• Rreth Nesh
  • Kontakt
  • Albanian
Sunday, June 1, 2025
Memorie.al
No Result
View All Result
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
No Result
View All Result
Memorie.al
No Result
View All Result
Home Kujtime

“Në një shëtitje me fëmijët e shkollës jashtë qyteti, një nxanëse klasës se shtatë, 14-të vjeçe, me një pamje të vuejtun në fytyrë, më tha…”/ Kujtimet e ish-Ipeshkvit të Shkodrës, Dom Zef Simoni

At Zef Simoni
“Ishte një moment i sikletshëm në Elbasan, kur nga grupi ynë filluan të këndojnë e të kërcejnë me ‘Tuca tuca’, të Raffaella Carrà-s, por një partiak…”/ Reportazhi i fotografit italian, në ’82-in
“Në krye të njerëzve të Sigurimit që më arrestuan, ishte Çesk Shoshi, kurse prokurori, Aranit Çela, dha 11 dënime me vdekje për…”/ Dëshmia e ish pjesëtarit të organizatës
“Në përpjekje për të goditur autonominë e Mirditës, në 1867-ën, kur Bibë Doda gjendej në Prizren, Valiu i Shkodrës, i shkruante Kapidanit, që Marka Gjonin…”/ Libri i studiuesit të njohur, Dr. Nikoll Loka
“Hetuesi shkodran, një trupgjatë dhe i zi në fytyrë, na vuri para fotot e zhubrosura të Enverit e Ramizit, pasi na qëlloi nga një shuplakë, na tha; UDB-ja…” / Dëshmia e rrallë nga koha e diktaturës
Relacioni sekret: “Gjovalin Papleka me sëpatë dhe Sokol Drrasati me dinamit, rrëzuan bustin e Enver Hoxhës dhe…”/ Letra për Xhelil Gjonin, në 13 dhjetor ’90-të, për “huliganët” e Shkodrës

Nga Dom Zef Simoni

Pjesa e tretë

Memorie.al publikon një studim të panjohur të Dom Zef Simonit, me titull “Persekutimi i Kishës Katolike në Shqipni nga 1944 në 1990-ën”, ku kleriku katolik me origjinë nga qyteti i Shkodrës që vuajti për vite me radhë në burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe më 25 prill 1993 u shugurua Ipeshkv nga kreu i Selisë së Shenjtë, Papa Gjon Pali i II-të , pasi ka përshkruar një histori të shkurtër të Klerit Katolik në Shqipëri, është ndalur gjatë në persekutimin që pësoi Kisha Katolike në regjimin komunist, nga viti 1944 deri në vitin 1990. Studimi i plotë i Dom Zef Simonit, duke filluar nga tentativat e qeverisë komuniste të Tiranës menjëherë pas mbarimit të Luftës për ta shkëputur Kishën Katolike nga Vatikani, fillimisht duke i ndaluar kthimin në Shqipëri Delegatit Apostolik, Imzot Leone G.B. Nigris, pas vizitës që ai kishte bërë te Papa në Vatikan në vitin 1945 dhe më pas me presionet e kërcënimet ndaj Monsinjor Frano Gjinit, Gaspër Thaçit e Vinçens Prenushti, të cilët e kundërshtuan prerë “ofertën” e Enver Hoxhës dhe si rezultat u pushkatuan prej tij, si dhe fatin tragjik të shumë klerikëve të tjerë që arrestuan, u torturuan dhe u dënuan me burgime, si: Dom Ndoc Nikaj, Dom Mikel Koliqi, Atë Mark Harapi, Atë Agustin Ashiku, Atë Marjan Prela, Atë Rrok Gurashi, Dom Jak Zekaj, Dom Nikollë Lasku, Dom Rrok Frisku, Dom Ndue Soku, Dom Vlash Muçaj, Dom Pal Gjini, Fra Zef Pllumi, Dom Zef Shtufi, Dom Prenkë Qefalija, Dom Nikoll Shelqeti, Dom Ndré Lufi, Dom Mark Bicaj, Dom Ndoc Sahatçija, Dom Ejëll Deda, Atë Karlo Serreqi, Dom Tomë Laca, Dom Loro Nodaj, Dom Pashko Muzhani, etj.

                                                 Vijon nga numri i kaluar

Gjithashtu mund të lexoni

“Sheh Mersinit prej Bicajve të Lumës, çuditi gjithë burgun, pasi i kishte tregu mjekut Elez Troshani, që ai do vdiste mbas një jave dhe në të vërtetë, ai…”/ Dëshmia e rrallë e Ahmet Bushatit

“Dy të burgosun prej Kavajës, si hangrën ca rrush, bistakët, nuk i hodhën aty afër, – siç do të dëshronte ndonji i uritun, por në gropën e W.C. – së, ku nji i dënuar nga Berati…”! / Dëshmia e Ahmet Bushatit, për tmerret e Bedenit

Në një zyrë të tillë unë isha në zemër të qytetit, të cilin nuk e sheh mirë për së largu. Duhet të jesh mbrendë, për të pa si fillon me u prishë një qytet, me i ardhë era, se ajo prefekturë para pak vjetësh, e qetë dhe hijerandë, mori një kuptim tjetër: atë të; “zyreve pa zyrtarë”, ku mund të vijë fundi i dyrnjasë, në atë vend që gëdhin e erret fenomenet e revolucionit. Por Providenca më ruente. Ajo do të lëshonte dritën e vet. Gjithmonë por, kur asht terr e, nuk gjen rrugë, duhet drita e saj, kur ngjitesh në të përpjetë dhe kur ke rrezik të ulesh. Kurr nuk të len, nuk të lëshon. E atëherë, kur bijnë mbi ne provat e gjindesh mes luftave, sulmesh, vështirësish, Providenca të merr për dore e, gjindesh nën drejtimin e saj e, asht kjo që ka projektet e lira të saja që bahen tuejat.

Në fillim nuk sheh. Ma vonë nisë e bahet qartë gjithçka e, kur t’i të shohësh të kaluemen tande, ven oroe se gjithçka asht ba mirë, me një rregull ku pat gisht Provania Hyjnore. Për ato fjalë që tha sekretari, profesori e unë, e falënderuem. “Kjo, me hy në Lice, do të bahet ma vonë, – i tha profesori. – Tashti të fillojë detyrën e arsimit, ma parë në klasët e fillores”. Mbrenda pak ditëve, në moshën 18 vjeçare, u gjeta si mësues në qytet, në zemër të qytetit, mes shumë familjeve të mira të tij, në një klasë të katërt, të fillores. Unë, nxanës i shkollës klerikale, për sa vjet, unë shitës i mezeve nëpër tavernat e qendrës së qytetit, u bana mësues i “Pushtetit Popullor”. Edhe unë u çudita se ku gjindesha. Pa kusinë e mezeve. I veshun mirë dhe me energjinë e një të riut. U shtue gëzimi i nanës dhe i babës, i vëllazënve e i motrës, kur na u dha edhe një shtëpi në një lagje fort të mirë, në qendër të qytetit, ku banojmë edhe sot.

Këtu mbaroi pamja zyrtare e jashtme, e vorfnisë sonë. Hiqet skami personal e, do të vazhdojshim të hiqshim keq, si shumë e shumë tjerë. U barazuem me mjerimin e mbarë qytetit. U tha se do të hahej me lugë ari, por nuk do të duhej gja, as luga drunit. Nuk do të keshë fort punë me lugë. Për ma se katërdhjetë vjet, do të merrshim ma shumë ushqime të thata. E unë e familja, xume vend me të gjithë. Nuk do të isha ma i vobekti publik i qytetit, por qyteti e kombi, publikisht i vobeksisë. Me një shpejtësi dhe pak i përgatitun në këte vjet, mora edhe maturën, si kandidat i jashtëm. Mbas një vjeti, më dërguen në një kurs shumë të mirë kualifikimi në Tiranë, për gjuhë e letërsi. Më vendosën në shkollat ma të mira të shtatëvjeçares në Shkodër, e një vjet në një shkollë afër shtëpie.

Shkoi në vend dhe dëshiri i Sekretarit të Komitetit, se, kur mbarova Institutin e Lartë Pedagogjik në Tiranë, për degën Gjuhë-letërsi, jepshe mësim dhe në shkollën e mesme Tregtare. Gjithçka më shkonte mbarë. Unë mësues në Pushtetin Popullor, por kurr i tij. Unë në gjithçka, rrijsha larg tij. Unë, për këta, nuk isha një reaksionar, por gradualisht e bajsha veten të tillë, pse dojsha të ecëshe si njeri e, kurr të isha skllavi i Pushtetit Popullor.

Mësues “reaksionar”!

Drejtori i shkollës, Zotni Ndoc Fishta, një burrë i mbaruem, skelektik, i sëmurë që pështynte gjak nga goja, në një moshë afër të pesëdhjetave e, që do ta mbyllte jetën në këte verë në një sanatorium të Beogradit, me datën 17 mars 1947, më paraqiti para nxanësve. Porsa hymë në klasë, fëmijët u çuen menjëherë në kambë. U ba një heshtje fëmijësh. Për të parën here, m’u dha emni zotni, në këte moshë, se ky tha kështu tue më përmendë emnin: “Zotni Zefi, asht mësuesi i klasës suej”. Ishte klasa e katërt e fillores. “Të rrini urtë e të mësoni mirë”, i tha këto fjalë, me një za të lehtë e si të marrun, të gerdhishtun, elegant, se ashtu ishte edhe sjellja, edhe veshja e tij. As unë nuk e di, si m’u duk vetja, kur ndjeva këto fjalë. Diçka e bukur mendova, të jesh mësues.

E drejtori u largue, tue më lanë vetëm me nxanësit, gati tridhjetë fëmijë, të moshave 10-11 vjetësh, që, të ulun në banka dyshe, m’i lëshojshin sytë e tyne, ma tepër kuriozë, se mësuesi i ri u ban njëherë përshtypje, deri sa fëmijët të mësohen me atë. Një fëmijë nga gjysma e bankave, ndigjova se përshpëriti se mësuesi i ri, qenka i shkurtë me shtat. Unë u afrova pranë katedrës, me nderim e shpejtësi. Më kaluen në mend vjetët e mia të fëmijërisë dhe kujtimet për mësuesit e mi, sidomos të fillores. Kjo orë e ditës së parë, qe për mue ma tepër me fantazi e sadisfaksion, pa mujtë të vlerësojsha si duhet asgja, se nuk kisha njohje, as përgatitje në këte detyrë. Qe vetëm ditë gëzimi, jo pune.

I ulun në karrigen e posaçme me nderim e si me frikë, pa folë asnjë fjalë, bana apelin në regjistër, tue u mundue me e zgjatë edhe për të njohtë nxanësit, edhe pse nuk dijsha si me e fillue dhe me e mbarue orën. Secili çohej në kambë, tue përgjegjë me fjalën tingëlluese; “këtu”. Asnjë nuk kishte mungue. Ma vonë do të kuptojsha se apeli në klasë, asht një prezantim fisnik. Fëmijët shumë herë kishin një buzëqeshje të lehtë e, me një za të urtë të përgjigjes; “këtu”, shprehin qendrimin e qenies së tyne e, mësuesi nisë të vërejë natyrën, gjendjen e ditës dhe gëzimet e shqetësimet që kanë ata. Tue qenë se ishte kohë pranvere, dy-tre fëmijë, sillshin nga shtëpia lule e formojshin me ta tubën e bukur të luleve, që unë i gjejsha gati çdo mëngjes mbi tryezë. Unë diçka do të bajsha dhe nisa tue u drejtue atyne ndonjë pyetje të thjeshtë e, menjëherë ata fluturuen, si një tubë zogjsh.

Ishin gati e më përgjigjeshin të gjithë. E, kur me ndonjë fjali që shkrova në drrasë të zezë, me shkrimin tim jo të keq, kërkova të di, se cilët ishin emnat e mbiemnat, shpërtheu gjallni në klasë, fëmijet ngritshin gishtat, tue thanë: ” E tham unë, zotni mësues! E tham unë, zotni mësues”! Ma vonë do të hynte termi ma iracional; “shoku mësues”, për të formue një shoqni, pa asnjë ideal nderimi për ma të madhin, vetëm nderimi për partinë dhe për udhëheqësit tiranë. Po fillonte prishja e karakterit. E kishte gjetë e mendue vetvetiut këte term ideologjia marksiste, në ata furitë e veta të tërbueme me koncept klase, për t’i nda shqiptarët në armiq njeni me tjetrin. E fëmijët e bajshin këte, tue çue gishtat, tue dashë t’ia kalojshin njeni-tjetrit.

Megjithëse në këte orë shpjegova me ngadalë, përsëri më tepruen disa minuta të mira, pa ra zilja e mbarimit të orës. Kjo gjendje nuk mund të vazhdonte. E këte do ta kuptojsha mirë ma vonë. Kur ra për mue ajo e shkretë zile, u gëzova edhe ma tepër se fëmijët e, menjëherë u gjeta në drejtori, tue pasë me vete edhe regjistrin, më qe si një libër shejt. Erdhën mësuesit të gjithë e u bashkuen rreth meje, për të dijtë si e kalova orën e parë. Unë kisha marrë disa udhëzime të shpejta prej tyne e, do të vazhdojsha për të marrë gjatë vjetit. Ata kishin eksperiencë. Ata kishin edhe dije. Ishin të gjithë mësues, me shkolla të mesme pedagogjike të rregullta. Për të mësue të tjerët, do të merrshe mësime prej tjerëve.

Vejsha oroe se në shkollë kishte qetësi. Nxanësit hyjshin e delshin prej klase me rregull, në atë ndërtesë me torre që kishte qenë shtëpi e Gjon Marka Gjonit, kapidanit të Mirditës. Shteti e kishte ba të vetën, e kishte shtetëzue. Unë, i ri, nuk do t’i thirrshe kurr mësuesit e mësueset vetëm me emën, por do të thojsha; Z. Drejtor, Zotni Teufik, një gjysmë plaku i urtë. Aty kishte dhe një zojushë, që ishte 6 vjet ma e madhe e unë: Zoja Vitore, motra e profesorit të letërsisë në lice. Ishte njeri fort i mirë, e virtytshme dhe shumë e sjellshme. Ishte e veshun me të zeza, i kishte vdekë i vëllai, të cilin e pata shok të mirë klase në liceun “Illiricum”. Kur shkojsha me pa meshë, kjo do të gjindej e ulun në gjuj, në bankat e kishës françeskane të Gjuhadolit.

Erdhën Pashkët e këtij vjeti. Porsa mbaroi mësimi, të shtunden, i urova Pashkët, nësa po uleshim prej shkallëve të shkollës. Lotët rrodhën prej syve të saj. Kujtonte vëllanë në këta Pashkët e para, pa atë. Edhe unë në këto çaste, pata dhimbje dhe dashuni natyrore për atë, por me forcë virtyti. Prej një dite në tjetrën, prej një vjeti në tjetrin, unë futesha në jetët e mësuesit. Në trajtën e jashtme, kjo jetë asht me rregulla, por çdo minut lidhet me botën e njerëzve të moshave të vogla e, me të rij, për të zbulue talente e individë. Fjala “përgjëgjësi”, që ka mësuesi, asht e shejtë. Oh, çfarë rregullash të mira kishte arsimi!

Çdo mësues ishte i detyruem të bajë një ditar për orët të mësimit, një ditar minucioz. Do të fillonte me pyetje frontale e mbas, shënoneshin edhe emnat e nxanësve, për t’i pyet, për të marrë notën. Vazhdonte t’u tregonte në ditar, mënyra si do të spjegojsha landën, me shëmbuj përkatës. Në fund, mbas një përmbledhjeje edhe ushtrimet, që do t’u jepeshin për shtëpi. Ditari ishte detyrim për mësuesin, e, në raste inspektimi që mund të bante drejtori i shkollës apo inspektorët, ma e para kërkesë e tyne, ishte me pa ditarin. Mosgjetja në rregull e ditarit, ose mungesa e tij, peshonte randë për mësuesin, e kishte për atë pasoja. E ditari quhej një barrë e randë për mësuesin, e punë e mërzitshme e tij.

Ishte një punë e arsyeshme bamja e ditarit, por me këte kontrollohej mësuesi e, vigjëlohej arsimi i partisë, me dhunën e saj. Kështu i shtërngoheshin vidat aparatit të ri të shkollës së reformueme e, ngadalë ngadalë, të terrorizueme. Në bazë të programit, çdo dy javë zhvilloheshin rrethet e quejtuna metodike me mësuesit, simbas klasave e shtatëvjeçaret, simbas landëve. Caktohej landa për dy javë. Baheshin diskutime e unifikime. Edhe mësime shembullore, disa herë në vjet. Në këte rasë, një mësues zhvillonte mësimin me fëmijët, para mësuesve të së njajtës klasë e, në tetëvjeçare, para mësuesve të së njajtës landë.

Metodikat e pedagogjisë, kishin planifikim me substancë të keqe të sistemit jugosllav e sovjetik. Gjithçka ishte mbërthye në atë mënyrë, që nxanësit nëpërmes të landës, t’i bllokojshin trutë dhe t’ia merrshin frymën shpirtit, me ideologjinë e randë të diktaturës. Orët e shkencave dhe ato shoqnore, ishin të materializueme. Ora e historisë kishte gënjeshtrën, ajo e gjeografisë politike, kampet e sferat e botës. Ora e letërsisë, shumë devijime e helme kundër qiellit, klerit, kulturës, shkrimtarëve ma të shquem, të Veriut e të Jugut. Filozofi nuk bahej. Orën e saj, e xente materializmi dialektik-historik. Nuk mund të baheshin nga nxanësit pyetje, për të gjetë të vërtetën. Këto ishin orë të thata, të shtrembëta, të cungueme. Ishin të bashkueme gënjeshtra me shpifjen. Këshu mësuesi bahej një edukator supërficial, mekanik i damshëm. “Mësuesit e kuq”, i jepnin mësimet e këqija, me pasion.

Ishin mësuesit e Sigurimit të Shtetit. Pjesa tjetër do të punonte ma tepër, për të marrë një rrogë. Gati të gjithë punojshin, për të marrë vetëm një pagë. Pjesa më e madhe, fliste kundër dëshirit të vet. Edhe nxanësit e dijshin se ato flitshin kot, pa zemër. Unë i ruhesha kemtisjeve. Flitej vazhdimisht, se mësuesi ka detyrë të randësishme e mendojsha se, kur mësuesit e mi, u banë si fëmijë me ne, ashtu do ishim edhe na, për të pasë me ata një komunikim. Atëherë, shkoj me një gëzim në shkollë. A munden ata, mos me të nderue e mos me të dashë?! Ata rrijshin urtë. Edhe unë i kam dashë e nderue të gjithë nxanësit, pa ba dallime. Kam mbajtë me ata një lloj distance, tue pasë ma tepër një afërsi mirësie dhe sjelljeje.

Zbulojsha se fëmijët janë kurdoherë të mëdhaj, kanë botën e tyne të haptë e, atëherë ruhesha të mos i bajsha një fëmije ndonjë qortim mes tjerëve, për ndonjë faj të tij. Mundohesha të isha delikat në sjellje. Grindeshin fëmijët ndonjëherë, për punë të vogla. Antoni kapet me Markun. Gjoni i merrte fletorën a lapsën për lojë, Enrikut. Vajza, disa thepe, nësa lojshin me konop, shtyjshin njena-tjetrën. Janë të randësishme nga nganjëherë këto. Por në fillim i përkasin këto veprime, të mbetave dhe jetës fëminore. Njeriu kalon nëpër gabime. E kur një fëmijë erdhi pranë tryezës, për t’i ba një padi shokëve që nuk rrijshin fort urtë në disa çaste, unë, tue pa natyrën e tij, për të më hy në hatër, nuk ia pranova. I thashë lehtë: “Kur të trazon kush ty, më njofto. Jo për tjerët”. Ky ma vonë, kishte përfundue një paditës e, u ba dhe vegël e fshehtë e kohës.

Punojsha me nxanësit ma tepër, si dhanës mësimi, jepshe landët mësimore të gjuhës shqipe, lexim, gjeografi e histori në klasat e shtatëvjeçares e, kur kalova në Liceun Tregtar të qytetit, jepshe landën e bukur të letërsisë. Këto landë i tërhiqshin shumë nxanësit e studentët. Përmes këtyne landëve e gjatë komenteve, përpiqesha me u dhanë drejtim të mirë. Mujsha me shtie ide e ideale, që nuk ishin kundër kohës, por që kjo nuk i pëlqente fort. Donte trashësinë e materializmit. Doemos e mendojsha, se nuk mund të bahej një punë e mirë si duhet. Askurr si duhet. Për mësuesin që ka punën e një artisti të shpirtënve, të një moralisti, me u shtie nxanësve konceptin e një shteti përbindsh, që do të thotë të ketë në dorë gjithçka, pronën, personën, ndërgjegjën, ky veprim dhe i mësuesave, futet në krimet e randa shoqnore e, mësuesi i terrorizuem, bahet një figurë shumë negative.

Nxanësit e kuptojshin se unë, kisha një shpirt reaksionari. Nxanësit kishin një besim te unë e më dojshin, se nuk u flitsha asgja për Shtetin, për reformat. Edhe kur i shpjegojsha ndonjë herë, i paraqitsha shpejt dhe në mënyrë të parandësishme, ma tepër tue i tregue në mënyrë historike, pa pasionin e zbërthimit e të komentit. Mbaja lidhje me prindët e nxanësave. “Nuk dimë si po rriten këto fëmijë, – thojshin shumë. – Shkollat po na duken kot”. I flitshin me mue këto fjalë. E unë u thojsha disave, te të cilët kisha besim: “Këta i duen njerzit pa besim, të vorfën për kah dija, të ligshtë për kah vullneti, për punë të mira, të fortë për kah interesi e, të shkathtë për kah djallëzitë”. Në shkollën e tipit të ri, në formimin e këtij njëriu, gjithçka fluturon hidhet në erë. Emancipime të në papame. Nuk ishte kjo shpejtësi. Nuk ishte vrull për përparim. Thojshin këta për “përparim”.

Bahej gjithçka keq, ndërtesa, rruga, fabrika, uzina, dyqani. Asht me të vërtetë kopil, ky socializmi?! Shpikë “zyrë për zyrtarë”. Ngatërron jetën e të rijve nëpër shkolla, kondicion marrjeje në punë nëpër ndërrmarrje, me shumë forma, dhe me qëllime të ulta. Qëllimet e ulta, janë shfrytëzimet ma të fortat. E tanë kjo punë bahet gradualisht, me sistem, me plane djallëzore, me fuqi personale të të paftëve e, të sherrave. Asht kriza e fillimit të ndërtimit të socializmit, që të lente pa hangër, pa u veshë. Ishte sistemi i triskëtimit me pak bukë, me pak ushqim. Për njerëzit që nuk janë në punë, racioni ishte një kohë 250 gram e, kjo bukë kollomboqe, e ma vonë 400 gram. Për ata që ishin në punë, 500 gram. Për fëmijët e shkollave, 600 gram, kurse për mësuesit e disa kategori, deri në 900 gram në dië. Për atë kategori reaksionarësh, nuk kishte triska, as bukë, as ushqim.

As privatët nuk kishin triska buke. Triskëtimi i ushqimit, ishte: djathë për familjen, deri tre kg. në muej, marmelatë deri katër kg., voj ullini 1 kg., mish për personë, 250 gram, 700 gram peshk, 3-4 kg. peshk për familje, sheqer 400 gram, për frymë në muej, sapun deri 6 kallepë në muej, për familje, miell deri 6 kg., në muej për familje, e deri 4 kg., në muej, për familje, miell kollomoqi. Por, mungonte, herë mbas here ndonjë artikull, e atëherë u digjte lata, e ma në, filloi të digjej edhe triska për të arrijtë ma vonë, te dita e djathit e mishit, e voeve…!

Në një shëtitje me fëmijët e shkollës jashtë qyteti, një nxanëse klasës se shtatë, katërmbëdhjetë vjeçe, me një pamje të vuejtun në fytyrë, më tha: “Na vuejmë shumë në shtëpi. Sa herë, në mbramje, nuk shtijmë asgja në gojë. E në mëngjes vij shumë herë pa hangër. Edhe janë shumë fëmijë të klasës në këte gjendje”. Mendova me vete: “Edhe unë ashtu”. Por m’u dhimbëshin fort fëmijët. E dijsha mirë, çka ishte vorfnia. E vorfnia e socializmit nuk të dahet kurr, e çdo ditë vinte e të lidhte jetën tande, për kafshatën e gojës.

E në lidhje me punën për ndërtim, kudo në arsim, hapeshin kurse, kurse kundër analfabetizmit. Do të mësojshin zanoret, bashkëtingëlloret. Zanores me germën e madhe E, do t’i jepej fort randësi. Asht germa e parë, me të cilën fillonte fjala e “të zotit” të shtëpisë së re. Kjo do të ishte Shqipnnia e re, rreziku i kësaj mëkatnoreje që po ngarkohej me shumë mëkate ditën e natën, me turne pa turne, në shi e në diell. Edhe arsimi do t’i ngjante një kanceri, që lëshon rrajë. Shqipnia vend me rrajë, me gram shumë. Memorie.al

                                      Vijon numrin e ardhshëm

ShareTweetPinSendShareSend
Previous Post

Kalendari Historik 16 Dhjetor 2024

Next Post

“Akademik Gazmend Zajmi, është intelektuali i parë në trojet etnike, që përmendi nocionin ‘okupues’, për shtetin serb ndaj Kosovës dhe...”/ Historia e panjohur e profesorit të famshëm

Artikuj të ngjashëm

“Gjon Ljarja, më tregonte për Pjerin Kçirën; ditën e fundit, erdhen te qelia e tij, shefi i Sigurimit, Rasim Dedja dhe Ali Xhunga, të cilët i komunikuen, se lutja për falje jete…”! / Dëshmia e rrallë e Ahmet Bushatit
Kujtime

“Sheh Mersinit prej Bicajve të Lumës, çuditi gjithë burgun, pasi i kishte tregu mjekut Elez Troshani, që ai do vdiste mbas një jave dhe në të vërtetë, ai…”/ Dëshmia e rrallë e Ahmet Bushatit

May 30, 2025
“Edhe pse Ollga Schweizer, në ‘44-ën shpëtoi nga pushkatimi gjermanëve 100 burra, komunistët e internuan dhe ia burgosën…”/ Historia tragjike e danezes, që u dashurua me firmëtarin e pavarsisë
Kujtime

“Dy të burgosun prej Kavajës, si hangrën ca rrush, bistakët, nuk i hodhën aty afër, – siç do të dëshronte ndonji i uritun, por në gropën e W.C. – së, ku nji i dënuar nga Berati…”! / Dëshmia e Ahmet Bushatit, për tmerret e Bedenit

May 30, 2025
“Në kampin e Bonos, lufta për nji pikë ujë, si për ekzistencë, do t’u shfaqte në tanë shëmtinë e vet ma ekstrem mes të burgosunve, që u shtyjshin mes tyne për jetë a vdekje…”/ Kujtimet e Ahmet Bushatit
Kujtime

“Në kampin e Bonos, lufta për nji pikë ujë, si për ekzistencë, do t’u shfaqte në tanë shëmtinë e vet ma ekstrem mes të burgosunve, që u shtyjshin mes tyne për jetë a vdekje…”/ Kujtimet e Ahmet Bushatit

May 30, 2025
“Komandant kampi të Bonos, kishim togerin Tasi Marko, vëlla i Rita Markos, që me ne do të sillej mirë, por emni i tij u lidhte me tmerret e kampit të Vloçishtit, ku ai…”/ Kujtimet e ish-të burgosurit politik
Kujtime

“Komandant kampi të Bonos, kishim togerin Tasi Marko, vëlla i Rita Markos, që me ne do të sillej mirë, por emni i tij u lidhte me tmerret e kampit të Vloçishtit, ku ai…”/ Kujtimet e ish-të burgosurit politik

May 30, 2025
“Letrën e Simes, të cilin unë do të lidhsha ndër vite andrrat ma të bukura për jetën, e lexova në kambë shpejt e shpejt, vjedhtas të gjithëve, dhe me kënaqësinë se…”/ Dëshmia e rrallë e ish-të burgosurit politik
Kujtime

“Letrën e Simes, të cilin unë do të lidhsha ndër vite andrrat ma të bukura për jetën, e lexova në kambë shpejt e shpejt, vjedhtas të gjithëve, dhe me kënaqësinë se…”/ Dëshmia e rrallë e ish-të burgosurit politik

May 30, 2025
“Tragjedia e trimëria e Kazazëve dhe familjeve shkodrane nën terrorin komunist, hakmarrja e heshtur mbi Dedjakupejt, Bushatllijt dhe Çobajt…”/ Historia e rrallë e fisnikëve të humbur të Shkodrës
Kujtime

“Zefi, i rritun jetim, se i ishte djeg shpia bashk me prindit, del partizan te batalioni ‘Perlat Rexhepi’, por ra në burg, ku rrahu një polic dhe kur i dhanë 25 vjet, kërkoi me vdekje, pasi…”/ Kujtimet e Ahmet Bushatit

May 30, 2025
Next Post
“Në simpoziumin për Skënderbeun në ‘68-ën, Enveri tha; vëllezër kosovarë, këto ja kam thënë edhe Titos në 1946-ën në Beograd dhe kur më pyeti, çmendoja për Kosovën, unë…”/ Refleksionet e profesorit të njohur

“Akademik Gazmend Zajmi, është intelektuali i parë në trojet etnike, që përmendi nocionin ‘okupues’, për shtetin serb ndaj Kosovës dhe...”/ Historia e panjohur e profesorit të famshëm

“Historia është versioni i ngjarjeve të kaluara për të cilat njerëzit kanë vendosur të bien dakord”
Napoleon Bonaparti

Publikimi ose shpërndarja e përmbajtjes së artikujve nga burime të tjera është e ndaluar reptësisht pa pëlqimin paraprak me shkrim nga Portali MEMORIE. Për të marrë dhe publikuar materialet e Portalit MEMORIE, dërgoni kërkesën tuaj tek [email protected]
NIPT: L92013011M

Na ndiqni

  • Rreth Nesh
  • Privacy

© Memorie.al 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.

No Result
View All Result
  • Albanian
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
error: Content is protected !!