Nga Ilir J. Hoxha
Memorie.al / Futbolli në Skrapar, ka qenë një rast tipik i simbiozës perfekte të futbollistëve vendas, me ata jabanxhinjtë. Në historinë e futbollit të ekipit të “5 shtatorit”, (siç njihej ai ekip para viteve ’90-të), kontributi i të ardhurve ka qenë i rëndësishëm, por jo më pak i rëndësishëm, ka qenë edhe e anasjelltë, ku “5 shtatori” ka qenë një shkollë për rritjen e tyre. Futbollistët; Paulin Ndoja, Gëzim Kasmi, Myfit Kurti, Neim Guri, Fatmir Mersini, Mehmet Xhafa, Petrit Brahja, Hazis Çeço, etj., etj., përpos se do ta ngrinin futbollin e “5 Shtatorit” nga ana profesionale, por do t’i bënin një reklamë ekselente, duke e bërë të njohur në ambientin futbollistik të kohës. Rasti i Sabri, është një miksim i këtij fenomeni, teksa ai do të ishte dhe ndjehej më shumë “vendas”, edhe pse ishte beratas.
Përpos talentit, ajo që e bënte specifik, ishte se ndryshe nga jabanxhinjtë e tjerë, Sabriu nuk erdhi në qytetin e Çorovodës me valixhe në dorë, por për të qenë qytetar i këtij qyteti dhe qyteti ja shpërbleu, duke e bërë “Qytetar të parë”. Këshilli Bashkiak në anonimitet të plotë, i ka akorduar ish-futbollistit të talentuar të viteve ’70-të, Medaljen “Qytetar Nderi”.
Talenti, grinta dhe thjeshtësia, e bëjnë atë një nga futbollistët më të shquar, jo vetëm të “5 shtatorit”, por edhe më gjerë. “Reaksionari”, arriti që me futbollin e tij, në një vend tejet të ngarkuar, të ndryshonte mendimin për reaksionarët.
Edhe pse nuk i “lejohej” të ishte i mirë, ai me thjeshtësinë dhe talentin e tij, diti të bënte për vete një qytet dhe të zbuste militantizmin e drejtuesve lokal të asaj kohe. Një lojtar universal, që i luante të gjitha pozicionet, mbrojtës, organizator, sulmues i shkëlqyer. Mbrojtës dhe njëherazi një nga golashënuesit e kreut të ekipit të “5 shtatorit”.
Në dialektikën e konflikteve të të kundërtave, të mirësisë, dëshirës, simpatisë, mërisë, xhelozisë, konkurrencës etj., etj,, si asnjëherë tjetër, nuk më ka ndodhur që shumatorja e të gjithë këtyre të kundërtave, të ishte kaq unike sa ky, për të shquarin e futbollit beratas dhe skraparas, Sabri Dylin.
Është një opinion absolut që e klasifikon në ranglistën e futbollistëve më të mirë ndër vite. Historia dhe jeta e futbollistit skraparo-beratas, Sabri Dyli, do të ishte një nga ato që rrallë mund të gjendej, në një rast të dytë. Handikapi do tejkalonte vetveten, sepse atëherë kur minori 6 vjeçar, edhe pse do të kishte të atin partizan (Çeta “Halim Xhelo”), një xhaxha që kishte qenë me “Ballin Kombëtar”, dhe pasuria deri në kufijtë e poshtëm të “Gulagut”, do të bënte që fshati i tij Dronovic, për të pastruar biografinë, ta largonte nga vendlindja.
Do të ishte një nga ato rastet fatlume internuese, sepse do të rezultonte me “ngritje”! “Degdisja” për në Berat, do të ndihmohej edhe nga indiferenca e pushtetit të atëhershëm, që ishte e zënë me problemet e kohës, sikur ai i sigurimit të bukës.
Me kursimet dhe të ardhurat që morën nga shitja e bagëtive, i ati Sabriut do të ndërtonte shtëpinë, në një nga lagjet periferike të Beratit. Kështu viti 1951, familjen Dyli do ta gjente qytetar të Beratit. Jeta do të vazhdonte në normalitetin e një familje punëtore dhe kokulur. Mungesa e informacionit për futbollin, nuk është se do t’i ngacmonte ndonjë ndjesi për ndonjë nga idhujt e futbollit, vendas apo të huaj, gjithsesi kjo nuk do ta pengonte të ëndërronte. Do të ishte prezent në aktivizimet e rrugicave të qytetit të gurtë, me “orar” unik, që nga mbarimi i shkollës dhe deri në mbrëmjet e errëta.
I pasionuar deri në “çmenduri”, me topin dhe futbollin, qytetari i “deklasuar”, së bashku me shtatin do fillonte të rritej edhe si futbollistë. Thuhet që një talenti, i duhet 99 % punë, por unë nuk besoj se kjo ka qenë e vlefshme, edhe për Sabri Dylin! Kënaqësinë e parë nga futbolli, do ta merrte diku nga mosha 12 vjeçare, atëherë kur do të shpallej kampion në kampionatin e lagjeve, ku një nga të parët e kalamajve të Lagjes “Gorricë”, do të ishte vetë Sabri Dyli.
Kjo do të shërbente si nxitje dhe CV për futbollistin e ardhshëm, dhe nuk do vononte, kur do ti vinte edhe oferta e parë. Një shoku i lagjes më i rritur, mbasi do bisedonte me trajnerin e të rinjve të “Tomorit”, do ti bënte ofertën e parë “zyrtare”, duke e ftuar të ishte pjesë e të rinjve të atij ekipi.
– “Për mua ishte një ngjarje e shënuar, jo vetëm se do të luaja, por do të merrja uniformë dhe kjo nuk ishte pak për atë kohë. Ka pasur shumë raste që nga mungesa e uniformës, janë djegur mjaft futbollistë të talentuar …”– e fillon bisedën ish-mbrojtësi “Tomorit”. Do ta niste aventurën futbollistike, në vitin 1958, në moshën 14 vjeçare, atëherë kur që në provën e parë, trajneri i parë Ibrahim Hoxha, do të dallonte tek Sabriu cilësitë e një futbollisti të talentuar.
Në krahë të Valentin Karajt, Novruz Hados, Fatbardh Buzit, Andon Zahos, etj., futbollistëve që do të shkruanin historinë e Futboll-Klub “Tomorit”, ishte më minori në moshë, por jo në kualitet. Grumbullimi me të rinjtë, do ta rriste më shpejt, ndërsa “lirimi” i plejadës së futbollistëve mësipërm nga ekipi i të rinjve, do t’ia nxirrte më në pah cilësitë e karakterit dhe ato profesionale.
16 vjeç, do të ishte pjesë definitive e formacionit të të rinjve, por do të ishte prezent edhe në ndeshjet e kontrollit të të rriturve, që zhvilloheshin ditët e enjte. Në vitin 1960, në një miqësore me “Flamurtarin” e Vlorës, trajneri i shquar beratas, Thanas Jançe, do ta vinte në të parën provë si “senjor” me të rriturit, ku do të luante një pjesë të dytë loje brilante.
Gjithsesi, kjo nuk ishte pjesë e rastësisë. “I punësuar”, me kohë të plotë, do të vazhdonte të ishte pjesë e ekipit të të rinjve, por dëshira shikonte lartë. Sadisfaksioni i radhës do të vinte, kur do të ishte kampion i të rinjve të “Tomorit”, që në takimin final të Kategorisë së II-të, “Apollonia” – “Tomorri” 0 – 2, përpos se do ishte protagonist i asaj fitoreje, do të shkelte për herë të parë edhe tapetin e Stadiumit Kombëtar “Qemal Stafa”.
Vitet iknin ngadalë, ndërsa Sabri Dyli ecte me ritëm tjetër. Viti 1962 dhe takimi miqësor “Tomori” – “Vllaznia”, do të bënin shkëputjen përfundimtare si futbollist “part-time” me të rriturit, sepse trajneri Jançe, do ta thërriste “nën armë”, me ekipin e madh dhe në krah të të shquarve të kohës; Astrit Ziu, Ajet Hoxha, Flamur Kullari, etj.
Me “mantelin” e futbollistit të “Tomorit”, do t’i bashkohej grumbullimit në malin e “Dajtit”. Aktivizimet nuk përbënin më “lajm”, sepse Dyli me paraqitjet e shkëlqyera, ishte bërë idhull i tifozerisë dhe padyshim edhe thjeshtësia, ja rrisnin “aksionet”, për të qenë i tillë. Në historinë futbollistike arshivat, statistikat dhe gojëdhënat, flasin për një nga “Tomorët” më të mirë, atë të viteve ’63-’67, ku pjesë e padiskutueshme, ishte Sabri Dyli.
Si asnjëherë tjetër, bashkë me Dylin, në vitin 1964, ekipi i “Tomorit” do të shkonte deri në finalen e Kupës së Shqipërisë, me “Partizanin” e Panajot Panos. Vetëm pak kohë më vonë, po në Tiranë, për kampionat, “Tomori” do t’i merrte një barazim të rëndësishëm “Partizanit” dhe Sabri Dyli do të shkëlqente, duke befasuar komentatorin e famshëm, Andon Mazreku, që unë në ligjëratë të drejtë po e citoj:
“Tomori’ është skuadër simpatike. Ai sot nuk është në shtëpinë e vet. Ai kërkon t’i marrë revanshin ‘Partizanit’, pas humbjes së finales 3 – 0 në Tiranë’ për Kupën e Shqipërisë. Po më tërheq vëmendjen një djalosh i shkathët, energjik, i cili e ka bllokuar plotësisht sulmin nga e majta. Është Sabri Dyli, futbollist elegant, që pasi u rrëmben topin sulmuesve, bëhet shkëndijë e sulmit nga krahu…”!
– Lidhur me këtë, Sabri Dyli kujton: “Ishte më shumë se një sfidë, isha i vogël për të marrë një detyrë të tillë dhe akoma më të vogël, më bënte edhe madhështia e Panajotit. ‘Partizani’ i madh, stadiumi plotë, fama e Panos, aq sa e mbushën qenien time me frikë aq, edhe me besim dhe optimizëm. Isha koshient se përpara këtyre epërsive, unë nuk kisha se çfarë të humbja, mbaj mend që Panajoti ishte shumë i thjeshtë dhe i sjellshëm, kjo më dha kurajë që të isha i përqendruar dhe pse jo, them se e bëra i mirë atë detyrë, edhe pse Panajoti ishte i jashtëzakonshëm” – do të shprehej ish-mbrojtësi beratas për atë takim, që do ta fuste në listën e futbollistëve të lakmuar.
Paraqitja e tij i kishte kaluar të gjitha pritshmëritë dhe tashmë Sabri Dyli, ishte një nga futbollistët e njohur, jo vetëm në Berat, por më gjerë. Talenti, karakteri, thjeshtësia, grinta dhe serioziteti, do ta bënin S. Dylin të njohur dhe idhullin e tifozerisë beratase. Tetori i vitit 1966, do të rezultonte fatal, për yllin në ngjitje.
Atëherë kur gjithçka fliste vetëm për sukseset e Sabri Dylin, diku, fama e një “reaksionari”, xhelozoi dhe me një “goditje” befasuese, do t’i ndërpriste në kulmin e tij, karrierën një futbollisti talent. Përtej çdo logjike “shokët e partisë”, nuk do të lejonin që një i deklasuar, t’ju rrëmbente famën e “sukseseve” dhe do të shkatërronin gjithçka në karrierën e një futbollisti, që të vetmin “faj”, kishte se, një xhaxha i tij, kishte qenë i deklasuar.
Pa asnjë shkak, pa asnjë arsye do ta rikthenin familjarisht andej nga kishin ardhur. Çuditë nuk kanë kufi, kur partia e largoi nga fshati si të deklasuar, tashmë do ta internonte Berati, me të njëjtin motivacion, duke e çuar në Dronovic…! Përjashtimi tij nga sporti do të hutonte një qytet të tërë, që për “detyrë” kishin heshtjen dhe pakënaqësinë duhet ta shprehnin, vetëm në nën zë me pëshpërimat nëpër kafene.
Lidhur me këtë, Dyli tregon se: “Vendimin ma komunikoj magazinier Vangjua, teksa me plot lot dhe dhimbje, do të më thoshte përpara se të zhvishesha për stërvitje; – Sabri, mos u zhvish, më kanë dhënë urdhër, që të dorëzosh teshat.- Nuk po e kuptoja se çfarë po ndodhte, aq tepër që me Vangjon, bënim shumë shaka, por nuk ishte aktrim…! Ishte e vërtetë. Unë nuk do luaja më futboll…! Nuk po më mjaftonte halli, por më vrau shumë edhe dhimbja e Vangjos, gjithsesi, më duhej t’i jepja kurajë vetes”,- tregon Sabriu i zhytur në ato kujtime të thella, të pesë dekadave të shkuara.
– “Për hir të së vërtetës, më pas mësova se shkaku paska qenë paraqitja e dobët në takimin, ‘Tomori’-‘Vllaznia’ 0:1, që ne e zhvilluam në fushën e aviacionit në Kuçovë. Kujtoj se një ngatërresë me portierin Karaj, që unë nuk e mendoj se kisha faj, na kushtoi golin e vetëm të ndeshjes. Gjithsesi këtë do ta besoja, nëse trajneri Jançe, do të ma komunikonte në analizën e ndeshjes. Jam i sigurt që përjashtimi im, kishte kohë që ishte shkruar, sepse nëse do të ishte ky rast, ku e dinin ata që unë do paraqitesha dobët…!
Komunikimi m’u bë që të nesërmen dhe menjëherë jemi nisur. Edhe 5 gola të kisha shënuar, përsëri do të ishte “gabim”, që do vlente për t’u internuar. Jemi shpërngulur si familje për në Dronovic. Ishin momente të vështira, por që kërkonin forca për t’u kaluar. Goditja po vinte nga të gjitha krahët, shikoja që edhe njerëzit druheshin të më flisnin, ndërkohë që isha ushtar në Starovë, menjëherë më transferuan në xhenio, në Sopot të Librazhdit”, tregon Dyli, legjenda e futbollit beratas.
Një tentativë e frikshme e trajnerit të famshëm, Sabri Peqini, që në atë kohë trajnonte “Labinotin” e Elbasanit, do t’i ngjallte një shpresë, por…., askush nuk guxonte . I deklasuari duhet të merrte dënimin e merituar…! Lirimi nga ushtria në prill të ’68-ës, do ta gjenin në fshatin e lindjes, në përpjekje për të gjetur mundësi jetese. Pranvera e këtij viti do t’i jepte shpresën, se jo gjithçka ishte mbyllur. Një nga të njohurit e tij, Rakip Kërri, tifoz i “5 shtatorit”, do të raportonte tek “menaxheri” i ekipit, “shoku” Hekuran Hajdini, se futbollisti ishte i lirë.
Menjëherë do ti çonin lajmin dhe Sabriu do të nisej për në Skrapar, në qershor të vitit 1968. Lajmi kishte mbërritur më shpejt se Sabriu në Çorrovodë dhe atje do të ishte nën mikpritjen befasuese të një populli të tërë, që do i duhej të dilte nga “parimet e partishmërisë”, për të respektuar një “reaksionar”, kaq të mirë ! Të gjitha strukturat ishin në këmbë dhe Dyli, do t’i falte të gjitha peripecitë e jetës, përballë kësaj mikpritje.
“Në Çorovodë vija për herë të dytë – tregon Sabriu. – Kam qenë diku nga shtator i vitit 1966, atëher kur isha ushtar në Starovë dhe reparti ku bëja ushtrinë, erdhi për të bërë një miqësore me ekipin e ‘5 shtatorit’ që doli me rezultatin; 1 – 1. Të them të drejtën, nuk pata ndonjë ndjesi atë radhë, sepse duhet të kuptoni që erdha dhe ika flash, se duhet të nisesha për në stërvitje me ekipin. Mikpritja më vuri para përgjegjësisë, çka do më duhej të jepja përtej vetes, për të justifikuar atë vlerësim. ‘Sekretari i parë’, sikur i thoshim ne Hekuran Hajdinit, do më gjendej pranë dhe jam sistemuar aq mirë dhe shpejtë, sa nuk gjej fjalë.
Ishte fat për ‘5 shtatorin’, por më shumë për ne jabanxhinjtë, që kishim një person kaq të gjendur. Ishte një dashamirës i futbollit, person shumë pozitiv i drejtë dhe i fuqishëm…! Futej kudo për të bërë mirë…! Në Çorovodë ne futbollistët, ishim figura publike, dhe kishim një interesim nga drejtuesit e lartë të rrethit. Kur po sistemohesha me Hekuran Hajdinin, për t’ju mburrur, më çoi te një drejtues i lartë, Demir Nuellari. Ai, kishte dëgjuar për mua dhe priste të isha ndonjë trup madh dhe sa më prezantoi, Hekurani tha: – ‘Po ti qenke Sabri Dyli, po unë të mendoja ndonjë kolos, po ti qenke i vogël fare’?!
Ashtu si kudo, por veçmas në Skrapar, gjithçka lidhej me futbollin dhe unë e pata këtë fat, që të isha pjesë e futbollit. Më kanë bërë shumë ndere, më dhanë shtëpi, që nuk ishte pak, kategoritë e punës, etj., etj. Kam vajtur në Çorovodë në atë kohë kur Skrapari sapo kishte filluar të bëhej faktor në futbollin e kategorisë së II-të. Aktivizimi i Gëzim Kasmit, Paulin Ndojës, në fillim, dhe më pas e futbollistëve Xhafa, Brahja, Mersini, etj., ishte një “bonus” i madh për futbollin e këtij qyteti.
Kemi qenë një ekip solid, ku ndërthurja e futbollistëve vendas, me ata jabanxhi, u natyralizuar në mënyrë harmonike. Nga Skrapari, unë kam përjetuar të dy anët e medaljes, atë të kënaqësisë së pamasë, por edhe të kundërtën, por nuk di që të ketë ndonjë futbollistë, që të ketë luajtur futboll në Skrapar dhe mos të ketë mbresat më të mira të jetës së tij. Ishim aq të vlerësuar, sa nuk mund ta shpreh dot…”- do të përfundonte Sabri Dyli.
Ardhja e Sabri Dylit, do t’i jepte një ritëm tjetër zhvillimit të futbollit, jo se nuk e kishin dhënë apo se jepnin jabanxhinjtë e tjerë, por sepse Sabriu, kualiteti dhe thjeshtësia e tij, u shkri lehtas me tifozerinë vendase. Në vitet 1970-‘73 kishim në ekip një grup futbollistësh vendas dhe të ardhur, shumë të talentuar, kështu; F. Hasko, M. Baze, R. Idërshaj, M. Xhafa, H. Ibro, A. Korçari, A. Qafa, G. Sulçe, H. Koprëncka, F. Mersini, P. Brahja, M. Bregu, etj., mund të luanin në cilindo ekip të kategorisë së parë.
“Mundësia më ka dhënë rastin të përjetoj shumë emocione futbolli, por takimet me super ‘Shkëndinë’ e Vasillaq Zërit, Agron Bulkut, Petrit Gjonit. Milto Gurmës, Agron Sula, etj., etj., të viteve 1970-’71, është vështirë për t’i harruar. Kemi qenë të barabartë 0:0 në Çorovodë dhe 1:1 në Tiranë, jo vetëm në rezultat por në të gjitha komponentët.
Ndoshta mund të kemi qenë ndër të pakta ekipe që i kemi bërë rezistencë dinjitoze ‘Shkëndisë’. Ashtu sikundër ‘derby’-et kanë ngarkesat e tyre, për ne kanë qenë të vështira por ‘vëllait’ të vogël Poliçanit, ia kishim marrë dorën edhe pse ai ka qenë një ‘Partizanë’ B, në përbërje. Fillim i kampionatit ’71-’72, do të na gjente ‘mysafir’ në shtëpinë tonë në Poliçan, më shumë se përmbysja e rezultatit, sikur thuhet tani, 1-2 dhe rezultatit (1:0; 1 : 2), ajo që nuk më shqitet nga mendja, ka qenë ajo mbështetje e jashtëzakonshme e tifozerisë tonë, që kishte ardhur me mjete dhe në këmbë, nga 30 km. larg, për të na mbështetur.
Fitorja na dhuroi ‘statusin’ e ‘heronjve’ në një pritje të jashtëzakonshme në Çorovodë. Ky kampionat, na gjeti nga kreu i klasifikimit, por jo përpara ‘Naftëtarit’, të Kuçovës kryesues dhe ‘Shkëndisë’. Mbas një viti, 1972 – ’73 këtë ‘resto’ do t’ia jepnim edhe ‘Tomorit’ në një stadium të mbushur me vendas’ por jo më pak ishin nga ‘tanët’. Kemi qenë shumë në formë dhe me besim. Barazimi 4:4 ka qenë më se i merituar.
Për paraqitjen dinjitoze si rrallë herë në Berat kemi marrë duartrokitjet e publikut beratas. Më kujtohet kur gjyqtari korçar Fidai Pupa, na ka përgëzuar në fund të ndeshjes dhe do të na thoshte – ‘Unë mendova se si Skrapar’ do rriheshit 4:0, por ju luajtët shumë bukur. Bravo ju qoftë’! Në fazën e dytë në Skrapar, takimi ka qenë edhe më i bukur, sepse ‘Tomorit’ i duhej fitorja. Fati e desh që ekipin e ‘Tomorit’ ta ndëshkoja unë me një gjuajtje gol’ që do t’i shkarkonte nervat portierit Shefa. Përsëri 1:1…”, kujton Dyli ato kohë dhe ndeshjet përcaktuese!
Peripecitë për Sabriun, do të kishin “llogaritur” edhe një seri të dytë, teksa ashtu sikur në persekucionin e parë, edhe këtu do të goditej, kur ishte në kulmin e karrierës dhe suksesit, kur gjithçka në Çorovodë, lidhej dhe dridhej rreth Dylit, do të vinte goditja fatale për karrierën dhe jetën e futbollistit trajner. Klanet e brendshme të shefave dhe parisë së rrethit, si dhe përplasjet personale, për t’u bërë më të besueshëm, ju duhej ta ngjyrosnin edhe me pak të deklasuar, goditjen e planifikuar.
“Klani” kishte llogaritur që; për të arritur qëllimin personal, të godiste edhe një “grupi armiqësor të deklasuar”, ku pjesë e këtij grupi, patjetër që duhet të ishte edhe një “reaksionar”. Shkelja prej 4.150 lekësh, kur të tjerë kolegë e kishin bërë këtë shkelje me 10.000, apo 15.000 lekë, me kuponët e ushqimit, do të përzgjidhnin vetëm Sabriun, si shkelës. Mosha më ka dhënë mundësinë të isha dëshmitarë i atij tmerri.
Ndonëse nuk e kuptoja atëherë se për çfarë flitej, por “gijotina”, ishte më e tmerrshme, se ekzekutimi në stivën e druve. “Tradhtarët”, duhet të bëheshin shembull dhe në një “paradë” përpara një “stadiumi”, me njerëz duhej të demaskoheshin…! Ka qenë një nga ato raste që ka frikësuar të gjithë. Nuk mund ta kuptoj tani, atë heshtje të Sekretarit të Parë, të Kryetarit të Komitetit … edhe sot, mbetet një enigmë pa zgjidhje…?! Do dënohej nga absurdi, 1 vit burg, ku një ndihmë të jashtëzakonshme, i dha gjykatësi liberal, Refat Aliaj. Bulqiza, do të ishte “ekipi” i radhës, fama e futbollistit, kishte shkuar edhe në galeritë e saj.
“Burgu është burg dhe nuk ka të mirë, por robi bënë si të gjej- tregon Sabriu, – por aty pashë një të burgosur i dënuar me tre vjet, sepse kishte imituar një nga udhëheqësit e kohës (Kadri Hazbiun), dhe kjo sikur më ‘qetësoi’ pak. Paska më keq – thashë”, kujton Sabriu dënimin e tij me burg.
Në fundin e vitit 1974, do të rikthehej sërishmi në Skrapar, ku do të gjente të njëjtin respekt dhe vlerësim nga populli i thjesht i Skraparit, por jo vetëm. Edhe pse i shkëputur tashmë nga futbolli për më se një vit, talenti i tij, do ta bënte të barabartë në ekip, ku do të jepte kontribut edhe për disa vite të tjera me ekipin, si futbollist dhe si trajner i ekipit “5 Shtatori”.
Sabri Dyli, në kujtimet e ish-shokëve të tij futbollistë dhe skraparllinjve
Mehmet Xhafa: “Jeta futbollistike të fal dhe të merr shumë sadisfaksione, por për mua të trajnuarit, të luajturit pranë një personaliteti kaq të lart, si Sabri Dyli, ka qenë një fat që më dha forcë dhe shtysë, për karrierën e mëtejshme…”!
Fatmir Mersini: “Një trajner që nuk u krijonte presion futbollistëve, nuk krijonte grupazh, ishte i drejtpërdrejtë, ishte harmonik me grupin, por mbi të gjitha, një njeri i shkëlqyeshëm.
Avdyl Korçari: “Nuk ka diskutim që Sabri Dyli, është një nga futbollistët më të mirë të të gjitha kohërave. Ishte një lojtar universal, aq sa i mirë ishte si mbrojtës, po kaq bukur e bënte organizatorin dhe akoma më shumë ishte sulmues dhe golashënues i shkëlqyer. Respektin nuk ta diktonte vetëm si njeri i mirë, por edhe si profesionist i shkëlqyer. Unë jam mik i vjetër me Sabrinë, po me gjithë ato peripeci që kaloi, si nuk shfryu njëherë mllef ai njeri!? Njeri i jashtëzakonshëm. Faleminderit Sabri Dyli, për gjithçka që ke dhënë për ne”.
Aurora Ajdini (USA): Faleminderit që na risillni këto legjenda të futbollit, që mbartin kujtime dhe emocione shumë të bukura. Në qytetin tonë e diela pas dreke mbushej me meshkuj dhe femra që drejtoheshin tek fusha për të ndjekur “5 shtatorin”, skuadrën tonë të zemrës. Rruga për te konvikti ishte edhe “tribuna” jonë, e femrave, aq të emacipuara si askund në qytete e tjera të Shqipërisë. Sabri Dyli, ma i miri, që së bashku me të tjerë na bashkonin të kalonim një të diel ndryshe në qytetin tonë”. Memorie.al