Nga Dr. Nikoll Loka
Pjesa e shtatë
“PRENGË BIBË DODA, DRITËHIJET E NJË BURRËSHTETASI”
Memorie.al / Libri më i ri “Prengë Bibë Doda, një fenomen në jetën politike shqiptare”, i studiuesit Nikollë Loka, jo vetëm zgjeron fushën e studimeve historike mbi Mirditën, Derën e Gjonmarkajve dhe figurën e Princit mirditor, Prengë Bibë Doda, por është edhe një kontribut, në historiografinë kombëtare. Lënda shumë e pasur arkivore, literatura e shfrytëzuar apo e konsultuar, gojëdhënat etj, e bëjnë këtë libër, një thesar të vërtetë studimor, duke i dhënë shkencës së historisë një monografi shkencore, që pasuron njohuritë tona mbi Mirditën, kapedanët e saj, traditën, historinë etj. Të studiosh një figurë sa të rëndësishme dhe komplekse, siç është figura e Prengë Bibë Dodës, është përgjegjësi e lartë shkencore që, jo çdokush e merr përsipër. Nikollë Loka, ka bërë një punë të madhe hulumtuese dhe trajtim prej studiuesi profesionist, duke na e dhënë portretin e Princit dhe gjeneralit mirditor, me konturet e vërteta. Loka i është përmbajtur fund e krye hapësirës dhe kohës, në të cilën janë zhvilluar ngjarjet shumëdimensionale dhe protagonistët e tyre.
MONOGRAFIA “PRENGË BIBË DODA, NJË FENOMEN NË JETËN POLITIKE SHQIPTARE”, NJË STUDIM SHKENCOR ME VLERË QË PASURON FONDIN E STUDIMEVE TONA HISTORIKE
(Nga Mr. Sc. Murat Ajvazi, mars 2017, Zvicër)
Gjonmarkajt, si mbrojtës të katolicizmit në Mirditë e më gjerë, Kapidani i Mirditës, lindi pas marrëveshjes së mirditasve më Portën e Lartë. Një pikë e rëndësishme e marrëveshjes, ishte që “mirditasit të ruanin besimin e tyre”. Ishte feja ajo që identifikonte mirë mirditasit, si njerëz të panënshtruar në individualitet të spikatur. Natyrisht, katolikë kishte edhe në trevat e tjera të Malësisë, por ata ishin të detyruar të pranonin një status më të ulët shoqëror, krahasuar me bashkëkombësit e tyre të besimit islam: nuk kishin të drejtë të mbanin armë, nuk mund të shërbenin në ushtrinë osmane, duhet të paguanin taksa e të tjerë.
Vajzat myslimane, të martuara për Kapidanët, janë konvertuar në të krishtera, përjashtim bënte vetë Margjela, e Bibë Dodës, një myslimane që pranoi fenë e burrit të saj. Natyrisht që në rrethin e Gjonmarkajve, nuk mund të pranoheshin me besim tjetër, përveç atij katolik. Në kushtet kur feja bëhej bazament i rëndësishëm i autonomisë, nuk mund të ishte thjeshtë një çështje ndërgjegje individuale, as e grupeve të ndryshme shoqërore. Ajo, bëhej tipar i qenësishëm i jetës në liri.
Këtë marrëdhënie kolektive të mirditasve me katolicizmin, e jep bukur Dom Ndoc Nikaj:
“Në sa në gjith Mbretnin Otomane, besimi i njoftun shtetnuer ishte Muhametizmi, në Mirditë, besimi i vendit ishte Katolicizmi. Në Mbretin Otomane, lejohej çdo besim, por në Mirditë, nuk lejohej tjetër besim, atij të Krishtenëve Katolik, që kishte Mirdita. Gjithkund njeti, një kristian Katolik, mujte me u ba Muhametan, pa trazim të kuejn, por në Mirditë, ishte e ndalueme rrebtësisht, me marrë besimin Muhametan dhe në rast të tillë, mbledhej kuvendi i krenëve, nën kryesinë e Kapidanit, e aj njeri ose ajo familje, patjetër qitej prej kufinit të Mirditës, i plaçkitej gjaja, i priteshin bimët dhe pemët, i lëshohej toka djerr, kujrije për kullosë të katundit. Ky ishte sheji ma i madhi sovranitetit, të Kapidanit të Mirditës”. (102)
Pra Gjonmarkajt, kishin sovranitet të plotë, si mbrojtësit e katolicizmit në Mirditë dhe nuk prnonin urdhëra e as ndërhyrje, nga askush. Mirdita, duhej të mbetej krejtësisht katolike. As dekretet e Sulltanit dhe as urdhërat e Valiut, nuk mund ta cënonin aspak jetën fetare, bëri që ata të kenë mbështetjen e popullsisë fqinje, me Mirditën, e cila shihte me simpati nga kjo Krahinë. Mirditasit, pavarësisht se kishin ruajtur krishtërimin, nuk diskriminoheshin dhe nuk paguanin asnjë lloj takse. Privilegjet e Mirditës, shiheshin me simpati prej trevave katolike n’ kufi me të, por edhe nga Kleri Katolik i këtyre trevave, i cili, kishte dëshirë që popullsia e tij, ta kishte atë mbrojtje që i rezervohej Mirditës. Krejt natyrshëm, popullsitë e bajrakëve katolikë, fqinje me Mirditën, pesëbajrakëshe e Kapidanit. Kështu u formua Mirdita, dymbëdhjetë bajrakëshe.
Ky process, vazhdoi edhe më tej. Kemi njëfarë prirje të Zadrimës, për t’u mbështetur tek Mirdita. Tjetër, në fushën e fees, kjo mbështetje, ishte e garantuar, pasi mirditasit me Kapidanët, nuk mund të pranonin përndjekje të katolikëve, pavarësisht se ku banonin ata. Faverial, na tregon për një vajzë nga Zadrima, që u konvertua në katolike dhe donte të martohej me një djalë të kësaj feje. Pas problemeve, që shoqëruan çiftin që shkoi në Prizren, mirditorët, me në krye Bibë Dodën, morën armët. Fatmirësisht, trupat e ardhura me nxitim nga Manastiri, arritën para mirditorëve, ndryshme do të kishte plasur lufta!(103)
Por, ndikimi i Mirditës, nuk u kufizua vetëm në krahinat fqinje. Kështu, në një ngatërresë që ndodhi midis Gashit të Krasniqes, që ishte mysliman dhe Bobit të Shalës, katolik, shaljanët t’iu drejtuan për ndihmë, Dodë Prengës së Mirditës, ndëryrja e të cilit, evitoi reperzaljet që Mustafa Pashë Bushati, kishte ndërmend të bënte kundër shaljanëve. Me Mirditën, malësitë e tejra katolike, ndiheshin më të sigurta, prandaj procesi i afrimit të tyre, ishte mëse i natyrshëm. Kështu krerët e bajrakeve të Pukës e të Lurës, nënshkruajnë një peticion drejtuar Kongresit të Berlinit, për bashkimin e tyre me Mirditën. (104) Edhe më vonë, me 28 nëntor të vitit 1914, parësia e maleve të Dukagjinit dhe të Mirditës, mblidhen së bashku dhe deklarojnë se; e njohin Prengë Bibë Dodën, për Kryeparë të tyre. (105)
Kanuni si mbrojtës i “kushtetueshmërisë”, ndër Gjonmarkaj
Sipas Kanunit, të gjithë meshkujt e Gjonmarkajve, quheshin Kapidana dhe nderoheshin nga populli, si i tillë. Por, për problemet e vendit, drejtimin e punëve, e bënte Kryekapidani, ai të cilit i takonte paria. Po si përcaktohej paria ndër Gjonmarkaj? Paria e Mirditës, i takonte djalit të parë të vëllait të parë. Mbi këtë bazë, Kapidana sundues në shpinë e Gjonmarkut, kanë qenë: Marka Kolë Gjoka, Gjon Marku, Llesh Gjoni (nuk e ka ushtruar këtë funksion se, ka vdekur para Gjon Markut, i vrarë në betejën me Begollajt në Fanë në vitin 1772), Prengë Lleshi, Dodë Prenga, Bibë Doda, Prengë Bibë Doda. Këtu, dega e Prengë Lleshit, ngelet pa pasardhës dhe atëherë paria i kaloi degës së Llesh Lleshit (Lleshi i Zi), që ishte vëllai i dytë. Nga kjo degë, sunduan Marka Gjoni dhe Gjon Marka Gjoni.
Gjatë këtyre dyqind viteve kishte ndodhur që Kapidanët sundimtarë të mungojnë, apo të jenë të rritur në moshë dhe atëherë kanë sunduar edhe të tjerë, por në të gjitha rastet kanë qenë mëkëmbësa të kapidanave sundues. Kështu, pas vdekjes së Dodë Prengë Lleshit, në vitin 1828, në derën e Gjonmarkajve, plasi sherri për trashëgimin e sundimit. Biba, të cilit i takonte trashëgimi, ishte i vogël. Në këto kushte, Valiu i Shkodrës, caktoi si sundimtar, xhaxhain e Bibës, Nikollë Prengë Lleshin, i cili do të kujdesej për qeverisjen e vendit, në bazë të Kanunit, deri sa të burrërohej Biba. (106)
Por problemet më të shumta, u ndeshën gjatë sundimit të Prengë Bibë Dodës, në vitet 1868-1919. Ai, i kaloi 37 vjet të jetës së tij në internim në Stamboll dhe gjatë kësaj periudhe, e kanë qeverisur Mirditën, Kapidana të tjerë të emëruar nga autoritetet osmane, por që kurrë nuk u pranuan nga populli i Mirditës, si të parë. Populli, nuk kishte asgjë me Kapidanët e tjerë, disa prej të cilëve, kishin patur kontribute të mëdha, por problemi qëndronte në respektimin e të drejtës së parisë që në Kanun, ishte e përcaktuar qartë. Nëse shkelej kjo pikë e Kanunit, në një fazë të mëvonëshme, autoritetet osmane do ta kishin më të lartë t’izevendësonin këta kapidanë të emëruar prej saj, me njerëz të tjerë.
Në shkurt të vitit 1869, u mblodh në Shpal kuvendi i 12 bajrakëve, në të cilin u vendos njëzëri që; djali i Bibë Dodës, Prenga, të njihej si sundimtar i Mirditës, duke patur si kujdestar, Gjonin e Mark Lleshit.(107) Qeveria, nuk pranoi dhe caktoi kajmekam, Gjonin e Mar Lleshit. Por Gjoni, nuk u pranua nga mirditasit dhe u detyrua të largohet. Pastaj Porta e Lartë, caktoi si kajmekam, Marka Gjok Dodën, por edhe atë mirditasit nuk e pranuan. Në postin e Kapidanit-kajmekam, u ulën edhe Kolë Prenga, Prengë Kola, dhe Marka Gjoni, por edhe ata, nuk e pranuan nga populli.
Pasi dështuan për ta emëruar një kajmekam nga Dera e Gjonmarkajve, autoritetet osmane, vendosën të caktonin kajmekamë myslimanë, të cilët, as nuk guxuan të vinin në Mirditë, por qëndronin në Shkodër, apo shkonin deri në Mjedë, ku bënin sikur drejtonin Krahinën, nën mbrojtjen e ushtrisë turke. Kajmekamët myslimanë, ishin kryesisht shqiptarë, si Hajdar Agë Belegu nga Kruja, Reshit Bej Bushati, nga Shkodra, Dervish Beu nga Prizreni, Mahmut Aga nga Podgorica, Jusuf Sokoli nga Shkodra, e tjerë.
Përpjekjet për të ruajtjen e të drejtës së parisë për Prengë Bibë Dodën, vazhduan pa ndërprerje. Edhe kuvendi i Përgjithshëm i mbledhur në Shpal, më 3 dhjetor 1873, u dërgoi konsujve të shteteve europiane një protestë, në të cilën ndër të tjera, kërkohej prishja e kajmekamllëkut dhe ruajtja e autonomisë tradicionale. Me 5 prill 1876, krerët e Mirditës, u takuan me Valiun Hamdi Pasha dhe i kërkuan, kthimin e djalit të Bibë Dodës dhe emërimin e tij si kryetar të Mirditës. (108) Kur e panë se kërkesat paqësore, nuk po merreshin parasysh, Mirditësat, kaluan në veprime luftarake. Kryengritja e Mirditës e vitit 1903, kërkoi kthimin e Prengë Bibë Dodës.
KAPIDANAT ME TË DREJTË PARIE
Në Derën Kapidanore, të gjithë djemtë quheshin Kapidana, por të drejtën e drejtimit të Mirditës, e ka patur vetëm njeri prej tyre: djali i parë i vëllait të parë. Në bazë të këtij rregulli kanunor, i cili në fakt është i zbatueshëm deri para disa kohësh edhe tek popujt e tjerë, si tek spanjollët, belgët, suedezët, e tjerë, kjo linjë trashëgimie, mund të ndërpritej vetëm në rast se vëllai i pare, nuk kishte pasardhës. Atëherë, e drejta e parisë, i kalonte djalit të parë të vëllait të dytë, siç ka ndodhur në fakt tek Gjonmarkajt. Pra, nga gjithë ata kapidana, disa prej të cilëve burra të shquar e të njohur, për trimërinë e zgjuarsinë e tyre, duhen veçuar disa, ata që u takonte e drejta e parisë. Këtu më poshtë, do të paraqesim një jetëshkrim të shkurtër të këtyre Kapidanëve, me të drejtë prije:
- Marka Kolë Gjoka
Marku, përmendet në burimet historike gjatë luftës austro-turke, të vitit 1737-1739, me funksionin e Qefalisë së Oroshit dhe komandant i ushtrive të Mirditës, në atë luftë. Për shërbimet e mirditasve ndaj turqve, në ato luftime, Sulltan Mahmuti I-rë, i dha titullin “Kapidan”. Që nga ajo kohë e mbrapa, mirditasit i pranuan pinjollët e kësaj dere, t’u prinin në luftë dhe ajo derë u njoh si “Dera e Kapidanëve”. Kështu Marka Kolë Gjoka, është themeluesi i Derës Kapidanore të Mirditës, një derë sunduese për dyqind vjet rrjesht.
- Gjon Marku
Djali i Kapidan Markut, Gjoni, e drejtoi Mirditën në kohën kur kishte filluar shthurja feudale dhe pashallarët shqiptarë, përpiqeshin të zgjeronin sundimet e tyre, në kurriz të njëri-tjetrit. Gjoni, ishte një luftëtar sypatrembur dhe fatlum. Ai fitoi mjaft fame, nga luftërat kundër turqve, saqë të gjithë tiranët e vegjël, që sundonin asokohe në pjesë të ndryshme të Shqipërisë, kërkonin mbështetjen e tij, të cilën e paguanin me një çmim të lartë. Në këtë mënyrë, ai fitoi nderime dhe përfitime. Pikërisht nën drejtimin e këtij prijësi, Shqipëria, filloi të njohë emrin e Oroshit, fshatit ku kishte vendosur banesën e vet.
Pa i përmendur bëmat e këtij luftëtari, këngët rrëfejnë se ai zhvilloi fushata ushtarake të suksesshme, anë e kënd Shqipërisë, herë në shërbim të Pashait të Shkodrës, herë në shërbim të guvernatorëve të Pejës, Prizrenit dhe Gjakovës, etj. Njëra prej tyre, rrëfen se i dërguar me trupat e tij në brendësi të Rumelisë, ai shkatërroi ajanët e krahinave përreth Edernesë. (109) Në atë kohë Mirdita, bentë pjesë në Sanxhakun e Dukagjinit, që varej nga Begollajt e Pejës. Për t’i shërbyer Begollajve, Kapidan Gjoni, në vitin 1769, u shkon në ndihmë Tahir Beut dhe Hysen Beut në Zadrimë, që kishin ngritur krye kundër Bushatllinjëve të Shkodrës dhe të luftonin t’ua shkëpusnin Zadrimën Bushatllinjëve dhe ta fusnin përsëri nën sundimin e Begollajve. Ai i vajti në ndihmë Hysen Beut, me shumë njerëz të Mirditës dhe të fshatrave përreth…”! (110)
Pesë vjet më vonë, në vitin 1774, Veziri i Shkodrës, Mehmet Pashë Bushati, i kërkoi aleancë Gjon Markut me mirditas, duke marrë përsipër, t’ua njihte privilegjet e mëparëshme, me kusht që ata të dërgonin ushtarë, në shërbim të Pashait. Kuvendi i burrave, i mbledhur në Shpal në pranverën e vitit 1774, vendosi lidhjen e Mirditës, me Bushatllinjtë e Shkodrës. Në vitin 1775, Karamahmuti, i biri i Mehmet Pashë Plakut, vazhdoi konfliktin që kishte nisur i ati, me Ahmet Kurt Pashën e Beratit. Me ushtrinë e Karamahmutit, shkuan edhe dymijë mirditas, nën komandën e Gjon Markut. Beteja u zhvillua me 12 shtator 1775, në afërsi të Peqinit. Ushtritë e Pashait të Shkodrës, u mundën. Aty mbeti i vrarë edhe Gjon Marku me 60 mirditas, pas një qëndrese të fortë, që krijoi mundësi tërheqjen gjallë të Pashait të Shkodrës. (111) Gjoni, vdiq në muret e Peqinit, të cilin e kishte marrë me sulm. Mirditasit, nuk e dijnë ku ndodhen varret e tyre. Kapidan Gjoni, e bëri Mirditën një faktor me rëndësi. Gjatë sundimit të tij, i shkëputi Begollajve bajrakun e Fanit dhe orientoi Mirditën, në një aleancë me Bushatllinjtë.
- Prengë Lleshi
Gjon Marku, la tre djem. Njëri prej tyre, vdiq pa lënë trashëgimtar, tjetri, pati një djalë nga e cila rrjedh dega e Prengë Markolës. Kurse djali i madh, quhej Llesh Gjoni. Ai mori pjesë në shumë luftime dhe gjeti vdekjen, në një betejë. (112)
Vdiq, pa e marrë parësinë e Mirditës. U vra në vitin 1772, në Fanë, në luftë kundër forcave të Begollajve të Pejës. Llesh Gjoni, la tre djem: Prengën, Dodën dhe Lleshin. Djali i vogël, që mori emrin e tij, siç duket kur u vra ai, ishte barrë në bark dhe sipas zakonit, duhet të merrte emrin e të atit. Parësinë e Mirditës, e tarshëgoi djali i madh, Prengë Lleshi.
Prengë Lleshi, u bashkua me Mahmut Pashën e Shkodrës, që e shoqëroi në fushatën e Malit të Zi, kur ky Pasha, u vra. Prenga, u vu në shërbim të të gjithë pashallarëve të Shqipërisë, të cilëve u jepte trupa luftëtarësh, që komandoheshin nga vëllezërit, apo djemtë e tij, trupa që, qysh atëherë, janë vlerësuar si më të mirat dhe më besniket. (113) Fama e Prengë Lleshit, fitoret që korrën armët e tij, bënë për vete malësorët sypatrembur të Dibrës dhe të Matit, të cilët së bashku me mirditorët, luftuan nën urdhërat e pjestarëve të familjes së tij, në të gjithë Rumelinë, të mbështetur e të paguar, nga bejlerët e pavarur e shumë të pasur. (114)
Në vitin 1795, Karamahmut Pasha, msyni Prizrenin, për ta bashkuar me pashallëkun e tij. Në këtë aksion, ai u mbështet kryesisht në luftëtarët mirditas, të komanduar nga Kapidan Prengë Lleshi. Pretendimi për ta përfshirë edhe Malin e Zi nën Pashallëkun e tij, e nxiti Karamahmutin, të sulmonte drejt tij në verën e vitit 1796. Në betejën e 11 gushtit të atij viti, mirditasit treguan besnikërinë e tyre, ndaj Bushatlliut, duke siguruar tërheqjen e ushtrisë së Pashait dhe duke e shpëtuar vetë atë, nga rënia në dorë të malazezëve. Shumë mirënjohje dhe shpërblime, fitoi Kapidan Prenga, me këtë rast. Pavarësisht nga humbja, në vjeshtën e po atij viti, Karamahmut Pasha, në krye të 20 mijë forcave, e përsëriti fushatën kundër Malit të Zi.
Në përbërje të ushtrisë së tij, bënin pjesë edhe 6 mijë mirditas, të komanduar nga Prengë Lleshi. Edhe në këto luftime, qëndresa e mirditasve, qe e pashoqe. Kapidan Prengë Lleshi, u ndihmoi Bushatllinjëve, në të gjitha fushatat ushtarake dhe marrëdhëniet midis Kapidanit dhe Vezirit, ishin shumë miqësore. Por marrëdhëniet në mes tyre, u ndërprenë në vitin 1806, kur mirditasit, sipas traditës që ishte krijuar, iu bashkuan ushtrisë së Ibrahim Pashës, kundër kryengritësve serbë. Këtu Ibrahim Pasha, preu në besë, prijësin e ushtrisë së Mirditës, Kolë Marka Gjokën. Pas këtij akti të rëndë, Prengë Lleshi, u bë armik i Bushatllinjëve dhe përvijoi një aleancë të re, me Ali Pashë Tepelenën, që mbajti tre taborre mirditasish, në gardën e tij personale. (115)
Kapidan Prenga, dërgoi në ndihmë të Ali Pashë Tepelenës, së bashku me djalin e madh Dodën, një trupë të zgjedhur mirditorësh, të cilën e përforcoi më vonë edhe me pesëdhjetë burra, të komanduar nga i vëllai, Lleshi i Zi. Si shpërblim për këto shërbime, Ali Pasha, e mbuloi me nderime e pasuri dhe lejoi që mirditasit, të praktikonin lirisht besimin e tyre. Në vitin 1810, Kapidani i Mirditës, Prengë Lleshi, la në Janinë të birin, Dodën, si shenjë e besnikërisë ndaj Ali Pashës. (116)
Kapidanati i Mirditës dhe Pashallëku i Shkodrës, kaluan rreth 8 vjet në armiqësi me njëri tjetrin. Gjatë kësaj kohe, Prengë Lleshi, vazhdoi inkursionet mbi Zadrimë, duke rrafshuar çdo gjë që u përkiste turqëve, pa u mundur kurrë dhe duke i’a dalë mbanë, të kthehej në male, pa pësuar humbje, madje edhe kur kishte të bënte me ushtri, shumë të mëdha se e vetja.
Në fillim të vitit 1810, oborrtarët e Ibrahim Pashës, duke kujtuar se Mustafa Beu, përkrahte të vetët dhe se tentonte të dëbonte të gjithë të tjerët, u bashkuan me të mërguarit, Xheladin Beun dhe Abdulla Agën, të gjithë njaj fjale, i ftuan në Tophane, kundër Mustafa Beut, e ndanë Shkodrën në dy parti dhe zaptuan pazarin, deri tek Qafa, siç bëhej qëmoti. Me fjalën e tyre, Prengë Lleshi, bashkë me Sulejman Agën, qeveritarin e Lezhës, zaptuen të gjitha vendet e Zadrimës. Duke u gjendur në të tillë ngushtica dhe pothuaj i rrethuar, vetëm me ndihmën e tabakëve, e të pak malësorëve trima, Mustafa Beu, qe shpallur Pasha nga Porta e Lartë, me anën e një tartari, që ia pru shenjat nga Stambolli.
Në luftën kundër Bushatllinjve, Kapidani Prengë, kishte mbështetjen e Begollajve të Pejës, që kishin në varësi edhe sanxhakun e Dukagjinit. Në vitin 1810, nga mbarimi i majit, ndërsa Kreu i mirditasve, arriti te Ura e Spasit, për të sjellë Numan Pashën e Begollajve, në Zadrimë. Në atë situate, Veziri i Shkodrës, mobilizoi forca të shumta, për të shkatërruar fillimisht forcat e Mirditës, përpara sesa të vinte ushtria e Pejës. Kapidani, me të dëgjuar punët e Zadrimës, me të gjithë ushtarët e vet, u turr nga Spasi në Zadrimë dhe zuri vend në Naraç. Tahir Beu, pasi i theu me të holla rojtarët e Vaut të Bushatit, hyri në Shkjezë. Rojtarët e korruptuar, kur dëgjuan se erdhi Prenga në Zadrimë, të turpëruar për korruptimin e vet, bënë përpjekjet e fundit, për ta shtënë prap në dorë atë vend, por më kot, sepse qenë dëbuar, duke mbetur shumica të vrarë e të plagosur. (117)
Kapidan Prenga detyrohet vetëm me 300 vetë të luftojë me ushtrinë e Shkodrës dhe të Mbishkodrës. Në atë betejë të pabarabartë me përkrahësit e Mustafa Pashës, Prenga plagoset dhe vritet i vëllai, Doda. Në atë situatë, në pamundësi për të mbajtur pozitat e veta, Kreu i Mirditës tërhiqet për në Mirditë. (118)
Armiqësia vazhdoi edhe nga Mustafa Pasha, i cili për inat të Prengë Lleshit, kapi shumë mirditas, që ishin shtegtarë me mushka në tregun e Shkodrës. Atëherë Prenga, arrestoi tregtarët shkodranë, që po ktheheshin nga pazari i Strugës dhe me forcat e tij e 500 maqedonas, ra nëpër Zadrimë, e plaçkiti Mjedën. Për ta zgjidhur problemin, Mustafa Pasha dhe Prengë Lleshi, u detyruan të pranojnë ndërmjetësim, por bisedimet, përfunduan pa ndonjë rezulatat më të mirë, me përjashtim të lirimit të pengjeve. Me nxitjen e oborrtarëve të mërguar të Ibrahim Pashës, në fillim të verës së vitit 1815, qe pushtuar kalaja, prej malësorëve të Lezhës.
I paepuri Prengë, megjithëse disa nga të tijët ishin rebeluar dhe ishin bashkuar me Mustafa Pashën, doli në Troshan, me një çetë të zgjedhur, të armatosur, duke pritur një tjetër tragjedi për kështjellën e Shkodrës, ashtu siç kishte qenë besëlidhja. Por, meqenëse të besëlidhurit shkodranë, nuk mundën të zbatonin tentatitën e tyre, Mustafa Pasha, e dërgoi ushtrinë në Zadrimë. Troshanin e plaçkitën dhe qe vrarë Jak Kabashi në manastir, ndërsa, ndiqej Prengë Lleshi, i cili u tërhoq për në vendin e vet, ai u ndal në majën e malit Kreshtë, përmbi Troshan e Kallmet dhe i priti mbishkodranët, e me një përleshje të ashpër, u tregoi se me kë luftonin. Shumë mbishkodranë, mbetën të vdekur e, shumë të plagosur. Atij nuk i mbetën, veçse dy vetë.
Në përpjekjet për ta pajtuar Kapidanin Gjomarkaj, me Bushatllinjët, si ndërmjetës ishte Ali Pashë Tepelena. U vendos që secila pale, të dërgonte nga tre përfaqësues në Janinë. (119) Në vitin 1815, Prengë Lleshi dhe Mustafa Pashë Bushati, bënë armëpushim. Për ta ruajtur miqësinë me Ali Pashë Tepelenën, Prenga, nuk shkoi vetë në Shkodër, por çoi të birin, Dodën.
Paqja në mes të dy dyerve të para të Gegërisë, u shoqërua me kalimin e bajrakut të Dibrit, nga Bushatllinjtë, tek Gjonmarkajt. Në këtë kohë, Mirdita katërbajrakëshe, bëhet me pesë bajrakë. Pas armëpushimit, me 25 nëntor 1815, me anë të një letre, Mustafë Pashë Bushati, e konfirmoi shtëpinë e Gjon Markut si: “shtëpi të parë të gjithë Mirditës, ashtu siç e kishin njohur Vezirët paraardhës”. Pas pajtimit, Prengë Lleshi u sëmur. Plaga që kish marrë në luftën e vitit 1810, me Bushatllinjtë, i solli probleme me shëndetin, prandaj shkoi për mjekim në Kototrr, por nga mbarimi i nëntorit, kaloi në jetën tjetër. (120)/Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
- Ndoc Nikaj, Kujtimet e nji jetës kalueme …,f.25
- Zhan Klod Faverial, Historia (ma e vjetër) e Shqipërisë, botimet “Plejad”, Tiranë 2004, f. 433
- Kristo Frashëri, Lidhja Shqiptare e Prizrenit, 1878-1881, Tiranë 1989, f.124
- AQSH, Fondi “Prengë Bibë Doda”, Dosja 2, f.1
- Zef Marka Harapi, Mirdita në histori dhe gojdhana deri n’vjetë 1929, Hylli i Dritës, Nr.1, viti 1931, f.6
- AQH, F.24, Dosja 54/1Krh
- Duka Dekaz, Ministër i Punëve të Jashtme të Francë drejtuar Kolona Cekald, Konsull i Francës në Shkodër, Verssajë 5 prill 1876, Shqipëria në vitet e Lidhjes së Prizrenit, vëllimi I
- Hyacinthe Hecquart, Historia dhe përshkrimi i Shqipërisë së Epërme ose i Gegërisë,… f.222
- Stavri Naçi, Pashallëku i Shkodrës, Tiranë 1964, f.94
- Stavri Naçi, Pashallëku i Shkodrës, Tiranë 1964, f.94
- Hyacinthe Hecquart, Historia dhe përshkrimi i Shqipërisë së Epërme ose i Gegërisë,….f. 223
- Hyacinthe Hecquart, Historia dhe përshkrimi i Shqipërisë së Epërme ose i Gegërisë,….f. 223
- Hyacinthe Hecquart, Historia dhe përshkrimi i Shqipërisë së Epërme ose i Gegërisë,….f.223-224
- Hylli i Dritës, vjeti VII, Nr.3, viti 1931, Kronikat e Shkodrës, f.113
- Kahreman Ulqini, Bajraku në organizimin e vjetër shoqëror,… f. 54
- Pjesë nga kronika e Dajçit të Zadrimës, shih Hylli i Dritës, Nr.3, viti 1931,f. 109 – 113.
- Stavri Naçi, Pashallëku i Shkodrës,… f.94
- Pjesë nga kronika e Dajçit të Zadrimës, shih Hylli i Dritës, Nr.5, viti 1931, f.304-305.
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016