Nga AGRON ARANITASI
Pjesa e njëmbëdhjetë
– TË VËRTETAT QË BESOJ, AGJENTI FRANCEZ –
Hyrje
Memorie.al / Kur fillova të shkruaj librin, “Të vërtetat që besoj”, (Shtëpia Botuese “PAPIRUS”), nuk kisha menduar të shkruaja për veten time. Shtysa, e parë, më lindi kur u njoha me dosjet e Sigurimit të Shtetit për survejimin e shtetasit Agron Hajdar Aranitasi. Ato dosje janë, një dëshmi më shumë, se si mund të persekutohej dikush, i cili, në një çast të caktuar, vendosej në radhën e armiqve të pushtetit popullor. Nuk merrej parasysh asgjë, as si kishte punuar, as si ishte sjellur, as si kishte jetuar. Nuk merrej parasysh as qëndrimi i prindërve, vëllezërve dhe kushërinjve të shumtë, të cilët, automatikisht, i nënshtroheshin goditjes së egër dhe vuanin pasoja pa patur asnjë faj.
Viti 1979, biseda me Liri Aranitasin
Në prill-maj 1945, Liria kishte pësuar zhgënjimin e parë. Në përpjekje me Forcat e Ndjekjes (ky ishte varianti zyrtar), u vra Vllasi. Po atë kohë u internua i ati, Toli, megjithëse shtëpia e tij kishte qenë një nga bazat kryesore të PKSH-së. Internimi zgjati vetëm 6 muaj. U lirua me ndërhyrjen e Hysni Kapos. Liria vazhdonte jetën në parti, por diçka kishte ndryshuar. Besimi i saj te partia ishte lëkundur.
Në familjen tonë bëheshin biseda, në të cilat kritikoheshin aspekte të ndryshme të jetës, por ato nuk morën përmbajtjen e një qëndrimi konfliktual ndaj PPSH-së dhe Enver Hoxhës. Të tilla biseda bëheshin në shumë familje të lidhura me partinë, kryefamiljarët e të cilave kishin qenë me studime në Moskë, apo në shtetet e Europës Lindore.
Dihet se atje, në vitet 1954-1956, kishte filluar, e ashtuquajtura “shkrirje”, dhe ishin dënuar politikat e kulti i Stalinit. Kjo u shfaq edhe në Konferencën e Tiranës (prill 1956). Biseda, për të cilën po shkruaj, është zhvilluar pas vdekjes së Hysni Kapos. – “Dua të të kërkoj diçka, por më premto që do e bësh”, – më tha Liria.
– “Nëse mund ta bëj, nuk ka problem”, – iu përgjigja. – “Nuk duhet të hysh në parti. Kjo parti, njerëzit me mendje të lirë dhe me llapë të gjatë si ne, nuk i do”. Me llapë të gjatë nënkuptonte qëndrimin tonë ndaj problemeve të kohës. Ne kritikonim gjërat, që nuk na pëlqenin. “Ta premtoj”, – iu përgjigja.
Unë isha shumë i lidhur me profesionin dhe kisha një nga pozicionet më të mira në TVSH. Punoja me magnetoskopët “Ampeks”, shkoja jashtë shtetit, isha propozuar për një specializim 9-mujor në Paris. Hyrja në parti shoqërohej me një stazh 3-vjeçar në gjirin e klasës punëtore. Kjo nuk më pëlqente. Por, nga ana tjetër, mos-hyrja në parti, sidomos për djalin e një familje si imja dhe dhëndrin e një anëtari të Byrosë Politike, mund të mos shihej me sy të mirë. Unë e zgjidha lehtë situatën.
Për problemet që i kishin lindur, Vullneti (Musaraj), duhej të hynte në parti. Më kërkoi që unë mos bëja kërkesë, njëkohësisht, me të. Mund të më pranonin mua dhe jo atë. Ia “plotësova” dëshirën dhe, pastaj, e përdora atë si justifikim, pse nuk po hyja në parti.
Që jeta e Lirisë, dhe jo vetëm e saj, ishte kthyer në diçka ambige, pra të dyfishtë, nuk ishte një gjë e veçantë. Kështu ishte kthyer jeta e shumë funksionarëve partiakë, të cilët nuk mund të ishin dakord me vështirësitë ekonomike dhe politike, që po kalonte Shqipëria. Ata e kuptonin se kjo ishte pasojë e qëndrimeve personale të Enver Hoxhës. Përfundimisht nuk hyra në parti.
Shpëtova disa vjet të jetës sime, se do më kishin përjashtuar, ashtu siç vepruan me dy vajzat e Kadri Hazbiut (Lenës dhe Mozës), me dhëndrin e tij të madh, Medinin dhe vëllanë tim, Gëzimin (të cilin e përjashtoi organizata bazë, por e ktheu në kandidat partie Komiteti i Partisë i Rajonit Nr. 1 i Tiranës).
Viti 1981 – RTSH-ja fillon transmetimet me ngjyra
1981 ishte viti i Kongresit të VIII-të të PPSH-së. Drejtoria e Përgjithshme përfitoi nga rasti dhe i propozoi qeverisë, që punimet e kongresit të transmetoheshin me ngjyra. Për këtë nevojiteshin një serë pajisjesh, të cilat, sipas një studimi, kushtonin rreth 250-300 mijë dollarë. Në materialin dërguar Qeverisë, thuhej se; transmetimi me ngjyra i kongresit, do mund të ndiqej edhe nga shqiptarët e Kosovës.
Pak kohë më parë, Josip Broz Tito, gjatë një fjalimi u ishte drejtuar kosovarëve: “Ju i shihni me ngjyra programet e televizionit, kurse shqiptarët i shohin në bardh e zi”. Deklarata e Titos nuk kishte kaluar pa u venë re nga udhëheqja shqiptare. Përgjigjja erdhi pozitive. U kërkua të përgatitej një plan i detajuar. Atë e paraqita unë, në atë kohë kryespecialist i televizionit.
Për të parë kamerat me ngjyra u dërgua në Austri një grup, i përbërë nga Marash Hajati, Vullnet Musaraj, Agron Aranitasi dhe Spartak Bakllamaja. Televizioni austriak përdorte kamera të prodhimit japonez, “Ikegami”, që shquheshin për cilësinë e tyre. Pas Vjenës përfunduam në Paris, ku do lidhej kontrata. Ajo u firmos, në muajin qershor, dhe parashikonte se pajisjet do livroheshin nga fundi i muajit tetor.
Nga mesi i muajit tetor, në zyrën time erdhi Miti Tona, shefi i Sektorit të Shtypit në Komitetin Qendror. Ishte një burrë i shtruar dhe i sjellshëm. U ul përballë meje dhe tha: “Kam një bisedë për të bërë me ty. Më ka dërguar shoku Ramiz. Ai kërkon të dijë, nëse mund ta transmetojmë me ngjyra gjithë aktivitetin e Kongresit. A mund të arrihet bërja e montazhit, menjëherë pas transmetimit direkt të punimeve”?
Iu përgjigja: “Transmetimi direkt i punimeve nuk paraqet asnjë problem. Sa për montazhin, duhet kohë, aq më tepër që shoku Enver flet gjatë dhe, siç e dini, bën lapsuse, që duhen pastruar”! Miti vazhdoi: “Tani do të them diçka, që do e dish ti dhe unë.
E di dhe shoku Ramiz. Enver Hoxha do flasë rreth dy orë, pjesa tjetër do jepet e regjistruar në magnetofon. Kjo është sekret. Po doli, kuptohet se kush do mbajë përgjegjësi”. Kuptohej, ai dhe unë (Ramizi, sigurisht, jo!). Iu përgjigja: “Mirë, por duhet të bisedoni me shokun Çajup dhe të tjerët”. –
– “Sa thashë është vetëm për ty, të tjerët do njoftohen në kohën e duhur”, – e mbylli bisedën Miti. Në fakt, të tjerët u njoftuan vetëm në ditët e fundit të tetorit. Çajup Rusmajli, menjëherë, kishte thënë: “Duhet të dëgjojmë Agronin”. Miti ia kishte kthyer: “Agroni është në dijeni dhe është dakord”.
Fjalët e tij më vunë në pozitë të vështirë me Çajupin dhe Agron Çobanin, drejtori i TVSH-së në atë kohë. U shfaqën të zhgënjyer nga unë. Më thanë se nuk e prisnin një gjë të tillë, aq më tepër që bëhej fjalë për punimet e Kongresit të Partisë…!
Tri-katër ditë, pas takimit me Miti Tonën, më mori në telefon Ramiz Alia. – “Kur do vijnë kamerat”?, – hyri menjëherë në temë ai. “Kontrata parashikon nga fundi i tetorit”, iu përgjigja. – “Për këtë duhet pyetur Ministria e Tregtisë”. – “Nuk më intereson se çfarë thonë ata.
Dua të di mendimin tënd”. E sigurova se kamerat do vinin në kohën e premtuar. Dhe, në fakt, ato mbërritën më 28 tetor. Mbeteshin vetëm tri ditë për vënien e tyre në punë. Këtu, si zakonisht, hyri në skenë Vullneti. Brenda ditës, kamerat u integruan në autobusin televiziv të TVSH-së.
Kur në sallë u ndez ndriçimi, u gjetëm para një të papriture. Në figurë dominonte ngjyra e kuqe. Pa u thelluar se nga vinte një gjë e tillë, Vullneti ndërhyri tek kamerat, duke bërë që ato të jepnin një sinjal me ngjyra normale. Por, të nesërmen në mëngjes, kur salla u mbush me delegatë, figura ishte gati mavi.
Atëherë kuptuam se cili ishte problemi. Kur salla kishte qenë bosh, dominoi ngjyra e kuqe e kolltukëve, tani që ishte plot me delegatë, dominuan kostumet e zinj të shumicës prej tyre. Vullneti iu fut përsëri punës dhe i solli kamerat në gjendjen e mëparshme.
Të gjitha ndërhyrjet e tij i shihte, nga vila e vet, Ramiz Alia, të cilit i çohej sinjali i TVSH-së, nëpërmjet një kablli nëntokësor. Ai u shqetësua. Sapo mbërriti në sallë, kërkoi të informohej për çka kishte parë. I shpjegova çfarë kishte ndodhur dhe e sigurova se çdo gjë do shkonte mirë.
Ramizi nuk shprehte entuziazëm për provat e deriatëhershme. Këtë ma kishte thënë edhe një ditë më parë. Por, te ai, nuk vihej re ndonjë tendencë e keqe. Kishte shqetësimin se si do dilnim në këtë nismë të re dhe…sigurisht, çfarë do thoshte Enver Hoxha. Në të vërtetë, këtë shqetësim e kishim të gjithë.
Ndërkaq kishte lindur një shqetësim i madh për partinë. Prej disa muajsh po zhvillohej “gjyqi” partiak për Mehmet Shehun. Regjisorit Albert Minga, i ishin dhënë udhëzimet se si do xhirohej kongresi. Disa persona nuk duhet të dilnin në ekran! Në radhë të parë duhej shmangur Fiqret Shehu. E njëjta gjë vlente edhe për Feçor Shehun.
Punimet e kongresit i hapi Ramiz Alia, që ishte ulur midis Enverit dhe Mehmetit. Pastaj e mori fjalën Enver Hoxha, i cili foli rreth dy orë e gjysmë. Pjesa tjetër e fjalimit u dha e montuar. Binte në sy qëndrimi apatik i Mehmetit. Duartrokiste pak. Nuk shkëmbente fjalë apo buzëqeshje me Enverin.
Figura e Enver Hoxhës dhe të tjerëve, në presidium, dilte e mirë. Dilnin, jo mirë, Mehmet Shehu dhe Hekuran Isai, që kishin veshur kostume të zinj. “Fajin” e kishin objektivat e kamerave, që ishin për xhirime nga afër (për kronika) dhe jo për xhirime në distanca të mëdha. Kjo e shqetësoi Bertin. Ai iu ankua Vullnetit.
Vullneti iu përgjigj se nuk kishte çfarë të bënte. Berti ia shprehu shqetësimin e tij Çajupit. Më thirrën mua. Kostumi i Mehmetit po na krijonte shqetësime. I duhej thënë. Meqenëse Fiqreti, gjatë pushimeve midis seancave, kalonte nëpërmjet sallës, ku ishte vendosur teknika, i treguam problemin që na shqetësonte.
Ju lutëm që, të nesërmen, i shoqi të vishte një kostum me ngjyrë të çelur. Të nesërmen pamë se Mehmeti e kishte zbatuar “sugjerimin” tonë. (Dikush e tregon ndryshe këtë histori, madje shkruan se kishte folur vetë me Mehmet Shehun. Një tjetër shkruan se ishte Çajupi që shkoi te Mehmeti. E vërteta është kjo që po tregoj unë).
Siç ishin mpleksur ngjarjet, pak kush mund të guxonte t’i fliste Mehmet Shehut në ato çaste. Me Hekuran Isain, problemi u zgjidh më lehtë. Kërkesës, që iu bë në emër të Drejtorit të Përgjithshëm, ai iu përgjigj me humor: “Thuajini Çajupit, të më japë ndonjë nga kostumet e tij, aq më tepër që jemi të një gjatësie”!
Mëngjesin e ditës së tretë, po bëheshim gati për fillimin e punës. Kisha hipur në podium, afër vendit ku do fliste Mehmet Shehu. U çudita kur pashë doktorin e tij, Lleshin, duke vendosur një numër të madh paketash të vogla me ilaçe në pjesën e brendshme të podiumit, sipër të cilit ndodheshin mikrofonat.
Dukej që Mehmeti nuk ishte mirë. Telashet, që po kalonte, kishin shfaqur pasojat e tyre. Mehmeti foli gjatë dhe fjalimi u transmetua direkt. Transmetimit direkt nuk ke çfarë t’i bësh dhe nuk mund të shmangësh folësin, për një kohë të gjatë. Në kundërshtim me ato që thuhen sot, ai doli gjatë në ekran.
Tjetër gjë ishte ritransmetimi, i cili u dha pas një montazhi të kujdesshëm. Me të u mor vetë Ramiz Alia. Fjalimi u shkurtua dhe Mehmeti, në raport me sallën, u shfaq më pak. Ajo që ra në sy ishin duartrokitjet e ngathta të Enver Hoxhës dhe mungesa e përqafimit të ngrohtë, në fund të fjalimit. Delegatët në sallë dhe të ftuarit, që i ndiqnin punimet nga monitorët e vendosur jashtë saj, kuptuan se diçka ishte krisur në marrëdhëniet e dy udhëheqësve kryesorë.
Kjo ra në sy edhe të udhëheqësve të dy partive më të forta marksiste-leniniste, në atë kohë, të Zhoao Amazonas, udhëheqës i Partisë Komuniste të Brazilit dhe Raul Markos, udhëheqës i Partisë Komuniste (marksiste-leniniste) të Spanjës. Më vonë, pas vetëvrasjes së Mehmet Shehut, ata kërkuan sqarime pranë Komitetit Qendror të PPSH-së.
Të gjithë prisnin me interes emrat e KQ të ri. Nuk ndodhi asgjë e veçantë. Mehmeti e Fiqreti u zgjodhën anëtarë të KQ. Ra në sy se Fecor Shehu, ministri i Brendshëm, mbeti, përsëri, kandidat i KQ (!). Transmetimi, me ngjyra, i punimeve të Kongresit të VIII-të shërbeu si pikënisje për kërkesën e radhës.
Sipas parimit që “hekuri rrihet sa është i nxehtë”, Drejtoria e Përgjithshme e RTSH-së çoi në qeveri projektin për kalimin e prodhimit dhe transmetimit të programeve të TVSH-së nga bardh e zi në ato me ngjyra. / Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm














