Nga Sokrat Shyti
Pjesa e gjashtëdhjetekatër
Memorie.al / Shkrimtari Sokrat Shyti është i “panjohuri i madh” që prej disa vitesh ka shfaqur majën e ajsbergut të krijimtarisë së tij letrare. E them këtë duke u nisur nga ajo sasi e pakët e librave të tij të botuar në këto vitet e fundit dhe kryesisht romanit voluminoz “Nata fantazmë” (Tiranë 2014). Romanet: “PËRTEJ MISTERIT”, “MES TUNDIMIT DHE VORBULLËS”, “GËRRYERJET E MAKTHIT”, “HIJA E TURPIT DHE E VDEKJES”, “KOLONELI KRYEDHJAK”, “SHPRESAT E NËMURA”, “PËSHTJELLIMET E FATIT” I, II, “MBIJETESA NË KASOLLEN E LOPËS”, si dhe vepra të tjera, të gjitha romane, me nga 350 – 550 faqe, janë në dorëshkrime që presin të botohen. Ëndrrat dhe vrulli i parë i romancierit të ri, që kthehej nga studimet jashtë shtetit plot energji e dashuri për artin dhe letërsinë, u prenë që herët nga tehu i egër i diktaturës komuniste.
Kush është Sokrat Shyti?
I kthyer nga studimet në Universitetin Shtetëror të Moskës, fill pas ndërprerjes së marrëdhënieve shqiptaro-sovjete në vitin 1960, Sokrat Shyti, punon në Radio-difuzion (që aso kohe gjendej në rrugën e Kavajës), në një redaksi me miqtë e tij gazetarë – Vangjel Lezho dhe Fadil Kokomani – që të dy, mandej, të arrestuar, e më vonë, të pushkatuar nga regjimi komunist. Përveç Radios, Sokrati 21 vjeçar, nëse e përfytyrojmë, ka asokohe interesa pasionante letrare. Shkruan romanin e parë “Madam doktoresha” dhe është në prag të botimit, por… ajme! Fill pas arrestimit të miqve, si për ta mbushur kupën, një vëlla i tij piktor, arratiset jashtë shtetit.
Sokratin e arrestojnë në shtator 1963, ndërsa në nëntor të atij viti, e internojnë familjarisht, (me nënën dhe motrën e vogël), në një vend midis Ardenicës dhe Kolonjës së Lushnjës. Për 27 vjet rresht, familja banon në një kasolle lopësh me kallama, pa dritare, ndërsa Sokrati u nënshtrohet punëve të detyruara. Përgjatë 27 viteve, ai është i shtrënguar ligjërisht të paraqitet tre herë në ditë, tek i plotfuqishmi i zonës. Nuk ka të drejtë të lëvizë nga vendi i internimit, është i privuar nga çdo lloj dokumenti, etj. Në këto kushte, mes një kasolleje lopësh, ai lindi dhe rriti fëmijët. Pikërisht nga mbi këtë ngjarje, apo më saktë një histori tejet e gjatë persekutimi, është bazuar ai për të shkruar librin “Mbijetesa në kasollen e lopës”!
Agron Tufa
PJESË NGA LIBRI, “MBIJETESA NË KASOLLEN E LOPËS”
– “Tani edhe diçka tjetër, që ka të bëjë personalisht me ty…- shtoi ai me të njëjtin vështrim: – Duhet ta dish se emri yt, njihet në Brigadën e Laçit, nga programet që jep qendra e zërit. Prandaj e ndjej për detyrë të paralajmëroj, që ta dish: ka shumë mundësi të kërkojë komisari i brigadës, kur t’i paraqitet nevoja. Sigurisht s’e ve në dyshim gatishmërinë tënde. Ta përmenda këtë çast, që në takimin tonë të parë, për ta pyetur kapterin, çfarë rruge duhet të ndjekësh, pasi terreni këtu paraqitet mjaft i vështirë dhe s’ka mjete transporti.
Por edhe sikur të vijë rastësisht ndonjë kamion ushtrie, prej këtu më shpejt mbërrin në Tiranë, se sa në Laç. Kurse rruga këmbësore përgjatë bregdetit, të çon fare shkurt drejt në Patok, ose Adriatik. Prej këtej me makinë, e ke shumë afër Laçin. Tani merru me sistemimin e ushtarëve, pasi mund të vijë krejt befasisht për kontroll, komandanti i batalionit. Me që je zëvendësi im, po të vë në dijeni: majori përgjithësisht përdor metoda tinëzare me vartësit, ndjen kënaqësi kur vjen në befasi. Prandaj cakto një ushtar me shërbim roje ose vëzhgues, jepi një automatik pa fishek, dhe udhëzoje të thërras me zë të lart: ‘Ndal, se do qëlloj’, nëse sheh të huaj, civil apo ushtarak, që vjen drejt nesh. Dhe pas kësaj komande, t’i kërkojë parullën e kalimit”.
– “Paskemi parullë”?!… – pyeta unë me njëfarë humori.
– “Pse mos të kemi? Pavarësisht nga kushtet, ne vetë duhet ta vlerësojmë situatën sikur jemi repart me të gjithë kërkesat e rregullores ushtarake. Ke ndonjë parullë interesante ndërmend”?
– “Pylli me mare”, – ia ktheva unë në çast.
– “Më pëlqen! Sa bukur të shkoi mendja”!… – u kënaq ai. – Por këtë s’do t’ia tregosh asnjë ushtari, përveç rojës. Ditën shërbimi do jetë katër orë, natën dy orë. Tani mund të largohesh. Nxiti ushtarët te pastrojnë fjetoren, te merren me sistemimin shtretërve, pa harruar të urdhërosh kuzhinierin të fillojë aktivitetin e tij. I vjen ndoresh për të gatuar”? – pyeti me interesim.
– “Ka punuar në Turizmin e Peshkopisë”! – e befasova unë.
– “Qenka mrekulli! Por mos ta marrin vesh ata të Brigadës, në Laç, se do na e përlajnë”!… – tha ai me një qeshje disi të çuditshme, duke zbuluar dhëmbët e verdhë nga nikotina e duhanit.
– “Ky rrezik vjen vetëm nga kapteri i furnizimit, nëse ky e përhap lajmin…- shtova unë, për t’i thënë se kjo detyrë të përket ty. – E drejtë. Do t’ia vë në dukje me marifet, pasi kapterët e këtushëm vendas, janë ca të trashë, e duan t’i biesh disa herë borisë, që ta marrin vesh…”, – theksoi ai.
– “Por kujdes nga komandanti i batalionit”! – përsëriti kur hapa derën e kolibes të dilja. Zbrita poshtë dhe hyra në fjetoren haur. Mbeta i shtangur nga ndryshimet e mëdha, brenda një kohe shumë të shkurtër! Organizatori i këtyre rregullimeve,”Baba”, kishte vënë në lëvizje të vrullshme gjithë ushtarët e kompanisë, duke u dhënë detyra të caktuara:
Dhjetë ushtarë merreshin me mbushjen e dyshekëve dhe nënkresave me kashtë. Katër të tjerë i ngjeshin dhe i shtronin, duke i bërë gati për qepjen me spango. Ndërsa për punën më të vështirë, qepjen, që kërkonte mjeshtri, kishte caktuar ata që u vinte ndoresh, të cilët e kryenin këtë detyrë me merak. Për pastrimin e territorit rreth e qark fjetores dhe brenda saj, qe ngarkuar një skuadër prej njëzet veta, të cilët në fillim përgatitën fshesa bishtgjatë me degët e mareve, dhe prenë me kosore gjithë barishtet anash e prapa fjetores, në një hapësire dhjetë metra, që çdo ushtar i pa përgjegjshëm të detyrohet të urinojë natën vetëm përtej kësaj zone.
Ndërkaq për ustallarët e vërtetë, qe caktuar një detyrë tepër interesante, e cila kërkonte mjeshtri të veçantë: të vishnin nga jashtë “muret” prej dërrase, duke mbërthyer me gozhdë letrat e trasha të lyera me zift, për ta mbrojtur mjedisin brenda nga cingërimat e netëve të ftohta dimërore, si dhe për ta bërë të padukshme, si maskim. Së dyti, këta menduan të bënin disa përshtatje në ndarjet e krevateve, të formonin me ristela e letra të trasha me zift kabina dyshe, si ato të plazheve popullore, me synim t’ia ndryshonin pamjen fjetores, ta shndërronin nga ahur në geto të çuditshme, të paparë në asnjë vend, mundësia e vetme më e mirë për të përballuar pa u dridhur të ftohtin e hidhur.
Pikërisht kjo pamje interesante, përbënte dëshminë jetësore më të begatë të imagjinatës, sepse tregon çfarë fantazie përdor mendja njerëzore, për të siguruar mbijetesën, pikërisht kur shteti i lë ushtarët e shërbimit të detyruar në harresë të plotë, si refugjate në vendin e tyre! I mahnitur nga ky shndërrim fantastik, përtej çdo imagjinate, e përgëzova “Babën” për nismat e shkëlqyera dhe organizimin e përsosur, duke i thënë se e meriton plotësisht nofkën e nderuar, që i ka vënë vetes dhe e thërresin ushtarët e kompanisë.
– “Mua do më keni gjithnjë në përkrahje dhe mbështetje, – i thashë unë duke e përqafuar. – Por ti me ndikimin tënd, ke një detyrë shumë të rëndësishme…”!
– “Fol, se ‘Baba’ nuk e kthen mbrapsht fjalën tate”! – u zotua ai me mburrje.
– “Ti e di që pyll pa derra nuk ka. Mes ushtarëve të kompanisë tonë kemi dhe disa me vese, që na turpërojnë…”!
– “E ke llafin për ata që kanë dorë? E mora vesh. E kam patur vetë këtë gjë parasysh, ndaj i paralajmërova: po guxuat të prekni qoftë një kokërr fik, mollë apo arrë, nga bahçet e fshatarëve, dijeni se do t’ju lidhim këmbë e duar e, do njoftojmë Sigurimin! Ne jemi ushtarë, jo hajdutë. Po të keni neps, u thash, trokasim tek dera e fshatarit, dhe i kërkojmë këtij të na e shes mallin, njësoj sikur jemi në Pazar”.
Ishte me të vërtetë e mahnitshme dhe e mrekullueshme, të dëgjoje pjekurinë e këtij djali fshatar, sa bukur e kuptonte rolin e individit në shoqëri, me sa thjeshtësi dhe vendosmëri i përmbushte zotimet që mendonte! Ndofta komandantit s’do t’i pëlqejnë këto rregullime dhe ndryshime… – shtoi “Baba” me vështrim dyshues, – Prandaj të takon ty t’ia mbushësh mendjen, t’i shpjegosh se këto i bëjmë vetëm nga halli, jo për t’u dukur, apo të shprehim pakënaqësinë tonë.
Ne jemi të shqetësuar të mos marrim ndonjë plevit brinjë me brinjë, dhe pastaj të shtrohemi e dergjemi nëpër spitale. Nuk na shkon ndërmend të ankohemi për kushtet e vështira, sikur jemi në Afganistan. Por ama nuk duam të na bien në qafë, kur punën e tyre e bëjmë ne vetë. Mirë do ishte të flinim si në Perlat, në fjetore për së mbari, me krevat e dyshek. Mjafton t’i drejtosh pyetjen komandantit: pse atje nuk u paraqit nevoja për ndonjë rregullim? Dhe se dyti, t’i bësh vërejtjen: prej andej ku ishim, nuk na lëvizën për fajin tonë, por sepse as ata vetë nuk e dinin pse na prunë”.
– “Shpresoj dhe besoj se do kemi marrëdhënie të mira me komandantin e kompanisë…”!
– “Të tillë përshtypje të la kur shkëmbyet muhabetin e parë”? – pyeti me interesim “Baba”.
– “Nga takimi i parë m’u duk njeri i vuajtur, që vjen në këtë vend të humbur si nevojtar, ndaj dhe s’do të ketë fërkime me ushtarët. Por më porositi të bëjmë shumë kujdes me komandantin e batalionit, sepse ky vjen tinëzisht, si kusarët një herë moti, për të na kapur në befasi”, – i shpjegova unë, që të qetësohet, si dhe të udhëzojë ushtarët e shërbimit të tregohen sy mprehtë
– “Oficerët ardhacakët janë dy yrnekë: Ose e kanë fiqirin tek rakia, si komisari i regjimentit, dhe këtij ne ia gjetëm ilaçin. Ose janë shpirtzinj, u dhembin sytë kur na shohin që dimë të kujdesemi për veten tonë. Për ne ka rëndësi ta kemi mirë me të zotin e shtëpisë, pasi ky e di si ngrysemi e si gdhihemi. Do t’ia gjejmë marifetin dhe këtij tinëzari, komandantit të batalionit. Këtë e marr unë përsipër”! – u zotua ai.
– “Kij parasysh mësimin e përvojës: përballja me ushtarakët e djallëzuar, kërkon shtatë hile dhe një trimëri”! – e këshillova unë.
– “Paskemi patur te njëjtën gjë ndërmend”, – tha “Baba” me buzëqeshje. – Kisha dhe diçka tjetër: meqë moti po mban si behar, dhe në këtë vend pranë detit, gjynah të mos i përdorim banjat e diellit, kam menduar si ta kalojmë kohën pa e futur në telashe komandantin e kompanisë…”!
– “Pa hë, more mëndje femër, si e ke projektuar argëtimin e ushtarëve pa hapur telashe…”, – e nxita unë, që të shpaloste pa druajtje ato që ende s’i kishte shprehur.
– “Nuk e di nëse e ke vërejtur pyllin xhungël të mareve, që nuk e çajnë dot as egërsirat më të fuqishme. Janë pleksur trungjet e drurëve me ferrat, sa e pamundur të bësh një hap! Kjo do të thotë se fushimin tonë, e ndan me bregun e detit në anën perëndimore, një brez pyjor xhungle i pakalueshëm. Kam caktuar tre fshatarët e mi, që ia kanë marrë dorën si pastrohen pyjet nga ferrat, ku duhet bërë kalimi i fshehtë. Nuk gjendet mbrojtje më e përsosur, se kjo, pasi as derri i egër nuk e byr dot! Dhe që të mos ndryshojë fare nga muri i xhunglës, hyrjen do ta maskojmë…”, – theksoi i kënaqur.
– “Fshatarët e tu kanë filluar ta hapin ‘tunelin’”? – e pyeta me kureshtje.
– “Nesër besoj e përfundojnë”, – u përgjigj “Baba”.
– “Domethënë qysh nesër fillon plazhi sekret Shetaj?… – shtova duke qeshur. – Kushdo të vijë për inspektim nga brigada, përfshirë dhe shefin e Sigurimit, (por që sipas mendjes time, s’ka për të ndodhur, pasi askush s’na ka neve në refene), s’do na gjejnë asnjë duke ndenjur kot në repart, por të gjithë në ‘stërvitje’”…- u shkri së qeshuri “Baba”!
– “Këtu pranë fjetores do rrinë vetëm ushtarët e shërbimit, ndihmësit e kuzhinierit, dhe komandanti i kompanisë, si pleqëri…! Sado të mundohet tinëzari i batalionit, nuk na gjen dot…”! Për ta bërë për vete plakun e kompanisë, e porosita kuzhinierin në emër të ushtarëve ta mbajë mirë, t’i gatuaj diçka të veçantë plus, pasi mezi mbahet qyqari në këmbë, është katandisur kockë e lëkurë! – “Të paktën këtu të vërë pak mish, se ta shpif kur heq këmishën”!…
– “Për sot kaq ishte plani i punës, apo ke akoma diçka tjetër për të shtuar”? – e ngacmova unë.
– “Kam dhe diçka tjetër: Kur bisedova me kapterin e ushqimeve, u interesova të dija nëse në dyqanin e fshatit ka vaj ulliri. Sipas meje, ma merrte mendja që duhet të kishte, sepse fshatarët nuk e blejnë racionin mujor të vajit te ullirit, pasi kemi gjalpë me bollëk, e për gjellë përdorim vaj kikirik. Kapteri u përgjigj: ka sa të duash.
“Atëherë, thash me vete, u zgjidh dhe ngrënia: bukë gruri me vaj ulliri, me sheqer, kripë, ose djathë. Ky ushqim të mban, dhe na shijon. Vaj ulliri do t’iu hedhim edhe fasuleve. Ndërsa pilafin dhe makaronat, do t’i hamë me sheqer. Kështu e kemi ne fshatarët…”, – qeshi “Baba”.
– “Si po ma përshkruan ti, keni ndërmend të bëni këtu kurën e majmërisë”!…gajasej “Baba”!
– “Edhe kjo futet në planin e stërvitjes…”, – vazhdoi të pyes ai.
– “Kur ishim në NBU, punonim pa hile, bënim dy norma qilizëm, sepse na thoshin: e para i takon shtetit, e dyta shpërblehet”.
– “Po faktikisht, e morët shpërblimin e djersës së ballit”? – e pyeta unë.
– “Në dorë na jepnin sa për të blere kuleç, që ne ushtarët i quajmë ‘ingranazhe’. – Ndërsa pjesën tjetër, na thoshte llogaritari i repartit, po e depozitojmë në libreza kursimi. Në të vërtetë nuk morëm as lek e, as libreza! Me siguri kanë përfunduar në xhepat e shefave. Janë të tmerrshëm për të zhvatur”!
– “Të falënderoj për informacionin e plotë! E meriton nofkën vlerësuese; ‘Babë’”.
– “Një gjë duhet të kesh gjithnjë parasysh: të gjitha sa bisedojmë bashkë, do mbeten mes nesh. Kështu do vazhdojmë deri në përfundim. Me këtë pjekuri e maturi, do t’ia dalim mbanë të mbijetojmë pa u ankuar, dhe do përballojmë çdo vështirësi”.
Komandanti i kompanisë mbeti i habitur, kur pa me sytë e tij këtë vetorganizim të përsosur! Ndaj më pyeti me shumë kureshtje: si ka mundësi një ushtar fare i thjeshtë, të ketë ndikim kaq të fuqishëm dhe aftësi të përsosur, sa rrok gjithë shqetësimet dhe i bënë shokët të mendojnë zgjidhjet e duhura?!…E çuditshme! Tepër e çuditshme”! – përsëriti ai mjaft i kënaqur, plotësisht i bindur që telashet e kësaj jete të ndërlikuar, këtu do t’i përballojnë vetë ushtarët.
Pasi u vunë në vijë të gjitha punët përgatitore dhe nisi jeta normale në këtë bashkësi, (s’po e quaj repart ushtarak, jo vetëm për paraqitjen e jashtme, mjaft përqasëse me një butafori teatri, por sepse këtu mungonte armatimi, përveç dy automatikeve, ndaj tërë vëmendja e ushtarëve ngërthehej kryesisht me jetën e tyre), filloi ndarja në grupime sipas këndvështrimeve, pa fërkime e acarime. Mbrëmjeve, për të ndriçuar mjedisin në mungesë të dritës elektrike, ndiznim zjarre. Dhe para se të ndizeshin zjarret, në muzg, bëhej ngrënia e darkës. Pastaj nisnin shëtitjet buzë detit. Kur kishte shtysa dhe ngacmime të brendshme, dëgjoheshin këngë të krahinave të ndryshme. Sidomos dy prej tyre ta drithëronin e rrudhnin shpirtin, dhe i shkaktonin zemrës rrahje të shpejta:
Bregdetasit interpretonin me pasion të thelle e dhimbje të trashëguar ndër breza këngën me famë të përhapur kudo, “Vajza e Valëve”. Ndërsa mallakastriotët dhe skraparllinjtë, përcillnin me zërat e tyre amanetin e mërgimtarit: “Mbetsh, more shokë, mbetsh/ përtej urës së Qabesë”. Në këtë grup shquhej zëri i ushtarit shtatlartë e qafëhollë, Mete, që mundohej t’i përqasej zërit plot kolorit të Demir Zykos, por nuk ia arrinte dot. Kur mbaronin këngët, tirreshin muhabetet e ndërprera: Grupi lab shprehte shqetësimin e mbarështimit të bagëtisë nëpër stane.
Myzeqarët i binin fyellit me një vrimë, shqyrtonin gjithnjë të njëjtin avaz, e fillonin dhe e mbaronin me lopën. Minoritarët bisedonin greqisht. Veriorët i brente meraku për dimrin e pritshëm, luteshin me fjalë dhe në heshtje të mos shkarkohen reshje të shumta dëbore, që bllokojnë rrugët dhe izolojnë krahina të tëra nga qendrat e banimit. Grupi i duhanxhinjve rrekej t’i mbushte mendjen vetes, se pirja e cigares kurrsesi nuk duhet quajtur ves, (si cilësohet nga disa), por një kërkesë e natyrshme, që ta do trupi.
I çuditshëm dhe paradoksal më dukej fakti pse në asnjërin grup të këtyre të rinjve, nuk shkëmbeheshin mendime për letërsinë dhe artin, me përjashtim të rasteve kur përmendej një film, dhe jepnin përshtypje rreth personazheve e veprimeve! Kështu kalonte koha derisa afrohej ora e gjumit, për t’u futur secili në kabinën e tij. Falë rregullit të fortë, të vendosur nga “Baba”, asnjë nuk lejohej të shtrihej në dyshek pa larë këmbët! Ndaj të gjithë hiqnin këpucët e çorapet, vishnin nallanet që kishin blerë në dyqan, dhe shkonin tek vija e ujit të burimit.
Në mëngjes bëhej zgjimi ne orën shtatë. “Baba” i kujtonte ushtarët te ajrosnin dyshekët dhe batanijet në “kabina”‘. Pas pesëmbëdhjete minuta dilnin jashtë gjysmë të zhveshur e vraponin deri afër kështjellës së Rodonit. Kur ktheheshin, trupa e kalitur me stërvitje laheshin në mes e lart me ujë të ftohtë, ndërsa te tjerët vetëm fytyrën e krahët. Menjëherë pas rregullimit të shtretërve dhe ngrënies së mëngjesit fillonte shpërndarja e detyrave, sipas grafikut. Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016