Nga DASHNOR KALOÇI
Pjesa e dytë
Memorie.al / Situata tejet e vështirë që po kalon vendi këto ditë si pasojë e motit të keq, nuk është një “muzikë” e padëgjuar për Shqipërinë. Përmbytjet, dalja e lumenjve nga shtrati dhe dëmet e konsiderueshme në toka buqësore, shtëpi banimi, biznese private, ekonomi e infrastrukturë, duket se ndjekin të njëjtin “refren” prej dekadash. Historia po përsëritet madje deri në detaje: plot 41 vite më parë, pikërisht në 7 janarin e vitit 1985, një mot i ngjashëm polar “gjunjëzoi” vendin, nga jugu në veri. Në atë kohë, dëmet ishin tragjike – jo vetëm në shtëpi banimi, fshatra të tërë nën ujë, toka bujqësore e blegtori, rrjeti energjitik dhe telefonik i shkatërruar, por edhe me dhjetëra jetë njerëzish të humbura nga orteqet dhe ngricat. Aq alarmante ishte situata, saqë Enver Hoxha, ndonëse në gjendje të rëndë shëndetësore, thuhet se ndiqte personalisht situatën çdo ditë dhe dërgoi me urgjencë në zonat më të goditura, disa nga ministrat dhe gati gjysmën e anëtarëve të Byrosë Politike të Komitetit Qendror, si; Rita Marko, Besnik Bekteshi, Hekuran Isai, Prokop Murra, Pali Miska, Muho Asllani, Simon Stefani etj. Dokumentet arkivore dëshmojnë për një mobilizim të jashtëzakonshëm, ku nga ana e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Degëve të saj nëpër rrethe, raportohej me dy deri në tre komunikata operative në ditë, mbi gjendjen në të gjitha rrethet e vendit.
Ndërsa natyra ndjek ritualin e saj shekullor, koha për qeverisjen tonë, duket se ka mbetur në vend. Dokumentet arkivore me siglën “Sekret” (të nxjerra nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendshme), dëshmojnë se pikat nevralgjike të vitit 1985, janë po ato që lëngojnë edhe sot: Veriu dhe Lindja: Bllokimi i rrugës së Vermoshit dhe rretheve Mirditë, Pukë, Kukës, Has, Tropojë e Peshkopi. Zona e Lezhës dhe Kurbinit: Tale, Gjorm, Adriatik, argjinatura e lumit Drojë dhe fusha e Thumanës. Shqipëria e Mesme dhe e Jugut: Kthesa e Murrashit, malësia e Gjinarit, dhe zonat përgjatë lumenjve Devoll, Shkumbin, Osum, Vjosë e Seman, e hidrovoret e tyre. Nga juglindja në jugperëndim: Nga Korça e Erseka, deri te lumi Drino në Gjirokastër apo, Bashaj-Matogjin në Vlorë.
Në këtë hartë të vjetër e të re të përmbytjeve, vetëm një qytet bënte përjashtim në janarin e vitit 1985. Sipas komunikatave të Ministrisë së Brendshme: “Durrësi nuk ka asnjë problem”! Sa më sipër etj., bëhet e ditur përmes këtij cikli shkrimesh me dokumentet arkivore dhe faksimilet dhe fotot përkatëse, që Memorie.al publikon për herë të parë, duke hedhur dritë mbi një nga dimrat më të egër të shekullit të kaluar dhe ngjashmërinë tronditëse me sfidat që na përndjekin edhe sot.
RAPORT- INFORMACIONET SEKRETE TË MINISTRISË SË BRENDSHME, MBI MOTIN E KEQ ME RESHJE TË DENDURA SHIU DHE DËBORE QË PËRFSHIU TË GJITHË SHQIPËRINË MË 7-15 JANAR 1985 DHE DËMET E SHKAKTUARA NË RRETHE TË NDRYSHME NGA PËRMBYTJET, BLLOKIMET E RRUGËVE NACIONALE, ORTEQET E DËBORËS ETJ.
REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË SEKRET
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME Ekzemplar i vetëm
DEGA E PËRGJITHSHME Tiranë, më 10.1.1985
INFORMACION
KUKËSI
Më datën 9.1.1985, Dyl Kadri Hoxha, vjeç 34, dhe Osmal Elezi, kryetar i kooperativës bujqësore të fshatit Tregtan, në kohën që ktheheshin nga stallat e kooperativës, janë rrëzuar në një përrua dhe për rrjedhojë nga orteku i dëborës ka gjetur vdekjen Dyli, kurse Osmani është plagosur.
PUKA
Më datën 9.1.1985, radiostacioni i Pukës ka mbetur pa energji elektrike, për arsye se i është këputur linja. Më datën 9.1.1985 u gjetën të vdekur nga orteku i dëborës në fshatin Iballë, Mark Marashi, kryetar i Këshillit të bashkuar, Kol Staka, vjeç 35, kooperativist.
Më datën 9.1.1985, në fshatin Berishë e Epërme, u nxorën nga bora 7 vetë të vdekur, të cilët ishin goditur nga orteku: Hil Mala, vjeç 28, Gjon Kamberi, vjeç 34, Prend Marashi, vjeç 28, Drane Kamberi, vjeç 28, Pal Malaj, vjeç 18, Zef Smajli, vjeç 25 dhe Pal Pali, vjeç 18.
GJIROKASTRA
Më datën 9.1.1985, si rezultat i shirave të rëna, është rrëzuar një hangar duhani në kooperativën bujqësore Vrisera dhe është dëmtuar një stallë dhensh, në kooperativën bujqësore “Asim Zeneli”, janë dëmtuar tre stalla dhensh, një hangar duhani.
Në Ndërmarrjen Bujqësore Lunxheri, janë përmbytur 35 ha me grurë, 15 ha me asëll, ndërsa në Ndërmarrjen Bujqësore “Muzo Asqeri”, janë përmbytur 22 ha me grurë. Në qytetin e Gjirokastrës është përmbytur ujësjellësi dhe ka mbetur 75 % e popullatës pa ujë.
KRYETARI I DEGËS SË PËRGJITHSHME
BAUDIN KAZANI
Gjendja e kohës në orën 12.00 të datës 10.1.1985
INFORMACION
PESHKOPI
Koha vazhdon të jetë e keqe. Bie dëborë në të gjithë territorin. Rrugët Peshkopi –Kukës, janë të zëna, ndërsa në Peshkopi – Bulqizë, kalohet me vështirësi. Në postën e Gjinovecit është ndërprerë ndërlidhja që me datën 8.1.1985.
Më datën 9.1.1985, nga posta e Trebishtit është nisur komisari i postës, një nënoficer dhe një ushtar, por nuk dihet a kanë mbërritur, apo jo, dhe për të verifikuar, sot në orën 9.30, në këtë drejtim janë nisur një nënoficer, tre ushtarë dhe fshatarë.
KUKËSI
Koha vazhdon të jetë e keqe, bie dëborë si në qytet, ashtu dhe në zonat e thella ku trashësia ka arritur deri në 3 m. Rrugët janë të bllokuara në të gjitha drejtimet. Janë marrë masat për hapjen e tyre. Është ndërprerë lidhja me postat kufitare Orgjost, Borje dhe Shishtavec. Furnizimi është i rregullt. Nuk ka ngjarje.
MATI
Bie dëborë dhe shi. Rruga e Batrës vazhdon të jetë e bllokuar. Me Bulqizën ajo funksionon me vështirësi. Personat që janë nisur në drejtim të Peshkopisë, po udhëtojnë drejt saj.
SHKODRA
Rruga me Pukën nuk punon. Po kështu këto rrugë janë bllokuar dhe me Rrapshin, Vermoshin e Shllakun. Nuk punon linja telefonike me Tamarën dhe Vermoshin.
TROPOJA
Rrugët janë të bllokuara. Vazhdon të bjerë dëborë. Me Dragobinë, ndërlidhja bëhet me radio. Shqetësime nuk ka.
Ora 13.30, datë 10.1.1985
INFORMACION
LUSHNJA
Si rezultat i reshjeve të mëdha, deri tani janë përmbytur 2380 ha tokë, nga të cilat 1000 ha me grurë, 600 ha me foragjere dhe 780 ha tokë e pambjellë. Hidrovorët e Karavastasë dhe Bishtukës, funksionojnë në rregull, por nuk janë në gjendje të përballojnë ujërat e mëdha, sepse prurjet janë më të mëdha sesa kapaciteti i tyre. Lumenjtë janë në shtratin e tyre dhe nuk ka rrezik për përmbytje. Ndërlidhja funksionon.
VLORA
Koha është e mirë, nuk ka gjendje shqetësuese.
PUKA
Bie dëborë, rrugët nuk punojnë, Në qytet ka mbi 2 m. dëborë. Radiostacioni është në rregull dhe funksionon mirë. Nuk ka pengesa për furnizimin e tij. Personat e nisur, kanë kaluar Gomsiqen.
GRUPI OPERATIV
Ora 14.00, datë 10.1.1985
INFORMACION
PUKA
Shoku Ferit Zeneli i nisur në drejtim të Pukës, ka mbetur në Gomsiqe, nuk mund të vazhdojë më rrugën për në Pukë, si dhe për t’u kthyer për në Shkodër, kërkon një “Tatërr” për të hapur rrugën për t’u kthyer në Shkodër.
OFICERI I GATISHMËRISË
INFORMACION
Më datën 10.1.1985, në lagjen ‘Mujaj’ të fshatit Shtiqen, nga një ortek dëbore janë dëmtuar 15 shtëpi, ku kanë vdekur 7 veta, 16 janë plagosur rëndë, kurse një fëmijë nuk është gjetur.
Më datën 11.1.1985, në fshatin Vilë ka rënë një ortek dëbore, ku ka goditur dy shtëpi me 19 persona. Nga këta 5 kanë dalë në gjendje shumë të rëndë, 3 të vdekur dhe 11 nuk janë gjetur akoma.
MIRDITA
Më datën 10.1.1985, një ortek dëbore ka rënë në Repartin e Riedukimit 303 në Spaç, ku ka shembur magazinën e veshë-mbathjes, furrën e bukës dhe gjysmën e magazinës së ushqimeve. Më datën 10.1.1985, Dega e Punëve të Brendshme Mirditë, njofton se Reparti i Riedukimit 303 në Spaç, nuk ka dritë elektrike dhe ndriçimi bëhet me motor. Karburant kanë vetëm për sot.
KRUJA
Më datën 10.1.1985, në fshatin Bruz-Zall është shembur një stallë dhish nga dëbora dhe për pasojë kanë ngordhur 5 kokë bagëti.
KORÇA
Rrugët automobilistike janë të hapura në të gjitha drejtimet. Linja telefonike Korçë – Ersekë, nuk punon. Probleme shqetësuese nuk ka, Vazhdon të bjerë dëborë.
ERSEKA
Rrugët janë të hapura. Nuk punon linjë telefonike Korçë-Ersekë. Vazhdon të bjerë borë.
POGRADECI
Rrugët kalohen me vështirësi. Ndërlidhja me fshatrat e zonave të thella dhe postat kufitare është e rregullt. Linja telefonike Pogradec-Korçë, nuk punon. Po merren masa për rregullimin e saj. Vazhdon të bjerë dëborë.
LIBRAZHDI
Rrugët me qytetet fqinjë i ka të hapura, me përjashtim të zonës së Qarishtës. Nuk punojnë linjat telefonike të Postë-Telegrafës me fshatrat, ndërsa ato të postave kufitare janë në rregull, me përjashtim të Qarrishtës.
GJIROKASTËR
Ujësjellësi i qytetit nuk është rregulluar akoma. Rreth 75 % e qytetit është pa ujë. Linja telefonike me Jorgucatin është ndërprerë. Janë marrë masa për rregullimin e saj. Vazhdon të bjerë dëborë.
PËRMETI
Në qytet ka rreth 18 cm. dëborë. Nuk ka probleme shqetësuese.
SARANDA
Koha është e mirë, niveli i ujërave është në rënie. Nuk ka probleme shqetësuese.
ELBASANI
Nuk ka ndërlidhje telefonike me fshatrat Zavalinë, Shmill, Qafë-Shmill, Gjinar, Labinot, Mëlizë e Gracen, dhe nuk dihet se si është gjendja. Janë përmbytur 15 ha me grurë në Ndërmarrjen Bujqësore Elbasan dhe 20 ha tokë e papunuar e kooperativave bujqësore.
Për shkak të reshjeve të shumta, ka shkarje toke në afërsi të uzinës së Mjekësit, e cila rrezikohet. Janë marrë masa për evitimin e shembjeve. Për nivelin e ujërave dhe rezervuarin e Murrashit të Librazhdit, nuk ka të dhëna. Vazhdojnë reshjet.
DURRËSI
Niveli i lumit të Shkumbinit në orën 11.30 në urën e Rrogozhinës ka qenë 1.60 m. Ndërlidhja me fshatrat e largëta është e rregullt. Përmbytje nuk ka.
FIERI
Niveli i ujërave të Vjosës në orën 9.10 të datës së sotme ka qenë 4.20 m. Është në rënie. Lumi Seman, 3.15 m. Është në rënie. Me postat e kufirit ka lidhje të rregullt telefonike dhe nuk ka probleme shqetësuese. Deri tani janë përmbytur 8000 ha tokë, nga këto 3100 me grurë, 2913 foragjere dhe 1987 tokë e pambjellë. Koha vazhdon të jetë e keqe, bie shi.
BERATI
Për shkak të reshjeve të dëborës, rrugët automobilistike Tërpan – Përmet dhe Sinjë –Shpirag, janë të bllokuara. Niveli i lumit Seman në Urën Vajgurore, ka qenë në orën 10.30 të datës së sotme, 2.18 m., nga 3.50 që është niveli kritik. Uji është në rënie. Ndërlidhja me të gjitha fshatrat e thella është e rregullt dhe nuk ka shqetësime.
Për Pukën, përveç problemeve të informuara, çështje të tjera nuk ka. Vazhdon të bjerë dëborë. / Memorie.al
OFICERI I GATISHMËRISË SË PËRHERSHME
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016














