdek të gjithë. Doktori himarjot, u shpreh qartë, … pa shpresë. Kishte plotësisht të drejtë. Ushqimi ditor ishte mizerabel dhe i pamjaftueshëm. Në kala, rrezja e diellit nuk depërtonte asnjëherë, në ato mure tre metra të trasha. Dritaret ishin shumë të vogla, ambienti ishte gjithmonë në terr. Lagështia mbretëronte e plotfuqishme. Për të fjet, si dyshek kishim rrasat e gurit. Ujë të kripur e me krimba, pinim nga pusi që ishte në hyrje të kalasë, para zyrave. Ajo dobësi kishte përfshi edhe Valentinin. Unë dhe të tjerë, po e shihnim se ishte zverdh në fytyrë, dhe mezi lëvizte. Pse?! Ç’kishte?! Unë insistova të tregonte. Atëherë ai më mori e me çoj te një ndërtesë të rrënueme, në një qoshe, dhe zbuloi dy sqetullat e krahëve. Ç’më pa?!
Dy lunga të mëdha, plot qelb e gjak. “Po pse nuk na ke kallzue Valentin?! Duhën shpu urgjentisht“. Si me ia ba?! Unë shkova dhe mora një gjemb të madh drize, s’kishim mjet tjetër. Ia shpova e çava me atë gjemb e, kështu shpërtheu i gjithë qelbi. Në ato çaste sikur po і binte të fikët dhe u bana gati me thirr ndihmë. Për fat, e mori veten, dhe gjithçka kaloi. “Eh mor Valentin, ku ti e, ku Gori?! Ajo në Parajzë e, ti në Ferr. E ku mund ta përfytyrojë ajo, si jemi degdisë”? Valentini shpëtoi kot, se lungat janë shumë të rrezikshme, jo si të thatët. Ato shkaktojnë, helmimin e gjakut
Operacioni primitiv me një gjemb drize, i pa imagjinueshëm nga mjekësia, ia shpëtoi jetën Valentinit. Por po të vazhdonim në ato kondita të mjerueshme, zor të shpëtonim të gjithë sa ishim, nga që po shkriheshim dita ditës, dhe ishim të vetëdijshëm për një-mbarim tragjik tonin. Porto-Palermo për Valentinin, ishte si ato ishujt ku shkapetëj Uliksi me shokë, nga tallazet e detit. Kush do të mund të na nxirrte prej andej?!
Papritmas gjendja ndryshoi. Ata kriminelë që kishin vendosë të na vdisnin aty, u detyruan të na heqin urgjentisht. Transferimi nga Porto-Palermo, u bë i befasishëm me nxitim të madh. Kur, sa kishte gdhi dita, na nxorën nga kalaja, të ngarkuem me plaçkat tona, pamë se aty ngjit me bregun, ishte një motobarkë e madhe e huaj. Plot oficerë e policë. Nxorën nga barka të prangosur pesë vetë dhe і ngarkuan në një gaz “Molotov”, me drejtim nga Vlora, shoqnue me dy “Xhip”-sa. Në anën tjetër, me turi nga Saranda, ishin katër kamionë të mbuluem.
Ne të tjerëve, na hipën në ato kamionë me gjithë plaçkat. Udhëtuam gjithë kohën, si duket me drejtim nga Delvina, dhe sosëm në Tepelenë natën, ku na stivosën në kazermat ciklopike, duke na bashkue me të internuarit e tjerë. Ishte nëntori vitit 1950. Qysh të nesërmen, na nisën në mal në punën e detyrueshme, për të ngarkua në kurriz barrë drush e, shtylla për miniera, bashkë me të internuarit e tjerë, gra e burra, dhe kjo punë bëhej çdo ditë, nga agimi, deri kur binte nata.
Kampi i Tepelenёs
Kampi ngrihej rrëzë kalasë (shiko vizatimin), midis lumit Bençë e rrjedhjes së Vjosës. Kazermat ishin ngrit nga ushtria italiane, gjatë Luftës italo-greke. Në kamp ngriheshim në orën 5 për apelin, ndërsa në orën 6, do të grumbulloheshim para drejtorisë, për me na caktue punën. Organizimin e punës e bënte policia e kampit, që në përbamjen e saj, kishte 15 policë, të gjithë tetarë, rreshterë e kapterë, si dhe nja dy marshallë. Komandant, ishte toger Xhaferr Pogaçe, po ai i Beratit.
Një pjesë (gra e burra të moshuem), punonim në perimoren e komandës, që shërbente dhe për qytetin e Tepelenës. Pjesa tjetër, e përbame nga të internuar, prej moshës 15 vjeç, deri 50 vjeç, që arrinin në 400-500 vetë, transportoni dru në kurriz, nga mali i Turanit, 7 km. larg. Përveç ngarkesës me dru dhe pllaka guri, gratë mblidhnin pleh organik. nëpër stanet e maleve të Tepelenës dhe e transportonin në kurriz me litar, për kilometra të tanë.
Edhe gratë me fëmijë, i bënin me punue rreth kampit. Disa punonin tokën me bel, të tjera mbanin shkurre e bezga, që shërbenin për kuzhinën e furrën, që i merrnin 5 km. larg kampit, përtej lumit Vjosa. Detyroheshin me kalue mbi urën e pezull, që lëkundej rrezikshëm dhe ishte mbajtur keq.
Shpeshherë punëtorët, ktheheshin nga puna të lagur prej shiut, e nuk kishin të tjera, për t’u ndërrua. Ata ndiznin zjarre në kazermën e shembur, për me u tha. Kampi kishte deri 2500 të internuar. Por maksimumi, kishte arrirë më gusht 1949, rreth 4000 vetë, kur u internuan qindra familje mirditore, për vrasjen e Bardhok Bibës. Ushqimi ishte me nga një lugicë çorbë në ditë, me produkte të skadueme, si; groshë, oriz e bollgur të krimbur. Ndryshe nga Porto-Palermo, buka ishte prej gruni dhe piqej mirë: 650 gram për njeri, ndërsa punëtorët, e kishin 750 gram.
Ardhja në Tepelenë, na shpëtoi nga trajtimi mizor i Porto-Palermos. Por sigurisht, se vuajtjet, mundimet e sëmundjet, e bënin dhe këtu punën e tyne, dhe nuk kishte ditën që s’vdiste dikush. Kryesisht pleq e fëmijë. Llogaritet se për 9 vjet (me Beratin)n 1945-1954, aty kanë vdekur njëmijë të internuar, ku rreth 300, ishin fëmijë. Ne u bashkuam aty me mamën. Që e sollën me të tjerë nga Lushnja, ku і kishin çue me punue në një fermë. Kjo ishte një lloj kënaqësie shpirtërore. Ndienim mungesën e Gencit, kushedi se ku e kishin mbyll, se nuk dinim asgjë për të. Qanim hallin e Gorit edhe ajo atje larg, pavarësish se midis të mirave, shpirtërisht e dërmueme, nga kjo ndarje.
Në Tepelenë Valentini u mundua, me nis ndonjë kartolinë me anë të fëmijëve që vazhdonin shkollën në qytet. Punë e kotë, sepse Dega e Brendshme, e kontrollonte postën e nuk linte as me shkue, as me ardhë, të tilla letra ose kartolina në gjuhë të huaj, për një të internuar të tillë, si Valentin Pervizi. Kështu që periudha e Tepelenës, 1951-1954, ishte një periudhë e errët për ketë çift fatkeq. Nga 1944-a, e arrestimit e burgut dhe ndarjes prej gruas, deri 1954-ën, mbusheshin 10 vjet, sa ato të luftës së Trojës, ndërsa kjo ishte luftë për ekzistencë. Sa vjet do t’i duheshin këtij “Uliksi“ modern të shekullit XX-të, që të merrte fund “Odiseja“ që kishte nisë e, të ribashkohej me “Penelopën“ e tij?
Sa stuhi prapështinash, dënimesh, vuajtjesh e mundimesh, do t’i duhej me përballue e, shpëtue prej tyne? Po Gori sa pëlhurë do të thurte e shprishte me fijet e mendimit e, të shpirtit të saj të trazuem, në një pritje të pafund e krye?! Pse sigurisht edhe asaj i vinin rrotull bukuroshë, me pretendime si ato të Itakës. Mbi Valentinin, varej një pikëpyetje e madhe, sa vjet do të kalonin?! Maksimumin e kishte caktue Uliksi, 20 vjet, dhe e kishte sanksionue Homeri mjeshtërisht, në poemën Odiseja. Ishte një cak i pranueshëm, prej të gjithëve. Mund të ndodhnin situata të tilla, që i ndanin njerëzit nga të dashtunit e tyne, për aq vite. Kishin ndodhun disa raste, pothuaj të tjera. Kishte shqiptarë që ishin nda nga njerëzit e tyne, tue u arratis jashtë shtetit. Të tjerë që ishin dënue, me ma tepër se 20 vjet burg.
Kemi qenë dëshmitarë të tilla rasteve. Një i veçantë pothuaj si i Valentinit, ose ma mirë me thanë, si i Kontit të Montekristos, ishte i Gani Lamçës (Starova). Në fakt Ganiun nga Pogradeci, e kishin arrestue ditën e dasmës së martesës dhe dënue 20 vjet. E fejuemja e tij, edhe ajo si një “Penelopë” e vërtetë, e priti 20 vjet, në kampin e Plukut, deri sa doli nga burgu dhe pati një fëmijë me të.
Edhe Valentini do të kishte pranue, të dënohej 20 vjet, por ama të lirohej e, të merrte fund dënimi tij, ku mund të bashkohej me gruan. Po gjendja e tij, ishte hiq e mos këput, pa kurrfarë zgjidhje. Për ma tepër, Valentini i nënshtrohej punës së detyrueshme fizike, e stërmundimeve që peshonin mbi t’internuemit, që trajtoheshin si kafshë pune, ose skllav. Pa ndihmë dhe pa gjë prej gjëje, veç me racionin e bukës dhe lugicën e çorbës, të internuarit ishin të dobësuar, dhe pati vdekje, edhe në radhën e punëtorëve. Valentini si ushtarak, ishte shumë i rregullt dhe e ndante racionin e bukës, në tri pjesë.
Ai i këshillonte dhe shokët, të bënin ashtu që nga uria, kishte raste e hanin racionin, sa e merrnin në mëngjes, e rrinin gjithë ditën barkthatë. Ai ishte shembull, veçanërisht për të rinjtë, që e respektonin dhe zbatonin këshillat e tij, jo vetëm ne rastin që përmendëm por, dhe për qëndresë e vendosmëni ndaj peshës së diktaturës, që kërkonte jo vetëm dobësimin fizik të tyne por, edhe dobësimin shpirtëror e moral. Kishte pasë raste, ku Sigurimi kërkonte të bënte për vete, nga radha e të rinjve, të cilët kishin refuzue me përbuzje ato joshje dashakeqe, për t’i rekrutue si spiunë.
Në mars 1952, në kamp erdhi një inspektimi prej disa oficerësh të Ministrisë Brendshme, që për çudinë e të gjithëve, shkuan drejt e te vendi ku rrinim ne, ku gjetën Valentini dhe iu drejtuan për të folë lirshëm, për konditat e kampit. Valentini nuk kishte përtuar e kishte fol drejt, se; kampi nuk ishte i përshtatshëm për pleq gra e fëmijë, siç mund ta shihnin vetë. Se gjithë këta njerëz ishin të pafajshëm, e pse mbaheshin aty, kot ?! Oficerët s’e kishin zgjat bisedën e, kishin kalua pastaj te disa familje te tjera të njohura, si; Gjomarkajt, Dinet, Bajraktari, Dema, etj. Ndërkaq puna e detyrueme, ishte pezullue. Diçka kishte ndodh. U hap fjala, se në një mbledhje të Kombeve të Bashkuara ne New York, i ishte tërheq vërejtje delegacionit të Bashkimit Sovjetik, për mbajtën e kampeve të internimit në Shqipni.
Sa që ishin përmendë dhe disa emra të familjeve, që ishin mbyllur aty, ku edhe ajo e gjeneral Prenk Pervizit. Sovjetikët kishin ndërhy te qeveria shqiptare, që të mos mbanin kampe të tilla të mbyllur, duke u thënë se ; po na diskreditoni para opinionit ndërkombëtar, ne një kohë paqeje, që ka shtatë vjet që lufta ka mbarue. Kështu në qershor 1952, e gjithë forca punëtore, prej ma se 500 vetash të aftë për punë, u transferuan në punë në disa qytete. Valentinin e ndanë prej nesh dhe e çuan në Ҫorovodë me një grup, për ndërtimin e Degës Brendshme.
Në atë grup, ishin dhe Dom Nikoll Mazrreku, Patёr Jak Gardini, Gjosho Vasija, Gjok Marku, etj. Çorovoda ishte edhe si kamp internimi, ku ata gjetën familjen e vëllait të pushkatuem, të Sadik Kacelit e, të tjerë. Siç thamë në Tepelenë, ishte pezullua puna e detyrueshme, sepse kishin mbet veç pleq, gra me fëmijë e, të sëmurë. Pas largimit të punëtorëve, u ba një lirim për familjet mirditore e, personat të internuar për vrasjen e Bardhok Bibës. Kampi u boshatis, por u mbush përsëri, sepse aty sollën të internuarit jugorë nga Kamza e Valiasi, familje të tana.
Të aftit për punë, i kishin caktue si ata të Tepelenës, në punë ndërtimi dhe Fabrikën e Tullave në Tiranë, ku pas ndërtimit të Degës Brendshme të Ҫorovodës, çuan edhe Valentinin me shokë. Gjatë gjithë kësaj kohë, lidhjet me gruan e tij, ishin ndërpre. Më 1954 kampi i Tepelenës u mbyll përfundimisht dhe u krijuan kampet e punës në bujqësi, në rrethin e Lushnjë, që ishte caktue si qendër e internimeve. Këtu të nemiturit, u caktuan në punët bujqësore me pagesë. Racioni i bukës e kazani ishin heq. Të intertnuemit do të fërgueshin, me t’ardhunat nga puna. Gjysma e së keqes.
Ata u përmblodhën pothuaj të gjithë në Fermën “29 Nëntori”, ma e madhja në shkallë republike, nga Rrogozhina, në kodrat e Ardenicës, me 13 sektorë, që ishin dhe kampe internimi. Qendra ishte në Savër, ku rrinte dhe komanda. Ne u caktuam në Pluk, në kampin ku kishin qenë ma përpara grekët, që kishin ik nga Greqia, pas shpartallimit të lëvizjes komuniste.
Këtu, unë e mama, u bashkuam përsëri me Valentinin. Na jepej pak liri lëvizje e, marrëdhënieje me njerëzit. Valentinit iu dha rasti, të shkruaj një kartolinë dhe fatmirësish mori përgjigje nga Gori, shumë e gëzueme që, u ba përsëri lidhja. Krejt e merakosur për ato t’katër vjet, pa asnjë lajm prej të shoqit. Sa që ajo kishte ndërhy pranë Ministrisë së Jashtme italiane, që të interesohej me marrë informata për bashkëshortin, për të cilin nuk kishte lajme tash disa vjet.
Ambasada italiane ishte përgjigje me keqardhje, se ishte e pamundur me marrë informata pёr atë njeri. Aq e rreptë ishte vigjilenca e njerëzve të Sigurimit. Veçse dihej se, kampi famëkeq i Tepelenës ishte mbyll dhe të internuarit, ishin përqendrue në disa kampe në zonën e Lushnjës, ku mund t’ishte dhe Valentini.
Por edhe kjo mundësi nuk do të shkonte gjatë, se mua e Valentinin, erdhën e na morën një ditë dhe bashkë me nja 10 të tjerë t’internuem në Savër, na degdisën në kampin e Shtyllazit, ngjit me të burgosurit, ku na bashkuan me nja 100 vetë, shumica intelektualë, që ì kishin plotësua nga 10 vjet burg, dhe në vend që t’i lironin, i kishin mbledh aty me hap kanal, si të burgosurit. Pra edhe vërejtjet e Sovjetikëve, po shkeleshin. Diktatura e Enver Hoxhës, nuk hiqte dorë nga metodat e saj shtypëse. Terrori, ishte në rend të ditës.
Aty Valentini u takua me ish-shokët e burgjeve të Shkodrës, ndër ta; Prof. Guljelm Dedën dhe axhën e tij, kolonel Lin Dedën, Mark Temalin, Karlo Çobën, Sandër Saraçin, Zef Shirokën, Ibrahim Sokolin, etj. Pjesa ma e madhe, ishin shkodranë. Na caktuan me hap kanal, me të njëjtën normë, si të burgosurit. Nga të internuarit e Lushnjës bashkë me ne, kishin marrë dhe disa të Savrës, si: Viktor e Ernest Dostin, Tomorr Dinën, Fatbardh Kupin, Musa e Tomorr Maçin, Ali Demën, Tefik Pobratin, Lazër Radin, Flamur Sfirin, etj.
Nga kolegët e miqtë e tim eti, aty gjetëm edhe disa oficerë të njohur, si; Ali Erebara, Luigj Berisha, Ded Jakova, Demir Dema, Isa Kokalari, Lin Deda, dhe ish shokë shkolle të tij, në Shkodër e në Austri, si; Zef Shiroka, Sandër Saraçi, Spiridon Kasarohu, dhe qytete të tjerë, si Mit’hat Araniti, Nedim Kokona, Vasil Avrami, Pandeli Nase, Remzi Çela, Izedin Beshiri, Dilaver Tartari, Mihal Sherko, etj. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016