Dashnor Kaloçi
Pjesa e dytë
Memorie.al/ publikon historinë e panjohur të familjes Butka me origjinë të hershme nga fshati Frashër i Dangëllisë, të cilët më pas u vendosën në Butkë dhe Orgockë të Kolonjës, i pari i tyre ka qenë Sali Butka, që fillimisht është njohur si Sali Tahir Aliçka. Dëshmitë e rralla të Uran Butkës, njërit prej pinjollëve më të njohur të kësaj familje të madhe dhe me emër në historinë e Shqipërisë, i cili njihet si: historian, studiues, publicist, shkrimtar, piktor, politikan dhe ish-deputet, duke qenë një nga personazhet publike mjaft të njohur të Shqipërisë së pas viteve ’90-të. Rrëfimet e z. Butka, për aktivitetin patriotik në dobi të çështjes shqiptare të gjyshit të tij, që njihej ndryshe si Plaku i Butkës, një rilindës i ushqyer me veprat e Samiut, Naimit, Jani Vretos etj., që u bë një përhapës i kulturës së Rilindjes, librave, shtypit dhe shkollave shqipe në Kolonjë e Korçë, ku bashkë me Petro Nini Luarasin dhe Jani Cico Kosturin, në vitet 1893-1895, hapën 5 shkolla shqipe në Kolonjë. Si i mbronte ata nga qeveria turke dhe Patrikana greke, pushka e Sali Butkës, ndërkohë që vetë Saliu, sillte fshehur nga Manastiri, libra shqip për shkollat e para shqipe. Historia e panjohur e të birit të tij, Safetit, nga diplomimi në Vienë në periudhën e Monarkisë së Zogut dhe më pas një nga krerët kryesorë të organizatës nacionaliste Balli Kombëtar gjatë periudhës së pushtimit të vendit (1939-1944), që sakrifikoi jetën e tij, për të ndaluar vëllavrasjen midis forcave komuniste partizane dhe atyre nacionaliste, e deri tek persekutimi i familjes Butka gjatë periudhës së regjimit komunist të Enver Hoxhës.
Zoti Uran, përse u inkuadrua Safeti me forcat nacionaliste të Ballit Kombëtar duke formuar çetën e tij dhe jo me komunistët?
Safeti e kishte njohur mirë teorikisht dhe praktikisht se ç’ishte komunizmi, thelbi i tij antikombëtar dhe antinjerëzor, ndaj zgjodhi alternativën e Rilindjes, atë nacionaliste. Ai shkoi në Kolonjë dhe krijoi çetën e parë nacionaliste, mandej në Korçë u zgjodh kryetari i çetave nacionaliste të qarkut të Korçës dhe pati mjaft luftime kundër italianëve. Mesazhi dhe përpjekja e tij ishte: “Paqe mes shqiptarëve, luftë kundër pushtuesve të huaj”. Ai ishte misionar i marrëveshjes dhe i bashkëpunimit mes shqiptarëve dhe ka dokumente në Arkivin e Shtetit për këtë mision të tij. Më 19 mars 1943 në Kolonjë u nënshkrua mes forcave nacionaliste të Safet Butkës dhe forcave partizane, marrëveshja prej 11 pikash për luftime të përbashkëta kundër italianëve (Dokumenti i Arkivit, Fondi 42, Dosja 22 v.1943). Letrat e Petrit Dumes dhe Josif Pashkos (pasqyruar dhe te libri “Safet Butka”) tregojnë për këtë bashkëpunim, kur ende s’ishte bërë Marrëveshja e Mukjes. Po kështu, ky bashkëpunim ishte bërë edhe në trevat e tjera shqiptare, që pastaj imponuan Marrëveshjen e Mukjes. Mirëpo, pas prishjes së Marrëveshjes së Mukjes nga komunistët dhe misionarët e Beogradit Dushan Mugosha dhe Miladin Popoviç, shqiptarët u vunë në luftë kundër shqiptarëve. Konferenca e Labinotit, 4 deri në 8 shtator 1943, vendosi për luftën e armatosur kundër nacionalistëve, kështu u dha urdhri i sulmit nga Enver Hoxha kundër tyre, jo vetëm kundër Ballit Kombëtar, por edhe të nacionalistëve të tjerë psh., kundër Abaz Kupit, Muharrem Bajraktarit, kundër vëllezërve Kryeziu etj., që luftonin më vete kundër italianëve dhe gjermanëve.
Ç’ndodhi me Safet Butkën në këtë kohë kur ishin këto ngjarje?
Safet Butka vijonte të luftonte kundër pushtuesve, madje edhe në beteja të përbashkëta me partizanët. Kemi një raport të Mis Durham “Çetat nacionaliste”, ku tregon për çetat edhe luftërat e prof. Safet Butkës, që e quan zemra e nacionalizmit shqiptar. Luftën e parë kundër italianëve e kanë bërë çetat e Safet Butkës me 350 luftëtarë, poshtë Qafës së Qarrit, në Floq, më 23 janar 1943. Po ashtu, luftimet në Voskopojë, Gjonomadh etj. Në këtë kohë ai organizoi edhe një betejë bashkë me partizanët në Pocestë afër Korçës, kundër një autokolone italiane: në një krah ishin vendosur çetat e Safet Butkës dhe nga ana tjetër, çetat partizane të Nexhip Vinçanit dhe patën dhe dëshmorë të përbashkët. Vetë fakti që në këtë betejë është vrarë Nexhip Mileci, nacionalist dhe dy partizanë, tregon se janë dëshmorë të një lufte të përbashkët antifashiste.
Cilën do të veçonit nga betejat më të njohura që ka marrë pjesë dhe udhëhequr babai juaj, Safet Butka?
Beteja më e madhe e organizuar nga Safet Butka kundër gjermanëve është ajo në kthesat e Barmashit, më 13 gusht 1943, në bashkëpunim me forcat britanike, sepse Butka bashkëpunoi me misionarët britanikë B. Maklin, shefin e misionit britanik dhe Dejvid Smajlin, me të cilët ka pasur edhe letërkëmbim. (Letrat janë në Arkivin e Shtetit).
Ç’ndodhi në këtë betejë?
Aty shkuan 800 luftëtarë nacionalistë me në krye Safet Butkën, pra në Vithkuq, ku qëndronte misioni britanik dhe atje kanë bërë marrëveshjen Maklin-Butka (Arkivi i Shtetit F. 250, D.40 viti 1943) për luftë të përbashkët në krah të aleatëve antifashistë në disa beteja kundër italianëve dhe gjermanëve. Pikërisht një nga këto beteja ishte ajo në kthesat e Barmarshit, jo lufta që u bë në korrik 1943 nga Batalioni “Tomorri” kur u dogj Barmashi, Borova dhe u masakruan 107 viktima. Ndërsa, në kthesat Barmashit, u evakuuan banorët e fshatrave afër, që të mos dëmtoheshin. Në këtë betejë mori pjesë edhe kapiteni anglez Dejvid Smajl (madje kam edhe unë një dhuratë prej tij, librin “Me detyrë në Shqipëri”, me dedikim: birit të Safet Butkës). Pas betejës kundër një autokolone gjermane që vinte nga Korça për të shkuar në Janinë, u vranë 25 gjermanë dhe u shkatërruan disa autoblinda. David Smajli u mori shenjat identifikuese të gjermanëve të vrarë, për t’i dërguar si dëshmi në Britani. Kjo ishte një betejë shumë e rëndësishme e çetave të Safet Butkës kundër gjermanëve (D.Smajli, botimi “Me detyrë në Shqipëri, Londër). I thashë këto për të dëshmuar që kundër pushtuesve gjermanë kanë luftuar edhe nacionalistët antifashistë. Mirëpo, pas prishjes së Marrëveshjes së Mukjes, filloi lufta civile e nxitur nga jugosllavët, sepse ata donin që shqiptarët të futeshin në luftë me njëri-tjetrin, që të tërhiqnin pas qerres së tyre edhe Kosovën, edhe Shqipërinë si republikë e shtatë e Jugosllavisë.
Mund të tregoni pak për ngjarjen ku humbi jetën babai juaj, Safet Butka?
Natyrisht edhe kjo gjë ndodhi kur mësymja komuniste në luftën për pushtet dhe për komunizëm, përfshiu gjithë krahinat e Shqipërisë në një luftë shkatërrimtare dhe e përgjakshme. Edhe Safet Butka, që ishte misionari i bashkimit mes shqiptarëve dhe i bashkëpunimit në luftën për liri, u rrethua më 19 shtator 1943 nga forcat komuniste në Teqen e Melçanit, një teqe e lartë, si një kështjellë, ku Safeti kishte mjaft ushtri dhe mbështetës. Ishin pikërisht forcat nacional-çlirimtare, të komanduara nga Nexhip Vinçani, që para katër ditësh nga kjo datë, kishin luftuar bashkërisht në Pocestë kundër italianëve dhe tani ishin urdhëruar të luftonin kundër Safet Butkës. Në atë kohë aty disa anëtarë të Komitetit Qarkor të Ballit Kombëtar Korçës, thoshin që t’ju biem komunistëve. Safet Butka nuk pranoi: “Nuk kemi dalë të vrasim shqiptarët” dhe deklaroi: “Të parin dhe të vetmin shqiptar që unë mund të vras, është vetja ime”. Kështu, ai vrau veten që të mos niste luftën vëllavrasëse dhe është çmuar ky akt edhe nga kundërshtarët, si një personalitet që e vrau veten, që të mos derdhej gjak shqiptari. Ai është dekoruar me urdhrin më të lartë, “Urdhrin e Flamurit Kombëtar” dhe me urdhrin “Nder i Kombit”.
Çfarë ndodhi me ju dhe familjen tuaj me ardhjen e komunistëve në pushtet?
Unë kam lindur më 2 dhjetor 1938, në Tiranë. Asokohe im atë, Safeti, mblodhi miqtë e tij, mes tyre edhe Dr. Bashon, bashkë student në Austri dhe themelues i spitalit dhe të maternitetit në Tiranë. Madje Dr. Bashoja ma ka vënë edhe emrin. E ka përshkuar Safeti në një ditar të vogël, këtë ditëlindje në shtëpinë tonë në Tiranë. Jeta ime filloi aty, më vonë u trazua, sepse vetë jeta e familjes sonë u trazua. Pas Luftës së Dytë Botërore dhe marrjes së pushtetit nga komunistët, i pari veprim ndaj familjes Butka ishte sekuestrimi i të gjithë pasurisë së Safet Butkës si “armik i popullit”. E para familje që u internua në kampin e përqendrimit të Krujës në vitin 1945 ishte familja Butka. Ka pasur dy lloje internimesh: në kampe përqendrimi të rrethuar me tela me gjemba, me roje të armatosura si ato të nazifashizmit siç ka qenë kampi i Krujës, i Kamzës dhe i Tepelenës dhe mandej kampet e internimeve në tërë Shqipërinë. Nuk po zgjatem në këto vuajtje, pasi pjesa më e madhe e shqiptarëve i ka hequr; në fund të fundit vuajtja është një fatkeqësi, nuk është ndonjë meritë. Natyrisht, ajo që na u gjend pranë në fatkeqësi ishte nëna ime, Hatixheja, ajo na rriti me sakrifica.
Prej sa vetash përbëhej familja juaj?
Ishim katër fëmijë jetimë: dy vëllezërit e mi të mëdhenj, Iljazi dhe Saliu, unë më i vogli dhe motra Tefta. Ajo na ushqeu me dashurinë për Safetin, pavarësisht se ç’thuhej nga historiografia komuniste. Koçi Xoxe thoshte se: Safeti, duke vrarë veten, na i kurseu neve një plumb ballit”. (Vite më vonë, kur unë u përfshiva në Lëvizjen Demokratike, u përsërit kjo insinuatë te “Zëri i Popullit”, ku u shkrua: “Uran Butka do të vrasë veten si i ati”. Kur u ktheva nga Kolonja, e gjeta nënën duke e lexuar këtë artikull. Ishte e tmerruar.
Të mbetemi te periudha kur filloi persekucioni ndaj familjes suaj?
Po, nëna pas internimit punonte punëtore krahu në Ndërmarrjen e Ndërtimit “Muhamet Gjollesha” në Tiranë, ku prodhoheshin pllakat e çimentos, me duar të çara dhe shpirt ndër dhëmbë. Na ushqeu dhe na rriti me halle, por kishte merakun shkollës, e ushqyer edhe nga Safeti, se gjithmonë nga Ventotene ai i shkruante: “Mos i ndaj fëmijët nga shkolla dhe nga puna, që të marrin edhe edukatën e punës”. Ndërkohë, mundohej të mos dukej nëpër Tiranë, lëvizte si një hije, vetëm shkonte në punë dhe kthehej, sepse kishte frikën e një internim tjetër.
Si nuk ju hoqën nga Tirana ju si familje, kur Safet Butka konsiderohej armiku më i madh i komunistëve?
Do t’jua shpjegoj edhe atë gjë, por në parantezë po ju tregoj një ngjarje: Ne ishim vendosur me banim jo në shtëpinë tonë që ndërtoi Safeti me kredi dhe ku linda unë, por në një dhomë në shtëpinë e Cen Kazazit, doktori popullor i kockave. Ai na strehoi në fillim me qira dhe më pas nuk na merrte as qira. Një ditë gratë e lagjes erdhën në atë shtëpi dhe i futën krahun nënës, duke i thënë se kishin një mbledhje të rëndësishme te kinema “17 Nëntori”. Ajo s’shkonte kurrë nëpër mbledhje, por e morën bashkë me gruan e Cen Kazazit dhe u ulën në një rresht karrigesh të kinemasë. Përpara se të fillonte mbledhja, ku do të fliste një udhëheqës, doli në skenë një ushtarak, që në fakt ishte nip i Safet Butkës, nga ana e nënës së tij. Ai quhej Begator Kozeli. Safeti, kur ishte profesor në Liceun e Korçës, e mori Begatorin nga fshati Kozel dhe e mbajti në shtëpi, e çoi në Lice ku mësonte, ndërsa nëna i preu një palë rroba të reja dhe kujdesej për të si për fëmijën e saj. Gjatë luftës ai doli partizan dhe u bë ushtarak i lartë.
Ju a diti ky person ndihmën e dhënë nga familja juaj?
Fatkeqësisht jo. Pra, ky ushtarak, doli para skenës në atë mbledhje, e dalloi nënën veshur me të zeza dhe i drejtoi gishtin. Ajo e pa gishtin drejtuar nga ajo dhe mënjanoi kokën për të mos rënë në sy. Begatori thirri një nga njerëzit e Sigurimit të Shtetit dhe i tha: “Ajo grua është reaksionare, të nxirret menjëherë nga salla, se nuk fillon mbledhja pa dalë ajo”. Nëna ime është nga një familje e madhe patriote. I ati i saj, Ramiz Lubonja ishte vrarë në vitin 1912, sepse luftonte kundër pushtuesve osmanë në çetën e Sali Butkës, ndërsa e ëma e saj piu helmin, pasi nuk e donte jetën pas vrasjes së Ramizit, duke e lënë nënën jetime gati një vjeçe e gjysmë. Pra, pati një jetë fatkeqe, që i vazhdoi edhe pas vrasjes së të shoqit, Safetit. Pra, kësaj gruaje patriote, intelektuale e bujare, i drejtohej gishti?!
Ç’ndodhi me nënën tuaj?
Nga ajo që ndodhi aty u shqetësuan edhe gratë e lagjes, sidomos e shoqja e Cen Kazazit, që tha se do të dilnin të gjitha si grup dhe në të vërtetë dolën nga salla, si në ato tragjeditë e lashta, një rresht grash që iknin nga skena, për të mos e lënë vetëm nënën. Ajo më tregonte më pas: “Në atë moment u puqën sytë e mi me sytë e tij. Dallova jo një urrejtje për mua, se s’kishte pse ta kishte, por unë pashë një gjë tjetër, ai e bënte këtë gjë për t’i treguar pushtetit sesi e bënte ai luftën e klasave. Dhe vërtet ai u gradua më pas, por edhe e pësoi si shumë të tjerë nga lufta brenda llojit”. Një ngjarje tronditëse, përveç halleve të tjera të dhimbshme, sidoqoftë ajo na rriti mes vuajtjes dhe ne nuk humbëm.
A jua injektoi nëna juaj ndonjëherë urrejtjen ndaj atyre njerëzve që ju kishin bërë keq?
Absolutisht jo. Madje, as nuk na thoshte gjëra të tilla, sepse nuk donte të na dëmtonte dhe hakmarrjen të mos e kishim brenda vetes.
Ku u shkolluat ju?
Unë vazhdova shkollën e mesme pedagogjike, punova arsimtar për disa vjet në rrethin e Fierit dhe të Krujës. Në këtë kohë, në një moment të zigzageve të luftës së klasave, të zbutjes së saj, varur nga marrëdhëniet e Shqipërisë me botën, na u dha mundësia që të ndiqeshin studimet universitare me korrespondencë. Unë kreva studimet për Filologji dhe u emërova mësues Letërsie në gjimnazin e Krujës. Isha një mësues korrekt, që e bëja me pasion mësuesinë, më donin nxënësit dhe krutanët.
Patët ndonjë vështirësi në kohën që ishit mësues në Krujë?
Këtu desha të ndalem dhe po ju rrëfej edhe një ngjarje nga kjo kohë. Sollën në Krujë me qarkullim kuadrosh Masar Begteshin, që kishte punuar në Komitetin Qendror të Partisë, e prunë si drejtor të Shtëpisë së Kulturës. Në prag të festës së Krujës, 22 shtatorit, ai thirri në mbledhje ata që merreshin me kulturën e qytetit, bie fjala me këngët, vallet etj. Më thirri edhe mua që përgatisja çdo vit nxënësit për recitime dhe më tha: “Ti do të recitosh ‘Epopenë e Ballit Kombëtar’ të Shefqet Musarait”. Unë iu përgjigja se mësuesi nuk reciton nëpër festa, por përgatit nxënësit dhe se ky ishte një provokim nga ana e tij. Siç dukej, ishte parapërgatitur terreni.
Ç’ndodhi më pas?
Masari përpiloi denoncimin se unë nuk kisha pranuar te recitoja “Epopenë e Ballit Kombëtar”, sepse isha i biri i Safet Butkës etj., kështu u pre fletarresti për mua nga Dega e Brendshme, e cila do ta bënte arrestimin në mënyrë demonstrative në një klasë të maturës, ku jepja mësim, në mënyrë që të ngjallnin frikë te nxënësit dhe te familjet krutane. Drejtori i gjimnazit, Stefan Bulo, kundërshtoi që unë të arrestohesha në shkollë, kur kjo mund të bëhej jashtë ambienteve të saj. Për këtë shkak ai shkoi në Komitetin e Partisë, ku sekretar i parë ishte Piro Kondi. Stefani, drejtor me integritet dhe me kurajë, ishte nga Zagoria, nga ishte edhe Piro Kondi dhe familjet e tyre ishin miq e të afërt. Ai i kërkoi Piro Kondit, që unë të mos arrestohesha në orën e mësimit në mes të nxënësve dhe i tregoi të vërtetën e asaj ngjarjeje. “Po ç’njeri është ky”, e pyeti Pirro? Drejtori i tha se “është mësuesi më i mirë i shkollës”. “Po i kujt është”, vazhdoi sekretari i parë? “I biri i Safet Butkës”, i’u përgjigj drejtori. “Ashtu…, unë kam qenë nxënësi i Safet Butkës në Gjirokastër. Ishte drejtor, mësues dhe patriot i mirë. Ai e vrau veten për të mos luftuar kundër nesh (thënë në intimitet). Jo vetëm që nuk do arrestohet në sy të nxënësve, por s’do të arrestohet fare. Le të merret ndonjë masë tjetër”, urdhëroi Pirro Kondi.
U zbatua urdhri i tij?
Po, patjetër. Në të vërtetë, nuk më arrestuan, por më çuan mësues në një fshat të Krujës, Derven i thonë. Pas disa vitesh, më pushuan nga puna, si mjaft të tjerë me “njolla në biografi”, se dolën kuadro të rinj besnikë të partisë. Unë u ktheva në Tiranë dhe punova si punëtor. Më pas u futa në shkollën e mesme artistike “Jordan Misja”, që të merrja një profesion tjetër. Arrita të vendosesha në fabrikën e këpucëve si piktor. Kështu vazhdoi një jetë pak a shumë më e qetë. Në fabrikën e këpucëve u njoha me mjeken Merjeme Pasmaçiu, që kishte ardhur atje për një studim mjekësie. Ajo ishte nga një familje qytetare beratase. Kështu, ngritëm familjen, por na goditi lufta sërish e klasave./Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016