Nga Hysen Selmani
Pjesa e njëzet e nëntë
Memorie.al/ Shpesh herë, shtypi evropian dhe ai amerikan, ka trajtuar temën e kujtimeve të Mbretit Shqiptar, Zogu i I-rë, të cilat, ai i shkruante dhe i diktonte, gjatë periudhës së mërgimit të tij nga Shqipëria. Duke pasur parasysh, shënimet dhe sintezat që ndihmësi i tij, kolonel Hysen Selmani, përpiloi gjatë viteve në shërbim të tij, – gjithmonë, pranë Mbretit të Shqiptarëve, si në atdhe, ashtu edhe në mërgim, këto shënime, pak a shumë me pjesë të shkëputura, pa ndjekur rreptësisht kriteret e zakonshme të kujtimeve, dhe pa pasur formën e prerë, e përfundimtare të një redaktimi, janë të përgatitura nga vetë Hysen Selmani, i cili i ka kushtuar pjesën më të madhe të jetës së tij, si në Shqipëri, ashtu dhe gjatë mërgimit, shërbimit ndaj Zogut të I-rë, Mbretit të Shqiptarëve.
Shtypi Gjerman 8. VIII. 1943
“Gjermania tregon një qetësi mbi gjendjen e Italisë. Dhe, ndërhyrjen e quan si punë të brendshme. Ajo beson se Italia di ta vazhdojë luftën. I jep shumë rëndësi bombardimit, që po bëjnë aleatët. Sipas ‘Radio Moskës’ thuhet se shqiptarët sulmojnë në rrethin e Korçës si edhe ne rrethet e Tiranës. Përveç kësaj edhe kanë prerë shumë rrugë”.
Stamboll, 29 gusht 1943
“Rënia e Musolinit ka prodhuar një kënaqësi në gjithë Shqipërinë. Vetëm se ekziston një frikë se mos po bëhet shesh lufte vendi ynë, meqë të gjitha vendet strategjike, i kanë marrë gjermanët në dorë. Këtu përfshihen bregdetet dhe vendet e tjera. Ata janë shumë të egërsuar kundrejt ushtrisë italiane, që gjendet në Shqipëri. Italianët, nga ana e tyre, në Shqipëri e kanë humbur të gjithë shpresën dhe e dinë se lufta është e humbur qind për qind. Por, kanë shumë frikë prej gjermanëve të cilët, janë shumë të fortë dhe kryelartë. Në shumë vende, kanë filluar t’i çarmatosin, por një pjesë e italianëve, kanë filluar të bashkëpunojnë me Nacional-çlirimtaren. Porsa u dha lajmi i rënies dhe burgosjes të Benito Musolinit, gjeneral Pariani dhe Ekrem Libohova, ikën në Itali. Dhe pritet që, Ekrem Libohova të kthehet, por gjeneral Pariani, nuk vjen më në Shqipëri. Qeverinë, kurrkush nuk e pranon më ta formojë. Tani në Shqipëri ndodh një anarshi komplet. Dhe sidomos, në këto kohërat e fundit, vëllavrasja ka hyrë në masë të gjerë në mes Ballistëve me Nacional-çlirimtaren. Po ashtu janë edhe disa reparte të Qeverisë, kundër komunistëve. Kjo përgjakje tani është marrë si nder dhe burra, gra e fëmijë, janë vrarë. Po ashtu ka dhe djegie shtëpish, e të tjera, saqë nuk e kupton i pari të dytin. E paçin më qafë vendin, misionarët e huaj.
Nacional-Çlirimtarja ka marrë hov të madh. Ajo ka të gjitha përkrahjet jo vetëm prej Titos, por prej gjithë aleatëve. Ajo po furnizohet me të gjitha mjetet e nevojshme dhe këto konsiderohen si fuqi pranë Aleatëve. Zyrtarisht, tani kanë marrë fuqi të madhe dhe tani ata kanë shumë Ermenë, që ishin rob lufte. Dhe, një pjesë e madhe italianësh, janë bashkuar me ta me gjithë materiale të luftës. Tani, ata kanë përhapur se; Nacional-Çlirimtarja, ka bërë një traktat me Titon në Bihore, si aleatë. Po këtë e vërteton si Radio e Londrës dhe ajo e Mesdheut, që ata që luftojnë Nacional-çlirimtaren, konsiderohen armiq të Aleatëve e të tjera.
Mbretërorët, nuk kanë asnjë përkrahje prej Aleatëve. Megjithëqë kemi 3 misionerë britanikë dhe mjaft burra të mirë, ata nuk na sjellin asnjë dobi dhe as shpresë. Megjithëse ne u bindemi dhe i sigurojmë, që mos të pësojnë asgjë të keqe. Ata flasin se janë miq të Mbretit Zog, por ne deri sa të vini ju këtu, nuk dimë se çfarë të bëjmë. Zaten, këtu në mes nesh, është humbur dhe besimi.
Ne po presim vendimet e shokëve, ndër vendet e ndryshme dhe sidomos ata të Tiranës, Rauf Ficos, Vuçiternës, Teki Selenicës e Omer Beshirit. Me këta është në lidhje të ngushtë, Gaqo Goga, që ai është pothuaj personi më aktiv i yni, për me pagëzua Mbretërorët, me një emër partie. Gaqi është edhe me disa të tjerë në Shkodër e në Jug, me anën e Qemal Shtinos”.
Stamboll, 7 tetor 1943
Ja si është pritur kjo ditë tek monarkistët shqiptarë. “Tani rikrijimi i situatës në Shqipëri nga okupimi i gjermanëve, ka për t’u keqësuar edhe më tepër, se do t’ju bimë gjermanëve, ashtu si edhe italianëve. Këta kanë me sjellë dëme të mëdhaja.
Gjithë ushtria italiane në Ballkan, u çarmatos prej gjermanëve, përveç një pjese që u arratisën dhe u bashkuam me Nacional-çlirimtaren. I gjithë materiali Italian, është plaçkitur dhe më tepër nga kjo, kanë përfituar Nacional-çlirimtarja.
Tiranë, 28 tetor 1943
Gjermanët formuan një Regjencë në Shqipëri
Formimi i Regjencës dhe i Qeverisë, nën okupimin gjerman në Shqipëri, është bërë prej personave, që po i shënojmë këtu poshtë. Akoma programin e tyre nuk e dimë, por natyrisht ata kanë ndjekur interesat e gjermanëve.
Regjenca është:
- Mehdi Frasheri, Kryetar i Regjences
- Pater Arapi, Antare i Regjences
- Fuat Dibra, Antare i Regjences
- Lef Nosi, Antare i Regjences
Qeveria, është e përbëre prej këtyre personave:
- Rexhep Mitrovica, Kryeministër i Qeverisë
- Xhafer Deva, Ministër i Brendshëm
- Musa Gjylbegu, Ministër i Botores
- Koço Muka, Ministër i Arsimit
- Vehbi Frashëri, Ministër i Jashtëm
- Rrok Gera Ministër i Financës
- Kol Tromara, Ministër i Bujqësisë
- Ago Agaj, Ministër i Tregtisë
- Kolonel Preng Pervizi, Komandant i Mbrojtjes
Mehdi Frashëri, porsa mori detyrën si kryetar Regjent, u drejtoi një fjalim të tij ku fton të gjithë grupet dhe popullin mbarë, për një bashkim dhe një marrëveshje vëllazërore në mes tyre. Por, askush nuk ju përgjigj kësaj thirrje, përveç atyre të ‘Ballit Kombëtar’, se ata kishin 2 vetë anëtarë në Qeverinë e tij. Kështu, përpjekjet e Mehdi Frashërit nuk u realizuan. Vëllavrasja, ka arritur kulmin dhe ka pasur masakra të pa përshkruara. ‘Balli Kombëtar’ ishte i përkrahur nga kjo Qeveri me mjete, si edhe kishte formuar 3 batalione shëtitëse, që ndjekin komunistët. Po ashtu, Xhafer Deva, kishte sjellë 2000 kosovarë, e luftojnë në çdo vend kundër Nacional-çlirimtares. Kjo vëllavrasje hyri edhe ne Dibër, por gjithkund Nacional-çlirimtarja, është më superiore, me organizatorët jugosllavë.
Këtu kishim Mustafa Gjinishin, i cili na tha se prapë në partinë Nacional-çlirimtare, paska ardhur një mision britanik. Aty është një gjeneral, Davis, ingliz, me sa të tjerë, por nën urdhrat e agjentëve të Kominformit Ruso-Jugosllav. Ata ju sjellin me shumicë armatime, vesh-mbathje, barna e të tjera, ushqime dhe këto tre miqtë që janë tek ne, janë mjaft burra të mirë, por duket se edhe këta, bëjnë po atë detyrë. Mundet që jashtë dëshirës tyre”.
“Mungesa juaj këtu, -i shkruhet adjutantit – na ka shkatërruar krejt, saqë nuk dimë se çfarë të bëjmë. Dikush na thotë një fjalë, e dikush një tjetër, e gjithë porosia e të huajve, është me mos pengu Nacional-çlirimtaren, d.m.th., se e gjithë sakrifica jonë, shkon për ata, porositë që ju na keni dhënë, po mundohemi t’i zbatojmë, por këtu ndryshon gjendja ditë për ditë.
Në këto kohërat e fundit, kishim disa lajme që ju do të vinit sa më parë me anën e miqve. Por tani, dëgjojmë të Nacional-çlirimtares, se jeni të ndaluar, se gjoja edhe ky misioni ynë që kemi, nuk është në favor që ju të vini këtu, e kjo na ka demoralizuar shumë. Pas këtij lajmi, nuk i kemi besuar fjalët që na thonin, se jemi për natë në kontakt me N. M. Tij, Mbretin Zog. Se ndalimi juaj, nuk pajtohet me këta lajka të këtyre. Një ditë u propozuam miqve, se dëshirojmë të na sjellin kolonel Husein Selmanin këtu. Këta na patën gënjyer se, për së shpejti ka me ardhë.
Ne po ju presim me padurim. Vetëm duhet ta dini se mos-ardhja juaj shpejt, do të bëjë që ne të jemi të shkatërruar. Se këtu çdo ditë hapën propaganda të ndryshme, dhe ju sigurojmë se, me gjithë që nuk jemi të organizuar, nga se nuk kuptohemi njëri me tjetrin, secili bën sipas qejfit të vet. Gjithashtu, nuk kemi pasur asnjë përkrahje prej askujt, jo materiale, por as morale. Me ju në krye, shumë shpejt do të jemi superior me të tjerët, në çdo pikëpamje.
Nacional-çlirimtarja, tani në këto kohërat e fundit, pas lajmit që Aleatët kanë shkarkuar në disa ishuj të Italisë dhe qendra e tyre me gjeneral Devisin, ka hyrë në kontakt me Komandën e Mesdheut, gjithashtu kanë dërguar një delegacion tek Marshalli Tito. Me këtë delegacion, kanë shkuar edhe J. Tempua për instruksione të fundit. Siç duket, nuk kanë besim në Profesor Mustafa Gjinishin, si komisar politik i Nacional-çlirimtares. Ky, kundërshtohet nga Grupi Komunist e, natyrisht tani, këta janë më të fortë se organizatorët ruso-jugosllavë. Ata kanë besimin e komunistëve, sa u përket Myslim Pezës, Haxhi Lleshit, Profesor Gjinishit, Faik Shehit dhe Spiro Moisiut e Baba Fajës. Këta i gënjejnë, por Mustafa Gjinishi nuk gënjehet. Ai është më i zoti dhe me oratori në të gjithë të tjerët. Dhe këtë ka posibilitet ta zhdukin.
Ju presim e mirë se të na vini, me plot bindje e qafime: Sa ju thamë mos i harroni. Rroftë Mbreti!
Sul Kurti, Jusuf Selmani, Dyle Allani, Jusuf Çela, Selman Mena, Major Murat Basha, Hafus Hasa, Fadil Allamani, Bajram Sata, Beqir Dervishi, Ahmet Perhati, Jashar Lela, Hasan Kalija, Bilal Kola, Xhemal Vata. Ali Kaleci, Halil Keta, Hysen Sula, Mehdi Kaca, Rahman Hysa e të tjerë.
Presim me duar hapur natë e ditë t’ju shohim.
Vikë, 3 Shtator 1943 Nderimet e mija Gafurri
Mat, 15 nëntor 1943
Tani mori zjarr së tepërmi vëllavrasja midis ‘Ballit Kombëtar’ dhe Nacional-çlirimtares. Këto u panë qysh me 2 gusht 1943, në mbledhjen e Mukjes, ku ky vendim ishte marrë unanimisht prej ‘Ballit Kombëtar’ dhe Nacional-çlirimtares. Por ‘Beslidhja e Mukajt’ nuk u respektua. Nga kjo u vendos që të organizohemi edhe ne në vete.
“Mbretërorët nuk kishin dalë akoma në shesh si organizatat politike në vete. Punonin gjithnjë për një bashkim kombëtar për të luftuar armikun e përbashkët. Bile shpeshherë, punët tona i merrnin të tjerët. Pasi, si ‘Balli Kombëtar’, ashtu dhe Nacional-çlirimtarja, kishin mbërritur në përgjakjet më të tmerrshme edhe anëtarët e Lëvizjes të Mbretërorëve, vendosën me dalë si Parti më vete:
Dhe, kështu më 21 nëntor 1943, u bë Kongresi i Mbretërorëve, në Herraj të Tiranës. Ku merrnin pjesë mëse 300 persona dhe delegate, të ardhur prej të gjithë anëve. Kështu, me dëshirën e të gjithëve, u mor vendimi që rastet na e impononin në këtë moment kritik që po kalonim: Asaj ju dha emri:
“ORGANIZATA KOMBËTARE LËVIZJA E LEGALITETIT”
Kështu Kongresi zgjodhi drejtuesit. Ajo organizoi komitetet krahinore. Ajo ju dha një hov propagandës me shpallje të rasteve. Në këtë kohë, është për të shënuar palodhshmëria e Gaqi Gogos, që me çdo sakrificë bëri me mijëra flet-shpallje, duke i ngjitur gjithkund. Kryesia e Lëvizjes, ju besua Major Abas Kupit.
Dalja në shesh e Lëvizjes, me një program të caktuar në bazë të “Statutit Mbretnor Shqiptar të vitit 1928”, duket se kjo, nga ana e drejtuesve të organizatave të tjera, nuk ndjejnë një kënaqësi. “Sepse nuk jemi më me to, dhe sipas mendimit të tyre, duhet të mbeteshim përkrahësit e tyre, pa një organizatë”.
Qëndrimi i Lëvizjes sonë, siç ka qenë gjithmonë dhe vazhdon të jetë, konform me interesat kombëtare, është se jemi përpjekur për nderin “kombëtar”. I cili kërkonte qe si me lirinë dhe indipendencën kombëtare, të kthehet në Shqipëri edhe regjimi i vendosur prej popullit shqiptar. Pozita jonë politike, lejon që të mbrojmë më mirë interesat vitale të Atdheut, sipas gjendjes sonë juridike, e paraqitur përpara gjithë Botës, si Përfaqësuese Legale të Shtetit Shqiptar.
Kemi kërkuar rikthimin e Shqipërisë, në gjendjen e para 7 Prillit 1939. Sepse para asaj date, Shqipëria jonë ishte me gjithë aparatin e një shteti Sovran. Ajo ishte e njohur ‘de jure’ e ‘de facto’, prej gjithë botës. Agresioni brutal i 7 Prillit 1939, nuk e ndërron atë gjendje nga pikëpamja e së Drejtës Ndërkombëtare. Por bile, e fuqizon. Sepse baza juridike, e një problemi të tillë, është doktrina “statuquo ante”.
Duke kërkuar rikthimin, nuk bëjmë gjë tjetër, veçse kërkojmë atë që na patën njohur të gjithë bota dhe Lidhja e Kombeve. Por ata nuk donin të dinin, po ndiqnin një program që nuk u përputhet këtyre interesave. Kjo na detyroi që, të dalim në zyrtarisht në këtë organizatë politike. Shpresojmë të kalojmë sa më mirë, e ju presim me krah hapur”.
Istanbul, 15 shkurt 1944
Kolonel Husein Selmani, merr një raport urgjent nga Shqipëria në këtë ditë, ku i lajmërohet se është bërë një ndeshje shumë e përgjakshme në Martanesh, në mes të një fuqie qeveritare, e bashkuar me ‘Ballistët’ dhe Nacional-çlirimtares. U kap i plagosur rëndë, gjeneral Davis, inglis.
“Ky me shokët e tij dhe disa oficerë italianë, kishin qenë me Baba Fajën, në Kuartierin e Nacional-çlirimtares. Ky është personi që do të shkonte me kolonel Husein Selmanin në Shqipëri, por e ndaluan këtë të fundit, të hynte në Shqipëri. Një patriot shqiptar nga Çermenika e Elbasanit, Haziz Biçaku, e mori dhe e dërgoi në shtëpinë e tij, për ta mjekuar, por gjeneral Davisi frikësohej nga mjekimet e vendit dhe ju lut që ta dorëzonte tek gjermanët.
Dhe, ky pas insistimit të tij, e dorëzoi dhe u shtrua në Spitalin e Shtetit në Tiranë. Pas këtij lajmi të ithët, që i ndodhi mikut tonë britanik, gjeneralit Davis në Martanesh, menjëherë u lajmëruan Mbretërorët”. Që me çdo sakrifice, mikun britanik, gjeneralin Davis, ta nxirrnin prej gjermanëve e ta bashkonin me miqtë e tjerë britanikë. Madje, dhe të ruheshin pa pësuar asnjë të keqe, si ky dhe të tjerët e mos të pësonin asnjë gjë të keqe. Këto janë dëshirat e urdhrat e Mbretit Zog, se britanikët, janë miqtë dhe përkrahësit e Shqipërisë”, thotë adjutanti.
“Mbretnorët menjëherë, kanë rregulluar nxjerrjen prej Spitalit të mikut britanik gjeneral Davisit. Ata i kanë dërguar kapiten Masar Pustinën, me një fuqi, që ta nxirrnin nga spitali dhe ta bashkonin me miqtë e tjerë britanikë, pa u diktuar aspak prej gjermanëve. Por, gjenerali Devis, ka refuzuar në mënyrë të prerë për t’u larguar nga spitali dhe ai vetë ishte i sigurt në njerëzit tanë, që u përpoqën mjaft që ta marrin. Pra, ishte e pamundur, se nuk dëshironte në asnjë mënyrë. Kështu na lajmëruan që prap, ne jemi gati për ta nxjerrë prej gjermanëve, por ai nuk dëgjon, për t’u larguar. Arsyen nuk e dimë”.
Natyrisht, thotë adjutanti i Mbretit- menjëherë thirra Shefin e Zyrës Informacionit Britanik në Istanbul, Kameronin dhe i lexova tekstualisht raportin e një kopje në anglisht. Ja dhashë të përkthyer prej z. Peter Andonit, që t’ja paraqesë Komandës Mesdheut. I shtova se unë, gjithnjë jam gati për t’u vënë në krye të detyrës dhe shfaqa keqardhjen për këtë fatkeqësi, që i ngjau mikut tonë. Natyrisht, Kameronit i erdhi keq. Por, njëkohësisht më tha se: Ja prap ju e bëtë detyrën, sikur të kishit qenë ju atje, nuk do të ngjante kjo fatkeqësi, e me siguroi që menjëherë, raportin do ta paraqiste. Veçanërisht, po një raport si, atë të Shqipërisë dhe këtë të Komandës Mesdheut, ja parashtrova Mbretit Zog, në Londër. Po me anën e Kameronit dhe i dhashë Avni Derrallën me vete, e shkuan. Po të njëjtën, ja dërgova Shtatmadhorisë Turke, në Istanbul. Këtë e bëra me anën e kapiten Avni Derallës, në gjuhën turke.
Gjendja në Shqipëri, është shumë kritike. Tani shihet më haptazi, se do ta marri Nacional-çlirimtarja në dorë, sepse gjithë ndihmat atyre u jepen.
Në Martanesh, kryetari i Kuartierit Nacional-çlirimtar, ishte Baba Faja dhe gjeneral Davis, ingles, misioner britanik. Pranë Nacional-çlirimtares ishin edhe tre kolonelë italianë, që ishin bashkuar me Nacional-çlirimtaren dhe Faik Shatku, si këshilltar. Në ndeshjen që u bë prej Haziz Biçakut, me një fuqi vullnetare nga Çermenika, mbetën shumë të vrarë dhe në mes tyre, gjeneral Davisi, i plagosur rëndë. Ai u zu rob dhe 3 kolonelët italianë, e Faik Shatku. Baba Faja shpëtoi, falë vështirësisë nga bora e madhe. Ai u shpëtua po prap prej Mbretnorëve, nga Beqir Dervishi. Haziz Biçaku, u interesua vetëm për mikun britanik, që e çoi në shtëpinë e tij, e sa për të tjerët, as që ju vu veshi fare.
Kolonel Husein Selmani, ishte gjithnjë në kontakt me britanikët, por shpresat ishin të pakta. “Duket se në Ballkan, imponon influenca sovjetike e jo ajo anglo-amerikanë. Tani komunizmi ka fut hundët dhe rrënjët gjithkund në Shqipëri, e sidomos në rininë. Ata shohin ndihmat e gjithanshme prej aleatëve, kurse forcat nacionaliste, nuk po tregojnë asnjë vullnet të aftë kundër tyre. Ata janë krejtësisht të pa organizuar dhe në kundërshtim njëri me tjetrin. Kurse Nacional-Çlirimtarja, organizohet në masë të gjerë. Nacional-çlirimtarja, ka një traktat me Titon dhe njihen si aleatë. Pra kjo është një vdekje për Shqipërinë, pse aleatët e futën nën fletët sovjetike. Kjo është një hata dhe një gabim i pariparueshëm për anglo-amerikanët.
“Dhe mos e merrni se Britania e Madhe, nuk ka interesa në Shqipëri. Do ta shihni, kur Shqipëria dhe Adriatiku, të mbetet një zonë ruse, atëherë do ta kuptoni rëndësinë e Shqipërisë, se kjo është edhe vdekja e Greqisë. Por unë kujtoj se, keni prapë kohë që të na ndihmoni, që të marrim masa, se kemi shpresë ta marrim në dorë shpejt, dominimin e Shqipërisë. Popullin e kemi me vete, por propaganda juaj në favorin e së majtës, po na pengon, si edhe ndihmat e padëme që po u jepni”.
“Mendohuni pak për të nesërmen, citon adjutanti – se kjo ka me qenë një dëm i madh i juaji edhe në Mesdhe. Jeni ju, që sot që organizatorët të Kominformit ruso-jugosllavë, administrojnë dhe helmatosen rininë, me idera të pa pajtuara me traditat shqiptare dhe gjithnjë po i ndihmoni. Një gabim, që për interesat e tyre, me ndaluat mua me mos hyrë në Shqipëri, që ishte një fitim edhe për ju, sepse kjo situatë do të ndryshonte patjetër. Por prapë, është një shpresë, e nuk është vonë, po të dëshirohet që të merret prapë kjo veprimtari se elementi i Kominformit, nuk do të kishte vend në Shqipëri. Përveç miqve anglo-amerikanë, ne jemi gati për t’u nisur, por nëse është se ju, e shihni të nevojshme. Me këtë mënyrë, patjetër do të lëshoni edhe Greqinë, po në të njëjtën katastrofë, që na lëshuat ne. Pra, shpejt keni për ta kuptuar”.
Me këto fjalë, tepër i presionuar më tha se: “Keni të drejtë e unë jam plotësisht dakord me ju. Sot kam me i paraqit si Komandës Mesdheut, po ashtu Shefit të Përgjithshëm në Londër këtë raport, si edhe raportin që po më jepni për Mbretin Zog, në Londër. Kam shpresë se, dirigjentët britanikë, do ta shohin të arsyeshme, e kam bindje për një vendim të prerë. Përsa i përket një operacioni kësaj dorë në Shqipëri, edhe unë kam për të shtuar mendimin tim, mbi gjithë raportet që ju vijnë. Ju njoh fare mirë, simpatinë tuaj në Shqipëri dhe aktivitetin tuaj të fortë”. Me këtë, mori Avni Derallën e shkuan. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016