Nga Ahmet Bushati
Pjesa e shtatë
Memorie.al / Pas ndryshimit të flamurit në 1944 me shtimin e yllit komunist, Shkodra u transformua në një qendër rezistence kundër regjimit, duke paguar një çmim të lirë për traditën e saj të lirisë. Në prill të 1945, studentët e liceut, tashmë të ndjerë të tradhtuar nga premtimet e luftës, u mblodhën për të kundërshtuar terrorin e ri që burgoste dhe vriste njerëz të pafajshëm. Komunizmi e shndërroi Kosovën në një provincë të Jugosllavisë, ndërsa Shkodrën e dënoi për “fajin” e saj historik – qëndrimin e saj kundër pushtuesve. “Lëvizja e Postribës” u bë mjet për të shtypur çdo kundërshtim, duke e çuar qytetin në një spirale vuajtjesh të papara: burgje, ekzekutime dhe shkatërrim i familjeve. Studentët e liceut, bashkë me qytetarë, u bënë simbol të rezistencës, ndërsa disa “të rinj komunistë” u shndërruan në vegla të Sigurimit të Shtetit, duke shkaktuar përjashtime nga shkollat dhe burgosje e internime.
Katër herë, Shkodra u ngrit në kryengritje të armatosura, por historia i harroi këto beteja. Libri shkruhet për të kujtuar të burgosurit e panumërt, të torturuarit dhe të vrarët, si dhe prindët që vuajtën në heshtje. Është një paralajmërim kundër diktaturës dhe një kërkesë që brezat e ardhshëm të mos harrojnë sakrificat e bëra për lirinë.
Në Gjurmët e një ditari
Shkodra në vitet e para nën komunizëm
Organet e pushtetit të ri, nji mashtrim i natyrshëm komunist
Kah fundi i atij dhetori, qe ba organizimi i “Organeve të Pushtetit” dhe i “shoqatave” të ndryshme, në krye të të cilave, për demagogji, qenë vendosë intelektualë të njohun e qytetarë të nderuem të Shkodrës, mes të cilëve edhe klerikë, ndërkohë që shumicës së tyne ai pushtet, qysh në atë kohë, do të fillonte t’ua hapte vorrin.
Komunistët, u katandisën aq shpejt në hileqarë e të pabesë, nuk do të nxitojshin në punët e tyne kriminale. Ata, me qetësi e në mbrapaskenë, do të pregatitshin kurthe mbas kurthesh për kundërshtarët e tyne të piketuem, simbas rastit, për “burg”, ose “vdekje”. Kështu, në krye të “Këshillit të Qarkut”, do t’u emnonte Riza Dani, të cilin për oportunitet, mbas nji viti, do ta kandidojshin edhe për deputet, por pa pasë hjekë dorë asnjiherë që atë ta vritshin në kohën e duhun. Si “pullë poste” mbas Riza Danit, do të caktojshin Zija Dibrën, që me detyrën thuejse formale të sekretarit të Këshillit të Qarkut, do të mbulonte atë të “Sekretarit të Partisë”, ende e padeklarueme. Edhe për Zija Dibrën, do të “mendonte” Partia e tij, kur t’i rezervonte nji jetë të tanë, me burgje e internime.
Si për ma shumë ironi, në përbamje të komisioneve të ndryshëm, do të vendosshin edhe klerikë. Dom Ndre Zadejën e Patër Gjon Shllakun, i patën zgjedhë anëtarë të “Komisionit të Letërsisë”, kurse Dom Mikel Koliqin, në atë të muzikës. Dom Ndre Zadeja u njihte e u nderonte, si klerik e si poet.
Melodramat e tij, si shumë të frymëzueme e me përmbajtje atdhetarë që ishin, kishin ba që ai të fitonte emën e t’u quente edhe “poet i ambëlcisë”. Ai ishte vlerësue edhe si publicist e përkthyes i talentuem, tue qenë të shumtë edhe ata që s’kishin harrue se, me sa indinjatë i ishte pasë kundërvue ai priftit italian Cordignano, kur ky i fundit kishte denigrue para botës popullin tonë.
Kështu që, pamvarësisht të gjithave, gropa e zezë do të ishte fundi i shpejtë për të. Ku mbas nja nji viti, i njajti fat do të binte edhe mbi atë Gjon Shllakun, që në “gjimnazin e fretënve” vazhdonte të jepte landët filozofi e frëngjisht e, që prej të gjithëve u njihte si frat i moderuem e, si i lidhun që ishte me shumë intelektualë të qytetit. Pamvarësisht deklarimit të tij si antifashist gjatë Luftës, apo dhimbjes që do të shkaktonte në popull nji vrasje e tij, asgja s’do ta ndalte dorën gjakatare të komunistëve edhe ndaj tij. E megjithatë, ishte fillimi.
Kryetar i “Frontit Demokratik” – etiketë mbas së cilës u mëshehte “Partia Komuniste” – ishte caktue Beqir Gjylbegu, nga shtëpia e nderueme e Gjylbegajve. Edhe ma për formë, si anëtar i asaj kryesie, ishte caktue qytetari simpatik, Tefë Pogu, të cilit, pa kalue veç fare pak ditë, “Pushteti Popullor” do t’i përlante fabrikë, shtëpi e ç’të kishte dhe nji ditë, atë me vëllazën, t’i fuste në burg. Në mes të Beqir Gjylbegut e Tefë Pogut, ai pushtet kishte mendue të vendoste të besueshmit Arif Gjylin e Mark Ndojën, ndonëse edhe për këta do të mendonte ajo parti e tyne, që pa faj e pa pasë marrë parasyshë asgja, as kontributin e tyne të çmuem gjatë Luftës e mbrapa, t’i fuste nji ditë njenin mbas tjetrit në burg.
Kryetar i “Komisionit Ekonomik”, qe vendosë prof. Kolë Prela, që gjatë Luftës, edhe pse nacionalist, kishte qenë i inkuadrue mbrenda rradhëve të “Nacionalçlirimtares”. Mbas nji vjeti do ta zgjidhshin edhe deputet, për ta cilësue si “armik”, u pushkatue mbas nji vjeti tjetër.
Të vjen keq, po s’të çudit naiviteti politik i Nolit?!
Do t’i quej të lumtun ata shiptarë, që në nji prej atyne ditëve të para të dhetorit të 1944-ës, nuk patën fatin e keq, që për ma shumë idhnim, të kishin ndër duerët e tyne edhe nji deklaratë që Noli, me qëllim që t’u vinte në nihmë komunistëve në kohën e duhun, kishte dërgue prej Amerikës së largët e pikërisht, nji ditë mbasi ata të kishin çlirue Tiranën, nji deklaratë tepër të nxitueme, edhe pse kishte ma shumë se nji vit që për shumë e shumë shiptarë ishte e qartë, se “nacional-çlirimtarja” në Shipni, kishte marrë karakter ideologjik. Gjithashtu Noli, tue mos dashtë me kujtue as çfarë shumë vite ma parë i kishte pasë shkrue prej Rusisë së kuqe, miku i tij i ngushtë, Llazar Fundo, kur mes tjerash, t’i kishte pasë thanë: “Pandeha se komunizmi ishte Krishti, por ai qenka më i keq se djalli”!
Kështu Noli, tue mos dashtë me marrë parasyshë asgja, do të dërgonte deklaratën e tij të famshme, prej së cilës mjafton të shkëpusim vetëm rreshtat e fundit të saj: “….. se nga errësira e qorrsokakëve po hymë në dritën dhe në fushën e hapur të veprimit, me udhëheqës që kanë provuar zotësinë në vijën e zjarrit. Këta udhëheqës duhen përkrahur pa kondita, pa rezerva dhe pa kursim, se meritone besimin e popullit plotësisht. Me këta udhëheqës, fati i atdheut është i shuguruar.
Rroftë Shqipëria
Fan Noli
18 nëntor 1944
Vrasja e Halil Alisë, trimit legjendar nga Dibra
Në ditën e fundit të dhetorit 1944, gazeta “Buletini i Lajmeve”, që vinte çdo ditë nga Tirana, tue folë për vrasjen e Halil Alisë, mes tjerash, do të shkruente: “Me nji heroizëm të rallë nga ana e partizanëve, mundën t’i vënë edhe zjarrin shtëpisë. Nga dëbora e tufani, çatija ku kishin hypë partizanët nuk merrte zjarr. Mandej erdhën forca të brigadave XVII e XVIII, që banë rrethimin e trefishtë. Në orën 20:30, detyrue nga tymi e flakët, Halil Alija me kriminelët e tjerë, tenton të çajë rrethimin, por bjen nën breshëritë e mitralozave”!
Nji episod si ky, i mbluem me lavdinë e nji akti të rallë trimnije, nuk ka nevojë për koment: dy brigada që i shkojnë në ndihmë forcave të nji brigade tjetër, që të rethojshin nji shtëpi të vetme, me mbrenda nji grusht njerëzish, ndonëse të shndrruem në luanër, mjafton për me tregue trimninë e Halil Alisë me shokë.
Vite ma vonë, unë do të kisha rast të ndigjojsha çfarë Petrit Dumja, pjesëmarrës në atë rrethim, i kishte pasë tregue nji miku të tij: “Kisha orë të tëra që qëndroja me mitraloz, mbas avllisë së oborrit të shtëpisë, brenda së cilës vazhdonte luftimin Halil Alia. Gjatë gjithë asaj kohe, gryka e mitralozit tim, do të shikonte vetëm nga porta sipër shkallëve, prej ku pritej nga çasti në çast, që të dilte Halil Alia. Në momentin kur e gjithë shtëpia ishte përfshirë nga flakët, Halil Alia dolli përjashta me dy kobure ndër duar e, duke thirrur: ‘Halil Alia nuk u dorëzohet i gjallë komunistave’”!
I bamë pak vend mbrenda kronikave tona, trimit Halil Alia, vetëm për shkak të qëndrimit të tij, mik në qytetin tonë gjatë dy muajve të fundit, para se me u vra, si edhe për aktin e tij të fundit.
Dështon aksidentalisht kryengritja e Bërdicës!
Në nji klimë terrorri të papame ndonjiherë, katundet e Nënshkodrës si; Bërdica, Trushi, Melgushi, Kosmaçi, Mali Kolaj, Velipoja, Ana e Malit e zona e Gurit të Zi, të pakënaqun prej masave shtrënguese të qeverisë që po u ushtrojshin mbi ta, u banë gati për nji kryengritje. Në këtë kohë, Jup Kazazi dhe Abaz Ermenji, qysh prej disa ditësh qëndrojshin të strehuem në katundin Trush e, pikërisht në shtëpinë e Xhurretajve, ku ishin ba dhe mbledhje, në të cilat, veç Shaqir Xhurretës me vëllazën, kishin marrë pjesë edhe Dedë Shabani prej Malit Kolaj, si edhe Sait Cani, Veli Xhepi, Nikollë Zefi e Sadik Mema, prej Trushit.
Nji tjetër mbledhje ishte ba po në Trush, në shtëpinë e Dedë Gjodashit, ku bashkë me Dedë Shabanin, kishte qenë edhe Xhemal Mlika i bejlerëve të Lezhës. U mendonte për nji kryengritje. Ishin ba tentativa me u lidhë me të arratisun të Mbishkodrës, të primë prej Llesh Marashit e Preng Calit, si edhe me Gjomarkajt e Mirditës, me synimin që mbas marrjes së Shkodrës, të mundëte me u krijue nji zonë e lirë deri në Shëngjin, si kusht e mundësi për zbarkimin e forcave aleate. Për këtë gja, simbas lajmit të nji dite ma parë, në mbramjen e ditës 14 janar 1945, te kisha e Beltojës, u grumbulluen nji shumicë burrash të armatosun nga katundet Trush, Bërdicë, Melgushë, Mali Kolaj e Ana e Malit, të gatshëm për të mësye Shkodrën.
Të primë prej Halit Kazazit e Dedë Shabanit, u nisën forcat nga Beltoja për në Bërdicë. Rrugës shkëputet Dedë Shabani e del në Kosmaç, për të lajmue për sa ma sipër Jup Kazazin e Abas Ermenjin, që u ndodhshin në shtëpi të Halit Gerbetit. Jupi nga ana e tij, dërgon nji njeri në Vukatanë, tek besniku i tij i njohun, Arif Selimi, me porosinë që të mobilizonte burrat e katundit Vukatanë e të krejt zonës së Gurit të Zi, kryetar këshilli i të cilit ai ishte. Në mbramjen e datës 14 janar, forcat e masipërme, si masë paraprake, prenë linjat telefonike që lidhshin Shkodrën me Lezhë e Tiranë, si dhe bllokuan rrugën, me pemët që prenë anash saj.
Halit Kazazi e Dedë Shabani do të vazhdojshin rrugën drejt Baçallekut e Shkodrës, kurse Hasan Isufi me disa të tjerë, do të pritshin në Beltojë rrugën që vinte nga Tirana. Mbas pak kohe, nji makinë ushtarake që vinte nga Tirana e ngarkueme me rroba ushtarake, do të ndalonte te kthesa e Beltojës, për nji difekt që do t’i ndodhte në motor. Në makinë u ndodhshin dy partizanë e nji partizane. Ndërkohë, Jup Kazazi e Halit Gerbeti, sa ishin nda prej Abas Ermenjit e po shpëjtojshin që të kapshin nji minut e ma parë në breg të Drinit, lundrën e Shaban Danit nga Bërdica, me të cilën ata do të dilshin në Vukatanë. Në momentin kur Jup Kazazi e Halit Gerbeti vunë kambë në lundër, u ndigjuen prej jo shumë larg, breshni automatikësh:
Hasan Isufi atje në Beltojë, tue dashtë që të ruante sekretin e kryengritjes gati në shpërthim, do të vriste në vend dy partizanët e partizanen e ndodhun në makinë. Jupi ende s’kishte mbrrijtë të kalonte Drinin, kur në breg t’i, qe shfaqë papritmas i vëllai, Haliti, që do t’i tregonte për incidentin e ndodhun. Jupi nga ana e tij, aty për aty do të vendoste që mësymja mbi Shkodër t’u pezullonte, e forcat t’u shpërndajshin. N’anën tjetër të Drinit, në Vukatanë, Jup Kazazi gjeti shumë burra që po e pritshin të armatosun dhe si u tregoi çfarë kishte ndodhë, i shpërndau tue i porositë, që në nji kohë të dytë të ishin të gatshëm.
Kështu dështoi sa pa fillue Kryengritja e Bërdicës, e para në radhën e kryengritjeve të Shkodrës, kundër regjimit komunist. Jup Kazazi me Halit Gerbetin vazhduen rrugën për në Gur të Zi e, natën e kaluen në shtëpi të Arif Haxhisë, për t’u nda ne nesre, kur Jupi do të mertte drejtimin për Postrribë, ku u ndodhshin dy vëllazent e tjerë të tij, Zeneli e Hamiti, që deri para pak ditësh kishin qëndrue të strehuem mbrenda nji shtëpije në Sumë, e që mbrapa, të gjurmuem prej forcave të Mbrojtjes Popullore, ishin detyrue të gjejshin strehë mbrenda nji shpelle, mbi katundin e masipërm. Ndërkaq Abas Ermenji, nga Kosmaçi ishte nisë për në Jug.
Kohë ma vonë, kur Abas Ermenji t’ishte në emigracion, lidhun me ngjarjet e masipërme, do të shkruente në librin e tij me titull “Albania”: “Auktori i këtij studimi qëndroi në qarkun e Shkodrës bashkë me vëllezërit Kazazi, duke shpresuar në mundësinë e nji organizimi të ri të forcave të Shqipërisë së Veriut. Populli i rretheve të Shkodrës, i mbajti kudo me mikpritjen e burrërinë e zakonshme, por ishte fare i papregatitun, për një lëvizje të organizuar. Në janar të vitit 1945, unë dhe vëllezërit Kazazi ngritëm nẽ këmbë një fuqi dhe provuam të çlironim Shkodrën, me qëllim që të vinim në lëvizje djalërinë, por çështja dështoi, sepse vetëm me fshatarë, s’mund t’u bëhej asgjë”!
Shpërndamja e forcave kryengritëse, do t’i lëshonte radhën nji operacioni të Mbrojtjes Popullore, pasojat e të cilit do të ishin tragjike për shumë familje të katundeve të Nënshkodrës. Batalionet famëkqij të partizanëve, të komanduem prej Shefqet Peçit, do t’u lëshojshin si ujq të tërbuem mbi popullatën e pambrojtun, me ç’rast do t’u pushkatojshin pa gjyqe burra, nga katundet Trush, Mali Kolaj, Vukatanë e Gur i Zi, do t’u digjshin disa shtëpi e shumë mall do t’u grabiste. Katund për katund do t’u mblidhte populli e, në prani edhe të vetë familjarëve, do t’iu vejshin prangat ndër duer shumë burrave. Do të ndodhte që në mbledhje të tilla me popull, për terror, t’u vriste në sy të të gjithëve njeriu, të cilit gjatë kontrollit, mund t’i ishte gjetë e mshehun nji çfarëdo pushke.
Hasan Isufi bashkë me të vëllanë, Ahmetin (Shurdhën) dhe të nipin, Ademin, do të rrethohej në vendin e quejtun “Qafa e Shtigjeve”, Mali-Kolaj, ku mbas nji qëndrese të gjatë, do t’u vritshin si trimat Hasani e Ahmeti, kurse Ademi do t’u kapte i plagosun, për t’u pushkatue mbas pak ditësh. Me ta kishte pasë qenë edhe njifarë Hajro Mexhlijet, prej zonës së Ulqinit, që me atë rast, kishte arrijtë me ça rrethimin e me u hedhë tej kufinit të Shqipnisë, në anë të Jugosllavisë.
Të akuzuem për ngjarjen e Bërdicës, do t’u pushkatojshin pa gjyq e në prani të popullit, prej katundit Bërdicë, Taip e Rexhep Halili, babë e bir, si dhe Veli Sala, Lush Paloka, Shaban Dani, Hider Dyli, Martin Rroku, Pjetër Derragjati, Pjetër Harapi e Pjetër Lorja. Me shumë vite burg do t’u dënojshin; Nuh Dyli, Loro Simoni, Tomë Paloka, Mark Derragjati e të tjerë.
Xhemal Mliken e Lezhës, do ta pushkatojshin e ta mbështetshin për nji mur të ish-fabrikës së Birrës, përballë fushës së vjetër të futbollit, ku për terrorr, do ta lejshin gjithë ditën, që ta shifte populli. Bashkë me të pushkatuemit e masipërm, kishte qenë lidhë edhe bërdiciani tjetër, Haxhi Ahmeti, që në rrugë e sipër, do t’u hidhte prej makinet e të shpëtonte, tue pasë gëzue nji qytet të tanë të Shkodrës. Shtëpisë së tij i qe vu flaka dhe e shoqja me dy fëmijët e vegjël, internue në Berat.
Për ngjarjen e Bërdicës qe pushkatue edhe Arif Selimi i Vukatanës, besnik i Kazazëve, që e dinte vendin se ku u ndodhshin ata të mshehun, por që nuk i nxori, tue pasë thanë: “Ia kam me borxh asaj shtëpije e nuk mundem me i ra mohit, se jam me bukën e tyne qysh me gjysha”!
Me ngjarjen e Bërdicës mbetet për t’u shënue prania me armë në dorë edhe e nji femne, e nji vajze të guximshme nga Lushnja, me emnin Neta Fuga, e cila fillimisht kishte pasë ba pjesë si partizane me përgjegjësi pranë Brigadës së parë, e që mandej ishte largue prej “Lëvizjes Nacionalçlirimtare”, kur kjo e fundit të niste vëllavrasjen, kohë kur Neta Fuga përfundimisht, do të kthehej në luftare me armë në dorë, mbrenda radhëve nacionaliste të Ballit Kombëtar. Mbas dështimit të kryengritjes së Bërdicës, ajo do t’u kapte nga forcat partizane, ndërsa po përpiqej të kalonte Drinin me nji lundër.
Llesh Marashi dhe kryengritja me emnin e tij!
Kishin kalue tri javë nga koha që brigadat partizane patën sulmue Kelmendin e do t’u dojshin edhe tri javë të tjera për ta pushtue atë, atëherë kur në Shkrel do të zente fill ajo kryengritje, që do t’u njihte me emnin “Kryengritja e Llesh Marashit.”
Shtëpia “Marashi” prej Zagoret, kishte qenë njohë qysh herët në Malci për traditë e pushkë e vetë biri i saj Lleshi, në kohë të “Intervencionit” – koha mbas Luftës së Parë Botnore – kishte ndjekë në Austri studimet për armën e xhandarmënisë. Llesh Marashi me vëllazën, si oficerë xhandarmënie, kishin pasë rast të provojshin pa lëkundje besnikrinë e tyne ndaj shtetit e kryetarit të tij, mbretit Zog i I-rë. Kështu në vitin 1935, Lleshi bashkë me të vëllanë, Gjekën, do të zejshin pritë në Lushnje e do t’i thyejshin rebelët e “Kryengritjes së Fierit.”
Mbas pushtimit të Shgipnisë, Llesh Marashi do të ishte ndër ma të parët, – në mos ma i pari – në gjithë zonën e Shkodrës, që me armë në dorë, të kishte dalë në mal për me luftue pushtuesin, si patriot e legalist që ishte.
Mbas kapitullimit të Italisë, siç e dijmë, në Shqipni genë fute gjermanët në rrugën e tyne të tërheqjes graduale për në Gjermani. Në këtë kohë në Tiranë, qe formue nji qeveri e kryesueme prej Rexhep Mitrovicës, qeveri që si shumica e nacionalistëve në atë kohë, qëndrimin e përkohshëm e kalimtar të gjermanëve në Shqipni, nuk do ta konsideronte pushtim. Kështu edhe Llesh Marashi, – si të gjithë legalistët e tjerë të arratisun deri atëhere – zbriti prej malit dhe nga ajo qeveri u ngarkue me detyrën e qark-komandantit për Shkodrën, tue pasë për koleg Shaban Elezin, në detyrën e rreth-komandantit.
Ardhja e komunistëve në pushtet, do ta nxirrte Llesh Marashin përsëri në mal. Dy muej kohë plot me vrasje, burgosje e raprezalje nga partizanët kudo nëpër Malci, kishin mjaftue që ajo zonë kreshnike t’ishte kthye në fuçi baruti, gati për të shpërthye në rastin ma të parë. Veç Llesh Marashit, nëpër Malci në atë kohë qarkullojshin edhe grupe të tjerë të arratisunish. Edhe vargjet e këndueme prej nji vajtice me emnin Tone Kuqia në nji rast vdekjeje, hedhin ndoshta disi dritë mbi gjendjen në fjalë:
Mjera ti more Malci
Shpija e stane shkrum e hi
Sa nuk ka ma gjeth as bar
Ma t’mirët burra vjerre n’litar.
T’tanë hotnit lidhe me tel,
Keq n’Kastrat e ma zi n’Shkrel,
E n’Kelmend s’kndon pulë as gjel.
Por s’do t’shkojë, për t’gjate mot
Ke lë djelm qe t’dalin zot
Kryengritja e Llesh Marashit nuk kishte qenë parashikue për atë ditë kur ajo ndodhi. Ajo qe ndezë krejt rastësisht e nga nji shkak jo i randësishëm. Malcori Luket Marashi, prej lagjes Grishaj të Shkrelit, u dinte prej të gjithëve se ishte strehuesi kryesor i Llesh Marashit, prandaj më 23 janar 1945, ditë gjatë së cilës binte dhe borë, forca të Mbrojtjes Popullore po kërkojshin për me arrestue Luket Marashin, në kohën që ai u ndodhte sipër katundit bashkë me Lleshin e çetën e tij. Partizanët, të shqetsuem që s’po e kapshin Luketin, bastisin shtëpinë e tij tue i marrë çdo gja që u gjindte mbrenda saj, si bagëti, ushqime etj. e në fund i vejnë edhe flakën. Ndërkohë, grupi i të arratisunve që prej sipër malit deri atëherë ato skena po i ndiqte me shumë zemrim, e tue mos u përmbajte ma, – po i kërkonte Lleshit me kambëngulje që t’i lejonte me hapë zjarr. Thuhet se Lleshi, që shpresonte për nji kryengritje të të gjithë maleve njiherit, u përpiqte me frenue padurimin e luftarëve të tij, tue ua përsëritë disa herë, “se nji kryengritje në atë ditë, do t’ishte e parakohshme e me pasoja të panevojshmë”. Thuhet gjithashtu, se në vazhdim, ata luftarë nuk po u mbajshin ma, aq sa edhe vetë Lleshi me heshtjen e tij, sikur ma në fund po e miratonte sulmin.
Mbasi çeta u lëshue me tërbim mbi partizanë, edhe katundi u çue përnjiherë në kambë me armë në dorë. Për kushtrim ranë kumbonët në Shkrel, e shumë shpejt u ndigjuen se ranë edhe në Kastrat. S’vonoi edhe nga Reçi po vijshin jehonë kumbonësh. Entuziazmi i malcorëve që vrapojshin me armë ndër duer, ishte në kulm, por për fat të keq, asaj kryengritje do t’i mungonte organizimi, si papritmas që kishte shpërthye e me qenë se edhe marrëveshja nuk ishte pasë ba me të arratisun e malci të tjera. Megjithatë, sulmi i malcorëve qe aq i rrufeshëm, sa forcat e Mbrojtjes Popullore u tërhoqën thuejse pa pa rezistencë e në panik të madh, kur sejcili prej tyne nuk do të mendonte veç si me shpëtue kokën e tij. Nji pjesë e tyne u msheh ku mundi dhe nji pjesë tjetër u dorëzue. Por gjithësesi, lufta do të vazhdonte vend mbas vendi e do të kishte të vramët e saj. Kështu në luftë e sipër u vra komandanti i Bajzës, Jonus Naci, baba i komisarit të Malcisë së Madhe, Çun Jonuzit. Bashkë me të u vra edhe efektivi i asaj poste, Myftar Sokoli. Në vazhdim qenë dorëzue njena mbas tjetrës postat e Shkrelit, Bajzës e Gruemirës si dhe vetë Kopliku.
Sulmin e pandalshëm të malcorëve, edhe pse pjesërisht të armatosun, asgja s’mund ta ndalonte, për çka do të paguhej qyshë atë ditë me gjakun e disa prej ma trimave. Kështu te kisha e Shkrelit, do të vritej Marash Tomë Gjeloshi. Burrat e Shkrelit, mbasi me të shpejtë do të merrshin postën e Dedajve, do të sulmojshin atë të Bajzës, për marrjen e së cilës do të binte Pjetër Gjoka. Do të vritej gjithashtu Zef Toma, oficeri i ri që kishte kenë vendosë në krye të Grishajve, e pranë tij edhe malcori tjetër, Lulash Cuku. Në mbramje të asaj dite, do të vriteshin tue luftue edhe Luigj Kolë Shetaj e Mirash Gjoni. E ndërkaq, skena e kryengritjes, kishte edhe ngjarje tjera:
Kishte kohë që nëpër Malci, mes tjerash, të vepronte edhe nji brigadë partizane e Lumës, me komandant Njazi Hoxhën, i cili me rastin e kësaj kryengritjet, ishte pasë strehue në shtëpinë e Zek Zenelit, prej lagjes Mehaj të Koplikut të poshtëm, që simbas zakonit, ai e kishte pritë mikun tue i pasë thanë se po të dëshonte, shtëpinë ia kthente në kala. Njazi Hoxha, – sic do të tregojshin të zotët e kësaj shtëpije – ishte qetësue, kur kishte ndigjue se në krye të kryengritësve, qëndronte Llesh Marashi, me të cilin ai u njihte q’para disa vitesh, kur bashkë kishin pasë shërbye si ushtarakë në Burrel, tue pasë qenë Lleshi epror i tij. Njazi Hoxhën e dorzuem, Llesh Marashi e trajtoi si mik që e kishte dhe gjithë efektivin e tij të kapun me atë rast, e liroi pa e prekë e me gjithë armë. Lleshi gjithashtu liroi edhe partizanët e zanun në Koplik, për marren e të cilit meriton të veçohet shtëpia e Shaban Binakut.. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016