Pjesa e pestë
Memorie.al / Ditarët e luftës të Komandës Supreme të Forcave të Armatosura Gjermane (Kriegstagebuch des Oberkommandos der Wehrmacht, KTB OKW), në vitet 1940-1945, u mbajtën nga Zyra e Mbrojtjes Kombëtare pranë Shtabit të Operacioneve të Forcave Ushtarake gjermane (Abteilung Landesverteidigung im Wehrmachtführungsstabamt). Këto ditarë lufte, përshkruajnë strategjitë, betejat, lëvizjet e trupave, linjat e fronteve, qëllimet, vendimet operacionale dhe planet e luftës dhe vlerësimet e situatave luftarake, prej udhëheqjes më të lartë të forcave ushtarake gjermane. Sekretari i Ditarëve të Luftës në Komandën Supreme të Forcave të Armatosura Gjermane, ishte Helmuth Greiner deri më Mars 1943 dhe më pas Percy Ernst Schramm. Në vitet 1961-1965 ditarët e luftës u përpiluan nga historianët dhe u botuan nga shtëpia botuese Bernard & Graefe Verlag für Wehrëesen, Frankfurt am Main. Historiani kryesor ishte Percy Ernst Schramm dhe ndihmësit e tij historianë përkatësisht sipas vëllimeve ishin si më poshtë:
Vijon nga numri kaluar
Zhvillimet Luftarake në Juglindje (01.01.1944 – 31.03.1944) Hapësira juglindore si pjesë e teatrit të përgjithshëm luftarak. Vështrim mbrapa i vitit 1943
Faqe 603. Fronti i tretë në zonën jug-lindore, bregu shqiptaro-malazez-dalmat, nuk paraqiste rrezik të madh, në kohën që tokat italiane në bregun e përtejmë, ishin të gjitha në duart e fuqive të Boshtit. Sidoqoftë, dendësia shumë e vogël e rrjetit rrugor, mungesa pothuajse e plotë e hekurudhave, gjendja e ujësjellësve, etj., do ta vështirësojnë përparimin e forcave armike dhe do t’i japin kohë komandave tona, të marrin masat e nevojshme.
Faqe 604. Pasi më 25.07.1943, ra qeveria e Musolinit në Itali, u zbatua me atë rast plani “Achse” (më parë i quajtur “Alarich”, për Italinë dhe “Konstantin”, për Ballkanin): ndërhyrja në Itali dhe në zonën jug-lindore, çarmatosja e italianëve dhe marrja përsipër e mbrojtjes së zonave që më parë ishin të mbajtura nga italianet në Kroaci, Mal të Zi, Shqipëri dhe Greqi.
Faqe 605. Një pjesë e trupave italiane u hodh në anën e kryengritësve, sidomos pasi u dha lajmi se Italia nuk luftonte më në krah të Gjermanisë, dhe mbanin nën kontroll një pjesë të madhe të bregut dalmatiko-malazezo-shqiptar.
Faqe 606-607. Hitleri theksoi në ditët e fundit të Dhjetorit 1943, se ai parashikonte një sulm armik në zonën e Ballkanit, sidomos në krahun e bregut dalmatiko-malazezo-shqiptar.
Shpërndarja e forcave në fillim të vitit 1944
Faqe 611. Në Shqipëri kishte dy njësi ushtarake gjermane: në afërsi të bregdetit, në perëndim të Beratit, ndodhej Divizioni 100 Gjuajtës dhe në zonën e Crna-s [Malit të Zi – shën. red.] Divizioni 297 Këmbësor, të dy nën komandën e Korparmatës XXI-të.
Analiza dhe masat kundrejt një zbarkimi të aleatëve në Nettuno të Italisë (22.01.1944)
Faqe 613. …. Operacionet e zbarkimit të aleatëve janë të mundshëm, së pari në bregun perëndimor të Ballkanit, nga Arta deri në jug të Splitit dhe së dyti, përmes Detit Egje, drejt Selanikut. Në atë rast Turqia, do të braktiste asnjanësinë e saj ose, edhe nëse do zbatohej operacioni “Gertrude” [i pushtimit të Turqisë nga ushtria gjermane – shën. red.], aleatët do të zbarkonin në bregun perëndimor të Ballkanit.
Riorganizimi i njësive SS
Faqe 623-624. Më 02.03.1944, iu bë me dije Komandës së Lartë Juglindore, se i jepej komanda taktike mbi Divizionin 18-të SS, Këmbësorie të Motorizuar “Horst Wessel”, përfshirë edhe trupat e zëvendës-komandës së përgjithshme të Korparmatës XVII-të. Deri në një urdhër të ri, ky Divizion lejohej të përdorej vetëm për detyra të ruajtjes së sigurisë, brenda rajonit ku ai ndodhej. E njëjta gjë vlente edhe për Divizionin SS “Skanderbeg”, i cili siç iu bë me dije Komandës së Lartë në Jug-lindje, më 12.03.1944, do të krijohej nga trupa shqiptare, të ndodhura në Divizionin XIII-të SS boshnjak dhe trupa milice shqiptare.
Serbia dhe Mihaloviçi në dimrin 1943-1944
Faqe 639. Edhe në Shqipëri pati në fillim kushte të përshtatshme për bashkimin e forcave kundra-komuniste dhe ngritjen e njësive malice, në përputhje me planin nga Hermann Neubacher. Fuqia shtytëse në atë drejtim, ishte Ministri filogjerman, Xhafer Deva. Në bashkëpunim me të, filloi në Janar 1944, ngritja e një aparati shtetëror zbatues. Bëhej fjale në fillim për mbështetjen e katër batalioneve këmbësorie, të cilët ishin tashmë në veprim dhe forcat pushtuese, do t’i ndihmonin nëpërmjet dhënies së armatimit, pajisjeve, personelit stërvitës dhe mbikëqyrës.
Veç asaj, do të përgatitej bashkimi i të gjitha njësive që ndodheshin nën udhëheqjen e krerëve të fiseve ose udhëheqësve, në një ushtri kombëtare. Udhëheqja ishte në dorën e një SS të lartë dhe kryekomandanti policisë në Shqipëri, Gjeneral-Majorit dhe Komandant-Brigade, SS, Josef Fitzthum, i cili në dukje ishte këshilltar i Sekretarit të Shtetit Shqiptar, për sigurinë kombëtare. Komanda operacionale e njësive ushtarake shqiptare të përmendura më lart, në të gjitha çështjet e veprimit ushtarak, të vend-ndodhjes dhe kohës së veprimit të trupave, ishte në dorën e Komandës së Përgjithshme të Korparmatës XXI-të në Tiranë.
Atëhere ishte edhe posti i gjeneralit të plotfuqishëm gjerman, në fillim gjenerali, Theodore Geib dhe pastaj gjenerali Otto Gullmann, të cilët fillimisht kishin për detyrë të ushtronin ndikimin e tyre mbi autoritetet shqiptare (për të cilat Ministria e Jashtme gjermane, kërkon një pavarësi sa më të madhe) sipas udhëzimeve të Komandës së Lartë Jug-lindore.
Shtabi i gjeneralit të plotfuqishëm gjerman, u zvogëlua në periudhën fundviti 1943 – fillim-viti 1944; për ca kohë u hodh mendimi të bëhej një bashkim, me komandën e gjeneralit të Korparmatës XXI-të, por ajo nuk u ndoq më tej. Bashkë-ekzistenca e këtyre komandave të ndryshme, të cilave iu shtohej edhe i plotfuqishmi i Ministrisë së Jashtme Gjermane [Hermann Neubacher], krijoi njësoj si në Kroaci, vështirësi të mëdha.
Të gjitha ato masa vështirësoheshin njësoj si në Mal të Zi, prej situatës së vështirë ekonomike dhe furnizimit të keq me ushqime. Masat parandaluese të autoriteteve gjermane, para së gjithash të të dërguarit Hermann Neubacher, kundër ngritjes së çmimeve dhe inflacionit, ishin vetëm pjesërisht të mbara. Në Mars – Prill 1944, të dy vendet kërcënoheshin nga uria. I dërguari Hermann Neubacher, u përpoq të ndihmonte nëpërmjet ushtrisë gjermane dhe ndër të tjera, kërkoi dërgimin e 120 kamionëve.
Meqenëse ato mund të dërgoheshin vetëm pjesë-pjesë, Komanda Supreme Gjermane, i lejoi Komandës Jug-lindore të ndihmonte me mjetet e veta; ideja ishte që Komanda Jug-lindore, në zonat ku popullsia civile nuk furnizohej dot nëpërmjet administratës vendore, të merrte përsipër jo vetëm furnizimin, por edhe përgjegjësinë për ato zona, kuptohet në bashkëpunim të ngushtë, me të dërguarin Hermann Neubacher.
Luftimet në muajt e dimrit dhe të pranverës
Faqe 647. Më 13.02.1944, Komanda në Jug-lindje, mori urdhrin që Divizioni 100 Gjuajtës, i cili shërbente për mbrojtjen e brigjeve të Shqipërisë, të largohej që andej me shpejtësi, në mbrojtje të hekurudhës, në rajonin Manastir-Shkup.
Faqe 654. Kur nuk ishte akoma e qartë, se si anglo-amerikanët do t’i zhvillonin luftimet, pasi kishin pushtuar Italinë, komanda gjermane u muar gjerësisht me mundësinë e një zbarkimi armik, në anën perëndimore të gadishullit ballkanik, duke u nisur nga Italia.
Prandaj ajo dhe u përpoq të kontrollonte sa më shpejt, portet dhe ishujt e bregut dalmatin-malazez-shqiptar-grek. Gjë që dhe e arritën në shumicën e rasteve, në muajt e vjeshtës së vitit 1943. Në zonën bregdetare të mësipërme, që mund të kërcënohej nga një zbarkim i aleatëve, mendohej se vepronin trupa banditeske, të një numri prej rreth 20.000 vetash.
“Bardhë” dhe “Kuq” në Greqi
Faqe 669-670. Ndërsa vëmendja e ushtrisë gjermane në verën e viti 1944, ishte përqendruar në Kroaci, forcat ushtarake në Greqi ishin të pakta në numër, me detyrë kryesore, mbrojtjen bregdetare dhe operacioneve të spastrimit në rrethina. …. Lëvizjet e rezistencës greke, kurrë nuk u shndërruan në operacione në shkallë të gjerë, ashtu siç ndodhi me Titon dhe tre ofensivat e tija, në Serbi.
Ato ishin të lidhur shumë ngushtë me rajonin ku kishin fuqi dhe ndikim. Ndërsa ELAS [forcat komuniste – shën. red.], kishte ndikim në shumicën e Peloponezit, në Boeti, Thesali-Trakë, (shtabi i tyre, ishte në Verna në jug të Edesës) dhe në thellësi të Epirit; EDES [forcat jo-komuniste – shën. red.] ishte i kufizuar në veri të Gjirit të Artës, deri në Parga.
Me udhëheqësin e forcave EDES, kolonel Zerva, dhe sipas planit të dërguarit të posaçëm, Hermann Neubacher, Korparmata XXII-të Malore, në vjeshtën e vitit 1943, bëri një marrëveshje armëpushimi të përgjithshëm, e cila u respektua deri në Korrik 1944. Në anën tjetër, marrëveshjet me forcat ELAS, kanë qenë vetëm të veçanta dhe sipas vendit.
Meqenëse marrëdhëniet ndërmjet grupeve të rezistencës greke, ndryshonin vazhdimisht (ELAS dhe EDES kalonin nëpër marrëveshje afatshkurtra dhe të izoluara), udhëheqja gjermane kishte më shumë raste, për të ndërhyrë për të nxjerrë jashtë loje njërën palë dhe penguar një operacion të përbashkët të tyre.
Lufta kundër kryengritësve në drejtimin juglindor në kohën e ofensivës së përgjithshme të aleatëve dhe tërheqjes së trupave gjermane
Faqe 670. Komanda e Lartë Jug-lindore, lajmëronte më 21.06.1944, se nuk priste ndonjë sulm frontal në Peleponez dhe as në rajonin e ishujve Kretë-Rodos. Megjithatë, duheshin llogaritur sulme të vogla vendore në zonën e veri-perëndimit të Greqisë dhe në Shqipëri.
Faqe 671-672. Më 05.06.1944, Divizioni I-rë Malor filloi operacionin “Gemsbock” (‘Cjapi i Egër’) në zonën kufitare Shqipëri-Greqi, duke u nisur nga Maqedonia. Pas ngritjes së një linje bllokuese në kufi, duke u nisur nga liqenet, duhej ecur përpara në drejtimin jug-perëndimor, në drejtim të bregdetit. Në këtë zonë, pas largimit të Divizionit 100 Gjuajtës, siç thekson Komanda e Lartë Jug-lindore, me 17.05.1944, është rritur tej mase veprimi banditesk, i mbështetur nga anglezët dhe ka arritur një nivel të lartë rrezikshmërie.
Komanda Jug-lindore njofton më tej, se me përjashtim të një zone të ngushtë në bregdet dhe disa pikave mbështetëse përgjatë rrugës Korçë-Janinë, ekziston në atë zonë pararoja e një trupe armike zbarkuese, e cila duhej marrë shumë seriozisht edhe për shkak të afërsisë me Barin, Brindizin dhe Tarentin, që krijonin mundësinë e një zbarkimi të papritur dhe se Korfuzi kërcënohej rëndë nga sulme armike.
Komanda Jug-lindore kishte parashikuar për atë operacion spastrues, Divizionin IV-të SS, të Këmbësorisë së Motorizuar të policisë kufitare, por shtabi drejtues i ushtrisë gjermane, nuk qe dakord me atë vendim, meqenëse ai Divizion, si njësia e vetme e motorizuar, nuk duhej të ngatërrohej në luftën me bandat, por për më tepër të mbahej gati atje ku ndodhej (në Thesali), si një rezervë e motorizuar; “me sytë nga bregu”.
Përparimi i Divizionit I-rë Malor, hasi në një rezistencë të fortë të forcave kryengritëse, që ishin të armatosura mirë. Si edhe në operacionin “Rösselsprung“ [më 25.05.1944 – 06.06.1944 për kapjen e Titos, në Drvar të Kroacisë – shën. red.] forcat anglo-amerikane bombardonin, duke u nisur nga aeroportet italiane, duke ndërhyrë kështu seriozisht në luftime.
Më 12.06.1944, Divizioni I-rë Malor, arriti bregun dhe u kthye nga jugu drejt linjës siguruese, të ngritur më parë në kufi. Si rrjedhim i operacionit, lajmëronte Komanda e Lartë Juglindore më 25.06.1944, armiku kishte pësuar humbje të mëdha dhe në zonën e Shqipërisë jugore, ishte e garantuar tani për tani, liria e lëvizjeve operative.
Faqe 672-673. Në zonën e Shqipërisë së Veriut, u zhvilluan në gjysmën e dytë të Korrikut 1944, luftime të ashpra mes Divizionit “Skanderbeg”, (i krijuar nga forca shqiptare, fillimisht pjesë të Divizionit 13-të SS Malor “Hanxhar”), që ndodhej atje që në Maj 1944 dhe forcave komuniste, për të cilat këtu nuk po flitet më hollësisht. Ky Divizion, pati këtu luftime të vështira (shiko Librin e Situatës më 24.07, 25.07, 28.07.1944).
Në armatimet dhe mënyrën e luftimit të trupave komuniste, u vu re përparim në bashkimin e grupeve të veçanta komuniste dhe lidhja e tyre e ngushtë me Titon. Nga fundi i muajit, ky Divizion u ndesh në kufirin shqiptaro-malazez, me një sulm të ri të komunistëve, që përpiqeshin të hynin në Serbinë jugore (shih Librin e Situatës 28.07.1944). Atëhere Divizioni mori urdhrin (operacioni “Draufgänger“), të krijonte një zonë përgatitore për një ofensivë të madhe të mëvonshme, duke u nisur nga rajoni në perëndim të Pejës, për të sulmuar në drejtim të Beranit.
Në luftimet kundër forcave të organizuara të Titos, qendra e rëndesës, me gjithë humbjet e mëdha që kishte pësuar lëvizja e Titos në Prill dhe gjysmën e parë të Majit 1944, ishte përsëri në zonën kufitare të Serbisë dhe Malit të Zi, si dhe në vetë Malin e Zi. Komanda e Lartë Jug-lindore, vinte në dukje që më 17.05.1944, se Mali i Zi, në vend që të ishte një pjesë izoluese mes Kroacisë dhe Shqipërisë, rrezikonte të kthehej në një zonë të fuqishme, të pushtetit të kuq. Korparmata e dytë komuniste, kishte arritur të ruante këtu fuqinë e saj goditëse, duke u bërë kështu pikë grumbullimi për trupa bandite, që ishin goditur dhe dobësuar në rajonet e tjera.
Me sa duket “udhëheqja e kuqe”, ka për qëllim të rifreskojë trupat në Mal të Zi dhe të fillojë një ofensivë të re, në drejtim të Serbisë. Në ditët e fundit të Majit 1944, ndërkohë që në Bosnje zhvillohej operacioni “Rösselsprung”, forca të fuqishme komuniste, u përpoqën të futeshin në Serbi nga pjesa jug-lindore e kufirit serbo-malazez (Libri i Situatës 30.05.1944). Në fillim të Qershorit u grumbulluan trupa në verilindje të Malit të Zi, nën komandën e gjeneralit Leeb [Helge Auleb? – shën. red.] për të pushtuar aeroportet dhe vendet ku mund futeshin bandat. (Libri i Situatës 06.06.1944).
Në fund të Qershorit, u hartua plani për të ndërmarrë një operacion tjetër spastrimi, në të cilin do të merrnin pjesë Divizioni shqiptar SS “Skanderbeg”, së bashku me forcat malore dhe të policisë SS (Libri i Situatës 20.06.1944). Operacioni përfundoi më 30.06.1944, pa arritur që të shkatërronte forcat e grumbulluara armike, të cilat përpiqeshin për t’u futur në Serbinë jugore, (Libri i Situatës 01.07.1944).
Faqe 674. Gjenerali nacionalist grek, Zervas, që pati bërë marrëveshje për qëndrim asnjanës me gjermanët, i sulmoi forcat gjermane papritmas, më 05.07.1944, në linjën Prevezë-Agrinio. Mendohet se atë ta ketë bërë, mbase nën nxitjen e anglezëve, por nuk përjashtohet mundësia, ta ketë bërë edhe thjesht për interesin vetjak. ……
Në një përmbledhje të vlerësimit të situatës më 12.07.1944, Komanda Jug-lindore thekson se; ekziston mundësia e një lidhjeje mes gjallërimit të forcave të Zervës dhe qëllimeve të zbarkimit të anglo-amerikanëve në Greqinë perëndimore, ose në Shqipërinë jugore dhe e quante në këtë çështje, shkatërrimin e trupave të Zervës, si një detyrë shumë të rëndësishme. Memorie.al
Përkthyer nga Ana Kolevica
Redaktor Saimir Lolja
Vijon numrin e ardhshëm