Nga Nestor Topençarov
Pjesa e tretë
DRAMA E JETËS
(HISTORIA E NJË FAMILJEJE)
Këtë libër ia dedikoj: Të gjithë bashkëvuajtësve. Familjeve të tyre. Dhe në veçanti, personave që nuk patën mundësi të tregonin odisenë e jetës, gjatë diktaturës komuniste.
P A R A TH Ë N I E
Memorie.al Kam lindur në qytetin e Korçës, në 22 tetor të vitit 1953. Nga Shqipëria, jam larguar në muajin tetor të vitit 1990, pasi na u dha e drejta familjarisht, për t’u riatdhesuar në Jugosllavi (sot Maqedonia e Veriut). Në qershor të vitit 1992, emigrova në Itali, ku jetoj edhe sot. Megjithëse jam larguar prej 32 vitesh, lidhjet nuk i shkëputa, pasi Shqipëria ishte vendi i lindjes, ku kalova 37 vite, dhe se një pjesë e gjakut tim, është shqiptar. Vite më vonë, lidhjet me Shqipërinë u përforcuan, pasi edhe gruan e mora nga Durrësi. Vinim çdo vit me pushime, por koha e shkurtër e qëndrimit, bëri që shumë kontakte të ndërpriten. Megjithatë, shokët dhe miqtë e vërtetë kishin mbetur përgjithmonë në zemrën time.
Tre vitet e fundit nuk pata mundësi të vizitoja Shqipërinë. Por gjatë vitit 2022, erdha disa herë. Impenjimi im nga njëra anë dhe rastësia nga ana tjetër, bënë të mundur që të rikrijoj lidhjet me shokë dhe miq, me të cilët kisha dekada pa u parë. Duke ditur të kaluarën time, disa prej tyre më këshilluan të hidhja në letër, atë çka më kishte ndodhur në jetë. Në fillim kjo ide m’u duk utopi, pasi edhe pse kisha qenë nxënës i mirë, në hartime nuk kisha patur prirje. Më pas reflektova. Do të shkruaja thjesht historinë time, ngjarje të vërteta, ku nuk duhej shumë frymëzim. Ndoshta një shkrimtar, këto ngjarje do të dinte t’i paraqiste, ashtu siç di një artist i vërtetë i penës. Ndërsa unë do t’i shkruaj, pa shumë përshkrime: shkurt, thjesht, nudo, ashtu siç kanë ndodhur.
Një diçka tjetër që më shtyu edhe më shumë të shkruaj këtë libër, ishte një intervistë në Tv Klan, të cilën e pashë në tetor të këtij viti, e drejtuar nga gazetari i mirënjohur Blendi Fevziu. Nuk kërkova hakmarrje. Por nuk pata as drejtësi. Me anën e këtij libri, do t’i bëj të njohur opinionit publik shqiptar, rolin e individëve që kontribuan në vuajtjet e mia e të familjes sime. Dhe sot, po vendos gishtin mbi këto “qenie”, jo për detyrën që ata kanë patur, por për mënyrën se si e kanë kryer atë. Shkrimin tim, do ta filloj me gjyshin, nga ana e mamasë, për të vazhduar me babanë tim, ku do të prek momentet më kyçe të jetës së tyre. Kjo do të ndihmojë lexuesin për të njohur prejardhjen time.
Më pas do të flas edhe për vete. Në këtë libër do të tregoj gjithashtu, edhe disa ngjarje, njëra më dramatike se tjetra, që ju kanë ndodhur njerzëve, të cilët kam patur nderin t’i njoh. Më vjen mirë që janë botuar mjaft libra, mbi vuajtjet dhe persekutimet e “armiqve të popullit” dhe familjeve të tyre nëpër kampe internimi dhe burgje, gjatë diktaturës komuniste. Kam mundur të lexoj disa nga këto vepra. Besoj që ky libër, në mënyrë modeste, do të kontribuojë për të njohur edhe më shumë metodat çnjerëzore të Sigurimit të Shtetit, mënyrën si krijonin akuzat dhe si shkatërronin persona dhe familje për të mbajtur popullin nën terror.
Autori
Dhjetor, 2022
KAPITULLI I PARË
Në shtëpi kishim rreth 8-9 kobure të veshura me argjend, të kohës së Turqisë, që gjyshi i mbante në vitrinën e dyqanit. Ishin në gjendje shumë të mirë. Mekanizmat e tyre prej hekuri nuk funksiononin, por ishin objekte me vlera historike. Kishim edhe mjaft pjesë të tjera koburesh, që gjyshi nuk kishte arritur t’i restauronte. E dija që këto armë antike, kishin edhe një vlerë të madhe monetare. Më kujtohet se kur isha në gjimnaz, vjen një punonjës muzeu nga Tirana dhe i ofron babait 15.000 lek për një kobure. Për atë kohë kjo ishte një shumë e madhe, rroga tremujore e një punëtori. Pasi bisedoi me mua, babai vendosi të mos i shesë.
Meqenëse bodrumi ynë ishte një ambient i mirë dhe pa lagështi, të gjitha këto objekte me vlerë, (veç armëve kishte dhe objekte të ndryshme, të gjitha prej argjendi), i kishim vendosur në një arkë prej druri. Kur u bë kontrolli i parë, ata bodrumit sa i hodhën një sy. Në atë kohë, ambienti ishte i mbushur plot me dërrasa dhe copa trarësh të vjetër, që kishin dalë gjatë ndërtimit. Këto babai do t’i priste dhe do t’i sistemonte si lëndë druri, për dimrin e ardhshëm.
Pas kësaj vizite të dytë të Sigurimit, mendova që koburet, vezmet dhe kuti të tjera argjendi t’i fshihja, por pas shumë kontrolleve që u bënë, me metal-detektor, pas arrestimit tim, i gjetën dhe i morën. Nuk u bë asnjë proçes-verbal për sekuestrimin e tyre. Të nesërmen, shkova përsëri në Degë dhe i kërkova Irakliut, se si ishte e mundur që për disa armë antike, të mbahej babai ende në arrest. (Në ditët e para, në qytet qar- kullonte fjala, se babai ishte arrestuar për armëmbajtje pa leje). Përgjigja e tij ishte se: “Atë e dinin ata dhe unë do bëja mirë, të kthehesha në fakultet”!
Vitet ‘75-’76, kanë qenë vite të shumë internimeve dhe arrestimeve me akuza politike, si për individë të veçantë, ashtu dhe për grupe. Një nga akuzat më të zakonshme, ishte agjitacion-propaganda. Kur dikush dënohej politikisht, jo vetëm që ai do të vuante burgun, por edhe familja e tij, do të kishte pasoja nga më të ndryshmet. Unë, ende nuk e dija për çfarë e akuzonin babanë tim, por megjithatë, kur Irakliu më sugjeroi të kthehesha në fakultet, e pyeta se duhet të shkoja për të mbaruar studimet, apo për t’u kthyer së shpejti. Pasi u mendua pak, përsëriti që unë duhet të kthehesha në Tiranë dhe se të tjerat i dinin ata.
Nuk kisha pse të rrija më në Korçë dhe ditën tjetër u ktheva në fakultet. Shokëve të mi të afërt, u tregova të vërtetën, për sa kishte ndodhur. Ata më qëndruan pranë, duke shpresuar se problemi i armëve do të sqarohej. Pas rreth dy javësh fillonin provimet dhe për pak kohë u zhyta në botën e tyre. Një ditë vjen motra. Nuk e prisja ardhjen e saj. E kishte dërguar mamaja. Ishte shumë e shqetësuar, pasi hetuesia kishte bërë një kontroll tjetër. Por këtë herë shumë më të imtësishëm. Kishin shkallmuar dërrasat e dyshemesë, kishin kontrolluar në brendësi divanet dhe poltronat, kishin çarë dyshekët, ishin sjellë si të tërbuar. Disa kishin zbritur në bodrum, ku dërrasat e trarët e vjetër, ishin deri në tavan.
Kishin filluar t’i spostonin për të kontrolluar ambientin. Në njërën anë të bodrumit, kishim varur një fener (tip dollapi me rrjetë) ku mbanim ushqimet në fresk, pasi në atë kohë, shumë pak mund të ishin familjet që kishin një frigorifer. Kishim disa qypa për turshitë, mbanim drutë e zjarrit, etj. Gjatë kontrollit, mamaja dhe Ivana, mbaheshin në ambientet ku bëhej kontrolli dhe pastaj i kalonin te të tjerat, që do të kontrolloheshin më pas. Në bodrum, pasi kishin spostuar një pjesë të mirë të dërrasave, kishte dalë një kabull elektrik.
Menjëherë lajmërojnë me urgjencë Irakliun, i cili në këtë kontroll, ishte njeriu më i rëndësishëm. Sa e pa, iu dha urdhër dy punonjësve të Sigurimit që të spostonin materialin me kujdes, se patjetër do të zbulonin diçka të rëndësishme. Puna vazhdoi për mjaft minuta, por ende nuk kishin arritur të gjenin se ku përfundonte kablli. Irakliu, nuk ia kishte ndarë sytë gjatë të gjithë kohës. Më në fund, ky kabull i vjetër i kushedi sa dhjetëra viteve më parë, përfundonte me një kuti të vogël në formë cilindrike, më të vjetër se vetë kablli. Kishte qenë një pjesë e linjës së mëparshme elektrike, që gjatë restaurimit të shtëpisë, punëtorët e kishin hedhur në bodrum, bashkë me dërrasat.
Pasi u dërsinë e u pluhrosën, më në fund morën edhe zhgënjimin. Unë në atë kohë isha një djalë i ri, i parrahur me jetën. Nuk dija ende, si funksiononte drejtësia tek ne. Kështu të nesërmen, shkuam te një shoku i babait, që banonte në Tiranë. Në atë kohë ishte në pension, por në të kaluarën, deri në momentin që ishin lejuar avokatët, kishte punuar si i tillë. Kur i treguam arsyen e vizitës, i erdhi shumë keq, dhe jo vetëm për babanë. Këshilla e tij ishte që; i vetmi vend ku mund të shkonim, ishte shefi i përgjithshëm i Hetuesisë, në Ministrinë Brendshme.
Kështu bëmë. Shkuam në Ministri, ku na priti një punonjës i asaj zyre, meqë shefi ishte i zënë. Na pyeti, me shumë edukatë, nëse donim të bisedonim me të, për problemin, apo të ktheheshim të nesërmen, për të takuar krye-hetuesin. Pranuam të bisedonim. Na u prezantua, quhej Llambi dhe ishte me origjinë nga një fshat i Korçës. Ishte në dijeni të problemit tonë. Biseduam mbi gjithçka që na kishte ndodhur.
Na dëgjoi me vëmendje dhe na tha të kishim besim te Partia. E këshilloi Ivanën, të kthehej menjëherë në shtëpi dhe unë të vazhdoja provimet. E falenderuam dhe të nesërmen e shoqërova motrën te treni. Koha kalonte. Unë dhashë disa provime. Megjithëse nuk isha i qetë, për çka po më ndodhte, prapë arrita të përqendrohem e, të marr vlerësimet më të larta. Provimi i parafundit, ishte ai i rritjes së dhenve.
Kur hyra në sallën e provimit, profesori i lëndës më tha se më parë duhej të paraqitesha në sekretarinë e fakultetit. E kuptova menjëherë atë që kishte ndodhur. Nga sekretaria e fakultetit, më drejtuan në atë të Institutit, ku m’u komunikua prerja e të drejtës të studimit. Më pas, si për t’u justifikuar, m’u tha që urdhri kishte ardhur nga rrethi. “Rrethi ta jep, rrethi ta heq”, dhe se ata nuk kishin të bënin, me këtë vendim. Nuk u ndjeva mirë, që nuk më lanë të mbaroja fakultetin, por në anën tjetër, kjo qe e keqja më e vogël.
Isha para fundit të javës. Para se të kthehesha në Korçë, vendosa që ditën e hënë, të shkoja në Ministri. Aty takova përsëri Llambin, i cili nuk ishte në dijeni të prerjes së studimit. Vura re se u ndryshua në fytyrë e, më kërkoi të prisja disa minuta. Kur u kthye, më tha që pasi të kthehesha në Korçë, të paraqitesha tek shefi i Hetuesisë. Në konvikt u ktheva në orët e pasdites dhe fillova të përgatis valixhen, se të nesërmen do të udhëtoja. Në dhomë isha me shokët e mi. Edhe ata ishin të mërzitur. U kuptuam në heshtje. Ndoshta ky ishte veprimi i duhur.
Të nesërmen njëri prej tyre, më shoqëroi deri në Tiranë. Ishte disa vite më i madh se unë. Kur u ndamë më dha një këshillë: “Mirë me të gjithë, e mik me asnjë”. E falenderova shokun e mirë dhe u ktheva në Korçë. Kur hyra në shtëpi, mamaja e kuptoi dhe duke më përqafuar, më tha se nuk kishte problem. Do ta kalonim edhe këtë situatë të vështirë. Të nesërmen u paraqita tek shefi i Hetuesisë, i cili pasi më përshëndeti, më ftoi në zyrën e tij.
– “Ne kemi miq dhe armiq, – filloi bisedën Reshati. – Për konsekuencë, nuk i trajtojmë njëlloj fëmijët e tyre. Për këtë arsye, ta hoqëm të drejtën e studimit. Por ne, mund të ta japim prapë këtë të drejtë. Ti je student i mirë dhe nuk e ke problem, për t’i dhënë këto provime. Rëndësi ka, që ti të na tregosh, për babanë dhe për të tjerët. Nuk të kërkoj asgjë në këtë çast.
Shko në shtëpi, reflekto dhe kthehu këtu pas nja dy ditësh e, na i trego të gjitha”. Me këto fjalë, shefi mbylli diskutimin e tij. Kaluan jo vetëm ditë, por edhe javë e muaj dhe këmba ime, nuk shkeli në zyrën e shefit. Gjatë kësaj kohe, ishim ngushtë ekonomikisht. Mamaja kishte qenë gjithmonë shtëpiake. Motra po mbaronte gjimnazin. E vetmja e ardhur, ishte gjysma e pensionit të babait.
Shkova disa herë të kërkoja punë në lagje, por përgjigja ishte e njëjta: – “Nuk kemi”! Mamaja me motrën, shkonin rregullisht ditën e caktuar në Degë, për t’i çuar babait ndërresa dhe ushqime (ato pak që lejoheshin), me përjashtim të një rasti, kur i kërkuan urgjentisht rroba. Ato që i kthyen mbrapsht, ishin qull. Pas disa kohësh, nuk ia pranuan më, pasi iu thanë që babanë e kishin çuar në Tiranë.
Kaloi qershori, erdhi korriku dhe unë isha ende pa punë. Një ditë kur mamaja me motrën po shkonin në Degë, në trotuarin para Degës, panë Llambin dhe ju afruan. Mamaja e shihte për herë të parë, por si person, e dinte se kush ishte. E pyetën për babain. U përgjigj se; punët nuk ishin mirë. Mamaja e vuri në dijeni se mua, lagja nuk më jepte punë. Premtoi se do ta bisedonte. Atë mbrëmje, troket dera dhe korrieri i lagjes, solli fletën e punës. Më në fund do të filloja punë, në fermën e Dvoranit
Kjo ishte një fermë e madhe frutore, e ndarë në dy sektorë. Në fillim më caktuan në një brigadë, në sektorin e parë. Në këtë brigade, puna kryesore ishte kryesisht në vresht, dhe ishte koha e prashitjes. Për brigadiere, kisha një vajzë të re, që quhej Evelina. Brigada ishte plot me të rinj, e të reja. Mjaft prej tyre ishin vajza të bukura e, vinin nga fshatrat përreth fermës. Askush nuk dinte arsyen, përse kisha ndërprerë studimet.
Mendonin se kisha humbur një vit shkolle dhe do të punoja këtë vit në prodhim, për t’u rikthyer përsëri në bankat e shkollës. Kishin dëshirë të punonin grup me mua dhe ishin të interesuara të dinin, se çfarë kisha studiuar. Unë, duke ditur gjendjen time, isha shumë i rezervuar, por ndjehesha mirë, në shoqërinë e tyre. Punova një muaj në këtë brigadë. Një pasdite vjen brigadierja e mërzitur dhe më njofton se, të nesërmen duhet të filloja punë në një brigadë të sektorit të dytë.
Evelina kish insistuar te shefja e kuadrit, të më mbante në brigadën e saj, pasi kisha lënë përshtypje të mira dhe për raportet që kisha krijuar në brigadë. Por përgjigja ishte e prerë: – “Urdhër nga lart”! E falenderova dhe u ndamë si miq. Më pas u përshëndeta me shoqërinë e punës. Të gjithëve u erdhi keq që po ndaheshim e, më uruan mbarësi, kudo që të shkoja.
Të nesërmen, rruga me autobus m’u zgjat edhe 10-15 minuta, por jo vetëm kaq. Më kishin caktuar në një brigade, që kishte pemëtoret më të largëta të sektorit. Kështu më binte të bëja mjaft rrugë në këmbë. Unë isha i ri dhe nuk e kisha problem largësinë. Brigadieri, ishte një burrë i moshuar, njeri i mirë dhe gjatë atyre dy muajve që punova aty, patëm raporte të mira. Edhe në këtë brigade, askush nuk e dinte problemin tim ose, të paktën askush nuk më dha të kuptoja, se diçka dinte, apo që donte të më provokonte. Kujtoja gjithmonë fjalët e shokut: “Mirë me të gjithë e, mik me asnjë”.
Pemëtorja që mbulonte brigada jonë, përbëhej nga lloje të ndryshme qershish, që piqeshin pjesë-pjesë, nga varietete të shumta mollësh dhe kumbullash. Kur fillova punë në këtë brigadë, pjesa më e madhe e qershive ishte vjelë dhe puna kryesore, ishte prashitja e mollëve. Në shtator filloi në masë vjelja e kumbullave dhe më pas ajo e mollëve. Kur filluam vjeljen e mollëve, një pjesë bëhej kavaleta në fushë, kurse pjesa tjetër, çohej në magazinat e sektorit, nga ku shpërndahej nëpër rrethe.
Një ditë më caktuan të ndihmoja në ngarkim-shkarkim një qerrexhi, që i mungonte ndihmësi, pasi transporti i mollëve për në magazine, bëhej me kafshë pune. Meqë qerrja ishte e ngarkuar tej mase dhe toka ishte e zbutur nga shiu, rrotat hynin më thellë në tokë dhe qetë e shkreta, stërmundoheshin. Më vinte keq kur qerrexhiu i shponte me shkop në vithe. Shkopi përfundonte me një gozhdë me majë. Sa herë qetë ngadalësonin ecjen, qerrexhiu i shponte dhe ato vërtet shpejtonin, por në vithet e tyre krijohej një curril i ri gjaku.
Më erdhi keq për të shkretat kafshë. Familja dhe shkolla më kishin edukuar, t’i trajtoja kafshët me kujdes, por isha edhe njeri i ndjeshëm. Kur arritëm në magazine, gjeta rastin dhe e shtypa gozhdën brenda drurit. Të paktën në ngarkesën tjetër, do të kishin në vithe, një shkop pa majë.
Periudhën tjetër, punova në vjeljen e mollëve. Në brigadë kishte punë të kategorive të ndryshme. Kishte procese ku kërkohej punë e kualifikuar dhe paga ishte më e lartë. Një nga këto, ishte edhe krasitja e pemëve, që fillonte pas mbarimit të sezonit të vjeljes së mollëve dhe vazhdonte gjithë dimrin. Në fillim të tetorit, njoha një nga specialistët i cili, do të më merrte në skuadrën e tij. Quhej Leonidha dhe së bashku punuam nja dy javë, në mbledhjen e mollëve.
Kur u transferova në sektorin e dytë, mendova të bëja shkollën e mbrëmjes, për profesionin e elektricistit. Pasi u interesova, m’u tha se veç dokumentit të shkollës së mesme, duhet të paraqisja edhe një vërtetim nga puna, që më autorizonte të studioja për këtë profesion. Përgjegjësi i sektorit, quhej Guri. Kur u paraqita dhe i kërkova këtë vërtetim, ma dha menjëherë, pa hyrë në hollësira. Ishte njeri i mirë. Mendova të merrja një profesion, që në një të ardhme, të hyja në një ndërmarrje në qytet, dhe të mos mbetesha fushave. U regjistrova, por ashtu siç rrodhën ngjarjet, këtë shkollë nuk e mbarova.
Në kohën që punoja në Dvoran, hetuesia vazhdonte të bënte kontrolle të tjera. Gjithë mëhalla jonë, u tmerrua nga makinat dhe punonjësit e Sigurimit, që vinin. Fqinjët na njihnin prej shumë vitesh, si njerëz të ndershëm dhe familje e rregullt. Kishin mbetur të habitur me fjalët që ishin përhapur, se ne ishim agjentë jugosllavë dhe se gjatë kontrolleve, na kishin gjetur radio – transmetuese dhe fotografinë e madhe, të Titos.
Punëtorët që punonin në shtëpinë tonë edhe ata ishin të trembur e të çoroditur. Atelieja nxitoi të mbarojë punët më kryesore dhe u largua. Disa mure nuk u suvatuan dhe dhomat mbetën pa dyer, për shumë vite. Pas kontrolleve të shumtë, i thashë mamasë të mos sistemonte më asgjë, pasi ata do të vinin përsëri, të përmbysnin gjithçka.
Në një nga kontrollet, më tregoi mamaja, një nga punonjësit e Sigurimit, që po shihte kostumet e mia dhe të babait, në raftin e rrobave, i ishte drejtuar Irakliut: – “Rako! Rako! Po këto shkruajnë “Made in ITALYYY”! Irakliu i ishte kthyer gjithë inat dhe i kishte thënë të vazhdonte kontrollin. Kishte raste që, të nesërmen e kontrollit, mamanë e kërkonin të paraqitej në Degë dhe gjithnjë e shoqëronte motra.
Një herë e shoqërova unë. Në hyrje të Degës, takuam Llambin. Vura re se kur më pa, u shqetësua që nuk kisha shkuar në punë. Më këshilloi që të kthehesha menjëherë në vendin e punës. Kur mamaja kishte hyrë në zyrën e Reshatit, ky e kishte pyetur se nga e njihnim Llambin. Llambin nuk e takova më, por pata përshtypjen, se nuk ma donte të keqen. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016