Nga Prof. Murat Gecaj
Memorie.al / Anila Dahriu, me origjinë të hershme nga Çamëria, e lindur në qytetin e Vlorës, ku ka banuar me familjen e saj deri në vitin e mbrapshtë 1997, kur u largua nga Shqipëria dhe u vendos si emigrante në Itali, në këtë intervistë për profesorin e njohur, Murat Gecaj, rrëfen disa nga peripecitë e saj dhe jetën e vështirë të familjes, para viteve ‘90-të në qytetin e Vlorës, për shkak të biografisë familjare e luftës së klasave, njerëzit që iu gjetën pranë në ato ditë të vështira, mos dhënia e të drejtës së studimit për në shkollën e lartë, puna e vështirë te Kombinati i Konservave, largimin e saj nga Shqipëria dhe vendosjen në Itali, diplomimin në një Akademi Estetike, rikthimin e saj te pasioni i vjetër, poezia, lidhjen e saj organike me librat dhe letërsinë, krijimtarinë e saj letrare, miqtë që e ndihmuan dhe shkrimtarët që organizuan botimet dhe promovimet e librave të saj, me poezi dhe në prozë, etj.
Znj. Anila, besoj të kujtohet që, së pari, ne jemi takuar e njohur në një veprimtari të bukur, që u organizua në Tiranë, me rastin e përurimit të disa librave të rinj…? Çfarë mbresash ruan nga ajo ditë?
Përshëndetje, Profesor! Po, vërtet ishte një ditë e veçantë, ku përveç rrezeve të ngrohta të qershorit 2011, që mbështillnin qytetin e Tiranës, ato kishin mbështjellë dhe shpirtin tim, ardhur nga gulçet e emocioneve, që ndieja. Unë vija aty nga larg, për paraqitjen e librave të mi; “Lërmë të vij me ty” e, “Mos ma lëndo ndjenjën”, të përkujdesur nga poeti e shkrimtari i njohur Pilo Zyba, i cili ishte protagonisti i organizimit të kësaj ngjarjeje. Bashkë me mua ishin dhe dy krijues të rinj të talentuar, Dëshira Haxhi dhe Sajmir Hide.
Ajo, që më mbushi më tepër me emocione të veçanta dhe më frymëzoi pa masë, ishte fakti që, pikërisht atë ditë, bëhej dhe përkujtimorja e poetit të njohur Vehbi Skënderi. Pra, ndihesha mjaft e privilegjuar, që pikërisht librat e mi dhe të kolegëve, u përuruan edhe në nderim të këtij poeti të madh të vendit tonë, ku unë dhe miqtë e mi, dhamë ndihmesën tonë modeste edhe financiarisht, për realizimin e asaj veprimtarie të bukur e të paharruar. U ndjeva, me gjithë mend mirë, ndërmjet njerëzve mjaft të njohur të letrave shqiptare. Me kënaqësi prita aty përgëzimet, si dhe kritikat e tyre dashamirëse, një shtysë kjo për të ardhmen në krijimtarinë time.
Jo vetëm për mua, por dhe për lexuesit e këtyre radhëve, është me interes të dimë diçka më shumë për jetën tënde: prejardhjen, shkollimin, familjen, punën, etj.
Unë kam lindur në qytetin e Vlorës, më 25 maj 1970, nga një familje e thjeshtë me origjinë çame. Prindërit e mi emigruan në Shqipëri, në vitin 1945, të detyruar nga persekutimi dhe shfarosja e kësaj etnie, në trojet e tyre stërgjyshore, në vendin fqinj grek, ku ua pushtuan me dhunë të gjitha tokat dhe pasuritë e lëna. U rrita nën kujdesin dhe edukimin e tyre të rreptë, pasi vetë koha të detyronte të krijoje një murajë mbrojtëse për të mbijetuar, në atë periudhë të errët të diktaturës komuniste. Isha fëmija më i vogël, në një familje të madhe, me 8 fëmijë. Prindërit e mi, me sakrifica të mëdha, u munduan për shkollimin tonë, që ishte një nga kërkesat e tyre më të ligjshme dhe kryesore ndaj nesh.
Im atë, një intelektual i thjeshtë, ekonomist në një nga ndërmarrjet bujqësore të qytetit, u përkujdes gjatë tërë jetës së vet, mes mijëra vështirësive, të na krijonte një strehëzë dhe të gjitha materialet e mundshme për jetën tonë, mjaft të ndërlikuar nga regjimi i kohës. Më pas, njëri-pas tjetrit, secili nga ne fëmijët, përkujdesej për më të vegjlit. Nëna ime ishte mjaft kërkuese, ndaj ne fëmijëve. Ajo punonte në ndërmarrjen e Konservave të qytetit dhe, falë saj, krijova karakterin tim të fortë dhe arrita t’i përballoja me guxim, më vonë, të gjitha “betejat” e jetës sime.
Këtu, nuk mund të lë pa përmendur as gjyshen, “fatën mbrojtëse”, e cila zuri një pjesë të rëndësishme në jetën time. Qëndrova me të 22 vjet, po aq edhe me tim atë. Por vdekja e pamëshirshme, m’i mori njëri pas tjetrit, brenda një viti. Ndoshta, kjo periudhë ka qenë më e vështira e jetës sime dhe ndikoi në formimin tim të mëtejshëm. Pra, u gjenda ndërmjet shndërrimeve kolosale të vendit tim dhe humbjes së njerëzve më të dashur të jetës sime. Më tej, mua do të më mungonte gjatë, ajo strehës e dikurshme, ai udhëheqës i hapave të mi në jetën time, duke u ndodhur në të papriturat e saj. Se nuk do ta kisha më atë ngrohtësi të gjyshes sime, kur natë e ditë thurte uratat dhe fjalët më të ëmbla për mua, kur i shërbeja me aq zell e dashuri.
Në vitin 1988, mbarova shkollën e mesme Industriale, në degën mekanike. Vendosa që mos të vazhdoja më tutje, pasi prirjet e mia, i takonin degës së letërsisë. Gjatë atyre viteve, deri më 1991, punova në një nga ndërmarrjet e qytetit. Ndërkaq, të gjithë do të gjendeshim përpara një gjiganti të furishëm dhe të domosdoshëm, të ardhur si papritur. Pra, ndodhi mrekullia: shndërrimi i sistemit, fryu furishëm era e demokracisë edhe në strehëzat tona. Po, vallë, a do të ishte kështu?!
Më 1996, pasi doli në dritë libri im i parë me poezi, “Porta e vetes”, redaktuar nga studiuesi e shkrimtari i njohur Bardhosh Gaçe, vendosa t’i nisja studimet në degën Gjuhë-Letërsi, të Universitetit “Eqerem Çabej”, në Gjirokastër. Isha shumë entuziaste dhe pse vështirësitë ekonomike i kishim të mëdha. Isha futur në këtë udhë me forcat e mia dhe përkrahjen e nënës sime, pra që të studioja dhe ta realizoja ëndrrën time. Por, fatkeqësisht, isha e detyruar të mos i vazhdoja studimet, nga situatat e ndera, që u krijuan në qytetin tim. Pikërisht në atë vit, u njoha me bashkëshortin tim, me të cilin dhe sot udhëtojmë në “binarët” e jetës, të cilën e kemi krijuar bashkë. Këto vite, kanë qenë dhe janë vitet, që kanë ndikuar dhe në formimin tim letrar.
Pasi vendosa të lija vendin tim, më 17 mars 1977, me anijet fantazma, në kërkim të së ardhmes, u shkëputa për një periudhë të gjatë nga ëndrra ime e dikurshme, duke futur në folenë, jo të harresës, tragjeditë e asaj kohe dhe kanalin e Otrantos, pas një jave të mbërritjes në anën tjetër të Adriatikut. Lashë kështu pas qytetin tim dhe vendosa të isha shpëtimtare e jetës sime, duke u përkujdesur me shpirt edhe për mbesën. Pas vdekjes së babait tim, u përkujdesa për edukimin dhe mirërritjen e saj…! E kujtoj mirë atë ditë marsi, kur e shtrëngoja atë fort në gjirin tim, mes dallgëve të furishme, që mund ta gëlltisnin anijen tonë, me 400 veta brenda. Por, tani pas kaq vitesh, jam shumë e gëzuar, që mbesa ime ka krijuar familjen e saj dhe jeton në Romë, bashkë me bashkëshortin e një vajzë.
Më duket se ende i dëgjoj krismat e atij mëngjesi marsi, kur me “Kallashnikov” në dorë, banditët qëllonin në ajër, drejt qiellit, për ta trembur turmën, e cila afrohej me synimin që të hipnin në anijen karakatinë…! Ende më ngjan se dëgjoj klithjet e fëmijëve dhe ngashërimet e nënave, kur përcillnin fëmijët e tyre, drejt një bote tjetër, të panjohur…! Unë isha më me fat, ndoshta, për ta shkruar një ditë këtë ngjarje të kobshme, se sa fqinjët e mi. Se, pas një jave, ata i gëlltiti deti i madh e u bënë ushqim për peshqit?! Ndaj, kur mbërrita në krahët e të ardhmes, bashkë me mbesën time, aq të tronditur dhe të zhytur në të vjella, vendosa të luftoja ankthet e përbindshme, që kishin pushtuar shpirtin dhe trupin tim.
Fillova t’i kushtohem me të gjitha fuqitë e mia jetës së re dhe mbesës sime. Duke iu shkëputur shkrimit dhe ëndrrës sime për të dëshmuar, i ruajta atje kujtimet e mia, në “sëndukun” e viteve, që kalonin dhe nuk doja t’i zgjoja…! Aktualisht, jetoj në Pietrapaola të Kalabrisë, që është vendi i lindjes së tim shoqi. Këtu jemi transferuar para katër vjetësh. Një periudhë të gjatë jetova, bashkë me familjen time, në Firence, ku kishim nisur të ndërtonim të ardhmen. Më 2008-ën, pas krizës botërore, e cila preku dhe familjen tonë, filloi një betejë ende më e ashpër për mbijetesë. Pas 2 vjetëve, humba përgjithnjë dhe nënën time, që ishte një goditje tjetër e rreptë, e fatit për mua. Por, si gjithë betejat e jetës, dhe këtë herë fitoi thjeshtësia dhe kuptimi i vlerave të saj…!
Dhe, si i thonë në një shprehjeje, pas një të keqeje, vjen një e mirë. Kështu, unë iu riktheva ëndrrës sime të shkrimit. Aktualisht, në sezonin e verës, punoj në studion time (sallon estetik) dhe në muajt e dimrit, përkujdesem për leximin dhe studimin e autorëve të mi të pëlqyer, si ata shqiptarë dhe të huaj. Po, përgjithësisht, lexoj shumë letërsi të huaj, e cila ndikon dhe mbushë formimin tim letrar. Më kryesorja, është përkushtimi ndaj familjes sonë, përkujdesja dhe edukimi i fëmijëve, Davide dhe Simone.
Siç e treguat edhe më lart, ashtu si mjaft të rinj e të reja shqiptare, ka disa kohë që ndodhesh në emigracion, në Itali. Si e përjetoni ju këtë gjë dhe si i mban lidhjet tua, me vendlindjen e Shqipërinë?
Po, kam 17 vjet larg Atdheut. Por, njëkohësisht, gjatë kësaj kohe, tashmë, jam përshtatur plotësisht dhe me Italinë fqinje. Këtu doja të theksoja, duke iu përgjigjur sinqerisht pyetjes suaj, që emigrimin, e kam përjetuar thekshëm dhe shumë ashpër, në vitet 1993-‘94, kur gjendesha me vëllezërit e mi, në qytetin e Barit. Ishte i pakët qëndrimi ynë aty, vetëm një vit. Pastaj jam detyruar të kthehem në vendlindje, për shkak të sëmundjes të tim eti, i cili u nda përgjithnjë nga jeta, pas dy muajve. Ky ishte dhe grushti më i fortë, që jeta më dha. Nëna ime jetonte vetëm me mbesën time 13- vjeçare, sepse motra ime, u rimartua me një person, që sipas tyre, nuk mund të bëhej kurrë ati i saj…! Përsa i përket integrimit tim, në këtë vend të huaj, mund të them se ishin mundësitë më të mëdha, që t’i hidhje themelet e jetës tënde. Se isha në moshë rinore dhe me aftësi intelektuale. Ndërsa disa bashkatdhetarë, për fat të keq, të shihnin si një “specie të çuditshme”, se unë kisha vendosur të kapërceja detin, pa “kurorë martese”?!
Në atë mars të mbërritjes në Itali, siç e përmenda dhe më lart, kërkoja të projektoja dhe te realizoja jetën time, në një fushë të re. Dhe kjo ishte ajo e bukurisë. Me durim dhe studim, tre vjet vijova studimet në shkollën e Akademisë së Trukut, duke arritur atë që desha. Natyrisht, pengesat ishin mikroskopike, sepse pata ndihmesën e pakursyer të bashkëshortit Mikele Longo, i cili më ka mbështetur në të gjitha nismat e mia. Kështu, pra, dhe integrimi im, ishte më se i kuptueshëm dhe i realizueshëm.
Po lidhjet me Shqipërinë, si i keni?
Në lidhjet e pandara me Shqipërinë, jam munduar të kem një raport sa më konkret. Si familjes dhe bashkatdhetarëve të mi, nuk u kam rrëfyer “pekulet” e fatit të mirë në emigracion, po sinqerisht, vështirësitë dhe pengesat e shumta, që mund të paraqiten në një vend më të integruar me kohën, në dallim prej nesh…! Kam ardhur në vend-lindje, kur m’u kanë paraqitur mundësitë, si dhe mbaj lidhje me të afërm, kolegë krijues, miq e dashamirë, me mjetet e shumta të ndërlidhjes, që janë sot. Sigurisht, malli im për Shqipërinë është i madh e, dashurinë për të përpiqem t’ua edukoj edhe fëmijëve të mi.
E përmendëm edhe në fillim të kësaj bisede se, një “pikë e dobët” e jetës tënde të përditshme, është krijimtaria letrare. Kur ke nisur të shkruash poezi, cilat janë librat e botuar, deri tani dhe a mund të na thuash diçka, shkurt, për tematikën dhe përmbajtjen e tyre? Po në prozë, a shkruani?
Po, vërtet, pika ime e dobët është krijimtaria letrare, është si ajo rrjedhja e gjakut në dejet e mia, ku e ndiej të tërën, përjetoj drithërimën e shpirtit. Se, kur më vjen frymëzimi, duhet patjetër të gjendem përpara një letre të bardhë, me laps në dorë ose, përpara ekranit të kompjuterit. Kështu, ndodhem nën sfondin e një muzike të lehtë, që më shoqëron gjatë këtyre ndjenjave të përjetuara, nën ethet e emocioneve.
Kam shkruar që herët. Më kujtohet se isha vetëm 10 vjeçe dhe, herë- herë, dëgjoja gjyshen time nën dritëzën që hynte nga dritarja e dhomës, ku ajo shpesh ulej pranë shtratit dhe arnonte gjunjët e varfërisë sonë. Këndonte në vaje dhe lotët i rridhnin çurk, në faqet e saja të rreshkura, tashmë, nga vitet. Ndërsa unë i afrohesha, duke i thënë: “Nanë, pse qanë në këtë mënyrë, se nuk ka vdekur askush?!” Ajo më buzëqeshte me dashamirësi, më përkëdhelte krelat e verdha e më përgjigjej: “Si kujton ti, bija ime, nana jote nuk ka pasë halle në këtë jetë, nuk e ka takuar vdekjen e fëmijëve të saj?
Tokën e lamë të përgjakur me skeletërat e prindërve dhe grumbuj të pafajshëm njerëzish të hedhur nëpër gropat e skëterrës, pa patur faj!” Sigurisht, unë tmerrohesha, kur dëgjoja këto rrëfime të saja tronditëse dhe mendoja se isha fëmija më e lumtur, sepse, deri në atë kohë, kisha njohur vetëm ngrohtësinë. E vështroja mendueshëm, se isha një fëmijë shumë kureshtare dhe pëshpëritja me vete: “Po, po…! Një ditë, dua ta shkruaj këtë histori….”!
Poezia ime lindi në atë vend, ku unë vura kokën së pari, mes tufaneve dhe klithjeve të para rinore. Kështu,i mblodha ato në një tufëz dhe vendosa ta botoja librin e parë, me titullin “Porta e vetes”. Në vazhdimësi, në vitin 2010, botova librat me poezi; “Lërmë, të vij me ty” dhe “Mos ma lëndo zemrën”, nën përkujdesjen e mikut Pilo Zyba, poet dhe shkrimtar i njohur që para viteve ’90-të, i cili prej 30 vitesh, jeton e punon, e krijon në Greqi. Ndërsa, pa u ndalur, një vit më vonë botova dhe dy libra tjerë poetikë, të fundit nën përkujdesjen e shkrimtarit e publicistit Albert Zholi, me titujt “Drithërim Zane” e “Drejtë të panjohurës”…!
Është kënaqësi t’u tregoj se, këto ditë, do të dalë nga shtypi dhe libri im i i ri me poezi, shqip-italisht. Së bashku me poeten dhe shkrimtaren e talentuar Fatime Kulli, përzgjodhëm poezitë e mia më të mira. Ndërsa Prof. Dr. Klara Kodra, u përkujdes për përkthimin e tyre dhe kështu e realizuam vëllimin e ri, “Fra le costole del peccato”, (“Nëpër brinjët e mëkatit”). Në fillim, përurimi do të bëhet këtu, ku jetoj dhe në pesë vende të tjerë, me etni arbëreshe të Kalabrisë. Kështu, ata do të kenë rastin të njohin më nga afër një pjesë nga kultura e stërnipërve të heroit tonë legjendar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu.
Por edhe në prozë kam provuar të shkruaj që herët. Më kujtohet se, pjesët që shkruaja, ia lexoja nënës sime të paharruar dhe mikes sime, Natasha Kasneci, e cila ishte shtysa ime e parë dhe që këmbënguli të zhytesha në fushën e letërsisë. Ajo ka një pjesë të sajë në ndikimin e formimin tim letrar, pra ishte mësuesja ime e parë. Siç duket, ajo kuptoi shumë tek unë dhe për një periudhë kohe, 1994-‘97, më ndoqi me zell. Prandaj, i jam gjithnjë mirënjohëse, për këtë gjë.
Me kënaqësi kam parë dhe lexuar, që ju publikoni pandërprerë krijime të reja. Në qoftë se nuk përbën “sekret” cilat janë planet tua për botimin e librave tjerë, në të ardhmen?
Së pari, po u tregoj se dita ime fillon kështu…! Ngrihem herët në mëngjes. Pasi shfletoj internetin, ndalem te një poezi, tregim ose shkrim publicistik. Informohem për gjithçka, për ndodhitë e ditës, aktualitetin, si të vendit, ku jetoj dhe vendlindjes sime. Kështu, mund të them me bindje të plotë, ato bëhen shkas që unë të shkruaj e të publikoj sadopak aty.
Jam pragmatiste, më pëlqen çasti dhe sajoj diçka, me ndihmën e fantazisë…! Më vonë, dhe kjo ndodhë pothuajse çdo ditë, sidomos në stinën e dimrit, kam krijuar disiplinën time të punës së të shkruarit. Lexoj e studioj për disa orë dhe më tej shkruaj diçka të shkurtër, ndonjë esse. Ndërsa më vonë zhytem te romani i sapofilluar, derisa koha e frymëzimit ma lejon, më tutje jo.
Nuk kam “sekrete” tjera, përveç sa rrëfeva, që është pjesërisht jeta ime. Çdo ndryshim dhe libër, që shkruaj, ndoshta, ka një pikë të saj. Po shtjellësia e romanit, që kam shkruar, është një ngjarje, nga ajo që unë mendoj, që mund të ndodhte. Këtu luan rolin fantazia ime, asgjë më tepër…! Dhe, kështu do të jetë në të ardhmen, për sa do të shkruaj. Çdo pikëz e përjetuar është shndërruar në një rrugëtim të fantazisë sime, ku futem te personazhet dhe i përjetoj jetët e tyre.
Librat e ardhshëm? Po, mund t’ua them, si “zbulim sekreti” që është në redaktim, libri im i parë me tregime dhe mendoj që atë ta botoj sivjet. Ndërsa romanin, besoj që do ta botoj vitin e ardhshëm. Ndërsa jam duke shkruar edhe romanin e dytë, ku mendoj t’i vë të gjitha forcat e mia, me dëshirën që ta përfundoj vitin e ardhshëm. Po, siç dihet, koha do kohën e vet. Në “sirtarin e ëndrrave” të mia, janë shumë e shumë libra, që dua të shkruaj, në vijimësi, nëse Zoti do më lejojë të kem shëndet dhe jetë…
A dëshiron të shtosh diçka tjetër, në këtë bisedë të shkurtër tonën?
Po, jam mjaft e lumtur, profesor, që më nderuat me kërkesën tuaj për ta bërë këtë bisedë, së bashku! Të shpresojmë që ajo të na sjellë fat dhe ju uroj nga zemra gjitha të mirat, në këtë jetë! Dëshiroj shumë që të takohemi, përsëri e së shpejti në Tiranë, për përurimin e librave të mi të rinj. Me shumë respekt për ju, nga unë, Anila!
Ishte kënaqësi, Anila, që e njohëm më nga afër jetën dhe punën tënde krijuese, me vlera të çmuara. Të falënderojmë për përgjigjet e pyetjeve, me korrektësi e sinqeritet dhe të urojmë çdo të mirë, si në punë e krijimtari dhe në jetën familjare e shoqërore!
Edhe njëherë, faleminderit ju profesor. Memorie.al
Korrik, 2013
Marrë nga gazetadielli.com