Nga Petraq Xhaçka
Pjesa e pestë
Memorie.al / Qëllimi i këtij libri, është të bashkojë ndihmesën në përpjekjet që bëhen, për të paraqitur të vërtetat dhe tmerret e diktaturës komuniste në Shqipëri. Qëllimi kryesor i librit, nuk është t’i tregojë popullit tonë e kujtdo tjetër, se ne naftëtarët kemi qenë të pafajshëm, sepse kjo është bërë e njohur nga botime në shtypin tonë, nga televizionet e huaja, si dhe nga takimet direkte me Forumin Ndërkombëtar dhe atij shqiptar të të Drejtave të Njeriut. Dëshira e autorit, është që nëpërmjet kësaj historie, së bashku me tregime të tjera, të luftohet çdo shfaqje në çfarëdo forme, qoftë dhe të moderuar, që ai mund të ketë për të krijuar një shoqëri komuniste. Mendoj se edhe nëpërmjet kësaj historie të hidhur personale, do të shfaqet fytyra mizore e pabesë dhe prepotente e enverizmit, që për një gjysëm shekulli, ja mbajti thikën me majën në gjoks popullit shqiptar, me syrin pishë, duke përgjuar lëvizjet për shpëtim nga jashtë, apo rebelim të vetë popullit, i gatshëm ta shtynte thikën drejt zemrës, në lëvizjen më të parë. Ngjarjet janë vënë në fushat ekonomike ku ajo është shfaqur më me forcë, siç ka qenë industria e naftës dhe e gazit, ku pata fatin të derdh energjitë e mia, për një jetë të tërë dhe të bëhem në ato ngjarje pjesëtar dhe dëshmitar. Të gjitha ngjarjet që shkruhen në këtë libër kujtimesh, janë të vërteta, jo vetëm pa asnjë përzmadhim apo zbukurim të tyre, por ndofta, nuk di sa kam mundur të paraqes forcën tmerruese të ngjarjeve që ndodhnin në atë sistem dekadent të socializmit, ku nuk ekzistonte asnjë ndjenjë humane.
Kishte edhe dhoma më të vogla, kryesisht për studentët pas universitarë. Në ditët e para të mbërritjes, unë u njoha me të gjithë studentët shqiptarë të këtij instituti, të cilët përbënin një dërgatë prej dyzet vetash, për degë të ndryshme të industrisë së naftës. Studentët e vjetër na pritën ne të rinjve me dashuri dhe na ofruan ndihmën për nevojat e para që kishim, sidomos në drejtim të përshtatjes në jetën ruse, të kuptimit të zakoneve, të kujdesit që duhej patur nga ndonjë keqdashës, e plot nevoja të tjera, më të vogla.
Gjënë e parë që unë bëra, ishte hedhja e palltos së re, të cilën e pata sjellë me vete. Ishte turp të dilje në rrugët e Moskës, me atë xhybe shajaku. Shokët më shitën për njëqind rubla, një pallto të përdorur, por në gjendje të mirë.
Në ditën e dytë, me ndihmën e studentëve të vjetër, vajtëm dhe bëmë regjistrimin në institut. Ky ishte përshtatur në një ndërtesë të madhe, por që siç mësuam më vonë, e pamjaftueshme për gjithë numrin e studentëve. Administrata ishte detyruar ta organizonte mësimin në dy turne. Bursa mujore e studentëve shqiptarë, ishte pesëqind rubla. Për studentët me rezultate të shkëlqyera, jepeshin njëqind rubla më shumë. Qysh me mbarimin e semestrit të parë, unë arrita ta merrja këtë shpërblim shtesë, për rezultatet e larta, që pata në mësime dhe e gëzova atë deri në përfundim të studimeve universitare.
Meqenëse ne patëm mbërritur dy javë përpara fillimit të mësimeve, shokët e mirënjohur me Moskën, gjetën mjaft kohë të lirë për të na shëtitur, nëpër pikat më tërheqëse të qytetit. Kështu ata na çuan në “Sheshin e Kuq”, me ato kishat madhështore dhe muret e Kremlinit, në Parkun “Gorki”, parku më i madh qytetit e nëpër plotë qendra të tjera.
Studentët e vjetër në kohën e lire, shpesh loznin me letra, dhe vinin para të vogla, që loja të bëhej tërheqëse. Ne ende nuk futeshin në këto lojëra, sepse dhe bursat, ende nuk i kishim marrë. Kishim disa të holla si paradhënie, por ne nuk dinim se sa e shtrenjtë ishte jeta atje, prandaj e mbanim dorën në harxhimin e tyre. Në këto lojëra, shpesh qeshnim me njërin nga studentët, Muhametin, i cili gjatë lojës, ngrihej nga vendi e pa u kuptuar merrte, paratë e vogla prej disa rublash, që mund gjente nëpër xhepat e rrobave, që patën hequr shokët e tij.
Ata gëzoheshin që fitonin dhe ngacmonin humbësit, sidomos vetë Muhametin, i cili humbte gjithnjë, por nuk e prishte terezinë dhe bënte mjaft numra për të qeshur. Por kur ngriheshin fitimtarët e vishnin xhaketat, nga xhepat e kuptonin që kishin fituar veç paratë e tyre. E zbulonin hilen e Muhametit dhe prapë i mbyllnin historitë me të qeshur.
Shakaxhiu vepronte kështu edhe me shokun e tij të dhomës, Napolonin, të cilit i merrte dhe ia hante ushqimet që i gjente në komodinë. Kur Napoloni i kërkonte shpjegim, ai ia kthente gjoja si i bezdisur:
– Po çfarë ndryshimi ka, dreqi ta hajë, e juaja – e jona, apo e jona – e juaja!
Akoma me këto vogëlsira!
Kjo shprehje e tij u bë mjaft popullore. E përdornim të gjithë dhe qeshnim me këtë gjetje që huazonim prej tij.
Të gjithë ne studentët shqiptarë, kishim marrëdhënie të mira me njeri tjetrin dhe asnjëherë gjatë pesë viteve, unë nuk u gjenda as si pjesëtar, as si soditës, në ndonjë konflikt apo zënie, jo vetëm midis nesh, por dhe me studentët rusë, apo të vendeve të tjera të huaja. Kinezët, bullgarët, polakët, grekët, e të tjerë, ishin të shumtë në atë institut.
Studentët e vjetër, kuptohet, që të gjithë kishin shoqet e tyre. Ato ishin dashnoret apo, disa edhe të fejuarat e tyre, prandaj një pjesë të kohës së lirë, pushimet apo fundjavat, zakonisht i kalonin me to. Ne të rinjtë, që sapo vinim nga fushat e naftës, nga një jetë ku njihnim vetëm punë, çizme e baltë nëpër këmbët tona, shembullin e të vjetërve e gjetëm vërtet të mrekullueshëm. U sulëm si ata qentë e zgjidhur nga zinxhirët dhe filluam të njiheshim me vajza. Në një mbrëmje, unë u njoha me një studente të akademisë së baletit, Ivettën, që kish një trup të bukur, fytyrë të ëmbël e flokët biondë.
Nuk do ta harroj situatën e vështirë, në të cilën u gjenda me të, ditën e parë të daljes bashkërisht. Ajo erdhi e më mori në konvikt, sepse unë nuk i njihja rrugët e qytetit. I hipëm tramvajit në stacionin para konviktit dhe më pas, me metro, shkuam deri në qendër të qytetit. Aty dolëm në këmbë në një rrugë të gjerë, të cilën vura re se e quanin Rruga “Gorki”. Unë kisha me vete rreth pesëmbëdhjetë rubla. Patëm rënë dakord të shkonim në kinema, diku aty afër. Ishte një mbrëmje e qetë, e bukur dhe rruga ndriçohej nga llambat e shumta të shtyllave të elektrikut. Rrugës duke shëtitur, vura re se në anën tjetër, njerëzit hynin e dilnin në një lokal me tabelën ku shkruhej “Akullore”.
Mendova për një çast se ato para që kisha duhet të mjaftonin për të blerë dy akullore edhe për të vajtur në kinema. E ftova pra Ivetën që të merrnim akullore. Unë flisja kuptueshëm rusisht, ngaqë e pata studiuar katër vjet në shkollë të mesme dhe gjatë punës në naftë, më qe dhënë shpesh rasti ta përdorja pranë sondave të shpimit me specialistët rusë, që punonin në sektorin e naftës. Kur hymë në dyqan, mua m’u ngritën mornicat, me të vënë re se lokali nuk ishte thjesht një pikë shitjeje akulloresh, por një mjedis luksoz. Në hyrje na prit kamerieri, një djalosh me një uniformë të kuqe, i cili na shoqëroi deri tek tavolina, që na caktoi ai.
Frika se a do të më mjaftonin paratë, nuk po më ndahej, por prapë mendova se, fundja, nuk do të shkonim në kinema. E përderisa ne, përjashta në rrugë një akullore me fishekë e blinim për 50 kopejka, pesëmbëdhjetë rublat e mia, ohu, do të ishin të mjaftueshme patjetër!
Por kur kamerieri na solli llogarinë, unë shtanga në vend dhe u bëra flakë në fytyrë. Ç’të shikoja?! Llogaria shënonte jo pak, por dyzetegjashtë rubla! Nuk po qaja hallin se ishin shumë para, por belaja ishte se unë, ato nuk i kisha. U mundova ta përmbaj veten. Futa dorën në xhepin e brendshëm të xhaketës dhe bëra sikur u çudita që paskësha harruar kuletën në konvikt. Nxora nga xhepi ato pesëmbëdhjetë rublat që kisha dhe po i vërtisja nëpër duar. Vajza e kuptoi situatën, hapi çantën dhe për fat të mirë pasi gërmoi në të, edhe pse me kopejka, mundi të ma plotësojë shumën që duhej paguar.
Kur dolëm jashtë unë iu luta shoqes që të ktheheshim në konviktin tim, që unë të mundja të merrja paratë për në kinema. U kthyem duke paguar vetëm metronë, ngaqë për trenin nuk kishim më të holla. Sa u futëm në hyrjen e konviktit, unë i kërkova ndjesë asaj se do ta lija të priste aty jashtë në korridor, por i premtova ama, se do të kthehesha shpejt. Dhoma e jonë ishte në katin e parë dhe dera dukej e tëra nga vendi ku u ul ajo. Fatmirësisht gjeta në dhomë Abedinin. Iu luta të më jepte hua njëqind rubla, se e kisha litarin në fyt.
– Po ku t’i gjej unë kaq shumë para?! – kërceu përpjete ai.
– E si t’ia bëjmë tani? – nuk i ndahesha unë.
Ai filloi të mendohej, ndërsa mua nga hutimi e mpirja nuk më binte ndërmend asnjë shteg.
– Po shkoj një herë lart, tek të vjetrit, – ia bëri Abedini dhe sakaq doli, duke më lënë në dhomë vetëm. Pritja ime zgjati rreth një çerek ore, por mua m’u duk llahtarisht më e gjatë. Unë besoja se ajo e kuptoi që unë po kërkoja para nga të tjerët, ndryshe nuk kisha pse të vonohesha aq gjatë. Abedini i kish gjetur të hollat dhe unë për t’u treguar kavalier i klasit të lartë, e për të rivendosur dinjitetin prej të huaji, e shpura damën time në kinema, jo me mjete sido kudo, por me taksi. Pastaj, me gjithë kundërshtimin e saj, i ktheva edhe të tridhjetekatër rublat që i mora për akullore dhe kështu aventura e shëtitjes së pare, u bë e plotë, e kripur, mësimdhënëse dhe e paharruar.
Që atëhere mu bë zakon i përjetshëm, që sa herë dilja nga shtëpia, qoftë me punë apo shërbim, kontrolloja gjendjen e parave në kuletë dhe pastaj futesha në ndonjë restorant për të ngrënë, apo në dyqane për të blerë.
Ishim katër studentë të rinj në institutin “Gubkin” atë vit. Përveç meje dhe Abedinit, kishin nisur studimet edhe dy djem të rinj vlonjatë: Dhimitër Deda dhe Ramadan Hoxha. Shoqërinë tonë, e plotësonte për bukuri, Perikli Prifti, i cili kishte në Moskë një vit më shumë nga ne. Kemi pasur vërtet një grup të lidhur me dashuri dhe respekt reciprok për njëri tjetrin.
E miqësinë tonë, e forconim çdo ditë, e ajo bëhej strall, si shoqëritë që lidhen larg interesave, tipike këto për vitet e jetës studenteske. Këto vite në përgjithësi, për të gjithë janë periudha më e bukur e jetës. Kushdo pastaj mund të na përfytyrojë ne, që kishim vajtur në një vend më të zhvilluar e më të madh. Ishte klima e marrëdhënieve ruso-shqiptare, që e bënte shumë të favorshme atmosferën rreth nesh.
Miqësia e të pestëve vazhdoi edhe në atdhe deri vonë. Pastaj sëmundja e rëndë, ndau shumë shpejt nga ne, të ndjerin Ramadan. Abedinin në vitin 1981, e lëvizën nga katedra e universitetit, për motive politike. Për ta mbajtur të izoluar, në formë gjysëm internimi, e dërguan të punonte në minierën e Selenicës. Mërzitja, ndofta ndikoi negativisht, në sëmundjen e rëndë që i mori jetën para kohe, këtij naftëtari të ndershëm e punëtor, këtij shoku e miku tim të jetës, me të cilin gjatë viteve studenteske, patëm ndarë bukën e gojës.
Furtunat që gjatë viteve, shtjelloheshin plot elektricitet përmbi puset e naftës, na i shënuan ndjeshëm jetët e të gjithëve ne të tjerëve. Në një nga ditët e para të vendosjes sonë në Moskë, një student nga klasat sipër nesh, erdhi e më pyeti nëse dija të shtypja në makinë shkrimi. Me të thënë po, ai më propozoi të shtypja për të, në shqip, përkthime të filmave rusë të ndërmarrjes “Mosk-film”, filma që dërgoheshin për t’u shfaqur në Shqipëri.
Studenti nuk ishte i degës sonë, e unë tani as emrin nuk ia kujtoj dot, më tha se do të më paguanin një rubël për faqe. Unë rashë dakord e fillova menjëherë të punoj me orë të zgjatura, deri vonë natën, në mënyrë që të fitoja disa para, sepse si student, nevojat i kisha të mëdha. Nga familjet, as unë e as shokët e mi, nuk prisnim asnjë lek.
Disa nga shokët, për të rritur në një fare mase të ardhurat e pamjaftueshme të bursës, bënin punë më të rënda, deri në shkarkim mallrash nga trenat e kamionët e mëdhenj. Disa prej tyre, bile bënin sakrifica edhe më të mëdha: nga këto para, dërgonin një pjesë në Shqipëri, për të ndihmuar familjet.
Kur Koço Plaku, mori vesh për punën që kisha zënë më tha: – Shiko se ai po të shfrytëzon ty. Ai dhe përkthimin dhe daktilografimin, nuk i bën vetë, por paguhet sikur i bën. Ai nga “Mosk-film” merr më shumë nga ç’paguan.
I ndjeri Koço, një nga viktimat e goditjeve në naftë, pat ardhur në Institutin “Gubkin”, tre vjet para meje dhe ish i rrahur me vaj e me uthull. Ai më mësoi t’ia bëja ndërmjetësit të “Mosk-film”-it, siç ia pat bërë ai. Duhej t’i thoja se daktilografimin, do ta përfundoja në datën që ai m’kërkonte faqet, por duhej të bëja kujdes, që gjatë ditëve më parë, unë nuk duhej t’i dorëzoja asgjë. Duhet t’ia zvarritja, deri në çastet e fundit. Pastaj dy ditë përpara datës, që atij i a desh kinostudioja moskovite, t’i thoja që nuk i kisha shtypur dot.
Lutjeve të tij për t’i përfunduar në kohën e mbetur, unë do t’i përgjigjesha me qarjet, se do të më duhej të sakrifikoja mësimet dhe gjumin, se do të më duhej të punoja tërë natën, por për këtë, detyrimisht do të duhej të paguhesha më shumë, e të tjera marifete si këto. Fillova të zbatoja këshillat e Koços dhe kjo taktikë më dha menjëherë rezultate: ai nisi të më paguante një rubël e gjysmë për faqe. Ai qe detyruar të ma bënte rritjen, sepse në qoftë se nuk dorëzonte përkthimin e daktilografuar në afat, do të detyrohej të paguante gjobë.
Megjithatë, ai përsëri merrte nga “Mosk-filmi” më shumë nga sa më paguante, por për mua dhe kjo e ardhur, ishte fort e mirë. Këtë punë unë e vazhdova deri në vitin e dytë, derisa pata fatin të më caktonin përkthyes, për grupin e shqiptarëve, të cilët mësonin në Shkollën e Lartë të Partisë “Lenin”, ku kishte shumë drejtues edhe nga partitë komuniste, nga e gjithë bota.
Çdo ditë shkoja në atë punë nga 4-5 orë dhe nuk kisha mundësi të ndiqja drejtpërdrejt shumicën e leksioneve. Për këtë, qysh në fillim të vitit shkollor, unë bija dakord me disa studentë, me të cilët kisha miqësi, që ata të m’i jepnin mua për kohën kur do të kisha provimet, leksionet që ata kishin mbajtur shënim. Me ta ne i kishim leksionet njësoj, por provimet i bënim në data të ndryshme, sepse ishim grupe të ndryshme.
Ndërsa për punimet laboratorike dhe ato praktike, e kisha më kollaj, se mund të shkoja mbas dite. Kjo praktikë e leksioneve pasdite, vazhdoi deri në vitin 1959, vit kur u larguam ne. Pas vitit 1961, instituti u vendos në ndërtesën e re, një godinë e madhe dhe e bukur e ngritur ngjitur me konviktin në bulevardin e madh “Mozhajskoe Shosse”, fare afër Universitetit “Llomonosov”, rreth dhjetë minuta më këmbë.
– Në këtë mënyrë, për katër vitet që pasuan, unë jetova me të ardhura mjaft më të mëdha se kolegët e mi, sepse pagesa për përkthimet në orët e mësimit direkt nga leksionet e pedagogëve në Shkollën e Partisë, ishte e lartë. Këtu përfshiheshin edhe orët e ekskursioneve, ku unë nuk kisha mundësi të shkoja. Në mungesë time, përkthente studenti Leka Shkurti. Ky ishte një nga studentët më të përgatitur të grupit dhe ai arriti ta përvetësojë mirë gjuhën ruse.
Ai dhe kujdestari i klasës, gjithnjë i shkruanin orët në favorin tim, për të më ndihmuar mua si student, mbasi ai nuk mund të paguhej, por e bënte vullnetarisht atë punë. Kjo vinte edhe sepse për vitet që unë punova me ta, krijova marrëdhënie të mira e të ngrohta. Ata më respektonin dhe më deshin mjaft. Këta student, përgatiteshin seriozisht. Pjesa tjetër, nuk kishte bagazhin e nevojshëm arsimor dhe i përtypnin leksionet me zor, pasi kishin ardhur aty në moshë të rritur.
Kishte raste që dhe unë i ndihmoja disa gjatë provimit në përkthimin që bëja, meqenëse duke i dëgjuar shpesh leksionet e tyre, arrita t’i mësoj e t’i përvetësoj lëndët. Nganjëherë përgjigjet, ata i jepnin gabim, por unë ia përktheja pedagogut të korrigjuara, që vlerësimi të ishte më i lartë. Ndjeja një far krenarie, kur ata tashmë, jo si ish drejtues, por si studentë shqiptarë, dilnin mirë në provime.
Studentët e kësaj shkolle, ishin kryesisht të moshuar dhe familjarë, prandaj kishin një pjesë të mirë të mendjes gjithmonë tek familjet e tyre, tek gratë e fëmijët. Ata zhvillonin një jetë të mbyllur dhe shpesh herë, kur bëheshin mbrëmje në lokalet e shkollës së tyre, meqenëse këta e kishin të ndaluar të krijonin miqësi me femrat ruse, unë sillja aty disa vajza që dhe ata të kishin mundësi të kërcenin e të kalonin disa orë të këndshme.
Ndërsa vajzat ruse, nga ana e tyre, vinin me kënaqësi në këto mbrëmje të të huajve, ngaqë ato si dhe i gjithë populli sovjetik, bënin një jetë të izoluar nga bota, si gjithë vendet e kampit socialist, ku më shumë e ku më pak. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016