Pjesa e njëzetë e tetë
Memorie.al/ Qëllimi i këtij libri, është të bashkojë ndihmesën në përpjekjet që bëhen, për të paraqitur të vërtetat dhe tmerret e diktaturës komuniste në Shqipëri. Qëllimi kryesor i librit, nuk është t’i tregojë popullit tonë e kujtdo tjetër, se ne naftëtarët kemi qenë të pafajshëm, sepse kjo është bërë e njohur nga botime në shtypin tonë, nga televizionet e huaja, si dhe nga takimet direkt me Forumin Ndërkombëtar dhe atij shqiptar të të Drejtave të Njeriut. Dëshira e autorit, është që nëpërmjet kësaj historie, së bashku me tregime të tjera, të luftohet çdo shfaqje në çfarëdo forme, qoftë dhe të moderuar, që ai mund të ketë për të krijuar një shoqëri komuniste. Mendoj se edhe nëpërmjet kësaj historie të hidhur personale, do të shfaqet fytyra mizore e pabesë dhe prepotente e enverizmit, që për një gjysëm shekulli, ja mbajti thikën me majën në gjoks popullit shqiptar, me syrin pishë, duke përgjuar lëvizjet për shpëtim nga jashtë, apo rebelim të vetë popullit, i gatshëm ta shtynte thikën drejt zemrës, në lëvizjen më të parë. Ngjarjet janë vënë në fushat ekonomike ku ajo është shfaqur më me forcë, siç ka qenë industria e naftës dhe e qazit, ku pata fatin të derdh energjitë e mia, për një jetë të tërë dhe të bëhem në ato ngjarje pjesëtar dhe dëshmitar. Të gjitha ngjarjet që shkruhen në këtë libër kujtimesh, janë të vërteta, jo vetëm pa asnjë për zmadhim apo zbukurim të tyre, por ndofta, nuk di sa kam mundur të paraqes forcën tmerruese të ngjarjeve që ndodhnin në atë sistem dekadent të socializmit, ku nuk ekzistonte asnjë ndjenjë humane.
Skenarë, skenarë, skenarë!
Kishin kaluar disa ditë nga firmosja e deponimeve, kur hetuesit më thirrën në dhomën e tyre dhe më thanë se do të bënin disa ndryshime. Ata thanë se hë për hë, u duhej t’i hiqnin emrat e anëtarëve të Byrosë Politike, se ashtu u dukej më e arsyeshme. Me sa vihet re, Ramiz Alia, e kish lënë për më vonë dënimin e tyre. Ndofta e pat parë se ata ishin bërë më të urtë ose situata e përgjithshme e kërkonte që çdo gjë, të bëhej më vonë. Natyrisht unë këtë nuk mund ta di. Rreth dy javë më pas na sollën akt-akuzën, të formuluar nga hetuesia. Aty për herë të parë mësova që ne ishim agjentë jo të një shteti, por poli-agjentë, si të Lindjes, ashtu edhe të Perëndimit.
Kështu përfundimisht, ne na u “pasurua” biografia jonë, megjithëse ne nuk kishim asgjë të qartë, ngaqë as nuk kishim pranuar, as nuk kishim lodhur trurin, t’u jepnim ndonjë rast të tillë. Bile ata as na e kishin kërkuar këtë. Por këto nuk kishin asnjë rëndësi. Asgjë nuk kish më rëndësi. Ne, gjatë atij proçesi çnjerëzor në hetuesi, “na kish dalë turpi”, siç u del prostitutave, që nuk pyesin është një apo janë shumë klientë. Për mua kish rëndësi se, nuk do të qëndroja më atje, nuk do të shihja më atë ambient bishash. Le të na dënonin sa të donin! Mua më dukej se dënimin më të ashpër, ne sapo e kishim kaluar.
Nga akt-akuza mësova përfundimisht, se grupi ynë që së afërmi do të dilte në gjyq, përbëhej nga pesë vetë: tre inxhinierë gjeologë e, dy inxhinierë gjeofizikë. Deri pak ditë para se ne të shkonim para gjykatësit, unë nuk dija se cilët do të ishin dy të tjerët, pjesëtarë të këtij grupi. Muaji nëntor i vitit 1986, ishte një muaj i qetë. Hetimi kishte marrë fund. Hetuesit vinin e na vizitonin rrallë dhe sidomos nuk harronin kurrë të dielave, pas ndeshjes sē futbollit, të ktheheshin e të shikonin në “kafazin e mrekullisë komuniste”, gjahun e krimit të tyre.
Ata endeshin të qetë e të lumtur, ndërsa unë prisja me ankth, se kur do të më njoftonin ditën e gjyqit dhe si do të ishte dënimi. Mua më kishin caktuar “kryetar të grupit armiqësor” e për kryetarin, ata mund të jepnin dhe dënim me vdekje. Do ta bënin edhe këtë? E pse jo? Kur arrestimi bëhej jo për ndëshkim, po për nevojë politike, a nuk mund të lindnin nevoja politike, edhe për të vënë në lëvizje skuadrat e pushkatimit…?!
Takim me Prokurorin e Përgjithshëm
Prokuroria duhej të kontrollonte proçesin hetimor, nëse ky ishte zhvilluar sipas ligjeve. Por ky institucion mjerisht, atëhere ishte gjithmonë në mbrojtje të shtetit dhe i linte të qetë hetuesit, ta çonin proçesin deri në fund, pra kuptohet, në interes të shtetit. Formalisht, në rast të shkeljes së rregullave në proçeset hetimore, prokurorët kishin të drejtë, të anulonin hetimet, të drejtë që ata nuk e ushtruan ndonjëherë, as me ne, as me të tjerë.
Unë dhe kolegët e mi të arrestuar, natyrisht, as nuk kishim idenë e këtyre detyrave dhe funksioneve të prokurorisë. Këto i mësuam shumë vite më vonë. I gjithë proçesi i ynë hetimor, qe zhvilluar me një shkelje flagrante dhe të atyre ligjeve, që qoftë dhe formalisht, mbronin një farë të drejte të të arrestuarit. Nga organizmi që duhej gjoja të mbronte ligjet, asnjëherë dhe askush nuk u shqetësua për këto shkelje ligjore. Në socializëm, ligjin e bënin njerëzit që drejtonin shtetin, e jo ligjet e shkruara.
Nuk është për t’u çuditur, por sistemi i drejtësisë në Shqipërinë e Hoxhës dhe të Alisë, e kishte lënë të arrestuarin pa asnjë mbrojtës, qoftë dhe formalisht. Prokurori ishte ai që në fakt, sulmonte më shumë të pandehurin. Disa herë në muajt e parë, unë kërkova që të vinte prokurori dhe t’i tregoja të vërtetën, se si po zhvillohej proçesi ynë hetimor, ashtu me tortura dhe presione, por kjo kërkesë, nuk m’u plotësua e nuk pashë të vinte njeri nga qendra, që të verifikonte proçesin e të asistonte në hetimin tim. Vetëm një herë, mbaj mend, erdhi një si biçim ekipi, i cili kontrolloi birucën, më pyeti si isha me shëndet dhe u largua. Nuk e di cilët ishin ata dhe pse erdhën.
Kur mbaroi se shkruari materiali përfundimtar, ashtu siç e kam shtjelluar në faqet e mëparshme, një ditë nga muaji nëntor, më thërrasin në dhomën e hetuesisë. Kur hyra brenda, pashë që në tavolinën e hetuesve, përvesh grupit tim hetimor, ishte ulur dhe një burrë i gjatë, i veshur me kostum dhe me kravatë. Nga veshja dhe mënyra si qëndronte, kuptova që ishte person me përgjegjësi, por dhe kujtesa ime me çoi tek ajo ditë kur hyra në paradhomën e ministrit të Brendshëm, i cili më pat thirrur në zyrë për të më përcjellë një kërcënim. Ky person më ngjau me njeriun tjetër që ishte ulur në kolltuk, tok me kryetarin e Hetuesisë së Përgjithshme.
Më hoqën prangat nga duart, më thanë të ulesha te froni i të arrestuarit dhe më njohën me vizitorin e ri. Kjo, ishte hera e parë dhe e fundit në jetën time, që bisedova me atë njeri: ai ishte Prokurori i Përgjithshëm i Republikës të Shqipërisë, Rrapi Mino ose me fjalë të tjera, duhej të ishte engjëlli mbrojtësi i zbatimit të ligjeve, ose me fjalë të tjera akoma, ishte realisht krye-shkelësi i ligjeve, në proçesin tonë hetimor. Unë dëgjova indiferent emrin e tij, se e dija që ai nuk do të bënte asgjë dhe ishte në një thes me hetuesinë.
– “Xhaçka, unë e lexova materialin përfundimtar hetimor të firmosur nga ty, – tha ai që në fjalët e para. – Dhe kam një porosi, që është në të mirën tënde, në gjyq nuk duhet të lëvizësh asnjë qime floku, nga çfarë ke pranuar këtu në hetuesi! Çdo tentativë për të ndryshuar diçka, ka të bëjë me jetën tënde”! Ja saktësisht, kjo ishte mbrojtja që i bëri prokuroria të drejtave gjatë proçesit hetimor. Kjo ishte mbrojtja që prokurori më ofroi mua të pandehurit, që sipas Hoxhës përligjte heqjen e avokatëve mbrojtës. Kjo ishte në vetvete një vazhdë e krimit të mbrojtur nga ligjet e sistemit komunist. Ai kishte heshtur jo një ditë, as një javë, as një muaj, por afro një vit, për shkeljet e ligjit hetimor nga hetuesia dhe tani, për t’i vënë kapakun krimit të tij, më jepte dhe ultimatumin, nga frika se mos unë, thosha të vërtetën në gjyq. Kur zoti Prokuror i Përgjithshëm i dha fund ultimatumit, unë i ndërhyra.
-Zoti Prokuror i Përgjithshëm, unë dua të di nëse familjen time, e kam gjallë e shëndoshë, fëmijët i kam apo jo në shkolla dhe vetëm mbas kësaj do ta them fjalën time. Këtë deklaratë ai ndofta nuk e priste. Me këto fjalë, ai kuptoi se nuk përjashtohej edhe mundësia, që unë ta rrëzoja tërë proçesin e të thoja të vërtetën. – “Të them fjalën e nderit, të Prokurorit të Përgjithshëm të Republikës, se familjen e ke shëndoshë, me banim atje ku ka qenë edhe fëmijët i ke, normalisht nëpër shkolla”.
Atëherë unë iu përgjigja: – Zoti prokuror, meqenëse zutë në gojë fjalën e nderit, të personit më të lartë të Prokurorisë Shqiptare, ju besoj dhe ju jap fjalën, se unë nuk do të lëviz asnjë qime floku, siç thatë ju, nga ato që kam pranuar këtu në hetuesi. Me të dëgjuar premtimin tim ai tha i kënaqur: -“Shumë mire”! Del e qartë që, i gjithë roli i Prokurorisë, u përmblodh në presionin që unë të deklaroja edhe para gjyqit, ato çka kisha pranuar me dhunë në hetuesi. Ai ishte i ndërgjegjshëm, për gjithçka të paligjshme që kishte ndodhur ndaj nesh aty, qysh me arrestimin tonë, pa baza e fakte, qysh me torturat e presionet psikologjike, e deri në shkeljet flagrante të mospjesëmarrjes së njerëzve të tij, në asnjë nga seancat hetimore.
Ai ishte një bashkëpunëtor në këtë krim të shëmtuar, ndaj grupit të naftëtarë të pafajshëm. Nëse unë e mbajta premtimin që i thashë prokurorit, për hir të familjes, në këtë takim prej pak minutash, për një proçes hetimor afro njëvjeçar, ai, siç mësova më vonë, më kishte gënjyer, sepse fëmijët e mi, jo vetëm ishin përjashtuar nga shkollat e tyre, por nuk i pranonin në asnjë punë, e duhej të jetonin në kushte ekonomike, jashtëzakonisht të rënda. Ata deshin t’i detyronin këta filiza të rinj, të shkatërroheshin fizikisht e moralisht, e të përfundonin si rrugaçë. Ata as mundnin e as mund ta llogaritnin, edukatën e shëndoshë me të cilën fëmijët ishin mëkuar në familjen tonë dhe sidomos, nuk llogaritnin kujdesin e jashtëzakonshëm, të trefishuar pas burgimit tim, të nënës së tyre.
Familja ime, e bërë grusht, jetoi në një varfëri të madhe, por me dinjitet, gjatë gjithë kohës që i mungova unë. Fëmijët e mi, si dy zogj klloçkë, u mblodhën nën krahët e mamasë së tyre, që së bashku me motrën e saj, Teftën, kujdeseshin dhe i mbanin afër, në këto vite kaq të rënda për ta. Por Prokurori i Përgjithshëm, nuk kishte kode morale, që të detyrohej t’i respektonte, e me paturpësi, më gënjeu. Ai, hetuesit dhe prokurorët e tij, e kishin në gjak mashtrimin, krimin dhe prandaj ishin në krye të këtyre organeve çnjerëzore, të sistemit të drejtësisë diktatoriale. Si mund të mbrohet ky prokuror, për këto shkelje flagrante të ligjit, ndaj proçesit tonë hetimor?! Ai e vërtetoi filozofinë enveriste të shprehjes, se: “Prokurori të qep copën e kostumit, siç ta ka prerë hetuesi”!
Në një regjim demokratik të vërtetë, një proçes hetimor, do të kërkonte të shkruaje shumë gjatë për rolin e prokurorit, por për një shantazh të tillë, prej pak minutash, nuk ke çfarë të shkruash më tepër. Krimi ishte i rëndë, i turpshëm, mizor, por fatkeqësisht heshtja e tyre, nuk të lë të shkruash asgjë. Turpi i mbuloftë këta njerëz! Ndërsa ata që nuk e kanë provuar se çfarë është sistemi Stalinist, e çfarë përmban ky në vetvete – që të mos provojnë krimin, diktaturën, varfërinë, mohimin e të drejtave më elementare të njeriut, shkatërrimin e virtyteve të lashta të kombit, i uroj që kurrë, të mos e pësojnë mbi kurriz një sistem të tillë.
Kapaku me gjykatën
Pritja jonë e ankthshme për të arritur në hallkën e fundit të kësaj padrejtësie të organeve të drejtësisë, ishte e gjatë. Me sa dukej udhëheqja e shtetit, ndërroi planet e saj dhe e shtyu gjyqin, pas kongresit të partisë, gjatë të cilit shpalli triumfalisht, zbulimin e grupit tonë armiqësor, në industrinë e naftës, grup që paskësh sabotuar këtë sektor jetik, për ekonominë e vendit. Partia e shtyu gjyqin, por përcaktimin në ishim apo jo vërtet armiq, që duhet ta thosh gjyqi, ajo e dinte! E dinte që në përfundim të gjykimit, do të vërtetohej kjo gjë. Bravo! Në shekullin e Njëzetë, në luftë me mullinjtë e erës, Don Kishotët e Shqipërisë, kishin arritur fitore të reja.
Shtyrja, ndofta lidhej edhe me rrezikun që kishte nxjerrja në gjyq, para kongresit, e emrave të anëtarëve të Byrosë Politike, të planifikuar për t’u shpallur si kundërshtarë të Partisë. Ramiz Alia, mundet që ende nuk i kishte pozitat aq të forta, sa të hapte një konflikt në Byro. Më 5 janar 1987, në mëngjes, dera e birucës time u hap me gërvime dhe pashë të më hyjnë brenda grupi i hetuesve. Ata më sollën ca ndërresa të pastra, e më thanë që të vishesha, se pat ardhur dita që të zhvillohej gjyqi. Diskutuan gjatë mes tyre, për xhupin tim dhe vendosën që të mos e merrja me vete, sepse ishte shumë pis, e nuk ishte mirë të dilja para gjyqit me të. Pasi u ndërrova, xhupin, “shokun” tim të ngushtë të birucës, e lashë aty, se mendova që në darkë do të kthehesha përsëri, po aty. Më vunë prangat dhe më nxorën jashtë ndërtesës së burgut.
Dita ishte shumë e ftohtë dhe fillova menjëherë të ngrij, se u gjenda i veshur shumë hollë. Për vete ata ishin të veshur me pallto, pardesy, ndërsa unë me një xhaketë të hollë, e pa asnjë triko. Sytë e mi me zi po mësoheshin me dritën përreth: u gjeta mes një grumbulli të madh automjetesh dhe ushtarësh. Hetuesit e mi, nuk më kishin thënë gjë dhe unë mendova se gjyqi do të bëhej në Fier. Më futën në njërën nga ato makinat e vogla ushtarake, të shoqëruar nga dy policë dhe hetuesi. Në çdo makinë ata vendosën nga një prej ne të pestëve të grupit. Në fund të autokolonës, qëndronte një kamion i mbushur me ushtarë të shërbimit të burgjeve.
Makinat u vunë në lëvizje. Rrugën e çante në fillim një makinë e policisë, e pastaj vinin me radhë makinat tona. Të them të drejtën, ai proçesion kaq i madh dhe regjimi i jashtëzakonshëm, më futën një ndjenjë frike, se mua do të më dënonin me vdekje dhe se ato që më kishin thënë e premtuar, në këmbim të pranimit të fajit, do të ishin gënjeshtra. Shpejt kuptova se po na çonin në Tiranë, sepse menjëherë, autokolona mori rrugën e kryeqytetit. Makinat tona në varg, kaluan përpara shtëpisë ku banonte familja ime dhe sytë e mi, u veshën nga lotët. Mendova për Zhanin dhe fëmijët. A e dinin ata vallë se njeriun më të dashur të tyre, atë që tërë jetën e kishin parë me adhurim, si njeri të drejtë, të dashur, të nderuar shumë herë me tituj e dekorata të larta, tani pas dhjetë muajsh sfilitjesh, po e kalonin para portës së shtëpisë, duar lidhur, si një keqbërës të përbuzur në rrugën e tij drejt gjyqit?!
Jo! Njerëz të ndershëm, nuk mund t’i përshkruaj ato ndjenja të forta që përjetova në ato pak sekonda kalimthi, në afërsi të shtëpisë. Ato mendime që më kaluan duke më rrëqethur trupin, nuk ndryshuan asgjë. Makinat vazhdonin të na çonin me ngadalësi, drejt Tiranës. Shoqëruesit komunikonin vazhdimisht me radio të vogla dore, me njëri tjetrin. Disa herë autokolona ndalonte, e përsëri lëvizte për të na çuar ne, kufomat e gjalla, drejt burgut të Tiranës, për zhvillimin e gjyqit, që do të çelej me sloganin e neveritshëm: “në emër të popullit”, por që në fakt, ishte në emër të udhëheqjes, kundër popullit. Dhe tani që kanë kaluar mbi gjashtëmbëdhjetë vjet, nga këto ngjarje, është e pamundur të ndaloj emocionet e mia, lotët e mia, për ato ngjarje tragjike. Ajo jetë që më kaloi duke punuar me litar në grykë, ma ka dobësuar tmerrësisht sistemin nervor.
Kur mbërritëm në burgun e Tiranës, na zbritën një e nga një, në mënyrë që ne të mos shikonim sy ndër sy njeri tjetrin. Duke ditur falsitetin e proçesit, ata kishin frikën se mos shpërthente e vërteta dhe prandaj ruheshin, që sytë tanë të mos ndesheshin, se mos i jepnim njëri tjetrit ndonjë sinjal, a ndonjë vendim kolektiv, për të thënë në gjyq të vërtetën. Por ne nuk mund të bënim një gjë të tillë se, së pari, të gjithë e kishim mendjen top, se ashtu nuk do të fitonim asgjë, pasi gjykata e kish paravendosur, që do të dënoheshim dhe së dyti, edhe dënimi do të ishte më i rëndë, sepse ata nuk përgjigjeshin, e nuk jepnin llogari para askujt. Ligjet i bënin ata vetë, ata ishin ligji dhe do të hakmerreshin shumë më keq.
Në burgun e Tiranës, në katin e dytë, kaluam shumë dyer të hekurta, deri sa mbërritëm në sektorin, i cili ishte rezervuar për ne. Mësuam më pas, se ai ishte sektori i posaçëm, për armiq të rrezikshëm të pushtetit komunist. Biruca ku më futën mua, ishte e madhe rreth katër metra me katër, me dy dritare të vogla pa xhama, në lartësi të mëdha të paarritshme, për njeriun me shtat normal dhe të pajisura me një rrjetë hekurash të trashë. Kushedi se sa vuajtës e viktima të tjera të atij regjimi, kishin kaluar në atë dhomë netë pa gjumë, në pritje të marrjes së vendimit, e ndoshta netët e fundit të jetës së tyre!
I zhytur në këto mendime, mundohesha të shtroja logjikën e të gjithë ngjarjeve në hetuesi për të parashikuar masën e dënimit tim, por ishte tepër e vështirë, t’i jepja përparësi jetës, apo vdekjes. Në këto mendime, më gjeti polici që hapi portën e hekurt me llozin e saj të rëndë. Ai më vuri prangat, më nxori në korridor dhe duke ecur në drejtim të kundërt me atë nga erdhëm, më futi në një dhomë, që duhej të ishte e hetuesisë. Aty qëndronin në këmbë, të veshur mirë, sikur po shkonin në një premierë shfaqjeje artistike, të tre hetuesit e mi. Ata më porositën edhe një here, të kem kujdes dhe të mos gaboj e të flas ndryshe, se pastaj, mund të ndodhte gjithçka. Unë siç isha i turbulluar, nga tërë ajo pompë përcjelljeje nga Fieri në Tiranë, as nuk e zgjata, por i thashë vetëm; “po”, me kokë.
Më kthyen menjëherë në qelinë e madhe. Aty ishte një i ftohtë i padurueshëm, frynte një erë e fortë brisk, që më detyroi edhe në atë birucë të kufizuar, të bëja vrap për t’u ngrohur dhe për të larguar disi mendimet, që më vinin në tru. Kishin kaluar rreth dy orë, e dera u hap përsëri. Këtë radhë prangat m’i vuri një ushtar, që më çoi disa metra më tutje, nga dera e qelisë sime. Aty ndodhej një berber, me një karrige dhe afër tij, qëndronte në këmbë një oficer trupmadh e i moshuar, me një gjuhe nga veriu i vendit. Ai qëndroi i pranishëm gjatë gjithë qethjes dhe rojës, që më bëri berberi i burgut, për të më përgatitur për në gjyq. Pak më vonë, më çuan në dhomën e dushit, për t’u larë.
Të nesërmen në mëngjes, pas një nate që nuk më zuri gjumi kurrsesi, erdhën policët dhe na futën nëpër të njëjtat makina, të shoqëruar në to, sikurse erdhëm nga Fieri dhe këtë radhë jo më dy, por me katër policë. Po kalonim bulevardin e Tiranës, atë bulevard në të cilin kisha kaluar mijëra here, për të vajtur në shkollë apo për të shëtitur me shokët e mi të rinisë, tek shkëmbenim mendime, për të “ardhmen e bukur” që na priste?! Makinat kthyen në drejtim të ndërtesës së Gjykatës së Lartë. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016