Nga Uvil Zajmi
Memorie.al / Të ndiqje modën në Shqipërinë komuniste të Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij, Ramiz Alia, nuk ka qenë e lehtë. Slogani “Të luftojmë shfaqjet e huaja”, i ka shoqëruar shqiptarët në dekada, një slogan i pandarë kudo e në çdo sektor të jetës. Paralajmërues, persekutues për cilindo që shfaqte tendenca dhe kërkonte të ishte modern. Në veçanti sportistët ishin në linjën e parë, si njerëz publikë, nisur edhe nga fakti që mjedisi sportiv ishte tolerant dhe të ofronte këtë mundësi të ndaluar. Ata konsideroheshin si pikë referimi për modën, duke qenë se dilnin jashtë shtetit, kishin kontakte me të huaj, duke u shfaqur me tjetër veshje, paraqitje, flokë të gjata, baseta të trasha, etj, që provokonin.
Deri në vitin 1973, qershor, kur pas fjalimit të Enver Hoxhës në Plenumin e IV-ët, diktatura u rishfaq më e egër se kurrë. Jo modë, asnjë demonstrim apo imitim. “Shfaqje e huaj”, cilësohej e duhej të ndëshkohej në të gjitha mënyrat dhe format. Jo me flokë të gjata, as favorite, as mjekër, as mustaqe. Të ndalonte, kritikonte lagjja, shkolla, ndërmarrja, dikasteri, institucioni, reparti ushtarak, etj.
Mjaftonte një detaj, opinion, orientim, të ndiqte kritika publike, me fletë-rrufetë në plan të parë, gazetat, grupet e rinisë, organizata e partisë, Fronti Demokratik, Bashkimet Profesionale, organizata e Veteranëve të Luftës, Klubi Sportiv, etj. Kjo edhe për sportistët, cilido, i njohur, mjeshtër, kampion, drejtues, ishte e ndaluar të demonstroje modë, aq më shumë të imitoje të huajt, në paraqitje e gjeste. Në mjediset sportive ishte Klubi, deri edhe arbitri, nëse konstatonte “shfaqje të huaja”, të ndalonte të luaje.
Por si e transmetonin modën sportistët shqiptarë? Nga frekuentimi i vajzave të Pallatit të Sportit, dashuritë, veshjet moderne, që më pas ajo mënyrë sjelljeje u konsiderua e papërshtatshme e që duhej dënuar. Kontrasti i madh kur skuadrat e huaja vinin në Tiranë, nga legjendat e futbollit europian si; Best, Netzer, Overat, te ekipi jugosllav “Jugosplastika”, mjekroshi i “Sëlltikut” të Gllasgout dhe si e kujton sot Genci Tomori, atë kohë, peripecitë nga dëshira për pak flokë më shumë:
“Jam qethur në dhomat e zhveshjes. Ali Kastrati ishte kthyer edhe si berberi ynë”, rrëfen sot ish-lojtari i njohur i “Partizanit” dhe i Kombëtares.
XHORXH BEST DHE “BEATLESMANIA”
Moda e ndjekur nga sportistët, kryesisht futbollistët, në botën sportive ka qenë një preferencë e madhe për ata, por dhe për të tjerë që i ndiqnin, imitonin. Si në fushë edhe jashtë saj, ku shkëlqente brilantina, stili modern në veshje, deri në dashuritë e famshme.
Shfaqjet e para të një mode ndryshe nga lojtarët, u panë kur Xhorxh Besti i famshëm, doli në fushë me flokë të gjata, me një “look” të paparë deri atëherë, duke imituar grupin e njohur anglez të muzikës “Beatles”, pas së cilës “bestomania” mori përhapje masive në mes të viteve ‘65-së. Madje, irlandezo-veriori, ka ardhur edhe në Tiranë, në ndeshjen e vitit 1965, në ndeshjen Shqipëri-Irlandë e Veriut, 1-1.
Kjo është periudha që mund të konsiderohet si ajo që futbollistët, të paktën, u panë në fusha, mjedise publike me një stil të ri, veçanërisht me flokët mbi veshë e, baseta të trasha. Kryesisht në vendet e Europës Veriore, klubet angleze, holandeze, pastaj duke zbritur në atë Qendrore me Gjermaninë Perëndimore në krye, në Francë, Itali, Spanjë, Jugosllavi, etj. Shumë më pak në vendet e Bllokut Lindor. Po në Shqipëri?
VITET ’70-të, KUR TENDENCA KISHTE KULMIN E SAJ
Dëshira për të imituar Perëndimin edhe në këtë drejtim ishte e madhe dhe “bestomania”, pati ndikimet e saj edhe në sportistët shqiptarë. Fillojnë tendencat dhe shihen futbollistë, basketbollistë, volejbollistë, etj., me prirje për të mbajtur flokë, një “look” pak ndryshe. Kryesisht ata që dilnin jashtë e kishin kontakte me futbollin përtej kufijve, atë Perëndimor, ku moda e sportistëve ishte pa kufi, sigurisht ishin më të ndikuar, privilegjuar dhe që e demonstronin.
Sporti shqiptar, këtë traditë e pati trashëguar, kur lojtarë të mëdhenj ishin edhe pasionantë të modës, e në mjaft sportistë nuk ka munguar shfaqja e kësaj tendence, të paktën deri rreth viteve ’60-të, flokë me brilantina, veshje elegante, frekuentim lokaleve kryesore, por edhe me dashuri të njohura. Një ndër ta, Zihni Gjinali, i shquari futbollisti-trajner, që nuk e ndante brilantinën, madje edhe kur luante në ndeshje. Pra, ishin sportistët më shumë si njerëz publikë, që e përcillnin ndër të parët çdo ndryshim. Kjo, edhe nga dalja e skuadrave, klubeve, komunikimi në veçanti me botën Perëndimore, pati një ndikim të madh, jo vetëm në cilësinë sportive, por edhe në raport me një dëshirë, estetikë, veshje ndryshe, moderne.
Përballjet me Best, Netzer, Bekenbauer, Overat, Myler, Krujf, Shollman, Kapiçiç, kanë qenë një nxitje më shumë. Ardhja e skuadrave nga ‘Norçeping’, ‘Këln’, ‘Klilmarnok’, Futboll-Club ‘Torino’, ‘Standart’, ‘Ajaks’, apo kombëtareve, si; Danimarka, Holanda, Zvicra, Jugosllavia, Gjermania Perëndimore dhe ajo Lindore, apo në lojërat me dorë, nga ‘Virtus’, ‘Bloker’, ‘Oransoda’, ‘Jugosplastika’, ‘Panathinaikos’, ‘Cervena Zvezda’, ‘Partizani’ Beogradit, etj., në sfidat spektakolare të kohës, patën ndikim kur shihje përballë lojtarë kalibri që përveç madhështisë në parket edhe në atë estetik, me “look”-un tërheqës që transmetonin.
SI E SILLNIN, PËRCILLNIN DHE DEMONSTRONIN MODËN, SPORTISTËT?!
Vitet ’70-të, janë shoqëruar me udhëtime masive drejt Republikës Popullore të Kinës. Ndryshe ishte një ndeshje në Perëndim. Vetëm tri ditë, por në atë censurë totale, sportistët dhe artistët, ishin të vetmit që e kishin atë mundësi të dilnin jashtë, e për të sjellë diçka nga andej, në veshje veçanërisht. Ndonëse kontrolli doganor nuk lejonte të nxirrje jashtë valutë dhe as të sillje jashtë normave, edhe pse janë ndaluar, kontrolluar, duke rrezikuar e duke u ndëshkuar, nuk kanë mundur t’i ndalin.
Sportistët bënin diferencë, dalloheshin kur dilnin, qëndronin në miqësi, evidentohej preferenca Perëndimore. Një palë këpucë, një xhaketë, një këmishë, një pardesy, deri edhe në plazh, vende publike, xhiro, ata që binin më shumë në sy ishin sportistët, artistët, nga fakti se vishnin diçka ndryshe, nga ato masive të popullsisë, që tregtoheshin në mapot e njohura.
VAJZAT NË PALLATIN E SPORTIT, SA PASION I MADH PËR KOHËN?
Vitet ’70-të, sollën një ndryshim të rëndësishëm edhe me praninë e femrës në mjediset sportive, kryesisht në Pallatin e Sportit “Partizani”. Jo vetëm si admiruese apo tifozë, por vajtja në atë mjedis kryeqytetas, shërbente dhe si demonstrim i modës, veshjeve, shijeve, tendenca Perëndimore që reflektoheshin haptazi, plot me pasion dhe një e shtunë, pritej me padurim nga të gjithë, një rini, vajza, djem, gjimnaziste, student, për të qenë te “Partizani”.
Kurrë më parë si në ato vite, të ishte parë një fenomen i tillë, një pallat sporti i mbushur jashtë kapaciteteve, njëkohësisht edhe si një mjedis i reflektimit të modës. Kontaktet me botën sportive në atë periudhë, kishin një ndikim të jashtëzakonshëm për sportistët, publikun, pa e menduar se qershori i vitit 1973, pas një fjalimi kur diktatori Enver Hoxha, do të shpallte: “Të gjithë kundër shfaqjeve të huaja”, një slogan vrasës, një proces i gjatë ndëshkues, që do t’i ndiqte të gjithë shqiptarët, shoqëruar me një mbyllje totale për shumë vite.
PROBLEM KUR TË HUAJT VININ NË TIRANË ME FLOKË TË GJATA E MJEKËR!
Ardhja e futbollistëve, sportistëve të huaj në Tiranë, ka qenë një problem i madh për shtetarët e kohës. Kryesisht për modën që përcillnin, në një vend ku ishte e ndaluar dhe konsiderohej shfaqje e huaj. Futbollistë, sportistë, kur zbrisnin në Tiranë me flokët e gjata, që habisnin mjedisin e kufizuar shqiptar, jo vetëm sportiv, diçka e pakonceptueshme në Shqipëri. Para takimit ‘17 Nëntori’-‘Ajaks’, shtator ‘71, gazeta “Sporti Popullor”, një ditë para takimit, shkruante:
“Korteu ajaksian i përbërë nga drejtues, lojtarë e gazetarë me flokë të gjata, mjekra të dendura, aparate të shumta e larmi kostumesh me ngjyra ndezëse (ku nuk mungonin as minifundet), zbret rëndë-rëndë, plot pompozitet, tamam si në teatër, shkallët e hotelit dhe i hipën autobusit, që do t’i çojë në stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa”. Shumë kalimtarë ngrenë supet e, pyesin njëri-tjetrin: “Po këta nga na mbinë? Ç’të jenë vallë? Njerëz apo karikatura”?
Vite më vonë, kur ‘Sëlltiku’ i Gllazgout do të vinte në Tiranë për t’u ndeshur me ‘Partizanin’ në Kupën e Kampioneve, shtator 1979, kapiteni i skuadrës, Danny McGrayn, kujton në gazetën “Scotsman”: “Para se të niseshim për në Shqipëri, informacioni i parë që na thanë në Klub para udhëtimit, ishte mjekra ime, pasi aty nuk lejojnë me mjekër e, mundet të të ndalojnë në aeroport për shkak të saj. Më sqaruan se mjekrat e gjata, roku e shumë gjëra të tjera, nuk pëlqeheshin nga Enver Hoxha”.
Genc Tomori: “Si u qetha në dhomat e zhveshjes”!
Futbollist i njohur i ‘Partizanit’ dhe i kombëtares, kujton: “Ka qenë një periudhë tejet e ashpër, ajo që kemi përjetuar në vitet ‘80-‘90-të, kur lufta ndaj shfaqjeve të huaja ishte intensive, kudo, deri edhe në Klub, ndeshje, madje edhe arbritrat nuk të lejonin të luaje”.
Tomori, një histori kjo, që ka shoqëruar një anë tjetër të karrierës tuaj apo jo?
Jo vetëm timen, por të disa brezave sportistësh, të një rinie pasionante edhe në këtë drejtim. Por, një mekanizëm frenues, kërcënues, që na ka ndjekur nga pas, në fushë e jashtë saj. Çdo gjë e kufizuar, ndaluar, si kur dilnim jashtë edhe këtu. Për ne futbollistët ishte më evidente, se ishim publikë, stadiumet ishin plot, dhe që për çdo detaj binim në sy. Aq më shumë nëse do të ishe një admirues i modës. “Lojtar i mirë është – shpreheshin ata të tribunës qendrore, apo drejtues klubi, por ka tendenca për shfaqje të huaja”. Një situatë e tillë na ndiqte edhe në stërvitje. Jo nga trajnerë, por drejtues, ata ishin më agresivë. Aq më shumë një klub ushtarak, si Partizani.
Vitet ‘80-të janë ato të rikthimit të futbollit shqiptarë në Europë?
Kontaktet më botën, ishin shumë ngacmuese, të cilat si në aspektin sportiv edhe më gjerë, ishin raportet të humbura, harruara, nga ai vetë-pezullim i gjatë pas 1973-it. Rikthehemi në Europë, dhe në atë periudhë, janë disa takime me disa klube të shteteve perëndimore, nga ‘Ajaksi’, ‘Austria’, ‘Malmo’, por edhe me kombëtaren, ndër to Austria e Prohaskës, Gjermania Perëndimore e Rumeniges. Kundërshtarë të fortë në fushë, por edhe në paraqitje me flokë të gjata, baseta, mustaqe, që në korridorin ku rreshtoheshim para takimit, ndihej diferenca edhe në paraqitje, uniforma, estetikë, ata duke përtypur ‘cheving gum’, i shihnim nga afër, me aroma, parfume, gjithçka e kuruar mirë. Sigurisht që çdo detaj kishte ndikimin, ngacmimin edhe tek ne.
Rikthehemi, tek “Shfaqjet e huaja” të sportistëve, në vendin tonë…?!
Gjithmonë ishim në qendër, dhe kujtoj edhe se çdo ndëshkim me kartonë, shoqërohej në shumë raste me shprehjen nga arbitra e drejtues: “Kjo është shfaqje e huaj”, edhe pse bëhej fjalë për një ndërhyrje loje, një mos aprovim ndaj një vendimi të arbitrit. Edhe trajnerët nuk kishin forcën të na mbronin, se në çdo skuadre kishte drejtues partie, që të kritikonin.
Si vepronit për të mbajtur pak flokë të gjata?
Sigurisht që na pëlqente të ndiqnim modën, veçanërisht duke mbajtur flokë dhe favorite. Berberët i kishim shokë, ishin tifozë, toleronin, ndonëse edhe ata kishin frikë. Pati periudha kur shkonim në grumbullimet e gjata në fazën e përgatitjeve verore, ku ishim jashtë kontrollit, nuk qetheshim, ose qetheshim vetë. me njëri-tjetrin.
Më treguat, që as arbritrat nuk lejonin te luaje pa u qethur?!
Po është shumë e vërtetë. Arbritrat ishin orientuar për të mos lejuar asnjë futbollist me flokë të gjatë, apo tendenca për shfaqje të huaja, siç u konsideronin. Jo vetëm për modën, flokët kryesisht, por kjo situatë bëhej me agresive, intensive sidomos në raste festash, ndeshje të rëndësishme, ditë votimesh, dhe në tribunë vinin qeveritarët. Në të tilla raste edhe arbritrat të udhëzuar, të këshillonin me fjalët, shprehjet; “është ditë votimesh, ditë feste, duhet të jeni shembull”.
Keni ndonjë rast konkret?
Ka ndodhur para takimit me ‘Dinamon’ në Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa”. Ndërsa arbritrat, para takimit në korridorin e stadiumit po bënin kontrollin si zakonisht, duke i dhënë rëndësi anës estetike, paraqitjes, kryesisht flokëve, ku ishin të pranishëm edhe zyrtarë të FSHF-së, me to edhe vëzhguesi, thonë arbitrit për mua, dhe ai me jep urdhër të qethem. Unë i kisha të gjata, por arbitri sa më pa, më urdhëroi që nuk mund të dilja në fushë, pasi edhe për të ishte problem më pas, “pse e lejove”, do ta kritikonin, i bënin vërejtje. Pra ishte i detyruar të vepronte në atë mënyrë.
Si u veprua, çfarë ndodhi në ato pak minuta?
Duke qenë se nuk kishte kohë, vetëm pak minuta në dispozicion, bashkë me Ali Kastratin, jemi kthyer me shpejtësi në dhomën e zhveshjes. Ai nxori gërshërët që mjekonte plagët dhe m’i ka prerë flokët, mjaftonte që t’i shkurtoja. Kam dalë, me vonesë, skuadrat ishin rreshtuar dhe të gjithë, arbitri, lojtarët janë habitur. E pabesueshme për ta, pasi menduan që ishte e pamundur dhe unë nuk do të luaja. Edhe trajneri u befasua. Tifozët nuk kuptuan asgjë, pasi gjithçka ndodhi në korridor.
Ali Kastrati, edhe “berberi” i lojtarëve?
Po, ai ka qenë shpëtimtari ynë. Në mjaft raste, kur lojtarët i detyronin të qetheshin, pastaj të dilnin në fushë, i paharruari Ali Kastrati, shërbente edhe në këtë drejtim. Gjithçka në pak minuta në dhomat e zhveshjes, korridore, kudo, hiqte çfarë të mundte, sigurisht pjesët e dukshme, flokë, favorite.
Po në Klubin Sportiv?
I njëjta histori. Edhe Klubet kishin organizatë Partie, njerëz që u merrnin me propagandën dhe ishin të vëmendshëm për të mos lejuar, apo shpëtuar asnjë lojtar, jashtë normave në paraqitje. Jo vetëm në Klub, por edhe në familje krijoheshin shqetësime të kësaj natyre: “Genci ka shfaqje të huaja” – mblidhej lagjja, Fronti, të kritikonin edhe kur ti nuk ishe aty. Të merrnin si shembull negativ. “Si e lejon familja”, – ishte pyetja që bënin!
Mbledhje emergjente edhe te shkolla e Mjeshtërisë Sportive?
Te Mjeshtëria Sportive, është një tjetër histori. Na rreshtonin në oborrin e shkollës dhe drejtuesit e saj, bënin inspektim, duke na parë, ishim apo jo në rregull. Nuk të pranonin në mësim, duke të nxjerra nga rreshti dhe të nisnin për t’u qethur. Jo një here, por ky avaz vazhdonte, sigurisht me fushata. Sa herë ngrihej ky problem, reagonin edhe ato të shkollës. “Reflekton shfaqje të huaja” – ishte kryefjala a atyre.
Po në takimet derby, ato ndërkombëtare?
Zakonisht kontrollet për “shfaqje të huaja”, kishte në derby, në ato ndërkombëtare, me klube e përfaqësuese, kur në tribunë do të vinin anëtarë të Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH-së. Për të shmangur çdo situatë, në dhomat e zhveshjes vinin drejtues të Federatës Shqiptare të Futbollit, dhe na shikonin për paraqitjen e jashtme. Sidomos ata të Ministrisë Arsimit e Kulturës prej nga ku varej sporti asokohe, kishin përgjegjësi, kur dikush shihte një lojtar me flokë të gjata dhe reagonin ndaj tij. Edhe me mustaqe, nuk lejoheshin në ato vite. Kujtoj se Rrapo Taho, Ferit Rragami, Ilir Shulku dhe unë, kemi tentuar t’i mbajnë mustaqet. Por Taho, ishte ai që rezistoi më shumë.
Sa ishte mundësia, si vepronit, që një sportist të sillte diçka nga jashtë?
Historikisht, dihej që një sportist, ndonëse me dietën e vogël që i jepnin, me të cilën mund të blije diçka të vogël, ishin të parët, që sillnin modën, ndryshimet, veshjet e preferuara të kohës. Deri edhe orë dore të markave “Darvil”, “Atlantik”, “Raketa”, etj. Në një kohë kur popullsia, kishte veshje të njëjta, pothuaj uniformë, prodhime, modele vendi. Vajtja, valuta e fshehur, blerja, fshehja e tyre, ankthi në kthim, kalimi në doganë, është një histori më vete.
Më thatë për një person, “Kasketa” quhej?
Kur vinim në Rinas, në doganë ishte një person, që para se të zbrisnin, vetëm ai thonim të mos jetë aty. Ruhi quhej, dhe mbante një kasketë. “Kasketa” ja kishim vënë pseudonimin. “Bëni kujdes, erdhi, po vjen ‘Kasketa’” flisnim plot frikë, me njëri-tjetrin. Na ishte kthyer në makth ai njeri, kur na kontrollonte. I dinte, na i gjente me nuhatje, se ku i fshinim ato çfarë kishim blerë duke na i marrë dhe konfiskuar ato që na gjente. Ne futbollistët, dhe sot e kujtojmë atë person: “Kasketa”.
Milto Gurma: “Akuza për modën, dërgonin letrat anonime”!
Ish-futbollisti i shquar i viteve ’70—të–’80-të, Milto Gurma, e kujton atë periudhë edhe për këtë fakt. Lojtar i talentuar, i një brezi të jashtëzakonshëm, produkt i “Shkëndijës” së shkollës së Mjeshtërisë Sportive, të viteve ‘72-‘73, me një debutim kuqezi europian të menjëhershëm si titullar në kombëtare në takimet zyrtare, por edhe me “Partizanin”, që e merrte si përforcim në Kupën Ballkanike, në vitin 1974, kundër Larisës së Greqisë. Aktivizohet në ndeshjen në Tiranë, por nuk shkon në Greqi: I shfaqet biografia.
Ndaj tij kanë vërshuar letrat anonime, të cilat e godasin, e kritikojnë se pëlqen botën Perëndimore dhe imiton të huajt: “Ka tendenca për të ndjekur modën, mban flokë të gjata e baseta, dhe vishet me të zeza” – shkruhej në letrat pa emër për të. “Por, jo vetëm unë, tek ‘Shkëndija’, brezi i sportistëve të atyre viteve, pasioni, dhe preferenca Perëndimore, reflektohej kudo e nga të gjithë. Televizori italian, filmat, aktorët, sportistët, dalja jashtë, ndikonin, ishin shumë provokues” – tregon sot Milto Gurma, për peripecitë e asaj periudhe, që brezi i sportistëve të sotëm, as mund t’i imagjinojë. Memorie.al