• Rreth Nesh
  • Kontakt
  • Albanian
Monday, August 11, 2025
Memorie.al
No Result
View All Result
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
No Result
View All Result
Memorie.al
No Result
View All Result
Home Dossier

“Në maj 1999, pas Luftës së Kosovës, një grup i vogël i studentëve shqiptarë të Universitetit të Beogradit, u burgos me akuzën se kishte përgatitur…”/ Historia e panjohur e shqiptarëve në Serbi

“Në maj 1999, pas Luftës së Kosovës, një grup i vogël i studentëve shqiptarë të Universitetit të Beogradit, u burgos me akuzën se kishte përgatitur…”/ Historia e panjohur e shqiptarëve në Serbi
“Nga 1934-a, Philby ishte agjent i rusëve, ai pengoi një kryengritje antikomuniste në Shqipëri dhe mbulonte spiunazhin sovjetik në çështjet atomike në Washington…”/ Gazeta gjermane “Die Zeit”, në 1969-ën
“Në maj 1999, pas Luftës së Kosovës, një grup i vogël i studentëve shqiptarë të Universitetit të Beogradit, u burgos me akuzën se kishte përgatitur…”/ Historia e panjohur e shqiptarëve në Serbi
“Në maj 1999, pas Luftës së Kosovës, një grup i vogël i studentëve shqiptarë të Universitetit të Beogradit, u burgos me akuzën se kishte përgatitur…”/ Historia e panjohur e shqiptarëve në Serbi
Vizita e aktorit të madh në Shqipëri në 1972-in, Sigurimi: Bekim Fehmiu adhuron Titon dhe kishte dëshirë të madhe të shikonte shokun Enver…

Nga ARMAND PLAKA

Memorie.al / Nëse tenton të pyesësh sot në Kosovë për ta, përgjigjen do ta marrësh disi me vështirësi. Ka mundësi madje që të pasojë heshtja e të shohësh fytyra që rrudhen e shfaqin bezdi, por gjithsesi ka shumë të tjerë që janë të gatshëm të të japin plot përgjigje, e të dëshmojnë se dinë shumëçka rreth tyre. E pra bëhet fjalë për shqiptarët që kanë jetuar në Beograd, në zemër të Serbisë. Megjithëse duket paradoksale, Beogradi fsheh plot dëshmi e gjurmë shqiptare brenda tij, paçka se gjithçka shqiptare aty të duket një prezencë shumë e vogël e modeste.

Duke hasur në një material interesant të seksionit shqip (sot i mbyllur, zyrtarisht për shkaqe financiare) të radios së njohur B- 92 në Beograd, me autore Naile Imamin, u ngacmova të sjell në një variant të përpunuar diçka më shumë e të hedh dritë më fort mbi historikun e ngulimeve të para shqiptare atje dhe plot aspekte të tjera, të njohura e të panjohura, që kanë të bëjnë me këtë fakt. Pra, cilët ishin shqiptarët e parë që vendosën të punonin e jetonin në thellësi të tokës së “fqinjëve problematikë”?

– Çfarë vështirësish ndeshën e ndeshin ata gjatë jetës së tyre atje, trajtimit ndër vite, diskriminimit apo edhe vlerësimit që u është bërë, ndryshimet që kanë pësuar gjatë kësaj rruge, integrimin dhe sukseset në metropolin më të madh ballkanik, si dhe plot fakte e shifra të tjera interesante që ilustrojnë më së miri këto që thamë më sipër.

Gjithashtu mund të lexoni

“Koço Plaku, mbronte specialistët me përbërje të keqe politike, dhe shprehej; me cilët do të punoj, kur komunistët janë të pa aftë…”?! / Akt-akuza e Aranit Çelës, ndaj “Grupit sabotator të naftës”, qershor 1976

“Duhet korrigjuar historiografia zyrtare shqiptare, se Kuvendi i vitit 1602, u mbajt në fshatin Dukagjin të Matit, ku ka dhe një kishë të Shën Aleksandrit…”/ Refleksionet e studiuesit dhe historianit të njohur

Kur nis historia?

Historia e regjistruar e ngulimeve shqiptare në Beograd, fillon nga fundi i shekullit 19-të e fillimi i shekullit 20-të. Në fillim të shekullit XX-të, në Beograd jetonin afro njëqind shqiptarë, shumica prej të cilëve kishin ardhur aty për të siguruar bukën e gojës. Sipas burimeve të kohës, del se “sidomos binin në sy salepçinjtë dhe bozaxhinjtë, të cilët ishin të veshur me kostume kombëtare shqiptare.

Në kokë kishin plisin, të mbështjellë me maramë”. Në rrugë gjithashtu mund të shiheshin, sipas historianit të njohur të arkitekturës, Aleksandër Derokut, “grupet me nga dy-tre turq”, siç i quanin atëherë, në rroba të veta me shajak të bardhë, sharra dhe kambalecat mbi supe. Ata sharronin dru ahu “në katër prerje, pesë copa” ose “në tri prerje, katër copa”, me sa kuptohej.

Gazeta beogradase “Radniçke Novine” në vitin 1913, shkruante: “Ne në Beograd shqiptarët i njohim si punëtorë mjaft të vyeshëm, të cilët ngarkojnë dhe shkarkojnë barrët buzë lumit Sava dhe Danubit. Ata po ashtu janë sharrëxhinj dhe ende nuk ekziston asnjë beogradas i cili të jetë ankuar për përtacinë e shqiptarit”. Në atë kohë në Beograd u shkollua edhe një numër i vogël i shqiptarëve. Midis tyre ishte edhe Nikoll Ivanaj, bashkë me dy anëtarët e familjes së vet, Martin dhe Mirash Dodë Ivanajn, të cilët merreshin me poezi në gjuhën serbe.

Ata vjershat i botuan në vitin 1906-1911. Në mesin e zejtarëve dhe tregtarëve në Beograd, kanë qenë disa shqiptarë. Si tregtar i pasur dhe njeri i njohur, sidomos ka qenë asokohe Hajrullah Hajrullahoviç (Hajrullahu), pronar i dyqanit të qilimave persianë, që ndodhej në qendër të Beogradit. Vëmendjen e beogradasve e tërhiqte në atë kohë, sidomos automobili i tij i madh i bardhë “hispanosuis”, të cilin e drejtonte një arab me uniformë.

Dy gazeta beogradase në shqip

Në dhjetor të vitit 1900, në Beograd filloi të botohet gazeta dyjavore “Bratimstvo” (Vëllazërimi), emërtimi i së cilës ishte i shkruar edhe në gjuhën shqipe, me shkrimin cirilik. Pronar i gazetës ishte Aleksa Bogosavljeviç – Berisha, me origjinë nga vëllazëria Berisha. Gjatë vitit të parë të botimit të kësaj gazete, u botuan artikujt edhe në gjuhën shqipe (në alfabetin cirilik).

Prej vitit 1902, deri 1906, është botuar gazeta “Albania” në gjuhën serbe, me alfabetin cirilik dhe në gjuhën shqipe, në alfabetin latin, në dialektin gegë. Në kopertinë shkruhej në gjuhën shqipe; “Shipja e shkiptarëvet” (Shqipëria e shqiptarëve). Gazeta përpiqej për pajtimin e serbëve dhe shqiptarëve dhe gjithsej u shtyp në 44 numra. Pronari i saj ka qenë Jashar Erebara.

Strehë për emigrantët politikë Beogradi, u bë vendi ku gjatë disa periudhave të nxehta politike në Shqipëri, për një kohë të shkurtër gjetën strehim disa intelektualë dhe politikanë shqiptarë. Kur në shtator të vitit 1924, Zogu u rrëzua nga grupimet e atëhershme kundërshtare me prirje majtiste liberalo-nacionaliste, të udhëhequr nga Fan Noli, Ahmet Zogu me dhëndrin e vet, Ceno Bej Kryeziun (Crnoglaviç) dhe afro 500 përkrahës, erdhën në Jugosllavi. Për disa muaj rresht Ahmet Zogu jetoi në Beograd, në hotelin “Bristol”.

Në fund të vitit të ardhshëm, me ndihmën e Mbretërisë serbo-kroato-sllovene, ai ia doli mbanë të përmbyste situatën në Shqipëri. Pasi Ahmet Zogu rimori sërish pushtetin, tashmë radha për të “shijuar” jetën në ekzil, do t‘i vinte një numri të madh të kundërshtarëve të tij, të cilët u arratisën dhe shkuan si për ironi të fatit, po në Beograd. Në mesin e tyre renditej edhe prifti katolik dhe shkrimtari Lazër Shantoja, i cili shkroi tregimin; “Fëmijët shqiptarë në lulishte të hueja…” (në vitin 1925, botuar në vitin 1928).

Shqiptarët në Jugosllavinë socialiste të Titos

Pas Luftës së Dytë Botërore, po ashtu, shumica e shqiptarëve në Beograd, vazhdonin të ishin punëtorë krahu e sharrëxhinj, por me kohë gjithnjë e më shumë ata filluan të punonin në zanate më të profilizuara si: ndërtimtaria, sidomos gjatë viteve ‘70-të e ‘80-të. Një numër i tyre në atë kohë ishin sistemuar përfundimisht në banesa të blera dhe ishin integruar në jetën kryeqytetase të ish-Jugosllavisë titiste. Sipas të dhënave të Dhomës Ekonomike të Beogradit, në vitin 1983 për shembull, në territorin e këtij qyteti, afro 3% e dyqaneve private, ishin në duart e shqiptarëve. Më së shumti kishte pastiçeri, pastaj bukëpjekës.

Njëzet shqiptarë kishin nën pronësi restorante, e po aq vetë kishin kamionët e veturat e tyre private dhe merreshin me transportin e mallrave; tre shqiptarë ishin ndërkohë pronarë të ofiçinave për riparimin e automjeteve. Duhet të përmenden edhe pesë argjendarë, prej të cilëve Mjeda dhe Çivlaku, të cilët dhe sot kanë dyqanet e tyre të njohura në qendër të Beogradit. Në Këshillin Ekzekutiv Federativ, në Kuvendin e Jugosllavisë dhe seksione të tjera administrative e shërbime, punonin rreth 40 përkthyes e nëpunës të tjerë. Pas viteve nëntëdhjetë, por edhe më parë, binte në sy një fenomen: spitalet e Beogradit ishin plot me shqiptarë dhe personeli mjekësor “sillej mirë ndaj tyre”, veçanërisht ndaj atyre që “paguanin me marka gjermane”.

Lufta e Kosovës dhe shqiptarët e Beogradit

Për shqiptarët në Beograd, përveç problemeve të tjera që përjetonin më parë (mosbesimi ndaj tyre, ofendimet, urrejtjet), me ardhjen e refugjatëve serbë nga Kosova, jeta u bë edhe më e vështirë. Një numër i madh shqiptarësh vendosi të shpërngulet nga Beogradi, nga frika për të ardhmen. Gjatë kohës së luftës së Kosovës, kur disa shqiptarë u larguan nga Beogradi, banesat e tyre i zunë refugjatët serbë nga Kosova, me justifikim se; “ne na kanë përndjekur shqiptarët, prandaj kemi të drejtë të veprojmë kështu”.

Korriku dhe gushti i vitit 1999, ishin muajt më të vështirë për shqiptarët në Beograd. Disa prej tyre u sulmuan e kërcënuan madje edhe fizikisht, përpos ofezave e klimës së tensionuar e ankthit që përjetonin përditë. Shumë dyqaneve të shqiptarëve iu thyen xhamat. Një grup i vogël i studentëve shqiptarë të Universitetit të Beogradit, në maj të vitit 1999 u burgos me akuzën se kishte përgatitur “akte terroriste”.

Gjatë seancës kryesore, të akuzuarit në mënyrë të hollësishme përshkruan torturën që përjetuan gjatë paraburgimit nga ana e policisë, ku siç thanë ata me mjete dhunuese, kanë qenë të detyruar të pranojnë kryerjen e veprave penale me të cilat ishin rënduar. Pas disa muajsh, shumica e tyre u liruan si të pafajshëm. Pas luftës së vitit 1999, brenda disa javëve, nga Beogradi u shpërngulën më se 300 familje. Në fakt, largimi i shqiptarëve filloi qysh nga fundi i viteve tetëdhjetë.

Albanologjia në kryeqytetin serb

Shkencëtari i parë, i cili filloi të merret seriozisht me studimin e gjuhës shqipe ndër serbë, ishte Henrik Bariç, katolik i Raguzës, i cili studioi në Grac dhe në Vjenë. Në vitin shkollor 1920-1921, në kuadër të seminarit nga gramatika krahasuese e gjuhëve indoevropiane, ai përfshiu edhe “Historinë e gramatikës së gjuhës shqipe”. Ky punim i tij përbën edhe fillimin e funksionimit të lëmit të albanologjisë në Universitetin e Beogradit. Katedra e Albanologjisë në Beograd, Këshilli i Fakultetit Filozofik në Universitetin e Beogradit, më 31 maj të vitit 1925, mori vendimin për themelimin e Seminarit për “filologjinë shqipe”, i cili iu besua Henrik Bariçit.  Seminari për gjuhën shqipe rifilloi punën në vitin shkollor 1948-‘49, dhe si ligjërues u zgjodh Vojisllav Dançetoviç. Asistentë u zgjodhën Anton Çeta dhe Idriz Ajeti në vitin 1950, të cilët kishin kryer romanistikën pikërisht në Universitetin e Beogradit. Më vonë të dy këta emra u bënë shkencëtarë prestigjiozë në mbarë hapësirën e ish-Jugosllavisë.

“Truri” shqiptar i Beogradit

Para Luftës së Dytë Botërore, një numër i konsiderueshëm i shqiptarëve të Kosovës, studiuan në Beograd. Në Universitetin e Beogradit studiuan më pas drejtësi, Zejnel Ajdinoviç (Ajdini), Mehmed Barjaktareviç (Meto Bajraktari), Ramiz Sadikoviç (Sadiku), të cilët humbën jetën si partizanë në Luftën e Dytë Botërore dhe u shpallën “Heronj të Popullit”. Gjithashtu edhe Rashiç Dedoviç (Deda), i cili gjithashtu humbi jetën si partizan, Aziz Sulejmanoviç, luftoi si partizan, Esad Imeroviç (Imeri), Kurtesh Agusheviç (Agushi): për veterinari: Esad Mekuloviç (Mekuli), i cili në 1933-‘36, botoi vjershat shoqërore në revistat përparimtare të atëhershme: për agronomi: Qamil Ibrahimoviç (Ibrahimi), për romanistikë: Ferid Peroli: teknikë: Hivzi Sulejmanoviç (Sylejmani), pas luftës shkrimtar i njohur, etj.

Pas Luftës së Dytë Botërore, Beogradi u bë kështu për një kohë të gjatë qendër ku studionin shumë shqiptarë nga trevat e Ish-Jugosllavisë. Doktorët e parë të Shkencave nga radhët e shqiptarëve të Kosovës, dolën nga Universiteti i Beogradit. Idriz Ajeti, dizertacionin e mbrojti në vitin 1958 në Fakultetin Filozofik, në lëmin e shkencave filologjike. Në Fakultetin e Shkencave Natyrore, në vitin 1959, me shumë sukses tezën e doktoraturës e mbrojti edhe Dervish Rozhaja, në fushën e shkencave biologjike, dhe atëherë ishte Doktori më i ri i Shkencave në Jugosllavi, e po këtë vit, në lëmin e veterinarisë u gradua Doktor edhe Esat Mekuli.

Po kështu, në këtë qytet filloi të formohet edhe Martin Camaj, emigrant nga Shqipëria, i cili u diplomua në gjuhën sllave në Fakultetin Filozofik. Me radhë u formuan më pas në Artet Figurative edhe Musli Mulliqi, Gjelosh Gjokaj, Engjëll Berisha, Bedri Emra, Tahir Emra, Hysni Krasniqi, Sylejman Cara, në artet e aplikuara: Mateja Rodiqi, Rexhep Ferri dhe Shyqri Nimani, në lëmin e muzikës: Krist Lekaj, Selim Blata, Mark dhe Gjergj Kaçinari, Bajar Berisha etj. Sidomos në sy bien emrat e të famshmëve: Bekim Fehmiu, e gjithashtu edhe Faruk Begolli, Enver Petrovci, Xhevdet Qorraj, në teatër e kinematografi e, gjithashtu në regjisurë: Isa Qosja, Selami Taraku, Emin Halili, Artan Skënderi, dramaturgji: Ekrem Kryeziu, Petrit Imami etj.

RRUGËT QË MBAJNË EMRA SHQIPTARË NË BEOGRAD

Duket paradoksale, por shumë rrugë në Beograd mbajnë për shkaqe të ndryshme emra shqiptarë. Kryesisht i referohen historisë e “kontributit sporadik” të ndonjë shqiptari që “ka çuar ujë në mullirin” e Serbisë. “Skenderbegova ulica” (“Rruga e Skënderbeut”) gjendet në pjesën e kështu që nga viti 1896. Një nga rrugët më të vjetra në qendër të Beogradit “Makedonskaulica”, prej vitit 1872, deri në 1896, është quajtur “Kastriotova ulica” (“Rruga e Kastriotit”), në kohën kur është menduar se ai ka qenë me origjinë serbe. “Kondina ulica” (“Rruga e Kondës”) quhet sipas një shqiptari orthodoks nga Shqipëria Jugore, i cili ka treguar trimëri të madhe në vitin 1806, kur Beogradi është çliruar nga turqit.

Kjo rrugë në qendër të Beogradit, e mban emrin e tij prej vitit 1872. “Esad-pašina ulica” (“Rruga e Esad Pasha”) është emëruar me emrin e këtij politikani shumë të debatueshëm për rolin e tij në Shqipëri, në shenjë mirënjohjeje, pas ndihmës që ai i dha ushtrisë serbe, gjatë tërheqjes përmes Shqipërisë. “Ulica Ramiza Sadiku” (“Rruga Ramiz Sadiku”) e ka marrë emrin sipas këtij revolucionari dhe komunisti nga Kosova, i shpallur “Hero i Popullit” pas Luftës. Rruga gjendet në “Beogradin e Ri”, afër bregut të lumit Sava, në lagjen e dikurshme të punëtorëve, sot jo larg hoteleve më luksoze në Beograd si: “Hajat” dhe “Intercontinental”.

“Skadarska ulica” (“Rruga e Shkodrës”) konsiderohet si një nga rrugët më atraktive në Beograd, në të cilën gjenden disa kafene të vjetra shumë të frekuentuara, dhe këtë emër e ka marrë në vitin 1872. Kjo rrugë dhe pjesa e qytetit është e njohur edhe me emrin “Skadarlija”. Me të njëjtin emër njihet edhe një rrugë e vogël në Zemun, provinca e nëmur e Beogradit. Madje në Beograd ka dhe një rrugë që njihet me emrin “Albanska ulica” (“Rruga e Shqipërisë”) e që gjendet në një nga komunat më të vjetra të Beogradit, në Palilulë. Këtë emër e ka marrë në vitin 1927, dhe e ka pasur deri në vitin 1972, kur është ndryshuar në “Ulica Albanske spomenice” (“Rruga e Përkujtimores së Shqipërisë”). Por (të paktën në Shqipëri), të mos mendojë ndonjëri se ia kanë vënë këtë emër për shkak të dashurisë për Shqipërinë e shqiptarët.

Ajo lidhet me kujtimet e zymta e vuajtjet e ushtarëve serbë, të cilët janë tërhequr në kushte shumë të rënda përmes Shqipërisë në vitin 1915. po kështu hasim edhe një sërë emërtimesh të rrugëve të tilla, si; “Dracka uli-ca” (“Rruga e Durrësit”), “Lješka ulica” (“Rruga e Lezhës”) , e cila gjendet në Komunën e Çukaricës, e që e ka marrë këtë emër në vitin 1930, për po të njëjtat shkaqe që kanë të bëjnë me ushtarët e ushtrisë serbe në vitin 1912, kur më 18 nëntor, e “çliruan” këtë qytet nga turqit, dhe kur në vitin 1915, nëpërmjet rrugëve të ngushta të këtij qyteti, kanë kaluar shumë ushtarë të rraskapitur serbë dhe civilë, du ke u tërhequr para ushtrisë austro-hungareze.

“Palata Albanija” (“Pallati i Shqipërisë”) gjendet në vendin ku para Luftës së Parë Botërore, në qendër të Beogradit, ka qenë kafeneja “Albanija”, emër të cilin pronari ia ka dhënë për nder të luftëtarëve serbë, të cilët në vitin 1912-1913, kanë luftuar në Shqipëri. Është ndërtuar në vitin 1939 dhe ka qenë ndërtesa më e lartë në atë kohë në Jugosllavi, të cilën e kanë quajtur “Pallati i Shqipërisë”, sipas kafenesë në fjalë, dhe me këtë emër beogradasit e quaj në edhe sot e kësaj dite.

SHQIPTARËT E “FAMSHËM” TË BEOGRADIT

Në Beograd kanë jetuar shumë figura të njohura për mbarë banorët e kryeqytetit të Serbisë e, të ish-Jugosllavisë. Aty kanë jetuar politikanët: Mehmet Hoxha, Ismet Shaqiri, Alush Gashi (mbesa e tij është gazetare e njohur RTV B-92, Antigona Andonov), Ali Shukria, Sinan Hasani, Kol Shiroka, Hadije Morina me bashkëshortin Murat Morinën, Sokol Nimani, drejtor i Fondit për Rezerva, me bashkëshorten Antigona Nimanin, përkthyese dhe spikere.

Ambasadorët Elhami Nimani, Rexhep Xhiha, Xhavit Emini, Gjon Shiroka, Mesud Besniku, Kol Shkreli, shkrimtari Elhami Nimani, i cili vdiq pas një ngjarjeje tronditëse më 1998, përkthyesi dhe shkrimtar Sitki Imami, gazetarët Hilmi Thaçi, korrespondent i “Rilindjes” dhe Masar Murtezai, redaktor i emisioneve në gjuhën shqipe të TV Beogradit (1968-‘74), më vonë shef i kabinetit të Fadil Hoxhës dhe Sinan Hasanit.

Po kështu kanë qenë të njohur plot figura të tjera nga fushat ushtarake, mjekësisë, kulturës, sportit etj. Bie në sy emri i Petrit Fejzullahut, hendbollist i shquar në klubin elitar të “Crvena Zvezdës” edhe në ekipin përfaqësues të Jugosllavisë; gjithashtu Fahri Musliu, gazetar i cili një kohë ishte dhe korrespodent i “Rilindjes”, sot i “Zërit të Amerikës”, Petrit Imami, profesor i skenarit për film në Fakultetin e Dramës në Beograd, i cili në vitin 2000, botoi edhe librin studimor “Serbët dhe shqiptarët ndër shekuj” (“Srbi i Albanci kroz vekove”).

Padyshim më i njohuri ndër shqiptarët e Beogradit, është aktori i famshëm, Bekim Fehmiu. Famën botërore ai e arriti në filmin jugosllav “Mbledhësit e puplave”, i cili në vitin 1967, bëri emër në Festivalin e Filmit në Kanë. Në Beograd ai botoi pjesën e parë të kujtimeve të veta; “Shkëlqimi dhe tmerri”, ku në mënyrë tërheqëse përshkruan fëmijërinë e vet në Prizren. Po ashtu shumë i njohur, është edhe aktori tjetër, Enver Petrovci. Gjatë viteve ‘80-të, gjithashtu njëra ndër këngëtaret më të popullarizuara të pop-muzikës, ishte dhe Zana Nimani. Edhe pse nuk jeton më në Beograd, këngët e saj edhe sot e kësaj dite dëgjohen e njihen mirë akoma. / Memorie.al

ShareTweetPinSendShareSend
Previous Post

“Filip Nashi, pohoi se, Beqir Balluku i ka thënë në Fier, në prezencë edhe të Pirro Gushos, të nxirrnin naftë tani, se për rezervat...”! / Akt-akuza e Aranit Çelës, ndaj “Grupit sabotator të naftës”, qershor 1976  

Next Post

“Duhet korrigjuar historiografia zyrtare shqiptare, se Kuvendi i vitit 1602, u mbajt në fshatin Dukagjin të Matit, ku ka dhe një kishë të Shën Aleksandrit...”/ Refleksionet e studiuesit dhe historianit të njohur

Artikuj të ngjashëm

“Koço Plaku, mbronte specialistët me përbërje të keqe politike, dhe shprehej; me cilët do të punoj, kur komunistët janë të pa aftë…”?! / Akt-akuza e Aranit Çelës, ndaj “Grupit sabotator të naftës”, qershor 1976
Dossier

“Koço Plaku, mbronte specialistët me përbërje të keqe politike, dhe shprehej; me cilët do të punoj, kur komunistët janë të pa aftë…”?! / Akt-akuza e Aranit Çelës, ndaj “Grupit sabotator të naftës”, qershor 1976

August 11, 2025
“Duhet korrigjuar historiografia zyrtare shqiptare, se Kuvendi i vitit 1602, u mbajt në fshatin Dukagjin të Matit, ku ka dhe një kishë të Shën Aleksandrit…”/ Refleksionet e studiuesit dhe historianit të njohur
Dossier

“Duhet korrigjuar historiografia zyrtare shqiptare, se Kuvendi i vitit 1602, u mbajt në fshatin Dukagjin të Matit, ku ka dhe një kishë të Shën Aleksandrit…”/ Refleksionet e studiuesit dhe historianit të njohur

August 10, 2025
“Filip Nashi, pohoi se, Beqir Balluku i ka thënë në Fier, në prezencë edhe të Pirro Gushos, të nxirrnin naftë tani, se për rezervat…”! / Akt-akuza e Aranit Çelës, ndaj “Grupit sabotator të naftës”, qershor 1976   
Dossier

“Filip Nashi, pohoi se, Beqir Balluku i ka thënë në Fier, në prezencë edhe të Pirro Gushos, të nxirrnin naftë tani, se për rezervat…”! / Akt-akuza e Aranit Çelës, ndaj “Grupit sabotator të naftës”, qershor 1976  

August 10, 2025
“Mirdita me Malin e Shenjtit mbi Orosh, ka qenë gjatë shekujve qendër e një nderimi të madh nga ana e popullsisë së krishterë, jo vetëm të krahinës, por…”/ Refleksionet e studiuesit dhe historianit të njohur
Dossier

“Mirdita me Malin e Shenjtit mbi Orosh, ka qenë gjatë shekujve qendër e një nderimi të madh nga ana e popullsisë së krishterë, jo vetëm të krahinës, por…”/ Refleksionet e studiuesit dhe historianit të njohur

August 9, 2025
“Pak ditë para arrestimit, Koço Plaku më tregoi se në vitin 1957, pas arratisjes së vëllait në Jugosllavi, ai donte të vriste veten, por…”/ Dëshmia e rrallë e kolegut për ing, e famshëm, që u pushkatua në ’76-ën
Dossier

“Sipas Koço Plakut, Lipe Nashi me një grup specialistësh, nga maja e një kodre në Finiq, caktonte vendet ku do të shpoheshin puset…”! / Akt-akuza e Aranit Çelës, ndaj “Grupit sabotator të naftës”, qershor 1976

August 8, 2025
“Të dhënat sekrete shtetëror, Zbulimit Sovjetik, ja jepte me agjenten Valentina Peza dhe këshilltarit të ambasadës sovjetike në Tiranë…”! / Akt-akuza që çoi në plumb, vëllanë e sekretarit të Enver Hoxhës
Dossier

“Sikurse rezultoi nga provat dhe nga pohimi i të pandehurit M. Gjikopulli, duke qenë agjentë të Zbulimit Sovjetik, ai dhe K. Plaku…”/ Akt-akuza e Aranit Çelës, ndaj “Grupit sabotator të naftës”, qershor 1976  

August 7, 2025
Next Post
“Duhet korrigjuar historiografia zyrtare shqiptare, se Kuvendi i vitit 1602, u mbajt në fshatin Dukagjin të Matit, ku ka dhe një kishë të Shën Aleksandrit…”/ Refleksionet e studiuesit dhe historianit të njohur

“Duhet korrigjuar historiografia zyrtare shqiptare, se Kuvendi i vitit 1602, u mbajt në fshatin Dukagjin të Matit, ku ka dhe një kishë të Shën Aleksandrit...”/ Refleksionet e studiuesit dhe historianit të njohur

“Historia është versioni i ngjarjeve të kaluara për të cilat njerëzit kanë vendosur të bien dakord”
Napoleon Bonaparti

Publikimi ose shpërndarja e përmbajtjes së artikujve nga burime të tjera është e ndaluar reptësisht pa pëlqimin paraprak me shkrim nga Portali MEMORIE. Për të marrë dhe publikuar materialet e Portalit MEMORIE, dërgoni kërkesën tuaj tek [email protected]
NIPT: L92013011M

Na ndiqni

  • Rreth Nesh
  • Privacy

© Memorie.al 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.

No Result
View All Result
  • Albanian
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme